zoom

Day ArchiveMoti i keq në Itali, zhduken dy persona, shemben disa banesa

Në Itali, në rajonin e Friuli Venezia Giulia, dy persona rezultojnë ende të zhdukur pasi tre banesa u shembën në zonën e Cormons, pranë Gorizias.

Lajmi u konfirmua nga forcat zjarrfikëse italiane përmes një njoftimi zyrtar.

Sipas autoriteteve, shembja e ndërtesave dyshohet të jetë shkaktuar nga një rrëshqitje dheu, pas orësh të tëra me reshje të dendura shiu gjatë natës. Në vendngjarje vijojnë kërkimet për një të mitur dhe një grua të moshuar, ndërsa një person tjetër është nxjerrë i gjallë nga ekipet e emergjencës.

Stuhitë e fuqishme që goditën rajonin kanë sjellë përmbytje të shumta dhe rrëshqitje dheu, veçanërisht në provincat e Udines dhe Gorizias.

Autoritetet raportuan se lumenjtë kanë dalë nga shtretërit e tyre, duke bllokuar rrugë dhe izoluar zona të tëra. Për të përballuar situatën, në ndihmë janë dërguar ekipe të specializuara nga Lombardia, Veneto dhe Emilia Romagna. Zoom.al/

Kërkesa për ekstradim, Ahmetaj: Duan të më eliminojnë

Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka lëshuar një seri akuzash të rënda ndaj qeverisë dhe SPAK, duke e cilësuar lajmin për kërkesën e re për ekstradim si një skenar politik për të mbuluar skandalet që, sipas tij, po shpërthejnë në Tiranë.

Në një lidhje telefonike në “Çim Peka Live”, Ahmetaj tha se lajmi për një kërkesë të re ekstradimi drejt Zvicrës ishte “i rremë” dhe se dokumenti i vetëm ekziston prej 18 gushtit 2023.

Ai theksoi se kjo kërkesë u përgatit “në kohë rekord”, gjë që sipas tij tregon se veprimi është urdhëruar nga nivele të larta politike dhe nuk ka ndjekur procedurat normale.

Për të sqaruar publikun, kërkesa për ekstradim është bërë në datën 18 gusht të vitit 2023. Kohë rekord. Domethënë rekord përkthyer, rekord bërë kërkesat me urdhër të kreut të organizatës. 

Dhe këtu s’kam më dyshim tani, për mua s’ka pasur dyshim që ditën një, që ditën që i kam kërkuar në shkurt të vitit 2022 largimin nga qeveria, dorëheqjen,” tha ai.

Pjesa më e rëndë e deklaratës së tij lidhet me pretendimin se tentativa për ta arrestuar me urgjencë ishte pjesë e një plani për eliminimin e tij fizik.

Shumë njerëz më kanë thënë se, po të isha ende në Shqipëri, sot nuk do të isha gjallë,” deklaroi ai, duke shtuar se nuk ka më asnjë dyshim për përfshirjen e strukturave të SPAK në këtë skenar.

Sipas ish-numrit dy të qeverisë, veprimet e SPAK ndaj tij kanë qenë të menjëhershme, ndryshe nga raste të tjera ku ka pasur vonesa të mëdha në ekzekutimin e urdhër-arresteve apo kërkesave për ekstradim. Ai e cilëson këtë si një standard të dyfishtë të drejtësisë.

Bardhi: Balluku ka urdhëruar Kuvendin të mos fusë ligjet e saj në seancë

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka akuzuar zv/kryeministren Belinda Balluku se po shmang qëllimisht seancat plenare, pas marrjes së saj të pandehur nga SPAK.

I ftuar në emisionin “Log”, Bardhi tha se Balluku ka udhëzuar shërbimet e Kuvendit që asnjë nga ligjet e propozuara prej ministrisë që ajo drejton të mos futet për diskutim në seancë.

Sipas tij, disa projektligje kanë kaluar në komisione, por janë bllokuar që të mos vazhdojnë në seancë plenare, me qëllim që të shmanget debati dhe përballja me opozitën.

Gazment BardhiNdërsa merrej e pandehur zv/kryeministrja Balluku, asnjë media nuk informonin qytetarët që ishte marrë e pandehur.

Ne jetojmë në një realitet të tillë. Të gjitha raportet flasin për një kontroll të qeverisë në media.

Janë urdhëruar shërbimet e kuvendit, kanë kaluar në komisione disa ligje të hartuara nga ministria që ajo drejton, janë udhëzuar në Kuvend që asnjë ligj të mos futet në diskutim.

Ka vendosur të shmangë seancat plenare, nuk do të lejojë debat dhe përballje me opozitën, akuza që sja ka bërë opozita por SPAK.

Nuk gjej dot një projekt të inicuar nga Balluku që nuk fshihet një aferë. Zoom.al/

Me fustan e kapele, roskovecari vishet si grua për të dalë nga arresti shtëpiak

Një 69-vjeçar në Roskovec është përpjekur ditën e sotme, 17 nëntor, për të shpëtuar nga masa e arrestit në shtëpi, përmes një mënyre shumë “kreative”, duke u veshur si grua.

Me një fund të gjatë, triko grash, kapuç dhe bastun, shtetasi J.H. është parë në rrugët e fshatit Strum, ku dhe ai banon, në prezencën e një personi tjetër.

Por, pavarësisht përpjekjes së tij të dëshpëtuar për të qenë i lirë, ai ka rënë në prangat e Policisë së Fierit.

Bëhet me dije se ai është dënuar për veprën penale “dhunë në familje”./Zoom.al

Ministri gjerman vjen në Tiranë: S’kam parë askund mbështetje për BE-në si në Shqipëri

Ministri i jashtëm gjerman Johann Wadephul ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, pas një vizite që zhvilloi në Tiranë këtë të hënë.

Ai shkruan se në asnjë vend tjetër europian nuk ka parë një mbështetje aq të fortë për BE-në se sa në Shqipëri.

“Shqipëria është e vendosur fuqimisht të ndjekë rrugën jo gjithmonë të lehtë drejt BE-së. Në asnjë vend tjetër në rajon mbështetja për BE-në dhe orientimi europian nuk është aq i fortë sa është këtu. E dashur Elisa Spiropali, ne qëndrojmë të vendosur pranë jush dhe do t’ju mbështesim në këtë rrugë.”, shkruan Wadephul. Zoom.al/

Tao Balla tallet me protestën e opozitës: Kaq i çojmë krushq në Shkodër

Pas përfundimit të protestës opozitare këtë të hënë ka reaguar socialisti Taulant Balla. 

Me tallje, ky i fundit ka publikuar një foto nga tubimi para kryeministrisë ku shkruan: 📸🫣 🦉 Ia doli ta fundosë PD në shoqatë! 

Siç tha i madhi Besnik Çinari: “Kaq në Shkodër i çojmë krushq në dasëm”😂😂😂

Natën e mirë✌️

Mirëpo, ironia e Ballës nuk është pritur mirë nga komentuesit të cilët i kujtojnë atij patronazhistët apo përgjimet ku i përmendet emri. 

Të tjerë e kanë fajësuar se partia e tij dhe qeveria e kanë çuar opozitën në këtë derexhe. Zoom.al/ 

Bedri Hamza zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës

Bedri Hamza u zgjodh kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, gjatë Konventës së mbajtur të kësaj partie pasditen e 17 nëntorit.

Hamza u zgjodh përmes votimit të hapur dhe për të nuk kishte votuar kundër.

Ai nuk kishte kundërkandidat dhe zgjedhja e tij u bë pasi Memli Krasniqi ditë më parë dha dorëheqje nga kreu i partisë.

“Më dhatë një përgjegjësi të madhe, një nder të jashtëzakonshëm, një detyrë që e pranoj me nder dhe përkushtim të plotë”, tha Hamza në fjalën e tij pas zgjedhjes.

Ai tha se Kosova ka nevojë për një PDK të bashkuar, me vizion të qartë, duke premtuar se “do ta hapim partinë tonë për secilin qytetarë që dëshiron të kontribuojë. Do t’i forcojmë strukturat tona lokale dhe qendrore”.

“Ne do të ecim vetëm përpara me përgjegjësi dhe maturi dhe zotime që do t’i mbajmë deri në fund”, tha ai.

Ndërkaq, në fjalën e tij në nisje të konventës partiake ai tha se PDK-ja i ka mbijetuar “çdo goditjeje” për shkak se “është ndërtuar mbi sakrificë kombëtare dhe jo mbi interesa personale”.

“Sepse, PDK ka lindur në përballje, në qëndresë, në sakrificë. Sepse, në ADN-në e saj ka gjurmët e lirisë, ka idealin e rezistencës dhe ka frymën e UÇK-së”, u shpreh ai.

Hamza, 62 vjeç, ka shërbyer dy herë si ministër i Financave i Kosovës dhe në katër vjetët e fundit e udhëhoqi komunën e Mitrovicës së Jugut.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, ai ishte kandidati i PDK-së për kryeministër.

Pas Konventës, Hamza mbajti një konferencë për media u pyet nëse ka vija të kuqe për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit.

“Sa i përket bashkëpunimit, unë asnjëherë nuk kam vendosur vija të kuqe dhe normalisht që bashkëpunojmë me të gjitha partitë në të mirë të vendit, brenda rregullave dhe marrëveshjeve politike”, tha ai.

Kur u pyet sërish nëse nuk e përjashton mundësinë e bashkëpunimit me LVV-në, ai tha se asnjëherë nuk ka vendosur vija të kuqe. 

“Asnjëherë nuk kam vendosur vija të kuqe dhe siç e pamë në balotazh ata që patën vija të kuqe, të gjithëve iu ranë. Mendoj se ne duhet të jemi të përgjegjshëm para interesit të vendit dhe gjithmonë t’i bëjmë veprimet e duhura në dobi dhe interes të vendit”.  Rel/

Mbyllet protesta përpara Kryeministrisë, Berisha: Në këtë shesh gjer në fitore

Pas 1 ore e 30 minutash, protesta e mbajtur nga opozita është mbyllur, edhe pse leja ishte marrë për 2 orë.

Në foltoren e vendosur përpara Kryeministrisë foli kreu i PD, Sali Berisha, deputetë të Partisë Demokratike dhe disa protestues.

Protesta ishte e qetë, në të cilën nuk pati përplasje mes protestuesve dhe policisë.

Në përmbyllje të protestës së PD-së që u mbajt sot para kryeministrisë, Sali Berisha, njoftoi protestën e radhës, e cila do të mbahet të hënën tjetër në të njëjtën vendndodhje.

Fjala përmbyllëse e Sali Berishës:

“Edhe njëherë, mirënjohje të pakufishme.

Kjo është foltore themelore.

Themelon kjo foltore atë lëvizje të fuqishme që do i japë këtij regjim ndëshkimin që meriton.

Ndaj dhe le të përshëndesim ne përzemërsisht dhe me mirënjohje të gjithë ata që morën pjesë, të gjithë ata që e ndoqën këtë foltore, e cila u garantoj unë ju do shndërrohet në një gurrë frymëzimi.

Kjo foltore unike në historinë e vendit do të realizojë bashkimin e shqiptarëve në një ideal të lartë, në idealin e votës së lirë, në idealin dhe shenjtërinë e familjes shqiptare.

Mirupafshim në foltoren tjetër po në këtë shesh.

Tjetrën po në këtë shesh gjer në fitore.” Zoom.al/

Moti i keq/ Evakuohen disa familje në Theth

Disa familje janë evakuuar nga banesat e tyre në Theth ku rrezikoheshin si pasojë e motit të keq.

Ekipi i Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile në terren ka konfirmuar që banorët dhe familjet e bllokuara në Nderlysaj janë evakuar dhe tashmë nuk ka asnjë rrezik për jetën e tyre.

“Bashkia e Shkodrës po merr masat për lirimin e rrugëve dhe rikthmin e normalitetit në transport.”- bën me dije Ministria e Mbrojtjes.

Ky është reagimi i parë ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar kushte të vështira atmosferike nga kjo e hënë deri në disa sitë në vijim.

Situatë më e përkeqsuar pritet në skajet jugore dhe veriore të vendit. Zoom.al/

Opozita në shesh/ Berisha flet para Kryeministrisë: Rama dhe banda e tij kanë frikë nga fjala e deputetëve

Opozita ka nisur protestën përpara Kryeministrisë, e thirrur nga Partia Demokratike për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku pas aferës me tunelin e Llogarasë.

Kreu i PD, Sali Berisha, ka marrë fjalën nga foltorja e ngritur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe përkeqësimin e gjendjes ekonomike në vend.

Ai i referohet kryeministrit Edi Rama dhe Ballukut si “Sulltani dhe Sulltanesha”, duke i cilësuar përgjegjës për atë që ai e quajti një skamje të përhapur në Shqipëri dhe pengim të përpjekjeve të opozitës për zgjedhje të lira.

Berisha kritikoi gjithashtu mbylljen e Kuvendit dhe përjashtimin e opozitës nga debati parlamentar, duke theksuar se qeveria ka frikë nga reagimi qytetar dhe nuk pranon transparencë në punët e saj.

“Po këtë javë në vendin më të sigurt të supozuar masakra kur banda të qeverisë likujdojnë banda të tjera të qeverisë, por ajo që kulmoi në qëndrimet e narko shtetit ishte mbyllja de facto e narko parlamentit. Rama e banda e tij të dalë nga dhunimi i votës dhe grabitja e saj, nga paratë e drogës dhe afera korruptive, kanë frikë nga fjala e deputetëve të opozitës dhe zgjodhën të vendosin terrin, bllokimin dhe errësirën. Në 10 seanca në asnjë vend më parë, opozita u lejua të debatojë në vetëm një seancë. Qeveria e përbërë nga lubira e të tjerë u votua për 28 minuta për të treguar se ka frikë e tmerr nga ju, nuk del dot para jush. Në 10 seanca u hodh poshtë kërkesa për komisionin e zgjedhje që u vërtetuan tashmë si farsë”, tha Berisha./ Zoom.al