zoom

Aktualitet

3 vite nga shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë, a kanë nisur punimet për godinën e re?

Sot, më 17 Maj, bëhen tre vite nga shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë.

Këshilli i Ministrave përmes një vendimi ia kaloi në pronësi Bashkisë së Tiranës trualin ku ndodhej Teatri Kombëtar dhe më pas Këshilli Bashkiak vendosi për shembjen e tij. Në orën 04.00 të mëngjesit të 17 Majit 2020, hyrja e godinës së Teatrit Kombëtar u shemb.

Fadromat e IMT-së të shoqëruar nga forca të shumta të policisë nxorën nga godina disa aktorë të cilët protestonin kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, dhe rrafshuan godinën.

Shembja e teatrit u shoqërua me tensione. Artistët, aktivistët dhe qytetarët e tjerë të pranishëm u përplasën me forcat e Policisë së Shtetit dhe RENEA, të cilën shoqëruan një pjesë të protestuesve.

Policia ndërhyri me mjete të forta dhe gaz lotsjellës, për të shpërndarë turmën e protestuesve.

Pavarësisht rezistencës qytetare, teatri dhe historia që mbarte me vete u zhduk.

Plani ishte që teatri do të ndërtohej me Partneritet Publik Privat, gjë e cila hasi në kundërshtinë e hapur artistëve. Në funksion të realizimit të shembjes dhe ndërtimit me PPP të teatrit, Ministria e Kulturës e drejtuar nga ish-ministrja Mirela Kumbaro hartoi një ligj special, me qëllim shembjen dhe ndërtimin e teatrit nga kompani private “Fusha”.

Një muaj përpara shembjes kompania “Fusha” u tërhoq nga gara dhe Bashkia e Tiranës premtoi se teatri do të ndërtohej me para publike. Me një vendim qeverie teatri i kaloi Bashkisë dhe me një vendim të këshillit Bashkiak të mbajtur online në kushtet e pandemisë u vendos shembja e Teatrit Kombëtar, e cila u realizua në mënyrë tinëzare në orët e vona të natës së 17 Majit 2020.

E ndërsa kanë kaluar plot tre vjet, ndërtimi i teatrit të ri mbetet një premtim bosh.

Kryeministri Edi Rama premtoi rindërtimin e teatrit të ri Kombëtar me standarde evropiane, me qëllimet që të zhvishet nga paragjykimet e së kaluarës.

“Rindërtimi i teatrit do të bëhet me standarde evropiane. Teatri do pajiset me të gjitha instrumentat. Ëndrra për të pasur më në fund një tetar me të gjitha parametrat me standarde bashkëkohore do të bëhet realitet”, deklaroi Rama asokohe.

Po atë pasdite , pasi godina e Teatrit Kombëtar ra, kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj u lidh drejtpërdrejt me qytetarët përmes rrjetit social Facebook dhe e konsideroi vendim të vështirë, por të drejtë ndërtimin e një teatri të ri. Ndërsa tregoi se po përgatiten për të nisur punën për teatrin e ri.


“Teksa përgatitemi të nisim punën për Teatrin e Ri, i ftoj të gjithë, që nesër, ta bëjmë edhe më të mirë projektin që kemi në tavolinë. Ai teatër do të jetë për artistët dhe qytetarët, për fëmijët tanë. Ejani ta ndërtojmë së bashku”, – u shpreh Veliaj.

Përpos premtimeve të përvitshme për të ndërtuar godinën e re, sot tre vite pas shembjes hapësira ku qendronte teatri mbetet bosh, e rrethuar dhe pa të drejtën e shfrytëzimin si një pronë publike nga qytetarët.

Krybashkiaku Veliaj, në 21 dhjetor 2022 lajmëroi në mënyrë ceremoniale nisjen e punimeve për hapjen e themeleve për teatrin e ri.

Por verifikimi në terren në shkurt 2023 tregoi se vendi ku do hapeshin themelet nuk ka asnjë makineri apo punëtorë dhe sheshi i kantierit i ngjan një parkingu automjetesh private.

Po ashtu tabela e punimeve ku duhet të jepet informacion për datën e fillimit dhe përfundimit të punimeve, në fakt është mbuluar duke mos treguar asnjë të dhënë.


Edhe pse tetatri u shemb në një aksion të beftë projekti për teatrin e ri kombëtar vijon të zvarritet prej 3 vitesh.

Ndërsa shembja e teatrit tregon dhe njëherë se Tirana ka më pak histori dhe më shumë kulla që nuk thonë asgjë. Tirana është kthyer në një qytet që nuk i përket më qytetarëve të saj.