zoom

Day ArchiveShpërthim tritoli në një biznes në Shkodër, detajet

Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Shkodrës.

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Skënderbeg”, ku është vendosur tritol në një biznes privat.

Raportohet se biznesi operon në fushën e reklamave dhe marketingut, në pronësi të shtetasit Lulzim Mehmeti. Ndërkohë lënda plasëse është vendosur në derën e biznesit.

Nga informacionet paraprake mësohet se fatmirësisht nuk ka persona të lënduar. Zoom.al/

Shkodër/Informacion paraprak

Rreth orës 22:20, në lagjen “Skënderbeg”, Shkodër, te dera e një subjekti për reklama, dyshohet se është vendosur lëndë plasëse. Si pasojë ka pasur vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Atentati ndaj Gilmando Danit në Rinas, shoqërohet një person nga Fushë Kruja!

Një person nga Fushë Kruja është shoqëruar nga policia lidhur atentatin mafioz ndaj Gilmando Danit dhe Muçi Shaljanit në Rinas.

Personi do të merret në pyetje si person që mund të ketë dijeni për rrethanat e ngjarjes, duke ndihmuar hetimin që po zhvillohet nga autoritetet.

Ende nuk dihen identiteti, por burimi bën të ditur se ai ndodhet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

Atentati ndodhi në një nga zonat më të sigurta, rrethrrotullimi i aeroportit të Rinasit. Por në orën 14:15 të 11 nëntorit, për rastësi aty pranë nuk ndodhej asnjë forcë policie, siç zakonisht stacionohen pranë aeroportit.

Gilmando Dani, sapo kishte zbritur nga avioni nga një fluturim nga Barcelona, ku kishte qëndruar 4 ditë. Zoom.al/

“S’kam interesa personale!”/ Takimet me demokratët, Salianji: Duhet ta zgjojmë PD-në

Ish-deputeti i PD-së Ervin Salianji, ka komentuar sërish takimet e tij me qytetarët demokratë, duke thënë se nuk ka aspak një interes personal por qëllimi kryesor është zgjimi i PD.

Salianji shprehet se Partia Demokratike aktualisht ndodhet në një status quo, që sipas tij i shërben qeverisë aktuale, duke penguar rritjen dhe hapjen e partisë, si dhe mbajtjen e përgjegjësive.

“Në këto kushte, bashkë me kolegët e tjerë kemi menduar se duhet ta zgjojmë PD-në dhe që të ndodhin proceset e tjera”, tha ai.

Ish-deputeti theksoi se ka marrëdhënie të mira me Sali Berishën, duke shtuar se angazhimi i tij nuk ka të bëjë me karrierën brenda partisë, por me shqetësimin për gjendjen e PD-së dhe nevojën për ripërtëritje.

“Unë e shoh që në këto momente jo vetëm që duhet të kemi disa hapa të rëndësishme në ripërtëritjen e PD-së, por duhet bërë sa më shpejt. PD është e domosdoshme për shoqërinë siç është tregua në këto kohë, më shumë se sa e domosdoshme. Forcimi i PD-së i shërben shoqërisë”, tha ai. Zoom.al/

Shembja e pallateve në Kombinat për Rindërtimin, Prokuroria e Tiranës firmos masat ndaluese ndaj zyrtarëve të bashkisë

Prokuroria e Tiranës ka firmosur masa ndaluese për pesë zyrtarë të Bashkisë Tiranë dhe tre përfaqësues të subjekteve, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim më shumë se një herë dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’.

Bëhet fjalë për shembjen e pallateve nën zonën e Kombinatit në kuadër të procesit të rindërtimit.

“Nga hetimet mbi procedimin penal nr.2505 të vitit 2021, nisur nga denoncimi i shtetasit A.Xh për prishjen nga IMT të pallatit të tij, pa njoftim e pa vendim zyrtar, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë në bashkëpunim me Seksionin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë Tiranë, provoi se në Janar 2021 janë shembur 6 objekte nga Bashkia Tiranë, duke përfshirë edhe pallatin nr.140 që ishte objekti i hetimit. Ndërsa në mars 2021, nga ana e Këshillit Bashkiak u miratua fondi për “Demolimin dhe evadimin e mbetjeve ndërtimore” për 15 pallate duke përfshirë dhe objektet e demoluara më parë që në muajin janar nga Bashkia Tiranë”, thuhet në njoftim.

Masat e sigurisë ndaj personave nën hetim:

“Arrest në shtëpi” për shtetasin Aurel Çuko.,Drejtor i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim me shumë se një herë;

“Arrest në shtëpi” për shtetasin Aurel Boriçi,Drejtori i Drejtorisë së Emergjencave Civile, për kryerjen e veprave penale “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim më shumë se një herë;

“Detyrim paraqitje” për shtetasen Eleana Guçe, Përgjegjese e Sektorit të Politikave të Kompesimit nga Fatkeqësitë natyrore tëDrejtorisë së Emergjencave Civilepër kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim me shumë se një herë;

“Detyrim paraqitje” për shtetasen Rexhina Rakipi, Specialiste e IMT, për kryerjen e veprës penale “Shperdorimi detyre”;

“Arrest në shtëpi” për shtetasin Sokol Qehajaj, Specialist i IMT, bashkia Tiranë, për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”;

“Detyrim paraqitje” për shtetasen Aleksandra Muhametllari, mbikëqyrëse e punimeve, përfaqësuese e BOE “Maging shpk & Imes-D shpk” për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim me shume se nje herë;

‘Detyrim paraqitje’ për shtetasin Shyqyri Maloku, përfaqësues ligjor i BOE “Arb & Trans-2000” shpk dhe “KLAJGER Konstruksion” shpk dhe Adminstrator i Subjektit “Arb & Trans -2000” shpk, për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim më shumë se një herë; dhe

‘Detyrim paraqitje’ për shtetasin Fatmir Firi përfaqësues ligjor i BOE “Arb & Trans -2000” shpk dhe “KLAJGER Konstruksion” shpk për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve” kryer në bashkëpunim me shumë se një herë. Zoom.al/

Messi, lojtari më i vlerësuar në kampionatin amerikan

Lionel Messi fiton çmimin e Lojtarit më të Vlerësuar të Kampionatit, ndërsa udhëhoqi Inter Miami në fitoren e titullit kampion për herë të parë në MLS.

Argjentinasi bëhet lojtari i parë që e fiton trofeun dy herë radhazi.

Messi dha dy asiste ndërsa skuadra e tij mundi Vancouver Whitecaps 3-1 titullin në MLS.

Tetë herë fituesi i ‘Topit të Artë’ e përfundoi fazën play-of me gjashtë gola e nëntë asiste.

“Është gjithmonë diçka e veçantë të marrësh çmime individuale, por dua ta ndaj këtë me shokët e mi të skuadrës, sepse pata fatin të fitoja edhe Këpucën e Artë, dhe kjo falë të gjithëve atyre. Jam i lumtur që marr këtë çmim, që jam i pari në historinë e ligës që e fiton atë dy herë radhazi, dhe jam shumë mirënjohës”, tha Messi.

Argjentinasi e mbylli vitin futbollistik me 29 gola dhe 19 asiste.

Messi gjithashtu u bë lojtari i parë në historinë e MLS që regjistron 10 ndeshje me më shumë se një gol brenda një sezoni. Zoom.al/

Lapajt i shkon Policia/ Tensione te protesta para Kryeministrisë

Një skenë e paprecedentë ka ndodhur para Kryeministrisë. Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj nisi një protestë ditën e djeshme, ndërsa sot ka ndërhyrë policia.

Lapaj vendosi të bëjë një protestë ndryshe, pasi dje u ul në një karrige dhe deklaroi se do të qëndrojë aty duke protestuar i vetëm.

Sot ka pasur shumë të tjerë që i janë bashkuar, por në mbrëmje ai ka tentuar të vendosë një çadër kampingu para Kryeministrisë, për t’u bërë ballë temperaturave.

Por në këtë moment ka ndërhyrë policia, duke mos lejuar ngritjen e saj teksa me dhjetëra efektivë janë përplasur me Lapajn dhe aktivistë të “Shqipëria Bëhet”.

Në fund u bë sekuestrimi i çadrës dhe më pas efektivët u larguan.

Më herët, Lapaj tha se kjo protestë erdhi si pasojë e mosreagimit të qytetarëve ditën e djeshme në “Ditën e Rinisë”, pasi shoqëria dhe rinia janë drejt një dëmtimi të pakthyeshëm. Qëllimi i kësaj proteste është largimi i Edi Ramës nga posti i kryeministrit. Zoom.al/

Konkurrenca bllokon shitjen e Tring, nis procedurë hetimi të thelluar

Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të nisë proçedurë të thelluar ndaj shitjes së platformës Tring. Përmes një vendimi të posaçëm, Komisioni i Konkurrencës sqaron edhe arsyet se pse ka vendosur të fusë në hetim të thelluar transaksionin.

“Shoqëria blerëse nuk ka aktivitet (shoqëri holding) dhe nuk ka eksperienca të mëhershme në tregun e media audiovizive. Nisur nga struktura e tregut përkatës, mungesa e një informacioni të plotë për të vlerësuar mundësinë reale të blerësit për të ushtruar aftësitë funksionale dhe për të siguruar vijueshmërinë e aktivitetit ekonomik të shoqërisë target, me qëllim vlerësimin e efekteve të transaksionit mbi konkurrencën në treg, kërkohet një analizë më të thelluar e ndikimit dhe pasojave në tregun përkatës të produktit,” thuhet në vendim.



Blerësi i Tring është një shoqëri e quajtur Vertex Holding, e cila është themeluar në QKB disa muaj më parë. Pronari i kësaj shoqërie është një shtetas kosovar i quajtur Valon Shala, i cili ka punuar në kompanitë e Devollëve.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, sipas parashikimeve të nenit 56 “Procedura paraprake” të Ligjit 9121/2003, në rastet kur ka dyshime se potencialisht përqendrimi mund të shfaqë shenja anti konkurruese, vendoset fillimi i procedurës së thelluar.

“Procedura e thelluar në rastet e kontrollit të përqendrimeve ka të bëjë më kryerjen e analizave më të thelluara ekonomike dhe të efekteve që ky përqendrim sjell në treg. Gjatë kësaj procedure dhe kur ka dyshime apo shfaqen shqetësimi se ky transaksion mund të kufizojë konkurrencën në treg, kërkohet një informacion më i detajuar, përfshirë edhe dokumente të brendshme të vetë ndërmarrjes apo edhe pyetësorë,” thuhet në vendimin e Konkurrencës.

Raporti i procedurës së thelluar duhet të paraqitet në Komisionin e Konkurrencës jo më vonë se 3 muaj dhe më pas Komisioni do të vendosë nëse do t’i japë dritën jeshile shitjes së Tring. Kapitali.al/

Zhduket liderja e opozitës së Venezuelës, anulohet konferenca për fituesen e Nobelit për Paqe

Konferenca e sotme për shtyp në Oslo me fituesen e Çmimit Nobel për Paqen, Maria Korina Maçado, udhëheqësen e opozitës së Venezuelës, u anulua, sipas Institutit Norvegjez të Nobelit, i cili shtoi se “nuk ka asnjë informacion” mbi vendndodhjen e saj.

Maçado është parë publikisht për herë të fundit më 9 janar gjatë një proteste në Karakas, ku kundërshtoi betimin e Nicolás Maduro-s për mandatin e tij të tretë presidencial.

Konferenca e sotme për shtyp, e cila tradicionalisht zhvillohet nga fituesi i Nobelit një ditë para ceremonisë së ndarjes së çmimeve, pritej të ishte paraqitja e saj e parë publike pas 11 muajsh. Megjithatë, ajo fillimisht u shty disa orë para nisjes dhe më pas u anulua plotësisht.

Instituti deklaroi se Maçado “ka thënë në intervista se udhëtimi drejt Oslos do të ishte jashtëzakonisht i vështirë”. Megjithatë, familja e saj kishte mbërritur tashmë në kryeqytetin norvegjez për ceremoninë e së mërkurës. As nëna e saj nuk e ka parë që prej janarit.

Ekipi i Maçados nuk ka dhënë asnjë koment. Por, sipas The Guardian, ka të dhëna se Maçado ka mbërritur në Evropë, ndoshta me ndihmë nga SHBA, duke u larguar nga Venezuela përmes Porto Rikos.

Në vendin e saj ajo akuzohet për “veprime konspirative, nxitje urrejtjeje dhe terrorizëm”. Nëse largohet nga vendi për të marrë pjesë në ceremoninë e Nobelit, autoritetet e Venezuelës do ta konsiderojnë atë “të arratisur”.  Zoom.al/

3 shenjat që ndikohen nga Jupiteri retrogradë: Do të shihni mundësi që i keni anashkaluar

Dashi
Jupiteri retrogradë ju ndihmon të shihni mundësi që mund t’i keni anashkaluar. Pasi t’i njihni, nuk do t’i injoroni më. Vështrimi dhe koha punojnë në favorin tuaj dhe do të vini re se ambiciet tuaja përputhen me energjinë tuaj. Një ide paraqitet aq natyrshëm saqë ndihet si hapi tjetër i pashmangshëm. Ju e njihni potencialin e kësaj mundësie dhe jeni gati të lëvizni në drejtimin e duhur. Energjia dhe qartësia rriten. Ndiheni si një magnet për gjëra të bukura dhe jeta juaj është në rrugën e përmirësimit të ndjeshëm.

Gaforrja
Ky aspekt ju tregon se sa të realizueshme janë gjërat kur përpiqeni vërtet. Mendimi pozitiv është çelësi. Kur i shihni situatat si të realizueshme, bota përreth jush përshtatet. Jupiteri në lëvizje retrogradë zbulon zgjedhje që mbështesin nevojat tuaja emocionale dhe praktike, duke ju dhënë mundësinë të ecni përpara me besim. Ndiheni plotësisht të përafruar me qëllimet tuaja. I shihni mundësitë dhe jeni gati të ndërmerrni veprime. Kjo ditë ju mbush me optimizëm për të ardhmen. Mundësitë lindin sepse i kushtoni vëmendje kohës së duhur dhe lejoni që njohuritë t’ju udhëheqin.

Peshqit
Kursi retrogradë i Jupiterit forcon intuitën tuaj, në mënyrë që t’u besoni plotësisht zgjedhjeve tuaja. Nuk ka hezitim në këtë ditë. Ju e kuptoni se koha e duhur luan një rol vendimtar në suksesin tuaj, dhe kështu ju tërheqni energjinë e duhur. Koha është ideale për të ecur përpara me zgjedhje që më parë ju dukeshin të pasigurta. Ju ndjeni se universi ju mbështet. Jupiteri ju mbush me motivim dhe frymëzim. Që tani e tutje, e tëra çfarë duhet të bëni është të vazhdoni me të njëjtin qëndrim pozitiv./ Zoom.al

Metës i ndalohet rrushi në qeli: Mund ta bëjë raki

Inspektimi i kryer nga Avokati i Popullit mbi kushtet e paraburgimit të ish-presidentit Ilir Meta ka nxjerrë në pah disa shkelje të standardeve ligjore.

Sipas raportit zyrtar, Meta nuk po trajtohet sipas rregullave të parashikuara për të paraburgosurit.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, deklaron se ish-presidentit nuk i lejohet as marrja e frutave nga familjarët, për arsye që ai i quan qesharake.

Rrushi dhe kumbullat mund të fermentohen dhe të përdoren për prodhimin e rakisë, ndërkohë që kufizimet prekin edhe librat.

Blushi shton se Meta nuk ka mundur të komunikojë përmes telefonit me të për shtatë muaj dhe se nuk ka pasur mundësi as të takojë as deputetë, as eurodeputetë, apo ambasadorë. Ai thekson se janë shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e ish-presidentit për të pasur kontakt me përfaqësues politikë dhe për lirinë e fjalës.

“Më është ndaluar t’i çoj edhe libra, sepse duhet t’i sjellë familja librat dhe askush tjetër. Më është ndaluar e drejta për ta informuar lidhur me analizat e ndryshme në shtypin botëror, me pretendimin se këto analiza mund të përmbajnë fotografi të personave që kanë shkruar artikujt dhe që në bazë të rregullores së burgjeve, nuk lejohet asnjë foto tjetër përveç familjes i paraburgosuri mund të mbajë në qeli.

U shkel e drejta e zotit Meta për të takuar funksionarë të partisë, është shkelur e drejta e tij për të takuar veçanërisht deputetë dhe eurodeputetë të ndryshëm, dhe është shkelur në mënyrë flagrante e drejta e tij dhe liria e fjalës në veçanti”, tha Tedi Blushi gjatë një interviste./ Zoom.al