zoom

Day ArchiveKosova shkruan historinë, kualifikohet në “play off” të Botërorit

Kosova është kualifikuar për herë të parë në fazën “play off” të Botërorit, duke arritur një moment historik.

Dardanët fituan 2-0 në transfertë ndaj Sllovenisë, rezultat që u siguroi vendin e dytë me 10 pikë. Avantazhi erdhi nga goli i Fisnik Asllanit në pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë u shkaktua një autogol nga skuadra vendase.

Ndeshja e fundit do të luhet ndaj Zvicrës, e cila kryeson grupin me 13 pikë. Diferenca e golavarazhit e bën të vështirë për Kosovën të marrë vendin e parë.

Megjithatë, kualifikimi në “play off” është tashmë i sigurt. Pas Shqipërisë, edhe Kosova arrin të sigurojë pjesëmarrjen në këtë fazë vendimtare të Botërorit./ Zoom.al

“Ka ministra që vegjetojnë”/ Shpërthen Braçe: Qeveria duhet të jetë me këmbë në tokë dhe jo me krahë në ajër

Deputeti socialist Erion Braçe ka lëshuar kritika të forta ndaj qeverisë dhe disa ministrave, gjatë një interviste të dhënë për emisionin “Kjo javë”.

Braçe u shpreh se brenda kabinetit ka ministra që vegjetojnë dhe që, sipas tij, duhet të përballen me përgjegjësitë e detyrës.

“Jemi një qeveri për të përmbushur angazhimet që kemi marrë kundrejt njerëzve, por jemi dhe përballë kësaj qeverie, për të bërë rolin e pasqyrës, dhe brenda maxhorancës. Një ministër, që ka të tillë që vegjetojnë, pse mos të vihet para pasqyrës për t’i thënë: Ej po fle. Ej lëviz. Do e bëja për veten time dhe për qeverinë. E kam bërë kohë pas kohe, dhe kur isha zv.kryeministër. Ka njerëz që se mendojnë këtë. Ka shumë gjëra që thuhen pas teje,”- deklaroi Braçe, duke nënvizuar se shpesh gjërat diskutohen pas shpinës dhe jo hapur.

Ai theksoi se qeveria nuk duhet të shkëputet nga realiteti dhe se prioritetet duhet të jenë problemet e qytetarëve.

Qytetarët nuk duan t’ia dinë nëse ti e ke mirë me qeverinë tënde, s’duan t’ia dinë, ata duan zgjidhje të problematikave. Qeveria duhet të jetë me këmbë në tokë, jo m krahë në ajër, Kur shoh se krahët janë në ajër jo për të fluturuar, por për të dalë nga realiteti. Duhet ta bëjë dikush këtë gjë, që të biem me këmbë në tokë,”- theksoi Braçe në intervistë.

Ai deklaroi gjithashtu se nuk ka komunikim me kryeministrin Edi Rama dhe se marrëdhëniet mes tyre janë ndërprerë pas vendimit për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj në Këshillin Bashkiak dhe shpalljes së datës së zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës./ Zoom.al

“Shqipëria, shembull i keq për Kosovën”/ Ish-ambasadori holandez: Politikanët e urrejnë njëri-tjetrin

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch lëshoi një deklaratë të fortë, teksa foli rreth klimës politike në vend. Ai tha se politikanët në Kosovë kanë nisur të urrejnë njëri-tjetrin dhe nuk po punojnë bashkë për të mirën e vendit.

Bosch, i cili ka punuar më herët si ambasador në Tiranë, tha se dikur Kosova merrej shembull nga Shqipëria, kurse tani është bërë si Shqipëria, pasi njerëzit (politikanët) kanë filluar të sillen keq me njëri-tjetrin.

“Nuk e di çfarë të them për marrëdhëniet e Kurtit me komunitetin ndërkombëtar. Në Kosovë shoh që ka shumë njerëz që nuk po punojnë bashkë dhe kjo është sigurisht shumë e keqe. Siç e dini, unë kam qenë më herët në Shqipëri dhe atje ishte ai nivel ekstrem: njerëzit që e urrenin njëri-tjetrin, që akuzonin njëri-tjetrin për gjërat më të këqija të mundshme.

Gjithmonë Kosova merrej si shembull, sepse njerëzit ishin më të sjellshëm. Por duket se edhe kjo ka ndryshuar pak; edhe këtu njerëzit kanë filluar të sillen keq, jo aq sa në Shqipëri, por prapë. Nuk duhet të shkoni në atë drejtim, ku çdo gjë që bën opozita quhet krim,”- u shpreh ambasadori për Ekonomia Online.

Diplomati holandez ka komentuar dhe bllokimin e institucioneve dhe projekteve jetike për Kosovën, si pasojë e krizës politike që është reflektuar edhe në pasoja shtetërore. Sipas Robert Bosch, edhe në vendin e tij, në Holandë ka raste kur Parlamenti nuk pajtohet me vendime të caktuara, por vendi nuk paralizohet.

“Kjo situatë është e dëmshme për vendin, sepse shumë procese nuk mund të nënshkruhen. Kam dëgjuar edhe biznesmenë këtu që thonë se janë në pritje të kontratave, por askush nuk është i autorizuar t’i nënshkruajë, pasi qeveria është vetëm kujdestare dhe nuk ka kompetencë për vendime të tilla.

Kjo dallon nga Holanda, për shembull, ku edhe qeveritë kujdestare mund të nënshkruajnë shumë vendime; Parlamenti mund të mos pajtohet, por të paktën vendi nuk paralizohet. Këtu, për arsye që nuk i kuptoj, proceset janë bllokuar plotësisht,”- sqaroi diplomati Robert Bosch./ Zoom.al

Labubu së shpejti në kinema

Një nga fenomenet më të mëdha të këtij viti në botën e lodrave mund të kalojë shumë shpejt në ekranin e madh.

The Hollywood Reporter bëri të ditur se kompania Sony Pictures ka nënshkruar një marrëveshje për të realizuar një film të bazuar te kukullat shumë të njohura Labubu, që u bënë një mani globale.

Filmi ndodhet ende në fazat e para të zhvillimit, ndërsa ende nuk është vendosur nëse projekti do të realizohet në formë animacioni.

Në shumë vende, blerësit kanë pritur në radhë me orë të tëra për t’i siguruar këto kukulla, ku modeli i saktë mbetet surprizë derisa të hapet kutia.

Sony Pictures njihet tashmë për produksione të suksesshme si seria “Jumanji” dhe animacioni në Netflix, “KPop Demon Hunters”. Zoom.al/

Ndeshja me Andorrën/ Flet Silvinjo, tregon çfarë ndodhi me Brojën

Gjatë konferencës këtë të shtunë, trajneri i kombëtares Silvinjo u ndal edhe tek futbollisti Armando Broja i cili u shfaq i mërzitur pas ndeshjes në Andorra dy ditë më parë. 

Silvinjo tha se ka folur personalisht me Armando Brojën dhe me gjithë skuadrën pasi sulmuesi duhet të merrej me zor nga Hysaj për të festuar me shokët kualifikimin për në playoff-et e Kupës së Botës.

“Po, fola me të. Fola edhe me grupin. E kemi zgjidhur, nuk ka probleme. Por sigurisht që fola me të. Ishte pak i zhgënjyer, por tani kjo ka kaluar”, tha Silvinjo.

“Ishte i zhgënjyer që u zëvendësua. Por nuk e di pse ishte kaq i mërzitur. Ne në atë pikë ishim në kërkim të fitores. Çështja është e zgjidhur dhe nuk ka asnjë problem.”

“Në fakt Broja ka bërë mirë në disa ndeshje. Me Serbinë bëri shumë mirë. Nuk është fokusi sesi një lojtar luan në atë rol, por edhe për të ekuilibruar skuadrën. Nuk fokusohemi dot në një lojtar. Ai është një nga lojtarët që kemi. Nëse ndodh që një lojtar tjetër mund të bëjë një pozicion, do të provohet. Uzuni, mund të luajë në të majtë, sulmues i dytë dhe djathtas”, shtoi Silvinjo. Zoom.al/

Veliaj fut në sherr Braçen dhe Ramën: Nuk flasim

Deputeti socialist Erion Braçe ka deklaruar se aktualisht nuk ka komunikim me kryeministrin Edi Rama. 

Gjatë një interviste në emisionin “Kjo javë”, Braçe tha se marrëdhëniet mes tyre janë ndërprerë pas vendimit për shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj në Këshillin Bashkiak dhe shpalljes së datës së zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës.

“Jo tani nuk flasim. Unë mendoj se duhet të ketë gjithmonë një pauzë për të reflektuar secili në këtë marrëdhënie, që është politike, pune dhe marrëdhënie njerëzore në fund, unë kam bindjet e mia dhe nuk dua që të më cënohen kufijtë që unë ngre. Jam i prirur përkundrejt një ekuilibri, por kur kam të drejtë kam të drejtë dhe të drejtën time  nuk e negocioj me kërrkënd,”- u shpreh Braçe.

Ai theksoi se deklaratat e tij për të pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me shkarkimin e Veliajt dhe shpalljen e zgjedhjeve rezultuan të sakta:

“Nëse unë thashë publikisht që duhet pritur vendimi i gjykatës Kushtetuese sa i takon shkarkimit të zotit Veliaj apo shpalljes së zgjedhjeve në Tiranë, me këtë vendimin e Kushtetueses rezulton se paskam patur të drejtë. Por dhe me gjithçka që po pason si ligjërim, unë skam folur pas vendimit të Kushtetueses,”- shtoi deputeti i PS-së./ Zoom.al

Përplasje fizike mes dy prezantueseve, çfarë ndodhi mes Enxhi Nasufit dhe Neada Muçajt?

Në emisionin e mëngjesit në Top Channel, treshja Blendi Salaj, Enxhi Nasufi dhe Neada Muçaj dukej se kishin krijuar një dinamikë të qëndrueshme para kamerave.

Energjia e tyre në studio jepte përshtypjen se gjithçka funksiononte mirë dhe se mes vajzave kishte harmoni profesionale.

Por mesa duket, kjo harmoni e përcjellë edhe në publik ka marrë fund. Sipas zërave që qarkullojnë lart e poshtë në rrjet, raportet mes Enxhit dhe Neadës kanë qenë të tensionuara, aq sa situata thuhet se ka degraduar deri në përplasje fizike në korridoret e Top-it.

Të njëjtat burime shtojnë se edhe gjatë transmetimit të fundit, ftohtësia mes vajzave ishte e dukshme, ndërsa Blendi përpiqej të mbante balancën mes tyre. / Zoom.al

Zjarr në një apartament në zonën e Astirit. Zjarrfikësit shpëtojnë dy fëmijë të mitur 

Një apartament në zonën e Astirit në Tiranë është përfshirë nga flakët këtë të shtunë.

Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit.

Gjatë operacionit, zjarrfikësit kanë nxjerrë nga ballkoni i apartamentit dy fëmijë të mitur, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se situata është vënë nën kontroll dhe fatmirësisht nuk ka persona të lënduar dhe janë raportuar vetëm dëme materiale.

Autoritetet po vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit./ Zoom.al

Një mjet i ri me IA rrit efikasitetin e transplanteve të organeve

Mjekët kanë krijuar një mjet me Inteligjencë Artificiale që mund të pakësojë me 60% përpjekjet e shkuara dëm për transplantet e organeve.

Mijëra pacientë në të gjithë botën presin për një dhurues dhe shumë kandidatë kanë ngecur në lista shumë më të gjata sesa numri i organeve të disponueshme.

Së fundmi, në rastet kur nevojitet një transplant mëlçie, rastet janë plotësuar duke përdorur dhurues që kanë vdekur nga arresti kardiak. Por në gjysmën e këtyre dhurimeve, transplanti anulohet.

Kjo ndodh për arsye se koha midis heqjes së aparaturave dhe vdekjes nuk duhet të kalojë 45 minuta. Nëse dhuruesi nuk ndërron jetë brenda afatit kohor që nevojitet për të ruajtur cilësinë e organit, kirurgët e refuzojnë mëlçinë për shkak të rrezikut të ndërlikimeve që mund të shfaqë te marrësi.

Tani mjekët e shkencëtarët e Stanford University kanë kirjuar një model që parashikon nëse një dhurues ka gjasa të vdesë brenda afatit që mundëson transplantin e organeve.

Mjeti me IA tejkaloi gjykimin e kirurgëve më të mirë dhe pakësoi me 60% ritmin e procedurave të padobimshme që ndodhin kur përgatitjet për transplantin kanë nisur, por dhuruesi vdes më vonë.

Rrjedhimisht, kjo pakëson vështirësinë financiare dhe operacionale në qendrat e transplantit.

IA u trajnua në të dhënat e më shumë se 2 mijë dhuruesve në disa qendra transplanti në SHBA. Ajo përdor të dhëna neurologjike, respiratore dhe të qarkullimit për të parashikuar saktësisht përshkallëzimin e gjendjes së një dhuruesi të mundshëm organesh. Zoom.al/

Dueli me Anglinë, Silvinjo dhe Gjimshiti flasin në konferencë për shtyp

Kombëtarja shqiptare do të luajë ndeshjen e fundit në kualifikueset e Botërorit, këtë herë ndaj Anglisë në stadiumin “Air Albania”.

Në prag të këtij dueli, në konferencë për shtyp ka dalë trajneri i kuqezinjve, Silvinjo dhe kapiteni Gjimshiti.

“Do të jetë një ndeshje si të gjitha në kualifikuese. Do të futemi në fushë dhe do të japim maksimumin. E kemi arritur “play off”, por është një ndeshje e rëndësishme. Do të japim gjithçka në fushë për të vënë në vështirësi kundërshtarin.

Statistikat nuk i di. Unë mendoj ndeshje pas ndeshje. Është e mirë kur shikon statistikat për fitore. Kemi një kundërshtar që luan për fitore. Kemi vetëbesim dhe do të japim gjithçka për t’i vënë në vështirësi. Me armët tona, besoj se do të bëjmë një ndeshje të mirë nesër.

Nuk është vetëm çështje e imja për të ndalur Harry Kane,. Të gjithë kanë vështirësi ndaj Kane. Do mbrojmë si skuadër dhe do sulmojmë si skuadër. Të gjithë do të japin gjithçka. Nuk kanë pësuar asnjë gol, por shpresojmë të shënojmë nesër.

Sigurisht që mendojmë për “play off”. Për momentin të përqendrohemi te Anglia dhe të shikojmë shortin. Nga kombëtare të mëdha si Anglia mund të mësojmë diçka.

Nuk e di nëse jemi mbrojtja më e mirë në histori të Shqipërisë. Këtë e gjykojnë nga jashtë. Unë nuk mund ta them këtë. Kemi organizim shumë të mirë në Kombëtare. Nuk ka rëndësi kush luan. Kemi rritur kualitetin. Nuk është vetëm mbrojtja, por mbron e gjithë skuadra.”– th Gjimshiti.

Trajneri i kuqezinjve dha gjithashtu mendimet e tij për këtë ndeshje, duke treguar pritshmërinë që ka për ekipin.

“Djem, ju lutem mos bëni konfuzion, kur flitet për Anglinë, ata janë në Botëror, janë ndër favoritët. Spanja, Brazili, Argjentina, Gjermania, Franca, janë nivel komplet tjetër, mos bëni konfuzion me ne. Ne jemi të lumtur që do të luajmë për herë të parë play-off në mars, por është krejtësisht ndryshe, nesër do të jetë e ndryshme. Kanë një trajner që luan mirë, ka 25-26, por edh 40 lojtarë që luajnë në Premier Ligë dhe në disa nga vende të tjera. Ata kanë luajtur 7 ndeshje, kanë 21 pikë, nuk kanë pësuar asnjë gol, pra flasim për një nga favoritët për Kupën e Botës.

Ishte një ndeshje vështirë me Andorrën, është shumë e vështirë kur luajnë në fushën e tyre. Edhe Anglia i mundi vetëm 1-0. Është shumë e vështirë, mbrohen mirë. E prisnim të luhej një ndeshje e tillë, ishte një rezultat e objektiv i madh. Nëse më pyet për Armandon, fola me të. Vetëm dhe padyshim me grupin gjithashtu. Momenti është zgjidhur, nuk ka problem, por kam folur me të dhe ekipi, është i zhgënjyer. Ne do të luajmë në play-off, fitojmë 5 ndeshje, një moment i madh për të gjithë, jo vetëm për vendin, për të gjithë. Duhet t’i gëzohemi këtij momenti, po bëjmë shumë mirë, është momenti të jemi të lumtur dhe të shijojmë ndeshjen nesër. Të mundohemi ta shijojmë edhe pse është e vështirë”, tha Sylvinho.

Zoom.al/