zoom

Day ArchiveUkraina refuzon planin amerikan: Kërkojmë paqe, jo kapitullim

Sipas Financial Times, zyrtarët ukrainas thonë se dokumenti përsërit kërkesat maksimaliste të Kremlinit dhe është i papranueshëm në formën e tij aktuale.

I dërguari special i Trump, Steve Witkoff, anuloi takimin e tij me Volodomyr Zelenskyn në Turqi pasi kuptoi se presidenti ukrainas nuk donte të diskutonte planin amerikan të paqes, raporton Axios.

Burimet thonë se Zelensky mbërriti me propozimin e tij, të koordinuar me Evropën dhe këmbënguli për bisedime në një format më të gjerë.

Trump mbështeti vendimin e Witkoff për të anuluar takimin sepse nuk shihte perspektiva për përparim.

“Tani do të presim. Topi është në fushën e Zelenskyt”, tha një zyrtar amerikan i paidentifikuar.

Ai shtoi se Zelensky mund të vinte në Uashington për të diskutuar planin e ri amerikan nëse dëshiron.

Gazetari Christopher Miller konfirmoi se dokumenti iu dorëzua Kievit përmes Witkoff dhe kreut të Fondit Rus të Investimeve Direkte, Kirill Dmitriev. Sipas tij, Zelensky ishte i pakënaqur me propozimin. Zoom.al/

Lirohen autorët e vrasjes së Egli Progës: A ndërhyri “daja” në manipulimin e provave?

Fiks Fare paralajmëroi disa javë më parë se hetimet për vrasjen e Egli Progës, më 10 gusht 2024, në Pogradec, po tentoheshin të manipuloheshin.

Nëpërmjet dëshmive, kamerave të fshehta dhe dokumenteve, emisioni investigativ faktoi se hetimet e Prokurorisë së Korçës kanë qene të mangëta dhe të zgjatura në kohë, çka mundësoi që të gjithë autorët të lirohen nga burgu.

Redaksia faktoi edhe manipulimet e dëshmitarëve, që ndryshuan disa herë thëniet apo edhe fshirjen e kamerave të sigurisë. Megjithëse kishin kaluar 14 muaj, dosja është rikthyer për t’u hetuar. Prokuroria e Korçës nuk po gjen dot kamerat e sigurisë, të cilat janë fshirë, si në lokalin ku ndodhi vrasja ashtu edhe te supermarketi përballë.

Kamerat kanë filmuar para dhe pas vrasjes, por jo minutat e vrasjes! Prokuroria ende ka shumë pikëpyetje; Ku janë kamerat, sa vetë e goditën dhe sa persona morën pjesë?! Këto pyetje ende sot e kësaj dite nuk kanë përgjigje, teksa ngjarja vijon të ketë shumë enigma dhe asnjë përgjegjës se kush ndërhyri në serverat.

Disa ditë pas transmetimit të kësaj çështje, autori kryesor Denis Meçe është liruar nga burgu. Vendimi është dhënë ditën e shtunë, më datë 15 nëntor 2025, nga Gjykata e Korçës, për shkak të humbjes së fuqisë së paraburgimit. Nga zvarritja e hetimeve apo pritja e pafundme për ekspertimin në Itali, afatet kaluan dhe personat që qëndronin në burg, Denis Meçe dhe Leonidha (alias Klodi) Guçe u liruan nga burgu.

Në vendim e lirimit shkruhet se “të mos kenë kontakte me persona të tjerë, përveç familjarëve që jetojnë në atë banesë”, pra ambientet e tyre nuk ruhen me punonjës policie dhe nga çasti në çast ata mund të arratisen! Në urdhrin e lirimit shkruhet se “u konstatua humbja e fuqisë së paraburgimit për shkak të kalimit të afatit, lidhur me masën e sigurimit arrest me burg”.

Fiksi iu drejtua me një kërkesë zyrtare Prokurorisë së Korçës, se përse autorët hetohet me një masë të lehtë sigurie. Në përgjigje, akuza shkruan se Denis Meçe dhe Leonidha Guçe po hetohen me akuzën e vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim. Voltan Shkullaku dhe Arjan Manellari po hetohen për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Ardjan Bego po hetohet për moskallëzim krimi. Ndërkohë, Andi Shkullaku po hetohet për moskallëzim krimi dhe deklarata të rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore.

Çuditërisht, Prokuroria e Korçës shkruan pas 14 muajsh se, procedimi penal “është ende në fazën e hetimeve paraprake”. Sipas saj, është përpiluar vendimi për ekspertimin e pajisjeve elektronike të sekuestruara në vendngjarje, si dhe është proceduar me dërgimin e tyre nëpërmjet letër – porosisë jashtë vendit. Por, deri më tani, nuk është zbuluar se kush ndërhyri te kamerat!

Fiksi e pyeti Prokurorinë e Korçës nëse janë shtrirë hetimet edhe ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, ekspertëve apo personave të tjerë, të afërm të autorëve, për kryerjen e ndonjë vepre penale? Në këtë përgjigje, Prokuroria e Korçës përgjigjet shkurt se “njëkohësisht, hetimet po vijojnë edhe për veprën penale të ‘shpërdorimit të detyrës’”.

Por, kur do të shkojë në gjykatë?

Akuza shkruan “me administrimin e letër-porosisë, në lidhje me ekspertimin e pajisjeve elektronike, Prokuroria e Korçës do të përfundojë hetimet dhe do të procedojë me dërgimin e çështjes në gjykatë. Aktualisht, për shkak të kalimit të afateve të paraburgimit nuk ka persona nën hetim me masë sigurimi ‘arrest në burg’”.

Dosja është e cunguar dhe nuk dihet kush e qëlloi viktimën! Në akt-akuzë shkruhet se kamera e brendshme e lokalit, ku ndodhi vrasja, përmban kartë memorie dhe ka regjistrime të ditëve përpara ngjarjes. Por, pamjet e datës së ngjarjes janë fshirë. Fshirja e pamjeve të caktuara nuk mund të ketë ndodhur për shkak të një problemi teknik, por mund të ketë pasur ndërhyrje të qëllimshme.

Pas ekzaminimit të kartës, është zbuluar prania e një virusi, i cili ka prekur vetëm dy foldera dhe dyshohet që ky virus të jetë futur për të fshirë ose manipuluar të dhënat. Ndërkohë, në dosje përcaktohet se edhe kamera e jashtme e një supermarketi përmban pamje të periudhës pas ngjarjes, por me një datë të gabuar dhe është vendosur viti 1970.

Në këto pamje duken oficerët në vendngjarje, por nuk shfaqen pamjet e momentit të ngjarjes. Kjo anomali sugjeron për një ndërhyrje të mundshme.

Në dosje përshkruhet me hollësi mënyra e marrjes së pajisjeve, kamerave të sigurisë nga disa lokale por edhe në disa biznese në atë zonë. Janë marrë kamerat e Komisariatit të Policisë në Pogradec. Sipas saj, nga këqyrja ka rezultuar se, ditën e vrasjes, në orën 19.50.58 në ambientet e komisariatit, hyn eksperti Elvin Poçka. Në orën 20.03.12 eksperti del me një tip valixhe në dorë. Në orën 01.43.18, të datës 11 gusht 2025, në ambientet e komisariatit shfaqet një automjet “Range Rover”, i cili futet brenda dhe nga dera e pasme e pasagjerit zbret shtetasi Denis Meçe. I njëjti ekspert, Elvin Poçka, del edhe te aktet e këqyrjes së vendngjarjes. Janë bërë vendime për ekzaminimin e pajisjeve te një ekspert privat, Erion Lako. Por, sërish filmimet nuk u kthyen, por dalin me virus!

Ndërkohë, në përgjime mes personave të shoqëruar, Arjan Manellari flet me Leonidha Guçen dhe thotë se “mos dhanë ndonjë lekë ata, kupton”. Më pas, flasin se nëse hapen kamerat, del kush e ka qëlluar Eglin! Fiksi bisedoi nëpërmjet telefonit me Leonidha (Klodi) Guçen, i akuzuar për vrasje me dashje dhe aktualisht po hetohet me masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ai tha se “nuk e kam qëlluar, po t’a kem goditur unë Egli Progën, unë automatikisht, unë si person, le t’më japin burgim të përjetshëm”. Fiksi e pyeti se kush e qëlloi, ndërsa u përgjigj se “atë e qëlloi Denis Meçja”.

I akuzuari tha se ngjarja po tentohet që të manipulohet. “Në momentin që Denisi e ka goditur, edhe në kohën për t’u larguar, ka marrë në telefon një njeriun e tij po them që duhet të ketë marrë dajën e tij. Edhe e ka shprehur ose në telefon ose në ‘whatsapp’, këtë s’jam i bindur se ku! E ka marrë dhe i ka thënë që unë vrava një njeri.” pohon Leonidha.

Ai këmbëngul se janë pikërisht këta persona, pra daja, që po tenton që të manipulojë çështjen. “Kush mund të ketë ndërhyrë, ata që po e manipulojnë çështjen. Unë s’kam shkuar në supermarket as për të parë dhe as për të marrë kamerat. Unë kërkoj që të dalë e drejta, të hapen kamerat, sepse kamerat e vërtetojnë saktësisht ngjarjen” shton më tej.

Leonidha thotë se, përveç kamerave të lokalit dhe supermarketit, kamera ka pasur edhe Bashkia e Pogradecit. “Kanë qenë kamerat e bashkisë, nuk është 1 kamer! Si ka mundësi domethënë që të fshihen 3 kamera në të njëjtin moment kur ka ndodhur ngjarja. Kërkoj që të hapen kamerat dhe të dënohet autori. Nëqoftëse unë e kam goditur atë, unë të marr dënimin më të rëndë. E thashë dhe e përsëris prapë, burgim të përjetshëm. Po më shkatërrojnë mua, po shkatërrojnë familjen”, përfundoi ai./TCH

Robert De Niro do të interpretojë një film për luftën e Kosovës

Legjenda e Hollivudit, Robert De Niro, do të marrë pjesë në një projekt të veçantë filmik që do të xhirohet pjesërisht në Kosovë, duke sjellë për publikun ndërkombëtar një nga kapitujt më të rëndësishëm të historisë së vendit.

Filmi përqendrohet në Luftën e Kosovës dhe Masakrën e Reçakut, duke pasqyruar dhimbjen dhe qëndresën e popullit kosovar.

Sipas producentit Fitim Krasniqi, ky projekt synon të tregojë historinë e familjeve të prekura nga konfliktet dhe të shndërrohet në një urë kulturore mes Kosovës dhe audiencave globale. De Niro do të luajë rolin e babait të Krasniqit, duke i dhënë jetën një personazhi të bazuar në ngjarje reale.

Krijuesit e filmit planifikojnë të përfshijnë edhe aktorë të tjerë të njohur ndërkombëtarë, ndërsa xhirimet në Kosovë do të fillojnë në vitin 2026.

Ky është hera e parë që një yll i nivelit të De Niros merr pjesë në një film që lidhet drejtpërdrejt me historinë e Kosovës, duke tërhequr vëmendje të madhe dhe pritshmëri pozitive. Zoom.al/

Gazetari grek: Rama ka blerë figura publike në SHBA dhe Europë për të qenë në pushtet

Një foto nga Brukseli ka ndezur polemika në Greqi, pasi gazetari Aleksandros Zioulis akuzoi kryeministrin shqiptar Edi Rama për sjellje të papërshtatshme ndaj zv/ministres greke të Jashtme, Alexandra Papadopoulou.

Zioulis publikoi imazhin ku Rama shihet duke e përqafuar dhe puthur Papadopouloun në faqe, duke thënë se një gjest i tillë “nuk i përshtatet diplomacisë greke” dhe se përbën “turp institucional”.

Në reagimin e tij, gazetari shkruan se Rama se ka përdorur figura të njohura ndërkombëtare për të forcuar pushtetin e tij.

Ai përmend emra si ish-zyrtari i FBI-së Charles McGonigal, ish-eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein, ish-deputeti gjerman Mark Hauptmann, ish-kryeministri britanik Tony Blair dhe ish-shefi i shërbimeve sekrete të Rumanisë, Florian Coldea.

Postimi i gazetarit:

Turp, pa turp!

Zv/ministrja e punëve të jashtme Alexandra Papadopoulou, në puthje dhe dashuri me Anthellenicin Edi Rama dje në Bruksel!

Turpi dhe rënia e politikës greke!

P.S. Edi Rama dihet se ka blerë shumë figura publike në SHBA dhe Europë për të mbajtur në pushtet regjimin e tij të drogës!

Rama ka blerë dhe më pas ka emëruar si të ashtuquajturit “këshilltarë” të korruptuar dhe tani të dënuar shefin e Auditit të Brendshëm të FBI-së New York McGonigal, eurodeputetin e korruptuar gjerman Anthellenik Knut Fleckenstein, i cili pasi nuk u rizgjodh eurodeputet e emëroi si “këshilltar” të qeverisë së tij, ai ka bashkëpunëtor fshiu ish deputeti i Merkel Mark Haupman, britaniku i “famshem” Tony Blair, i korruptuari dhe i krimit te organizuar ish shefi i sherbimit sekret te Rumanise Florian Coldea, e shume te tjere!

Personalisht, NUK habitem nëse një ditë e shoh Alexandra Papadopoulou në ndonjë listë të “këshilltarëve” të Ramës…

Deri atëherë ND dhe qeveria e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, le të marrin masat e nevojshme për të mos u ekspozuar!
Aleksandër Zoulis

Zoom.al/

Pse u fërshëllye në shtëpi Granit Xhaka?

Nga Lutfi Dervishi

Në librin e saj, “Brenga e Ballkanit” Edith Durham bën një diagnozë klinike, e cila mbetet aktuale edhe sot, pas më shumë se një shekulli: ne duam me zjarr, urrejmë me zjarr, dhe zona gri na duket e huaj.

Këtë mungesë të “zonës gri” e provoi së fundmi në mënyrën më të dhimbshme Granit Xhaka. Ai shtangu në “shtëpinë e tij”, teksa u përball me fishkëllima nga tifozët që e kishin duartrokitur gjatë gjithë karrierës së tij.

Shkaku? Një keqinterpretimi klasik dhe malinj.
Lajmi që mori dhenë ishte se: “Xhaka tha se ata që nuk bëjnë për Zvicrën, luajnë për Kosovën.” Kjo frazë e rëndë u përdor për të ndezur mllefin.
Por e vërteta e fjalëve të Xhakës në intervistën për gazetën Blick është krejt tjetër.
Ai foli për konkurrencën e madhe në ekipin zviceran, për cilësinë e lojtarëve dhe për durimin që kërkohet. Më e rëndësishmja, ai e quajti Kosovën një skuadër që po luan në nivel të lartë, duke nënkuptuar se zgjedhja e lojtarëve si Avdijaj dhe Hajdari ishte një hap i rëndësishëm, profesionalisht.
Gazetarët zviceranë u shtangën kur mësuan se fishkëllimat në Fadil Vokrri ishin pasojë e një fakenews. Një fjali në Bazel u “përkthye” keq në Prishtinë.

Futbolli është emocion, kjo është e vërtetë. Por po aq e vërtetë është se ushqimi më i shijshëm për portalet dhe rrjetet sociale është loja me këto “emocione”, thjesht sepse gjenerojnë klikime dhe i japin mundësi edhe atyre që kanë byk në kokë të japin mend.

Edith Durham kishte të drejtë: ne nuk e njohim “zonën gri”. Por realiteti është se kjo zonë ekziston dhe është pikërisht vendi ku duhet të qëndrojmë edhe kur shpërthejmë si “flakë kashte”.
As Granit Xhaka nuk është tradhtar, as tifozët që fishkëllyen nuk janë armiq. Janë thjesht viktima të manipulimit dhe keqinformimit.

Çfarë do të ndodhë nëse as Shqipëria dhe as Kosova nuk arrijnë dot në Kupën e Botës?
“Patriotët” që e fishkëlluan Xhakën do të jenë të parët që do të krenohen me të. Do ta duartrokasin fort dhe do të krenohen më shumë seç u krenuan në përballjen epike Serbi-Zvicër në Botërorin e luajtur në Rusi!
Përpara se t’i kthejmë tribunat e stadiumit në tribunale gjykimi, ndoshta duhet të ndalim pak dhe të pyesim: Kush është futbollisti më i mirë shqiptar i të gjitha kohërave?
Përgjigja ndoshta i bën të gjithë palët të bien në një mendje: GRANIT XHAKA.

Tensione në Kuvend / Balliu përplaset me nënkryetaren e Kuvendit, ndërhyn Garda (VIDEO)

Një moment i tensionuar ka ndodhur në foltoren e Kuvendit, teksa deputeti demokrat Klevis Balliu është përplasur me nënkryetaren e Kuvendit Klodiana Spahiu.

Teksa Balliu i është afruar foltores, Spahiu ka këmbëngulur se ajo i ka hequr të drejtën e fjalës për sot Balliut dhe i ka kërkuar atij të ulet, për shkak të një mase ndaj tij.

Megjithatë Balliu ka refuzuar duke iu drejtuar Spahiut, ndërsa në një moment ka pasur edhe ndërhyrje të Gardës së Republikës.

Në një përpjekje për të qetësuar tensionet, Spahiu ka urdhëruar 5 minuta pushim të seancës./ Zoom.al

Topalli replikon me Shalsin: Ata që janë pijshëm, mos i lini të dalin në foltore

Debatet për projekt-buxhetin 2026 kanë tensionuar sallën e Kuvendit, ku përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës kanë kaluar në replika të forta personale.

Deputetit i PS-së, Eduard Shalsi kritikoi Topallin duke i kërkuar të mos “i fryjë” ndarjes veri-jug, duke e cilësuar debatin e saj të pavlefshëm.

E mbaj mend fort mirë kur zonja në fjalë drejtonte Kuvendin, sesi silleshin ministrat dhe drejtorët e institucioneve në Komisione, si të fortë… Kur ka qenë hera e fundit që ke qenë në Shkodër?

Mos i fryni kësaj historisë së ndarjes veri-jug, sepse as u ka shërbyer dhe as do t’u shërbejë sepse shqiptarët janë të zgjuar. Na dëgjojnë çfarë themi dhe shohin se çfarë bëjmë. 

Për deputetët që kanë qenë këtu, dinë të bëjnë dallimin midis asaj që bënit ju në kohën tuaj dhe asaj që bëjmë tani. Buzëqeshja ju ndihmon të menaxhoni mungesën e argumenteve edhe me lezet… bëni mirë që nuk e merrni seriozisht”, tha Shalsi.

Topalli iu përgjigj me ironi, duke rikthyer një frazë të vjetër të Shalsit. “Deputetin që foli e njoh prej vitesh dhe e kujtoj vetëm për një fjali: ‘të paktën të vjedhim me lezet’. Atëherë mendova se nuk kishte eksperiencë politike, por paskam gabuar. Ai nuk ka as inteligjencën minimale”, tha ajo.

Në vijim, Topalli shtoi një tjetër thumb në adresë të mazhorancës: “Një sugjerim… ata që janë pijshëm, mos i lini të shkojnë te foltorja aty.

Cristiano Ronaldo publikon selfien nga Shtëpia e Bardhë

Një foto përkujtimore e Cristiano Ronaldos nga darka e djeshme në nder të Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, paraqet figura të fuqishme nga politika, biznesi dhe sporti.

Por gjithashtu u kujtoi shumë njerëzve selfien nga Oscarët e vitit 2014, ku ishin përfshirë disa nga njerëzit më të dashur të showbiz-it.

Ronaldo pozon me partneren e tij Georgina (poshtë djathtas), drejtorin ekzekutiv të Tesla-s, Elon Musk, i cili u shfaq për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë pas një kohe të gjatë, presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, sekretarin amerikan të tregtisë, Howard Lutnick (i katërti nga e majta).

Të pranishëm janë edhe kreu i inteligjencës artificiale dhe kriptovalutave në Shtëpinë e Bardhë, David Sachs (i treti nga e majta), dhe presidenti dhe bashkëthemeluesi i OpenAI, Greg Brockman (prapë djathtas). Zoom.al/

3 shenjat e horoskopit që do të kenë ditët më me fat të vitit

Dashi
Për Dashin, nis një fazë ku pengesat zhbëhen njëra pas tjetrës. Dielli ngrihet në pikën më të fuqishme të hartës së tyre, duke sjellë energji që përkthehet në rezultate të prekshme. Planet e vonuara marrin jetë, mundësitë shfaqen papritur dhe njerëzit e duhur dalin në skenë në momentin ideal. Vetëbesimi forcohet, ndërsa prania e tyre shoqërore bëhet më e dukshme se kurrë. Një vendim i vogël impulsiv mund të ndryshojë rrjedhën e muajve në vijim.

Gaforrja
Gaforrja e përjeton fatin në mënyrë të qetë, por të thellë. 30 ditët e ardhshme sjellin qartësi emocionale dhe një lloj freskie që i jep kuptim situatave të mjegullta. Marrëdhëniet zbuten, intuita forcohet dhe vendimet bëhen më të sigurta. Çështjet familjare, shtëpia, financat dhe stabiliteti personal gjejnë zgjidhje që deri dje dukeshin të vështira. Kjo periudhë premton paqe, rikthim të ekuilibrit dhe stabilizim të rrugës përpara.

Shigjetari
Shigjetari hyn në një cikël plot ritëm, ide të reja dhe mundësi të papritura. Energjia rritet ndjeshëm, duke sjellë hapje profesionale, bashkëpunime, udhëtime apo ndryshime që i japin drejtim të ri jetës së tyre. Tridhjetë ditët e ardhshme kërkojnë vetëm një gjë: t’i besojnë instinktit dhe të thonë “po” aty ku më parë hezitonin. Edhe një hap i vogël mund të hapë kapitull të ri plot përvoja dhe përparim./ Zoom.al

Përmbytje dhe rrëshqitje në Shqipëri, banorët e disa fshatrave të izoluar

Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme të mëdha në infrastrukturën e vendit, duke sjellë përmbytje, rrëshqitje dhe shembje urash në shumë qarqe të Shqipërisë.

Situata më e rëndë është regjistruar në Lezhë, Mirditë, Vlorë, Fier dhe Dibër, ndërsa dëmtime janë raportuar edhe në Durrës, Kukës, Shkodër, Elbasan, Berat, Korçë, Gjirokastër dhe Libohovë.

Në Lezhë dhe Mirditë, rrëshqitjet e dheut dhe prurjet e lumenjve kanë izoluar disa fshatra, ndërsa disa ura dhe rrugë janë shembur, duke vështirësuar lëvizjen e banorëve.

Në Durrës dhe Kukës, situata ka filluar të stabilizohet, por punimet për pastrimin e rrugëve dhe rikthimin e qarkullimit të sigurt vazhdojnë.

Në Shkodër, segmentet rrugore janë rikuperuar, por monitorimi vijon për garantimin e sigurisë. Në Vlorë dhe Delvinë, disa banorë janë evakuuar për shkak të përmbytjeve, ndërsa rrugët kryesore janë duke u rikuperuar. Në Fier, niveli i lumit Vjosë po rritet dhe autoritetet kanë marrë masa për menaxhimin e zonave të rrezikuara.

Në Elbasan, banorët po ndjekin me kujdes situatën nëpër lumenj dhe rrugë, ndërsa në Berat rreth 20 hektarë ullishte janë përmbytur. Në Korçë dhe Gjirokastër, rrugët urbane po monitorohen për të parandaluar përmbytje të mëtejshme, ndërsa në Dibër dhe Mat disa shkolla dhe banesa kanë pësuar dëmtime nga uji./ Zoom.al