zoom

Day Archive10 filmat më të mirë për t’u parë në atmosferën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri

Krishtlindjet janë për shumë njerëz koha më magjike e vitit.

Familjet mblidhen për të festuar, për të shkëmbyer dhurata dhe për të ndarë momente të çmuara. Dhe çfarë mënyre më të mirë për të plotësuar atmosferën festive sesa një mbrëmje me filmat më ikonikë të Krishtlindjeve?

Nga historitë klasike që ngjallin nostalgji te prodhimet moderne që kombinojnë të qeshurat dhe emocionet, kinemaja ka diçka të veçantë për të ofruar për secilin prej nesh.

Më poshtë, paraqesim dhjetë filma që kanë fituar një vend të veçantë në zemrat tona dhe premtojnë ta bëjnë këtë Krishtlindje edhe më të veçantë. Pavarësisht nëse jeni adhurues i klasikëve apo kërkoni diçka më moderne dhe të këndshme, kjo listë do t’ju ndihmojë të zgjidhni mbrëmjen tuaj të ardhshme të Krishtlindjeve në divan me të dashurit tuaj.

It’s a Wonderful Life (1946)

Historia prekëse e George Bailey, një burrë që zbulon vlerën e jetës së tij me ndihmën e një engjëlli, mishëron traditën e Krishtlindjeve.

Miracle on 34th Street (1947)

I përqendruar te një burrë që beson se është Babagjyshi, ky film na fton të rifitojmë besimin në magjinë e Krishtlindjeve.

Home Alone (1990)

Aventura e Kevinit të vogël që mbron shtëpinë e tij nga dy hajdutë të papritur është një zgjedhje klasike për të qeshur dhe për të bërë aksion.

Love Actually (2003)

Një himn për fuqinë e dashurisë përmes historive të ndërlidhura që zhvillohen gjatë sezonit festiv.

The Polar Express (2004)

Një histori magjike për një udhëtim në Polin e Veriut, e cila na kujton të gjithëve besimin tonë të fëmijërisë në Krishtlindje.

Elf (2003)

Will Farrell portretizon në mënyrë qesharake një elf që kërkon identitetin e tij në Nju Jork.

A Christmas Story (1983)

Kujtimet e fëmijërisë së Ralfit për dhuratën më të mirë të Krishtlindjeve që ai kishte ëndërruar ndonjëherë, i sjellin në jetë me humor dhe nostalgji.

The Nightmare Before Christmas (1993)

Xhek Skellington zbulon Krishtlindjet në një aventurë gotike dhe magjike plot muzikë.

Scrooged (1988)

Historia klasike e Ebenezer Scrooge merr një interpretim modern dhe humoristik me Bill Murray-n.

The Holiday (2006)

Dy gra që ndërrojnë shtëpi për festat gjejnë dashurinë dhe perspektiva të reja në jetën e tyre.

Moti i keq godet SHBA-në, mijëra fluturime të anuluara dhe pezulluara

Mijëra fluturime janë vonuar ose anuluar sot në Shtetet e Bashkuara, për shkak të motit të keq që ka përfshirë shumë rajone të vendit, në një periudhë me fluks të shtuar udhëtimesh për shkak të festave.

Këtë e bëjnë të ditur faqja e specializuar për monitorimin e trafikut ajror FlightAware dhe Shërbimi Kombëtar Meteorologjik (NWS).

Sipas parashikimeve, reshje të dendura bore priten në zonën e Nju Jorkut nga mbrëmja e së premtes deri në mëngjesin e së shtunës, si edhe në rajonin e Maleve Shkëmbore. Ndërkohë, në zonën e Liqeneve të Mëdha parashikohen reshje shiu të përziera me borë dhe breshër.

Fenomeni i njohur si “lumi atmosferik”, i cili ka sjellë reshje të rrëmbyeshme dhe përmbytje në Kaliforni, pritet të dobësohet drejt fundit të ditës, sipas NËS.

Në total, gjatë ditës së sotme, janë anuluar 1.364 fluturime, ndërsa 4.267 të tjera janë shtyrë. Më të prekura janë aeroportet në Nju Jork dhe Çikago.

Në Nju Jork dhe në shtetin fqinj të Nju Xhersit pritet që trashësia e borës të arrijë deri në 20 centimetra në disa zona.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet.

“Të gjithë banorët e Nju Jorkut duhet të jenë të përgatitur. Shmangni përdorimin e automjeteve nëse është e mundur dhe përdorni transportin publik,” deklaroi kryetari i bashkisë, Eric Adams.

Zoom.al/

Mashtrim për blektorët apo për qumshtin?!/ Shoqata e Veterinarisë denoncon industrinë e bulmetit

Shoqata e Veterinarisë ka ngritur alarmin për një praktikë që, sipas saj po ndodh prej muajsh në industrinë e përpunimit të qumështit në vend, duke e cilësuar atë si diskriminuese dhe të dëmshme për blegtorët shqiptarë.

Sipas denoncimit, në rastet kur qumështi rezulton me prani të aflatoksinës M1, fabrikat e përpunimit nuk e refuzojnë produktin, por e blejnë atë me një çmim më të ulët, konkretisht me rreth 5 lekë më pak për litër.

Megjithatë, shoqata ngre dyshime nëse qumshti është në të vërtetë i kontaminuar apo praktika përdoret si mashtrim ndaj fermerëve për tua blerë produktin më lirë. 

Në reagimin e saj, Shoqata e Veterinarisë shpreh gjithashtu shqetësim për mungesën e reagimit nga Autoriteti i Konkurrencës, duke theksuar se institucioni, i drejtuar nga Denar Biba, ka dijeni dhe nuk ka ndërmarë asnjë veprim. 

Pyetjet kryesore i drejtohen Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), si institucionet përgjegjëse për sigurinë ushqimore në vend. Shoqata kërkon sqarime konkrete mbi trajtimin që i bëhet qumështit me aflatoksinë, nëse ai asgjësohet sipas ligjit, apo nëse përpunohet dhe tregtohet mbi baza të caktuara ligjore.

Reagimi i plotë: 

Një praktikë e shëmtuar dhe diskriminuese po zhvillohet muajt e fundit nga industria e përpunimit të qumështit, duke shtypur blegtorin shqiptar dhe duke e çuar atë drejt falimentimit.

Në rastet kur qumështi rezulton me aflatoksinë, praktika e industrisë është: “ua marrim me 5 lekë më pak”.

Kjo praktikë ngre pikëpyetje shumë të mëdha:

nëse vërtet qumështi me aflatoksinë hidhet në qarkullim për qytetarët dhe fëmijët, apo nëse kjo është një mashtrim që u bëhet blegtorëve për t’u “vënë shkelmin në fyt” dhe për t’u ulur çmimin e blerjes.

Një gjë është e sigurt: Autoriteti i Konkurrencës, me në krye Denar Bibën, di diçka për këto ngjarje dhe të thëna, dhe për këtë arsye nuk reagon.

Megjithatë, pyetjet kryesore ngrihen dhe i drejtohen institucioneve përgjegjëse për sigurinë ushqimore:

 Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU)

Në rastet kur fabrikat e përpunimit të qumështit e blejnë qumështin nga blegëtori me një çmim më të ulët (–5 lekë/litër) me justifikimin e pranisë së Aflatoksinës M1, kërkojmë të na sqarohet:

1. Çfarë trajtimi i bëhet këtij qumështi konkretisht?

2. A asgjësohet sipas procedurave ligjore?

3. Nëse qumështi përpunohet ose hidhet në treg, 

     cilat janë: bazat ligjore dhe aktet nënligjore që e 

     lejojnë këtë praktikë?

4. Nëse qumështi nuk asgjësohet, pse penalizohet 

    ekonomikisht blegtori, ndërkohë që produkti 

    vazhdon të përdoret në zinxhirin ushqimor?

5. A ekziston një protokoll zyrtar i miratuar nga 

    Ministria dhe  AKU , që përcakton qartë dallimin 

    mes qumështit që duhet të refuzohet dhe 

    asgjësohet?

Zoom.al/

Shqipëria në Botëror/ Flet Sylvinho

Kur flitet për Kupën e Botës 2026, Sylvinho mund të jetë i vetmi trajner brazilian në pankinën e një kombëtareje europiane, një kontrast me Brazilin e drejtuar nga Carlo Ancelotti.

Kjo ka tërhequr vëmendje në Brazil, ku futbolli konsiderohet pjesë e identitetit kombëtar.

Në një intervistë ekskluzive për podcast-in e ESPN Brasil, trajneri i kombëtares shqiptare ka folur për planet e ekipit dhe për mundësinë historike që Shqipëria ka për të siguruar pjesëmarrjen në Botërorin e ardhshëm.

“Ky është një moment shumë i rëndësishëm për ekipin dhe për të gjithë vendin. Që nga Europiani kemi pasur shorte të forta, por sfidat janë pjesë e rrugës që duhet për të arritur objektivat,” tha Sylvinho. “Nga janari do të monitorojmë më nga afër lojtarët tanë dhe do të jemi të pranishëm në disa ndeshje për të ndjekur performancat e tyre.”

Kuqezinjtë do të përballen me Poloninë në gjysmëfinalen e “playoff”-it më 26 mars në Varshavë, një hap kyç drejt Botërorit. Në rast fitorja, Shqipëria do të luajë më 31 mars finalen vendimtare kundër fituesit të çiftit Ukrainë–Suedi.

Sylvinho thekson se ndeshjet e këtij niveli vendosen nga detajet më të vogla. “Poloninë e njohim mirë, kemi luajtur me ta kohët e fundit. Kanë ndërruar trajner, por lojtarët mbeten të njëjtë dhe të cilësisë së lartë. Ata janë në fazë rindërtimi, ndërsa ne po kalojmë një periudhë zhvillimi. Nuk ka avantazh të dukshëm, gjithçka mund të ndryshojë brenda 90 minutash.”

Në përfundim, trajneri brazilian shprehu besim te skuadra: “Lojtarët tanë janë mësuar me sfida të forta. Do të mbështetemi te cilësitë tona dhe te puna që kemi bërë deri tani.”

Një përballje e madhe, një mundësi historike dhe një Shqipëri që synon Botërorin. Rruga kalon nga Varshava, ku çdo detaj do të jetë vendimtar.

Zoom.al/

Si të fillojmë vitin e ri të “lehtë” në shtëpi dhe mendje?

Para se të presim vitin e ri, shumë prej nesh bëjnë një bilanc personal dhe një pastrim të mendimeve apo zakoneve të vjetra.

Por kjo filozofi nuk duhet të ndalet tek ne, edhe shtëpia jonë ka nevojë për një “rifreskim”. Pastrimi i objekteve që e mbingarkojnë ambientin mund të ndikojë pozitivisht në gjendjen tonë psikologjike dhe të krijojë një atmosferë më të qetë e të rehatshme.

Një nga hapat e parë është të shqyrtojmë rrobat. Nëse një veshje nuk është veshur gjatë 12 muajve të fundit, ka gjasa që nuk do t’ju duhet më dhe mund t’i jepet dikujt tjetër. Po ashtu, varëset prej teli shpesh dëmtojnë rrobat dhe dollapin; zgjidhni ato të hollë dhe të veshura me kadife për një zgjidhje më të qëndrueshme.

Çantat plastike që nuk ripërdoren janë një tjetër gjë për t’u hequr. Zgjidhni qese pëlhure që ndihmojnë mjedisin dhe ruajnë cilësinë e ushqimeve.

Kontrolli i ushqimeve të skaduara është i domosdoshëm për të shmangur surprizat e pakëndshme. Vendosni përpara ato që skadojnë më shpejt dhe përdorini të parat.

Edhe peshqirët kanë kohën e tyre: me kalimin e viteve mbajnë lagështi dhe erë, ndaj zëvendësimi i tyre çdo pesë vjet ndihmon për higjienën dhe komoditetin në shtëpi.

Një pastrim i thjeshtë, por i menduar mirë, do të bëjë që shtëpia dhe mendja të fillojnë vitin e ri të ndihen më të lehta dhe më të qeta.

Zoom.al/

“Mbështetja e SHBA-së për Kosovën është e fortë”, dy kongresmenë amerikanë letër Kurtit

Dy kongresistë kanë thënë se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për Kosovën mbetet e “fortë dhe dypartiake” në Kongresin amerikan, në letra të ndara dërguar kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

Kongresisti republikan, Mike Lawler, tha në letrën e publikuar të premten nga Qeveria në detyrë: “Veprimet e fundit legjislative, duke përfshirë miratimin e Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026, nënvizojnë përkushtimin e vazhdueshëm të Amerikës ndaj së ardhmes euro-atlantike të Kosovës”.

Përpjekjet e tilla, thuhet tutje në letër, janë të domosdoshme për promovimin e stabilitetit afatgjatë, sigurisë dhe sundimit të ligjit në mbarë Ballkanin Perëndimor.

Kongresisti demokrat, George Latimer, shkroi në letrën e tij, po ashtu e publikuar të premten nga Qeveria në detyrë, se dëshiron ta theksojë “mbështetjen e fortë” të SHBA-së e Kosovës.

“Siç e përcakton shprehimisht Ligji për Autorizimin e Sigurisë Kombëtare, i miratuar së fundi, Shtetet e Bashkuara qëndrojnë plotësisht pas përpjekjeve të Kosovës për t’iu bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Evropian, si dhe mbështesin përpjekje drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, qëllime që do të përmirësonin dukshëm edhe sigurinë, edhe sundimin e ligjit në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, thuhet në letër.

Që të dy po i referoheshin një Aktit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, që u nënshkrua në ligj nga presidenti Donald Trump, javën e kaluar, në të cilin Kosovës dhe Serbisë gjithashtu u kërkohet ta zbatojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2023.

Kjo letër vjen pasi Lawler dhe Latimer e kishin takuar Kurtin gjatë vizitës së tij në Uashington në shtator.

Komentet e kongresistëve vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së pësuan goditje gjatë vitit 2025, kryesisht për shkak të vendimeve të Kurtit për ta shtrirë sovranitetin në veriun e banuar me shumicë serbe pa bashkërendim me bashkësinë ndërkombëtare.

Madje këto veprime çuan në pezullimin paafat të një dialogu të planifikuar strategjik mes dy vendeve.

Kurti i ka arsyetuar këto veprime si në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe së voni ka thënë se marrëdhëniet me SHBA-në “janë shumë të mira” dhe që mospajtimet kryesore kanë pasur të bëjnë gjithmonë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale.

Më 11 dhjetor, Kurti tha, po ashtu, se sa u përket mbrojtjes dhe sigurisë, raportet “kurrë nuk kanë qenë më të mira”.

Dialogu strategjik është një proces që Departamenti amerikan i Shtetit në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, etj.

Kurti është duke e synuar një mandat të tretë në krye të vendit në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë i tha ditë më parë Radios Evropa e Lirë (REL) se pas zgjedhjeve në Kosovë synon të punojë ngushtë me qeverinë e re të zgjedhur “për t’i avancuar prioritetet e përbashkëta”.

Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë tha në disa përgjigje me shkrim për REL-in se shpreson që “partneriteti ynë të thellohet me Qeverinë e Kosovës”, përfshirë edhe rinisjen e Dialogut të planifikuar Strategjik.

Shtetet e Bashkuara i kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998.

Udhëheqës shtetërorë kosovarë e kanë përsëritur ndër vite që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike. /REL

U zhduk dhe u rikthye/ Dyshime të forta se “rrëmbimi” i Daniel Shimës lidhet me skandalin e AKSHI-t

Hetimet e SPAK për skandalin e tenderëve në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) po hyjnë në një fazë të re.

Prokuroria e Posaçme po heton jo vetëm rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe, por edhe atë të ish-zv/drejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima.

Daniel Shima u zhduk më 20 gusht, ndërsa një ditë më vonë u kthye në banesë në orët e vona të natës.

Familjarët e tij e denoncuan zhdukjen pasditen e 20 gushtit, pasi e dashura e tij kishte marrë një mesazh shqetësues ku ai shkruante: “Po më arreston policia”.

Ndërkohë Policia deklaroi se ai ishte larguar me dëshirë, ndërsa vetë Shima kishte pohuar në mënyrë jozyrtare se ndodhej në Dhërmi.

Ka dyshime të forta se Shima nuk ishte larguar vullnetarisht, por ishte marrë peng nga persona të veshur me uniforma policie, të cilët e kishin dërguar në zonën e Elbasanit dhe e kishin kërcënuar.

Ngjarja ka ngjashmëri me rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe, për të cilin SPAK ka nisur hetime më herët. Dyshohet se edhe në rastin e Shimës, persona të veshur si efektivë policie kanë qenë të përfshirë, ndërsa drejtues të lartë të Policisë së Shtetit kanë pasur dijeni për ngjarjen.

Sipas informacioneve, gjatë ditës së sotme agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer kontrolle në banesat e disa drejtuesve të Policisë së Shtetit ndërsa priten arrestime në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

Zoom.al/

Zelensky do të fluturojë drejt Uashingtonit për bisedime territori me Trump

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të zhvillojë një takim me presidentin amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë gjatë fundjavës, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një armëpushimi në luftën me Rusinë.

Zelensky konfirmoi se takimi pritet të mbahet të dielën dhe do të fokusohet në planin 20-pikësh të paqes të ndërmjetësuar nga SHBA, si dhe në garancitë e sigurisë që Uashingtoni mund t’i ofrojë Ukrainës.

Ndërkohë, Kremlini ka bërë të ditur se ka zhvilluar bisedime të tjera me zyrtarë amerikanë dhe se negociatat po ecin me “përparim të ngadaltë, por të qëndrueshëm”. Rusia, megjithatë, nuk ka komentuar propozimin e Zelenskyt për tërheqjen e trupave nga Donbasi lindor, nëse një hap i ngjashëm do të ndërmerrej edhe nga pala ruse.

Zelensky ka deklaruar se Ukraina po kërkon garanci konkrete sigurie nga SHBA, ndërsa ka përmendur edhe mundësinë e krijimit të një zone të demilitarizuar në territoret e kontestuara në lindje të vendit.

“Tani jemi shumë pranë përfundimit të planit. Detyra jonë është ta bëjmë atë 100% funksional”, u shpreh ai, duke shtuar se “shumë gjëra mund të vendosen përpara Vitit të Ri”.

Sipas Zelenskyt, ai ka zhvilluar gjithashtu një bisedë telefonike me përfaqësues të lartë të administratës Trump, përfshirë të dërguarin special Steve Witkoff dhe Jared Kushner, gjatë së cilës janë diskutuar hapa konkretë drejt një marrëveshjeje.

Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Kryebashkiaku i Kharkivit njoftoi se të paktën dy persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore ruse në orët e fundit.

Zelensky dhe Trump janë takuar disa herë gjatë këtij viti. Takimi i tyre i fundit në Shtëpinë e Bardhë, në tetor, u zhvillua në një klimë më konstruktive, pas një përplasjeje të ashpër që kishin pasur në një takim të mëparshëm në shkurt.

Shtëpia e Bardhë po shqyrton gjithashtu mundësinë e krijimit të një zone të demilitarizuar në Ukrainën lindore, si një kompromis i përkohshëm për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit dhe për të hapur rrugë drejt një marrëveshjeje paqeje.

Zoom.al/

3 shenjat e horoskopit që do të nisin një epokë të re

Dashi

Hëna në rritje në shenjën e Peshqve ju bën të shihni të vërtetën që del në sipërfaqe. Kuptoni se ajo me të cilën keni luftuar nuk ka qenë vendimi në vetvete, por frika e zgjedhjes së gabuar. Ky tranzit hënor ju ndihmon të ndiheni më mirë e më të sigurt për hapin e radhës.

E kuptoni se ku keni qenë duke shkuar kundër instinkteve tuaja dhe papritur rruga bëhet e thjeshtë. Tani e dini se duhet të vendosni nevojat tuaja në plan të parë.

Drejtimi juaj bëhet i qartë, sepse më në fund do të dëgjoni atë që energjia po ju thoshte prej javësh. Ajo që lind tani është një plan i drejtpërdrejtë, i realizueshëm dhe çuditërisht qetësues. Filloni të ecni drejt tij me më shumë besim se më parë. Kontrolli është në duart tuaja, Dash.

Akrepi

Kjo fazë hënore aktivizon intuitën tuaj, Akrep. Keni qenë duke kërkuar një përgjigje që nuk mund të gjendet vetëm përmes logjikës. Hëna në rritje në Peshq ju ndihmon të lidheni me intuitën tuaj, aty ku gjenden të gjitha përgjigjet.

Ju e kuptoni çfarë duhet të përfundojë, çfarë duhet të shërohet dhe çfarë duhet të rritet. Nuk është dramatike, është thjesht reale dhe duhet përballuar.

Ndaloni së menduari më shumë seç duhet për diçka që zemra juaj tashmë ka vendosur. Sapo ta pranoni këtë të vërtet, gjithçka tjetër do të bëhet më e lehtë. Ecni përpara me bindje. Gjithçka është në rregull, besojini kësaj.


Shigjetari

Hëna në rritje në Peshq ju shton dëshirën për kuptim, Shigjetar. Po pyesni veten pse gjërat janë ashtu siç janë dhe çfarë mund të bëni për t’u dhënë atyre një drejtim më të mirë. Kohët e fundit keni kërkuar një ndjenjë qëllimi dhe ky tranzit ju bën të ditur se diçka e mirë po vjen.

Ju nuk jeni nga ata që presin që dikush tjetër t’i tregojë rrugën e duhur. Ju dalloni çfarë ka vërtet rëndësi dhe çfarë ishte thjesht zhurmë. Do të arrini të gjeni drejtimin sepse keni një shpirt guximtar. Entuziasmi do ju udhëheqë. Drejtojeni shigjetën dhe bëni gjënë tuaj.

Kamioni del nga rruga, dy të plagosur në Malësi të Madhe

Një aksident rrugor ka ndodhur pasditen e sotme në fshatin Rrjoll të Malësi së Madhe.

Sipas informacionit paraprak nga policia, drejtuesi i një kamioni, shtetasi N. P., ka humbur kontrollin, duke bërë që mjeti të dalë nga rruga dhe të përmbyset.

Si pasojë e aksidentit, janë dëmtuar drejtuesi i kamionit, N. P., dhe pasagjeri G. P. Të dy janë transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ka nisur punën për të zbardhur shkaqet e aksidentit./ Zoom.al