zoom

Day ArchiveMilionat e AKSHI-t te baxhanaku i Kryeministrit, fijet që të çojnë te Frangu

SPAK deklaron se biznesmeni Gerond Meçe është marrë peng, për shkak se u fut në garë, duke prishur përllogaritjet për paracaktimin e tenderave.

Por Gerond Meçe rezulton se ishte një prestanome për llogari të Armand Frangut, baxhanakut të kryeministrit të vendit. Madje, kompanitë e hapura nga ai dhe Armand Frangu kanë lënë gjurmë të mjaftueshme se ku kanë përfunduar të paktën 53 milionë euro e mbi 800 transaksione të AKSHI-t në favor të kompanive të tyre.

Armand Frangu, baxhanaku i kryeministrit Edi Rama, sipas të dhënave të siguruara nga QKB, rezulton aksioner në 2 kompani, B360 e bashkëthemeluar me Gerond Meçe dhe SIRMA, e themeluar në vitin 2017 me ortak kompaninë SIRMA Inc, ku Armand Frangu ka në zotërim 45% të aksioneve. Të dyja këto kompani kanë si objekt shërbimet IT.

Emisioni PLUG analizoi të dhënat e këtyre kompanive dhe punonjësit e tyre, ku gjenden edhe gjurmët e para të lidhjeve të kompanive të Gerond Meçes dhe Armand Frangut, për të faktuar më pas nëse Frangu ka përfituar para publike nëpërmjet ABS.

Për këtë na vjen në ndihmë profili në LinkedIn i punonjëses Gloria Avramushi.

Gloria Avramushi ka përfunduar studimet bachelor në vitin 2017 dhe menjëherë ka filluar punë pranë kompanisë SIRMA, ku aksioner është Armand Frangu.

Në LinkedIn, zonjusha Avramushi detajon disa nga projektet që ajo ka pasur ndër vite si punonjëse, ndër të cilat:

Një projekt është ai i “Certificates of Professional Competence” nga Drejtoria e Transportit Rrugor. Sipas LinkedIn, SIRMA ka ndërtuar sistemin software për lejet e drejtimit. Ky projekt është zbatuar në periudhën shkurt 2019 – mars 2020. Nga të dhënat e mbledhura, rezulton se pikërisht kompania ABS ka fituar tenderin e zhvilluar nga AKSHI në vitin 2018: tenderi “Plotësimi i sistemeve të lejedrejtimit” me vlerë 187 milionë lekë.

“Time Attendance”, po nga AKSHI, është një tjetër projekt i zhvilluar në periudhën tetor 2018 – prill 2019.

“Document Management System (Save the Children Albania)” është një tjetër projekt i fituar në dhjetor të vitit 2017. Ky projekt për këdo nuk do të përbënte interes pasi është një marrëdhënie midis subjekteve private, por për PLUG do të ishte një tjetër lidhje mes Armand Frangut dhe Gerond Meçes.

Deri tani shihet qartë se Armand Frangu ka përfituar fonde publike përmes ish-ortakut Gerond Meçe. Kjo lidhje është faktuar edhe më parë midis kompanive ABS dhe B360, ku sipas bilanceve marrin dhe japin shërbime njëra-tjetrës që nga themelimi. Nuk dihet nëse kjo është një marrëdhënie miqsh apo komshinjsh, pasi të ekspozuar përballë konfliktit të interesit, shkresërisht rezultojnë me biznese të ndara.

Një tjetër lidhje e fortë mes bizneseve të Armand Frangut dhe Gerond Meçes është edhe vendndodhja e bizneseve. Edhe pse të ndarë në letra, bizneset që i lidhin ata mes tyre janë në të njëjtën adresë. Kompanitë e Frangut dhe Meçes, në periudha të ndryshme, kanë deklaruar të njëjtën adresë: Njësia Bashkiake nr. 2, Rruga “Papa Gjon Pali II”, Pallati 11, por në apartamente të ndara.

Më 29 prill 2015, kompania Advanced Business Solutions, e njohur shkurt si “ABS”, shtoi adresën Rruga “Papa Gjon Pali II”, Shkalla 1, Kati i 5-të, Apartamenti 13. Kjo adresë ka qenë funksionale deri më 8 qershor 2022.

Më 4 dhjetor 2012, kompania B360 vendosi adresën: Rruga “Papa Gjon Pali II”, Pallati 11/1, Apartamenti 11. Kjo adresë ka qenë përdorur deri më 27 prill 2017.

Kompania Artificial Intelligence Business Solutions, shkurt AIBS, ka pasur si adresë të themelimit rrugën “Papa Gjon Pali II”, Pallati 11/1, Hyrja 1, Apartamenti 19, në Tiranë.

Kompania SIRMA, e themeluar në vitin 2017, ka pasur si adresë fillestare Rrugën “Papa Gjon Pali II”, Pallati 11, Apartamenti 11, në Tiranë.

Sipas disa të dhënave që emisioni PLUG mundi të mblidhte në kaq pak kohë, rezulton se në vitin 2016 lidhet kontrata me objekt “Rritja e sigurisë fizike dhe digjitale në shkollat e arsimit të mesëm, ndërtimi i platformës multidimensionale të komunikimit”.

Autoriteti kontraktues: AKSHI.

Ofrues i shërbimit: bashkimi i operatorëve FIRST, ABS dhe INFOSOFT.

Vlera e kontratës: mbi 4 milionë dollarë me TVSH.

Gjatë investigimit të kësaj kontrate, PLUG konstatoi një shkelje sa skandaloze aq edhe korruptive.

Në nenin 38.2 të kontratës “Personat e autorizuar për ndjekjen e kontratës” listohen punonjësit e ngarkuar për të ndjekur ecurinë si për palën AKSHI ashtu edhe për palën ABS. Për AKSHI, e dyta në listë është shtetasja Ermonela Kajo.

PLUG investigoi më tej dhe mundi të siguronte një dokument të AKSHI-t ku zonja Ermonela Denaj (Kajo) rezulton të jetë jo specialiste, jo shefe sektori, por Drejtore e Drejtorisë së Sistemeve e-Gov.

Veç pozicionit drejtues pranë AKSHI-t, Ermonela Denaj-Kajo rezulton të jetë edhe kunata e Gerond Meçes, përfituesit më të madh të tenderave të këtij institucioni.

Nga të dhënat e siguruara në gjendjen civile rezulton se Gerond Meçe është i martuar me shtetasen Elinda Meçe (Kajo). Kjo e fundit, prej vitit 2020, mban detyrën e dekanes së Universitetit Politeknik të Tiranës. Bashkëshortja e Gerondit ka tre motra, një ndër to është dhe shtetasja, drejtoreshë në AKSHI, zonja Ermonela Denaj (Kajo).

Shihet qartë që miqësia apo komshillëku në biznes i Gerond Meçes me Armand Frangun krijon mjaft lehtësira, duke të emëruar kunatën drejtoreshë në AKSHI dhe më pas duke të dhënë miliona euro tendera, të cilat i kontrollon po kunata drejtoreshë.

Në nenin 6 të kontratës, të firmosur mes AKSHI-t dhe bashkimit të operatorëve, përcaktohen Praktikat Korruptive, Konflikti i Interesit dhe Kontrolli i Procesverbaleve. Sipas këtij neni dhe nenit 26 të Ligjit të Prokurimit Publik, do të duhej minimalisht të deklarohej konflikti i interesit midis pronarit të kompanisë ABS, Gerond Meçe, dhe Drejtoreshës Ermonela Denaj-Kajo, e cila duhet të monitoronte zbatimin e kontratës nga kunati i saj.

Nuk dihet nëse Ermonela Kajo është emëruar aty me ndikimin e Armand Frangut për të arritur aty ku thotë edhe Ahmetaj, që në institucionin e AKSHI-t për çdo tender vendos ai.

Kjo do të duhet të hetohet nga SPAK, por një gjë është e sigurt: kontratat e kompanisë ABS janë në konflikt të pastër interesi, ndërsa emisioni Plug do t’i drejtohet zyrtarisht me kërkesë Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit për procedurat tenderuese të kompanive ABS dhe FIRST.

Për të faktuar lidhjen mes shtetasit Gerond Meçe dhe Armand Frangu, i rikthehemi edhe njëherë projekteve të detajuara në LinkedIn të punonjëses së kompanisë SIRMA, Gloria Avramushi. Për periudhën dhjetor 2017–2019, kompania SIRMA ka zhvilluar sisteme për organizatën jofitimprurëse “Save the Children Albania”.

Shefe finance në këtë OJF është shtetasja Erka Meçe, bashkëshortja e shtetasit Elvis Meçe dhe kunatë e shtetasit Gerond Meçe.

Kjo do të ishte një rastësi e madhe, por dyshimet shtohen pasi kompania SIRMA kishte vetëm pak muaj që ishte themeluar dhe me zero eksperiencë në tregun vendas, ndërsa “Save the Children Albania” është një OJF e themeluar prej vitit 1999 dhe me një eksperiencë të gjatë.

Adresa të njëjta, bashkëpunim, i njëjti staf dhe familjarë në institucionet shtetërore që u japin tendera janë të dhëna që forcojnë dyshimet se kjo nuk është thjesht një rastësi, por i takon SPAK-ut të zbardhë këto lidhje, që vetëm nga investigimi i drejtoreshës së AKSHI-t, Ermonela Denaj-Kajo, faktohet abuzimi me tenderat e fituara nga këto kompani që në total përllogariten në 53 milionë euro.

Emisioni PLUG investigoi edhe akuzën e ish-numrit dy të qeverisë për ngritjen e një zinxhiri kompanish që synimin e vetëm kanë pasur justifikimin e shpenzimeve për milionat e marra nga AKSHI. Kompania AIBS është themeluar në shkurt të vitit 2020 me ortak të vetëm shtetasin Gerond Meçe. Sipas të dhënave të bilanceve të deklaruara në QKB, që në momentin e themelimit AIBS deklaron një xhiro prej 177 milionë lekësh dhe 171 milionë lekë fitim. Në vitin 2021 xhiroja deklarohet rreth 198 milionë lekë dhe 177 milionë lekë fitim. Në vitin 2022 xhiroja rritet në 311 milionë lekë, nga të cilat 301 milionë deklarohen fitim, dhe në vitin 2023 xhiroja është 262 milionë lekë me 185 milionë lekë fitim.

Xhiro e kompanisë AIBS

Viti | Xhiro | Fitim

2020 | 177.621.000 | 171.126.000

2021 | 197.965.000 | 177.014.000

2022 | 311.253.000 | 301.528.000

2023 | 262.722.000 | 185.468.000

Total | 949.561.000 | 835.136.000

Pra, e thënë më qartë për publikun, Gerond Meçe fiton tendera publikë në vlerën 53 milionë euro me kompaninë ABS. Më pas, rreth 10 milionë euro nga këto para ia faturon sërish vetes te kompania AIBS. Meqë kjo kompani nuk ka çfarë shpenzimesh reale të deklarojë për punimet fiktive, raporton në Tatime dhe QKB një normë fitimi prej 80 për qind, duke e bërë kompani unike në treg sa i përket fitimit të lartë.

Dyshimi që ky xhirim dhe fitim prej 10 milionë eurosh është totalisht fiktiv ngrihet edhe nga punonjësit e të dy kompanive, të cilët rezultojnë të jenë të njëjtët. Gerond Meçe është pronari dhe i punësuar si te AIBS ashtu edhe te ABS. Elinda Meçe (gruaja e pronarit) rezulton e punësuar në tre pozicione: AIBS, ABS dhe dekane universiteti. Elvis Meçe (vëllai i pronarit) është i punësuar si te AIBS ashtu edhe te ABS. E njëjta skemë punësimi është përdorur edhe për punonjësit Iva Tarelli, Aneta Deliu, Vanjela Pine, Ibrahim Smoqi, Jorgjis Sollaku, Hariet Bani dhe Miltiadh Dine.

Pra, i njëjti pronar themelon dy kompani: me njërën fiton tenderat e AKSHI-t me çmime shumë të larta dhe, për të rritur shpenzimet, themelon kompaninë e dytë me të cilën rrit shpenzimet fiktivisht me rreth 10 milionë euro. Për ta bërë sa më të besueshme skemën, regjistron 10 punonjës që në fakt punojnë te kompania kryesore që merr tenderat.

SPAK hyri në kopshtin privat të Edi Ramës, te AKSHI. Por mbetet për t’u parë nëse prokurorët do të kenë guximin t’u tregojnë shqiptarëve se kush janë përfituesit faktikë të miliona eurove nga tenderat e AKSHI-t, apo do të mbetet gjithçka te biznesmenët prestanome. E për këtë me vlerë është edhe audio-përgjimi, ku sipas atyre që e kanë dëgjuar, Gerond Meçe deklaron se çdo tender në këtë institucion paracaktohet nga Linda Rama, apo nëse do të arrijnë të garantojnë dëshmitarë si Daniel Shima për të zbardhur deri në fund aferat korruptive të kopshtit privat të Edi Ramës.

Syri.net/

Ben Blushi u rikthehet sulmeve të ashpra ndaj administratës pas skandalit të AKSHI-t

Ben Blushi ka rikthyer kritikat e forta ndaj administratës shtetërore, pas skandalit të abuzimit me tenderat e AKSHI-t.

Duke rikthyer në vëmendje një nga fjalimet e tij gjatë kohës që ishte deputet, Blushi thekson padrejtësitë dhe absurditetin burokratik që, sipas tij, vazhdon të karakterizojë institucionet shqiptare.

“HISTORIA E DJALIT ME TATUAZHIN E NËNËS NË KRAH

Dhjetë vjet më parë duke folur në parlament kam treguar historinë e një djali që ëndërronte të bëhej polic.

Ai kishte fituar të gjitha testet me përjashtim të njërit.

Kishte një tatuazh.

Kohë më parë i kishte vdekur mamaja dhe fytyrën e saj të bukur e kishte bërë tatuazh në krah.

Shkolla e Policisë i kishte kërkuar ta fshinte tatuazhin në mënyrë që të kalonte provimin.

Policëve nuk i lejohet të mbajnë tatuazhe në trup.

Djali kishte qarë gjatë, e kishte fshirë tatuazhin e nënës por prapë nuk e kishte kaluar dot klasën.

Kishte humbur.

Nuk ishte bërë dot polic megjithëse kishte fshirë fytyrën e nënës nga trupi i vet.

Këtë histori ai mu lut t’a tregoja në parlament dhe unë e tregova sic ishte.

Që atëherë ai djalë më ka humbur.

Nuk e di më ku është, kush është dhe cfarë ka bërë.

A është bërë dot polic?

A e ka më tatuazhin e nënës së vet në trup?

Nëse dikush e njeh të më thotë ku është dhe unë do ta fotografoj me tatuazhin e nënës.

Sic fotografova historinë e tij të dhimbshme dhjetë vjet më parë në parlamentin e Shqipërisë.”- shkruan Blushi në rrjetet sociale.

Një ditë më parë, Prokuroria e Posaçme lëshoi 8 urdhërarreste me dyshimin për abuzim me tenderat e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Mes personave të vendosue në masë sigurie janp zv. Drejtoresha dhe drejtoresha e insitucionit, Mirlinda Karçanaj.
Zoom.al/

“Viti i përfundimeve”/ Ç’duhet të lënë pas në 2025 shenjat e zodiakut, sipas numerologjisë

A ju është dukur 2025 si viti i përfundimeve dhe mbylljeve? Kjo ka shumë gjasa sepse ai shënoi një “vit 9” në numerologji.

Sipas numerologjisë, numri 9 është shifra e fundit njëshifrore dhe përfaqëson përfundime, mbyllje, transformim kolektiv dhe përmbushje të shenjtë. Energjia kryesore e një viti 9 lidhet gjithmonë me dorëzimin dhe lëshimin. Një vit me numër 9 është gjithmonë intensiv, sepse sjell ndjesinë e përshpejtimit.

Si rezultat, gjatë muajit të fundit të vitit po bëjmë ndryshime që do të na çojnë drejt një versioni më të rafinuar të vetes në vitin 2026, i cili është një vit me numër 1.

Lexoni më poshtë për të kuptuar mësimet dhe rritjen që viti 9 i mësoi çdo shenje të zodiakut në vitin 2025:

Dashi

Po filloni t’i besoni intuitës suaj dhe po merrni një qasje më të ngadaltë në trajtimin e çështjeve; kjo ishte surpriza që 2025-a ju solli. Ndërsa ecni përpara, mësoni të përqafoni impulsivitetin tuaj, por tregohuni më të ndërgjegjshëm në vendimet e nxituara. Do të vazhdoni të veproni spontanisht, por me pak më shumë kujdes dhe butësi.

Demi

Deri së fundmi, keni qenë në gjendje ta përdorni ëmbëlsinë dhe hijeshinë tuaj për të dalë nga biseda të vështira. Kjo epokë ka marrë fund për ju, sepse tani po detyroheni të rriteni dhe të kujdeseni për veten. Kjo do të thotë se nuk do të buzëqeshni më vetëm për të marrë përkëdhelje, tani vlerësimi do të vijë për intelektin tuaj.

Binjakët

Të jesh i sinqertë me veten për aspektet anësore të karrierës suaj është çelësi për të ngritur statusin aktual. 2025-a ju bëri më pak iluzionistë dhe më të vetëdijshëm për hapat e nevojshëm për të arritur promovimin dhe rritjen financiare që dëshironi. Është koha të luani sipas rregullave për të marrë çelësat e artë të fronit. Jini realistë për nivelet.

Gaforrja

Jeni emocionalisht më të zhvilluar krahasuar me bashkëmoshatarët tuaj, por kjo nuk do të thotë se nuk keni momente ku bëni sjellje të papjekura. 2025-a tregoi se duhet të keni një bazë të fortë dhe të jeni të qëndrueshëm në mënyrën se si i shprehni ndjenjat ndaj të tjerëve. Reagimet e zjarrta nuk i ndihmojnë situatat, prandaj ka gjasa të bëheni më të rreptë dhe të përmbajtur.

Luani

Tani që keni kaluar 12 muaj duke kuptuar financat tuaja, mund të filloni të planifikoni hapat e ardhshëm. Kjo ju lejon të jetoni më lirshëm dhe pa kufizime. Meqenëse keni mësuar si të menaxhoni buxhetin, do t’i përdorni këto mësime në të ardhmen për të shmangur të njëjtat situata.

Virgjëresha

Gjatë vitit të kaluar, keni reflektuar mbi atë që dëshironi nga marrëdhëniet. Ndërsa hyni në një cikël të ri në 2026-ën, do të vini re se vendosja e kufijve dhe limiteve në këto partneritete është jetike për rritjen tuaj. Ju u jepni shumë të tjerëve dhe tani duhet të merrni një pjesë të kësaj energjie dhe ta drejtoni nga vetja.

Peshorja

Keni reflektuar energjinë që keni marrë nga të tjerët dhe si pasojë, kjo ka krijuar kaos në vend të strukturës. Dijeni se mund ta zgjidhni situatën duke hedhur një hap besimi drejt diçkaje të re, në vend që të qëndroni në të njëjtin rreth vicioz. Ju mund ta kontrolloni fatin tuaj dhe të transformoheni nëse identifikoni shkaktarët dhe vështirësitë që po ju mbajnë pas.

Akrepi

Meqenëse Marsi sundon numrin 9 dhe është një nga planetët tuaj sundues, ju e ndjeni këtë energji shumë fort, Akrep. Po pranoni miqtë që kanë qenë pranë jush në momente të vështira. Ata që nuk ishin, duhet të lihen mënjanë, ndërsa ju përqendroni energjinë tek ata që ju mbështetën pa kushte kur gjërat u bënë të vështira.

PSG-ja fiton Kupën Interkontinentale, finalja vendoset pas penalltive

Paris Saint-Germain fitoi Kupën Interkontinentale të FIFA-s, duke u bërë klubi i parë francez që triumfon në një kompeticion global për klube.

Finalja ndaj Flamengo-s u mbyll 1-1 pas kohës së rregullt dhe shtesës, ndërsa u vendos nga goditjet e penalltive.

PSG kaloi në avantazh me golin e Khvicha Kvaratskhelia-n në minutën e 38-të, ndërsa Flamengo barazoi nga pika e bardhë me Jorginho-n, në minutën e 62-të.

Portieri Matvei Safonov ishte vendimtar në serinë e penalltive, duke pritur katër goditje për PSG-në. Rezultati i penalltive u mbyll 2-1 për kampionët e Evropës.

Ky sukses i siguroi PSG-së trofeun e gjashtë në vitin kalendarik 2025. Flamengo, nga ana tjetër, dështoi të fitonte trofeun e pestë të vitit.

Zoom.al/

Berisha pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD: Salianji është vetëpërjashtuar

Sali Berisha ka folur para gazetarëve në selinë blu, pas mbylljes së mbledhjes së Këshillit Kombëtar, dhe mbledhjes me sekretarët e degëve.

“Është një zhvillim, një ndërgjegjësim jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe pozitiv. Pavarësisht se po shkërrmoqet, pavarësisht se në agoni, përsëri duhet që populli ta kërrejë Edi Ramën”, tha ai.

Ndërkohë i pyetur nëse do ta përjashtojë Ervin Salianjin nga PD, ai tha se “nuk kam thënë që s’ka vetëpërjashtime, duke nënkuptuar se ish-deputeti po vetëpërjashtohet nga PD.

“Edhe njëherë, me ç’qëndrim kam patur unë për këtë çështje, e kam shprehur si kryetar i PD dhe nuk e lëviz atë… Shih statutin. Nuk kam thënë që s’ka vetëpërjashtime”, tha Berisha.

Zoom.al/

Bardhi nxjerr pjesë nga dosja: Balluku ka intimiduar dëshmitarët

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi lidhur me kërkesën e SPAK për heqjen e mandatit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku me qëllim arrestimin e saj.

Sipas një pjese të dosjes hetimore të postuar nga Bardhi, rezulton se Balluku ka intimiduar dëshmitarët dhe ka prishur prova, çka sipas tij përbën arsyen kryesore për vendosjen e masave të sigurimit nga Prokuroria e Posaçme.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi deklaroi se çdo moment që Balluku vijon të qëndrojë në detyrë është një vendim politik i kryeministrit Edi Rama. Ai theksoi se kjo, sipas tij, është një zgjedhje për të mbrojtur veten dhe jo për të garantuar drejtësinë.

Postimi i plotë:

Edi Rama nuk ka më alibi! Rreziku për intimidimin e dëshmitarëve dhe prishja e provave është e vetmja arsye pse ekzistojnë masat e sigurimit.

SPAK me metoda speciale hetimi ka provuar se Belinda Ballukun ka intimiduar dëshmitarët. Provat ekzistojnë, i ka sjell edhe në Kuvend, por Niko Peleshi i ka mbyllur në kasafortë. Vonesat, kasafortat dhe fshehja e fakteve janë vetëm manovra të dëshpëruara të Edi Ramës për të blerë kohë.

Çdo minutë shtesë që Belinda Balluku mbahet në detyrë është një zgjedhje politike e Edi Ramës. Një zgjedhje për të mbrojtur veten!

Por nuk ka më as rrugëdalje për kryeministrin e Republikës së Korrupsionit! Edi Rama duhet të zgjedhë: të dorëzojë të pandehurën Belinda Balluku, ose të mbajë përgjegjësi për pengimin e drejtësisë. Rrugë të mesme nuk ka!

Zoom.al/

Putin “lëshon gojën” me liderët europianë, i quan derra të vegjël

Presidenti rus Vladimir Putin ka përdorur tone të ashpra ndaj udhëheqësve europianë, gjatë një takimi vjetor me Ministrinë ruse të Mbrojtjes, duke deklaruar se objektivat e asaj që Moska e quan “operacion special ushtarak” do të përmbushen “pa kushte”.

Putin tha se nëse nuk ka gatishmëri për një diskutim thelbësor, Rusia do të vazhdojë veprimet ushtarake për atë që ai e cilësoi si “çlirimin e tokave historike” në fushën e betejës. Ai akuzoi administratën e mëparshme amerikane se e ka shtyrë qëllimisht situatën drejt konfliktit të armatosur, duke synuar, sipas tij, dobësimin apo shkatërrimin e Rusisë brenda një kohe të shkurtër.

Në fjalën e tij, Putin sulmoi edhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian, duke i akuzuar se iu bashkuan politikave të administratës së ish-presidentit amerikan Joe Biden. Ai deklaroi se me udhëheqjen europiane “dialogu është i pamundur”, duke përdorur gjuhë fyese dhe akuza të drejtpërdrejta ndaj tyre duke i quajtur edhe “derra të vegjël”.

Deklaratat vijnë në një kohë kur zyrtarë amerikanë kanë pohuar se bisedimet e mëparshme me Ukrainën në Berlin kanë zgjidhur një pjesë të madhe të çështjeve teknike, megjithatë mbeten dyshime serioze nëse Moska është e gatshme të bëjë lëshime mbi kërkesat e saj kryesore.

Putin ka këmbëngulur që Ukraina të dorëzojë zonat e mbetura të rajonit lindor të Donbasit që janë ende nën kontrollin e Kievit, një kërkesë e refuzuar kategorikisht nga autoritetet ukrainase. Moska kërkon gjithashtu kufizime të rrepta mbi ushtrinë ukrainase, ndalim të pranisë së trupave perëndimore në Ukrainë dhe ndërprerjen e mbështetjes ushtarake nga Perëndimi.

Zoom.al/

Zbardhet plagosja e 50-vjeçarit në Mamurras, si nisi konflikti

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Mamurras, ku një person mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri.

Sipas raportimeve në media I plagosuri, Pjetër Marku, sapo ishte kthyer nga Anglia dhe është përfshirë në një konflikt të çastit me autorin e dyshuar, i cili tashmë është identifikuar nga policia.

Mësohet se konflikti ka nisur pasi i plagosuri i ka kërkuar autorit të lëvizte me kujdes dhe të mos xhironte gomat e automjetit.

Pas këtij momenti, autori dyshohet se ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar dy herë me pistoletë, ku një prej plumbave ka kapur në krah Pjetër Markun.

Zoom.al/

E akuzuan se ka takuar Suel Çelën, Salianji i përgjigjet Berishës dhe Nokës

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji i është përgjigjur kryedemokratit Sali Berisha dhe Sekretarit të Përgjithshëm Flamur Noka, lidhur me akuzat e këtyre të fundit se takimin e një dite më parë në Elbasan e kishte organizuar i shumkërkuari nga drejtësia, Suel Çela.

Me anë të një postimi në Fecebook, Salianji thekson se forca e tij janë qytetarët, dhe këtë e ka treguar kudo.

E vetmja mënyrë që Edi Rama gjeti për të më ndalur nga përballja me ta në zgjedhje ishin akuzat e fabrikuara, në betejën time kundër një prej grupeve mafioze më të fuqishme në vend.  Sepse në garë dhe me garë unë i mund!  Këtë e kam treguar në Korçë, në Kavajë, në parti dhe kudo: forca ime e vetme janë, personaliteti, vullneti im dhe mbështetja e njerëzve”, shkruan Salianji.

Më tej ish-deputeti demokrat thekson se në Elbasan ishin të gjithë strukturat drejtuese të PD, ndërsa nuk lë pa thumbuar sërish berishën dhe Nokën, duke ju kujtuar se bënë deputet Arjn ndojën, prokurorin i cili u gjend në nëj amkinë me kriminelët, në vend që t’i luftonte ato.

Postimi plotë i Salianjit:

E vetmja mënyrë që Edi Rama gjeti për të më ndalur nga përballja me ta në zgjedhje ishin akuzat e fabrikuara, në betejën time kundër një prej grupeve mafioze më të fuqishme në vend.  Sepse në garë dhe me garë unë i mund!  Këtë e kam treguar në Korçë, në Kavajë, në parti dhe kudo: forca ime e vetme janë, personaliteti, vullneti im dhe mbështetja e njerëzve.

Në Elbasan ishte e gjithë struktura vitale e Partisë Demokratike. Akuzat imagjinare, siç ndodh rëndom me armiqtë imagjinarë të qëmotit, se unë paskam takuar ata që i kam denoncuar prej vitesh, duke filluar nga Suel Çela, janë një dëshmi e mjerimit politik. Veçanërisht kur dihet se shumëkush tjetër e ka pasur në krah dhe e ka përdorur për interesa të veta.

Por ç’rëndësi ka kjo. Në kushte të një demokracie dhe jo autokracie do shkoja në gjykatë të përballja çdo shpifës. Por në kushtet e një përballje për shkak se dua që Partia Demokratike të jetë fituese dhe disa rrogëtarë kanë frikën e humbjes së pushtetit e të pazareve po reagoj publikisht një herë, e më pas siç kam bërë çdo herë, do shkoj në vendngjarjet e krimit, korrupsionit dhe bashkëpunëtorëve të tyre në pazare!

Shoqëria dhe demokratët po e bërtasin me të madhe se kanë nevojë të dëgjojnë zgjidhje reale:

– për humbjet e njëpasnjëshme,

– për mosmbajtjen e fjalës,

– për degradimin e debatit në akuza të pavërteta,

– për promovimin e humbësve serialë,

– për cimentimin në karrige e pushtet pa mbështetje,

– për atrofizimin e partisë,

– për pafuqinë për të rrëzuar një qeveri të kalbur nga korrupsioni në çdo hallkë,

– për pafuqinë për të nxjerrë qytetarët në protesta

– për pamundësinë për ta bërë Partinë Demokratike fituese.

Në vend të kesaj drejtuesit që duhet të japin lllogari, kërkojnë llogari dhe përbaltin demokratët!

Sa më përket mua, unë nuk kam emëruar, as komanduar struktura për të zgjedhur deputet të Partisë Demokratike dikë që, në funksionin e prokurorit që duhet të luftojë bandat, gjendet në makinë me to, nën breshërinë e plumbave me kriminelë ndër më të rrezikshmit! Kjo është vijë e kuqe dhe dëmtim i kartës morale të opozitës!

Kam vazhduar dhe do të vazhdoj në rrugën e duhur: takimet me demokratët, ballë për ballë, me lirinë time dhe të vërtetën, pa ndalim. Demokratët dhe populli opozitar meritojnë rotacion.

Zoom.al/

Berisha paralajmëron greva: Protestë me të gjitha format

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Kombëtar, deklaroi se opozita nuk do të ndalet deri sa kryeministri Edi Rama të japë dorëheqjen.

Ai paralajmëroi nisjen e grevave të urisë dhe vazhdimin e demonstratave deri në realizimin e këtij synimi.

Ai theksoi gjithashtu se opozita ka të drejtë morale dhe ligjore për të vepruar, duke iu referuar ligjeve ndërkombëtare që, sipas tij, vërtetojnë se zgjedhjet e fundit janë manipuluar.

“Jemi këtu, jemi në emergjencë, jemi në provën e guximit tonë. Nuk ikën ai. Po nuk u ngritëm ne… Ai do vazhdojë: ‘Unë udhëheqësi i Reformës’. ‘Unë me 84 vota’, që na i vodhi ne. Jo, kësaj radhe do flasim ne. Kjo është prova jonë e madhe. Përsëri, besimi i shqiptarëve është te ne. Sepse po të mos na shihte, nuk na votonte fare, na shuante.

A kemi bërë ne përpjekjen finale për rrëzimin e tij? Jo, nuk e kemi bërë. Kemi bërë shumë protesta. Mirë kemi bërë. Kemi treguar ‘muskujt’. Kemi bërë lëvizje. Nuk ishin ato që e rrëzonin Edi Ramën. Edi Ramën e rrëzon ajo lëvizje që shkon aty dhe nuk shqitet. Dhe ne do e bëjmë këtë lëvizje, me greva, me të gjitha format. Tani jemi me të drejtën e Zotit. Kemi ligjin ndërkombëtar që thotë se zgjedhjet i ka dhunuar. Kemi ligjin ndërkombëtar që thotë se zgjedhjet i bëri farsë. Kemi përpjekjet e tij të çmendura për të kontrolluar gjithçka në këtë vend”, tha ndër të tjera Berisha./ Zoom.al