zoom

Aktualitet

7 mijë euro nga Tirana në Shkup, Rama mbërrin në aeroport me avionin “charter”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nisi sot turin e tij në Ballkan, që përfshin ndalesa në 5 kryeqytete në 2 ditë.

Ndalesa e parë ishte në Shkup ku u prit nga kryeministri Dimitar Kovaçevski. Për në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut ai udhëtoi me avionin e tij “charter”, të quajtur me emrin “Ismaili”.

Zoom.al, referuar të dhënave të marra nga agjenci të specializuara, ka raportuar se për 1 orë fluturim, “Ismaili” i Ramës, një Airbus A319, TC-ANA, shpenzon afro 15 mijë euro.

Nga Tirana në Shkup fluturimi zgjat afro 30 minuta. Kështu, në karburant, taksa aeroportuale, paga të pilotëve dhe të 12 anëtarëve të ekuipazhit që kujdesen dhe shërbejnë për avionin luksoz, “Ismaili” rezulton të ketë shpenzuar afro 7 mijë euro.

Po të udhëtonte me makinë, në 288 km distancë, kryeministri do të kishte paguar nga 50 deri në 70 euro karburant.

Kryeministri Rama është akuzuar nga opozita se ka shpenzuar mbi 20 milionë euro me avionin e tij, që e ka marrë në mënyrë të paqartë nga qeveria turke.

Qeveria vetë ka refuzuar vazhdimisht të tregojë sa janë shpenzimet dhe kush i paguan ato.

Ndërsa opozita nuk ka insistuar për të hedhur dritë mbi këtë çështje, ndonëse bëhet fjalë për shpenzime luksi të një kryetari qeverie.

Veç Shkupit, Rama do të fluturojë me avionin “Ismaili” edhe në Prishtinë, Sarajevë, Podgoricë dhe Beograd.

Shpenzimet e këtij turi, vetëm përsa i përket lëvizjes me avion, përllogaritet të jenë mes 40 dhe 50 mijë eurove.

Zoom.al e fton Kryeministrinë të tregojë me dokumenta zyrtarë se sa janë shpenzimet reale dhe kush i paguan ato.

AGJENDA E KRYEMINISTRIT