zoom

Aktualitet

Aksidenti me 4 të vdekur në Memaliaj-Mallakastër, arrestohet shoferi i veturës “BMW”

Policia e Fierit dhe Tepelenës njoftuan sot se ka arrestuar pas hetimeve paraprake të kryera, drejtuesin e “BMW”-së, që dyshohet se shkaktoi aksidentin me 4 të vdekur në Mallakastër, ngjarje tragjike e ndodhur mbrëmjen e djeshme.

“Në vijim të veprimeve procedurale për aksidentin e ndodhur pasditen e djeshme, në aksin rrugor Memaliaj-Mallakastër, si pasojë e të cilit humbën jetën 4 shtetas dhe u dëmtuan rëndë 2 të tjerë, specialistët për Trafikun Urban dhe Interurban arrestuan në flagrancë drejtuesin e automjetit tip “BMW” të përfshirë në këtë aksident, shtetasin E. P., 46 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, sqaroi policia.

Policia identifikoi edhe katër personat që humbën jetën. Mësohet se viktima të këtij aksidenti të rëndë kanë mbetur shtetasit: Riza Rapaj 42 vjeç; Lavdosh Bega 62 vjeç; Lefteri Bega 57 vjeç dhe Afërdita Meta 85 vjeç.

Ndërkohë, të plagosur rëndë janë dy persona, Jani Meta rreth 60 vjeç dhe Lavdie Meta 63 vjeç, të cilët po marrin ndihmë mjekësore. Ka qenë drejtuesi i automjetit “Benz” ai që ka humbur kontrollin duke dalë në korsinë e kundërt dhe duke u përplasur me automjetin “Toyota Yaris”. Në aksident është përfshirë edhe drejtuesi i mjetit “BMW” që ndodhej pas tij.

Në makinën gri, tip “Toyota” kanë mbetur 3 të vdekur, ndërsa në makinën e zezë, tip “Benz” ka mbetur i vdekur shoferi, 42-vjeçari Riza Astrit Rapaj, i cili dyshohet se ka shkaktuar aksidentin. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:00, në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj. Dyshohet se shkak për humbjen e kontrollit të mjetit, që shkaktoi edhe aksidentin ka qenë rrëshqitja në terren të lagësht dhe shpejtësia mbi normën. /ZOOM.AL/

Postime të lidhura