zoom

Day ArchiveFishekzjarre për Ballukun në Fier dhe në Lushnjë

Pas vendimit që e rikthen në detyrë zv.kryeministren Belinda Balluku, në qytetin e Fierit, aty ku ajo është drejtuese politike, u festua me fishekzjarre.

Siç po e shihni edhe në këto pamje, mbështetës të Ballukut dhe Partisë Socialiste kanë shprehur entuziazmin e tyre në këtë mënyrë.

Po me fishekzjarre u prit vendimi i Kushtetueses edhe në qytetin e Lushnjës.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare, ato të 11 majit, qarku i Fierit dha një rezultat tejet pozitiv për Partinë Socialiste, me 12 mandate të fituara.

Zoom.al/

U paraqit në SPAK për “21 janarin”, flet Bamir Topi

Ish-presidenti Bamir Topi, i cili u paraqit disa ditë më parë në SPAK për çështjen e 21 janarit, ka deklaruar se është besimplotë që drejtësia do të zbardhë të vërtetat e ngjarjes së rëndë të vitit 2011.

Sipas tij, hetimet po ecin siç duhet dhe klima institucionale duket ndryshe nga ajo e viteve të mëparshme.

Topi theksoi se të gjithë personat që kanë patur përgjegjësi në atë kohë po thirren nga SPAK. Por sipas tij, problemi kryesor nuk qëndron tek drejtësia, por tek politika.

Topi ka deklaruar se pas 15 vitesh politika, sidomos Partia Socialiste është fshehur pas hipokrizisë.

Ka kohë që janë dhënë shenjat e qarta që ky problem që mbush 15 vitet është marrë nga drejtësia dhe qe do bëj punën e vet. Unë këtë konstatoj. Nisur nga eksperienca ime, duket se situata tani është ndryshe me angazhimin e drejtësisë. Njerëzit që kanë drejtuar në atë periudhë janë thirrur dhe po thirren, hetimi i 21 janarit po shkon siç është parashikuar. 

E ndjej dhe kam besim se drejtësia do hetojë për të gjetur të vërtetat. Ajo që unë shoh që mungon nuk ka të bëjë me drejtësinë, por me politikën. Ka të bëjë me një nga momentet më delikate, që ka të bëjë me komisionin hetimor që është ngritur janarin e vitit 2011 dhe dëshiroj që ta them sonte. Kam parë në atë periudhë një angazhim të ethshëm deri në nivel patologjik të atyre që ngritën komisionin dhe kam parë një mungesë absolute të angazhimit të atyre që bën protestën e  21 janarit.

Çfarë mund të them unë më për politikën, që me një term mund ta kisha rënduar shumë, por nuk mund ta them dot. Janë 15 vite, ku janë ato detyrime dhe angazhime që ata që janë sot në pushtet, nuk morën qoftë 1 minutë të vetëm për t’ju rikthyer 21 janarit. Çështja është i vetmi komision hetimor që i shtuar mandatit dy herë dhe është i vetmi që nuk ka një raport final.

Njerëzit duhet ta dinë, këto politikanë furbo, marrin angazhime, çojnë të tjerë që ranë viktimë, të tjerë u plagosën. Së paku politikisht, dilni nga hipokrizia për të vendosur ato lulet te trotuari dhe bëj detyrën si politikan dhe kthehu politikisht.  21 janari kishte dy palë. Unë nuk flas për hetimin, kam respekt. Nuk mund të futem aty.”

Aksidentohet Denisa Bajramaj/ Kozaku: Është në gjendje të rëndë dhe shtatzënë

Një aksident ka ndodhur pasditen e sotme, ku është përfshirë Denisa Braci, bashkëshortja e TikTok-erit të njohur “Kozak”.

Në video shihet, teksa Denisa dërgohej me barrelë drejt spitalit, ndërsa ndihmohej nga personeli mjekësor. Denisa është shtazënë në pritje të fëmijës së saj të dytë.

Deri tani nuk janë bërë publike detaje për gjendjen e saj shëndetësore apo rrethanat në të cilat ka ndodhur aksidenti.

Pot vetë Kozak Braçi ka publikuar një video ku shprehet i pakënaqur me shërbimin e marrë në spitalin e Lezhës dhe ka ngritur akuza ndaj stafit mjekësor.

Ai thotë se bashkëshortja ndodhet në gjendje të rënduar dhe pretendon se mjekët kanë përfituar para për të minimizuar vlerësimin e gjendjes së saj.

Rikthehet qetësia te Liverpool, Slot vendos për Salah

Te Liverpool është rikthyer qetësia pas konfliktit mes Mohamed Salah dhe trajnerit Arne Slot, i cili kishte çuar në përjashtimin e lojtarit ndaj Interit në Champions.

Mediat angleze raportojnë se mes palëve është vendosur një “paqe” dhe egjiptiani pritet të rikthehet në listën e të grumbulluarve për ndeshjen kundër Brightonit.

Megjithatë, tensionet mbeten dhe sfida e ardhshme mund të jetë e fundit për Salah me fanellën e Liverpoolit. Pas kësaj ndeshjeje, ai do t’i bashkohet kombëtares së Egjiptit për Kupën e Afrikës. Me hapjen e merkatos së janarit, largimi i tij shihet si mundësi reale.

Arabia Saudite ka shfaqur interes, ndërsa edhe Galatasaray po e monitoron situatën. Pas tetë sezoneve e gjysmë dhe mbi 420 ndeshjeve, e ardhmja e Salah te Liverpooli mbetet e pasigurt dhe në pritje të zhvillimeve të javëve të ardhshme. Zoom.al/

Dumani “shkund” policinë e Prodës/ Mbi 70 efektivë “në sitë”

Kreu në ikje i SPAK, Altin Dumani, duke folur në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, goditi fort Policinë e Shtetit, duke deklaruar se vetëm gjatë viteve të funksionimit të SPAK janë hetuar dhe gjykuar mbi 70 efektivë policie, nga patrulla të thjeshta deri te drejtues të lartë të përfshirë në korrupsion dhe grupe kriminale.

Sipas tij, korrupsioni ka prekur çdo nivel të shtetit, dhe policia nuk është aspak përjashtim.

Deklarata e Dumanit vjen në një moment kur Policia e Shtetit drejtohet nga Ilir Proda, i cili ndodhet në krye të strukturës në një periudhë ku skandalet me uniforma blu kanë qenë të njëpasnjëshme. edhe pse Dumani nuk përmendi emra, fakti që dhjetëra efektivë janë arrestuar pikërisisht gjatë kohës kur Proda mban drejtimin, ka ngritur edhe një herë pikëpyetje serioze për mënyrën si funksionon kontrolli i brendshëm, filtërimi i personelit dhe përgjegjësia e komandës.

Arrestimet e shefave të krimeve, drejtuesve të kufirit dhe oficerëve të implikuar në trafik droge dhe korrupsion tregojnë një polici të dobët, të depërtuar nga elementë kriminalë. SPAK ka bërë atë që policia e drejtuar nga Proda nuk ka arritur dot: identifikimin dhe goditjen e efektivëve të korruptuar.

Teksa Dumani mbyll mandatin më 18 dhjetor, mesazhi i tij bie si paralajmërim i drejtpërdrejtë për drejtimin aktual të policisë: “Askush nuk është i paprekshëm.” Dhe sot, më shumë se kurrë, sytë e publikut janë drejt Prodes dhe përgjegjësisë së tij për një polici që po prodhon më shumë skandale sesa rezultate, ku mbetet për tu mos harruar arrestimi i Altin Morinës, mik i ngushtë i kryepolicit Proda, arrestim që çoi në shkrirjen e plotë të komisariatit numër 2 në Tiranë, pasi policët zbatuan ligjin duke prekur mikun e tij./ Zoom.al

Irani arreston fituesen e Nobelit për Paqe, Narges Mohammadi

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe më 2023 nga Irani, Narges Mohammadi është arrestuar së bashku me disa aktivistë të tjerë për të drejtat e njeriut.

Ata u arrestuan gjatë një ceremonie përkujtimore në Mashhad, qytet në verilindje të Iranit.

Sipas Fondacionit Narges Mohammadi, arrestimi ndodhi më 11 dhjetor, gjatë një ceremonie për shënimin e ditës së shtatë të vdekjes së Khosrow Alikordi, një avokat i njohur dhe avokues për të drejtat e njeriut.

Një turmë e madhe mori pjesë në ceremoni, ku të pranishëm ishin edhe aktivistë të shquar, ish të burgosur politikë dhe familjarë që kërkonin drejtësi për viktimat e dhunës shtetërore.

Përmes një postimi në llogarinë e Mohammadit në X, u tha se ajo u “arrestua në mënyrë të dhunshme nga agjentët e sigurisë”. Bashkëshorti i saj, Taghi Rahmani, që jeton në Francë, konfirmoi se “Narges Mohammadi, Sepideh Gholian dhe disa të tjerë” u arrestuan gjatë këtij tubimi.

Përplasje me forcat e sigurisë
Video që qarkulluan në rrjetet sociale treguan një pjesëmarrje të madhe, me protestues që brohorisnin parulla kritike ndaj Republikës Islamike. Në një video që është shpërndarë shumë, Mohammadi dhe aktivistja tjetër Sepideh Gholian u panë duke qëndruar mbi një makinë, duke udhëhequr turmën me brohoritje sikurse “Rroftë Irani!”.

Pamjet e tjera treguan forcat e sigurisë duke u përplasur me pjesëmarrësit, me oficerët që sulmonin protestuesit ndërsa ata brohorisnin parulla kundër autoriteteve.

Zyrtarët në Mashhad më vonë konfirmuan se disa aktivistë civilë ishin arrestuar. Sipas zyrtarëve, ndalimi i Mohammadit ishte i përkohshëm dhe ishte urdhëruar nga zyra e prokurorit për shkak të asaj që ata e përshkruanin si “parulla që shkelin normat”. Sipas zyrtarëve, ata janë vendosur “nën mbrojtje” dhe se arrestimet u kryen “për sigurinë e tyre”.

Raportimet e mëhershme thanë se edhe disa figura të tjera të njohura, përfshirë Nasrin Sotoudeh, Aliyeh Motallebzadeh dhe Hasti Amiri, ishin të pranishme në këtë ceremoni.

Narges Mohammadi, 53 vjeçe, ka kaluar pjesën më të madhe të dekadës së fundit pas grilave. Ajo po vuante një dënim prej 13 vjetësh e nëntë muajsh burgim para se të lirohej për arsye shëndetësore në fillim të dhjetorit të vitit 2024.

Pas arrestimit të fundit, raportohet se ajo po merr trajtim mjekësor.

Që nga lirimi më 2024, Mohammadi kishte rifilluar aktivitetin e saj në fushën e të drejtave të njeriut, duke u takuar me aktivistë në të gjithë Iranin dhe duke marrë pjesë në diskutime ndërkombëtare, përfshirë konferenca virtuale me zyrtarë të huaj./Rel

Aksident tragjik në Kosovë, ndërron jetë ekspertja e ekonomisë nga Shqipëria

Dy gra humbën tragjikisht jetën sot më 12 dhjetor në një aksident të rëndë në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Viktimat janë Eorda Sinollari dhe Elizabeta Katija, kjo e fundit e njohur në mediat shqiptare si eksperte e ekonomisë.

Ngjarja ndodhi pas një përplasjeje mes një makine dhe një kamioni, ku për fat të keq, të dyja gratë humbën jetën. Ndërkohë, shoferi i kamionit ka pësuar lëndime dhe aktualisht po merr trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, sipas informacionit të dhënë nga autoritetet shëndetësore.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Sipas zëdhënësit Baki Kelani, aksidenti ndodhi sot rreth orës 07:40, në kilometrin e 26-të të autostradës “Ibrahim Rugova”. “Në këtë ngjarje ishin të përfshira një makinë me targa të huaja dhe një kamion me targa vendore. Fatkeqësisht, aksidenti solli pasoja fatale për dy gra”, tha Kelani.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e saktë të aksidentit dhe rrethanat që çuan në këtë tragjedi, ndërsa qytetarët dhe komuniteti janë tronditur nga humbja e dy grave.

Në mediat sociale dhe në komunitetin e ekonomistëve në Shqipëri, lajmi për vdekjen e Elizabeta Katiaj ka shkaktuar reagime të shumta, duke nënvizuar rëndësinë e kontributit të saj në fushën e ekonomisë dhe ndikimin e saj në publik.

zoom.al/

Serena Sula publikon “Diss One”, klipin e parë shqiptar të prodhuar me inteligjencë artificiale nga Acromax

Këngëtarja Serena Sula ka lansuar këngën e saj të re diss, “Diss One”, ku nuk kursen thumbat ndaj Encës dhe disa nga personazhet më të njohur të showbiz-it shqiptar.

Klipi është publikuar në kanalin e ‘Arkiva Shqip’ nga vetë Serena.


Ky është videoklipi i parë i prodhuar nga Acromax me ndihmën e inteligjencës artificiale, duke krijuar një efekt vizual të veçantë dhe duke nxjerrë në pah mesazhin e këngës.

Aldor Nini, CEO i Acromax në një intervistë të dhënë së fundmi deklaron se inteligjenca artificiale do të bëhet një nga instrumentet më të fuqishme për të vizualizuar imagjinatën artistike të çdo krijuesi. Sipas tij, në klipin e Serenës është arritur të krijohet diçka unike pa përdorur aktorë ose materiale të gatshme nga interneti, e cila lidhet në mënyrë perfekte me xhirimet reale të bëra me kamera tradicionale. Ky miksim teknologjik, sipas Ninit, mund të shënojë një hap të rëndësishëm në zhvillimin e industrisë së artit me ritme më të shpejta se ato të viteve të fundit.


Por “Diss One” nuk është vetëm një eksperiment teknologjik. Kënga kritikon shoqërinë moderne, duke nxjerrë në pah fenomenin e ndërhyrjeve estetike tek vajzat që synojnë pamjen perfekte. Serena, e njohur për paraqitjen e saj natyrale gjatë pjesëmarrjes në Miss Universe, përdor këtë këngë si një thirrje për të ruajtur origjinalitetin, pa hezituar të përfshijë mesazhe të forta ndaj personazheve të tjerë dhe elemente provokuese si kërcimi twerk.


Ky projekt tregon se artistët shqiptarë po eksplorojnë jo vetëm kufijtë e muzikës, por edhe mënyrat e reja të shprehjes vizuale, duke bashkuar kreativitetin me teknologjinë më të avancuar.

Kliko këtu për të dëgjuar këngën: https://www.youtube.com/watch?v=pTaDSuoae8M

Zoom.al/

Berisha pas vendimit të Kushtetueses: Rama e shpëtoi Ballukun, do të nisim protestat

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që riktheu në detyrë zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Nga një takim me qytetarët në Elbasan, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka ndikuar në vendimin e gjykatës dhe paralajmëroi nisjen e protestave të pandalshme deri në largimin e qeverisë.

Ai njoftoi se të shtunën në mesditë do të mblidhet urgjentisht Kryesia e PD-së, për të vendosur kalendarin e protestave dhe strategjinë e veprimit opozitar pas vendimit të Kushtetueses.

Berisha: Sot i hoqi masën e pezullimit. Shkon nesër në zyrë si zv kryeministri. E mori Ramën për fyti. Në Ankara e mori Rama Lubinë, kur bën pazarin e tunelit te Llogarasë. Diktoi çdo gjë sot Rama diktoi gjykatën dhe hoqi masën e pezullimit. Ne do ngrihemi dhe nuk do rendim gjer në largimin e tij. Ata që janë gati, me ata do ngrihemi. 3000 shqiptarë janë gati që nesër. Do shtohemi. Nuk rrihet më. E liroi. Për të zgjedhë kryetari i SPAK, duhet të shkojë gjithë bota aty se e rrëmben Edi Rama. A ecet kështu? Kemi punë me Edi Ramën. Është në gjak për votën tonë. O do votojmë të lirë ose do shuhemi.

Nuk mund të rrijmë në funksion të një farse. Janë diktaturat që do përfundojnë atje ku e kanë vendin. Ndaj dhe nesër në drekë mblidhet Kryesia e PD-së. Vendosë me urgjencë për fillimin e revoltave që nuk ndalen më kurrë gjer në largimin e Edi Ramës. Pati që nuk e kuptuan si duhet protestën e kryeministrisë. E filluam për të zenë vendin. Aty ditë e natë deri sa të rrëzojmë Edi Ramën. Është sheshi ynë, sheshi i fitores.

VIDEO/ Tensione poshtë Kryeministrisë, policia përplaset me protestuesit

Prej disa ditësh, aktivistë të Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, të udhëhequr nga Adriatik Lapaj, po zhvillojnë një protestë të vazhdueshme para godinës së Kryeministrisë në Tiranë.

Protestuesit u mblodhën edhe mbrëmjen e sotme për të kundërshtuar vendimin e kryeministrit Edi Rama për të mos shkarkuar zv.kryeministren Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur nga SPAK për abuzim me tendera.

Por situata u tensionua në momentin që protestuesve iu shkoi policia.

Efektivët e policisë ndërhynë për të larguar protestuesit nga zona e trotuarit pranë hyrjes së Kryeministrisë, çka shkaktoi momente tensioni dhe debate.

“Arrestoni hajdutët ore, ç’punë keni me ne”, “Turp, turp, turp”, thonë protestuesit.

Ata pretendojnë se efektivët po sulmojnë fizikisht të pranishmit, veçanërisht vajzat aktiviste.

Kjo nuk është hera e parë që policia ndërhyn në protestën e Adriatik Lapajt. Edhe dy ditë më parë Lapajt iu hoqën çadrat që kishte vendosur poshtë Kryeministrisë për të protestuar./ Zoom.al