zoom

Politikë

Mes akuzave për Inceneratorët dhe portin e Durrësit, Emiriana Sako merr përsëri bashkinë

Kandidatja socialiste për drejtimin e Durrësit, Emiriana Sako ka siguruar një mandat të dytë, me një diferencë prej 10 pikë përqindje nga kandidati demokrat Igli Cara.

Riemërimi i saj është një ndër pikëpyetjet e shumta të këtyre zgjedhjeve, duke pasur parasysh se ajo është përmenduar më shpesh për afera të pista se sa punë të pastra për qytetarët e Durrësit.

Opozita e ka denoncuar si të përfshirë në aferën e inceneratorëve, pasi Emiriana Sako i dha kompanisë së Klodian Zotos 10 milionë euro nga buxheti i bashkisë që drejton.

Në fillim të vitit 2022 durrsakët e panë qytetin e tyre të përmbytur nga plehrat. Zona e grumbullimit të mbetjeve në Porto Romano ishte e mbuluar vazhdimisht nga re të mëdha tymi me tonelata plehra që digjeshin papushim.

Duke shpallur gjendjen e emergjencës, Sako, pa tender, por me negocim, i dha kompanisë së inceneratorit të Tiranës 25 milionë euro, 15 prej të cilave vetëm për transportin.
“Ka shtuar sasinë e mbetjeve të Durrësit duke fryre faturën financiare nga 38.146 ton në vit, në 80.000 ton në vit”, denonconte në atë kohë opozita.

“Tashmë është e qartë për të gjithë se organizmi dhe zbatimi i kësaj afere kriminale, nuk mund të ndodhte pa mbështetjen dhe miratimin e Edi Ramës”, vijonte denoncimi.

Pas plehrave, mediat e akuzuan edhe për vjedhje në një tender prej 7 milionë eurosh për kanalizimet. Edhe pas këtij tenderi, Durrësi përmbytet sa herë ka reshje.

Por qershia mbi tortë është projekti i Portit të Durrësit, një investim që do të arrijë në 2 miliardë euro, sipas premtimeve të biznesmenit arab Muhamet Alabbar.

Emiriana Sako ka firmën mbi planin e projektit më të përfolur në vend, siç e ka bërë të ditur kohë më parë Zoom.al. Sipas PDV-së (Planit të Detajuar Vendor), vetëm 5 përqind e ndërtimit janë për shërbime. Thënë më shkoqur, edhe pse thuhet që Marina do t’i shërbejë turizmit, PDV saktëson se vetëm 5 % e ndërtimeve dhe hapësirave janë për hotele e lokale në dobi të turizmit. Pjesa tjetër janë pallate banimi, të ndërtuara në 800 mijë m2 tokë shtetërore që Alabbar-it iu fal nga Edi Rama.

Për këtë të fundit, fitorja e Sakos duhet të ketë qenë një lehtësim i madh pas gjithë vëmendjes që ai i kushtoi gjatë fushatës, duke sinjalizuar se Durrësi po i ikte qeverisë nga duart!/Zoom.al