zoom

Day ArchiveUshtarët francezë qëllojnë dronët mbi bazën bërthamore të nëndetëseve

Ushtarët francezë të marinës qëlluan ndaj pesë dronëve të panjohur që fluturuan mbi bazën strategjike të nëndetëseve bërthamore në Île Longue, në Brittany, të enjten në mbrëmje, konfirmuan zyrtarët ushtarakë të premten.

Ngjarja ndodhi rreth orës 19:30, në bazën që shërben si qendër operative për flotën franceze të nëndetëseve me raketa balistike me fuqi bërthamore: Le Triomphant, Le Téméraire, Le Vigilant dhe Le Terrible. Një batalion i infanterisë detare, përgjegjës për sigurinë e bazës, aktivizoi menjëherë protokollet anti-dron dhe qëlloi disa rrethime kundër pajisjeve të depërtuara, sipas gjendarmerisë rajonale.

Pas incidentit u zhvillua një operacion i gjerë kontrolli, por autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse ndonjë nga dronët u neutralizua. Ministrja e Mbrojtjes, Catherine Vautrin, tha se trupat interceptuan fluturimin e paautorizuar, pa dhënë detaje mbi metodat e përdorura.

“Çdo fluturim mbi një objekt ushtarak është i ndaluar në vendin tonë. Dua të përgëzoj ndërhyrjen e forcave tona në bazën Île Longue”,tha ajo.

Aktualisht nuk është identifikuar ndonjë aktor i veçantë pas fluturimit, dhe nuk ka lidhje të konfirmuar me ndërhyrje të huaj, sipas prokurorit publik të Rennes, Frédéric Teillet. Ai shtoi se ushtarët përdorën një pengues sinjali dhe jo armë zjarri, dhe nuk u rrëzuan dronë, as nuk u identifikuan pilotët. Infrastrukturat kritike mbetën të sigurta gjatë gjithë incidentit.

Ngjarja e së enjtes shënon një përshkallëzim krahasuar me fluturimet e mëparshme të paautorizuara në rajon. Aktiviteti i dronëve në EU ka rritur shqetësime kohët e fundit, duke shkaktuar ndërprerje të fluturimeve civile dhe duke u vërejtur pranë objekteve ushtarake. Ndërkohë, Rusia ka qenë e përfshirë në shkelje të hapësirës ajrore në vende si Estonia dhe Polonia. Zoom.al/

Aksident i rëndë në Unazën e Madhe, humb jetën 38-vjeçari

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e sotme, rreth orës 21:00, në Unazën e Madhe të Tiranës.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, në ngjarje janë përfshirë dy automjete dhe një motomjet. Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën drejtuesi i motomjetit, shtetasi O. Xh., rreth 38 vjeç.

Njoftimi i policië:

Rreth orës 21:00, në Unazë të Madhe, dyshohet se janë përfshirë në një aksident rrugor 2 automjete dhe 1 motomjet.

Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën drejtuesi i motomjetit, shtetasi O. Xh.,  rreth 38 vjeç.

Drejtuesit e 2 automjeteve shtetasit Gj. L dhe A. Sh, ndodhen në vendin e ngjarjes për veprime të metejshme proceduriale, ndërkohë Grupi Hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit. Zoom.al/

2026: Këta burra të zodiakut do të jenë thjesht të papërmbajtshëm!

Viti i ri 2026 duket se do të jetë një periudhë e jashtëzakonshme për disa burra, të cilët do të jenë protagonistët absolutë të jetës sociale dhe romantike.

Ata do të karakterizohen nga vetëbesim i shtuar, optimizëm dhe stabilitet, ndërsa jeta e tyre dashurore do të jetë e mbushur me pasion dhe emocione të forta. Mund të shfaqen lidhje të reja, por përgjithësisht këta burra do të jenë shumë të kërkuar, duke tërhequr vëmendjen e shumë grave njëkohësisht.

Sharmi dhe energjia e tyre do të jenë të papërmbajtshme. Pushtimet dhe përvojat romantike do t’u rrisin moralin dhe do t’i bëjnë të ndihen si gjysmëperëndi. Jupiteri do të ketë rol kryesor në këtë shkëlqim, duke u dhënë atyre aurën, magnetizmin dhe “fuqinë erotike në rritje,” që do t’i bëjë të padiskutueshëm në sytë e të tjerëve.

Sipas astrologëve, Binjakët dhe Shigjetari do të përfitojnë më së shumti në fillim të vitit, falë ndikimit të Jupiterit në shtëpitë përkatëse. Fati, bukuria dhe aventurat romantike do të jenë pjesë e përditshme e jetës së tyre. Më vonë, pas 30 qershorit, kur Jupiteri të kalojë në Luan, Gaforrja dhe Bricjapi do të ndjejnë valën e pasionit dhe tundimeve, duke përjetuar momente të zjarrta dhe marrëdhënie plot dinamizëm dhe emocion.

Ndikimi i Jupiterit nuk zgjat gjatë, ndaj këta burra do të përpiqen të shfrytëzojnë çdo mundësi që viti u ofron, duke jetuar përvoja dashurie të paharrueshme dhe aventura që do t’u mbeten në mendje gjatë gjithë vitit.

Njësoj si në vitin 2010, ja cila do të jetë ndeshja hapëse e Botërorit 2026

Historia ka një mënyrë të veçantë për t’u përsëritur.

16 vjet pas përballjes të paharrueshme të 11 qershorit 2010 në Johannesburg, Meksika dhe Afrika e Jugut do të ndeshen përsëri në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026.

Kjo rastësi e fatit na rikthen kujtimet e golit legjendar të Siphiwe Tshabalala dhe barazimit 1-1 që shënoi fillimin e Kupës së Botës të parë të zhvilluar në kontinentin afrikan.

Për këtë edicion të vitit 2026, atmosfera do të jetë krejtësisht ndryshe: këtë herë, dy ekipet do të përballen në Estadio Azteca në Ciudad de México, një stadium ikonë të futbollit latin dhe një skenë për disa nga momentet më të paharrueshme të këtij sporti.

Për Afrikën e Jugut, rikthimi në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës është një mundësi e rrallë, pothuajse historike, për të kujtuar botës se ata mund të garojnë me elitat e futbollit—pikërisht ashtu siç bënë në vitin 2010.

Ky turne do të shënojë fillimin e Kupës së Botës 2026, edicioni i parë me 48 ekipe, një turne i zgjeruar dhe i riformatuar. Dhe çfarë mënyre më të mirë për të nisur festën më të madhe të futbollit sesa me një përballje plot simbolikë dhe histori?

Familjarët e Erion Bobës akuzuan për neglizhencë, reagon Spitali i Durrësit

Pas akuzave të forta të familjarëve të 15-vjeçarit Erion Boba, i cili humbi jetën pas plagëve të marra në zemër nga bashkëmoshatari i tij, Spitali Rajonal i Durrësit ka reaguar duke u justifikuar se i mituri kishte mbërritur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, ndërsa ka mohuar kategorikisht pretendimet se gjatë operacionit “kanë ikur dritat”.

Në reagimin zyrtar të spitalit thuhet se “pacienti ka mbërritur në gjendje kritike, me shok traumatik dhe hemorragjik”, ndërsa ekipi mjekësor “ka ndërhyrë menjëherë me procedura emergjente për stabilizimin e tij”.

DEKLARATË PËR SHTYP

Duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen e të miturit E.B, i cili humbi jetën informojmë opinionin publik se pacienti është paraqitur në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, në shok traumatik–hemorragjik.

Ekipet mjekësore kanë ndërhyrë menjëherë me procedura emergjente të specializuara, duke arritur stabilizimin fillestar dhe trajtimin intensiv pasues. Komplikacionet e zhvilluara janë pasojë e gjendjes kritike dhe arrestit kardiak traumatik.

Në vijim të publikimeve mediatike mbi pretendimin se gjatë ndërhyrjes kirurgjikale në Spitalin Rajonal Durrës “kanë ikur dritat”, sqarojmë opinionin publik si më poshtë:

Pas verifikimeve të kryera me ekipet e sallës së operacionit, anestezistët dhe stafin e reanimacionit, nuk është konstatuar asnjë ndërprerje energjie gjatë operacionit të pacientit në fjalë.

Sistemi i gjeneratorit aktivizohet automatikisht dhe pajisjet jetike kanë bateri të brendshme rezervë, që sigurojnë vazhdimësi të plotë edhe në rast të luhatjeve të mundshme.

Gjithashtu, ashensorët e spitalit janë funksionalë dhe të mbuluar me kontratë aktive mirëmbajtjeje, me mekanizma ndërhyrjeje të menjëhershme në rast defektesh.

Spitali Rajonal Durrës është i angazhuar për garantimin e kujdesit shëndetësor dhe bashkëpunon plotësisht me institucionet kompetente për sqarimin e ngjarjes. Zoom.al/

Këngëtari i njohur konfirmohet si banor i BBVA 5

Pas shumë zërave dhe spekulimeve që kanë qarkulluar javët e fundit, tashmë është konfirmuar një tjetër emër surprizë që do t’i bashkohet shtëpisë së “Big Brother VIP Albania 5”.

Bëhet fjalë për këngëtarin e njohur të muzikës popullore, Kristi Lamaj, i cili prej kohësh ishte përmendur si një kandidat potencial për këtë edicion.

Sipas informacioneve të siguruara nga “Prive”, Kristi është kontaktuar nga produksioni i programit dhe ka pranuar ftesën për të qenë pjesë e këtij sezoni. Pjesëmarrja e tij pritet të sjellë një frymë të re në shtëpi, duke rritur kuriozitetin e publikut për mënyrën se si do të përballet me provat dhe dinamikat që karakterizojnë këtë format.

Kristi Lamaj është një emër i njohur për publikun shqiptar, jo vetëm për zërin e tij të veçantë në muzikën popullore, por edhe për karrierën e tij të gjatë dhe kontributin në skenën muzikore. Prania e tij në “Big Brother VIP” shihet si një surprizë e këndshme nga fansat, të cilët janë kuriozë të shohin anën e tij më personale dhe interaktive jashtë skenës muzikore.

Ekspertët e formatit reality thonë se Kristi mund të sjellë dinamika të forta në marrëdhëniet me banorët e tjerë, duke ndikuar në marrëdhënie, miqësi dhe rivalitete brenda shtëpisë. Ndërkohë, fansat e programit tashmë po presin me padurim startin e sezonit, që premton emocione, surpriza dhe momente të papritura.

Vendosen grupet e Botërorit, Shqipëria dhe Kosova mësojnë kundërshtarët nëse kualifikohen

Është hedhur në Uashington shorti final i Botërorit 2026.

Janë konfirmuar 42 ekipet pjesëmarrëse, ndërsa 6 kombëtare do të mësohen në muajin mars, pas “play off”-it, aty ku bëjnë pjesë Shqipëria dhe Kosova.

Shorti i Botërorit

Grupi A: Meksika, Koreja e Jugut, Afrika e Jugut, Fituesi i Play off D (Danimarka, Maqedonia e Veriut, Çekia dhe Irlanda).

Grupi B: Kanadaja, Zvicra, Katar, Fituesi i Play off A (Italia, Uellsi, Irlanda e Veriut dhe Bosnja Hercegovine).

Grupi C: Brazil, Marok, Skocia, Haiti. 

Grupi D: SHBA, Australia, Paraguaji, Fituesi i Play off C (Kosova, Turqia, Sllovakia dhe Rumania)

Grupi E: Gjermania, Ekuador, Bregu i Fildishtë, Kurasao. 

Grupi F: Holanda, Japonia, Tunizia, Fituesi i Play Off B (Shqipëria, Polonia, Ukraina dhe Suedia)

Grupi G: Belgjika, Iran, Egjipt, Zelanda e Re. 

Grupi H: Spanja, Uruguai, Arabia Saudite, Kapo Verde. 

Grupi I: Franca, Senegal, Norvegjia, Fituesi i Play off 2 (Fituesi i Irak/ Bolivi-Surinam). 

Grupi J: Argjentina, Austria, Algjeria, Jordania. 

Grupi K: Portugalia, Kolumbia, Uzbekistan, Fituesi Play off 1 (Kongo/ Xhamajka-Kaledonia e Re)

Grupi L: Anglia, Kroacia, Panama, Gana.

PZAP rikthen Listën Serbe në zgjedhjet e 28 dhjetorit 

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka vendosur që ta certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Përmes një vendimi të publikuar më 5 dhjetor, PZAP-ja tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka ofruar “asnjë arsyetim” për refuzimin e rekomandimit për certifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhje.

“… Pranohet rekomandimi i Zyrës për Certifikim dhe Kontroll Financiar në KQZ, i datës 2 dhjetor, certifikohet subjekti politik Lista Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme”, u tha në vendimin e publikuar më 5 dhjetor.

Sipas PZAP-it, vendimi i KQZ-së është “i mangët, jo i plotë dhe nuk i trajton çështjet dhe faktet vendimtare që lidhen me vlerësimin e kushteve ligjore për certifikimin e subjektit politik”.

Ky panel tha se Lista Serbe ka plotësuar kushtet e parapara me ligj për pjesëmarrje në zgjedhje.

Në mbledhjen e 2 dhjetorit, rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – mori vetëm dy vota për, dy ishin kundër dhe shtatë anëtarë abstenuan.

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin të vetmit që votuan kundër.

Kurteshi tha gjatë mbledhjes se “e kam thënë gjithmonë se kjo parti punon kundër interesave të Kosovës”.

Vendimi u kritikua nga Serbia dhe u dënua nga bashkësia ndërkombëtare.

Kjo ishte hera e tretë që Lista Serbe u përball me përpjekje për të mos ia lejuar pjesëmarrjen në zgjedhje qoftë parlamentare apo lokale këtë vit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë tha në Facebook të mërkurën se përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe “janë shkurtpamëse dhe përçarëse”.

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë theksoi se “politizimi i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë e tjera politike është i dëmshëm për procesin zgjedhor gjithëpërfshirës”.

Jonathan Hargreave, ambasador i Mbretërisë së Bashkuar, u shpreh se ndihet “i shqetësuar” për përpjekjen e fundit nga aktorët politikë për të mos e lejuar Listën Serbe të marrë pjesë në proceset zgjedhore.

“Veprime të tilla rrezikojnë të minojnë reputacionin e fituar me vështirësi të Kosovës si një demokraci shumetnike dhe të dëmtojnë marrëdhëniet me partnerët e saj të ngushtë”, tha Hargreaves në Facebook.

Ndërsa, Ambasada e Gjermanisë shprehu “keqardhjen për sjelljen penguese të disa anëtarëve” të KQZ-së.

“Procesi zgjedhor dhe përgatitjet teknike për zgjedhjet duhet të jenë të lira nga manovrimet politike të aktorëve politikë”, shkroi ajo në Facebook.

Edhe për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe ato lokale të 12 tetorit, KQZ-ja nuk e kishte certifikuar Listën Serbe. Vendimi më pas ishte rrëzuar nga PZAP-ja./REL

Shorti i Botërorit në Washington, presidenti Trump merr “Çmimin e Paqes FIFA”

Prej orës 18:00 ka nisur në “Kennedy Center” në Uashington, ceremonia e shortit për fazën finale të Kupës së Botës 2026.

Në nisje të ceremonisë më të rëndësishme futbollistike në botë, Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i dha çmimin e “Paqes” Presidentit të SHBA-ve Donald Trump, për kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë përgjatë këtij viti në mbylljen e disa konflikteve botërore, duke nisur nga ai mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, Indi-Pakistan, e deri te konflikti mes Izraelit dhe Palestinës.

Në fjalën e tij presidenti Trump tha se është mjaft i lumtur që ka ndalur këto konflikte pasi janë shpëtuar miliona jetë njerëzish.

“Është një nga nderimet më të mëdha. Para shumë fjalëve, ne kemi ruajtur shumë e shumë jetë. Në Indi–Pakistan në një mënyrë ose në një tjetër kjo luftë duhet të mbarojë. Është nder të jem këtu me ju dhe keni bërë një punë shumë të mirë me një shitje rekord të biletave. Për futbollin kjo është e mrekullueshme, numrat janë përtej pritshmërive. Dua të falënderoj Melania-n dhe mendoj se po bëni shumë mirë. Kemi pasur një marrëdhënie shumë të mirë edhe me Kanadanë dhe Meksikën. Kemi pasur një bashkëpunim të mirë”, u shpreh Trump.

Dua t’ju falënderoj të gjithëve; bota është një vend më i sigurt tani dhe ne kështu duam që ta mbajmë.

Kujtojmë se ky short është mjaft i veçantë edhe për Shqipërinë dhe Kosovën, pasi presin të mësojnë kundërshtarët e mundshëm në Kupën e Botës, gjithmonë nëse arrijnë të kalojnë me sukses ndeshjet e play off-it në muajin mars.

Moti për nesër, ja kur do të pushojnë reshjet

Ditën e shtunë vendi ynë do të jetë në ndikim të masave ajrore të paqëndrueshme.

Moti parashikohet të jetë me vranësira mesatare deri të dendura.

Reshjet e shiut do të jenë të herëpashershme me intensitet kryesisht të ulët që në orët e para të 24-orëshit në pjesën më të madhe të territorit e lokalisht deri mesatar.

Pas orëve të mëngjesit gradualisht reshjet e shiut do të humbasin intensitet dhe territor duke u lokalizuar vetëm përgjatë relieveve malore të vendit me intensitet të ulët deri në orët e mbrëmjes.


Era do të fryjë me drejtim nga kuadrati veriut me shpejtësi mesatare deri në 8m/sek, në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare era fiton shpejtësi deri në 18m/sek.
Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon i forces 2-4 ballë./ Zoom.al