Aplikacion
Media italiane Corriere della Sera e përshkruan në detaje momentin dramatik gjatë sulmit terrorist në Bondi Beach, Sidney, ku një qytetar që tanimë cilësohet si “hero”, arriti të neutralizojë një nga autorët.
Sirenat, një njeri i shtrirë pa ndjenja në tokë dhe pastaj ai, terroristi me bluzë të zezë dhe çantë krahu, që ngre armën dhe qëllon.
Në skenën e filmuar nga një i panjohur dhe që u bë menjëherë virale, shfaqet një person me bluzë të bardhë. Ai duket teksa fshihet pas një makine dhe mendon të veprojë, të kapë terroristin nga pas. Një hap, dy hapa, një kërcim drejt sulmuesit.
Ai ia arrin. E kap nga krahët, pikërisht në momentin që terroristi po qëllon. Ndodh një përleshje e shkurtër, gjatë së cilës qytetari që ndërhyn arrin t’i heqë armën nga dora. Rolet u ndërruan, ai që po qëllonte, pasi rrëzohet, ngrihet dhe ikën nga vendi i ngjarjes, ndërsa ai që e neutralizoi i drejton armën, por nuk qëllon.
Ndërhyjnë edhe kalimtarë të tjerë, njëri hedh diçka mbi autorin, ndërkohë që një bashkëpunëtor i tij i krijon rrugëdaljen tek një urë e vogël këmbësorësh.
Në sfond dëgjohen vetëm zhurmat e të shtënave dhe sirenat që nuk ndalen.
Në fund, hyn një tjetër qytetar, i armatosur me pistoletë, që përpiqet të qëllojë terroristin mbi urë. Terroristi kthehet dhe i përgjigjet me zjarr.
Video, siç mund ta shihni më poshtë, përfundon në atë moment. Por frika në Bondi Beach ende jo…
Historia e dashurisë së një shqiptareje dhe një serbi nominohet për çmimin Oscar‘Majonezë’ filmi me metrazh të shkurtër, i regjizores italiane, Giulia Grandinetti, skenat e të cilit janë xhiruar në ë Kolonjë (Ersekë dhe Rehovë) në Shqipëri është nominuar për të garuar në Oscar 2026.
Filmi është xhiruar në bardhë e zi.
Pas çmimit në Festivalin prestigjioz i American Film Institute (AFI) në Los Anxhelos , – në tetor iu akordua çmimi për filmin më të mirë të shkurtër – dhe çmimit në pranverë në festivalin e Filmit të shkurtër në Bruksel, “Majonezë” renditet mes mbi 200 filmave të shkurtër “live action” nga e gjithë bota të pranuar për edicionin e 98-të çmimeve Oscar.
Anëtarët e ‘Academy of Motion Picture’ votuan favoritët e tyre deri më 12 dhjetor; më 16 dhjetor do të shpallen 15 titujt që mbeten në garë deri në votimin e dytë, i cili përcakton finalistët. “Të jesh këtu është e pabesueshme,” shpjegon regjisorja, e lindur në vitin 1989 në Macerata dhe e rritur në Potenza Picena.
Los Anxhelosi më duket njëkohësisht familjar dhe ekzotik: padyshim unik!”, i tha ajo ANSA-s
”Deri tani kam marrë reagime inkurajuese, filmi i shkurtër po pëlqehet shumë,” thotë ajo në prag të një prej shfaqjeve të shumta për votuesit e Academy-t.
“Majonezë” është historia e Elyrias (e luajtur nga aktorja italiane Caterina Bagnulo), një vajzë e re shqiptare që jeton në një fshat të Shqipërisë rurale (Rehovec).
Është dimër: ajo duhet të zgjohet herët dhe të vishet trashë për të nxjerrë delet në kullotë.
Vajza bie në dashuri me një djalë serb, Goranin (I luajtur nga aktori italo-serb Alessandro Egger), një i ri vendas, i mbuluar me tatuazhe , ndërsa familja e saj është shqiptare.
Ky nuk është i vetmi akt rebelimi ndaj një babai autoritar dhe tradicionalist (i interpretuar në mënyrë të shkëlqyer nga Julian Jashar, një inxhinier mekanik nga Erseka i cili në këtë film u zgjodh si aktor), i cili I imponon martesën me një burrë më të madh.
Elyria arratiset, por në këtë himn për lirinë, të kundërtat zbehen: e lëkundur mes një babai tiran dhe një princi, historia merr një drejtim të papritur.
Kështu ka lindur filmi i gjatë 22 minuta, me një kthesë të papritur. “Në dimrin e vitit 2019, udhëtova për një muaj e gjysmë në Ballkan me partnerin tim të atëhershëm. Kishim pak para, një valixhe dhe aparatin fotografik. Në jug të Shqipërisë, në një moment vendosëm të merrnim një rrugë dytësore, që doli plot pengesa: na u deshën tre orë për të përshkuar pesëmbëdhjetë kilometra. Në fshatin e parë u ndalëm dhe menjëherë ndjeva një vibrim të veçantë, si jashtë kohe.”
Grandinetti u kthye në Ersekë katër vjet më vonë, këtë herë me qëllim dhe me ide të qarta. “Në tetor përgatitëm setin, në dhjetor xhiruam për tre javë. Në pranverë filmi i shkurtër ishte gati,” shpjegon ajo. “Doja të reflektoja mbi çfarë është e mundur dhe çfarë jo. Dhe kush e vendos këtë? Nga kjo dikotomi nisa të mendoj për një film që të rrëfente edhe kontraste të tjera. Disa estetike, si bardhë e zi-ja, meritë e drejtorit të fotografisë Ilya Sapeha, apo ritmet e pezulluara të alternuaraTë tjerat janë dhe konceptuale: e mira dhe e keqja, mashkullorja dhe femërorja, tradita dhe bashkëkohësia, Shqipëria dhe Serbia: si dy Romeo dhe Zhulieta modernë, Elyria dhe Gorani ndahen nga origjinat e tyre” Por vepra evokon forcën e nuancave, të gri-ve, të rebelimit si një rrugë e tretë. “Për të ndryshuar diçka, nis nga gjërat e vogla. Si zgjedhja e salcës që duam për të shoqëruar patatet e skuqura.”
Masat ndaj cash, sektori financiar i mirëpret… me rezervaNë paketën fiskale që shoqëron buxhetin e vitit 2026, qeveria shqiptare ka propozuar disa masa të reja që synojnë reduktimin e përdorimit të parasë fizike në ekonomi.
Në ndryshimet e propozuara të ligjit “Për procedurat tatimore”, përcaktohet një kufi prej 500 mijë lekësh për pagesat që individët, tregtarët e vegjël dhe të vetëpunësuarit kryejnë me konsumatorët.
Gjithashtu, projektligji parashikon uljen e kufirit maksimal të pagesave me para në dorë për transaksionet ndërmjet subjekteve nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë.
Një ndryshim tjetër i rëndësishëm i parashikuar në projektligj është detyrimi për pajisjen me pajisje për pranimin e pagesave elektronike në pikat e shitjes.
Kategori të caktuara, si strukturat akomoduese, sektori i transportit, institucionet publike dhe shoqëritë me kapital shtetëror duhet të pajisen brenda datës 30 maj 2026. Për tatimpaguesit e tjerë, afati është 31 dhjetor 2026.
Megjithatë, nga ky detyrim përjashtohet një pjesë e madhe e subjekteve, duke filluar nga ato që operojnë në zona pa infrastrukturë interneti, bizneset që nuk janë subjekt i TVSH-së, të vetëpunësuarit që ushtrojnë aktivitet vetëm në një vendndodhje dhe ata që nuk janë të detyruar të lëshojnë fatura.
Kjo masë synon të reduktojë evazionin dhe të rrisë transparencën fiskale, si dhe të nxisë përdorimin e mjeteve moderne të pagesave.
Banka e Shqipërisë: Cash ka kosto të lartë, masat për uljen e tij janë të mirëpritura
Në një prononcim për “Monitor”, Banka e Shqipërisë thekson se, në përmbushje të mandatit të saj ligjor për sigurimin e stabilitetit financiar dhe promovimin e funksionimit efikas të sistemeve të pagesave, prej vitit 2018 ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme në bashkëpunim të ngushtë me industrinë financiare dhe institucionet shtetërore, në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël (2018–2023).
Qëllimi kryesor i këtyre reformave ka qenë promovimi i pagesave elektronike, rritja e sigurisë së transaksioneve dhe lehtësimi i aksesit të qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet financiare, duke nxitur njëkohësisht përfshirjen financiare në vend.
Reformat dhe masat e ndërmarra janë mbështetur në analiza dhe studime të detajuara, ndër të cilat më i rëndësishmi në këtë kontekst është studimi “Mbi matjen e kostove dhe kursimeve të instrumenteve të Pagesave me Vlerë të Vogël”.
Studimi identifikon qartazi se përdorimi i parasë fizike në ekonomi mbart kosto shumë më të larta sesa instrumentet elektronike të pagesës.
Në terma makroekonomikë, kostoja e parasë fizike vlerësohet të arrijë deri në 1.7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa për bizneset, kjo kosto është rreth 0.3% të PPB-së – shumë më e lartë krahasuar me kostot për përdorimin e kartave, të cilat përllogariten në vetëm 0.03% dhe 0.028% të PPB-së.
Kjo tregon se përdorimi i cash-it gjeneron kosto të ndjeshme për të gjithë aktorët ekonomikë, të cilat shpeshherë mbeten të nënvlerësuara, pasi nuk shfaqen drejtpërdrejt sikurse komisionet e transaksioneve elektronike.
Sipas Bankës së Shqipërisë, çdo nismë që synon rritjen e përdorimit të mjeteve elektronike të pagesës, uljen e varësisë nga paraja fizike dhe rritjen e formalizimit të ekonomisë vlerësohet si pjesë integrale e përpjekjeve të gjera për modernizimin e infrastrukturës së pagesave në Shqipëri.
Banka Qendrore vlerëson se masat e propozuara në projektligjin “Për procedurat tatimore”, përfshirë kufizimin e përdorimit të parasë në dorë dhe zgjerimin e aksesit në terminalet POS, janë në linjë me objektivat afatgjata të Strategjisë Kombëtare dhe përbëjnë një element të rëndësishëm të agjendës qeveritare “Cashless”.
Megjithatë, Banka e Shqipërisë theksoi se çdo ndryshim i kësaj natyre kërkon një vlerësim të kujdesshëm të ndikimeve praktike, përfshirë kostot për bizneset dhe nevojat e tyre operative.
“Për këtë arsye, prioritet mbetet që masat e reja të shoqërohen me komunikim të qartë, mbështetje të nevojshme dhe instrumente lehtësuese, në mënyrë që tranzicioni drejt pagesave elektronike të jetë sa më i qetë, i qëndrueshëm dhe i pranueshëm për të gjithë aktorët e tregut”, thotë Banka e Shqipërisë në reagimin e saj.
Në vijim të këtyre përpjekjeve, Banka e Shqipërisë bën të ditur se po punon për transpozimin e rregullores së Bashkimit Europian mbi tavanet e tarifave të shkëmbimit, duke i vendosur ato në nivelin 0.2% për kartat e debitit dhe 0.3% për kartat e kreditit.
Kjo nismë pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e kostove të bizneseve për përdorimin e POS-eve.
Gjithashtu, Banka e Shqipërisë ka kërkuar që hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve të koordinohet me masat që synojnë reduktimin e komisioneve të shkëmbimit të aplikuara nga bankat.
Paralelisht, po vijon puna për operacionalizimin e TIPS Clone, një zhvillim që do të zgjerojë ndjeshëm gamën e instrumenteve elektronike të pagesave, duke krijuar një alternativë më efikase dhe më pak të kushtueshme krahasuar me pagesat tradicionale me kartë.
“Në këtë këndvështrim, Banka e Shqipërisë ka synuar të ndërmarrë të gjitha masat brenda kompetencave të saj për të siguruar që propozimet e reja të mund të zbatohen në mënyrën më të përshtatshme dhe më të lehtë për aktorët e tregut.
Institucioni mbetet plotësisht i angazhuar për të vijuar bashkëpunimin me institucionet publike dhe sektorin privat, me synimin për të ndërtuar një treg pagesash modern, efikas dhe të aksesueshëm për të gjithë qytetarët dhe bizneset e vendit”, – thuhet në reagimin e Bankës së Shqipërisë për “Monitor”.
Shoqata e Bankave: Kufiri prej 500 mijë lekësh për individët, shumë i lartë
Shoqata Shqiptare e Bankave, në parim, është shprehur dakord me propozimet e qeverisë që synojnë të reduktojnë uljen e përdorimit të parasë fizike në ekonomi.
Gjatë komenteve në Komisionin Kuvendor për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, sekretari i Shoqatës, Spiro Brumbulli, tha se, në përgjithësi, Shoqata i vlerëson hapat e propozuar lidhur me reduktimin e parasë cash dhe formalizimin e transaksioneve të shitblerjes, pavarësisht se nënvizoi që Ministria e Financave nuk bëri konsultime paraprake për të kërkuar mendimet e Shoqatës, si palë interesi, lidhur me ndryshimet e propozuara.
Shoqata e Bankave, megjithatë, e kundërshton kufirin prej 500 mijë lekësh, të propozuar nga qeveria shqiptare si limit për veprimet në cash dhe kërkon vendosjen e një vlere tavan më të ulët.
“Masa që vendoset në ndryshimet e propozuara ligjore nuk shkon në drejtim të objektivit të ekonomisë cashless. Ne kemi kërkuar me kohë që të vendosen tavane në pagesat cash.
Për herë të parë vendoset edhe një tavan për individët në këto ndryshime. Por, raportet e trajtimit të biznesit dhe individit në tavanet e propozuara na duken të palogjikshme dhe të paargumentuara. Është pozitive që ulet kufiri për bizneset, nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë.
Kjo tregon një frymë në favor të formalizimit të ekonomisë. Por, vendosja për individët e një tavani në shumën 500 mijë lekë është jashtë çdo analize dhe eksperience. Vendet e rajonit, si Greqia, Maqedonia e Veriut e kanë limitin 500 euro dhe e kanë njësoj, si për bizneset, ashtu edhe për individin.
Çfarë kuptimi ka të vendosim një limit prej 500 mijë lekësh për individin, kur paga mesatare është rreth 90 mijë lekë dhe ndërkohë që limiti për biznesin parashikohet në 100 mijë lekë? Propozimi ynë është që tavani për veprimet në cash të jetë diku te 50-60 mijë lekë.
Nuk e kuptoj cili është argumenti për një tavan prej 500 mijë lekësh. Ne nuk jemi as Gjermani, as Holandë, që janë vende me shkallë shumë të ulët informaliteti. Kjo masë nuk përputhet me të gjitha përpjekjet që po bëjmë për të luftuar informalitetin dhe paranë cash në ekonomi”, – tha z. Brumbulli.
Ndërkohë, Shoqata e Bankave shprehet pozitivisht rreth propozimit për pajisjen e bizneseve me POS, por ndërkohë mendon se afati i përcaktuar në projektligj, fundi i vitit 2026, mund të jetë i shkurtër.
Shoqata e Bankave mendon se për këtë proces mund të përcaktohet një afat më i gjatë, duke pritur ndërkohë edhe finalizimin e projektit të instant payments, që mund të sjellë një alternativë me kosto më të ulët se pagesat me kartë.
“Vendosja e një kanali për pagesa alternative është një gjë shumë e mirë dhe kemi vite që e kërkojmë. Megjithatë, kemi frikë se afati deri në fund të vitit 2026 mund të jetë i parealizueshëm. Sot për sot, e vetmja zgjidhje është POS. Ne po bëjmë shumë përpjekje sot, por jo të gjitha bizneset e duan dhe e përqafojnë.
Brenda vitit 2026 do të përfundojë projekti tjetër, i instant payments. Kjo do të jetë një alternativë më e thjeshtë dhe me kosto më të ulët për njësitë e biznesit. Mund të jetë më e thjeshtë që të ofrohet ky kanal si alternativë ndaj cash”, – u shpreh z. Brumbulli.
AMA: Masat pozitive, por duhet kujdes për të mos krijuar kosto shtesë te biznesi i vogël
Në një prononcim për “Monitor”, Shoqata Mikrofinanca Shqiptare (AMA) shprehet se propozimet e përfshira në projektligjin “Për procedurat tatimore”, që synojnë kufizimin e pagesave me para fizike dhe zgjerimin e detyrimit për pajisjen me pajisje të pranimit të pagesave me kartë, përbëjnë një hap në drejtimin e duhur për modernizimin e sistemit të pagesave dhe rritjen e formalitetit në ekonomi.
Praktikat e vendeve europiane tregojnë qartë se kufizimi i përdorimit të parasë fizike sjell transparencë më të lartë dhe redukton hapësirat për informalitet dhe evazion.
“Shoqata Mikrofinanca Shqiptare e ka përshëndetur iniciativën e Kryeministrit dhe Qeverisë për reduktimin e parasë cash në ekonominë shqiptare, në të mirë të rritjes së formalizimit dhe potencialit të saj.
Institucionet tona anëtare kanë investuar për të krijuar infrastrukturën e nevojshme për ofrimin e shërbimeve dhe produkteve të tyre nëpërmjet kanaleve digjitale, duke mundësuar komoditet dhe shpejtësi për klientët tanë.
Reduktimi i transaksioneve cash do të rrisë transparencën e situatës financiare të klientëve tanë, duke mundësuar një analizë rreziku reale dhe brenda një kohe të shkurtër edhe për klientët huamarrës që u drejtohen institucioneve mikrofinanciare.
Nga përvoja jonë me sektorin financiar, është e dukshme se bizneset që kalojnë gradualisht drejt pagesave elektronike përfitojnë në disa drejtime: nga menaxhimi më efikas i të ardhurave, tek ulja e rreziqeve operative dhe rritja e gjurmueshmërisë.
Po ashtu, proceset e aplikimit për financime te sektori bankar dhe ai jobankar, por edhe raportet me investitorët lehtësohen nga ekonomia digjitale, për shkak të mundësisë të procesimit të të dhënave në një kohë të shkurtër dhe me transparencë maksimale.
Ndaj, në parim, këto propozime i shërbejnë rritjes së aksesit në financa dhe konsiderohen të nevojshme, veçanërisht duke pasur parasysh angazhimin e Shqipërisë për të harmonizuar sistemet e saj me standardet e BE-së”, – thuhet në reagimin e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare.
Megjithatë, AMA thekson se suksesi i këtyre masave varet tërësisht nga mënyra se si do të zbatohen. Për bizneset e vogla, do të nevojitet një qasje shumë më e kujdesshme: procedura të thjeshtuara, kosto të përballueshme dhe mbështetje praktike.
Vetëm kështu, sipas kësaj shoqate, tranzicioni drejt pagesave digjitale do të jetë real dhe i qëndrueshëm, pa krijuar presion të panevojshëm mbi operatorët ekonomikë.
Në lidhje me ndikimin real që masat e propozuara do të kenë në uljen e përdorimit të parasë fizike, AMA vlerëson se efekti i tyre do të varet nga balanca mes objektivave fiskale dhe kostove që mbartin për bizneset.
Kufizimi i cash-it dhe detyrimi për të kanalizuar transaksionet nëpërmjet rrjeteve të pranimit të pagesave me kartë apo platformave digjitale të pagesave do të nxisin natyrshëm rritjen e përdorimit të pagesave elektronike, çka sjell më shumë formalizim dhe mjedis më transparent për të gjithë.
“Megjithatë, ajo që mbetet shqetësim është që një pjesë e bizneseve, sidomos bizneset e vogla dhe ato që operojnë në zona me infrastrukturë të kufizuar, mund të përballen me kosto shtesë dhe sfida praktike.
Komisionet bankare, tarifat e mirëmbajtjes së pajisjeve të pranimit të pagesave me kartë apo nevoja për përshtatje me sisteme të reja kompjuterike janë elemente që rrisin barrën financiare dhe shpesh shkaktojnë rezistencë.
Pikërisht për këtë arsye, çdo detyrim duhet të shoqërohet me politika lehtësuese: ulje të komisioneve, paketa stimuluese për bizneset e vogla, konkurrencë më të madhe mes institucioneve të pagesave dhe përmirësim të infrastrukturës digjitale.
Në mungesë të këtyre mekanizmave, ekziston rreziku real që masat të perceptohen si barrë dhe të mos japin efektin e pritshëm. Nëse qasja është e balancuar dhe zbatimi mbështetet me masa ndihmëse, atëherë këto propozime mund të kontribuojnë ndjeshëm në uljen e përdorimit të parasë fizike dhe në forcimin e integritetit financiar të ekonomisë”, – shprehet AMA.
Shoqatat e biznesit, asnjë reagim
Në reagimet për paketën fiskale, asnjë nga shoqatat dhe dhomat përfaqësuese të biznesit, me përjashtim të Shoqatës së Bankave, nuk ka paraqitur ndonjë koment lidhur me masat e propozuara nga qeveria për uljen e pagesave cash.
“Monitor” kërkoi opinione mbi këto masa nga disa shoqata përfaqësuese të sipërmarrjeve më të vogla, si Shoqata e Biznesit të Vogël dhe të Mesëm dhe Shoqata e Bareve dhe Restoranteve, por pa marrë një reagim prej tyre.
Shqiptarët paguajnë me para cash në më shumë se 90% të blerjeve
Konsumatorët shqiptarë i kryejnë më shumë se 90% të blerjeve të tyre me para në dorë. Statistikat e Ministrisë së Financave tregojnë se paraja cash vazhdon të jetë dominuese në transaksionet e regjistruara ekonomike në vend.
Në relacionin e ndryshimeve të propozuara në projektligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, raportohet se 90.6% e faturimeve midis bizneseve me individët bëhet me mënyrë pagese paranë fizike.
Pesha e transaksioneve në cash është më e ulët e shprehur në vlerë, me 64.2% të vlerës totale të transaksioneve të kryera mes bizneseve dhe individëve.
Megjithatë, duke pasur parasysh shkallën ende të lartë të informalitetit dhe moslëshimin e kuponit tatimor, sidomos te bizneset e vogla, pesha reale e transaksioneve në para cash është me siguri edhe më e lartë se niveli i regjistruar nga administrata tatimore.
Pavarësisht tendencave pozitive në përdorimin e instrumenteve alternative të pagesave, të dhënat tregojnë se Shqipëria ngelet një ekonomi me përdorim shumë të lartë të parasë fizike në transaksionet ekonomike, krahasuar me ekonomitë më të zhvilluara.
Një anketë e kryer nga Banka Qendrore Europiane (ECB) tregoi se në Eurozonë, shkalla e përdorimit të parasë cash në transaksionet ekonomike në vitin 2024 ishte 52%.
Por pagesat me kartë po rriten me ritme të shpejta
Megjithëse paraja cash ngelet dominuese si formë pagese, statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kanali kryesor alternativ, ai i pagesave me kartë, vazhdon të jetë në rritje të shpejtë.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e tretë të këtij viti u kryen 6.8 milionë pagesa me kartë, 36% më shumë krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar.
Ndërsa vlera totale e pagesave me kartë për këtë tremujor arriti në 33.1 miliardë lekë, 54.7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Për të gjithë 9-mujorin 2025, numri total i pagesave me kartë arriti në pothuajse 19.4 milionë, në rritje me 39.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërsa vlera totale e pagesave me kartë arriti në 45.1 miliardë lekë, në rritje me 65.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Pagesat me kartë janë aktualisht në nivelet më të larta historike. Madje, për herë të parë këtë vit, numri i pagesave me kartë në pikat elektronike të shitjes (POS) ka kaluar numrin e tërheqjeve të parasë cash nga bankomatet.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për 9-mujorin 2025, pagesat me kartë përbënin 51% të numrit të përgjithshëm të veprimeve, ndërsa tërheqjet cash nga ATM-të më pak se 43% të tyre.
Megjithatë, tërheqjet cash vazhdojnë të dominojnë në vlerë, me 65% të totalit, ndërsa pagesat me kartë në terminale POS për 9-mujorin përbëjnë 17% të vlerës totale të tyre.
Rritja e kërkesës së tregut për pagesa me kartë po shoqërohet edhe me shtimin e vazhdueshëm të numrit të bizneseve që pranojnë pagesa të tilla. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në fund të tremujorit të tretë të këtij viti arriti në 29 261, në rritje me 24.5% krahasuar me një vit më parë.
Paralelisht, në rritje është edhe numri i kartave të pagesave. Në fund të muajit shtator, numri i kartave aktive arriti në 1.61 milionë, në rritje me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Produkti dominues ngelen kartat e debitit, që përbëjnë afërsisht 88% të numrit të përgjithshëm të kartave të pagesave.
Vlerësohet se turizmi është një nga faktorët kryesorë që po i jep shtysë të fortë pagesave me kartë në vitet e fundit. Të dhënat e INSTAT treguan se hyrjet e shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë për 9-mujorin arritën në 10.2 milionë, në rritje vjetore me 5.7%.
Vlerësohet se zgjerimi i infrastrukturës së POS-eve dhe zhvillimi i shprehive konsumatore pas pandemisë e ka rritur ndjeshëm përdorimin e pagesave me kartë edhe nga konsumatorët vendas./monitor
Pak ditë pas vdekje, Selvija bën dedikimin prekës për ShpatinSelvija Jao, bashkëshortja e artistit të ndjerë Shpat Kasapi, ka ndarë sot me ndjekësit e saj një moment shumë prekës në rrjetet sociale. Ajo është nisur drejt Italisë, e shoqëruar vetëm nga djali i tyre, Roeli, duke bërë të ditur dhimbjen e madhe që mbart për humbjen e bashkëshortit.
Përmes një fotoje në “Instastory”, ku shfaqeshin biletat e avionit me destinacion Milano për datën e sotme, 14 Dhjetor, Selvija ka shkruar: “Sot do doja më shumë se gjithçka të kisha edhe biletën tënde në dorë”, duke e shoqëruar imazhin me këngën e Shpatit, “Kujtime m’ke lan”.

Ky udhëtim ka një ngarkesë emocionale të veçantë për familjen, pasi vetëm pak javë më parë Shpat Kasapi ndërroi jetë tragjikisht në Itali, aty ku dha frymën e fundit.
Burime pranë familjes bëjnë me dije se udhëtimi drejt Italisë ishte i lidhur me vizitat dhe trajtimet e specializuara për djalin e tyre, Roelin, që ka nevojë për ndihmë në lidhje me problemet në të folur. Selvija duket se ka vendosur të vazhdojë betejën e përbashkët të prindërve, duke u rikthyer në vendin ku humbi bashkëshortin, për të përmbushur misionin prindëror.
“Trimoshat e BKH-së shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese profesionale e etike”/ Reagon sërish RamaKryeministri Edi Rama i është kundërpërgjigjur reagimit nga ana e Byrosë Kombëtare të Hetimit, për një episod të datës 20 nëntor 2025 në godinën e Këshillit të Ministrave.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama thotë se nuk i kritikoi për armëmbajtje pa leje, “po për padijen etike dhe ligjore që i shtyu të donin të hynin në kryeministri me patllake siç e thonë edhe vetë në deklaratë”.
Rama thekson se “sikur të ishte ky një rast i veçuar, padiskutim që nuk do ta kisha cekur në kuadër të qëndrimit të sotëm mbi simptomat e lartpërmendura, por fatkeqësisht ky ishte më i ëmbli i episodeve që munda të gjej, për trimoshat e BKH-së që shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale – thënë kjo shumë ëmbëlsisht për këtë pjesë të problematikës së sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re”.
Reagimi i plotë i Ramës në rrjetin social “X”:
“Qenka përgjigjur publikisht eTrimoshat e BKH-së shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese”, Rama reagon sërishdhe BKH-ja ndaj njërit prej një sërë episodesh të mungesës së etikës profesionale të anëtarëve të asaj trupe, të cilin e ceka sot në podkastin FLASIM, duke folur për simptomat shqetësuese të sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re!
Ata kanë cituar ligjin, sipas të cilit mund të mbajnë patllake, kur në fakt unë nuk i kritikova për armëmbajtje pa leje, po për padijen etike dhe ligjore që i shtyu të donin të hynin në kryeministri me patllake siç e thonë edhe vetë në deklaratë.
Sikur të ishte ky një rast i veçuar, padiskutim që nuk do ta kisha cekur në kuadër të qëndrimit të sotëm mbi simptomat e lartpërmendura, por fatkeqësisht ky ishte më i ëmbli i episodeve që munda të gjej, për trimoshat e BKH-së që shfaqin shpesh boshllëqe shqetësuese etike e profesionale – thënë kjo shumë ëmbëlsisht për këtë pjesë të problematikës së sëmundjeve të vjetra në organizmat e drejtësisë së re.
Gjithësesi, po e përsëris, ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur të nga ujërat e pistë, në një proces historik ku duhet të garantojmë suksesin e Reformës në Drejtësi, duke garantuar medoemos pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë që kura te bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë e të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit”.
Përplasje e fortë në BBVK: Familja e Edit reagon pas fyerjeve të Fjolla MorinësNjë mbrëmje që nisi si festë për ditëlindjen e banores Dolce në Big Brother VIP Kosova 4 ka degraduar në një përplasje të rëndë verbale mes banorëve Edit Kuçi dhe Fjolla Morinës. Atmosfera festive u tensionua kur tonet mes tyre u ngritën ndjeshëm, ndërsa Fjolla përdori fjalë të rënda ndaj Edit, duke e quajtur atë “bir k*rve”. Ky ofendim ka shkaktuar revoltim te publiku dhe mbështetësit e Edit.
Pas ngjarjes, familja Kuçi ka dalë me një reagim zyrtar, duke dënuar ashpër sjelljen e Morinës dhe duke kërkuar ndërhyrjen e produksionit. Në letër, familja thekson se përdorimi i gjuhës fyese përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të dinjitetit njerëzor dhe është pa asnjë provokim. Ata gjithashtu theksuan se Edit ka zgjedhur të ruajë përmbajtjen dhe të mos reagojë në të njëjtën mënyrë, duke vepruar me dinjitet.

Reagimi i familjes është i qartë: kërkohet që produksioni i Big Brother VIP Kosova të marrë masa të përshtatshme për të garantuar respektin dhe barazinë mes banorëve. Ata nënvizojnë se sjellja e Fjolla Morinës shkel rregullat bazë të etikës televizive dhe formatit.
Aktualisht mbetet për t’u parë nëse produksioni do të marrë masa disiplinore ndaj Fjolla Morinës, ndërkohë që publiku dhe familjarët e banorëve po ushtrojnë presion në rritje për drejtësi dhe respekt brenda shtëpisë më të famshme të Kosovës.
Morën peng dhe dhunuan Ilir Topçiun, lirohet nga burgu vëllai i deputetit demokrat dhe dy të tjerëPas 40 ditëve në qeli, Alti Nallbati vëllai i deputetit demokrat Bledjon Nallbati, dhe dy shtetasit e tjerë Marsel Buçi e Trajan Celiku kanë lënë ambientet e burgut të Drenovës pasi gjykata ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë në “arrest shtëpie”.
Fillimisht ata u lanë në masë sigurie “arrest në burg”, me afat 40 ditor për arsye të mbledhjes së provave dhe veprimeve hetimore shtesë të prokurorisë. Në përfundim të këtij afati, në seancën e radhës tre të arrestuarit që morën peng dhe dhunuan 32-vjeçarin Ilir Topçiu, janë lënë në arrest shtëpie.
Ngjarja ka ndodhur më tepër se 1 muaj më parë në qytetin e Bilishtit ku tre të arrestuarit kanë marrë me forcë 32-vjetarin Ilir Topçiu duke e çuar në magazinën në pronësi të njërit prej të arrestuarve, ku e kanë dhunuar dhe mbajtur për disa orë peng. Alti Nallbati dhe Trajan Çeliku u akuzuan për veprat penale të “heqjes së paligjshme të lirisë” dhe “kanosje”, të dyja veprat të kryera në bashkëpunim.
Ndërsa Marsel Buci krahas dy veprave penale të mësipërme, u akuzua edhe për “plagosje të lehtë me dashje”. Hetimet vijojnë për këtë çështje që prej momentit kur Ilir Topçiu denoncoi ngjarjen pranë uniformave blu.
Durim Bami humb gjyqin në Dubai, hapet rruga për ekstradimin e tij në TiranëDurim Bami, një nga emrat më të njohur të botës së krimit në Shqipëri që vepron kryesisht në Fushë-Krujë dhe Tiranë, do ekstradohet nga Dubai në Tiranë.
Njeriu që konsiderohet nga policia si “i forti” i Niklës, rezulton të këtë humbur gjyqin për qëndrimin e tij si resident në Dubai, ndaj që shumë shpejt Bami, do ketë të njëjtin fat si disa nga personat shqiptarë që fshiheshin në Dubai.
Lajmi për ekstradimin e Bamit në Shqipëri, konfirmohet nga burime të sigurta, të cilat thanë për gazetarin Elton Qyno, se i dyshuari për disa ngjarje të rënda kriminale në Shqipëri, ka humbur gjyqin final në gjykatën e Dubait dhe shumë shpejt, autoritetin do nisin praktikën për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Mbëritja e Durim Bamit në Tiranë, shihet si fitore në korridoret e SPAK, ku prokurorët e posaçëm kanë shpresa se 46-vjeçari mund të bashkëpunojë me autoritetet e hetimit.
Aktualisht çështja penale ndaj Durim Bamit është përfunduar dhe dërguar në gjyq nga SPAK.
Ndërsa akuzat zyrtare kundër tij janë të rënda si ajo e “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen” e ish-deputetit të PS, Arben Ndoka, “Sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen” të, Hektor alias Tori Xheçuka dhe Erigers Mihasit kryer kjo në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Njëherësh, Durim Bami, akuzohet nga SPAK dhe për “Kultivim të lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.
Ndalimi i Durim Bamit në Dubai është kryer në datën 21 Tetor 2024. Kjo ishte hera e dytë që Durim Bami, u arrestua nga policia e Dubait, pasi ai kishte shkelur rregullat e paraqitjes në një nga rajonet e policisë së Dubait.
Për herë të parë ai u ndalua në muajin qershor 2024, pas një urdhër-arresti të lëshuar nga SPAK në muajin Maj 2024. Shumë shpejt ai u lirua nga gjykata duke përfituar një leje qëndrimi dhe garancie për tu paraqitur në komisariat sa herë ishte e nevojshme për tu verifikuar.
Por tre thirjeve në E-Mail të policisë së Dubait për ta verifikuar, Durim Bami, nuk i është përgjigjur çka solli arrestimin e tij për herë të dytë. Bami ka pretenduar se nuk kishte parë E-mailet ndaj nuk ishte paraqitur fizikisht në polici, ditën dhe orën e planifikuar.
Por këto pretendime nuk e ndihmuan për tu liruar nga burgu. Tashmë Durim Bami, ka humbur dhe procesin gjyqësor, duke i hapur rrugën ekstradimit të tij në Shqipëri.
Pikërisht në këtë vend ai do përballet me disa akuza që çojnë në rrezikun e tij për tu deklaruar fajtor dhe mund të dënohet deri në 20 vite burgim.
SPAK reagon pas deklaratës së Ramës: Hetuesit e BKH iu bindën kërkesës së Kryeministrisë dhe dorëzuan armëtByroja Kombëtare e Hetimit ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama.
Në përgjigje të kërkesave dhe interesit të medias lidhur me deklaratën e Kryeministrit të Shqipërisë, z. Edi Rama, Byroja Kombëtare e Hetimit sqaron sa më poshtë:
Më datë 20 nëntor 2025, tre hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) janë paraqitur në ambientet e Këshillit të Ministrave për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme së Shkallës së Parë, nr. 118, datë 19.11.2025, përmes të cilit është vendosur masa e pezullimit nga ushtrimi i detyrës ndaj Zëvendëskryeministres, znj. Belinda Balluku.
Në hyrjen e brendshme të Këshillit të Ministrave, hetuesit janë informuar nga Garda e Republikës se sipas rregullave në fuqi, nuk lejohet hyrja me armë zjarri në ambientet e brendshme të institucionit. Njëri prej hetuesve ka kërkuar sqarim mbi mënyrën dhe vendin e depozitimit të armëve. Garda e Republikës i ka orientuar që armët të liheshin në dollapët e posaçëm të sigurisë, në hyrje të institucionit.
Pas verifikimit se ambienti i depozitimit ishte i sigurt dhe i monitoruar me kamera, hetuesit kanë depozituar armët dhe kanë vijuar normalisht me kryerjen e veprimeve procedurale.
Theksojmë se në asnjë moment nuk ka pasur debat apo përplasje mes hetuesve të BKH-së dhe Gardës së Republikës.
E drejta e hetuesve të BKH-së për mbajtjen e armës së zjarrit mbështet tek ligji nr. 25/2019 “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore”, ku neni 31, pika 3, parashikon shprehimisht se oficerët e Policisë Gjyqësore, përfshirë ata të Byrosë Kombëtare të Hetimit, pajisen me armë zjarri sipas legjislacionit në fuqi për përdorimin e tyre.
Rama: Në Kryeministri erdhën ca trimosha të BKH, nuk donin të linin patllaken tek dera!Kryeministri Edi Rama ka komentuar një episod ku, sipas tij, agjentë të BKH kanë hyrë në godinën e Kryeministrisë, duke mos respektuar madje as rregulloren e sigurisë së lartë të Gardës së Republikës.
Në podkastin e tij “Flasim”, Rama theksoi se kjo nuk tregon që drejtësia e re ka humbur sensin, por se është koha për një reflektim serioz, profesional dhe ndërinstitucional.
Kryeministri nënvizoi nevojën për të garantuar suksesin e Reformës në Drejtësi dhe pavarësinë e gjyqësorit, duke paralajmëruar se nuk mund të lejohet që “kura të bëhet problem më i madh se sëmundja”, duke rrezikuar liritë, të drejtat dhe funksionimin e administratës dhe ekonomisë së vendit.
“Por unë, nuk do ta ndjek kurresesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, po do të mbetem tek bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave, e nuk donin ta linin patllaken tek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës.
Pra, nuk dua kurresesi të them se ferrat e mendësive e sëmundjeve të vjetra, e kanë marrë uratën e drejtësisë së re, por dua të ndaj me të gjithë bindjen se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pistë, në një proces historik, ku duhet të garantojmë medoemos suksesin e Reformës në Drejtësi, duhet të garantojmë pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë medoemos që kura të bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë, të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit”, tha Rama.