zoom

Day ArchiveGazetarja Nika Novak zhduket nga burgu në Siberi

Ish-bashkëpunëtorja e Radios Evropa e Lirë, Nika Novak – e cila u dënua me burgim vitin e kaluar nga një gjykatë ruse për shkak të ushtrimit të detyrës së saj profesionale – është zhdukur nga një qendër korrektuese në Siberi, tha avokatja e saj të hënën.

Julia Kuznetsova tha në një postim në rrjetet sociale se duket se Novak po transferohej nga Kolonia Penale Nr. 11 në fshatin Bozoj, në rajonin Irkutsk, megjithëse destinacioni i saj mbetet i panjohur.

“Këtë javë, një koleg avokat u përpoq ta vizitonte Nikën, por iu mohua hyrja”, shkroi Kuznetsova.

“Ai vuri re zhurmë të madhe dhe një numër të madh të oficerëve të Komitetit Hetimor në burg. Stafi i burgut nuk po shpjegon saktësisht se çfarë ka ndodhur”, shtoi ajo.

Kuznetsova tha se më 30 nëntor ajo telefonoi burgun për ta pyetur për Nikën, por kërkesa nuk iu pranua dhe iu kërkua të paraqiste një kërkesë zyrtare, gjë që ajo më pas e bëri.

Novak u dënua me katër vjet burgim pas një gjyqi me dyer të mbyllura për “bashkëpunim konfidencial me një shtet të huaj, organizatë ndërkombëtare ose të huaj”, një dënim që ajo dhe organizatat për të drejtat e njeriut e konsiderojnë të padrejtë.

Ajo u transferua në Koloninë Penale Nr. 11 më 1 mars, ku u ankua për kushte të ngjashme me torturën, para se të hynte në grevë urie.

Ajo tha se u vendos në izolim pasi refuzoi t’i japë intervista mediave ku duhej të pretendonte se “gjithçka është në rregull në koloninë penale dhe të burgosurit janë të lumtur” dhe për refuzimin për të punuar si rrobaqepëse.

Presidenti i Radio Evropa e Lirë, Steve Capus, u ka bërë thirrje autoriteteve ruse ta lirojnë atë, duke thënë se dënimi i saj me akuza “politikisht të motivuara synon të heshtë dhe frikësojë gazetarët individualë”.

Para arrestimit, Novak kishte punuar për ChitaMedia dhe kishte qenë kryeredaktore e faqes Zab.ru. Ajo kontribuoi në programet e Siberia.Realities të REL-it në vitin 2022.

Rasti i 33-vjeçares shënoi herën e parë që një gazetar u dënua nën nenin 275.1, një vepër që u fut në ligj vetëm në vitin 2022, muajt pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia.

Përshkallëzojnë protestat në Greqi/ Pika kufitare e Kakavijës ende e bllokuar

Pika kufitare e Kakavijës vijon të jetë e mbyllur për shkak të protestës së fermerëve grekë, që ka nisur prej ditës së djeshme.

Raportohet se këtë të hënë protesta e fermerëve grekë po bëhet në Kallpaq, ku kryqëzohen rrugët e dy pikave të kalimit Kufitar Kakavijë e Tre Ura.

Fermerët kërkojnë nga qeveria e Greqisë fonde, teksa theksojnë se fondet e Bashkimit Europian që duhej tu jepeshin janë shpërdoruar.

Ata kanë paralajmëruar se nëse s’do të ketë bisedime do të ketë bllokime në të gjithë territorin grek, raportojnë mediat e huaja.

Shpat Kasapi u nda nga jeta, përplasje e fortë mes dy Adelina-ve: Tahiri kritikon koncertin e Ismailit

Vdekja e papritur e këngëtarit të njohur, Shpat Kasapi, ka lënë një boshllëk të madh në skenën muzikore shqiptare dhe ka nxitur reagime të ndryshme nga artistët.

Së fundmi, ngjarja ka sjellë edhe një përplasje publike mes dy këngëtareve të njohura, Adelina Tahirit dhe Adelina Ismailit, lidhur me etikën e sjelljes në ditë zie.

Adelina Tahiri, e ftuar në emisionin e T7, kritikoi ashpër kolegen e saj për faktin se ajo ka mbajtur koncert pikërisht natën kur u bë i ditur lajmi tragjik për humbjen e Kasapit. Tahiri theksoi se, edhe pse nuk ishte e nevojshme të anulohej koncerti, pritej një gjest minimal nderimi për artistin e ndjerë. Ajo deklaroi: “Unë e përgëzoj për arritjet dhe sukseset, por atë natë në koncert ishte dashtë të mbajë të paktën një minutë heshtje ose një fjalim të shkurtër… s’po them ta anulojë koncertin, por të kishte vetëm diçka aty.”

Kritika e Tahirit u ashpërsua më tej kur e konsideroi mungesën e reagimit si një veprim të papranueshëm moral për një artiste të nivelit të Adelina Ismailit. “E mjerueshme që nuk e ka kujtuar fare,” përfundoi Tahiri, duke theksuar rëndësinë e respektit dhe solidaritetit në komunitetin muzikor.

Deri tani, Adelina Ismaili nuk ka reaguar publikisht ndaj këtyre kritika, duke lënë vend për spekulime dhe debate mes fansave dhe mediave. Ky incident ka rikthyer në vëmendje etikën dhe përgjegjësinë e figurave publike në momente të dhimbshme dhe ngjarje tragjike, duke nxitur një diskutim të gjerë mbi respektin dhe kujtimin e artistëve të ndjerë. Zoom.al/

Vrasja e Mondi Mëhallës/ Gazetarja: Viktima ka qenë nën hetim për armë dhe dokumente false

Gazetarja Anila Hoxha, ka ndarë detaje të reja lidhur me vrasjen e biznesmenit Edmond Hyka, i njohur ndryshe si Mondi Mëhalla, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Elbasan.

E ftuar në emisionin Top Story, Hoxha kujtoi se një vit më parë viktimës i ishte kryer një kontroll në banesë, ku u gjetën dokumente të falsifikuara dhe një armë. Për këtë arsye, ai u akuzua për armëmbajtje pa leje.

Gazetarja shtoi se hetimet aktualisht po përqendrohen te Ronaldo Gjoni, nga Lezha. Dyshohet se ai u identifikua përmes një automjeti të djegur, i cili më parë ishte shitur te një person tjetër. Grupi hetimor po verifikon përdoruesit e fundit të makinës.

Një tjetër pistë lidhet me të kaluarën e të ndjerit. Në vitin 2024, banesa e tij u kontrollua për narkotikë, ku u gjetën armë dhe dokumente false. Megjithatë, çështja u pushua pasi nëna e tij deklaroi se Hyka nuk kishte dijeni për armën e gjetur.

“Për momentin Ronaldo Gjoni. Ende nuk ka një pistë konkrete për të vendosur gishtin. Renaldo Gjoni është nga Lezha, ka dyshime që u identifikua nga automjeti i djegur.

Makina dyshohet se ishte shitur kohë më pare te një person tjetër. Grupi hetimit është fokusuar te përdoruesit e fundit të makinës. Drejtimi tjetër lidhet e të kaluarën e të ndjerit që në 2024 u kontrollua edhe banesa për narkotikë. Është kryer një kontroll ku u gjet një armë dhe dokumente false dhe u ngrit akuza për të ndjerin për armë-mbajtje pa leje. Nëna pretendonte se i biri nuk kishte dijeni për armën dhe nga kjo çështja u pushua.

Në Elbasan ka grupe kriminale me veprimtari disavjeçare që kanë veprimtari në Amerikën Latine. Qyteti i Elbasanit është në vendin e 2 për shpërndarjen e drogës në qytet, sidomos në lagjen 5 maj. Ka nisur edhe procedim penal pasuror për të ndjerin”, u shpreh gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.

Vrasja në Elbasan/ Ndalohet një person, detajet

Naldo Gjini nga Lezha është arrestuar mbrëmjen e kësaj të hëne në Elbasan, lidhur me vrasjen e ndodhur një natë më parë.

Ndërkohë, policia po ushtron kontroll në banesën e tij në Lezhë. Dyshohet që ky person ka përdorur më parë mjetin ‘Audi’ që u dogj pas ngjarjes.

Edmond Mëhalla u vra mbrëmjen e djeshme në Elbasan. I njohur edhe si Edmond Hyka, ai u qëllua menjëherë pasi doli nga biznesi i tij dhe u fut në makinë, aty ku u ekzekutua me dy plumba.
Zoom.al/

Endri Meksi dhe lidhja me tunelin e Llogarasë: 33 mln € tendera, 140 emisione kundër Veliajt dhe pastrim parash

Endri Meksi, pronar i televizionit mediokër MCN TV që e mban ndezur vetëm një moderator, ushqehet me para publike, me djersën e qytetarëve, përfshirë miliona euro që qarkullojnë në aferën më të përfolur infrastrukturore: Tuneli i Llogarasë.

Në një kohë kur qytetarët presin transparencë dhe hetuesit shqiptarë të asistuar nga ata amerikanë po ndjekin gjurmët e të paktën 90 milionë eurove, i biri i Kompetentit të Piramidave Endri Meksi ngre studio televizive dhe mbron aferat qindra milionë euro të degëve të qeverisë, me të cilat ka lidhur kontrata me natyrë korruptive përmes kompanive të tij, me vlerë dhjetëra milionë euro.

Vetëm kundër Erion Veliajt, duke mjegulluar njëkohësisht aferën e Tunelit të Llogarasë, Endri Meksi ka prodhuar rreth 140 emisione propagadistike. Kjo nuk është media, por është pengmarrje e gazetarisë nga gjobaxhiu Endri Meksi, që nuk paguan as pagat dhe as sigurimet, madje fyen me fjalor banal gazetarët që kërkojnë pagat.

Ndërkohë që nga dosja e Tunelit të Llogarasë po dalin dhe pritet të dalin detaje llahtarisëse, një pjesë e parave dyshohet se kanë shkuar për MCN TV, përmes kamuflimit me kompani klienteliste. Dhe në qendër të këtij zinxhiri financiar-politiko-mediatik, del ‘pinguini’ Endri Meksi.

Me çfarë parash mbahet ai televizion, që nuk ka asnjë reklamë?

Kush paguan për transmetimin e mbi 140 emisioneve radhazi kundër të të njëjtit armik politik, Erion Veliaj?

A është Tuneli i Llogarasë burimi i financimit të MCN TV?

Nëse një media financohet nga një projekt publik që akuzohet për miliona të errëta, dhe më pas përdoret për të sulmuar një figurë politike, atëherë kemi të bëjmë jo me gazetari, por me shantazh institucional.

Ky është momenti, kur SPAK duhet të gjurmojë lekët e Tunelit të Llogarasë, ku kompania nënkontraktore i ka derdhur një pjesë tek MCN TV.

Ky është vetëm fillimi. Dosja duhet hapur deri në fund. Dhe kur të hapet, do të nuhasim erën e vërtetë të Tunelit, dhe në fund të tij do dalë dhe ‘pinguini’ Endri Meksi, i cili e ka nisur aktivitetin me kontrabandë mallrash me shoferët e Kompetentit, për të vijuar me mashtrime kompjuterike, call centera, lojëra fati të palejuara, tendera korruptivë, manipulim tenderash, evazion fiskal, gjobëvënie dhe pastrim parash. 

Koncensioni korruptiv i mbikqyrjes së lojërave të fatit. Pse duhet të hetohet nga SPAK-u? 

Ashtu siç fshihet pas faqeve dhe profileve ordinere duke sharë pas ferre ‘miq’, ‘shokë’, ortakë dhe funksionarë publikë për t’u marrë tendera, djali i Kompetentit të Piramidave, Endri Meksi ka vendosur të fshihet pas mamasë, Dhurata Meksi, në zbatimin e skemës monopoliste dhe korruptive për mbikqyrjen e lojërave të fatit në Shqipëri, përmes kompanisë Moligix, të cilën e kontrollon me anë të kompanisë së shitjes së kompjuterave MC Networking.

Arsyet dhe rrethanat se pse koncensioni duhet të jetë objekt hetimi nga SPAK konsistojnë në faktin se shërbimi është përfituar me vendim qeverie me pazar në tavolinë, dy muaj para se të themelohej kompania koncensionare, në shkelje të barazisë në tendera dhe ankandeve publike, me grup fiktiv kompanish, pa plotësuar kriteret, përmes mashtrimit dhe në fshehtësi, në funksion të skemës korruptive dhe me natyrë mafioze për kontrollin e lojërave të fatit pas nxjerrjes jashtë loje nga forca të tjera të Ervis Martinajt, i njohur si ish mbreti i kumarit.

Endri Meksi, biri i Kompetetit të Piramidave Aleksandër Meksi, ka vendosur mamanë Dhurata Meksi administratore të mbikqyrjes së kumarit, pikërisht si mburojë në rast veprimi të drejtësisë.

Fakte dhe rrethena

Në qershor 2017, Endri Meksi, përmes kompanisë MC Networking, themelon në bashkëpunim kompaninë Moligixme objekt projektimin, financimin, ndërtimin, implementimin dhe mirëmbajtjen e Sistemit Qendror të Monitorimit On-Line (SQMO) të industrisë së lojrave të fatit në Shqipëri etj.

Ndërkohë që në 6 qershor 2017 është themeluar kompania koncensionare Moligix, në 26 prill 2017, Niko Peleshi, asokohe zëvëndëskryeministër, ka firmosur në vend të Edi Ramës koncensionin e mbikqyrjes së lojërave të fatit për grupin e kompanive ATSI spolka akcyjna, Admiral Sportwetten GmbH dhe MC Networking, që të tria të përfaqësuara nga Endri Meksi.

Dy muaj pas fitimit të koncensionit, tre kompanitë, dy nga të cilat shoqëri formale të sajuara nga Meksi në funksion të krijimit fiktiv të grupit të kompanive fituese, kanë themeluar kompaninë Moligix për zbatimin e koncensionit të dyshimtë. Përmes kësaj lëvizje, Meksi ka mundësuar zotërimin e koncensionit me 98 % të aksioneve, pasi ATSI spolka akcyjna dhe Admiral Sportwetten GmbHqëllimisht u tërhoqën, duke pasur vetëm nga 1 % të aksioneve tek kompania Moligix, zbatuese e koncensionit.

Tre vjet më vonë, në korrik 2020, Endri Meksi cakton mamanë Dhurata Meksi administratore të kompanisë Moligix, e cila do të mbikqyrë aktivitetin e lojërave të fatit, për hapjen e të cilave po lobohet dhe janë paracaktuar përfituesit e të paktën 8 licencave.

Kompanitë me të cilat djali i Kompetentit të Piramidave fitoi koncensionin e mbikqyrjes së lojërave të fatit, të cilat tashmë kanë dalë jashtë loje, ATSI spolka akcyjna dhe Admiral Sportwetten GmbH dhe MC Networking, janë shoqëri të sajuara nga e njëjta dorë në qytetin turistik Krakow të Polonisë si dhe në qytetin austriak Wiener Neustadt.

Dy kompanitë rezulton që janë përdorur për fasadë për të kopsitur letrat e koncensionit me fitues të paracaktuar. Pasi Dhurata Meksi bëhet administratore e Moligix, 100 % të aksioneve të grupit të kompanive zotëruese të Moligix kalojnë në duart e Endri Meksit, duke u bërë pronar i vetëm i koncensionit, ndonëse dyshohet se edhe vetë djali i Kompetentit është prestanome.

Kompania MGR, të cilës shoqëria Admiral Sportwetten GmbH i shiti 1 % të aksioneve që zotëronte tek Moligix, kontrollohet pikërisht nga Endri Meksi, i cili qëndron gjithashtu pas një rrjeti kompanish me veprimtari të dyshimtë.

MC Networking shpk, me pronar Endri Meksi, përfituese e mbi 12 milionë euro para publike gjatë pesë viteve të fundit me kontrata klienteliste, korruptive dhe produkt gjobëvënie, ka 99 % të aksioneve në kompaninë Moligix, e cila do të mbikqyrë aktivitetin e lojërave të fatit. Kompania ka si objekt shitje kompjuterash dhe aksesorë të ndryshëm elektronike dhe informatike.

Pra, një kompani që shet kompjutera, pa përvojë në lojërat e fatit, përpos kumarit me fatin e shqiptarëve në 1996, ka fituar koncensionin e mbikqyrjes së lojërave të fatit në Shqipëri.

20 kompani të dyshimta

Endri Meksi, ortak me Amant Josifin e call centrave dhe përfitues i miliona eurove tenderave publikë me hije korrupsioni, kontrollon rreth 20 kompani, përmes të cilave dyshohet se është përfshirë në vepra të rënda penale si pastrim parash, korrupsion, mashtrim me pasoja të rënda etj.

Pjesë e këtij rrjeti janë; Albcan Albania, MC Networking, Moligix, JOHANITERI, Interweb.al, KONNECT shpk, epay.al, ngn shpk, MCN Shpk, MCN SERVICES Shpk, MEDIUM PR&ADS Sh.p.k, Tema TV, 2 M Ltd, CODELAND Sh.p.k, HDS Sh.p.k, 528Hz Sh.p.k, MGR Sh.p.k, NT TECHNOLOGIES POLAND AKCYJNA, M.POS-Limited etj. Me këto firma, i biri Leka Meksit, dyshohet se qarkullon e pastron paratë që babai i tij u vodhi shqiptarëve në vitet 1992-1996 nëpërmjet Sudes, Xhaferrit, Alimuçajt, Drizës dhe Shemsie Kadrisë të “Gjallicës”.

Krahas kompanive, Kompetentëtposedojnë edhe 50 pasuri të paluajshme, me vlerë miliona euro, me burim të dyshimtë. Pasuritë janë në emrin e Aleksandër, Dhurata, Endri dhe Redon Meksi. Ka dyshime gjithashtu se një pjesë e pasurive burojnë nga veprimtaria e Kompetentit Aleksandër Meksi, ish-kryeministër i hajdutërisë me firmat piramidale, pas shkrumbimit të Shqipërisë në 1997, ku një pjesë e parave të zhvatura u investuan në biznes, troje dhe kulla.

Endri Meksi ortak me Amant Josifin e call centrave

Amant Josifi, kreu i organizatës kriminale ndërkombëtare të mashtrimit ‘Milton Group’ për Shqipërinë, vijon aktualisht aktivitetin kriminal në Dubai, ku është strehuar për t’i shpëtuar arrestimit, si njeriu më i kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe spanjolle si arkitekti i ngritjes së rrjetit më të frikshëm të mashtrimit me investimet e parave në bursat online. Një hetim i shtirë në disa vende, përfshirë Shqipërinë, Gjeorgjinë, Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Ukrainën, zbuloi vjedhjen e të paktën 2.5 miliardë euro përmes mashtrimit.

Për të finalizuar përvetësimin e shumave përmes mashtrimit, ‘Pirati i Ballkanit’ kishte ngritur një rrjet bashkëpunëtorësh, kryesisht në Tiranë, të cilët administronin call centrat, të cilët kishin mbrojtje të përbashkët policore. Josifi u ekspozua falë këmbënguljes së autoriteteve spanjolle, gjermane dhe italiane. 

Operacioni vetëm sa e ekspozoi Amant Josifin, pasi banda e tij nuk u prek. Perandoria e tij krimianale-financiare i shpëtoi goditjes. Të besuarit e tij vijuan qetësisht aktivitetin kriminal të zhvatjes së qytetarëve evropianë dhe pastrimin e parave, produkt i skemës së mashtrimit, nën ombrellën e krijuar nga Josifi, i cili kishte edhe lidhjet e duhura politike si ish këshilltar i ish ministres Olta Xhaçka, si djali i kryembikqyrëses së administratës publike Pranvera Strakosha dhe si ortak me njerëz të pushtetshëm dhe një rrjet mashtruesish.

Një nga ortakët e Amant Josifit, i cili nuk u prek nga operacioni i SPAK, është pikërisht Endri Meksi. Josifi dhe Meksi janë ortakë në kompaninë e mashtrimit me call centera MCN SERVICES shpk, themeluar në qershor të vitit 2014. Dyshja Meksi-Josifi kanë operuar si ortakë me kompaninë e call centrave për pesë vite.

Në qershor të vitit 2019, Endri Meksi i ka blerë 30 % të aksioneve Amant Josifit, pikërisht kur organet e huaja ligjzbatuese po gjurmonin një nga mashtruesit më të famshëm shqiptar.

Zyrtarët që i japin para publike Endri Meksit me tendera korruptivë, 33 milionë euro nga Vis Berberi dhe Gentian Gjyli që i përlau SPAK

Vetëm gjatë pesë vitet e fundit, përmes kompanisë MC Networking, Endri Meksi ka marrë mbi 12 milionë euro para publike, me tendera klientelistë, me pazar në tavolinë, me garë të manipuluar dhe pa garë as formalisht, me fond limit gati sa oferta fituese dhe në disa raste duke mashtruar me zbatimin e kontratave të shërbimit.

Po kush janë funksionarët publikë që kalojnë paratë publike në llogarinë e kompanisë së Edndri Meksit?

IdentiTek sh.a., ndërmarrja publike që ofron aplikimin, prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike, ka kaluar dhjetëra mijëra euro në llogarinë e kompanisë së Endri Meksit. Tenderat janë firmosur nga ish drejtoresha Loina Prifti, e cila i kishte vendosur vetes rrogë mujore 15 mijë euro. Prifti u shkarkua pas një auditimi nga Ministria e Brendshme, ku u konstatuan afera me fondet publike dhe një sërë shkeljesh në menaxhimin e fondeve dhe praktikave ligjore të ruajtjes së të dhënave sensitive.

Kontrata me MC Networking për trasmetimin e të dhënave midis zyrës qendrore dhe zyrave në rrethe po zbatohet nga administratorja e IdentiTek sha, Freskida Halilaj, ish drejtoreshë e shitjeve në kompaninë Digicom Albania. Halilaj është denoncuar nga mediat për presion ndaj punonjësve për të kopsitur letrat për afera korruptive.

Katër kontrata me vlerë mbi 100 mijë euro me kompaninë e Meksit i ka kopsitur letrat dhe finalizuar Julian Zanaj, drejtor i Prokurimeve në bashkinë e Tiranës, i padehur nga SPAK si pjesë e grupit 5D për afera me tendera, korrupsion dhe pastrim parash.

Nga kreu ish kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, në burg me kërkesë të SPAK për afera me tendera, djali i Kompetentit të Sudes ka përfituar në bashkëpunim tenderin me vlerë 21 milionë euro me objekt “Qendra e monitorimit të trafikut (200 km) faza e parë”.

Tenderi është abuziv, i panevojshëm, i sajuar për të ndarë paratë dhe me flamur të kuq korrupsioni. Si i tillë, ky tender do të përfshihen në kallëzimin penal që po përgatitet për veprimtarinë e zezë të Endri Meksit, kallëzim i cili do të referohet në SPAK. Dosjet e SPAK për skemën e Berberit me Valter Begajn dhe Tunelin e Llogarasë kanë treguar mekanizmin korruptiv se si diktohen fituesit e tenderave dhe fryhen kostot, në funksion të vjedhjes së parave publike.

Endri Meksi, përmes kompanisë se shitjes së kompjuterave MC Networking ka përfituar në bashkëpunim edhe tenderin tjetër nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për fazën e dytë të monitorimit të trafikut me vlerë rreth 12 milionë euro, me flamur të kuq korrupsioni, me pazar në tavolinë dhe me ofertë fituese gati sa fondi limit.

Në gjurmët e Vis Berberit, tenderi i dytë është firmos nga drejtori aktual i ARRSH-së, Gentian Gjyli, i cili është marrë dy herë i pandehur nga SPAK-u, për dosjen e Berberit si dhe së fundmi për Tunelin e Llogarasë. Pra, në një hark kohor prej dy vitesh, Endri Meksi ka përfituar në bashkëpunim vetëm nga ARRSH dy tendera me vlerë 33 milionë euro, për të cilët do të kallëzohet në SPAK bashkë me Berberin dhe Gjylin.

Disa instutucione të tjera publike kanë kaluar qindra mijëra euro në llogari të kompanisë MC Networkingtë Endri Meksit, biznesmenit të mpleksur me personazhe të rëndomtë dhe të degraduar, ndërsa faktet tregojnë për përfshirje në mashtrim me pasoja të rënda, evazion fiskal, pastrim parash dhe afera korruptive.

Drejtoria e Pergjithshme e Policisë së Shtetit, në vend që t’a hetojë për krime ekonomike, i ka dhenë Endri Meksit dhjetëra mijëra euro për shërbime telefonike.

Me kontrata sekrete dhe klienteliste, kanë devijuar paratë publike në xhepat e Edri Meksit edhe Komisioni i Prokurimit Publik, Drejtoria e Arkivave Shtetit, Instituti i Shëndetit Publik, Shkolla Elektrike “Gjergj Canco”, Tiranë, Shkolla Profesionale ‘Karl Gega’, Instituti i Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, Shërbimi i Kontrollitvtë Brendshëm, Autoriteti Shteteror per Informacionin Gjeohapsinor, Komisioneri për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil, Ministria e Arsimit, Ministria e Financave, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Bashkia Shkodër, Qarku Tiranë, Shkolla Profesionale Tekniko Ekonomike, Tiranë, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it etj./Prapaskena/

Abuzimi me fondet e BE/ Si i zhvati AZHBR, 2 milionë euro të fermerëve

Në vitin 2024, Ministria e Bujqësisë pas shumë vitesh mbështeti sërish fermerët e bimëve aromatike medicinale, jo vetëm për naftën, por edhe për sipërfaqen e kultivuar.

Kësaj thirrje gjithsej iu përgjigjen 954 aplikime. Raportohet se edhe më këtë skemë AZHBR së bashku më Njësitë Administrative të Shkodrës abuzuan me fondet publike.

Në listën emërore të fituesve 846 fermerë nga Malësia e Madhe u shpallën fitues të kësaj skemë, ku për 6,345.1 Ha, ata morën 190.353.000 ALL.

Por këto shifra nuk janë reale me sipërfaqen e të mbjellave në Malësi të Madhe, pasi për të njëjtën parcelë kanë përfituar më shumë se dy fermerë. AZHBR dhe Njësitë Administrative rriten numrin e fermerëve dhe të tokës, me anë të falsifikimit të dokumentit të AMTP-së.

Ky abuzim që kap vlerën e 2 milion eurove, tashmë po hetohet nga KLSH dhe Auditi i Ministrisë së Bujqësisë.

Historia u përsërit sërish në 2025, kësaj herë AZHBR dhe kryetarët e Njësisë Administrative e rritën numrin e aplikimeve duke dyfishuar sërish sipërfaqen e tokës së punuar ku për 1.290 aplikime AZHBR kërkonte të jepte para për 11.430.1 ha me sherbelë dhe livandër.

Por kjo tentativë u ndal, pasi drejtoresha Ardita Kuçi, mësoi se abuzimi i një viti më parë u zbulua nga Ministria e Bujqësisë.

Në shkresën zyrtare, drejtoresha e AZHBR-së i drejtohet Sekretari të Përgjithshëm të ministrisë Dritan Palnikaj, duke thënë se nga këto aplikime këtë vit vetëm, 470 janë quajtur të rregullta, por që vetëm për 196 fermerë janë ekzekutuar pagesat me një sipërfaqe totale 1.203.04 ha.

Ky numër i vogël fermerësh përfituesish tregon realitetin e abuzimit të vitit 2024, ku 2 milion euro shkuan në rrugët e korrupsionit për tokë të pa mbjella.

Sipas rregullave të Ministrisë, nëpërmjet skemës kombëtare çdo fermer do të përfitonte 30 mijë lekë për hektar, nga 1-10 hektarë sipërfaqe.

Ndërsa fermerët që kanë mbi 10 hektarë do të përfitonin mbi 50% të financimit të masës për çdo hektar mbi tavanin. Por e vërteta e vitit të shkuar qëndroi se për këtë zonë u shpërndanë para për tokat e mbjella në letër, dhe jo në terren./Top Channel

Pas takimit me eksponentët e PD-së, Ervin Salianji nis takimet me qytetarët

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, do të nisë takimet me qytetarët, në rrethe të ndryshme të vendit.

Burime për mediat bëjnë me dije se takimi i parë i Salianjit do të jetë të mërkurën në qytetin e Durrësit.

Këto takime vijnë pas takimit që zhvilluan, Salianji dhe eksponentë të tjerë në PD, disa pres të cilëve kishin rezultuar edhe si më të votuarit në zgjedhje, mes tyre edhe Ilir Alimehmeti.

Qendra e bisedimeve në këtë takim ishte mënyrën se si duhet të përmirësohet PD dhe mundësia e thirrjes së Këshillit Kombëtar për të diskutuar se si duhet të vijojë aksioni politik opozitar. Zoom.al/

Njihuni me Matheo Di Mareli/ 16-vjeçari shqiptar po shkëlqen në SHBA

Në futbollin shqiptar po shfaqet një tjetër emër premtues që po tërheq vëmendje jashtë vendit.

Mattheo Di Mareli, futbollisti i ri me prejardhje shqiptare, po spikat në Shtetet e Bashkuara si një nga talentet më të rafinuara të gjeneratës së tij.

Vetëm 16 vjeç, Di Mareli është pjesë e Houston Dynamo 2, një klub i njohur për zhvillimin e lojtarëve të rinj. Aktivizohet si mesfushor ofensiv dhe sulmues i krahut, ku aftësia e tij për të kombinuar shpejtësinë, teknikën dhe inteligjencën taktike e veçon nga bashkëmoshatarët.

Trajnerët në akademinë amerikane kanë vlerësuar përkushtimin dhe disiplinën e tij, ndërsa ekspertët e futbollit e shohin si një lojtar që mund të bëjë hapa të rëndësishëm në karrierë në vitet e ardhshme. Performancat e tij të fundit kanë tërhequr vëmendjen e tifozëve shqiptarë, të cilët e shohin Dimarelin si një potencial të rëndësishëm për të ardhmen e futbollit kuqezi.

Ndërkohë, vetë lojtari po vazhdon rrugëtimin e tij me ambicie të qarta: të rritet profesionalisht dhe të arrijë nivelet më të larta të futbollit ndërkombëtar.

Zoom.al/

Parashikimi mujor i horoskopit/ Meri Gjini tregon çfarë sjell dhjetori për secilën shenjë

Astrologia Meri Gjini ka bërë parashikimin për muajin dhjetor, të cilin e përshkruan si një periudhë të qetë dhe të balancuar që mbyll vitin 2025.

Sipas saj, ky muaj sjell energji pozitive, më shumë lëvizje, projekte të reja dhe gjallëri.

Dashi

Vazhdojnë të jenë detyrimet profesionale deri në datën 15 për t’u zgjidhur. Nga dita e djeshme gradualisht ngrohet komunikimi i tyre, bëhet me diplomatik. Do të shohin se është gjuha e duhur për të arritur atë që duan në pjesën e parë të vitit.

Demi

Duket sikur futen në një hapësirë të vetën dhe agjenda e tyre do të jetë e tillë; në hapësira të njohura, me njerëz dhe situata që njohin apo me zgjidhje apo bashkëveprime me njerëz që njohin. Kjo do të jetë shumë e fortë në gjysmën e dytë të muajit. Edhe Venusi dhe Bricjapi do të bëjnë të mundur që të kenë një lloj qetësie me materien si dhe me dashurinë.

Binjakët

Të përfshirë totalisht në boshtin hënor. Hëna e plotë në datën 4 në orët e para të ditës do të ndodhë te Binjakët, do të kapë të lindurit në qendër të shenjës, ndërsa hëna e re e datës 19 te Shigjetarët do të prekë ët lindurit në fund. Të gjithë të lindurit në shenjën e Binjakëve do të kenë mundësi të bëjnë korrigjimet e mundshme dhe gjithashtu të shijojnë nje dhjetor në të cilin do të arrijnë të kenë nën kontroll atë që duan më shumë, të dinë ku ndodhen dhe të dinë çfarë ka në xhepin e tyre.

Gaforrja

Ngarkesat profesionale dhe emocionale të tetor-nëntorit nuk ishin të thjeshta kam një këshillë. Gjatë dhjetorit do të duhet të vendosin në agjendë çfarë kanë të rëndësishme dhe çfarë i bën ata të lumtur. Në fund të muajit do të keni mundësi për argëtim dhe për lëvizje të bukura.

Luani

Gjërat janë pozitive dhe në ndihmesë të tyre. Çfarë kanë të rëndësishme për periudhën dhe nga dhjetori do të duhet të vendoshet në agjendë. Në mes të muajit, nga data 15 dhe në vazhdimësi prioritet do të mbetet ngjyrosja e bukur, festive e fundit të vitit. Duket sikur ky muaj i jep mundësinë e mbylljes së çështjeve dhe shqetësimeve që nuk i mbyllën në kohë.

Virgjëresha

Virgjëresha e ka të ndarë me tre shije muajin. Në pjesën e parë do të merret me çështje që i përkasin paraardhësve të tyre ndërsa në pjesën e fundit me çështje që i përkasin pasardhësve. Ka një Hënë të plotë në katërkëndësh me diellin e vet dhe një Hënë të re në katërkëndësh me Diellin e vet përpara. Do të merret me zgjidhje të çështjeve të mbartura dhe me projektim të çështjeve të reja.

Peshorja

Në 10-ditëshin e parë do të duhet të merren me çështje që i përkasin zhvillimit, por njëkohësisht do të duhet të përdorë shumë diplomaci në sqarime të çështjeve personale. 10-ditëshi i dytë ka më shumë mundësi për argëtim. Shumë pak kujdes me veten në ditët e para të muajit.

Akrepi

Marsi te Bricjapi do t’i japë stabilitetin, qëndrueshmërinë, rutinën e qartë që ata duan. E shoqëruar me Venusin te Bricjapi do të ndihen të sigurt dhe nën lëkurën e vet. Gjysma e dytë e muajit do t’u japë një shije të mirë për mbylljen e 2025.

Shigjetari

Me emocione miks, kanë Diellin te vetja. Boshti hënor ndodhet Binjak-Shigjetar. Do të kalojë edhe Venusi dhe Mërkuri në datën 12. Në mës të muajit kanë Venusin Diellin, Mërkrin dhe Marsin. Marsi në datën 15 ikën, luftrat sforcimet e tyre i lënë pas. Ritmi i zhvillimit praktik material do durim, ndërsa idetë për zhvillim nuk mungojnë. Në 2026 do të jeni shenja më e privilegjuar.

Bricjapi

Në fund të muajit do të kenë mundësi të jenë protagonistë. Mbylljen e vitit do ta kenë shumë të ngrohtë, shumë të mirë dhe me zhvillime shumë të mira emocionale. Në pjesën e parë prioritet vijoj të jetë mbyllja e çështjeve profesioanle që jeni lodhur duke punuar.

Ujori

Do të duhet të përballen me çfarë ia vlen të luftojë dhe çfarë duhet të lënë pas. Duhet të lini hapësirën e duhur për 2026.

Peshqit

Duken sikur janë në katërkëndësh si para si pas me Hënën dhe Diellin. Një hënë e plotë në datën 4 që do t’u mbyllë situatat e brishta, të paqarta sa i përket pjesëss emocionale dhe një hënë e re te Shigjetarët e cila bën të mundur transformimet në lidhje me çështje të punës, shtëpisë, çatishëm dnryshim adrese, dokumentesh, çështje të rëndësishme që i doni për vitin që vjen./ Zoom.al