Aplikacion
Zoom.al ka mësuar ekskluzivisht dëshminë e plotë të njërit prej të pranishmëve në ngjarje, saktësisht xhaxhait të të miturit që humbi jetën.
17-vjeçari Kenado Shira pëlqente vajzën e Fiqiri Mjeshtrit, që sipas informacioneve të marra nga redaksia e Zoom.al, e kishte kontaktuar disa herë të renë në rrjetin social, Instagram.
Kaq kishte mjaftuar që babai i vajzës, i vënë në dijeni për tërheqjen dhe interesin që kishte lindur te Shira, të vinte menjëherë nga emigracioni, “për të vënë gjërat në vijë”.
Ditën e sotme, të dyja familjet, Mjeshtri dhe Shirat u ulën në një lokal në qendër të Klosit për t’i dhënë zgjidhje situatës, një takim në fakt që nuk solli gjë tjetër veçse mort.
Fisi Mjeshtri do të përfaqësohej nga autori i krimit, Fiqiriu dhe tre vëllezërit e tij. Ndërkohë nga Shirat shkoi 17-vjeçari, babai i tij, Iliri dhe vëllai i këtij të fundit (xhaxhai i Kenados).
Ndonëse nga ana e familjes Mjeshtri, gjakrat dukej se ishin nxehur, sipas dëshmisë së xhaxhait të të ndjerit Kenado Shira, palët, pasi bashkëbiseduan duket se mundën të gjenin një dakordësi.
Kështu u ngritën nga tavolina, por nuk vonoi dhe një nxjerrje e beftë e armës nga Fiqiri Mjeshtri solli fillimisht plagosjen e 17-vjeçarit.
Sapo ka marrë goditjen e plumbit, i mituri ka vrapuar me sa ka mundur, teksa agresori nuk ka vonuar të qëllojë edhe të atin e tij, Ilirin. Me të shtënë mbi trupin e tij, Mjeshtri i është vënë pas sërish Kenados.
I mituri ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa babai i tij vetëm pak minuta më vonë, ndërsa transportohej për në spital.
Si pasojë e të shtënave u plagosën dy persona, kalimtarë të rastësishëm, të identifikuar si Renato Hasula dhe Eglantin Hasula, të cilët u nisën me urgjencë drejt Tiranës. Duhet thënë se dy personat në fjalë nuk kanë lidhje me masakrën në fjalë, ndryshe nga çfarë është pretenduar deri më tani.