Aplikacion
Analisti Andi Bushati, ka deklaruar se “pista amerikane” si aryse pse SPAK po godet Belinda Ballukun, nuk bazohet në ndonjë provë apo fakt, konkret.
I ftuar në emisionin Të Paekspozuarit, Bushati thotë se fakti që SPAK po heton procedura ku është i implikuar edhe Rama, krijon dyshime se ka një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar.
Sipas tij ka një forcë tjetër që ka bërë të lëvizë trajektorja që SPAK ndjek gjithë këto vite.
Pyetje: Ka patur shumë aludime, kishe edhe ti dyshime, që te Balluku po hetohet se ka edhe ndërhyrje të huaj. Luajmë shumë me teori konspirative, amerikanët, etj…
Andi Bushati: E kam hedhur këtë dyshim, por e kam hedhur, për të qenë i ndërshëm, pa patur fakt, por duke u nisur nga një logjikë, që deri tani SPAK nuk ka guxuar kurrë më parë, të prekë procedura ku është implikuar Edi Rama. E merr Veliajn për fustanet e Ajolës, Ahmetajn për vilat e grave, por jo për punët që kanë bërë në bashkëpunim me Ramën. Fakti që kemi një thyerje, ose risi, të lë të dyshosh, se në lojë është futur përdhunshëm një forcë tejtër. A janë europianë? A janë amerikanë? Ore, a janë këto banda kriminale që kanë paguar se kanë inat Ballukun? Nuk e di, por ka një forcë tjetër që ka bërë të lëvizë trajektorja që SPAK ndjek gjithë këto vite.
Salianji mesazh Fevziut për lëvizjen brenda PD: Demokratët janë të uritur…Sonte, më datë 27 nëntor 2025, në studion e emisionit “Opinion” ishte i ftuar kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.
Ai foli, në lidhje me lajmet e përhapura së fundmi, se Ervin Salianji ka zhvilluar një mbledhje me disa eksponentë të PD-së, për të sjellë diçka ndryshe në Partinë Demokratike.
Salianji ndërhyri në emision, duke i dërguar edhe mesazh moderatorit të emisionit, Blendi Fevziut.
“Nuk besoj se të gjithën e sqaroj dot me një mesazh, Do vij tek ju dhe do flas. Takimet unë i bëj përherë, se në politikë vota përcakton hierarkinë dhe peshën e çdo mekanizëm tjetër hileqar, që nuk rri dot. PD ka nevojë për ripërtëritje dhe vlerësim të meritës. Këto i kam thënë në studion tuaj dhe kudo. Fakti që takimi i individëve më të votuar bën lajm, tregon urinë e qytetarëve dhe demokratëve, për vlerësim dhe analizë reale që kemi ne. Unë dëgjoj çdo demokrat, jo më demokratë, që të gjithë ne që ishim në një kafe, kemi mbledhur më shumë se 200 mijë vota për PD-në. Ju kam sjellë edhe një foto”, shkruan në mesazh Salianji.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi u shpreh se Salianji dhe eksponentët e tjerë të Partisë Demokratike kanë pirë thjesht kafe e se nga ajo mbledhje nuk ka asgjë serioze.
Takimi me më të votuarit e PD-së, Alimehmeti: Kandidatët kërkojnë rikthimin e strukturaveKëtë të enjte është zhvilluar një takim mes disa prej kandidatëve më të votuar të Partisë Demokratike ka vënë në qendër të diskutimit mënyrën se si është drejtuar partia pas zgjedhjeve të 11 majit dhe mungesën e komunikimit me strukturat.
Në mbledhje morën pjesë anëtari i Kryesisë Ervin Salianji, kandidati i Tiranës Ilir Alimehmeti, si dhe emra të listave të hapura si Aulon Kalaja, Tedi Kopliku, Xhemal Gjuknshi, Hysen Kadiu dhe të tjerë. Qëllimi i takimit ishte të analizonin problematikat në organizimin e PD-së dhe të kërkonin një qasje më funksionale për të ardhmen.
I ftuar në Top Story, Alimehmeti tregoi se diskutimet ishin të hapura dhe përqendroheshin te boshllëqet në komunikim pas zgjedhjeve.
“Ishte një tryezë mes demokratësh, për të kuptuar problemet tona ku janë dhe të shtyjmë kauzat tona më tej.
PD do duhet të forcohet dhe për këtë duhet të kuptojë ku ka gabime, që të shmanget nga modele që kanë treguar që nuk kanë funksionuar. Me të gjithë kandidatët që flasim në qarqe, na thanë që nuk jemi kontaktuar më, janë lënë në harresë. Nuk mendoj se kjo është rruga e duhur.
Ajo që kuptuam, më e vështirë ka qenë për të kuptuar si janë qarqet e tjera, por kuptuam që kanë qenë të njëjtat problematika në çdo qark. Kandidatët do duhej të ishin thirr nga Kryesia, apo Këshilli Kombëtar, për t’u dëgjuar dhe ana e tyre”, tha ai.
Jo vetëm Artan Hoxha/ Edhe Aulon Kalaja i padëshiruar për GreqinëPak ditë pas shpalljes “non grata”, të gazetarit Artan Hoxha, aktivisti Aulon Kalaja ka treguar se si është shpallur edhe ai “non grata” nga Greqia vite më parë.
Kalaja ka treguar, se pushimet e planifikuara me familjen verën e 2019 në shtetin grek ju shkatërruan pasi pa pasur dijeni për vendimmarrjen në kufi i është komunikuar shpallja person i padëshiruar, pa dhënë asnjë arsye mbi vendimin.
Ai thotë se ende nuk i di arsyet konkrete përse është shpallur i padëshiruar dhe i është ndaluar hyrja në shtetin helen përjetësisht, ndërsa shton se ka dyshime se shpallja non grata lidhet sipas tij me dy cështje.
“Më ndaluan dhe më shpallën non grata deri në fund të jetës. Më ndaluan dhe më dhanë një fletë ku kategorizohesha te H si person i padëshiruar. Pa më shpjeguar arsyet por unë besoj se ka të bëjë me dy momente protestat e organizuara nga unë kundrejt marrëveshjes së detit si dhe një dokumentar për vrasjet e shqiptarëve në Greqi. Është e padrejtë sepse veprimtaria ime nuk është kurrë ekstremiste”, u shpreh Aulon Kalaja në Top Channel.
Zbuloni 3 shenjat më të pafata të horoskopit për muajin DhjetorDhjetori nis me lëvizje të forta astrologjike, energji dhe situata që ndikojnë ndryshe tek çdo shenjë e zodiakut.
Ndërsa për shumë njerëz muaji sjell optimizëm dhe zhvillime pozitive, për tre shenja të caktuara dhjetori vjen me sfida, presion dhe nevojë për kujdes të shtuar.
Financat, marrëdhëniet dhe ritmi i përditshëm mund të tronditen, duke i vendosur në qendër të provave serioze.
Demi
Dhjetori nis me një ankth të fortë për çështjet financiare. Demi përballet me pasiguri, borxhe ose detyrime të përbashkëta që e rëndojnë psikologjikisht. Por sfida më e madhe vjen më 24 dhjetor, ku gabimet në shpenzime, blerjet impulsive apo zhgënjimet ekonomike janë shumë të mundshme.
Virgjëresha
Edhe pse fusha profesionale premton zhvillime të mira, jeta sociale e virgjëreshës këtë dhjetor komplikohet. Kundërshtimi i mërkurit me uranin sjell keqkuptime të papritura, konflikte me miqtë dhe situata që dalin nga kontrolli.
Peshorja
Peshorja e nis dhjetorin mes detyrave, udhëtimeve dhe një ritmi të zënë të përditshëm. Gjysma e parë e muajit është e mbushur me angazhime të prapambetura dhe stres. Pika më delikate vjen më 24 dhjetor, kur Venusi formon katror me Neptunin, një kombinim që sjell tensione familjare, keqkuptime në tryezën festive dhe emocione të paqarta. Zoom.al/
Operacioni antidrogë në Itali/ Dalin emrat e 24 anëtarëve të mafies shqiptareJanë publikuar emrat e 24 personave, të arrestuar në kuadër të një operacioni të përbashkët mes Prokurorisë së Brescias në Itali dhe SPAK.
Sipas listës së nxjerrë nga mediat e huaja 21 persona janë lënë në masën e sigurisë arrest me burg, ndërsa 3 prej tyre në arrest shtëpiak.
Në arrest me burg janë lënë shtetasit:
-Vincenzo Bruno
-Arlind Buzali
-Donald Cala
-Gazmend Ferhati
-Elton Gjegja
-Adriatik Hasa
-Erion Kapedani
-Oltion Lala
-Asti Llupi
-Denis Myftiu
-Altin Shehaj
-Gazmend Shehu
-Bledin Doci
-Elvis Doci
-Juljan Hyka
-Eduard Leba
-Gentjan Shaba
-Ogert Shqevi
-Denis Tafili
-Indrit Tafili
-Klodian Vata
Arrest shtëpie
-Gusseppe Lorio
-Erald Salla
-Enkelejd Tirjaku
Sipas raportimeve klani shqiptar besohet se në harkun e 5 viteve ka trafikuar drejt Italisë të paktën 1.3 tonë kokainë. Gjatë operacionit janë sekuestruar asete me vlerë 3 milionë euro. Zoom.al/
“Akt terrorist”/ Çfarë dihet deri tani për sulmin me armë pranë Shtëpisë së Bardhë?Presidenti, Donald Trump i quajti të shtënat ndaj trupave të Gardës Kombëtare pranë Shtëpisë së Bardhë një “akt terrori”. Çfarë dihet tani në lidhje me sulmin dhe autorin e dyshuar?
Sipas autoriteteve amerikane, një afgan hapi zjarr ndaj dy anëtarëve të Gardës Kombëtare në qendër të Uashingtonit të mërkurën pasdite (ora lokale), duke i plagosur rëndë.
Të shtënat ndodhën vetëm dy blloqe godinash në veriperëndim të Shtëpisë së Bardhë, pranë vendit të njohur Farragut Square. Kryetarja e bashkisë së Uashingtonit, Muriel Bowser, foli për një “sulm të synuar” në një konferencë për shtyp. Një nga gardistët arriti të hapë zjarr. Edhe autori i dyshuar është qëlluar, dhe trajtohet në sptal.
Dy personat e qëlluar janë anëtarë të Gardës Kombëtare nga shteti i Virxhinias Perëndimore, pjesë e trupave të vendosur në kryeqytet me urdhër të Presidentit Donald Trump. Autoritetet nuk kanë publikuar ende detaje të mëtejshme rreth identitetit të tyre. FBI-ja dhe kryetarja e bashkisë së Uashingtonit, D.C., deklaruan se rojet e Gardës Kombëtare janë në gjendje kritike për jetën.
Trump: “Akt i së keqes”
Policia njoftoi se bëhet fjalë për një autor të vetëm. I dyshuari është një shtetas afgan që ka hyrë në SHBA në vitin 2021, deklaroi Presidenti Trump në një fjalim drejtuar kombit. Trump e quajti atë një akt terrorizmi. “Ky sulm i neveritshëm ishte një akt i së keqes, një akt urrejtjeje dhe një akt terrori.” Trump nuk dha detaje më specifike rreth motivit të mundshëm. Sipas NBC dhe Reuters, FBI po e heton sulmin si një akt të mundshëm terrorizmi.
Në fjalimin e tij, Trump e quajti Afganistanin një “vrimë ferri në tokë” dhe pretendoi se miliona njerëz nga e gjithë bota kishin hyrë në SHBA pa kontroll nën paraardhësin e tij demokrat, Joe Biden. Ai njoftoi se do të rikontrollohen të gjithë individët që hynë nga Afganistani gjatë presidencës së Bidenit. Ai deklaroi gjithashtu se do të “ndërmerrte të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar që të dëbohen të gjithë shtetasit e huaj nga të gjitha vendet që nuk duhet të jenë këtu ose që nuk sjellin ndonjë përfitim për vendin tonë”.
Edhe Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, u shpreh se afgani kishte hyrë në SHBA pa kryer verifikimet e nevojshme të së kaluarës. As Trump dhe as Noem nuk dhanë ndonjë provë se nuk ishte kryer verifikimi i zakonshëm para hyrjes. Edhe gjatë evakuimit pjesërisht kaotik të afganëve nga Kabuli nga ushtria amerikane në vitin 2021, afganët nuk u sollën direkt në SHBA. Ata u transportuan me aeroplan, ndër të tjera, në një bazë amerikane në Katar, ku u kryen kontrollet fillestare të sigurisë./DW
Nesër “Black Friday”/ Çfarë duhet të dini për ditën e uljeve drastike“Black Friday” është dita e uljeve më të mëdha të vitit, zakonisht të premten pas Ditës së Falënderimeve në Amerikë, nga aty ku edhe ka lindur si kulturë.
Në këtë ditë, dyqanet në të gjithë botën hapen në orët e para të mëngjesit dhe mbahen të hapura deri në orët e vona. “Black Friday” shënon fillimin e sezonit të blerjeve të fundvitit dhe zakonisht është dita më e ngarkuar e blerjeve në vit.
Dyqanet në këtë ditë ofrojnë çmime promocionale, oferta speciale që i bëjnë shumë njerëz ta kalojnë gjithë ditën duke vrapuar nga një dyqan në tjetrin. Kjo ditë ka marrë këtë emër për të simbolizuar njerëzit, rrëmujën që do të bëjnë ata dhe uljen drastike të çmimeve.
Në këtë ditë, njerëzit mbajnë radhë të gjata para dyqaneve dhe vitrinave për të blerë produktin e tyre të parapëlqyer. Ajo tashmë ka kaluar kufijtë e saj, pasi përpos Amerikës, po praktikohet në shumë shtete të tjera të botës. Zoom.al/
Serbia zgjat afatin për përzgjedhjen e punëtorëve të rinj shëndetësorë në Kosovë në prag të zgjedhjeve të rejaDisa parti politike serbe në Kosovë, të cilat në zgjedhjet e tetorit fituan ulëse në kuvende komunale në disa komunave me shumicë serbe, e kanë kundërshtuar vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë së Serbisë për ta zgjatur deri më 15 janar të vitit të ardhshëm konkursin për përzgjedhjen e punëtorëve të rinj në institucionet e saj që funksionojnë në mjediset serbe në Kosovë.
Fjala është për një konkurs për disa qindra vende të reja pune, të cilin, para të gjithëve dhe në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit në Kosovë, e kishte paralajmëruar vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke thënë se “shteti i Serbisë kujdeset për komunitetin serb në Kosovë”.
Tani, zgjatja e afatit për përzgjedhjen e punëtorëve arsyetohet me numrin e madh të kandidatëve të paraqitur. Ndërkohë, mbështetjen e Beogradit zyrtar e ka vetëm Lista Serbe, e cila në zgjedhjet lokale i fitoi që të gjitha dhjetë komunat me shumicë serbe, ndërsa në zgjedhjet parlamentare të shkurtit mori nëntë nga dhjetë mandatet e rezervuara për komunitetin serb.
Zgjedhjet e reja të parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 28 dhjetor, pasi Lëvizja Vetëvendosje, partia që mori më së shumti vota në zgjedhjet e shkurtit, por jo mjaftueshëm për të formuar e vetme Qeverinë, nuk arriti të sigurojë mbështetjen e partive të tjera për të formuar institucionet e reja.
Kështu, zgjatja e afatit për përzgjedhjen e punëtorëve në institucionet shëndetësore të Serbisë në Kosovë do të përkojë me fushatën parazgjedhore.
Për këtë arsye, Demokracia Serbe e Aleksandar Arsenijeviqit e ka dënuar këtë vendim, duke u bërë thirrje drejtuesve të institucioneve shëndetësore që të mos sillen “sipas urdhrave partiakë dhe kalkulimeve parazgjedhore, por të punojnë në interes të komunitetit të tyre”.Kujtojmë se drejtori i Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicën e Veriut është kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, por anëtarë të Listës Serbe gjenden në pozita udhëheqëse edhe në institucione të tjera shëndetësore.
Për shembull, drejtoresha e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Graçanicë, Mirjana Dimitrijeviq, ishte kandidate për deputete në zgjedhjet e shkurtit nga Lista Serbe.
Demokracia Serbe në deklaratën e saj ka kujtuar se nuk është hera e parë që qytetarët “mashtrohen për të mbështetur drejtuesit e Listës Serbe”.
“Prej vitesh përsëritet i njëjti skenar – premtime, manipulime, presione – dhe rezultati është vazhdimi i agonisë”, thuhet në komunikatë.
Në prag të zgjedhjeve parlamentare të shkurtit të këtij viti, Serbia kishte po ashtu të hapur një konkurs për institucionet shëndetësore në Kosovë, por ai u anulua pas protestave për “mungesë transparence” dhe “punësime partiake të njerëzve të përshtatshëm”.
I njëjti skenar përsëritet pothuajse në çdo fushatë zgjedhore, kur Lista Serbe premton vende pune, banesa ose përfitime të tjera nga buxheti i Serbisë.
Milija Bishevac, lideri i Lëvizjes Popullore Serbe, ka kritikuar gjithashtu vendimin për zgjatjen e afatit për përzgjedhjen e punëtorëve në institucionet shëndetësore serbe, duke thënë se vendet e punës mbahen si “mjet për shantazhimin e qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme”, dhe se në fund punën e marrin të afërmit ose “besnikët” e Listës Serbe.
Ka reaguar edhe Aleanca Kosovare e Goran Marinkoviqit, duke vlerësuar se bëhet fjalë për “keqpërdorim të popullit”.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës më herët ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se “aktivitetet joligjore të institucioneve të Serbisë në Kosovë kanë ndërlikime të qarta politike gjatë fushatës zgjedhore”.Sipas tij, koha dhe mesazhi që dërgohet lënë dyshime se kemi të bëjmë me një përpjekje “për ndikim të koordinuar mbi votuesit”.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar në tetor Serbinë se po ndërhyn në zgjedhjet lokale në Kosovë duke premtuar vende pune dhe përfitime financiare.
Ai ka bërë thirrje që Bashkimi Evropian ta dënojë ndërhyrjen e Beogradit në zgjedhjet në Kosovë dhe të sanksionojë Serbinë për këtë.
Nga Bashkimi Evropian nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje konkrete ndaj këtyre akuzave, por kanë thënë se të gjithë qytetarët duhet të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar lirshëm, pa ndërhyrje dhe manipulime të jashtme./REL
EMRI+FOTO/ Kush është i riu që humbi jetën në aksident në autostradën Tiranë-DurrësNjë aksident tragjik ndodhi mbrëmjen e kaluar në autostradën Tiranë-Durrës, ku humbi jetën një 28-vjeçar. Viktima është identifikuar si Akil Gjeçi nga Tropoja.

Sipas informacionit nga policia, i riu dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte dhe më pas është përplasur me bordurat anësore të rrugës.
Si pasojë e aksidentit, ai ka ndërruar jetë në spital.
Policia po vazhdon hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit./ Zoom.al