Aplikacion
Një ish-futbollist i Anglisë dhe i Premier League është arrestuar, i dyshuar për tentativë përdhunimi.
I dyshuari, i cili ka luajtur për kombëtaren angleze gjatë viteve 2010, është ndaluar në aeroportin e Stansted, raporton “The Sun”. Ai nuk mund të identifikohet për arsye ligjore.
“Një burrë është arrestuar si i dyshuar për tentativë përdhunimi dhe është lënë i lirë me kusht deri në fund të shkurtit 2026, ndërsa vijojmë hetimet,” tha një zëdhënës i Policisë së Essex-it.
Sipas raportit, lojtari është ndalur nga autoritetet e kontrollit kufitar përpara se të hipte në një fluturim të dielën. Të dhënat e tij tregonin se ai kërkohej nga policia në lidhje me një akuzë jo të kohëve të fundit për tentativë përdhunimi.
Në Mbretërinë e Bashkuar, emrat e personave të arrestuar rrallëherë bëhen publikë ose konfirmohen nga policia. Kjo praktikë u vendos pas hetimit “Leveson” mbi median britanike në vitin 2012, i cili përcaktoi se të arrestuarit nuk duhet të identifikohen “përveçse në rrethana të jashtëzakonshme dhe qartësisht të përcaktuara”. Zakonisht, emri publikohet vetëm nëse personi akuzohet zyrtarisht.