zoom

Day ArchiveOusmane Dembélé, më i miri në botë

Pasi fitoi Topin e Artë, Ousmane Dembélé ka kurorëzuar një vit të jashtëzakonshëm edhe me çmimin e lojtarit më të mirë të FIFA-s për futbollistin më të mirë të vitit.

Sulmuesi francez e pranoi çmimin nga Doha, ku PSG do të përballet me Flamengon në finalen e Kupës Ndërkontinentale. Dembélé la pas Kylian Mbappé dhe talentin e ri Lamine Yamal. Megjithatë, Mbappé mbeti jashtë edhe listës së 11 më të mirëve të vitit, pavarësisht se fitoi “Këpucën e Artë”.

Dembélé luajti një rol vendimtar në triumfin e parë të PSG-së në Ligën e Kampionëve, kur ata mposhtën Interin 5-0 në finale, dhe shënoi 35 gola sezonin e kaluar në të gjitha garat, përfshirë 21 në Ligue 1, për të përfunduar si golashënuesi më i mirë. 28-vjeçari, i cili fitoi Topin e Artë të këtij viti në shtator, ishte pjesë e ekipit të PSG-së, i cili gjithashtu i rrëmbeu të gjitha trofetë vendas sezonin e kaluar dhe arriti në finalen e Kupës së Botës për Klube.

Ceremonia “The Best 2025” konfirmoi gjithashtu dominimin e PSG-së, me disa lojtarë të përfshirë në ekipin më të mirë të vitit. 11-shja përbëhet nga Donnarumma në portë; Hakimi, Pacho, Van Dijk dhe Nuno Mendes në mbrojtje; Palmer, Bellingham, Vitinha dhe Pedri në mesfushë; si dhe Lamine Yamal dhe Ousmane Dembélé në sulm. Trajneri i vitit 2025 u zgjodh Luis Enrique.

Gianluigi Donnarumma, i cili tani luan për Manchester City, fitoi çmimin e portierit të meshkujve për rolin e tij në fitoren e tripletës së Paris Saint-Germain. Mesfushorja e Spanjës dhe Barcelonës, Aitana Bonmatí, fitoi çmimin e vajzave për të tretin vit radhazi. Sarina Wiegman fitoi çmimin e trajneres më të mirë të femrave për herë të pestë, pasi udhëhoqi Anglinë drejt mbrojtjes së titullit të Kampionatit Evropian.

Santiago Montiel fitoi Çmimin Puskas për golin më të mirë të meshkujve pas goditjes spektakolare në një ndeshje të kampionatit argjentinas. Lizbeth Ovalle e Meksikës fitoi Çmimin FIFA Marta për golin më të mirë në futbollin e femrave, për goditjen e saj “akrep” për Tigres-in kundër Guadalajara-s në mars.

Zoom.al/

“Balluku ka përdorur pajisje përgjimi”, Toska: Rama i alarmuar, ka firmosur në emër të tij

Gazetari Almer Toska, i ftuar në emisionin “Studio24” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit pas kërkesës së SPAK për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku, duke ngritur pretendime për marrëdhënien e saj me kryeministrin Edi Rama dhe tensionet brenda mazhorancës.

Sipas Toskës, ekzistojnë dyshime se Balluku ka pasur një rol të fortë në vendimmarrjen qeveritare, duke firmosur, sipas tij, një pjesë të madhe të vendimeve në emër të kryeministrit. Ai pretendoi se ky rol ka shërbyer për të mbajtur mbi vete përgjegjësi dhe rreziqe politike e ligjore.

Gazetari shtoi se Balluku dyshohet të ketë kontraktuar shërbime që përfshijnë pajisje përgjimi, përfshirë teknologji të tipit IMSI Catcher, duke shtuar se këto dyshime, sipas tij, kanë shkaktuar shqetësim te partnerët ndërkombëtarë.

Almer Toska: Pyeteni Ramën kur ka firmosur për herë të fundit një vendim qeverie. Shumicën e vendimeve i ka firmosur Belinda Balluku. Rama e ka zgjedhur atë si njeriun që firmoste në emër të tij dhe merrte mbi vete riskun e vendimmarrjeve që lidhen me përfitime financiare. Ky rol ka pasur një çmim dhe ky çmim po del sot.

Ekzistojnë indicie që Balluku ka ushtruar presion dhe shantazh ndaj Edi Ramës, përmes komunikimeve që ajo dyshohet se i zotëron me kryeministrin dhe persona pranë tij.

Ka dyshime serioze se Balluku ka kontraktuar një kompani që ka përdorur pajisje përgjimi, përfshirë IMSI Catcher, gjë që ka shqetësuar edhe partnerët ndërkombëtarë. Ndërkombëtarët janë të informuar edhe për pretendimet mbi lidhje të saj me krimin e organizuar.

Nuk është rastësi që sot kanë rënë dy grupe rivale brenda Partisë Socialiste. Kur dy grupet që përplaseshin fort në PS, Agasi dhe Balluku, kanë rënë në të njëjtën ditë. Kur sot Balluku hapte shishen e shampanjës kur i ra kundërshtari, ra edhe vetë sot pasdite.

Nuk mund të legjitimohet mbrojtja e Belinda Ballukut. Ajo ka qenë e qetë në publik, por është verbëruar nga paratë e korrupsionit dhe përfitimet financiare janë në shifra shumë të larta.

Kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut, Karamuço: Ishte urgjente pas vendimit të Kushtetueses

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar zyrtarisht Kuvendit heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, me qëllim arrestimin e saj, duke e çuar në një fazë të re procesin hetimor që prej javësh ishte në vëmendjen publike.

Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, u shpreh në emisionin “Top Story” se kjo kërkesë erdhi si pasojë e një urgence të krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e Ballukut në detyrë.

Sipas tij, hetimet kanë vijuar dhe kanë nxjerrë në pah episode të tjera që kanë ndikuar në vendimmarrjen e SPAK.

“Gërmo, gjej prova, krijo fraksion, bëj kërkesë. Prandaj kemi aq shumë fraksione në shumë prej dosjeve, sepse vijon ende hetimi. 

Ky vijim ka nxjerrë episode të tjera, por nga ana tjetër ka pasur një urgjencë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

SPAK-u e gjykoi që ta hiqte nga zyra për të mos dëmtuar prova, por të mos largohej për të mos ikur provat. Në atë institucion, ministrinë që drejton zonja Balluku, ka persona që mund të thirren nesër. 

Tani është gjetur alternativa që ne e përmendëm dje. Ne nuk e prisnim të ndodhte kaq shpejtë”, tha ndër të tjera Karamuço.

Evropa krijon komitet ndërkombëtar për kompensimin e Ukrainës nga Rusia

Vendet evropiane pritet të miratojnë krijimin e një organi ndërkombëtar me seli në Hagë, i cili do të vendosë mbi kompensimin që Rusia duhet të paguajë për dëmet e shkaktuara nga pushtimi i Ukrainës dhe për krimet e dyshuara të luftës.

Komiteti, i quajtur Komisioni Ndërkombëtar i Kërkesave për Ukrainën, do të shqyrtojë kërkesat për kompensim dhe do të përcaktojë shumën që duhet të paguhet, duke u bazuar në të dhënat e mbledhura nga Regjistri i Dëmeve, ku deri më tani janë depozituar rreth 80 mijë kërkesa nga individë, institucione publike dhe organizata.

Sipas mediave ndërkombëtare, themelimi i këtij mekanizmi pritet të miratohet gjatë një konference të organizuar nga Holanda në Hagë, me pjesëmarrjen e dhjetëra zyrtarëve evropianë, përfshirë presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe shefen e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas.

Ministri i Jashtëm i Holandës, David van Weel, theksoi se kompensimi është një element thelbësor i llogaridhënies. “Pa llogaridhënie, një konflikt nuk mund të zgjidhet plotësisht. Pagesa e kompensimit është pjesë e këtij procesi”, u shpreh ai.

Mekanizmi do të koordinohet nga Këshilli i Europës, me seli në Strasburg, i cili numëron 46 shtete anëtare. Rusia u përjashtua nga kjo organizatë në mars të vitit 2022, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.

Hapi i radhës parashikon krijimin e një fondi kompensimi, megjithatë mënyra e funksionimit të tij mbetet e paqartë, për shkak të debateve mbi përdorimin e aseteve ruse të ngrira. Ndërsa shumë vende të BE-së mbështesin përdorimin e tyre, Belgjika ka shprehur rezerva, pasi shumica e këtyre aseteve ruhen në depozitën financiare Euroclear në territorin e saj.

Çështja e aseteve të ngrira ruse pritet të diskutohet edhe në samitin e liderëve të BE-së që nis të enjten, në një kohë kur po intensifikohen përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Zoom.al/

Pas dëmtimit/ Medon Berisha humbet vitin 2025

Medon Berisha do të mungojë për pesë deri në gjashtë javët e ardhshme, pas dëmtimit të pësuar në ndeshjen kundër Pisa-s.

Lojtari u detyrua të largohej shumë shpejt nga fusha për shkak të një dëmtimi muskulor dhe u transportua me barelë, duke shkaktuar shqetësim te stafi dhe tifozët. Sipas rezultateve të ekzaminimeve mjekësore të publikuara nga klubi verdhekuq, Berisha ka pësuar një dëmtim muskulor të shkallës së dytë, që do ta mbajë jashtë fushave për të paktën 45 ditë.

Kjo do të thotë se mesfushori do të rikthehet në dispozicion jo më herët se muaji shkurt i vitit të ardhshëm. Për pasojë, Medon Berisha do të mungojë në disa sfida të rëndësishme, duke përfshirë ndeshjet ndaj Comos, Juventusit, Romës, Parmës, Interit, Milanit, Lazios dhe Torinos. Ky dëmtim vjen në një moment shumë pozitiv për futbollistin shqiptar, i cili ishte shndërruar në një titullar të padiskutueshëm të skuadrës italiane.

Para ndërprerjes së detyruar, Berisha kishte fituar tre herë çmimin “Lojtari i Ndeshjes” në Serie A, duke dëshmuar formën e tij të shkëlqyer dhe rëndësinë për ekipin. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka zhvilluar 13 nga 15 ndeshjet e këtij sezoni, duke kontribuar me 2 gola dhe 3 asistime, statistika që e rendisin ndër lojtarët më efektivë të klubit puljez. Gjithsesi, talenti 22-vjeçar do të jetë i gatshëm për trajnerin Sylvinho në ndeshjet play-off të kombëtares shqiptare në rrugën drejt Kupës së Botës 2026.

Zoom.al/

Ish-banori i ‘Big Brother Albania’ bëhet baba për herë të parë

Një kapitull i ri dhe i mbushur me emocione ka nisur sot për Erion Zeqirajn.

Ish-banori i “Big Brother Albania 3” dhe moderatori i njohur i lajmeve ka ndarë me ndjekësit lajmin më të bukur të jetës së tij: është bërë baba për herë të parë.

Lajmi është bërë publik përmes disa postimeve në llogarinë e tij në Instagram, ku Zeqiraj ka publikuar foto prekëse nga momentet e para pas lindjes së djalit të tij. Përmes këtyre imazheve, moderatori ka zbuluar edhe emrin e vogëlushit, i cili quhet Kael.


Në disa prej fotografive, partnerja e tij shfaqet duke mbajtur në krahë foshnjën në ambientet e maternitetit, ndërsa në të tjera duken detaje nga festa e mirëseardhjes, e zbukuruar me tullumbace dhe lule. Një nga mesazhet më të ndjera në këto pamje shkruan: “E gjithë dashuria e botës, i vogli jonë.”

Erion Zeqiraj u bë fillimisht i njohur për publikun shqiptar si një nga personazhet më karizmatikë të “Big Brother Albania 3”. Megjithatë, pas përfundimit të reality show-t, ai arriti të ndërtojë me sukses një rrugëtim profesional të qëndrueshëm në televizion.

Prej vitesh, Zeqiraj punon si moderator lajmesh, duke krijuar një profil serioz dhe profesional në median shqiptare, larg imazhit të dikurshëm të spektaklit.

Zoom.al/

Aksident fatal në aksin Fushë Krujë, përplaset për vdekje një person

Një aksident me pasojë vdekjen është regjistruar rreth orës 18:45 në aksin rrugor Tapizë–Fushë Krujë. 

Sipas informacioneve paraprake, një automjet që drejtohej nga shtetasi K. M., rreth 19 vjeç, ka përplasur një këmbësor.

Si pasojë e aksidentit, këmbësori, shtetasi N. Z., rreth 62 vjeç, ka humbur jetën në vendngjarje.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit. Zoom.al/

Salianji vijon turin/ Takimi i radhës, në Elbasan

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka komentuar mbledhjen e fundit të Kryesisë së PD-së, duke shprehur kritika për mënyrën se si u zhvilluan diskutimet dhe për fokusin e debatit të brendshëm në parti.

Gjatë një takimi me strukturat e PD-së në Elbasan, Salianji tha se mbledhja e Kryesisë u përqendrua për disa orë te çështje të brendshme, ndërsa sipas tij, diskutimi për aksionin politik ndaj qeverisë ishte i kufizuar. Ai theksoi se Partia Demokratike duhet të orientojë energjitë te organizimi dhe mobilizimi i demokratëve.

Ai shtoi se, rruga përballë qeverisë nuk kalon përmes konflikteve të brendshme apo, siç u shpreh ai, “armiqve imagjinarë”, por përmes një strukture të bashkuar dhe të respektuar nga anëtarësia. Ai nënvizoi se respektimi i demokratëve është kusht thelbësor për forcimin e partisë.

“Mbledhja e fundit e kryesisë, ishte 4 orë gjyq për mua dhe për ju dhe 30 minuta për Edi Ramën. Duhet ta themi qartë në cdo diskutim të brendshëm të PD se nuk është rruga e duhur që ka zgjedhur në momente të rëndësishme të sajj.

Dhe po e them dhe sot, Edi Rama nuk mundet as me armiq imagjinarë, as me përbetime të përsëritura prej vitesh nga disa që në politikë mund të njihen dhe si idiotë të dobishëm që nuk i lidh asgjë me njerëzit dhe që humbjet i kanë të vetmet bilanc në karrierën politike. Riorganizimi i PD në të njëjtën kohë me protestën është po aq i rëndësishëm sa protesta për PD, për të pasur masivitetin që e kërkon cdo demokrat. Nuk ekziston asnjë rrugë tjetër vec respektimit të demokratëve.”, tha ai.  Zoom.al/


3 shenjat që do të jenë protagoniste gjatë 2026

Dashi

Tashmë e keni provuar se si është të jesh njeriu kryesor kur Saturni dhe Neptuni kaluan shkurtimisht në shenjën tuaj. Por në vitin 2026, prania e tyre bëhet e përhershme dhe papritmas të gjithë sytë janë mbi ju.

Saturni, planeti i disiplinës, kthehet në Dash në shkurt të vitit 2026, dhe atëherë fillon periudha juaj e dominimit. Meqenëse Saturni shoqërohet me kufizime dhe kufij, gjërat nuk do të jenë gjithmonë të lehta. Kjo është një fazë e të mësuarit karmik, ku ju thirreni të përqendroheni dhe të disiplinoheni.

Megjithatë, kjo është një maratonë, jo një sprint. Saturni do të mbetet në shenjën tuaj deri në vitin 2028, duke ju dhënë shumë kohë për të përvetësuar mësimet e tij dhe për t’i përfshirë ato në mënyrë kuptimplote në jetën tuaj.

Binjakët

Viti juaj i Smeraldit përfundon në qershor 2026, por kjo nuk do të thotë që koha juaj në qendër të vëmendjes ka mbaruar. Urani, planeti i ndryshimeve dhe zgjimit të madh, zhvendoset në shenjën tuaj në prill, duke sjellë një nevojë të fortë për çlirim.

Gjatë asaj periudhe, mund të ndjeni dëshirën për t’u çliruar nga çdo gjë që ju kufizon në jetën tuaj, duke kërkuar më shumë liri, autenticitet dhe shprehje personale.

Nën këtë energji, ju inkurajoheni të rinovoni jetën tuaj dhe të guxoni të bëni ndryshime. Në vend që të mbeteni të bllokuar në të njëjtën rutinë, zbuloni se çfarë ju bën vërtet të ndiheni gjallë dhe punoni me vetëdije drejt kësaj, në mënyrë që të jeni të pavarur dhe të lirë nga angazhimet.

Ujori

E gjetët veten në rolin e protagonistit kur Plutoni kaloi për herë të parë nëpër shenjën tuaj në fund të vitit 2024, dhe meqenëse planetit i duhen rreth 20 vjet për të kaluar nëpër një shenjë, kjo energji e fuqishme vazhdon deri në vitin 2026.

Plutoni ju shtyn të përballeni me frikën dhe anën e errët të jetës, në mënyrë që më në fund të kapërceni çdo gjë që ju pengon, qoftë në një nivel të vetëdijshëm apo nënndërgjegjeshëm, dhe të shkëlqeni./ Zoom.al

Dy ditë para largimit, Dumani i jep goditje Ballukut. Zbardhet dokumenti për arrestimin e saj

Në ditët e fundit të mandatit të tij si kryeprokuror i SPAK, Altin Dumani firmosi edhe kërkesën drejtuar Kuvendit për të hequr imunitetin e Belinda Ballukut, që më pas ta arrestojë.

Të premten, Gjykata Kushtetuese e riktheu në detyrë Ballukun, duke rrëzuar masën e pezullimit të vendosur më herët nga GJKKO.

Por, SPAK nuk humbi kohë dhe këtë të martë iu drejtua Kuvendit me kërkesën zyrtare për të vënë Ballukun para drejtësisë.

Altin Dumani, që mbahet mend deri tani si kryeprokurori që ka goditur më shumë zyrtarë të lartë, nuk priti kalimin e detyrës te kryeprokurori i ri i zgjedhur i SPAK, Klodian Braho por vendosi që dy ditë para se t’i përfundojë zyrtarisht mandati, të firmosë edhe një goditje (të fundit) për Ballukun dhe të shtojë tenderat për të cilët ajo po hetohet.

“Mbështetur në nenet 73, 95,103 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, nenet 13 dhe 118, bashkëlidhur ju përcjellim kërkesën për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit Belinda Balluku, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit personal nga ajo e “Ndalimit të daljes jashtë shtetit” e parashikuar nga neni 233 i K.Pr.Penale dhe “Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i K.Pr.Penale, në atë të arrest në burg/në shtëpi,
parashikuar nga nenet 238/237 të K.Pr.Penale, në kuadrin e procedimit penal nr.136 të vitit 2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjithashtu, në respektim të nenit 288, pika 2, të Kodit të Procedurës Penale, bashkëlidhur gjeni relacionin e arsyetuar, të shoqëruar me provat përkatëse, si dhe urdhrin për ruajtjen e sekretit hetimor dhe ndalimin e publikimit të akteve, datë 16.12.2025.”,- thuhet në kërkesën e SPAK.

Këshilli i Imunitetit dhe Mandateve do të mblidhet më 19 dhjetor, të premten për të nisur shqyrtimin e kërkesës./ Zoom.al