zoom

Day ArchiveProkuroria kërkon një vit e tetë muaj burg për Chiara Ferragni-n

Prokuroria e Milanos ka kërkuar dënimin e Chiara Ferragnit me një vit e tetë muaj burg për mashtrim, në lidhje me reklamat mashtruese për ëmbëlsirën tradicionale italiane “Pandoro” dhe vezët e Pashkëve “Dolci Preziosi”, të cilat u prezantuan si produkte të lidhura me veprimtari bamirësie.

Gjatë seancës dëgjimore para gjykatësit Ilio Mannucci Pacini, prokuroria argumentoi se fushatat promovuese për këto produkte midis viteve 2021 dhe 2022, të cilat u kryen përmes kompanisë së influencueses, u paraqitën si të lidhura me dy nisma të veçanta bamirësie, pa e reflektuar plotësisht realitetin.

Së bashku me Ferragnin, zëvendësprokurori Eugenio Fusco kërkoi të njëjtin dënim për bashkëpunëtorin e saj të ngushtë, Fabio Maria D’Amato. Për Francesco Cannillo, president i Cerealitalia, u kërkua një dënim me një vit.

Seanca e radhës është caktuar për 5 dhjetor. Sipas mediave italiane, në total, midis gjobave të Autoritetit Italian të Konkurrencës dhe kërkesave për dëmshpërblim, Chiara Ferragni ka paguar tashmë 3.4 milionë euro, përpara se gjykata të hynte në fazën thelbësore të gjykimit.

Të tre të pandehurit kanë kërkuar t’i nënshtrohen procedurës së përshpejtuar të gjykimit, e cila parashikon një ulje të dënimit me një të tretën e tij. Dënimi total mund të ulet gjithashtu për shkak të dëmeve të paguara tashmë dhe faktit se të gjithë nuk kanë precedentë penalë.

Chiara Ferragni ishte e pranishme në sallën e gjyqit sot në mëngjes, pasi kishte hyrë para hapjes zyrtare për të shmangur mbërritjen e fotografëve.

Në një deklaratë të shkurtër, ajo theksoi: “Gjithçka që bëmë, e bëmë me mirëbesim.” Zoom.al/

“Balluku drejt fundit politik”, Lala: Po goditet maja e qeverisë

Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në “Studio24”, komentoi hetimin që SPAK po kryen ndaj Belinda Ballukut, duke deklaruar se procedura aktuale është ende e papërfunduar dhe se çështja pritet të sjellë goditje politike në nivele më të larta të pushtetit.

Sipas saj, çdo hetim serioz ndaj një zyrtari të lartë duhet të ketë në fokus gjurmimin e pasurive të përfituara në mënyrë të paligjshme, një aspekt që, sipas Lalës, nuk është trajtuar plotësisht nga SPAK në rastin e Ballukut.

Hetimi i SPAK për Ballukun nuk është i plotë. Kur heton një zyrtar të lartë, duhet të nisësh nga pasuria e marrë padrejtësisht,” tha Lala.

Ajo kujtoi se detaje të rëndësishme lidhur me tenderat e vitit 2021 u zbuluan vetëm falë një telefoni të sekuestruar, çka sipas saj tregon shkallën e abuzimeve brenda institucioneve të infrastrukturës.

Sapo kupa u mbush, nisën goditjet që po çajnë mazhorancën. Rënia e Ballukut është vetëm sinjali i parë se drejtësia po afrohet te maja e qeverisë,” u shpreh gazetarja.

Lala shtoi se tenderat publikë në infrastrukturë, në shumicën e rasteve, janë “të paracaktuar”, duke nënvizuar se përfitime të mëdha dhe interesa të ngushta ndikojnë në caktimin paraprak të fituesve.

Pjesa më e madhe e tenderave në infrastrukturë janë të përcaktuar, sepse aty qarkullojnë interesa të mëdha. SPAK ka material të bollshëm. Balluku është drejt përfundimit të karrierës politike,” deklaroi ajo.

Gazetarja komentoi edhe shkresën e Këshillit të Ministrave drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ku argumentohej se pezullimi i Ballukut krijonte “pasoja të pariparueshme” për funksionimin e shtetit.

Mendoj se kjo është një lëvizje politike. GJKKO e ka pezulluar nga një detyrë ku ajo është emëruar, jo votuar. Qytetarët nuk zgjedhin ministra. Mandati i saj si deputete nuk është prekur,” theksoi Lala.

Serialet britanike “Rivals” dhe “Ludwig” triumfojnë në Emmy Awards

Dy seriale britanike kanë dominuar këtë vit ceremoninë e International Emmy Awards, të mbajtur në New York.

Drama “Rivals”, e bazuar në romanin e Dame Jilly Cooper dhe e transmetuar në Disney+, u shpall seriali më i mirë dramatik. Në rol kryesor shfaqen David Tennant, Danny Dyer dhe Emily Atack, ndërsa ngjarjet zhvillohen në krahinën imagjinare Rutshire, ku intriga dhe skandalet e të pasurve vihen në qendër të tregimit.

Komedia kriminale “Ludwig”, me aktorët Anna Maxwell-Martin dhe David Mitchell, u vlerësua si komedia më e mirë. Maxwell-Martin mori edhe çmimin “Aktorja më e mirë” për rolin e saj në serinë e vërtetë kriminale të ITV, “Until I Kill You”, duke shënuar një natë të suksesshme për aktoren britanike.

Emmy Awards vlerëson programet më të mira televizive të prodhuara dhe transmetuara jashtë SHBA-ve. Aktorin më të mirë e fitoi spanjolli Oriol Pla për dramën “Yo, Adicto”, një seri e Disney+ që ndjek rrugëtimin e një burri që kërkon ndihmë profesionale për varësinë.

Suksesi i “Rivals” vjen pak para nisjes së sezonit të dytë, në të cilin do të bashkohen Rupert Everett dhe Hayley Atwell. Ndërkohë, “Ludwig”, një prodhim i BBC-së që po ashtu pritet të ketë vijim, u mirëprit gjerësisht nga publiku në fund të vitit 2024.

Mes fituesve të tjerë britanikë ishte dokumentari i BBC Two “Hell Jumper”, i shpallur dokumentari më i mirë për rrëfimin autentik të një grupi vullnetarësh në Ukrainë.

Channel 4 mori çmimin për çështje aktuale me episodin “Kill Zone: Inside Gaza” të emisionit “Dispatches”, që trajton jetën e palestinezëve të prekur nga sulmet izraelite.

BBC u vlerësua gjithashtu me mini-serialin “Lost Boys and Fairies”, që rrëfen historinë e një çifti homoseksual gjatë procesit të adoptimit, i shpallur fitues në kategorinë film/mini-serial. Apple TV+ shtoi një tjetër trofe për Mbretërinë e Bashkuar me serialin për adoleshentë “Fallen”, fitues në kategorinë për fëmijë live action. Seriali ndjek 17-vjeçaren Lucinda Price në sfidat e jetës në një qendër rehabilitimi.

Nga prodhimet e tjera ndërkombëtare, seriali australian për fëmijë “Bluey” fitoi çmimin për animacion, ndërsa reality-show danez “Shaolin Heroes” u shpall fitues në kategorinë e argëtimit jo të skenarizuar. Zoom.al/

Tregu i punës në epokën e IA: Cilët profesione do të kërkohen më shumë deri në 2030

Tregu global i punës po përjeton një transformim të shpejtë nën ndikimin e inteligjencës artificiale, duke riformësuar kërkesat për aftësi dhe rolet profesionale, raporton in.gr.

Sipas raportit më të fundit Future of Jobs Report 2025 të Forumit Ekonomik Botëror, ndryshimet në kompetencat që kërkojnë punëdhënësit po ndodhin me ritme të paprecedenta. Aftësitë që dikur konsideroheshin të sigurta po humbasin terren, ndërsa ato që lidhen me IA dhe mendimin analitik po marrin epërsi.

Punëdhënësit ende të papërgatitur, punonjësit akoma më shumë

Edhe pse shumica e kompanive përdorin tashmë mjete të inteligjencës artificiale, një pjesë e vogël e punonjësve arrin t’i shfrytëzojë ato plotësisht. 

Një studim i Universitetit Drexel në SHBA tregon se shumica i përdorin “rastësisht” ose vetëm për detyra bazike, duke lënë të pashfrytëzuar potencialin për automatizim, analizë të avancuar të të dhënave dhe optimizim të proceseve.

Cilat aftësi pritet të dominuojnë?

Raporti i WEF përfshin të dhëna nga mbi 1 mijë punëdhënës globalë, që përfaqësojnë më shumë se 14 milionë punonjës në 22 sektorë. 

Rezultatet tregojnë qartë:
• Mendimi analitik është aftësia më e kërkuar globalisht, e vlerësuar si thelbësore nga 69% e punëdhënësve.
• Rezistenca, fleksibiliteti dhe aftësia për t’u përshtatur renditen menjëherë pas, me 67%.
• Aftësitë drejtuese, puna në grup dhe ndikimi tek të tjerët mbeten kyçe për 61% të punëdhënësve.
• Kreativiteti vlerësohet si i domosdoshëm nga 57%, jo vetëm në profesionet kreative, por edhe në përdorimin inovativ të IA-së.

Ndër aftësitë që po fitojnë vlerë përfshihen motivimi personal, vetëdija, njohuritë teknologjike, empatia, dëgjimi aktiv, kurioziteti dhe mësimi i vazhdueshëm.

Aftësitë teknologjike në rritje të fortë

Punëdhënësit presin që kërkesa për kompetenca të lidhura me:
• AI dhe Big Data të rritet me 87% deri në vitin 2030
• Rrjete dhe kibernetikë me 70%
• Aftësi teknologjike bazike me 68%

Ndërkohë, aftësi tradicionale manuale ose të bazuara në njohuri të thjeshta akademike (lexim, shkrim, matematikë) pritet të humbasin rëndësinë, për shkak të automatizimit dhe zëvendësimit të tyre me mjete të AI-së.

Humanët ende të pazëvendësueshëm

Një nga tendencat më interesante është zhvendosja drejt aftësive “njerëzore”, kreativiteti, elasticiteti, vetëbesimi, aftësia për të mësuar shpejt dhe për të eksperimentuar. 

Këto konsiderohen si komponentët që e bëjnë një punonjës të suksesshëm në një mjedis të mbizotëruar nga teknologjia.

Nga ana tjetër, aftësitë shumëgjuhësore po bien në kërkesë, kryesisht për shkak të avancimit të përkthimit automatik dhe mjeteve që lehtësojnë komunikimin ndërkulturor.

Ndryshimi nuk prek të gjithë në të njëjtën mënyrë

Raporti thekson se ekonomitë me të ardhura të ulëta dhe të mesme pritet të përballen me tronditje më të mëdha në tregun e punës. Vendet me të ardhura të larta, si Danimarka, Holanda, Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania, përballen me ndryshime më të moderuara deri në vitin 2030.

Si përfundim, epoka e IA-së po kërkon punonjës më të shkathët, më të adaptueshëm dhe me aftësi që ndërthurin mendimin kritik, kreativitetin dhe kompetencat teknologjike. Transformimi është në zhvillim e sipër dhe vetëm ata që përshtaten do të mbeten konkurrues. Zoom.al/

Pamje +18 nga BBVK/ Banorja: Ky është pozicioni im i preferuar

Pamje +18 ka ofruar brenda shtëpisë së Big Brother Vip Kosova, modelja e Only Fans, Bia Khalifa, duke shkaktuar reagime të forta në rrjet rreth përmbatjes së ofruar për ndjekësit.

Banorja e BBVK ndërsa kërcente Twerk para konkurrentit tjetër, Arditi Stafai, solli momente të nxehta teksa u afrua duke u prekur tek ai.

Në një moment, Bia Khalifa ka treguar pozicionin e saj të preferuar, ndërsa e ka demostruar para kamerave së bashku me muzikantin.

“Pozicioni im i preferuar”, shprehet rumunja, duke i kërkuar banorit ta ndihmojë në demostrim: “Eja këtu, ja ky është pozicioni im i preferuar”.

Pamjet kanë shkaktuar zemërim në rrjet lidhur me pamjet që ofrohen, të cilat mund të shikohen edhe nga fëmijët.

Champions League/ Mourinho merr fitoren e parë, shtanget Galatasaray

Janë mbyllur dy ndeshjet e para të raundit të pestë në Ligën e Kampioneve.

Jose Mourinho mori fitoren e parë në stolin e Benficas në këtë kompeticion. Portugezët triumfuan 0-2 ndaj Ajax në transfertë.

Dahl zhbllokoi takimin në minutën e 6-të, ndërsa në Barriero vulosi takimin me golin në minutën e 90-të.

Surpriza erdhi nga Turqia, ku Galtarasay u mposht minimalisht nga belgët e Royale Union SG. Zoom.al/

Vrasja e Fatbardh Licit, mbyllen hetimet për 4 të pandehurit

SPAK ka mbyllur hetimet për vrasjen e Fatbardh Licit dhe ka dërguar dosjen në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO).

Të pandehurit për të cilët kërkohet nisja e gjykimit janë Safet Bajri, Behar Bajri, Astmer Bilali dhe Eria Ago.

Fatbardh Lici u vra rreth shtatë vite më parë dhe dyshohet se ishte viktimë e përplasjes së vazhdueshme mes fiseve Lici dhe Bajri në Shkodër. Konflikti mes grupeve ka nisur që prej atentatit ndaj biznesmenit Lulzim Kulla në janar të vitit 2018 dhe ka vijuar me një seri vrasjesh dhe zhdukje personash në Shkodër.

Safet Bajri, më parë i ndaluar gjatë operacionit “Oaz” dhe i dënuar në Belgjikë, është arrestuar më 21 shkurt 2025. Ai dhe bashkëpunëtorët e tij akuzohen për “Vrasje me paramendim”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale të strukturuara.

Motivi i vrasjes së Fatbardh Licit dyshohet të lidhet me hakmarrjen ndaj Ibrahim Licit, i cili ishte fajësuar nga Behar Bajri për vrasjen e ish-efektivit Boran Bërçana dhe bashkëjetueses së tij Silva Ndoci.

Saga e dhunës mes fiseve në Shkodër ka përfshirë një seri vrasjesh të tjera, duke prekur jo vetëm anëtarë të grupeve rivale, por edhe civilë dhe familjarë, duke lënë pas një histori të gjatë hakmarrjesh dhe dhune. Zoom.al/

Lufta në Ukrainë/ Trump jep sinjale pozitive: Jemi shumë afër

Presidenti amerikan, Donald Trump tha se beson që bisedimet për një marrëveshje paqeje në Ukrainë janë afër.

“Nuk është e lehtë, por besoj se do ta arrijmë”, tha presidenti amerikan teksa fliste në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë.

“Mendoj se po i afrohemi shumë një marrëveshjeje, do ta shohim… Mendoj se po bëjmë përparim”, tha ai gjatë ceremonisë së faljes së gjelit të detit për Ditën e Falënderimeve.

Më herët sot, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Kievi është gati të ecë përpara me një marrëveshje paqeje të mbështetur nga SHBA-të dhe se është gati të diskutojë pikat e saj të ndjeshme me presidentin amerikan në bisedime që ai tha se duhet të përfshijnë aleatët europianë.

Në një fjalim para të ashtuquajturit “Koalicion i të Gatshmëve”, një kopje e të cilit u pa nga Reuters, Zelensky u bëri thirrje udhëheqësve evropianë të bien dakord për një kornizë për vendosjen e një “force sigurie” në Ukrainë dhe të vazhdojnë të mbështesin Kievin për sa kohë që Moska nuk tregon gatishmëri për t’i dhënë fund luftës së saj.

Në të njëjtën kohë, Emmanuel Macron, duke hapur telekonferencën e sotme të “Koalicionit të të Gatshmëve” që mbështet Kievin, në të cilën po merr pjesë edhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së Marco Rubio, tha, sipas mediave franceze, se “më në fund ekziston një mundësi për të bërë përparim të vërtetë drejt një paqeje të qëndrueshme” midis Ukrainës dhe Rusisë. Sipas presidentit francez, “një kusht absolut për një paqe të qëndrueshme” është t’i ofrohet Ukrainës “garanci shumë të forta sigurie dhe jo garanci vetëm në letër”.

“Ukraina ka marrë shumë premtime deri më sot, të cilat janë thyer për shkak të sulmeve të njëpasnjëshme ruse, dhe për këtë arsye garancitë e forta janë të nevojshme”, tha presidenti francez.

“Negociatat kanë fituar një vrull të ri dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë”, tha gjithashtu Emmanuel Macron, duke vënë në dukje se takimet në Gjenevë më 23 nëntor lejuan një dialog të hapur dhe konstruktiv midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara. Zoom.al/

Vendi i tenderave/ Bardhi nxjerr foton nga “strofulla e krimit”

Kreu i Grupit Parlamentar në PD, Gazment Bardhi, ka deklaruar ditën e sotme se Belinda Balluku kishte një vend të posaçëm ku sipas tij ndante tenderat korruptivë.

Në një postim në rrjete sociale, Bardhi ka ndarë një foto të Ballukut me vartësit e saj, krahas së cilës shkruan se kjo është strofulla e krimit, ku ndaheshin tenderat e paracaktuar për të shpërblyer klientët e tyre dhe përfituar përqindjet korruptive.

“Banda e hajdutëve të Belinda Ballukut mblidhej rregullisht në strofullën e krimit “Apartamenti 6, Shkalla H, Kompleksi Nobis”, ku ndaheshin tenderat korruptivë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Banda “2B” funksiononte taman si një grup i struktuar kriminal për vjedhjen masive të parave të shqiptarëve me tendera qindra milionë euro të paracaktuar për të shpërblyer klientët e tyre dhe përfituar përqindjet korruptive. Të njëjtat para përdoreshin më pas në fushatë zgjedhor ose në harbime luksi.  Një pjesë e bandës 2B tashmë ndodhet në burg, ndërsa shumë shpejt pritet t’i bashkohet edhe pjesa tjetër”,- shkruan Bardhi në Facebook./ Zoom.al

Rasti “Balluku”/ Zbardhet kërkesa e Kryeministrisë për Gjykatën Kushtetuese: Pezullimi sjell pasoja të rënda

Kryeministria ka depozituar pranë Gjykatës Kushtetuese një kërkesë për pezullimin e vendimit të GJKKO-së lidhur me Belinda Ballukun, e cila u pezullua nga detyra e zv/kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sipas qeverisë, vendimi aktual ka pasoja të rëndësishme për interesin shtetëror dhe shoqëror, duke krijuar një boshllëk institucional dhe duke penguar propozimin dhe miratimin e projekteve të rëndësishme kombëtare.

Në dokumentin e bërë publik, qeveria thekson se deri në fund të vitit 2027, rreth 800 projekte të Ministrisë së Infrastrukturës pritet të miratohen, por pezullimi i Ballukut mund të vonojë procesin dhe të dëmtojë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Kërkesa e Kryeministrisë paraqet argumentin se pezullimi mund të pengojë funksionimin normal të ministrisë, veçanërisht për projektet me rëndësi strategjike për vendin.

GJKKO ka vendosur pezullimin e Ballukut nga detyra për shkak të hetimeve që lidhen me tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe tenderin e lotit 4 të Unazës së Madhe. Në kuadër të të njëjtave hetime, vartësit e saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, u vendosën nën arrest shtëpie dhe Ballukut iu ndalua edhe e drejta për të udhëtuar jashtë vendit./ Zoom.al