zoom

Day ArchiveMedia amerikane: SHBA hesht ndërsa Shqipëria rikthen në detyrë zv.kryeministren e akuzuar për korrupsion

Departamenti Amerikan i Shtetit ka refuzuar të komentojë mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri, teksa kriza e korrupsionit thellohet dhe qeveria rikthen në detyrë zëvendëskryeministren Belinda Balluku, e cila përballet me akuza penale nga SPAK.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, përfshirë Fox News Digital dhe Reuters, Balluku u rikthye në detyrë pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila e pezulloi përkohësisht largimin e saj, deri në një vendim përfundimtar. Vendimi erdhi pasi kryeministri Edi Rama e çoi çështjen në Kushtetuese, pas shkarkimit të Ballukut nga një gjykatë më e ulët.

SPAK ngriti më 31 tetor akuza ndaj Ballukut për ushtrim ndikimi të paligjshëm në favor të një kompanie në një tender për ndërtimin e një tuneli 3.7 milje në jug të vendit. Një tjetër akuzë u shtua më 21 nëntor, lidhur me shkelje proceduriale në një projekt rrugor në Tiranë, çka solli edhe shkarkimin e saj nga detyra.

Një ditë para paraqitjes në gjykatë, Balluku i quajti akuzat “baltosje, insinuata dhe gënjeshtra”, ndërsa rasti i saj është i dyti brenda kabinetit Rama që prej vitit 2023 që përballet me akuza korrupsioni, duke nxitur reagime të forta nga opozita.

Ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA dhe OKB, Agim Nesho, deklaroi për Fox News Digital se rasti Balluku tregon se “qeveria Rama nuk ka as vullnetin moral dhe as politik për t’i hapur rrugë drejtësisë së pavarur”. Sipas tij, ekzekutivi po përpiqet të mbrojë zëvendëskryeministren duke paraqitur veprimet e gjyqësorit si sulm politik ndaj qeverisë.

Nesho paralajmëroi se ndërhyrja në Gjykatën Kushtetuese mund të krijojë një precedent mbrojtës edhe për kryeministrin Rama, nëse hetimet në të ardhmen do të përfshijnë drejtpërdrejt edhe atë. “Po bëhet gjithnjë e më e qartë se perandori nuk ka rroba”, u shpreh ai, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si një formë “kapjeje të shtetit”.

Sipas Neshos, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, i larguar nga Shqipëria për shkak të hetimeve nga SPAK, ka deklaruar se vendimmarrjet kryesore për tenderët, financat dhe asetet publike janë drejtuar personalisht nga Rama. Ahmetaj ka hedhur edhe akuza për lidhje të kryeministrit me grupe kriminale, akuza që Rama i ka mohuar, duke i cilësuar si të pavërteta dhe politike.

SHBA-të kanë financuar për vite me radhë reformën në drejtësi në Shqipëri, si pjesë e procesit të integrimit europian dhe luftës kundër korrupsionit. Megjithatë, sipas kritikëve, reformat kanë prodhuar edhe bllokime në sistemin gjyqësor dhe rritje të pakënaqësisë publike.

“Nuk është e lehtë të imagjinohet se si një qeveri që sillet si një republikë bananesh mund të anëtarësohet në BE”, deklaroi Nesho, duke shtuar se opozita është dobësuar përmes përdorimit politik të drejtësisë, ndërsa Rama vazhdon të qëndrojë në pushtet pavarësisht skandaleve të shumta të korrupsionit dhe akuzave për manipulim zgjedhor.

Pas rikthimit të Ballukut në detyrë, zemërimi publik, sipas Neshos, nuk është i drejtuar vetëm ndaj saj, por ndaj një sistemi qeverisës që vepron pa llogaridhënie. Ai theksoi se shumë qytetarë e quajnë kryeministrin “Ramaduro”, në krahasim me presidentin venezuelian Nicolás Maduro.

Zyra e shtypit e kryeministrit Rama i tha Fox News Digital se nuk ka koment mbi këto akuza. Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Ambasada e SHBA-së në Tiranë u përgjigjën shkurt: “Nuk kemi koment për çështje ligjore në proces”, edhe kur u pyetën për mundësinë e sanksioneve ndaj Ballukut./ Përkthyer nga FoxNews, titulli në origjinal: “State Department stays quiet as Albania reinstates deputy PM accused of corruption”.

Përplasje mes policisë dhe protestuesve para Kryeministrisë, Adriatik Lapaj ndihet keq dhe bie në tokë

Protesta e ditës së shtunë para Kryeministrisë, e organizuar nga Adriatik Lapaj ka pasur përplasje me forcat e policisë.

Protestuesit janë përleshur me efektivët, të cilët nuk lejojnë vendosjen e një gjeneratori aty.

Protestuesit janë përplasur fizikisht me uniformat blu, teksa pas kësaj Adriatik Lapaj është ndjerë keq dhe ka rënë në tokë.

Pasi iu dha ujë nga të pranishmit, u kërkua që të krijohej më tepër hapësirë në rrethin e krijuar.

Situata vijoi në fjalime për vijimin e protestës së tyre.

Prej disa ditësh, Lapaj është vendosur para Kryeministrisë dhe kërkon dorëheqjen e Edi Ramës, ndërsa u ka bërë thirrje njerëzve t’i bashkohen në këtë protestë./ Zoom.al

“E shkuara ime ka vdekur”, Bes Kallaku “thumbon” Xhensila Myrtezajn

Bes Kallaku, i ftuar në një intervistë me Grida Dumën, foli hapur për kapitujt e mbyllur të jetës së tij, përfshirë edhe divorcin me Xhensila Myrtezajn, një temë që vijon të ngjallë interes.

Kallaku u shpreh se e shkuara për të është një histori e mbyllur. Ai theksoi se është i përqendruar te e tashmja dhe te rruga që po ndërton sot, larg ngarkesave emocionale të së kaluarës.

“E shkuara ime është e vdekur. Unë po jetoj të sotmen. Unë nuk jam askushi por prezenca ime në jetën e disa njerëzve ua ka bërë jetën më të bukur atyre.”-tha Kallaku.

Gjatë bisedës, aktori ndau edhe mendimet e tij mbi zhgënjimet që ka përjetuar nga njerëzit që dikur i kishte pranë. Ai foli edhe për sakrificat dhe ndihmën që u ka dhënë njerëzve ndër vite, duke shtuar se jo gjithmonë mirësia kthehet në të njëjtën formë. Megjithatë, mesazhi i tij ishte i qartë: çdo natë, sado e gjatë të jetë, përfundon me lindjen e diellit.

Grida Duma: Je zhgënjyer nga ata që ke pasur afër përgithësisht?

Bes Kallaku: Zoti është me mua, kush mund të jetë kundër meje?! Përveçse ju kam dhënë dorën, ju kam dhënë edhe bukën. Sado të zgjasë nata, do lindë dielli, do të vijë dita. Sa armiq që kemi, dhe sa “miq” armiq që kemi përreth. Pasuria ime më e madhe janë dy fëmijët e mi, nëna dhe babai im. E marrim jetën për të mirëqenë. Sikur s’do na ndodhë kurrë e keqja. Ndërroi jetë edhe Shpati i shkretë. A kishte plane për sot? Zoom.al/

Kosova u dërgon ndihma humanitare palestinezëve në Rripin e Gazës

Një anije me ndihma humanitare nga Kosova për palestinezët në Gazën e shkatërruar nga lufta është nisur nga porti i Mersinit në Turqi drejt enklavës palestineze, njoftoi të shtunën kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Në një njoftim në Facebook, Kurti tha se dërgesa në vlerë prej 500 mijë eurove përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë për banorët në nevojë.

Qeveria e Kurtit i kishte ndarë të hollat për këtë dërgesë humanitare në janar, por dërgimi i tyre u bë i mundur vetëm tani, tha Kurti, pas armëpushimit të arritur në tetor, me ndërmjetësimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe fuqi të tjera – është zbatuar pothuajse plotësisht që nga tetori, por lufta e ka shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës së Gazës dhe kushtet e jetesës janë tejet të rënda.

Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara dhe palestinezë thanë se nevojiten urgjentisht të paktën 300.000 tenda të reja për rreth 1.5 milionë njerëz që vazhdojnë të jenë të zhvendosur brenda enklavës.

Kurti tha se kjo ndihmë humanitare “përfaqëson angazhimin e Kosovës si pjesë e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin tonë për të mbështetur popullatën civile që po përballet me vështirësi tejet të mëdha në Gazë”.

Lufta në Gazë u shkaktua nga sulmi i 7 tetorit 2023 nga grupi militant palestinez Hamas në Izrael, ku u vranë 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen 251 të tjerë.

Lufta hakmarrëse e Izraelit në Gazë prej atëherë ka vrarë mbi 70.000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës. Rel/

“Drejtuesit e PD përgjegjës për situatën”/ Salianji flet pas mbledhjes në seli

Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Demokratike, ish-deputeti Ervin Salianji u shpreh i keqardhur përmediat që, sipas tij, mbledhja e Kryesisë e zhvendosi tërësisht vëmendjen nga organizimi i protestës dhe përballja me qeverinë, drejt përplasjeve të brendshme.

“Jam i keqardhur që mbledhja e Kryesisë e zhvendosi komplet fokusin nga protesta te diskutimet e brendshme. Kishte mendime të ndryshme, por ajo që di t’ju them është se do ecim përpara. Nuk do ketë ndryshim pa sakrifica, pa reagime dhe pa përplasje”, deklaroi Salianji.

Salianji hodhi akuza ndaj drejtuesve të Partisë Demokratike, duke i konsideruar përgjegjës për paqartësitë në vendimmarrje.

“Vendimmarrja e PD-së, e cila ka qenë e paqartë në shumë situata, i bën drejtuesit përgjegjës. Unë po bëj përgjegjës drejtuesit e PD-së për këto paqartësi”, u shpreh ai.

I pyetur lidhur me akuzat se kishte mbledhur firma të deputetëve për kandidaturën e Endri Shabanit për postin e Avokatit të Popullit, Salianji reagoi me ironi, duke i mohuar këto pretendime.

“Edhe luftërat punike unë i kam zhvilluar. Edhe për firmat për Endri Shabanin unë i kam mbledhur, që nuk jam deputet”, tha Salianji.

Përfundon mbledhja e PD/ Noka: Do nisim protestat pa ndalim! Dorëheqja ime i shërben vetëm Ramës

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka duke folur pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë, u shpreh se protesta e ditës së hënë, 22 dhjetor ora 17:00, do të jetë e para, sepse do të zhvillohen protesta pa ndalim.

I pyetur në lidhje me firmat e dhëna për Avokatin e Popullit, Noka u shpreh se, për këtë akt është kërkuar ndjesë.

Lidhur me debatin që pati me Salianjin, Noka tha se dorëheqja e tij apo e dikujt tjetër do të qetësonte vetëm kryeministri Edi Rama dhe shërbëtorët e tij

Deklarata e Nokës për gazetarët:

Kjo mbledhje kishte si një qëllim për të diskutuar dhe për t’ju bërë transparent shqiptarëve për faktin që Edi Rama drejtësinë ose e ka nën kontroll, ose në momentin që dikush e refuzon, ai del dhe e sulmon. Sulmin, sulmi i këtyre ditëve, presioni që është bërë Gjykatës Kushtetuese për ta nënshtruar dhe që në fund e nënshtroi, tregon që në fund Shqipëri, në Shqipëri reforma në drejtësi ka vdekur dhe Edi Rama është drejtësia, Edi Rama është ekzekutivi, Edi Rama është media në Shqipëri, Edi Rama është legjislativi, por është edhe narkos, është edhe narkos në Shqipëri.

Dhe për këtë arsye, ne do t’ju bëjmë thirrje shqiptarëve sot që të gjithë me datën 22 dhjetor, ditën e hënë, në ora 17:00, të vërshojnë në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Një protestë pa kthim, pa ndalim, një protestë që do të, do të jetë persistente. Pra, nuk do jetë vetëm një protestë. Ne do të vazhdojmë ciklin e protestave derisa qeveria teknike të trokasë në vendin tonë dhe të largohet narkosi dhe t’i hapet rrugë zgjedhjeve të lira, sepse jemi një vend, i vetmi vend në Europë që nuk zhvillojmë zgjedhje të lira, por zhvillojmë farsë.

Dhe pa zgjedhje, pa zgjedhje të lira, kuptoni një gjë. Pa zgjedhje të lira, pa zgjedhje të lira, asgjë tjetër nuk ka kuptim dhe as demokracia, as pluralizmi.

Unë po flas këtu për axhendën e demokratëve dhe të opozitarëve. Ju po flisni për axhenda jashtëpartiake të cilat janë në shërbim të qeverisë. Por, sot dorëheqja e vetme që kërkohet nga gjithkush në këtë vend është dorëheqja e Edi Ramës.

Asgjë tjetër nuk e stabilizon Shqipërinë dhe asgjë tjetër nuk i stabilizon dhe nuk i qetëson shpirtrat e shqiptarëve të vjedhur, të dhunuar, të gjakosur, të shpopulluar dhe të varfëruar. Tani, dorëheqja, dorëheqja ime apo e dikujt tjetër këtu qetëson vetëm një gjë: Edi Ramën dhe shërbëtorët e tij. Kjo është më se e qartë dhe më se evidente, sepse ky është një realitet.

Për firmat që janë dhënë për Avokatin e Popullit, ne kemi kërkuar ndjesë.

Partia Demokratike nëpërmjet kryetarit ka kërkuar ndjesë publike dhe do ta sqaroj këtë gjë. Sigurisht që kanë filluar dhe kanë kërkuar ndjesë edhe shumë nga firmëtarët dhe ky proces po vazhdon. Ndjesa është ndaj demokratit dhe ndaj qytetarëve. Për çfarë është ndjesa? Ndjesa është për arsye se në një ngutje sipër ose në një, në një moment emocional kur ishte çështja e Bashkisë së Tiranës…

Jo, sqarimi është gjë shumë e thjeshtë e sqarim. Keni parasysh, shumë njerëz, po them shumë kolegë të mi, nën emocion pse Shabani kishte ofruar si mbështetje ndaj kandidatit të përbashkët të opozitës, mbase janë dy. Sot në mbledhje ka thënë pesë deputetë që i ka telefonuar dhe e pranoi dhe vetë Salianji. Madje ka, ka gojëdhëna që vetë Grida është negociatorja e Ramës për Endri Shabanin.

Gojëdhëna. Ka gojëdhëna. Tani, kjo është histori që nuk i intereson… Ju sqaroj, ju sqaroj. Flamur Noka në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike dhe të deputetit, ka debatuar me çdo firmëtar. Ka qenë kundër dhe është kundër. Flamur Noka ka një vullnet të shprehur tek Adriana Kalaja, Besim Dëgjoni dhe anëtarë të tjerë. Zoom.al/

Tentativë arratisjeje në burgun e Lezhës, detajet

Adriano Berisha, 31 vjeç, ka tentuar mesditën e djeshme të largohet nga burgu i Shënkollit, por arratia e tij nuk ka zgjatur shumë.

Pas rreth 500 metrash nga rrethimi i burgut, ai është kapur dhe rikthyer në qeli, pa shkaktuar incidente apo rrezik për punonjësit dhe komunitetin.

Ngjarja ka ndodhur gjatë një aktiviteti të jashtëm të burgut, ku i dënuari po merrte pjesë në sistemimin e mbeturinave nën mbikëqyrjen e punonjësve të sigurisë.

Burgu i Shënkollit dhe institucionet përkatëse në një reagim zyrtar theksojnë se 36-vjeçari është neutralizuar menjëherë pas tentativës. Menjëherë janë njoftuar prokuroria e juridiksionit të përgjithshëm dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, për vijimin e procedurave ligjore dhe administrative. Masat organizative dhe të sigurisë po rishikohen për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen.

Njoftimi i Drejtorisë së Burgjeve:

Në datën 11 dhjetor 2025, pranë Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale  IMP Lezhë, i cili funksionon si institucion i posaçëm mjekësor, u konstatua një tentativë për largim nga ambientet e institucionit e një personi ndaj të cilit është caktuar masë mjekësore ‘mjekim i detyruar në institucion mjekësor’, me vendim gjykate.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:30, gjatë një aktiviteti ndihmës për sistemimin e mbeturinave në regjimin e jashtëm të institucionit, nën mbikëqyrjen e punonjësve të sigurisë. Gjatë këtij procesi, personi në fjalë ka kaluar telin e perimetrit të jashtëm, duke tentuar largimin nga territori i institucionit.

Menjëherë pas konstatimit, rreth orës 09:33, ai është kapur dhe neutralizuar në afërsi të institucionit nga punonjësit përgjegjës, pa pasur rezistencë apo kundërshtim nga ana e tij dhe pa asnjë incident apo rrezik për punonjësit apo komunitetin.

Theksojmë se IEVP Lezhë është institucion mjekësor i posaçëm, ku zbatohen masa sigurie të përshtatura për pacientë dhe jo për të dënuar apo të paraburgosur. Kjo kategori personash trajtohet në mënyrë të diferencuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet mjekësore e të të drejtave të njeriut.

Menjëherë pas ngjarjes janë njoftuar strukturat kompetente, përfshirë prokurorinë e juridiksionit të përgjithshëm Lezhë, Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve (SHKBB), për vijimin e procedurave ligjore dhe administrative përkatëse.

Institucioni vijon funksionimin normal, ndërsa masat organizative dhe të sigurisë po rishikohen në mënyrë parandaluese, në funksion të përmirësimit të mëtejshëm të menaxhimit dhe sigurisë së pacientëve dhe stafit. Zoom.al/

Zbulohet moderatorja e BBV Fan Club

Edicioni i pestë i “Big Brother VIP Albania” pritet të vijë me një sërë ndryshimesh dhe risi, të cilat po zbulohen gradualisht vetëm pak ditë para startit zyrtar të spektaklit.

Krahas formatit dhe dinamikave të reja, duket se është mbyllur edhe një tjetër pikë kyçe: moderimi i “Big Brother VIP Fan Club” çdo fundjavë.

Sipas Vip Magazine, drejtimin e Fan Club-it do ta marrë Kiara Tito. Burime pranë produksionit bëjnë me dije se zgjedhja e saj lidhet me eksperiencën televizive, por edhe me raportin e fortë që ajo ka ndërtuar me audiencën e “Big Brother VIP”.

Më herët, në media dhe rrjete sociale u përfolën edhe emra të tjerë për këtë rol, mes tyre Sara Gjordeni dhe Egli Tako. Megjithatë, të dyja moderatorët reaguan publikisht, duke mohuar çdo përfshirje në projektin e Fan Club-it, çka hapi rrugën për konfirmimin e Kiares.

Kjo nuk është hera e parë që Kiara Tiro drejton një klub fansash. Ajo ka qenë më herët në krye të “Dancing With the Stars Fan Club” në ekranin e Top Channel, një eksperiencë që duket se ka ndikuar edhe në këtë angazhim të ri.

Ndërkohë, paralelisht me “Big Brother VIP Fan Club”, Kiara do të vijojë edhe angazhimin e saj në “Portokalli”, ku moderon krah Nevina Shtyllës dhe Salsano Rrapit. Zoom.al/

Debate të forta në Kryesinë e PD, Salianji-Nokës: Ke shkatërruar partinë

Debate të forta në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kryesisë së Partisë Demokratike e cila vijon punimet me dyer të mbyllura prej orës 14:00.

Pas foltoreve të zhvilluara secili në mënyrën e tij, Sali Berisha dhe Ervin Salianji u takuan përballë njëri-tjetrit gjatë mbledhjes.

Burime nga mbledhja bëjnë me dije se ka pasur debate të ashpra mes Berishës, Nokës dhe Salianjit.

Noka i është drejtuar Salianjit me fjalët: “Me këtë që po bën, po u shërben atyre që ke përballë”.

Nga ana e tij, Salianji i është përgjigjur: “Jep dorëheqjen, Flamur, e ke shkatërruar partinë, dhe gabimi me Avokatin e Popullit është përgjegjësi e jotja”. Zoom.al/

Hëna e re e 20 dhjetorit! Për këto 3 shenja horoskopi do të nisë një kapitull i ri

Hëna e Re në shenjën e Shigjetarit, më 20 dhjetor, sjell një energji të fortë transformuese, e cila vepron si një busull e brendshme dhe ndihmon në qartësimin e drejtimit personal.

Kjo periudhë favorizon ripërtëritjen e mendimit, zgjerimin e horizonteve dhe rikthimin e besimit tek rruga që secili ka zgjedhur.

Është një moment ku ëndrrat e mëdha jo vetëm që lejohen, por marrin edhe mbështetje t’u kthyer në realitet.

Për disa shenja të zodiakut, kjo Hënë e Re shënon një pikë kthese të rëndësishme dhe hapjen e një kapitulli të ri.

Këto janë tre shenjat që favorizohen më shumë nga Hëna e Re e 20 dhjetorit 2025:

Dashi

Për dashin, kjo Hënë e Re vjen si një sinjal nisjeje. Energjia rikthehet fuqishëm, por këtë herë në mënyrë të qartë dhe të fokusuar. Ju ndjeni se është momenti i duhur për të lënë pas zakone dhe modele që nuk ju shërbejnë më dhe për të ndërmarrë një hap që e keni shtyrë prej kohësh. Rruga përpara bëhet më e dukshme dhe intuita ju udhëheq drejt zgjedhjeve të duhura.

Shigjetari

Si shenja që sundon këtë Hënë të Re, shigjetari ndodhet në qendër të ndryshimeve. Zëri i brendshëm bëhet më i fortë dhe më i qartë, duke ju shtyrë të lini pas pasiguritë dhe të përcaktoni një drejtim të ri për jetën tuaj. Një ide, dëshirë apo qëllim i ri mund të marrë formë konkrete, ndërsa planet që më parë dukeshin të paqarta fillojnë të strukturohen. Kjo ditë ju jep besimin për të menduar më madhështor dhe për të hedhur hapin e parë.

Bricjapi

Pak përpara nisjes së ciklit tuaj astrologjik, Hëna e Re ju fton të rishikoni kuptimin e suksesit. Kjo periudhë ju bën të reflektoni jo vetëm mbi arritjet, por edhe mbi rrugët që po ndiqni për t’i realizuar ato. Një kapitull i ri hapet, ku autenticiteti dhe ndershmëria me veten marrin përparësi ndaj detyrimeve. Ju kuptoni se qëllimi nuk është përsosmëria, por rritja dhe evoluimi i vazhdueshëm.