zoom

Day ArchiveMediat pranë Lazios nuk kanë dyshime: Hysaj drejt largimit në janar

E ardhmja e Elseid Hysajt te Lazio duket të jetë drejt fundit. Përjashtimi i tij nga lista e skuadrës për ndeshjen vendimtare kundër Milanit në San Siro ka ndezur alarmin mbi situatën e mbrojtësit shqiptar, i cili sipas Corriere della Sera nuk është më pjesë e planeve të trajnerit Maurizio Sarri.

Ky zhvillim pritet të vulosë largimin e tij që në merkaton e janarit, sipas asaj që raportojnë mediatpranë klubit bardhekaltër.

Lazio përballet me mungesa të mëdha në mesfushë pas lëndimit të Danilo Cataldit, një tendosje e pulpës që do ta mbajë jashtë fushës për dy deri në tre javë. Situata e vështirë ka detyruar klubin të rikthejë në dispozicion Fisayo Dele-Bashiru, edhe pse nigeriani pritet të jetë së shpejti me kombëtaren e tij në Kupën e Kombeve të Afrikës.

Ky riaktivizim ka sjellë edhe vendimin më të fortë: përjashtimin e Elseid Hysajt nga ekipi për këtë fazë të sezonit, duke e lënë atë praktikisht jashtë projektit teknik të Sarrit.

Në këtë situatë, Elseid Hysaj shihet gjithnjë e më tepër si lojtar i panevojshëm për Lazion. Me zgjedhjet e Sarrit dhe presionin e merkatos, mbrojtësi shqiptar është i destinuar të largohet nga kryeqyteti italian në janar, ndërsa pritet që klubet e interesuara të nisin kontaktet në ditët në vijim. Zoom.al/

Të shtëna me armë brenda banesës në Elbasan

Të shtëna me armë zjarri janë raportuar mbrëmjen e kësaj të premte brenda një banese, në qytetin e Elbasanit.

Nuk dihet ende nëse ka të lënduar, apo rrethanat e ngjarjes.

Policia ka mbërritur në vendngjarje për të zbardhur rrethanat. Zoom.al/

Synon Botërorin, Ramos vendos të largohet nga Meksika

Sergio Ramos ka vendosur të largohet nga futbolli meksikan dhe të rikthehet në Evropë pas përfundimit të kontratës me Monterrey në dhjetor.

Mbrojtësi spanjoll u transferua në Meksikë në shkurt të këtij viti, duke luajtur për herë të parë jashtë kontinentit europian. Sipas raportimeve të “El Chiringuito” dhe “AS”, Ramos nuk ka ndërmend të rinovojë, pasi nuk është përshtatur plotësisht me jetën e re.

Një arsye tjetër e largimit lidhet me dëshirën e tij për të qenë pjesë e Spanjës në Botërorin 2026. Ai mendon se një rikthim në një klub europian me nivel të lartë mund të rrisë shanset për t’u grumbulluar nga trajneri Luis de la Fuente.

Ramos, tashmë 39 vjeç, beson se vazhdimi i karrierës në një kampionat konkurrues do t’i japë mundësi të rikthehet në ekipin kombëtar. Synimi i tij kryesor është të mbetet në qendër të vëmendjes dhe të luftojë për një vend në listën finale të Spanjës.

Viti 2026 vjen me fat për dy shenja të horoskopit

Sipas parashikimeve astrologjike, viti 2026 pritet të jetë një nga vitet më të favorshme për dy shenja të zodiakut, demin dhe luanin.

Pas një periudhe sfiduese, ku shumë kanë ndier sikur universi i ka vënë në provë, më në fund pritet një kthesë e madhe pozitive në jetën e tyre.

Demi – Stabiliteti më në fund po vjen

Për të lindurit në shenjën e demit, 2026 pritet të sjellë një periudhë të artë. Puna e palodhur dhe durimi që kanë treguar vitet e fundit do të fillojnë të shpërblehen në mënyrë konkrete.

Financat parashikohen të hyjnë në një fazë stabilizimi të fortë, madje me rritje të ndjeshme. Nuk përjashtohen as avancimet profesionale, ofertat e reja të punës dhe mundësitë për investime të suksesshme.

Në planin sentimental, demi beqar mund të njihet me një person që ofron siguri dhe perspektivë afatgjatë, ndërsa ata që janë në një lidhje do të shijojnë një periudhë harmonie dhe thellimi të marrëdhënies. Po ashtu, 2026-a shihet si vit i shërimit të brendshëm dhe kapërcimit të peshave emocionale të së kaluarës.

Luani – Fillimi i një “epoke të artë”

Edhe për luanët, viti që po vjen duket se do të jetë vendimtar. Parashikimet flasin për një periudhë triumfi profesional, ku idetë dhe përpjekjet e tyre do të marrin vëmendjen dhe vlerësimin e munguar. Aty ku janë munduar në heshtje, pritet të marrin duartrokitje.

Në aspektin financiar, shenja e luanit mund të përfitojë nga bashkëpunime fitimprurëse, bonuse ose të ardhura të papritura. Ndërkohë, në dashuri, luanët beqarë mund të përjetojnë një njohje të fuqishme emocionale, ndërsa çiftet do të rifitojnë pasionin dhe harmoninë.

Viti 2026 shihet si një prej viteve më mbështetëse për Luanin, një periudhë ku dëshirat më të guximshme kanë mundësi reale të bëhen realitet. Zoom.al/

“O file e ke 100% origjinale”/ Pazaret e drogës që fundosën Oficerin e Antiterrorit

Janë publikuar përgjimet nga dosja hetimore e Oficerit të Antiterrorit, Igli Haxhiaj, i cili u arrestua në kuadër të një operacioni të përbashkët mes SPAK dhe prokurorisë së Breshias, pasi akuzohet si informator i një grupi kriminal.

Në dosjen hetimore të publikuar në media, dalin një sërë përgjimesh telefonike që, tregojnë përfshirjen e Haxhiajt në komunikime me persona të dyshuar për trafik narkotikësh dhe ndërmjetësim të transportit së lëndëve narkotike në vende të ndryshme të Europës.

Në përgjime, Haxhiaj bisedon në SKY ECC, me një anëtar të kodit pin SEJRCV, me të cilët bën pazar për shitjen e ngarkesave të kokainës, cilësinë e saj si dhe transportin në shtete të ndryshme.

DOSJA E PLOTË

Bisedë e datës 10.02.2021, midis kodit pin HY67U7 në përdorim të shtetasit Igli Haxhiaj dhe kodin pin SEJRCV.

SEJRCV: O vlla ca bone, ma co foton e asaj punes dhe parimisht si funksionon puna… Nqs dikush do ta shofi si i behet dhe cfar duhet te kemi parasysh… Pjesen tone ku e marrim… Se me than pak ai shoku qe ata jan te huaj… A i con ndonje shok i joti tjeter tek puna apo si?

I.Haxhiaj: Kjo është si punë?

SEJRCV: Do coj un i shokun ton qe ti presi njerzit e tuj po vetem co blersa jo ndermjesta… i pret shqiptari ose i shok tjeter i imi per grabitje mbaj pergjegjsi un vllai… Po kjo esht… Po per cfar pyet.. Se nuk te kuptova sepse puna dy probleme ka ose cilsia ose grabitja sepse dajat nuk ofrojn mall

I.Haxhiaj: Po spo e mendon njeri grabitjen vlla… Se plas arma behen m… Tani ne jemi mes shokesh dhe grabitja ska lidhje….Se nuk e kishte te qart shoku jon i perbashket… Dhe te dija per te ditur ca ti them cunave qe do shkojne…per kete te pyeta vlla.

Bisedë e datës 08.03.2021.

I.Haxhiaj: Vlla si e ke punen andej… A ke noi mall te mire me cmim

SEJRCV: Si e kom hajde mo tu leviz per me bo leket si gjithmon. Ku ? Kam holand me 29 me duket.. Ma ofruan para ca ditesh, origjinal… Se tperzim kam plot me 25 po te hy ne pun me luspa me krejt.

I.Haxhiaj: Qenka shtrenjt, kuptoj… Po prap eshte duke u dhen me aq.

Bisedë e datës 08.02.2021 midis kodit pin HY67U7 në përdorim të shtetasit Igli Haxhiaj dhe kodin pin FM369H.

FM369H: Kjo eshte, nuk e di sa ka akoma gjendje duhet me pyt.. me 28 mund ta le ty… Fol e me thuaj, tjap nje per prove e shife. Por me kta jemi me lek ne dore

I.Haxhiaj: Kuptoj file… Ca cmimi.. A eshte e mire?… Me lek ne dore se pa lek sdua une… A eshte e mire di gje?

FM369H: Merreni nje per test dhe vendosni. Mgjth duhet ti pyes nese ka ngel dhe sa… Flit me njerzit dhe nese jan ok, te flas per gjendjen une.

Bisedë e datës 01.03.2021.

FM369H: Kam nje cop ne athine, e do? Ke me cfar e sjell?

I.Haxhiaj: Po duhet te flas…Pmln eshte ajo ?

FM369H: ajo ngarkese eshte… A eshte pml, a boddy, rolex nuk e di fiks… Por ajo pune eshte.

FM369H: 29k blerja ktyre 2k transp, 31k … e marrim 30k.

3. Bisedë e datës 22.10.2020 midis kodit pin HY67U7 në përdorim të shtetasit Igli Haxhiaj dhe kodin pin CXQD1I.

Përdoruesi i kodit pin CXQD1I dërgon fotot si më poshtë:

I.Haxhiaj: O boso, ca o kjo me, e bukur duket

CXQD1I: Mall këtu 38….

I.Haxhiaj: A është i mire me 37 po deshe…

CXQD1I: Jo vlla me 37 e marrim… Se po mori dhe ky Niku…i them dy copa

Igli Haxhiaj: Merri nja 2 grame, po pres dhe kete me 37, tja blej ta provoj se mund te me duhen 2.

CXQD1I : Ne Dures jane keto se ka tre lloj stampash

I.Haxhiaj: A jane gje? I ke provuar ti…mi co pak qe ti bej save … A e ke provu ti

CXQD1I: Jam ne timon, ti coj me vone pa merak, jo un se kam provu po me than eshte i mire.

I.Haxhiaj: Merri dy gram ta provoj.

Bisedë e datës 01.03.2021.

FM369H: Kam nje cop ne Athine, e do? Ke me cfar e sjell?

I.Haxhiaj: Po duhet te flas…Pmln eshte ajo ?

FM369H: Ajo ngarkese eshte… A eshte pml, a boddy, rolex nuk e di fiks… Por ajo pune eshte.

FM369H: 29k blerja ktyre 2k transp, 31k … e marrim 30k.

Bisedë e datës 08.02.2021 midis kodit pin HY67U7 në përdorim të shtetasit Igli Haxhiaj dhe kodin pin 1UN9CQ.

1UN9CQ: Do nje shok 20 buk ne Hollande…ka ai miku jot.

I.Haxhiaj: Ja duhet te flas…

I.Haxhiaj: Vllai kete ka tani, 28 ma le mua.

1UN9CQ: Ja tja tregoj cunave.

Biseda e datës 10.02.2021.
I.Haxhiaj: Po me thot nje shok tjeter qe ka nje te mire ne Roterdam, me 27 na e le, e ka logon 111 ja te flas per foto.

1UN9CQ: Ok me sill foto qe ta flas … kjo eshte? Ma konfirmo

I.Haxhiaj: Ajo eshte.

1UN9CQ: Po me thon cunat me sill nje foto te shohim luspen, po te thyer thuaj vlla

Më datë 12.02.2021, shtetasi Igli Haxhiaj dërgon dhe disa foto të tjera të kësaj natyre.

1UN9CQ: ja cova sa te me kthejn pergjigje, pyete nje her mos eshte e lame…

Igli Haxhiaj: Keto qe te cova tani me thot jan 100% colo, origjinale.

1UN9CQ: ca vendi jane

I.Haxhiaj: Roterdam me duket, po te pyes fiks se eshte nje shok tjeter ky

Bisedë e datës 14.12.2020 midis kodit pin HY67U7 në përdorim të shtetasit Igli Haxhiaj dhe kodit pin 8AIVIH.

8AIVIH: Cfar cmimi ka ne holland. Me pyet nje here sa per info

I.Haxhiaj: ok dhe te them…sa e ka cmimin kjo ne brc……… Ne holland nga 31.5 deri ne 32.5 e kan pas marr keta cunat.

8AIVIH: Brc diku 30, 29.5 mundem

I.Haxhiaj: Jane shume ne barcelon?

8AIVIH: 500 por mbase tja sasi me te madhe ne holland se duke i nxjerre jemi

Bisedë e datës 15.12.2020.

8AIVIH: File holland 29.5, eshte malli jon …

I.Haxhiaj: Ja te flas vllai direkt, a jane shume?

8AIVIH: Vetem skemi shume kile se po shperndahen… Hap gojen sa do.

I.Haxhiaj: Ne barcelone kush eshte qe takon njerzit… Se do me e pa njeri ne barcelon… Dhe sa na e le…me jep nje adrese…..

I.Haxhiaj: File po me i sjell nja 4-5 cope posht… A eshte mundesia me i sjell ne shqiperi.

8AIVIH: Une jo, un ti jap holland ose spain, pastaj shife vet.

I.Haxhiaj: Ne holland ja te shof, nga dreka do shkoj ky shoku ne brc qe ta shofi…

Më pas shtetasi Igli Haxhiaj dërgon “audiofile” me këtë përmbajtje: file per ate qe te thashe per ti sjelle ketej, thashe ti merrja per vete me kupton, transport kam por nuk e di per leket a duhen atje a sduhen a mund te na presesh a se di…

8AIVIH dërgon “audiofile” dhe i thotë: Per leket s’eshte problem, mi jep dhe ne tirane, mi jep diku po se di sa kohe duhet me prit pastaj se duhet me leviz gjerat plus jemi gjithe bashke me kupton…ato i rregullon vet pastaj, merr sa te duhen ty dhe leket i jep ne tirane ose andej…

Tragjedi në Itali! 18-vjeçari shqiptar humb jetën në aksident me motor

Një aksident i rëndë rrugor i ka marrë jetën një të riu shqiptar në Itali. Ngjarja tragjike ndodhi në Sorbolo di Parma, në zonën e Reggio Emilia.

Sipas mediave të huaja, viktima është 18-vjeçari Francesco Ajdini, i cili jetonte me familjen e tij në Praticello di Gattatico.

I riu po udhëtonte me motorçikletë përgjatë Via Marconi, kur u përplas me një automjet tip Fiat, që po kryente një kthesë majtas. Përplasja ka qenë shumë e fortë dhe i riu, pavarësisht se mbante helmetë, ka përfunduar në asfalt.

Ekipet e shpëtimit, mes tyre vullnetarë të Kryqit të Kuq, Ndihma Publike e Parmës dhe një helikopter mjekësor, mbërritën menjëherë në vendngjarje, por plagët e marra rezultuan fatale për 18-vjeçarin.

Hetimet po kryhen nga karabinierët e njësisë së Parmës, të mbështetur nga policia lokale dhe zjarrfikësit.

I riu kishte mbushur 18 vjeç më 18 gusht.

“The Guardian” artikull për Fatos Nanon: Dominoi në qeveri dhe në burg

“The Guardian” i ka kushtuar një artikull ish-kryeministri, Fatos Nano, teksa vetëm pak javë kanë kaluar nga ndarja nga jeta e tij.

Analisti i njohur Gabriel Partos e nis shkrimin e tij duke e përmendur Nanon si një nga dy figurat më të rëndësishme politike në një kohë trazirash, teksa Berishën e konsideron armikun e tij të betuar.

“Qoftë në qeveri apo në burg, Fatos Nano ishte një nga dy figurat, së bashku me rivalin e tij të betuar, Sali Berishën, që dominuanctë Shqipërisë në 15 vitet e trazuara që filluan me shpërbërjen e sundimit të partisë komuniste në vitin 1990. Ishte karakteristikë e trazirave politike të kësaj periudhe që, megjithëse u emërua kryeministër në katër raste të ndryshme, Nano shërbeu vetëm për një total prej katër vjetësh në atë post”, kështu e nis artikullin e tij në “The Guardian”.

Ndër të tjera ai përmbledh të gjithë jetën politike, të njeriut i cili sipas tij solli në Shqipëri stabilitet ekonomik dhe jetë politike të qetë.

“Nano, i cili vdiq nga sëmundja pulmonare obstruktive kronike në moshën 73 vjeç, ia detyronte ndikimin e tij politik pozicionit të tij të pakontestueshëm si udhëheqës i Partisë Socialiste të Shqipërisë (SPA) deri në vitin 2005.

Si kryeministër në vitin 1991, Nano luajti një rol të rëndësishëm në drejtimin – kur kjo ishte e mundur – të tranzicionit kaotik, por kryesisht paqësor, të Shqipërisë nga një regjim stalinist i linjës së ashpër me një ekonomi të komanduar të shembur në një shoqëri pluraliste dhe një ekonomi tregu të re.

Përfituesi fillestar politik i këtij transformimi ishte opozita, e udhëhequr nga Partia Demokratike e Shqipërisë (PDSH) e Berishës, e cila korri një fitore dërrmuese në zgjedhjet e para vërtet të lira në mars të vitit 1992.

Berisha u zgjodh president nga parlamenti i ri. Nano, i cili në vitin 1991 kishte filluar tashmë ta shndërronte Partinë e Punës së Shqipërisë (PPSH) të epokës komuniste në PSSH socialdemokrate, shpejt e gjeti veten në burg, pas dënimit të tij me akuza për korrupsion.

Mundësia e dytë e Nanos për të ndryshuar rrjedhën e politikës shqiptare për mirë erdhi në mars të vitit 1997, kur rënia mbarëkombëtare e skemave mashtruese piramidale të investimeve çoi në një kryengritje kundër sundimit gjithnjë e më autoritar të Berishës. Këtë herë trazirat u bënë shumë më të dhunshme sesa në vitet 1991-92, ndërsa grupet rebele dhe bandat kriminale sekuestruan qindra mijëra armë nga depot e ushtrisë.

Në zgjedhjet e parakohshme të qershorit 1997, socialistët u shkaktuan një disfatë dërrmuese demokratëve, duke çuar në dorëheqjen e Berishës. Nano u rikthye si kryeministër dhe e zhvendosi ekuilibrin e pushtetit nga sundimi de facto presidencial i Berishës në një sistem qeverisjeje parlamentar.

Gjatë tetë viteve të sundimit të PSSH-së që filluan në vitin 1997, ekonomia u stabilizua gradualisht, jeta politike u qetësua dhe konfliktet sociale u zbutën. Megjithatë, elektorati u zhgënjye gjithnjë e më shumë nga sundimi egoist, arroganca dhe korrupsioni i pakontrolluar i qeverive të PSSH-së. Kjo rezultoi në fitoren e papritur të demokratëve në zgjedhjet e korrikut 2005, duke i bërë të mundur Berishës rikthimin në pushtet nga harresa politike.

Kontributi i fundit i madh i Nanos ishte mundësimi i transferimit të qetë të pushtetit te PDSH-ja dhe dorëheqja nga udhëheqja e PSSH-së. Pasardhësi i tij, Edi Rama – kryeministri aktual – do ta ndërtonte PSSH-në në një makinë të fuqishme fituese të zgjedhjeve.

Fatos Nano, kryeministri i Shqipërisë, i dyti nga e majta, dhe Pandeli Majko, ministër i mbrojtjes, duke shqyrtuar një roje nderi me komando shqiptarë që shkonin në Irak në vitin 2003.

Nano lindi në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë. Babai i tij, Thanos, më vonë do të shërbente si drejtues i transmetuesit shtetëror, Radio Televizionit Shqiptar; nëna e tij, Maria (mbiemri i vajzërisë Shuteriqi) ishte një zyrtare qeveritare. Fatosi u arsimua në shkollën e mesme elitare Sami Frashëri dhe u diplomua në ekonomi politike nga Universiteti i Tiranës në vitin 1974.

Pasi punoi si ekonomist në fabrikën e çelikut të Elbasanit, Nano u bashkua me Institutin e Studimeve Marksiste-Leniniste, grupin ideologjik të PLA-së. Ai u bë i mbrojtur nga drejtoresha, Nexhmije Hoxha , e veja e diktatorit komunist, Enver Hoxha, i cili kishte sunduar Shqipërinë nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1985. Politikat gjithnjë e më izoluese të Hoxhës kishin çuar në varfërimin e Shqipërisë në vitet 1980. Vështirësitë ekonomike dhe suksesi i lëvizjeve pro-demokracisë në vende të tjera të Evropës qendrore dhe lindore shkaktuan protesta studentore në Shqipëri në fund të vitit 1990.

Nano u nxor nga errësira për t’u emëruar sekretar i përgjithshëm i qeverisë në dhjetor 1990. Më pas, ngritja e tij ishte meteorike: zëvendëskryeministër deri në janar 1991; dhe, pas rrëzimit të statujës gjigante të Hoxhës në qendër të Tiranës më 20 shkurt, ai u emërua kryeministër nga pasardhësi i Hoxhës, Presidenti Ramiz Alia .

Nano ishte vetëm 38 vjeç në kohën e emërimit të tij. Ngritja në detyrë e tij kishte për qëllim të projektonte imazhin e një ndryshimi brezash dhe transformimi politik nga regjimi. Taktikat funksionuan dhe ai u emërua kryeministër për herë të dytë pasi PLA fitoi me një dërrmim të thellë në zgjedhjet e para shumëpartiake të atij marsi.

Megjithatë, PPSH-ja kishte gëzuar një avantazh të madh në aspektin e burimeve dhe publicitetit ndaj opozitës së re. Zgjedhjet e padrejta shkaktuan protesta në rrugë dhe një grevë të përgjithshme, të cilat çuan në dorëheqjen e Nanos në qershor. Brenda pak ditësh, kongresi i PPSH-së votoi për ta riemërtuar partinë si PSSH dhe zgjodhi Nanon si kryetar të saj.

Pas fitores së PDSH-së në zgjedhjet e vitit 1992, Nano u arrestua në vitin 1993 dhe në vitin 1994 u dënua me 12 vjet burg për përvetësim të fondeve shtetërore ndërsa ishte kryeministër. Ai i mohoi të gjitha akuzat dhe u bë martir i socialistëve. Ai vazhdoi të drejtonte PSSH-në nga burgu: gruaja e tij e atëhershme, Rexhina, vepronte si një ndërmjetës midis tij dhe tre zëvendësve të tij.

Gjatë kryengritjes kundër sundimit të Berishës në vitin 1997, Nano u lirua dhe më pas i udhëhoqi socialistët drejt fitores së tyre zgjedhore. Ndryshe nga Berisha, ai nuk ishte hakmarrës dhe nuk pati asnjë përpjekje për të përdorur gjykatat për të ndëshkuar udhëheqësit e demokratëve.

Emërimi i tij i tretë si kryeministër u ndërpre pas një viti nga trazirat antiqeveritare pas vrasjes së Azem Hajdarit, një politikan i PDSH-së, në vitin 1998. Demokratët fajësuan qeverinë, por një gjyq i mëvonshëm tregoi se vrasja e Hajdarit kishte më shumë të bënte me rivalitetin midis bandave të përfshira në kontrabandën e armëve.

Nano u arratis për pak kohë nga Tirana dhe, për të ulur tensionet, ia dorëzoi kryeministrinë fillimisht njërit prej të rive të tij, Pandeli Majkos , dhe më pas një tjetri, Ilir Metës, duke mbajtur kontrollin e përgjithshëm të qeverisë. Megjithatë, ndërsa Meta filloi të afirmohej, Nano u rikthye në postin e kryeministrit në korrik 2002 për të shërbyer mandatin e tij të fundit në atë post.

Lidhja me pushtetin kishte më pak rëndësi për Nanon sesa shijimi i përfitimeve materiale që vinte me të qenit në qeveri dhe patronazhi që ofronte. Ai kishte një stil të relaksuar: gazetarët (përfshirë edhe mua) herë pas here shijonin një bisedë miqësore dhe u ofroheshin nga një ose dy gota uiski malti.

Stili i rehatshëm i jetesës së Nanos, vetëkënaqësia e qeverisë dhe përçarja me Metën, i cili kishte krijuar një parti rivale socialiste, çuan në humbjen e PSSH-së në zgjedhjet e vitit 2005.

Dorëheqja e Nanos nga udhëheqja e partisë i dha fund karrierës së tij politike. Një përpjekje për t’u zgjedhur kryetar shteti nga parlamenti në vitin 2007 dështoi përballë kundërshtimit jo vetëm nga demokratët e Berishës, por edhe nga shumë ligjvënës të PSSH-së së Ramës, të cilët kishin frikë se Nano mund të dilte si një rival i mundshëm i udhëheqësit të tyre të ri.

Pas kësaj, Nano dhe gruaja e tij e dytë, Xhoana, me të cilën ishte martuar në vitin 2002, bënë një jetë të qetë, duke e ndarë kohën midis shtëpive në Vjenë dhe në Tiranë.

Ai la pas Xhoanën dhe dy fëmijë, Sokolin dhe Edlirën, nga martesa e tij e parë, e cila përfundoi me divorc, dhe një djalë të adoptuar, Klajdin. Fatos Thanos Nano, politikan, i lindur më 16 shtator 1952; vdiq më 31 tetor 2025“, shkruan “The Guardian“.

Skandali i korrupsionit/ I besuari i Zelenskit jep dorëheqjen

Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit dhe Zyra Speciale e Prokurorit Kundër Korrupsionit kanë kryer bastisje në ambientet e lidhura me shefin e stafit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak, si pjesë e një hetimi të gjerë për korrupsion që përfshin kompaninë shtetërore të energjisë bërthamore Energoatom.

Menjëherë pas kontrollit, krahu i djathtë i Zelenskyt ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij.

Organet antikorrupsion konfirmuan se bastisjet janë pjesë e një hetimi 15-mujor, por nuk sqaruan nëse Yermak është vetë i dyshuar. Megjithatë, Yermak pranoi publikisht se bastisja është zhvilluar në shtëpinë e tij dhe theksoi se po bashkëpunon plotësisht me hetuesit.

“Hetuesit nuk po hasin asnjë pengesë. Atyre u është dhënë akses i plotë në apartament dhe avokatët e mi po bashkëveprojnë me zyrtarët e ligjit,” deklaroi ai, duke shtuar se mbështet çdo procedurë ligjore.

Hetimi për pastrim parash dhe ryshfet prej mbi 100 milionë dollarësh

NABU njoftoi se një numër zyrtarësh qeveritarë dyshohet se kanë pastruar para dhe kanë marrë ryshfete në lidhje me kontrata shtetërore të Energoatom. Sipas hetuesve, mbi 100 milionë dollarë dyshohet se janë përdorur përmes skemës së korrupsionit.

Personi i konsideruar si organizatori kryesor i skemës është Timur Mindich, ish-partner biznesi i Zelenskyt, i cili në të kaluarën e kishte quajtur Yermakun “mik”.

Por a është Yermak i përfshirë?

Deri tani, autoritetet nuk kanë deklaruar se Yermak është i dyshuar. Megjithatë, lidhjet e tij të ngushta brenda qeverisë dhe fakti që disa prej zëvendësve të tij – Oleg Tatarov, Andriy Smirnov dhe Rostyslav Shurma – janë nën hetim ose të akuzuar nga NABU, kanë ngritur pikëpyetje publike.

Shumë analistë dhe aktivistë kundër korrupsionit në Ukrainë kanë theksuar se ndikimi i madh i Yermakut në qeveri e bën të rëndësishme transparencën maksimale të hetimit. Në qarqet politike përflitet se ai ka pasur rol vendimtar në komunikimet diplomatike, negociatat me SHBA-në dhe menaxhimin e krizës së luftës.

Po ashtu, disa zyrtarë të lartë aktualë — përfshirë kryeministren Yulia Svyrydenko, Prokurorin e Përgjithshëm Ruslan Kravchenko dhe ministrin e Jashtëm Andriy Sybiha — janë konsideruar si të afërt me Yermakun në faza të ndryshme të karrierës së tyre. Zoom.al/

Trump fyen sërish një gazetare: Je budallaqe

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u përplas ashpër me një gazetare duke e quajtur budallaqe, pasi vuri në pikëpyetje akuzën e tij ndaj administratës Biden për pranimin e të huajve në Amerikë.

Gjatë konferencës për shtyp, gazetarja iu referua një raporti të Inspektorit të Përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë, ku thuhej se afganët e sjellë në SHBA kishin kaluar më herët nëpër proceset e verifikimit të Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe të FBI-së.

Ajo pyeti pse Trump vazhdonte të fajësonte administratën Biden.

“Sepse ata e lejuan të hynte. Je budallaqe? Je person budalla?”, u përgjigj Trump, duke shtuar se personi kishte ardhur në SHBA së bashku me “mijëra të tjerë që nuk duhet të ishin këtu”.

Përplasja e ashpër solli tension në sallë, ndërsa presidenti akuzoi gazetaren se po bënte pyetje jo të duhura. Zoom.al/

Skandal në Serbi/ Vuçiç dhe vëllai i tij akuzohen për korrupsion dhe lidhje me krimin, zbulohen mesazhet në SKY ECC

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, dhe vëllai i tij, Andrej, po përmenden përsëri në komunikimet e reja të platformës SKY, të cilat kanë mbërritur nga Europol dhe dyshohet se zbulojnë ndërhyrje të nivelit të lartë në sistemin e drejtësisë dhe lidhje me grupe kriminale.

Sipas raporteve të mediave serbe, dokumentet e reja lidhen me aktivitetet e narko-kartelit të Darko Shariç dhe tregojnë se persona të pushtetshëm mund të kenë ndihmuar ose favorizuar këtë rrjet.

Sipas mediave, Ministria e Brendshme nuk ia ka dorëzuar ende Prokurorisë për Krim të Organizuar paketën e re me të dhënat e SKY-t, gjë që ka ngritur dyshime për mbajtje të qëllimshme të informacioneve jashtë procesit hetimor.

Në komunikimet e mëparshme SKY, që tashmë janë bërë publike në vende të ndryshme të rajonit, presidenti Vuçiç përmendet me nofkën “Oskar”, ndërsa vëllai i tij me emrin “Andrej”. Në lista shfaqen edhe ish-ministri i Brendshëm Nebojsha Stefanoviç (“Edo”) dhe zyrtari i BIA-s, Marko Parezanoviç (“Markus”).

Burime nga hetimet tregojnë se në bisedat e grupit të Darko Shariqit shtrohet ideja se “vendimet gjyqësore mund të ndikohen vetëm përmes Oskarit”, ndërsa flitet edhe për një takim në BIA, ku kanë marrë pjesë persona nga strukturat e larta të drejtësisë dhe të shërbimeve të zbulimit.

Vëllai i Darko Shariqit, Dushko Shariq, në një mesazh të 26 majit 2020, shkruan:

“E vetmja rrugë reale është përmes Markusit drejt Oskarit. Vetëm ai mund ta zgjidhë këtë punë… të tjerët nuk munden”, duke iu referuar Aleksandar Vuçiçit me nofkën tashmë të njohur.

Në një komunikim tjetër, të publikuar nga media malazeze Vijesti, i dyshuari Petar Lazoviq flet drejtpërdrejt për Vuçiçin me fjalor banal dhe, në mënyrë indikative, disa nga dëshirat e tyre përfshirë uljen e dënimeve të Shariqit realizohen më vonë në gjykatat serbe.

Dokumentet e reja të SKY-t, të cilat Ministria e Brendshme nuk po ia dorëzon TOK-ut, lidhen me korrupsion të nivelit të lartë dhe me përdorimin e institucioneve shtetërore për mbrojtjen e rrjeteve kriminale. Sipas burimeve, në këto komunikime përmenden sërish Aleksandar dhe Andrej Vuçiç, duke krijuar presion të jashtëzakonshëm mbi strukturat e drejtësisë.

Një sërë vendimesh gjyqësore rrëzimi i dënimeve të mëparshme të Shariqit, largimi i gjyqtarit Milimir Lukiq nga rasti dhe vendosja e të pandehurit në arrest shtëpie po vlerësohen nga ekspertët si të sinkronizuara me interesat e rrjetit kriminal dhe të një pjese të pushtetit politik.

Sipas ekspertëve të drejtësisë, ekziston shqetësimi se përfshirja e paketës së re në hetime mund të çojë në procedime ndaj zyrtarëve të lartë të shtetit. Për këtë arsye, pushteti serb dyshohet se po nxit ndryshime ligjore që do ta kufizonin rolin e Prokurorisë për Krim të Organizuar, duke e vënë nën kontroll më të drejtpërdrejtë të Prokurorisë së Lartë të Beogradit./ Zoom.al