zoom

Day ArchiveHoxha qetëson Dinamon e Zagrebit

Arbër Hoxha do të jetë i gatshëm për Dinamon e Zagrebit në derbin ndaj Hajdukut. Lojtari pësoi një dëmtim ndaj Goricës, por gjendja e tij është e mirë.

Arbër Hoxha ka qetësuar Dinamon e Zagrebit, pasi doli duke çaluar nga ndeshja kundër Goricës në kampionatin kroat.

Skuadra e sulmuesit të Shqipërisë e fitoi takimin e javës së 15-të me rezultatin 2-0.

Në minutën e 88-të, Hoxha u përplas ashpër me Bakiç dhe doli nga fusha me barrelë.

I kontaktuar, lojtari 27-vjeçar tregoi se nuk ka asnjë shqetësim dhe ndihet mirë.

Më 6 dhjetor do të luhet derbi i Kroacisë midis Dinamos dhe Hajdukut të Splitit, dy ekipeve me më shumë rivalitet në vend, dhe prania e Hoxhës është e rëndësishme për skuadrën kryeqytetase.

Lojtari kuqezi po kalon një formë mjaft të mirë këtë sezon, ku në 14 ndeshje ka realizuar 5 gola dhe ka dhënë edhe 2 asiste, duke u bërë një nga futbollistët kyç të Dinamos.

Në total, këtë sezon ai është aktivizuar në kampionat 785 minuta, ndërsa në Ligën e Europës 395 minuta.

Dolce mohon lidhjen me Edin në Grande Fratello

Rrugëtimi i Dolce-s në Grande Fratello po zhvillohet pa tensione dhe me shumë harmoni.

Ajo duket se është integruar shpejt me banorët e tjerë dhe ka krijuar një atmosferë të mirë sociale brenda shtëpisë. Megjithatë, teksa publiku nisi të hamendësonte për jetën e saj sentimentale, veçanërisht pas afrimit me Edin, Dolce vendosi të flasë hapur.

Gjatë një bisede të sinqertë me banorët, ajo sqaroi se pavarësisht afërsisë që mund të ketë me disa prej tyre, nuk ka asnjë ndjenjë romantike për asnjërin.

“Kam një lloj afërsie me dikë, por jo pëlqim romantik. S’kam dashuri ose lidhje me askënd,” tha ajo, duke hedhur poshtë çdo aludim për një romancë me Edin.

Deklaratat e saj vijnë në një kohë kur publiku dhe mediat kanë nisur të komentojnë për puthjet e afërsitë mes tyre, duke sugjeruar një marrëdhënie që po lindte brenda shtëpisë. Por Dolce e mohoi prerazi këtë.

Ajo shpjegoi se, teorikisht, nuk është kundër një lidhjeje brenda programit, por thjesht nuk ka gjetur askënd që i përshtatet.

“Do lidhesha brenda shtëpisë, por nuk është askush që më pëlqen. Ka disa që janë të bukur, por nuk janë tipi im. Domethënë, janë të bukur, por tipi im s’është asnjëri prej tyre,” u shpreh ajo.

Për momentin, Dolce ka vendosur t’i fokusohet eksperiencës së saj në Grande Fratello, duke hequr mendjen nga Big-u i Kosovës, dhe nga Edi, i cili po e pret dhe po e kujton çdo ditë.

Elon Musk kryeson, lista e 10 personave më të pasur sipas Forbes

Teknologjia kompjuterike, mediat sociale dhe inteligjenca artificiale dominojnë listën e njerëzve më të pasur në botë për dhjetorin, sipas Forbes.

Elon Musk mbetet lideri i pasurisë globale me një vlerë prej 483 miliardë dollarësh, edhe pse aksionet e Teslës ranë 6%, duke ulur pasurinë e tij me 15 miliardë dollarë.

Dhjetë personat më të pasur janë:

Elon Musk

Larry Page

Larry Ellison

Jeff Bezos

Sergey Brin

Mark Zuckerberg

Bernard Arnault

Jensen Huang

Michael Dell

Warren Buffett

Pasuria e tyre e kombinuar arrin 2.4 trilionë dollarë.

Pas publikimit të modelit të inteligjencës artificiale Gemini 3 të Google në mesin e nëntorit, pasuria e Larry Page u rrit në 262 miliardë dollarë, ndërsa Sergey Brin arriti 242 miliardë dollarë. Warren Buffett u rendit në vendin e 10-të me një pasuri prej 152 miliardë dollarësh. Ndërkohë, pasuria e Larry Ellison ra në 253 miliardë dollarë dhe e Jensen Huang në 154 miliardë dollarë, për shkak të rënies së aksioneve të kompanive të tyre.

Kjo renditje tregon ndikimin e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në pasuritë personale të liderëve globalë.

Arrestimi i Mogherinit dhe dy diplomatëve të tjerë/ ‘Politico’ zbardh hetimin

Policia belge bastisi zyrat diplomatik të BE-së në Bruksel dhe Kolegjin e Evropës në Bryzh si pjesë e një hetimi për mashtrim të dyshuar në lidhje me financimin e zyrtarëve të ulët, ku si rezultat u arrestuan 3 zyrtarë të lartë, mes tyre edhe shefja e Diplomacisë në BE, Federica Mogherini.

Sipas Prokurorisë Europiane (EPPO), ekzistojnë “dyshime të forta” se të arrestuarit janë të përfshirë në shkelje të rregullave të konkurrencës gjatë dhënies së një kontrate për funksionimin e Akademisë Europiane të Trajnimit të Diplomatëve.

Përveç Federica Mogherinit, në pranga është marrë edhe ish-diplomati italian i BE-së Stefano Sannino, si dhe bashkë-drejtori i Zyrës së Trajnimeve Ekzekutive në Kolegjin e Europës, Cesare Jegretti.

Sipas ‘Politico’, kontrollet, të cilat u kryen pas kërkesës së EPPO-s, u realizuan nga policia belge në zyrat e Shërbimit Europian për Veprim të Jashtëm (EEAS) në Bruksel, në godinat e Kolegjit të Europës në Brugge dhe në banesa private.

EEAS është departamenti i politikës së jashtme të BE-së. Deri në vitin 2019, në krye të tij ishte ish-nënkryetarja e Komisionit Europian, Federica Mogherini. Në vitin 2020, ajo mori postin e rektorit të Kolegjit të Europës, një institucion arsimor për të ardhmen e zyrtarëve të BE-së.

Stefano Sannino, ish-diplomat italian, ka qenë zyrtar i lartë në EEAS dhe aktualisht është Drejtor i Përgjithshëm i Komisionit Europian për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe rajonin e Gjirit.

Cesare Jegretti, i treti i arrestuar, është bashkë-drejtor i Zyrës së Trajnimeve Ekzekutive dhe Projekteve në Kolegjin e Europës, raporton Politico.

Derisa tani nuk janë ngritur akuza zyrtare ndaj të arrestuarve. Hetuesi ka 48 orë kohë për të vendosur për veprime të mëtejshme, sipas një zyrtari tjetër të informuar mbi hetimin. Komisioni Europian ka refuzuar të bëjë koment.

Autoritetet belge po hetojnë Akademinë Europiane të Diplomacisë së BE-së, një program për diplomatë të rinj nga vendet e BE-së, që funksionon në Kolegjin e Europës. Mogherini është drejtuese e institucionit që nga gushti i vitit 2022.

Sipas EPPO-s, ekzistojnë “dyshime të forta” për shkelje të rregullave të konkurrencës kur EEAS i dha tenderin Kolegjit të Europës për krijimin e akademisë diplomatike. Hetimi fokusohet nëse Kolegji i Europës ishte njoftuar për kriteret e procesit të përzgjedhjes para publikimit zyrtar.

Një zyrtar i lartë i BE-së tha për Politico se kontrollet lidhen me një hetim që kishte filluar para se Kaya Kallas, përfaqësuesja aktuale e lartë për politikën e jashtme të BE-së, të merrte detyrën.

Sipas një zyrtari anonim të EEAS, kontrolli u zhvillua në zyrat administrative të EEAS në Bruksel, në Rue d’Arlon 62, dhe jo në godinën kryesore në Sheshin Schuman. Policia kërkoi nga punonjësit të lëshonin ambientet dhe të linin dyert e zyrave të hapura, si dhe mobiljet e tyre.

Stefano Sannino ka mbi 30 vjet eksperiencë në diplomaci dhe politikë europiane. Ai ka shërbyer si Drejtor i Përgjithshëm i EEAS dhe si ambasador i Italisë në Spanjë.

Me studime në Universitetin Federico II të Napolit, Sannino hyri në shërbimin diplomatik italian në 1986. Në vitin 2002, iu bashkua Komisionit Europian si këshilltar për marrëdhënie të jashtme dhe tregti në ekipin e Romano Prodit, dhe më pas shërbeu si Drejtor për Menaxhimin e Krizave dhe si përfaqësues i Komisionit në Komitetin për Politikë dhe Siguri. Në 2006 u bë Këshilltar Diplomatik i Prodit si Kryeministër i Italisë.

Në vitin 2013 u emërua Përfaqësues i Përhershëm i Italisë në BE, dhe në janar 2020, u bë Sekretar i Përgjithshëm i EEAS, duke luajtur një rol kyç në politikën e jashtme të BE-së deri në 2024. Më pas, u emërua Drejtor për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Gjirin (DG MENA).

Sannino është gjithashtu aktiv në mbështetje të komunitetit LGBT+. Ai ka deklaruar hapur se është homoseksual dhe i martuar me katalanasin Santiago Montragón Vial. Në 2016 mori çmimin Transexualia për angazhimin e tij në integrimin e personave trans në Spanjë, si dhe çmimin LGBT Andalucía për luftën kundër homofobisë. Në 2018 ngriti flamurin e ylberit në Ambasadën Italiane për Pride-in e Madridit.

Cesare Zegretti, me shtetësi italiane dhe belge, ka studiuar në LUISS të Romës dhe është bashkë-drejtor i Zyrës së Trajnimeve Ekzekutive, Edukimit dhe Projekteve në Kolegjin e Europës që nga janari 2022.

Ai u bashkua me Kolegjin e Europës në janar 2016 si Koordinator Projekti dhe ka përvojë në zhvillimin e biznesit, projektimin e projekteve dhe menaxhimin e programeve ndërkombëtare. Ai merret me politika bashkëpunimi ndërkombëtar, diplomacinë publike të BE-së dhe veprimet e jashtme.

Një nga projektet që ai mbikëqyr është European Resources for Mediation Support – ERMES, që ndihmon BE-në të mbështesë palët e treta në proceset e ndërmjetësimit dhe dialogut paqësor.

Para se të bashkohej me Kolegjin e Europës, Cesare Zegretti ka punuar për dy kompani europiane që ofronin shërbime për institucionet europiane dhe ndërkombëtare në fushën e sigurisë, si dhe për OJQ që menaxhon fushata për të drejtat e njeriut.

Zëdhënësja e Komisionit Europian, Anita Hipper, konfirmoi se policia kreu kontrolle në EEAS të martën si pjesë e një “hetimi në zhvillim për aktivitete të kryera gjatë mandatit të mëparshëm”, para rizgjedhjes së Ursula von der Leyen në krye të Komisionit Europian në dhjetor 2024.

Megjithatë, zyrtarët e Komisionit nuk komentuan nëse ndonjë prej stafit të komisionit ishte arrestuar ose dhanë detaje shtesë për hetimin.

EPPO konfirmoi se kishte kërkuar heqjen e imunitetit që zakonisht i jepet diplomatëve, dhe kërkesa u pranua. Ende nuk është bërë e qartë se në cilat organe u parashtruan kërkesat.

Kosovë/ KQZ-ja nuk certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e dhjetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës nuk e ka certifikuar Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve të Kosovës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Rekomandimi për certifikimin e Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, i mori vetëm 2 vota për, 2 kundër dhe 7 abstenime gjatë një mbledhjeje të KQZ-së të martën pasdite.

Përpjekjet e kaluara për t’ia ndaluar pjesëmarrjen në zgjedhje kësaj partie ishin kundërshtuar ashpër nga bashkësia ndërkombëtare.

Lista Serbe mund të ankohet ndaj këtij vendimi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi, ishin zëshëm kundër certifikimin të kësaj partie dhe ishin të vetmit që votuan kundër.

Kurteshi tha gjatë mbledhjes se “e kam thënë gjithmonë se kjo parti punon kundër interesave të Kosovës”.

Anëtarët e partive të tjera politike shqiptare në KQZ abstenuan nga votimi.

Kjo është hera e tretë që KQZ-ja nuk e certifikon fillimisht këtë parti, pasi ngjashëm veproi edhe për zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit dhe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Në të dy rastet e mëhershme, PZAP-ja ia kishte rrëzuar vendimin e KQZ-së.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lista Serbe i fitoi 9 prej 10 ulëse të garantuara për pakicën serbe në Kuvendin e Kosovës.

Ndërsa, ajo i fitoi të gjitha 10 komunat me shumicë serbe në zgjedhjet lokale të tetorit, duke u rikthyer në pushtet pasi i kishte braktisur institucionet e Kosovës më 2022.

Gjatë mbledhjes të martën, KQZ tha se 24 subjekte politike, prej të cilave 18 parti politike, 3 koalicione, 2 iniciativa qytetare dhe 1 kandidat i pavarur, aplikuan për zgjedhjet e këtij muaji.

Në këtë mbledhje, ajo i certifikoi 22 subjekte politike./REL

Lezhë/ Plagoset rëndë një person, niset me urgjencë te Trauma

Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e kësaj të marte zonën pranë kryqëzimit të fshatit Rrilë në Lezhë.

Një i ri, rreth të tridhjetave, me mbiemrin Pepkola, është dhunuar rëndë dhe ka marrë plagë të shumta, pasi dyshohet se është goditur me sende të forta.

I riu u transportua fillimisht në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku mori ndihmën e parë mjekësore. Për shkak të gjendjes së rënduar, ai u dërgua menjëherë në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa motivet e ngjarjes mbeten ende të paqarta. Zoom.al/

U ekzekutua me 2 plumba, publikohen pamje nga momenti i vrasjes së biznesmenit Mondi Mëhalla

Këto janë pamjet nga momenti i ekzekutimit të biznesmenit Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla të dielën në Elbasan.

Siç shihet edhe në foto, autori i është afruar pranë makinës biznesmenit dhe ka qëlluar me armë zjarri.

Policia ka identifikuar dy autorët e ekzekutimit mafioz, Marselo Arani dhe Armando Kola, të cilët janë shpallur në kërkim.

Ndërkohë në që në pranga është vënë ish-ortaku i Mëhallës, në biznesin që ai kishte me taksitë, Xhino Ago. Policia thotë se Ago është i dyshuar si bashkëpunëtor në krim, dhe akuzohet për  “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.

Xhino Ago në deklaratën e dhënë në polici ka gënjyer kur është pyetur se ku ndodhej në momentin e  vrasjes së Mëhallës.

Po ashtu në pranga ka rënë edhe Kujtim Pisha 52 vjeç, roje e karburantit të Mondi Mëhallës  për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.

Dy ekzekutorët, Marselo Arani  32 vjeç, banues në Elbasan, i cili ka pasur masë sigurie “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale dhe Armando Kola  35 vjeç, banues në Laç, akuzohen për  veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit” si dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Policia thotë se ka arritur të zbardhë të gjithë mekanizmin e ngjarjes të dokumentuar edhe me pamje filmike, ndërsa janë sekuestruar dokumente shitblerjeje automjeti, 3 celularë dhe 2 DVR. Zoom.al/

Pas 4 vitesh lidhje, fejohet Miley Cyrus

Këngëtarja 33 vjeçare, Miley Cyrus, është fejuar me muzikantin 27 vjeçar, Maxx Morando, pas katër vitesh lidhje. 

Sipas burimeve për “People”, lajmi u konfirmua menjëherë pasi Miley u pa në premierën filmit Avatar: Fire and Ash, më 1 dhjetor 2025 në Los Anxheles, me një unazë diamanti në gishtin e fejesës.

Unaza është dizajnuar nga stilistja e bizhuterive Jacquie Aiche përmban një gur në formë “cushion-cut” dhe është vendosur në një rreth të trashë prej ari të verdhë 14 karatësh. 

Miley dhe Maxx u lidhën për herë të parë në fund të vitit 2021 pasi u njohën përmes një “blind date”. Në 2022 ata bënë publike lidhjen e tyre. 

Në vitin 2024, burime thanë se çifti po jeton së bashku. 

Për Miley-n kjo është fejesa e dytë — më herët ajo ishte martuar me aktorin Liam Hemsworth nga dhjetor 2018 deri në gusht 2019.

Pas humbjes së djalit/ Nëna e Shpat Kasapit: Kishim parandjenjë, prej një viti…

Nëna e Shpat Kasapit ka folur për të birin e ndjerë në Akademinë Përkujtimore në Çair, duke përcjellë ndjesitë e saj për lajmin e hidhur.

Gjylymsere Kasapi, prej vitesh mësuese, tregoi se gjysma e shpirti të saj ka humbur, pas vdekjes së beftë dhe të parakohshme të këngëtarit.

“Sot do thoni pse nuk jam në gjendje të flas. 22 vjet kam ligjëruar, por sot ndiej një emocion që kurrë në jetë nuk e kam ndjerë. Dhe e dinë të gjitha nënat që e kanë humbur fëmijën e vet.”

Ajo shprehu gjithashtu krenarinë e saj për rritjen e Shpatit, të cilin e ka dashur shumë jo vetëm familja, por edhe publiku:

“Në një aspekt tjetër, jam shumë krenare dhe e lumtur që paskam lindur një djalë, jo vetëm i imi, por i të gjithëve. Ju e paskeni dashur dhe unë nuk e kam ditur që e keni dashur kaq shumë.”

Më tej, ajo tregoi se Shpati nuk ka qenë i qetë këtë vit dhe se shpreson të prehet në paqe.

“Le të prehet në paqe. Le të jetë i qetë atje, pasi vitin e fundit nuk ka qenë i qetë. Kjo ka qenë parandjenjë e gjithë neve që jemi shqetësuar si familje.”

Në fund, ajo bëri një lutje për pjesën tjetër të familjes, që do të jenë edhe motivi i saj në vitet në vijim:

“E lus Zotin, me lutjet e mia më të fuqishme që të më ruajë fëmijët e tjerë, dritat e syve: Albinin, Jehonën, nipërit, mbesat, Roelin dhe Selvijen, që do më mbajnë të gjallë nëse jam në jetë tutje. Le të prehet në lulet e xhenetit!”, përfundoi ajo.

Shpat Kasapi ndërroi jetë pas një sulmi në zemër në moshën 40-vjeçare. Ai u përcoll për në banesën e fundit ditën e diel, në Tetovë, mes nderimeve dhe homazheve që bënë bashkë familjarë, miq dhe dashamirës së muzikës së tij.

Veza Fabergé shitet për një rekord prej 30.2 milionë dollarësh në një ankand të rrallë

Një nga vezët e fundit Fabergé u shit për 30.2 milionë dollarë, të martën, duke thyer rekordin e vet si vepra më e shtrenjtë e argjendarit rus që është shfaqur ndonjëherë në ankand.

E porositur nga Cari Nikolla II si dhuratë për nënën e tij në vitin 1913, Veza e Dimrit i shkoi një blerësi të paidentifikuar pas një beteje ofertash 3-minutëshe në shtëpinë e ankandeve Christie’s në Londër.

Shuma rekord e tejkaloi pak vlerësimin para shitjes së Christie’s prej 26 milionë dollarë.

Çmimi pasqyron rrallësinë në rritje të Vezëve Perandorake të Shtëpisë së Fabergé, asnjëra prej të cilave nuk është parë në ankand për më shumë se 23 vjet. Shtëpia historike e argjendarisë në Shën Petersburg prodhoi vetëm 50 prej tyre, dhe Veza e Dimrit është një nga vetëm shtatë të mbetura në duar private. Të tjerat ose mungojnë ose janë në pronësi të institucioneve ose muzeve.

Vezët e zbukuruara me gurë të çmuar u prodhuan për Nikollën II dhe paraardhësin e tij Aleksandër III, i cili ia paraqiti ato si dhurata të Pashkëve anëtarëve të familjes midis viteve 1885 e 1916. Secila prej tyre zgjati rreth një vit për t’u projektuar dhe prodhuar, me carët që zakonisht porosisnin artikujt e zbukuruar menjëherë pasi të fundit ishin dorëzuar.

/Zoom.al