zoom

Bota

Mbesa e Hrushov: Sa më gjatë që zgjat lufta në Ukrainë, aq më i rrezikuar pushteti i Putinit

Nina Khrushcheva, profesore e Çështjeve Ndërkombëtare në The New School në New York, mbesa e ish-udhëheqësit të Bashkimit Sovjetik, Nikita Hrushov, analizon efektin e tyre dhe perspektivat e ndryshimit të regjimit në atdheun e saj.

Ndërsa lufta në Ukrainë ka hyrë në vitin e tretë, dhe pas vdekjes së liderit të opozitës ruse Alexei Navalny në burg, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur sanksione të reja ndaj Rusisë.

A do ndikojë reagimi i Perëndimit ndaj vdekjes së Navalny tek zgjedhjet presidenciale të javës së ardhshme?

Pavarësisht revoltës së shumë rusëve nga vdekja e Navalny-t, deri më tani kjo ngjarje nuk ka nxitur ndonjë reagim të dukshëm popullor. Edhe pse mund të shkaktojë ende trazira – ngjarje të tilla mund të jenë të vështira për t’u parashikuar, sidomos në Rusi – ka pak arsye të besohet se do të pezullohen “zgjedhjet” (nëse mund të quhen ende të tilla).

Nëse kërcënimi nga ndëshkimit i ashpër nën regjimin stalinian të Putinit, nuk do të mjaftojë për të penguar protestat, forcat e sigurisë – që angazhohen në masë gjatë kohës së votimit – do t’i shtypin ato me shpejtësi. Sa i përket sanksioneve, përqendrimi i Perëndimit tek ato ka qenë gjithmonë i gabuar.

Ata nuk e penguan kur ai nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës 2 vjet më parë, dhe nuk do ta pengojnë as tani. Madje sanksionet mund të forcojnë pozitën e Putinit në vend. Për shkak se u bëjnë shumë më shumë dëm rusëve të zakonshëm sesa atyre në Kremlin, ato mund të përdoren për të përforcuar narrativën e Putinit se Perëndimi është në luftë kundër Rusisë, dhe do të shkojë deri në ekstrem për ta shkatërruar atë.

Me pakësimin e ndihmës perëndimore për Ukrainën, po bëhen gjithnjë e më të forta thirrjet për të përdorur 300 miliardë dollarë asete të bankës qendrore ruse, që  kanë ngrirë qeveritë perëndimore pas fillimit të pushtimit. Në një kohë kur “bisedimet realiste me Kremlinin”, mund të jenë shpresa më e mirë për t’i dhënë fund luftës, a do t’i jepnin ato Perëndimit më shumë apo më pak leva ndikimi?

Thelbi nuk qëndron tek levat, por tek rregullat dhe normat ndërkombëtare. Dy vjet pas luftës, nuk janë sekuestruar ende asetet e Bankës Qendrore të Rusisë, sepse Perëndimi e pranon se një veprim i tillë nuk do të ishte plotësisht i ligjshëm, dhe se ai do të binte ndesh me normat të cilave ajo pretendon se u përmbahet.

Suksesi i Rusisë në përballimin e sanksioneve të ashpra, përbën një poshtërim për SHBA-në dhe partnerët e saj. Kompanitë perëndimore janë ankuar se po keqtrajtohen në Rusi, edhe sepse qeveritë e tyre po ngrijnë asetet ruse dhe vendosin sanksione ndaj Moskës.

Dhe liderët perëndimorë e kanë kritikuar Rusinë se ka vepruar pikërisht ashtu siç kanë vepruar edhe vetë. Për shembull, vitin e kaluar presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e kaluar e dënoi përdorimin e energjisë “si një armë” nga Putin, megjithëse BE-ja kishte bërë tashmë pikërisht këtë.

Pas rebelimit të shkurtër të kreu të grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, verën e kaluar, ju shkruat se dobësia e Putinit  dhe çarjet në sistemin që ndërtoi ishin shumë të dukshme. Kohët e fundit, e krahasuat propagandën ruse me fshatrat e Potemkinit, “një fasadë pas së cilës qëndrojnë zgjedhjet e rreme, një ekonomi në dobësim e sipër dhe një dhuna në rritje”. Sa serioz është kërcënimi që paraqesin këto dobësi për mbijetesën e regjimit të Putinit, dhe ku mund të fillojë të shembet fasada?

Të çarat e regjimit janë kudo. Ne i pamë ato kur politikani kundër luftës kundër Ukrainës, Boris Nadezhdin mblodhi më shumë se 200.000 firma në mbështetje të kandidaturës së tij presidenciale (më pas iu ndalua garimi). I pamë kur mijëra njerëz vendosën lule në nderim të Navalny-t, edhe pse qindra u arrestuan sepse brohoritën “Putini është një vrasës” dhe “Jo luftës”.

Me gjithë rreziqet, rusët flasin ende hapur, të paktën tani për tani. Pasi iu anuluan koncertet në disa qytete për shkak të kritikave të tyre ndaj luftës, Diana Arbenina dhe grupi i saj rock, Night Snipers, tha para fansave në Chelyabinsk se ndonëse ishte paralajmëruar të qëndronte e heshtur mbi arrestimet e paligjshme, ajo nuk do të bindej, madje edhe të tjerët nuk duhet të binden.

Turma brohoriti dhe shfaqja vazhdoi, ndërsa policia nuk guxoi të ndërhynte. Asnjë nga këto nuk do të thotë se një revolucion është pranë (edhe pse mund të jetë). Por sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më e vështirë do të bëhet mbajtja nën kontroll e një populli gjithnjë e më të shqetësuar dhe zemëruar me atë që po ndodh.

Edhe nëse ekonomia po qëndron në këmbë, shkalla e madhe e shtypjes e ka kthyer Rusinë në një lloj tenxhereje me presion. Po rritet rreziku i shpërthimi të një revolte. Një investigim i fundit i “Proekt”, llogariti se që nga viti 2018, kur filloi mandati aktual i Putinit, janë hapur gati 6.000 çështje penale kundër qytetarëve rusë, që klasifikohen si represion politik.

Sa për krahasim, në vitet 1956-85, pra nga vitet pas vdekjes së Stalinit deri në fillimin e Glasnostit dhe Perestrojkës së Mikhail Gorbachev, raste të tilla ishin gjithsej 8000. Sa më shumë që Kremlini përpiqet të shmangë rebelimin, aq më shumë gjasa ka të ndodhë ai.

Yulia Nalvanaya, e veja e Alexei Navalny-t, shmangu kryesisht vëmendjen e publikut derisa bashkëshorti i saj ishte gjallë. Tani ajo thotë do të bëhet pjesë e politikës për të mbështetur trashëgiminë e tij të aktivizmit anti-Putin. Sa efektive mund të jetë ajo në dëmtimin e shtetit represiv në Rusi?

Navalnaya duket se është një njeri i admirueshëm. Ndoshta ajo do të ketë sukses. Por nuk jeton në Rusi. Kjo është e kuptueshme:Moska nuk është e sigurt për Navalnayan. Nuk ishte e sigurt as për bashkëshortin e saj të ndjerë, por ai u kthye gjithsesi atje në vitin 2021, pasi u shërua nga një atentat i mbetur në tentativë me agjentin nervor Novichok.

Ai e dinte se opozita nga jashtë Rusisë mund të ketë rezultate shumë të kufizuara. Një politikan duhet të jetë në vendin ku bën politikë. Ndërsa Navalnaya flet për vdekjen e Navalny-t në aktivitete jashtë vendit, nëna e tij Lyudmila shkoi në Siberi dhe u përpoq ta merrte trupin e tij për ta varrosur.

Ndonëse shumë rusë e kuptojnë zgjedhjen e Navalnaya-s për të qëndruar larg, kontrasti mes nënës së Navalny-t dhe vejushës së tij që kërkon vëmendje publike, nuk ka kaluar pa u vënë re. Kalimi i kohës duke biseduar me liderët e huaj për problemet e Rusisë ka pak ndikim brenda vendit, siç e kanë dëshmuar edhe Gary Kasparov dhe Mikhail Khodorkovsky. Nëse Navalnaya nuk kthehet në Rusi, unë nuk e kuptoj se sa efektive mund të jetë ajo në aspektin  politik.

A është e zmadhuar frika se Putin po planifikon të pushtojë pas Ukrainës vendet e NATO-s, ndoshta duke filluar nga ato baltike?

Mua më duket krejtësisht e papërgjegjshme një retorikë e tillë. Është e kuptueshme se vendet e NATO-s janë të mërzitura nga fakti që kundërofensiva e Ukrainës në verën e vitit 2023 dështoi të përmbushë pritshmëritë e tyre (jo realiste dhe shumë të larta).

Tani ata ankohen se nuk mund të përballojnë dot më ritmin e financimit dhe ndihmës që kanë dhënë 2 vitet e fundit për Ukrainën. Po rritet rezistenca politike brenda këtyre vendeve. Pra, udhëheqësit po përpiqen të trembin njerëzit duke paralajmëruar se nëse Putini arrin një fitore në Ukrainë, shënjestra e radhës do të jetë NATO.

Ky përshkallëzim i retorikës, mund të bëjë edhe më të mundshëm përshkallëzimin ushtarak. Putin nuk ka treguar ndonjë dëshirë për të nisur luftën kundër NATO-s. Por duke nxitur frikën se do ta bënte, udhëheqësit e NATO-s rrezikojnë të krijojnë një lloj profecie vetë-përmbushëse. Unë si një kritike e vazhdueshme e Putinit, e shoh këtë si tërësisht provokuese dhe si një marrëzi./ProjectSyndicate