zoom

Day ArchiveVijon operacioni/ Turqia arreston 357 anëtarë të dyshuar të IS-it

Forcat e sigurisë të Turqisë kanë arrestuar 357 persona gjatë operacioneve në mbarë shtetit kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS), bëri të ditur ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya.

“Gjatë operacioneve të zhvilluara këtë mëngjes nga forcat tona të policisë në 21 provinca, kemi arrestuar 357 persona që dyshohet se janë të lidhur me IS-in”, tha Yerlikaya në X.

“Ne asnjëherë nuk u kemi dhënë mundësi atyre që përpiqen ta gjunjëzojnë shtetin përmes terrorizmit”.

Më 29 dhjetor, tre zyrtarë policorë u vranë gjatë një operacioni kundër grupit në Yalova, në veriperëndim të Turqisë. Përplasja, e cila zgjati disa orë, la të vdekur edhe gjashtë anëtarë të dyshuar të IS-it, të gjithë shtetas të Turqisë.

Javën e kaluar, Prokuroria e Stambollit urdhëroi arrestimin e 137 personave, nën dyshimet se ishin anëtarë të IS-it, pasi tha se “informacionet e inteligjencës treguan se organizata terroriste, Shteti Islamik, po planifikonte sulme gjatë Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Turqia ndan një kufi prej 900 kilometrash me Sirinë, ku ky grup mbetet aktiv. Rel/

Babai i Malit në gjendje të rënduar, përfundon në spital pas reagimeve në rrjet

Babai i banorit të Big Brother VIP 5, Malit, Faik Retkoceri, nuk ka mundur të jetë i pranishëm në intervistën e planifikuar për emisionin “Ftesë në 5”, të moderuar nga Bieta Sulo, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Moderatorja bëri të ditur se situata u kuptua vetëm pak minuta përpara se të realizohej lidhja direkte. Sipas saj, gjatë përpjekjes për ta kontaktuar Faikun, në telefon u përgjigj motra e tij, e cila jeton në Francë.

“Pak minuta para provës për lidhjen direkte, na erdhi një mesazh. Kur telefonuam me mendimin se do të flisnim me Faikun, në telefon doli motra e tij”, tregoi Sulo gjatë emisionit.

Në mesazhin e dërguar nga motra e Faikut, Rema Retkoceri, sqarohej se ai ndodhej në spital dhe nuk ishte në gjendje të jepte intervistë. “Ai është duke marrë infuzion dhe është në gjendje të rënduar, pasi nuk po arrin të përballojë komentet dhe reagimet në rrjetet sociale”, thuhej në mesazh, ku kërkohej mirëkuptim nga stafi i emisionit.

Bieta Sulo shtoi gjithashtu se gjatë bisedës telefonike, motra e Faikut kishte theksuar se gjendja e tij emocionale ishte përkeqësuar ndjeshëm dhe për këtë arsye ishte dërguar menjëherë në spital.

Kujtojmë se gjatë spektaklit të së shtunës, Faik Retkoceri hyri në shtëpinë e Big Brother VIP 5 për të takuar djalin e tij, Malin, pas një mungese kontakti prej rreth shtatë vitesh. Megjithatë, takimi nuk u realizua, pasi Mali vendosi që këtë moment ta përjetojë jashtë shtëpisë, pasi të përfundojë rrugëtimi i tij në reality show.

Akuza të forta ndaj Facebook, platforma lejoi lavdërimin e masakrës terroriste në Sydney

Facebook ka reaguar me vonesë ndaj postimeve që lavdëronin një sulm terrorist në Bondi Beach të Sidneit dhe që promovonin Shtetin Islamik (ISIS), sipas Community Security Trust (CST), një organizatë ndërkombëtare kundër urrejtjes.

Sipas CST, disa postime që festonin vrasjen e hebrenjve gjatë sulmit të 14 dhjetorit vazhdonin të ishin aktive edhe dy ditë pas ngjarjes, duke marrë pëlqime dhe shpërndarje në rrjetin social. Disa prej llogarive që shpërndanë përmbajtjen dyshohet se janë të bazuara në Mbretërinë e Bashkuar dhe janë raportuar tek autoritetet kundër terrorizmit.

Sulmi në Bondi Beach ndodhi gjatë festimeve të Hanukës dhe la të paktën 15 persona të vrarë. Autorët e dyshuar, baba e bir, besohet se ishin mbështetës të IS-it. Postimet përfshinin video dhe fotografi nga vendngjarja, të shoqëruara me mesazhe lavdëruese për organizatën terroriste.

Facebook, në pronësi të kompanisë Meta, tha se kishte nisur heqjen e përmbajtjeve problematike pas kontaktimit nga media britanike The Guardian, duke shtuar se disa postime ishin fshirë më herët për shkelje të politikave kundër organizatave terroriste.

Drejtori i politikave në CST, Dave Rich, deklaroi se përhapja e llogarive që mbështesin IS-in në rrjetet sociale është “thellësisht alarmuese” dhe se dështimi i platformave për të vepruar shpejt “po rrezikon sigurinë publike”.

Autoriteti britanik i medias, Ofcom, konfirmoi se ka prova që tregojnë se përmbajtje terroriste dhe gjuhë urrejtjeje vazhdojnë të qarkullojnë në platformat kryesore online, duke theksuar se ligji i detyron kompanitë të heqin menjëherë materialet e paligjshme.

Zoom.al/

E rëndë në Elbasan, ndërron jetë një person, u gjet thuajse i shkrumbuar

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme pranë stadiumit “Elbasan Arena”, ku një person është gjetur pothuajse i djegur në një ambient të përshtatur si banesë, në katin e parë të një pallati.

Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta.

Sipas informacioneve paraprake, ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse është bërë pas sinjalizimeve të banorëve për erë djegie dhe tym.

Zjarrfikësit kanë hapur me forcë qepenin e ambientit, ku kanë gjetur një person të identifikuar si Edmond Angjeli, në gjendje të rëndë shëndetësore, pothuajse të djegur dhe në koma.

Për shkak të plagëve të marra, Angjeli ka ndërruar jetë.

Rrethanat e ngjarjes nuk dihen ende.

Zoom.al/

6 këshilla që i bëjnë planet e Vitit të Ri më të realizueshme

Vendosja e objektivave për Vitin e Ri është një traditë e përhapur, por për shumë njerëz ajo përfundon shpejt në zhgënjim.

Rezolutat shpesh braktisen që në muajt e parë, jo për mungesë vullneti, por sepse janë të paqarta ose shumë ambicioze.

Sipas studimeve të fundit, njerëzit po largohen gjithnjë e më shumë nga premtimet e mëdha dhe po fokusohen te plane më realiste, të lidhura me jetën e përditshme. Qëllimet më të qëndrueshme janë ato që bazohen te progresi dhe jo te perfeksioni.

Ja gjashtë këshilla që ndihmojnë që planet e Vitit të Ri të funksionojnë realisht:

Ndërtoni zakone të vogla, jo synime të pamundura

Në vend të objektivave të mëdha financiare, ekspertët sugjerojnë hapa të vegjël dhe të qëndrueshëm, si kursimi i rregullt apo planifikimi i shpenzimeve.

Trajtoni shëndetin si mirëmbajtje, jo si ndryshim ekstrem

Aktiviteti fizik dhe ushqimi i shëndetshëm funksionojnë më mirë kur shihen si rutina të përditshme dhe jo si sakrifica të përkohshme.

Vendosni pak objektiva dhe shkruajini qartë

Sa më pak rezoluta, aq më e madhe mundësia për t’i përmbushur. Shkrimi i tyre ndihmon në qartësimin e qëllimit dhe në ruajtjen e fokusit.

Kujdesuni për mirëqenien emocionale çdo ditë

Gjumi i rregullt, kufijtë personalë dhe koha për veten janë po aq të rëndësishme sa arritjet materiale.

Përqendrohuni te procesi, jo te perfeksioni

Gabimet janë pjesë e rrugës. Një ditë e vështirë nuk duhet të shkatërrojë gjithë përpjekjen.

Rishikoni rregullisht qëllimet tuaja

Rishikimi mujor ndihmon për të përshtatur objektivat me realitetin dhe për t’i mbajtur ato funksionale në kohë.

Ngjarje e rëndë në Pogradec/ 12-vjeçarja shtatëzënë, dyshohet se u përdhunua nga një i moshuar

Një ngjarje e rëndë është zbuluar këtë të martë në fshatin Piskupat të Pogradecit.

Një 12 vjeçare pas një vizite në spitalin e Korçës, ka rezultuar shtatzënë, rreth 22 javëshe. Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se e mitura është abuzuar seksualisht me forcë nga një i moshuar me njohje familjare me familjen e të miturës. Rasti është evidentuar pasi vajza kishte ndryshime fizike, çka detyroi prindërit ta çonin në spital për ekzaminim.

Pas vizitës u konfirmua se e mitura ishte shtatzënë. Mësohet se i moshuari, i dyshuar rreth 70 vjeç e ka kërcënuar vazhdimisht të miturën për të mos treguar ngjarjen ndërsa policia ka bërë arrestimin e këtij të fundit.

Aktualisht po kryhen veprimet hetimore dhe po merren në pyetje familjarët, ndërsa vajza ka pranuar ngjarjen në prani të psikologut.

I moshuari ka kryer mardhënie me të miturën në banesën e tij.

Priten detaje të tjera në vijim.

I përfundon kontrata, Rudiger drejt largimit nga Real Madrid

Antonio Rudiger duket se po kalon muajt e fundit te Real Madrid, pasi pritet të largohet në verë.

Problemet e shpeshta fizike, së bashku me paraqitjet e tij në periudhën e fundit, kanë ndikuar në vlerësimin e klubit për të ardhmen e mbrojtësit gjerman.

Gjatë këtij sezoni, Rüdiger ka regjistruar 12 paraqitje, me 954 minuta të luajtura në total. Kontrata e tij me madrilenët është e vlefshme deri në verën e vitit 2026.

Megjithatë, drejtuesit e Real Madridit nuk duken të bindur për rinovimin e saj. Sipas raportimeve të “Diario AS”, aktualisht perspektiva e lojtarit është më larg sesa brenda “Santiago Bernabéu”.

Situata mund të ndryshojë deri në fund të sezonit, nëse 32-vjeçari siguron vazhdimësi dhe bind me paraqitjet e tij. Në të kundërt, ai pritet të largohet si lojtar i lirë në përfundim të kontratës.

LVV-ja do zvogëlojë ndikimin e Listës Serbe në institucionet e reja

Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor në Kosovë, është pothuajse e sigurt se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e Albin Kurtit do të përpiqet ta zvogëlojë ndikimin politik të Listës Serbe, duke ia dhënë postet e garantuara për komunitetin serb në Kuvend dhe në Qeveri partisë së Nenad Rashqiti nga partia “Për liri, drejtësi dhe mbijetesë”, thotë për Radion Evropa e Lirë politologu Ognjen Gogiq.

Ndërkaq, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu paralajmëron se për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb është i domosdoshëm konsensusi i partive parlamentare që përfaqësojnë serbët.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lista Serbe, parti që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka fituar rreth 42 mijë vota, ndërsa partia e Nenad Rashiqit, i cili ishte ministër në Qeverinë e Kosovës pasi Lista Serbe braktisi institucionet kosovare në nëntor të vitit 2022, ka fituar rreth 4.700 vota.

Edhe pse Lista Serbe më 28 dhjetor deklaroi se me rreth 90 për qind të votave të komunitetit serb i ka fituar të gjitha dhjetë vendet e rezervuara për serbët në Kuvendin e Kosovës, Rashiq një ditë më vonë njoftoi se kishte fituar një ulëse.

Pas zgjedhjeve parlamentare në shkurt, kur Rashiq gjithashtu fitoi një vend në Kuvend, Lista Serbe e kontestoi në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjen e tij si nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës të organit ligjvënës.

Gjykata ende nuk ka marrë ndonjë vendim për këtë çështje.

Kryeziu thotë se Gjykata Kushtetuese tani nuk ka domosdoshmërish nevojë të deklarohet, meqë ndërkohë janë mbajtur zgjedhje të reja, por nuk e përjashton mundësinë që Lista Serbe të paraqesë një ankesë të re nëse për nënkryetar të Kuvendit zgjidhet sërish Rashiq.

Zhvillime të mundshme dhe pasojat politike
Sipas Kushtetutës së Kosovës, njëri nga nënkryetarët e Kuvendit duhet të jetë nga “radhët e deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të rezervuara ose të garantuara të përfaqësuesve të komunitetit serb”.

Nga ana tjetër, sipas Rregullores së Punës së Kuvendit, kandidatin për nënkryetar nga radhët e komunitetit serb e propozon shumica e deputetëve të këtij komuniteti.

Në këto dispozita bazohet edhe Kryeziu, duke shtuar se në situatën kur vendet e rezervuara për komunitetin serb i ndajnë dy ose më shumë parti, propozimi mund të përcaktohet me short.

“Në momentin kur kemi dy ose më shumë parti serbe në Kuvendin e Kosovës, subjektet politike serbe duhet të bien dakord dhe me short të vendoset se kush do të jetë kandidati për nënkryetar të Kuvendit”, thotë ai, duke paralajmëruar se nuk duhet të përsëritet situata kur Kuvendi konstituohet pa nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.

“Kjo nuk do të thotë se kandidati duhet të vijë nga partia më e madhe, por vetëm që të jetë përfaqësues i minoritetit serb”, shton Kryeziu.

Siç thotë ai, këtë e ka konstatuar më herët edhe Gjykata Kushtetuese, kur nxori vendim mbi një ankesë të paraqitur nga Lista Serbe.

Politologu Ognjen Gogiq vlerëson se Nenad Rashiq fillimisht mund të zgjidhet nënkryetar i Kuvendit, e më pas edhe ministër në Qeverinë e Kosovës, ndërsa në Kuvend do ta zëvendësonte dikush nga partia e tij.

Ai beson gjithashtu se Lista Serbe do ta kontestojë sërish zgjedhjen e Rashiqit, qoftë për nënkryetar të Kuvendit apo për ministër në Qeveri.

Lista Serbe këmbëngul në qëndrimin se Rashiq nuk ka numër të mjaftueshëm votash për të përfaqësuar komunitetin serb, duke thënë se votat i ka marrë edhe në zona ku nuk jetojnë serbët.

Cili është ndikimi real i Listës Serbe?
Pas zgjedhjeve të shkurtit, kur çdo votë e deputetëve ishte e rëndësishme për formimin e institucioneve, pothuajse askush nuk llogariste në nëntë votat e Listës Serbe.

Analistët politikë vlerësojnë se në këtë pozitë të Listës Serbe ka ndikuar edhe sulmi i armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023, ku u vra një polic i Kosovës, dhe që u krye nga një grup serbësh të udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq. Lista Serbe asnjëherë nuk u distancua nga ai.

Gogiq vlerëson për Radion Evropa e Lirë se institucionet e reja, të udhëhequra nga LVV-ja, në masë të madhe do ta “injorojnë” Listën Serbe dhe se ajo nuk do të ketë ndikim të rëndësishëm politik.

“Votat e Listës Serbe nuk janë të nevojshme për zgjedhjen e Qeverisë, as për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. E vetmja gjë që mund të bëjnë është ta kontestojnë zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nëse zgjidhet Rashiq, por edhe kjo është nën pikëpyetje të madhe, në varësi të qëndrimit të Gjykatës Kushtetuese”, thotë ai.

Hipotetikisht, shton Gogiq, LVV-ja mund të “lëshojë pe” ndaj Listës Serbe vetëm nëse Gjykata Kushtetuese vendos se nënkryetari i Kuvendit duhet të vijë nga partia më e madhe në Kuvend e komunitetit serb, që në këtë rast është Lista Serbe.

Zyrtarët e Listës Serbe shpesh në publik deklarojnë se kjo parti është përfaqësuesja e vetme dhe legjitime e serbëve në institucionet e Kosovës, por zëri i tyre edhe më herët pothuajse nuk është dëgjuar në Kuvend apo në Qeverinë e Kosovës, meqë rrallë kanë marrë pjesë në punën e këtyre institucioneve.

Shoqëria civile nga komuniteti serb më herët i ka bërë thirrje Listës Serbe që të marrë përgjegjësi dhe të angazhohet më aktivisht në jetën institucionale, në mënyrë që përmes institucioneve të ulet paqëndrueshmëria dhe të kontribuohet për paqe./rel

E rëndë në Prizren: Foshnja 1-vjeçare humb jetën nga zjarri në banesë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Prizrenit, ku një banesë u përfshi nga flakët, duke shkaktuar humbjen e jetës së një foshnjeje vetëm 1-vjeçare.

Zjarri përfshiu shpejt banesën e familjes, ndërsa tre fëmijë të tjerë të familjes arritën të shpëtojnë pa lëndime.

Zjarrfikësit ndërhynë menjëherë dhe arritën të shuajnë flakët, por fatkeqësisht nuk mundën të shpëtonin foshnjën./ Zoom.al

Vajza 2-vjeçare humb jetën ndërsa luante jashtë shtëpisë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë festimeve të Krishtlindjeve në Doncaster, South Yorkshire, ku një vajzë 2-vjeçare, Isobel Maxwell, humbi jetën në mënyrë tragjike.

Ajo po luante në oborrin e shtëpisë së saj kur familja e kuptoi se ishte zhdukur. Kur nxituan jashtë, gjetën Isobel të rënë në pellgun e ujit dhe pa shenja jete.

Familjarët tentuan menjëherë t’i jepnin ndihmën e parë duke kryer masazhin kardiak deri në mbërritjen e ambulancës, por përpjekjet e mjekëve për ta shpëtuar nuk dhanë rezultat.

Tamara, nëna e vogëlushes dhe aktualisht shtatzënë me fëmijën e dytë, tha se dëshiron që vajza të mbahet mend për personalitetin e saj të gjallë dhe shpirtin e saj aventurier, jo për mënyrën tragjike të vdekjes. “Ne do të rrisim vëllain e saj të vogël duke i treguar për motrën e tij dhe për lumturinë që solli në jetën tonë,” shtoi ajo.

Shtëpia ku ndodhi tragjedia kishte një pellg të rrethuar për siguri, por Isobel arriti të hynte brenda ndërsa pjesa tjetër e familjes ishte brenda në shtëpi. Autoritetet lokale po vazhdojnë hetimet për të kuptuar plotësisht rrethanat e ngjarjes./ Zoom.al