Aplikacion
Depuetja Sara Mile është ngatërruar gjatë prezantimit të projektligjit në mbledhjen e Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Relatorja e çështjes, teksa prezantoi ndryshimet, duket se ka gabuar në leximin e tekstit.
Menjëherë një person ndërhyri për ta korrigjuar, duke i vënë në dukje gabimin. Por Mila u përgjigj se nuk kishte bërë lapsus, duke argumentuar se e kishte lexuar “ashtu siç ia kishin shkruar”.
Momenti shkaktoi konfuzion dhe zhurmë në sallë, teksa diskutimi vijoi mbi propozimet e projektligjit.
Kjo tregon se deputetja socialiste, e cila siguroi numrin më të lartë të votave në qarkun e Elbasanit, nuk e ka idenë se çfarë lexoi, jo më të projektligjit, por thjesht ka lexuar një tekst të bërë gati nga të tjerë.
Ndërron jetë Ornella Vanoni, ikona e muzikës italiane
Ornella Vanoni ka ndërruar jetë në moshën 91-vjeçare.
Këngëtarja u shua në banesën e saj në Milano, qyteti ku lindi më 22 shtator 1934.
E konsideruar si një nga figurat më përfaqësuese të muzikës së lehtë italiane, ajo kishte një karrierë ndër më të gjatat: aktive që nga viti 1956, realizoi mbi njëqind projekte mes albumesh, duke arritur një total të vlerësuar prej mbi 55 milionë kopjesh të shitura.
Vanoni ka interpretuar këngë që mbeten në historinë e muzikës italiane, mbi të gjitha “Senza fine”, e lindur nga bashkëpunimi artistik dhe lidhja sentimentale me Gino Paolin në fillim të viteve ’60.
Ajo njihej për timbrin e saj vokal të pazëvendësueshëm, që i mundësoi të përballonte epoka dhe zhanre të ndryshme muzikore.
Shefi i ushtrisë franceze: Duhet të përgatitemi që të humbasim bijtë tanë në luftë! Shpërthejnë polemikatNjë paralajmërim i fortë nga shefi i ri i ushtrisë franceze, lidhur me mundësinë që vendi të “humbasë bijtë e vet” në një luftë të mundshme me Rusinë, ka ndarë thellë opinionin politik në Francë.
Gjenerali Fabien Mandon, i cili mori detyrën e shefit të Shtabit të Ushtrisë në shtator, deklaroi të martën në një kongres të kryebashkiakëve se dobësia më e madhe e Francës në këto kohë të rrezikshme është mungesa e vullnetit për të luftuar.
“Ne kemi dijen, fuqinë ekonomike dhe demografike për ta dekurajuar regjimin e Moskës. Ajo që na mungon – dhe këtu ju, kryetarë bashkish, keni një rol – është shpirti. Shpirti që pranon se do të na duhet të vuajmë nëse duam të mbrojmë atë që jemi. Nëse vendi ynë lëkundet sepse nuk është gati të humbasë bijtë e tij… ose të përballet me vështirësi ekonomike sepse prioritet duhet të jetë prodhimi ushtarak, atëherë vërtet jemi në rrezik. Duhet ta diskutoni këtë në qytetet tuaja.”
Në një intervistë për një revistë të mbrojtjes në fillim të këtij muaji, Mandon kishte thënë se “duke jetuar kaq gjatë në paqe, e kemi të vështirë të kuptojmë plotësisht rreziqet që na rrethojnë tani dhe kompromisin zero të disa aktorëve. Rusët, nga ana e tyre, nuk e njohin paqen. Ata janë në luftë në Ukrainë prej vitesh dhe janë të gatshëm të vazhdojnë.”
Në tetor, ai i tha komisionit të mbrojtjes së Asamblesë Kombëtare se “detyrën e parë që u kam dhënë forcave të armatosura është të jenë gati për një përballje pas tre ose katër vitesh, e cila mund të shfaqet si një provë. Rusia është një vend që mund të tundohet t’i shpallë luftë kontinentit tonë dhe ky është faktori përcaktues në planifikimin tim.”
Deklaratat janë dënuar si nga politikanët e majtë, ashtu edhe nga e djathta nacionaliste. Jean-Luc Mélenchon, kreu i partisë së majtë radikale La France Insoumise, tha se është “plotësisht në mosmarrëveshje”. “Nuk është detyra e tij t’u kërkojë kryetarëve të bashkive apo kujtdo tjetër të nisin përgatitje ushtarake për të cilat askush nuk ka rënë dakord.”
Dëbora e parë zbardh Kelmendin, pamjet mahnitëseReshjet e para të borës për këtë sezon dimri kanë mbërritur edhe në Kelmend të Malësisë së Madhe, duke zbardhur zonën dhe sjellë pamje mbresëlënëse.
Ndërkohë borëpastrueset po punojnë për pastrimin e akseve rrugore, me qëllim garantimin e një qarkullimi të sigurt për banorët dhe vizitorët.
Aktualisht rruga mbetet e qarkullueshme, por kërkohet kujdes i shtuar nga drejtuesit e mjeteve, për shkak të lagështirës dhe kushteve të vështira atmosferike./ Zoom.al
Zbardhen detaje të reja nga dosja hetimore e tenderit të Unazës së Madhe, ku në qendër të akuzave ndodhet ish-ministrja Belinda Balluku.
Sipas komunikimeve të siguruara nga hetuesit, bisedat mes Ballukut dhe Evis Berberit tregojnë se ata koordinonin jo vetëm paracaktimin e fituesve, por edhe momentin e publikimit të njoftimeve për tenderët e loteve të Unazës së Madhe. Mesazhet e datës 1 tetor 2021, pak përpara shpalljes së fituesit për lotin 4, zbulojnë ndërhyrje të drejtpërdrejta të ministres në vendosjen e afatit se kur duhej të dilte njoftimi.
Po atë ditë, Balluku i shkruan Berberit që të përgatiten për shpalljen e së hënës. “A do t’i nxjerrësh në darkë sot? Shumë mirë. Por do të të them”, shprehet ajo. Më tej, ajo kërkon shtyrjen e njoftimit për të mërkurën, duke shfaqur dyshime për rrjedhje të mundshme informacioni: “Të mërkurën, ikni shijoni fundjavën! Merruni me punë serioze. Ke një plehrë aty që flet”.
Në vijim të bisedave, Balluku shfaqet e shqetësuar pasi në media publikohen emrat e fituesve të tenderëve të Unazës së Madhe. Ajo pyet Berberin për një punonjëse të prokurimeve, Mirandën, për të verifikuar nëse mund të jetë burimi i informacionit. Berberi e siguron se ajo nuk ka pasur dijeni për operatorët konkurrues dhe shton se është “e habitshme” mënyra si lista ka dalë, duke theksuar se përbërjen e dinte vetëm ai.
Berberi i shkruan gjithashtu se “për çdo lot kanë marrë kriteret në letër pa emër”, duke sugjeruar se fituesit e tenderëve ishin të paracaktuar. Sipas SPAK, ekzistojnë dyshime se kompanitë që përzgjidheshin paraprakisht hartonin edhe kriteret e garës për çdo lot të Unazës së Madhe.
Më 5 tetor, Berberi informon Ballukun se emisioni investigativ “Stop” ka kërkuar të dhëna për procedurën e lotit 1. Reagimi i ministres është i ashpër: “Të plasi trapi! Bëj punën dhe zbato ligjin. Kur të të vijë afati i përgjigjes, do kesh mbaruar me procedurat. Nesër publikoji të gjitha në darkë”.
Të nesërmen, më 6 tetor 2021, në orën 20:03, në sistemin elektronik të prokurimit përfundon vlerësimi i ofertave për procedurën “Ndërtim i Unazës së Jashtme, Tiranë, Loti 4”, duke mbyllur zyrtarisht fazën e përzgjedhjes së ofertuesve.
PJESË NGA DOSJA
Në datën 01.10.2021, në orën 10:47, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin “Bëhu gati për unazat të hënën në mëngjes”.
Në orën 10:48, Evis Berberi: “Njoftimin? Apo inspektim”.
Në orën 10:48, Belinda Balluku: “Njoftimin more”.
Në orën 10:48-10:49, Evis Berberi: “Jo sot në darkë? S’ka ndryshim?”.
Në orën 10:49, Belinda Balluku: “A do t’i nxjerresh në darkë sot? Shumë mirë. Por do të të them”.
Në orën 10:50, Evis Berberi: “Ok po pres po më duhen 3 orë kohë nëse ka ndryshime”.
Në orën 10:52, Belinda Balluku: “Asnjë ndryshim”.
Në orën 10:52, Evis Berberi: “Ok”.
Në orën 10:52, Belinda Balluku: “Thjeshte të bëj këngën. Por jam në Kukës”.
Në orën 16:12 Evis Berberi: “Unazat nga ora 10 e darkës”.
Në orën 21:18, Evis Berberi: “Të vazhdojmë apo të presim për nesër”.
Në orën 21:31-21:32, Belinda Balluku: “Jo, të mërkurën. Ikni shijoni fundjavën. Merruni me pune serioze. Ke një plehrë aty që flet”.
Në orën 21:33, Evis Berberi: “Çfarë ka dalë. Ok të mërkurën”.
Në datën 05.10.2021, në orën 12:50, shtetasi Evis Berberi i dërgon shtetases Belinda Balluku mesazhin “Ka ardhur Stop dhe kërkon informacion për procedurën e prokurimit Loti 1 (Shqiponja). I thamë bëj kërkesë me shkrim të marrësh përgjigje e beri, kërkojnë të dinë nëse është shpallur fituesi, ka pasur ankesa, nëse nuk është shpallur pse jo? Bënë dhe një kronike jashtë dhe ikën”.
Në orën 12:50-12:51, Belinda Balluku: “Të plasi trapi. Bëj punën dhe zbato ligjin. Kur te të vijë ty afati i përgjigjes, do kesh mbaruar me procedurat. Nesër publikoji të gjitha në darkë”.

Kur Kosova e nisi fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2026 në shtator, ajo e kishte vetëm një fitore në gjithë historinë e saj të re në kualifikimet e Botërorit, dhe disfata e thellë nga Zvicra në ndeshjen hapëse për turneun e verës së ardhshme, i bëri shumë të mendojnë se ekipi kombëtar po shkonte drejt një dështimi tjetër.
Por, për sa hap e mbyll sytë, Kosova i arrti tri fitore dhe dy barazime në një ndryshim drastik dhe mahnitës brenda muajsh për ta arritur plajofin, dhe tani është një hap larg arritjes në Kupën e Botës, pikërisht në dhjetëvjetorin e pranimit në shtëpinë e futbollit botëror, FIFA.
Kosova nuk ka marrë pjesë asnjëherë në një turne të madh, dhe Kupa e Botës verën e ardhshme në Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara mund të jetë e para.
Dhe, për ta arritur ketë, fillimisht ajo duhet t’i fitojë edhe dy ndeshje të tjera në plajof në mars, një gjysmëfinale kundër Sllovakisë dhe një finale të mundshme kundër fituesit të përballjes Turqi-Rumani.
Për analistin dhe profesorin e sporteve në Universitetin e Prishtinës, Malsor Gjonbalaj, kualifikimi i Kosovës në Kupën e Botës “do të ishte diçka mbresëlënëse, do të ishte përfaqësimi më i mirë që do t’i bëhej vendit në arenën ndërkombëtare”.
“Sepse, e dini çfarë popullariteti të madh e gëzon futbolli, çfarë vëmendje të madhe ka gjithandej botës, prandaj paraqitja e Kosovës në një ngjarje si Kupa e Botës, do të ishte njohja më e mirë për shtetin e Kosovës”, thotë për Radion Evropa e Lirë Gjonbalaj, po ashtu ish-futbollist.
Si arriti Kosova në plajof?
Pas humbjes në ndeshjen hapëse kundër Zvicrës në Bazel në shtator, trajneri i verdhekaltërve, Franco Foda, e pranoi se ekipi i tij u paraqit dobët në mbrojtje në një formacion sulmues 4-3-3 dhe vendosi të ndryshojë qasje dhe taktikë.
“Sot, megjithëse kishim shumë duele, i humbëm ato vendimtaret dhe kjo ndikoi në rezultatin final. Kundër Suedisë këtë gjë duhet ta bëjmë shumë-shumë më mirë”, tha ai pas humbjes.
Foda pastaj ndryshoi skemën dhe kaloi në një formacion klasik 4-4-2 në përballjen e radhës me Suedinë tri ditë më vonë në Prishtinë, duke luajtur futboll mbrojtës, falë të cilit Kosova shënoi dy herë me kundërsulme. Taktikat e tij kryen punë dhe Kosova mori fitoren e parë në Grupin B kualifikues, 2:0.
Pas një paraqitjeje jo shumë të pëlqyer në barazimin pa gola kundër Sllovenisë në ndeshjen pasuese në shtëpi, Kosova i fitoi dy ndeshjet e radhës kundër Suedisë (1:0) dhe Sllovenisë (2:0) për ta siguruar plajofin, pasi iu qëndroi besnike taktikave të Fodës.
Ajo barazoi 1:1 me Zvicrën në ndeshjen e fundit në grup në nëntor, duke grumbulluar në fund 11 pikë në vendin e dytë, mjaftushëm për ta kapur plajofin, pasi Zvica shkoi direkt.
Gjonbalaj vlerëson se kjo vlen falë një pune të gjatë të trajnerit dhe disiplinës që ai ka sjellë në kombëtare.
“Në këtë rast kemi të bëjmë me punë për një kohë bukur të gjatë, një planifikim dhe, sidomos, kemi në krye të ekipit një trajner, i cili e ka realizuar taktikën e lojës me mjaft disiplinë, i ka përzgjedhur lojtarët mjaft mirë dhe mendoj se homogjeniteti i ekipit është çelësi kryesor i këtyre rezultateve deri tani”, thekson ai.
Foda, i cili e mori drejtimin e kombëtares më 2024, bëri shumë ndryshime në ekipin e parë, i ndihmuar shumë edhe nga prurjet e reja, të cilat kanë lënë gjurmët e tyre të dukshme në ekip deri tani.
Pas plajofit të dështuar për Kampionatin Evropian 2020, kur u mposht nga Maqedonia e Veriut, Kosova po vuante ta rindërtonte mesfushën, veçanërisht pas largimit të Hekuran Kryeziut dhe Herolind Shalës.
Pas shumë vitesh përpjekje, Federata e Futbollit arriti të sjellë disa mesfushorë të talentuar, si Elvis Rexhbeçaj më 2024 dhe Leon Avdullahu dhe Veldin Hoxha në prag të kualifikimeve këtë verë.
Rexhbeçaj, i cili luan për Augsburgun në Gjermani, dhe Avdullahu, i cili është pjesë e Hoffenheimit, po ashtu në Gjermani, kanë qenë vendimtarë përkrah Florent Muslijas, i cili ka pasur më shumë detyra sulmuese.
Foda, madje, e vendosi mbrojtësin e djathtë të Comos në Itali, Mërgim Vojvoda, në krahun e djathtë të mesfushës, falë aftësive të tij teknike.
“Tani kemi në mesfushë lojtarë që vrapojnë, bartin barrën, kanë disiplinë të jashtëzakonshme në lojë, siç janë Avdullahu, Rexhbeçaj, Hoxha. Ata bëjnë edhe një lojë të mirë sulmuese me Muslijan, i cili i bashkohet sulmuesve, si një lojtar shumë kreativ dhe teknik, i cili po ndihmon të vijmë më shpejt te goli”, nënvizon Gjonbalaj.
Taktikat e Fodës nënkuptuan, gjithashtu, se ai që shihet si ylli më i madh dhe më i vlefshëm i kombëtares, Edon Zhegova, të mbetej jashtë ekipit të tij startues.
Zhegrova, i cili iu bashkua në verë gjigantit italian Juventus, është sulmues anësor që përshtatet kryesisht në një formacion sulmues 4-3-3.
Lënia e Zhegrovës jashtë formacionit startues habiti shumë njerëz në Kosovë, por Fodës iu shpagua kjo qasje.
“Ne kemi një numër të madh të futbollistëve, secili e meriton të luajë, por secili duhet të jetë i bindur që për ta përfaqësuar shtetin mjaftojnë edhe 30 sekonda apo një minutë lojë. Prandaj, asnjëri nuk duhet të ndihet i fyer kur nuk luan”, thekson Gjonbalaj.
Nuk është vetëm mesfusha që është përmirësuar gjatë kësaj kohe pas ardhjeve të reja, por edhe sulmi me Fisnik Asllanin e Hoffenheimit dhe, posaçërisht mbrojtja, ku Albian Hajdari dhe Dion Gallapeni kanë lënë mbresa.
Gallapeni, 19 vjeç, është mbase përforcimi më i dëshiruar te Kosova, që ka pasur shumë vështirësi ta gjejë një mbrojtës të majtë solid.
Por, a u ndihmua Kosova edhe nga faktorë të tjerë? Gjonbalaj mendon se po.
Nga katër kombëtaret në Grupin B, vetëm Kosova dhe Zvicra arritën fitore. Suedia e Sllovenia nuk ia dolën të merrnin më shumë se barazime.
Që të dyja kanë treguar formë të dobët në këto ndeshje kualifikuese, duke pasur parasysh të kaluarën e tyre.
Suedia u paraqit ndaj Kosovës me dy prej sulmuesve më të shtrenjtë në historinë e Premierligës angleze, Alexander Isakun e Liverpool dhe Viktor Gyokeresin e Arsenalit.
Asnjëri nuk e bëri dallimin.
“Nuk ka ekip të lehtë për t’u mposhtur, por është e vërtetë që ato nuk kanë qenë në formën e tyre më të mirë në këto ndeshje”, thotë Gjonbalaj.
Suedia, megjithatë, është në plajof sikurse Kosova, jo përmes rrugës së kualifikimeve, por përmes Ligës së Kombeve, dhe në fund mund të jetë pjesë e Kupës së Botës në verë.
Gjasat e Kosovës në plajof
Kosova do të donte që ndeshjet e plajofit të zhvilloheshin tani, duke e parë formën e skuadrës, por asaj do t’i duhet të presë deri në fund të marsit, që nënkupton se është mbase herët të flitet për gjasat.
Dardanët do të udhëtojnë në Bratislavë më 26 mars për t’u përballur me Sllovakinë në ndeshjen gjysmëfinale të plajofit, të cilën duhet ta fitojnë patjetër për t’i mbajtur gjallë shpresat për një finale që do ta çonte në Botëror.
“Mos të harrojmë, jemi në ekzaltim, sepse jemi në plajof, por nuk e kemi kryer punën ende, duhet qetësi e madhe dhe punë e madhe profesionale, për ta arritur kualifikimin, sepse bëhet fjalë për dy ekipe shumë të forta”, vlerëson Gjonbalaj.
Finalen e mundshme, Kosova do ta zhvillonte në Prishtinë kundër fituesit të përballjes tjetër mes Turqisë dhe Rumanisë, më 31 mars.
Derisa beson se gjasat me Sllovakinë janë shumë reale, Gjonbalaj beson se përballja e mundshme me Turqinë do të ishte shumë më e vështirë.
“Mendoj se me Sllovakinë kemi shumë gjasa, ndërsa në ndeshjen finale pres ta kemi kundërshtar Turqinë, e cila, mendoj, është ekip shumë i papërshtatshëm për neve, por do të kemi mundësi sepse luajmë në shtëpi”, thekson ai./REL
Prurjet e Semanit përmbytin dhjetëra hektarë tokë, rrezik edhe për 40 puse naftePrurjet e shtuara të lumit Seman kanë shkaktuar përmbytjen e dhjetëra hektarëve tokë bujqësore në zonat e Kallmit dhe Belinës, duke vënë nën ujë edhe rreth 40 puse nafte që ndodhen në territor.
Situata paraqitet e rënduar, ndërsa specialistë dhe punonjës të bordit të kullimit të Bashkisë Fier ndodhen në terren për të përforcuar argjinaturën në Belinë, sidomos në pikat më kritike ku ka rrezik përhapjeje të mëtejshme të ujit.

Autoritetet po monitorojnë nga afër nivelin e lumit, ndërsa parashikohet që puna për stabilizimin e argjinaturës të vijojë deri në normalizimin e kushteve atmosferike./Zoom.al
GJKKO lë në fuqi vendimin për pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku. Arrest shtëpie për dy vartësit e sajËshtë zbardhur vendimi i Gjykatës së Posaçme, i cili lë në fuqi pezullimin e Belinda Ballukut nga posti i zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës.
GJKKO sqaron se ndaj Belinda Ballukut, e akuzuar për abuzim me tenderin e Llogarasë dhe lotit 4 të Unazës së Madhe, u vendos vazhdimi i masës së sigurisë “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”.
Ndërsa për dy vartësit e saj, administratorin e KESH-it, Erald Elezi dhe drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Gentian Gjyli u la në fuqi masa “arrest shtëpie”.
Ndaj vendimit të gjyqarit Erjon Çela mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar brenda 5 ditëve.
Pas më shumë se 3 orësh, zv.kryeministrja Belinda Balluku u pa të dilte nga ambientet e GJKKO-së, duke mos dhënë asnjë koment për mediat.
GJKKO vendosi dy ditë më parë pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku duke argumentuar se ajo së bashku me dy drejtorët, atë të ARRSH-së dhe KESH-it mund të prishin ose asgjësojnë provat. Po ashtu gjykata vendosi edhe masën ndalim për të dalë jashtë vendit për deputeten e qarkut Fier, që ndryshe nga e para është masë shtrënguese./ Zoom.al
E rëndë në Librazhd. Dhëndri u jep valium vjehrrit dhe vjehrrës, u vjedh edhe shtëpinëDy të moshuar nga Librazhdi janë dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore në QSUT, pasi dyshohet se janë intoksikuar me një dozë të lartë medikamenti qetësues (valium), që u është dhënë fshehurazi nga dhëndri i tyre.
Policia e Librazhdit ka arrestuar 36-vjeçarin Ismail Kllogjri, i cili akuzohet se pasi u ka administruar të moshuarve sasinë e madhe të valiumit, ka vjedhur edhe një shumë parash në banesën e tyre.
Ngjarja u zbulua pasi bashkëshortët u transportuan fillimisht në spitalin e Librazhdit dhe më pas në QSUT, në gjendje të rëndë, të dyshuar për intoksikim. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd nisën hetimet për sqarimin e rrethanave.
Sipas hetimeve, Kllogjri, i afërm i çiftit të moshuar, dyshohet se u ka dhënë atyre një dozë të lartë valiumi, duke u shkaktuar dëmtime serioze shëndetësore, dhe më pas ka marrë një shumë parash nga shtëpia e tyre.
Të moshuarit ndodhen aktualisht nën kujdesin e mjekëve dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Policia ka sekuestruar shumën e vjedhur të parave dhe një telefon celular si prova materiale./ Zoom.al
Berisha: Rama, kërcënim me vdekje gjyqtarit dhe prokurorit të çështjes BallukuKreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar ndaj një postimi të kryeministrit Edi Rama, i cili përkoi me seancën në GJKKO për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj Belinda Ballukut, zv.kryeministre dhe ministre e pezulluar e Infrastrukturës.
Sipas Berishës, kryeministri Edi Rama me citatin e një juristi amerikan që thotë se kur prokurori kërkon njeriun para krimit, drejtësia vdes, ka kërcënuar haptas me vdekje gjyqtarin dhe prokurorin që ka dhënë vendimin për Belinda Ballukun.
“Për të dhënë mesazhin mafioz, Rama nuk iu dërgoi atyre plumb në zarf, por citoi fjalët e një prokurori amerikan,”- u shpreh kryedemokrati.
Rama publikoi citatin e ish-prokurorit amerikan Robert H. Jackson, por Berisha e interpretoi këtë si presion dhe intimidim të organeve të drejtësisë.
Postimi i plotë:
Kërcënimi me vdekje nga Ramaduro i gjyqtarit dhe prokurorit të Ballukut, një akt i rëndë kriminal mafioz.
Sot Edi Rama, apo Ramaduro i Europës, në tmerr dhe panik vetëm pak orë para shqyrtimit në apel të vendimit të GJKKO për pezullimin nga detyra të Ballukut, në një akt të pashembullt mafioz e kriminal, kërcënoi haptas me vdekje gjyqtarin dhe prokurorin e vendimit.
Për të dhënë mesazhin mafioz, Rama nuk iu dërgoi atyre plumb në zarf, por citoi fjalët e një prokurori amerikan, i cili sipas tij ka thënë:
“Kur prokurori kërkon njeriun përpara krimit, drejtësia vdes; dhe kur një pushtet hyn në territorin e një tjetri, Kushtetuta demokratike nuk merr më frymë, por mbytet.”
Citimi i këtij paragrafi, ndërkohë që Lubi Balluku me peshën e 90 milion eurove të vjedhura së bashku me Ramën, nisej për në sallën e gjyqit, ishte një kërcënim madhor me vdekje për ata që kanë vendosur pezullimin e bashkëvjedhëses së tij, zv/kryeministres.
Ky është kërcënim me vdekje i zyrtarëve në detyrë nga njeriu që për pushtetin e tij është i gatshëm të kryejë çdo krim.
Ky nuk është kërcënim për pezullimin e Ballukut, por drejtpërdrejt kërcënim me vdekje, sepse në aferën e Tunelit të Llogarasë dhe afera të tjera, Rama është Hajduti i Parë, Lubia vjen fill pas tij.
Shtoj këtu se në rastin e Lubi Ballukut, çdo masë dhe çdo hap është ndërmarrë në përputhje të plotë me ligjin dhe Kushtetutën, madje me zbatimin e tyre në formën më të lehtë të mundshme. Sepse, në rast se do të zbatonin me rigorozitet ligjin, Lubia duhet të ishte si Lali Vjedhësi, dhe sot Ramës duhej t’i komunikohej akuza për vjedhjen në bashkëpunim të 90 milion eurove.
Heqja e imunitetit dhe arrestimi i Lubisë do të ishte zbatimi i plotë i frymës dhe germës së Kushtetutës së vendit, për qeveritarët dhe zyrtarët e lartë gjakpirës që pasurohen duke vjedhur qytetarët e tyre.
Në vend të këtij vendimi, bazuar në germën dhe frymën e kodeve të vendit, u vendos pezullimi nga detyra i hajdutes më të madhe në historinë e kombit.
Natyrisht, me këtë masë duhet pranuar se u hap rruga për pezullimin, fill pas saj, të hajdutit më të madh në historinë e kombit, që sot kërcënon me vdekje gjyqtarë dhe prokurorë, sepse i është futur uji nën prapanicë.
Duke dënuar me forcën më të madhe këtë kërcënim mafioz të Edi Ramës, këtë status përsëri po e mbyll me:
Keni parë, s’keni parë, shkon një i vdekur me një të gjallë, të dy hipur në një kalë./ Zoom.al