Aplikacion
Për herë të parë kryeministri Edi Rama ka zbuluar deri në detaje se çfarë ndodhi mes tij dhe Lulzim Bashës, ish-kreut të Partisë Demokratike në atë që njihet si marrëveshja e 17 majit.
Rama tha se ka biseduar me Bashën vetëm për vetëm në një prej sallave të Kuvendit. Sipas tij, Basha mori çdo gjë që kërkoi dhe pati bekimin e Berishës.
Blendi Fevziu: Të më tregosh ndonjë detaj, çfarë ka ndodhur?
Edi Rama: Unë nuk mundet dot të mos e them atë që Luli i shkretë nuk e thotë dot më. Unë e them, për Lulin jo për vete. Çfarë do të dish ti?
Blendi Fevziu: Sot pas kaq vitesh si ndodhi që u futën dy njerëz, bënë një marrëveshje, të gjitha i ndanë dhe u zgjidh. Ndërkohë kishte një mosmarrëveshje me vite që shkonte?
Edi Rama: Vjen Hoyt [Brian Yee] tek unë, flet për rajonin, flet për Kosovën, për Malin e Zi dhe unë thashë çfarë muhabeti është ky. Një nga një të tëra, rajoni. Mbyllet rajoni dhe thotë sa i përket këtu thotë, s’kemi çfarë themi, ti i bëre të gjitha, fatkeqësi e madhe për PD-në, por zgjedhja e tyre. Tani thotë ne po ikim se do shkoj të takoj Lulzim Bashën. Për çfarë do e takosh i them unë? Do e takoj më tha, t’i japim një mundësi të fundit. Ok. Shkon dhe pastaj doli ajo që i dhamë një plan me pesë pika. Se s’po të them shumë detaje të tjera se do zgjatem. Si përfundim, i them unë mbrapa, tani çfarë kjo tani, çfarë plani? Plani me pika pa pika. Po sikur të fillojë historia nga e para ose nga ana tjetër. Ti e ke bërë tënden, s’ke punë fare. Amerikan me një fjalë, shkurt muhabeti. Ne kishim një takim në Elbasan me gratë. Ndërkohë që Luli mblodhi gjithë partitë në sallën e Kuvendit. Nisem për Elbasan dhe rrugës marr Gramoz Ruçin. Gramoz i thashë, unë do i shkoj atje atij. Do i shkoj atje në takim. Leje tani tha çfarë do i shkosh në takim atij. Do i shkoj në takim i thashë, më thuaj çfarë meraqesh ke. Unë u nisa për Elbasan se e ke Taulantin gjallë se i thashë ma jep mua fjalën se do iki. Ku do shkosh? Do shkoj te Luli i thashë. Më thotë Gramozi. Ke ndonjë merak ti i thashë unë. Çfarë mendon në rast se unë arrij ta ul atë. Tha, dy gjëra kam merak unë, data lëviz, kryeministri s’lëviz. Çdo gjë tjetër lëviz. Ok them unë, jemi në një mendje. Kthehem dhe shkoj atje. Aty ishin të gjithë këta. Brenda ishin të gjithë këta karavidhet dhe filluan muhabetet e tyre. U thashë unë nuk kam punë me ju, kam ardhur për këtë. S’kam lidhje me ju fare, çfarë më thoni mua.
Blendi Fevziu: Si e more më vete?
Edi Rama: Unë kam ardhur për ty i thosha unë. Ai siç e ka atë stilin. Shihte të tjerët. Në një moment të caktuar i them do çohesh ti të vish me mua. Si me fol bashkë. Këta të tjerë, kush nuk e di. Fatmir Mediu më duket, nuk lëviz ky pa ne tha. Pse i thashë unë, çfarë ju ka ky juve. Hajde i thashë se po të pres te salla tjetër. Hajde i thashë, më mirë hajde ti te unë se sa të vijë raketa ty i thashë. Raketa kisha parasysh goditjen që do ndodhte. Unë fola për një raketë që e dija, jo për raketa që do shkonin te Mali me Gropa. Dhe erdhi. Ça do tha? Ulu. U futëm, është një sallë e madhe aty ku bëhen mbledhje. U ulëm edhe folëm gjerë e gjatë. Fol e fol e fol. Në fund u morëm vesh. Patëm një diskutim në fund kush do flasë i pari. Fol ti i thashë, s’dua të flas fare. Kishte merak mos qesh ti kur të flas unë. Jo mo unë nuk qesh fare. Mos qesh ti kur flas unë tha se ti e ke këtë zakonin që kur flas unë do të tallesh me çdo gjë, kjo është gjë serioze.
Blendi Fevziu: Ti paska dorëzuar zgjedhjet që në atë moment. Kur të thotë kryetari i opozitës mos qesh kur flas unë.
Edi Rama: Mos ta bëjmë kështu. Ishte miqësore.
Blendi Fevziu: Ishte i kuptueshëm në marrëveshje?
Edi Rama: Ishte e thjeshtë fare, mori çdo gjë që kërkoi.
Blendi Fevziu: Çfarë bekimi mori atëherë se më the u bë me bekimin e Berishës? A ishit vetëm ju të dy tek për tek?
Edi Rama: Po vetëm ne të dy, por unë u informova ndërkohë. Më informoi ai se u takuam prapë të nesërmen. Ishte tha një gjysh i lumtur.
Blendi Fevziu: Ty t’i mori në tavolinë pa biseduar me njeri?
Edi Rama: Aty jo. Hiri i të vërtetës e do që aty ai… I thashë, do marrësh të pyesësh. Merr pyet i thashë se unë e mora Gramozin para. Pyet edhe ti se mos ke ndonjë njeri me pyet. Kë të pyes tha. Unë i thashë një të urtë, ti e ke të urtin tënd. Më zhgënjen tha, ku e pyes atë unë. Ai më tha, do japë bekimin. Edhe e dha bekimin.
Vila “No. Red” ose oborri i arkitektëve të qeverisëNjë vilë qeveritare është shndërruar në hapësirë eventesh elitare me dyer të mbyllura ku projektet arkitekturore marrin jetë larg syve të publikut.
Nën hijen e mungesës së transparencës dhe dyshimeve për shppërdorim të fondeve publike, vila është vënë në shërbim të festivalit “Bread & Heart” (Bukë dhe Zemër), tashmë i formalizuar si fondacion.
Ajo funksionon si pavijon i arkitektëve të preferuar të pushtetit, duke vënë në pikëpyetje kufirin mes krijimtarisë, privilegjit dhe marrëdhënieve të ngushta me qeverinë.
Një vilë gjak e kuqe spikat skajin lindor të Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës. Fshehur mes ferrave dhe pemëve të një prej kodrave të Saukut, ajo bën përshtypje dhe tërheq shikimet e kalimtarëve që ecin në digën e liqenit.
Ajo është “Vila Nr.5”, një rezidencë qeveritare, e cila për nga natyra duket më shumë e errët se sa e kuqe.
Më 8 qershor Kryeministri Edi Rama shtroi aty një drekë të veçantë, “Survivor’s Lunch”, (Dreka e të mbijetuarve), për miqtë e tij “star arkitektë”, të ftuar në festivalin “Bread & Heart”.
Festa ishte private. Vetëm një pjesë e vogël e atyre që kishin blerë biletën e plotë të festivalit (€360) arritën të bëheshin pjesë, pasi eventi ishte me ftesa nominale.
Në programin e festivalit, vila prezantohej si “Villa Number Red” (shkurt, No. Red), një emër i ri që nuk lidhej me asnjë ndërtesë në Tiranë, të paktën deri në fillim të qershorit.
Ka gjasa që ky emërtim jozyrtar të jetë zgjedhur enkas për të mbajtur të fshehtë prapavijën e zhvillimeve të rezidencës.
Ajo ndodhet në rrugën “Herman Gmeiner”, disi e veçuar nga zona e “Pallatit Presidencial” (Pallati i Brigadave), nën rojën e Gardës së Republikës. Faktikisht, nuk ka asnjë shenjë zyrtare në hyrje, ndërsa kangjellat me ngjyrë të kuqe të fortë, dallojnë nga e zeza e zakonshme.
Nga jashtë, duket krejtësisht e thjeshtë. Porta kryesore pa ndonjë madhështi, me hapje të brendshme që fiksohet nga katër shula për toke dhe një kabinë sigurie anash.
Për ironi, pranë rrethimit lejohet parkimi, madje falas, edhe pse kemi të bëjmë me një ndërtesë të rëndësisë së veçantë.
Nga ana tjetër, vila kufizohet pa gardh nga rruga “Memo Bejko” me një “mur” të natyrshëm shkurresh dhe pemësh.
Ky përshkrim i gjatë nxitet edhe nga përpjekjet e jashtëzakonshme të disa institucioneve për ta mbajtur atë të fshehtë.
Faktet tregojnë se nga një godinë gjysmë e rrënuar, ajo u rindërtua me procedura të fshehta dhe një shpenzim i majmë prej 6 milionë eurosh.
Në letër thuhet se u projektua brenda 45 ditësh dhe u ndërtua brenda 6 muajsh nga studio dhe kompani shqiptare.
Në realitet projekti u bë nga një studio e huaj, punimet u zgjatën rreth dy vite dhe u mbikëqyrën nga një zyrë, pronari i së cilës u arrestua dhe dënua për ryshfet në sigurimin e tenderëve publikë.
Për ironi, cilësia e punimeve duket se nuk i ka mbijetuar as shirave të parë të vjeshtës. Në një nga vizitat e Citizens.al në zonë, shquhen disa punonjës që po riparojnë soletën dhe gjurmë rrjedhe uji të lënë në ullukun anësor.
Vila duket se fsheh pas abuzime serioze për plotësime tekash personale të Kryeministrit, i cili gjithmonë e më shumë po i trajton zyrat dhe pronat shtetërore si prona personale.

Pas “Parkut Eden” në Kryeministri, projekti i të cilit u realizua nga studio e arkitektit Chris Precht dhe kushtoi rreth 5 milionë euro, ky duket të jetë një tjetër shpenzim i tepruar “për estetikë” i qeverisë.
Nuk mund të kishte vend më domethënës për të mbyllur festivalin “Bread & Heart” sesa vila qeveritare “No. Red”, një ndërtesë shtetërore e shndërruar në skenë ekskluzive për evente me ftesa private.
Pavarësisht kërkesave për transparencë, Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT), Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT) dhe Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare (DSHQ) nuk sqaruan se kush e pagoi festivalin dhe çfarë buxheti u shpenzua.
Zyrtarisht në festival morën pjesë rreth 2,300 persona ku vetëm 43% e tyre ishin me bileta, pjesa tjetër ishin “stafe organizative, teknike, ndihmëse dhe programatike”. Pati rreth 150 arkitektë, studiues dhe sipërmarrës të ftuar dhe 44 folës që u përfshinë në programet e datave 5-8 qershor.
Sipas dy agjencive qeveritare nga biletat u përftuan rreth 80 mijë euro të ardhura, udhëtimi dhe akomodimi i të ftuarve u mbulua privatisht ndërsa organizimi i festivalit me angazhim “pjesërisht vullnetar”.
“[…] procesi i konsolidimit financiar përfundimtar është në zhvillim në bashkëpunim me DSHQ-në,” tha AZHT.
“Bread & Heart” është njoftuar se do të zhvillojë edicionin e dytë në 3-4-5 qershor 2026.
Në një skenë ku mungonin arkitektët dhe akademikët shqiptarë, “Bread & Heart” e shfaqi hapur Ramën si porositës dhe vlerësues “par excellence” të vizionit dhe estetikës së çdo ndërtese të lartë në Shqipëri.
“Shqipëria prodhon më shumë arkitekturë se e gjithë Evropa,” shpalli Rama në një fjalim vetëlavdërues që kapi një “standing ovation” nga “star arkitektët” kryesor të ftuar – një pjesë e të cilëve janë në marrëdhënie klienteliste me pushtetin e Ramës.
Në këtë atmosferë me “shije klientelizmi”, më 12 tetor, Rama i priti sërish “star arkitektët” në vilën e kuqe “No. Red”. Kësaj here kur u njoftua fituesi i thirrjes së Korporatës së Investimeve Shqiptare (KISH), Bjarke Ingels për Parkun e Besimit.
Gjatë eventit me dyer të mbyllura, Rama prezantoi për të pranishmit arkitekten spanjolle Carme Pigem Barceló (nga RCR Arquitectes) si drejtuese të asaj që zyrtarisht më pas u njoftua të ishte “Fondacioni Bread & Heart”.
Citizens.al iu drejtua zyrës RCR për të marrë një koment nga Znj. Pigem, por nuk mori përgjigje.

Atë event, më 12 tetor, brenda vilës u vu re një instalacion i ndricuar me shkrimi “Bread and Heart Foundation” që sugjeron se vila tashmë është kthyer në seli për fondacionin.
Por, sipas Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare (DSHQ), deri në fund të tetorit nuk ka pasur marrëveshje për dhënien me qira apo përdorim të vilës. Madje as akte, të cilat autorizojnë një përdorim të tillë.
DSHQU mohoi që vilës t’i jetë hequr statusi i “objektit me siguri kombëtare” dhe t’i jetë ndërruar përdorimi. Ndërkohë, gjykata e Tiranës konfirmoi për Citizens.al se kërkesa për regjistrimin e fondacionit ishte në proces. Por që, të paktën deri në fund të muajit tetor, nuk kishte pasur ende vendim.
Kjo ngre dyshime se vila mund të jetë dhënë për përdorim në kundërshtim me ligjin, pa dokumentacion të ri ligjor, ndërkohë që fondacioni nuk ishte ende i regjistruar.
DSHQ theksoi se aktivitetet e zhvilluara kanë qenë pjesë e veprimtarive protokollare nën kujdesin e Kryeministrit, duke cituar një vendim të Këshillit të Ministrave të vitit 2016 që lejon pritje për “personalitete të veçanta pa rang zyrtar”,përfshirë drejtues fondacionesh dhe përfaqësues arti e kulture.
Citizens.al kërkoi informacione të tjera nga AZHT dhe AKPT mbi procedurat që çuan në shndërrimin e festivalit në fondacion si dhe marrëveshjet apo memorandumet e bashkëpunimit me të.
AZHT kërkoi më shumë kohë për shkak të volumit të dokumenteve, ndërsa AKPT nuk u përgjigj duke pranuar të gjobitet për mohim të të drejtës për informim, pas ndërhyrjes së Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Për festivalin “Bread & Heart” nuk pati transparencë për shpenzimet, fondet dhe angazhimet e ndërmarra teksa organizohej nga agjencitë qeveritare AZHT-AKPT, kthimi në fondacion e bën me premisa edhe më pak transparente.
Në këtë kuptim, qasja me “Bread & Heart” shton edhe më shumë dyshimet për abuzime me fondet publike, ndërkohë që nga “starkitektët”dhe “kritizerët” pranë tyre nuk ka pasur asnjë qëndrim për këtë pjesë.
Taksat e qytetarëve shqiptar, përdoren për rikonstruksione vilash ekskluzive, dreka, darka dhe festa private të asaj që në dukje po shfaqet dhe sillet gjithnjë e më shumë si “një oborr arkitektësh” pranë qeverisë.
Citizens.al/
U largua nga shtëpia e BBVK për arsye shëndetësore, Alba: M’u errën sytëAlba Pollozhani është rikthyer sërish në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova, duke vijuar rrugëtimin e saj në lojë.
Largimi i përkohshëm i banores erdhi si pasojë e problemeve shëndetësore, të cilat e detyruan të ndërpriste garën për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor. Sipas pamjeve të transmetuara, Alba duket tashmë në gjendje më të stabilizuar shëndetësore, çka i ka mundësuar rikthimin në shtëpi dhe vazhdimin e eksperiencës së saj në reality show.
Menjëherë pas kthimit, Alba zhvilloi një bisedë me Hygertën dhe Dolcen, të cilat ndodheshin në oborr. Në një moment të qetë dhe intim, ajo ndau me to detaje nga momenti më kritik i përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore, duke përshkruar simptomat që kishte përjetuar.
“Dhimbje shumë, edhe mu përçoll te komplet trupi. Në atë moment mu errën sytë… ndërkohë që m’u errën sytë, unë prapë po mbaja veten, se mendoja se do të më rikthehet… dhe një moment vetëm kur iku”, u shpreh Alba, duke lënë të kuptohet se kishte kaluar një situatë tejet të frikshme.
Pavarësisht përmirësimit të gjendjes së saj, Alba pranoi se jo gjithçka ka kaluar plotësisht. Ajo tregoi se vazhdon të ketë probleme me gjumin, një nga pasojat që ende po e shqetëson dhe që e bën këtë rikthim edhe më sfidues.
Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, u shfaq sot pranë Kryeministrisë, ku takoi Adriatik Lapajn, i cili prej disa ditësh po zhvillon një protestë.
Gjatë takimit, Binaj vlerësoi qëndrimin e Lapajt dhe deklaroi se do të jetë pjesë e të gjitha protestave të paralajmëruara në ditët në vijim.
Ai gjithashtu bëri të ditur se do t’i bashkohet tubimit të thirrur nga “Partia Mundësia” para Këshillit të Mandateve, protestës së lëvizjes “Shqipëria Bëhet” të shtunën, si dhe protestës së opozitës të organizuar nga Partia Demokratike më 22 dhjetor.
“Kur qytetarët heshtin, qeveria forcohet dhe abuzon. Kur qytetarët bashkohen dhe ngrenë zërin, pushteti detyrohet të tërhiqet,” u shpreh Binaj, duke shtuar se momenti aktual kërkon një reagim të përbashkët, pa ndasi partiake.
Ai theksoi se do të vazhdojë të jetë i pranishëm në çdo protestë qytetare.
Postimi i Binajt:
Protestat kundër qeverisë janë detyra bazë të çdo qytetari që nuk pranon të nëpërkëmbet, nuk pranon të vidhet dhe të nënçmohet.
Kur qytetarët heshtin, qeveria trimërohet dhe abuzon e i shkel qytetarët e saj me këmbën e pushtetit. Kur qytetarët ngrenë zërin, çohen në këmbë, protestojnë së bashku, qeveritë tërhiqen dhe struken.
Sot është dita që të gjithë ne, të gjithë qytetarët, pa dallime partiake, t’i fusim frikën qeverisë dhe ta ndalim në këtë rrugë të mbrapshtë ku e ka futur Shqipërinë.
Ne duhet të ngremë zërin, të çohemi në këmbë dhe të bëhemi bashkë.
Është shumë mirë që njerëzit po çohen por nuk është gjë e mirë që po çohen të ndarë në grupe të ndryshme.
Unë do të bëhem pjesë e të gjitha protestave. Sot isha tek protesta e Adriatikut dhe e mbështetësve të protestës së tij, nesër do t’i bashkohem protestës së Partisë “Mundësia”.
Ditën e shtunë do ti bashkohem protestës së levizjes “Shqipëria Bëhet”, dhe ditën e hënë do të marr pjesë në protestën e organizuar nga Partisa Demokratike. Shpresoj shumë dhe uroj me zemër, që shumë shpejt do bëhemi të gjithë sërish së bashku, pa dallime politike, të gjithë si qytetarë!
“Thirre atë plehrën”/ Carlo Bollino në përgjimet e Ballukut! Qindra miliona nga ARRSH-jaPronari i Report TV dhe Shqiptarja.com, Carlo Bollino, rezulton të jetë i përfshirë në përgjimet e zv/kryeministres Belinda Balluku dhe vartësit të saj, drejtorit të ARRSH, Ervis Berberi.
Sipas dosjes hetimore të publikuar në media, rezulton se Carlo Bolino ka përfituar qindra milionë lekë nga ARRSH-ja.
Në bashkëbisedimin mes Ballukut dhe Berberit, zbardhet se Carlo Bollino, çon persona të tretë të interesohen tek ministrja dhe drejtori i ARRSH për projektet dhe pagesat.
Gjatë këtij bashkëbisedimi mes Ballukut dhe Berberit flitet për shumat që ka marrë Bollino nga drejtori i ARRSH.
Në aplikacionin “Whatsapp”, midis shtetasve Belinda Balluku dhe Evis Berberi, si më poshtë:
Në datën 17.03.2022, në orën 17:45, shtetasja Belinda Balluku i përcjelle (forëarded) shtetasit Evis Berberi mesazhin “buonasera belinda, sento it dovere di informarti che nulla di quello quello che ei siamo detti e’ avvenuto, ne il vecchio (il cui valore e’ stato addirittura spalmato te “plani i likujdimi” nei prossimi tre anni!!!) ne’ il nuovo, si dhe i dërgon mesazhet “Merre zgjidhe kte Se sto kafane po fare terezine.
Në orën 17:52-17:53, Evis Berberi:“Ja kam pranuar projektin në këshill teknik ka marrë 28 mil të rinj nga 70 mil të rinj the pagesën e mbetur ja kam shtrirë në tre vjet tani do marrë o mil të vinj pasi kanë bërë një shpërndarje për të gjitha projektet dhe nëse duhet ja japim në qershor 39 mil të rinj që është diferenca.
Për gjënë e re se di për çfarë flet Pasi skam diskutuar gjë tjetër me të”.
Në orën 17:57-17:58, Belinda Balluku: “Therrite ate plehren gee perfaqeson Dhe thuaji, kjo eshte skema clare halli ke shko sqaro carton thuai mos shkruaj me tek min ose pastaj harroje Bashkepunimiu”.
Në orën 17:58-18:00, Evis Berberi:“Ok Po është ky plehra që shtyn Carlon se do jetë në hall, thuhet ndër të tjera në dosjen hetimore./ Zoom.al
Mbledhja në Këshillin e Mandateve, SPAK kërkon seancë të mbyllur për imunitetin e BallukutSeanca nesër në Këshillin e Mandateve për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut pritet të mbahet me dyer të mbyllura.
Sipas informacioneve në media, prokurori Dritan Prençi i ka kërkuar Kuvendit që seanca plenare të mos jetë e hapur për mediat, pasi ka sekrete që mund të cenojnë hetimin.
Seanca do të mbahet nesër në orën 10.00 dhe pritet të shohim se çfarë do të vendosin deputetët. Ndërkohë në seancë pritet të jetë dhe kreu i ri i SPAK, Klodian Braho.
Me kërkesë të SPAK, GJKKO vendosi pezullimin e Ballukut nga detyra e ministres dhe zv/kryeministres. Kjo gjë shkaktoi reagim të fortë nga ana e kryeministrit, i cili në rolin e avokatit të Ballukut pretendon se GJKKO ka marrë kompetenca që nuk i takojnë.
Çështja shkoi në Kushtetuese dhe javën që lamë pas kjo e fundit e pranoi kërkesën e Ramës, teksa pezulloi vendimin e GJKKO deri në marrjen e një vendimi final.
Mirëpo SPAK duket se ka marrë si sfidë dhe tani ka bërë një tjetër kërkesë, ku kërkon heqjen e imuniteti për Ballukun me qëllim lejimin e një mase shtrëguese ndaj saj.
Kërkesa e SPAK drejtuar Kuvendit
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbështetur në nenet 73, 95 dhe 103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në nenet 13 dhe 118 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit:
Belinda Balluku, lindur dhe banuese në Tiranë, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë.
Kjo shtetase është marrë në cilësinë e të pandehurit në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale:
“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal, në lidhje me procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.
Gjithashtu, shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:
“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”.
Kjo kërkesë ka për qëllim marrjen e autorizimit nga Kuvendi për procedimin e mëtejshëm ligjor.
SPAK nuk ia ka sekuestruar ende telefonin Ilir Prodës, policia reagon për Zoom.alPolicia e Shtetit reagoi pas lajmit se Drejtorit të Përgjithshëm, Ilir Proda i ka sekuestruar SPAK-u celularin. Në një komunikim me Zoom.al, zyra e shtypit tha se “lajmi është tërësisht i pavërtetë, nuk i është sekuestruar telefoni Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”.
Nëse do t’i ishte sekuestruar telefoni, ky do të ishte rasti i dytë që SPAK-u i merr Prodës celularin. Atij i është marrë më parë, kur konkurronte për postin e nr. 1 të Policisë, pas dyshimeve për dekonspirim të një operacioni kundër bandës së Suel Çelës.
Me goditjen e Ergys Agasit dhe të nëndrejtorit të Policisë së Tiranës, Erjon Ismaili, rrethi për zyrtarët e tjerë të policisë të lidhur me krimin e organizuar po ngushtohet.
Proda është akuzuar disa herë nga opozita si i lidhur ngushtësisht me bandën e Durrësit, Ergys Agasin dhe Suel Çelën, por ai s’i ka mohuar asnjëherë këto akuza./ Zoom.al
Sekuestrohen 3 milionë euro shishe verë në shtëpinë e Gys Agasit/ Koleksioni i luksit dhe tentativa për të manipuluar provatDhjetëra shishe verë pa pullë fiskale me vlerë rreth 3 milionë euro janë sekuestruar në shtëpinë e biznesmenit Ergys Agasi.
Ai është shpallur në kërkim si pjesë e një grupi kriminal që rrëmbente biznesmenë dhe përmes dhunës, i detyronte të hiqnin dorë nga tenderat e AKSHIT.
Verërat janë konstatuar nga agjentët e BKH-së, të cilët kanë njoftuar prokurorin e çështjes për kryerjen e sekuestrimit. Me urdhër të prokurorit, është vendosur masa e sekuestrimit dhe është njoftuar Drejtoria e Hetimit Tatimor, e cila ka proceduar me bllokimin e tyre për shkak të mungesës së pullës fiskale dhe dyshimeve për shmangie detyrimesh tatimore.
Burime bëjnë me dije se në një moment është tentuar ndërrimi i shisheve, por kjo është bërë e pamundur pasi më herët ishte kryer fotografimi dhe dokumentimi i plotë i tyre nga grupi i hetimit.
Sipas burimeve, një shishe kushtonte nga 7 deri në 10 mijë euro dhe bëhej fjalë për verëra të vjetruara nga 70 deri në 100 vjet. Koleksioni i verërave do t’i nënshtrohet verifikimit të mëtejshëm për burimin e ligjshëm të pasurisë.
Ndërkohë për Ergys Agasin dhe Ermal Beqirin, ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurisë arrest me burg, ende nuk është bërë e mundur kapja e tyre dhe të dy vijojnë të jenë në kërkim nga autoritetet.
Në kuadër të të njëjtit procedim penal, Gjykata e Posaçme ka lënë sot në fuqi masën e arrestit në shtëpi për drejtoreshën dhe zv drejtoreshën e AKSHIT. Të dyja masat janë konfirmuar nga GJKKO pas shqyrtimit të kërkesave për ndryshim mase, ndërsa hetimet nga SPAK vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar të manipulimit të tenderave.
Putin ashpërson gjuhën: Nëse Evropa kërkon luftë, ne jemi gatiPresidenti rus Vladimir Putin, po kritikon ashpër qëndrimin e evropianëve ndaj përpjekjeve për të arritur paqen në Ukrainë, duke thënë se ata janë në favor të luftës.
Presidenti rus, në deklaratat e tij për gazetarët, thekson se “Evropa nuk ka një program paqeje për Ukrainën, ajo është në favor të luftës”.
Duke iu referuar iniciativave të Donald Trump për t’i dhënë fund luftës, ai thekson konkretisht se:
“Ata filluan të pengonin përpjekjet e administratës aktuale amerikane dhe të Presidentit Donald Trump, për të arritur paqen përmes negociatave. Ata vetë refuzuan bisedimet e paqes. Nuk dua të luftoj kundër Evropës, por nëse ajo na shpall luftë, ne jemi gati”, tha kreu i Rusisë.
Vladimir Putin e ka bërë të qartë edhe një herë se Rusia nuk ka ndërmend të sulmojë Evropën.
“E kam thënë njëqind herë se nuk dua të luftoj Evropën, por nëse Evropa na shpall luftë, ne jemi gati. Nuk ka dyshim për këtë”, theksoi ai në një deklaratë.
Futbollisti i kombëtares bëhet baba (Foto)Një kapitull i ri dhe plot emocion ka nisur për çiftin e njohur Vesa Vllasaliu dhe Mirlind Daku, të cilët janë bërë prindër për herë të parë.
Futbollisti i Kombëtares shqiptare dhe influencerja e njohur kanë mirëpritur në jetë një vajzë, duke ndarë gëzimin e madh me ndjekësit e tyre në rrjetet sociale.
Lajmi është bërë publik pak minuta më parë nga vetë Mirlind Daku, i cili përmes një postimi në Facebook ka shprehur falënderimin dhe emocionin e tij për ardhjen në jetë të vogëlushes.

Postimi i tij është shoqëruar me reagime të shumta pozitive, komente urimi dhe mesazhe dashurie nga fansat, miqtë dhe figura publike, të cilët kanë uruar çiftin për këtë moment të veçantë në jetën e tyre.
Vesa Vllasaliu dhe Mirlind Daku janë një nga çiftet më të komentuar të viteve të fundit, të ndjekur gjerësisht si për karrierën sportive të Dakut, ashtu edhe për praninë aktive të Vesës në rrjetet sociale. Ardhja në jetë e vajzës së tyre shënon një moment të rëndësishëm familjar, duke e bërë këtë periudhë edhe më të veçantë për ta.
Zoom.al/