zoom

Day ArchiveHeidi merr dhuratën nga i dashuri? Moderatorja: Ti më bën të ndjehem e veçantë

Ish-banorja e Big Brother VIP Albania, Heidi Baci, ka ndezur spekulimet për një lidhje të re pas postimeve të fundit në Instagram, ku ka zbuluar foto të dhuratave të marra nga i dashuri i saj.

Në fotot e publikuara, Heidi shfaqet me një buqetë të madhe lulesh dhe një tortë të personalizuar me mesazh romantik, duke lënë të kuptohet se dikush special ka menduar për të. Ajo shfaqet e buzëqeshur dhe e lumtur, ndërsa mesazhet që ka shkruar mbi postime kanë tërhequr menjëherë vëmendjen e ndjekësve.

“Ti më bën të ndjehem e veçantë! Faleminderit”, shkroi Heidi, pa zbuluar emrin e personit që i ka dërguar dhuratat.

Postimet lënë të kuptohet se bëhet fjalë për dikë të rëndësishëm në jetën e saj private, ndërsa ndjekësit presin të mësojnë nëse ish-banorja e BBVA do të konfirmojë identitetin e të dashurit.

Belinda Balluku, “kurbani i përsosur” i sistemit të mollëve të Edi Ramës

Le ta themi troç: Belinda Balluku është “kurbani i përsosur” i sistemit që ka ndërtuar shefi i saj në 12 vjet qeverisje. Ajo është ministrja nën firmën e së cilës kalojnë tenderat, por jo domosdoshmërisht personi që vendos se kush do t’i fitojë.

Le të rrimë me këmbë në tokë: A do të mund të kishte vendosur vetë Belinda Balluku për Tunelin e Llogarasë, një projekt strategjik prej 170 milionë eurosh dhe që ka qenë për vite në listën e prioriteteve të vetë kryeministrit?

A mund të kishte ajo fjalën e fundit për Aeroportin e Vlorës, një projekt që lidhet drejtpërdrejt me marrëdhëniet e Edi Ramës me qeverinë turke dhe me rrjetin e interesave që e rrethojnë këtë investim?

A mund t’i thoshte ajo “jo” shefit të saj, me të cilin ndan pushtet e detyra prej afro 2 dekadash?

Përgjigjja është e qartë: jo.

Në këto projekte, ministrat janë zbatues, jo vendimmarrës. Vendimet e mëdha, çfarë projekti bëhet, me kë dhe si ndahet torta, janë politike dhe merren në zyrën e kryeministrit, jo në Ministrinë e Infrastrukturës. Prandaj, hetimi i SPAK mund të përcaktojë nëse Balluku ka përgjegjësi ligjore, nëse janë shkelur procedurat, apo janë bërë favorizime të paligjshme. Por nëse flasim për vendimmarrje reale, përgjegjësi politike dhe morale, ajo shkon më lart, tek ai që firmos strategjinë, që përcakton “miqtë, klientët dhe armiqtë”.

Belinda Balluku është në fund të fundit produkt i sistemit të ndërtuar nga Edi Rama, një sistem ku vendimet merren lart e ku të tjerët duhet të gjejnë mënyrën “ligjore” për t’i implementuar. Ajo është bashkëfajtore se e ka pranuar këtë sistem dhe e ka mbështetur. Ajo mund të jetë ekzekutorja, jo porositësja dhe urdhëruesja e një krimi.

Në këtë kuptim, nëse SPAK e çon përpara drejtësisë nuk do të thotë se ka bërë drejtësi. Nëse Balluku është ligjërisht përgjegjëse, Rama është së paku politikisht bashkëfajtor. Sepse nuk mund të marrë lavditë për çdo inaugurim dhe të lajë duart nga çdo hetim. Kjo është ironia më e madhe e pushtetit të tij, që çdo sukses bën të vetin dhe çdo dështim ua lë të tjerëve, që i hanë vazhdimisht mollë pas shpine. /Zoom.al

Aksident në aksin rrugor Peqin-Rrogozhinë, makina përplas për vdekje këmbësoren

Një aksident me vdekje ka ndodhur në aksin rrugor Peqin – Rrogozhinë.

Raportohet se 58 vjeçari me iniciale D. K., banues në Kavajë, duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka aksidentuar këmbësoren me inciale  M. K..

Për pasojë, 82 vjeçarja ka humbur jetën.

Njoftimi:

Kavajë / Informacion paraprak

Rreth orës 19:00, në aksin rrugor Peqin – Rrogozhinë, në fshatin Sinaballaj, shtetasi D. K., 58 vjeç, banues në Kavajë, duke drejtuar automjetin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe automjeti ka aksidentuar këmbësoren, shtetasen M. K., 82 vjeçe.

Si pasojë e aksidentit, 82-vjeçarja ka ndërruar jetë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Agron Llakaj rrëfehet për humbjen e bashkëshortes: S‘doja të jetoja! E përcollëm si nuse

Aktori dhe moderatori i njohur Agron Llakaj ka ndarë një dëshmi të dhimbshme mbi humbjen e bashkëshortes së tij të ndjerë, Kostandina, duke sjellë në vëmendje momentet e fundit, forcën e përbashkët dhe dashurinë që i ka shoqëruar deri në çastet e fundit të jetës së saj.

Llakaj tregoi se nuk kishte pranuar të merrte “amanet” nga bashkëshortja, sepse nuk mund ta pranonte idenë e ndarjes.

“Nuk mora amanet nga Kostandina, nuk pranova. Kam mbajtur më shumë sesa duhet,” tha ai, duke e përshkruar Kostandinën si zemrën e familjes.

Ai kujtoi edhe udhëtimin e fundit drejt Turqisë, moment i cili vulosi fundin e shpresave:

“U zhgënjyem. Kur shkuam në Turqi herën e fundit, thikën e mora unë. Doktori më mori mënjanë dhe më tha se kishte mbaruar. I thashë: po ti kishe thënë 5–6 vjet? Çdo gjë do ta shisnim vetëm që Kostandina të jetonte.”

Pavarësisht këtij lajmi të rëndë, për dy javë ai mbajti të vërtetën i vetëm, duke e mbrojtur familjen: “Unë duhej të gënjeja. Për dy javë nuk e di si rrotullohesha. Ua thashë fëmijëve dhe vazhduam të silleshim sikur s’kishte ndodhur gjë, deri në fund.”

Edhe pse e dinte se ditët po mbylleshin, ai vazhdoi të dilte në ekran me buzëqeshje, vetëm për ta mbajtur shpresën gjallë tek ajo:

“Unë e dija që ishin ditët e fundit dhe dilja në emision, qeshja me shpirt, që ajo të thoshte: ai qesh, unë jam mirë.”

Një nga momentet më të vështira që ai kujton me lot në sy ishte përgatitja e saj për lamtumirën e fundit “Në fillim nuk e kupton ku je. I thashë vajzës: zemra e babit, mami e meriton të ikë si një nuse e bukur. I kemi bërë grim profesional. Ne të dy kemi qëndruar aty, duke qarë dhe duke e grimuar.”

Por periudha pas ndarjes rezultoi edhe më e errët për të:
“Për shumë ditë dhe netë nuk kam dashur të jetoj. Doja të ikja, t’i bashkohesha. Fëmijët më janë lutur: babi, jemi ne.”

/Zoom.al

Zgjedhjet në Kosovë/ Nis mbyllja e vendvotimeve, dalin parashikimet për rezultatet nëpër komuna

Në ueb-faqen e KQZ-së kanë nisur që të publikohen rezultatet e para preliminare për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që u zhvillua në 18 komuna.

Sipas të dhënave, dalja në zgjedhje ishte 32 për qind, më e ulët se rundin e parë kur votuan 40.10 për qind e votuesve.

Sipas exit poll-eve të publikuara në Klan Kosova, kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, pritet të fitojnë në Gjilan dhe Fushë Kosovë.

LVV-ja ka qeverisur edhe mandatin e kaluar në Gjilan me kandidatin aktual, Alban Hyseni, ndërkaq Fushë Kosova që nga përfundimi i luftës është qeverisur nga LDK-ja.

Kandidati i LVV-së për Fushë Kosovë është Valon Prebreza./REL

Vrasja tragjike e presidentit të harruar amerikan, James Garfield

Në fund të shekullit të 19-të, presidenti James Garfield premtoi përparim dhe reforma – por katër muaj pas inaugurimit të tij ai u qëllua me armë. Seriali i ri Death by Lightning eksploron jetën dhe trashëgiminë e tij.

Në vitin 1880, SHBA-ja ndodhej në një udhëkryq. A do të mund të gëzonin më në fund ish-të skllavëruarit të gjitha të drejtat si qytetarë? A mund të reformohej sistemi i ngulitur i patronazhit – ndarja e posteve federale sipas besnikërisë ndaj partisë, e jo meritës?

Në Konventën Kombëtare Republikane në qershor, James Garfield i trajtoi këto pyetje duke i bërë thirrje kombit të përmbushte premtimet e tij për të gjithë.

Duke dëgjuar fjalimin e tij të fuqishëm, qindra delegatë u ngritën në këmbë dhe ovacionuan me të madhe, përpara se të kërkonin që pikërisht ky kongresmen nga Ohio të ishte kandidati i tyre.
Garfield u përpoq të refuzonte nominimin e partisë së tij. Ai këmbënguli se nuk kishte aspak dëshirë të bëhej president. Por vala e mbështetjes për të – i cili ishte ngritur drejt politikës kombëtare nga varfëria, ashtu si Abraham Lincoln, dhe kishte treguar heroizëm si komandant në anën e Unionit gjatë Luftës Civile – ishte e pandalshme. Dhe në nëntor të vitit 1880, ai u zgjodh presidenti i 20-të i vendit.

Ajo që ndodhi më pas është ndër kapitujt më tragjikë në historinë presidenciale: vetëm katër muaj pas inaugurimit, Garfield u qëllua me armë dhe më vonë vdiq nga sepsa. Në veprën e saj më të shitur Destiny of the Republic: A Tale of Madness, Medicine, and the Murder of a President, autorja Candice Millard e rrëfen mjeshtërisht këtë histori. Ky libër i vlerësuar me çmime shërbeu si bazë për një dokumentar me dy pjesë, The Murder of a President, i transmetuar në SHBA në PBS në vitin 2016.

Tani Netflix sjell një adaptim të ri ambicioz – dhe të pasur – të veprës së Millard. Death by Lightning, një dramë me katër pjesë e shkruar nga Michael Makowsky dhe me protagonistë Michael Shannon si James Garfield dhe Matthew Macfadyen si Charles Guiteau, njeriu që e qëlloi atë. Çfarë mund të marrin shikuesit nga ky serial? “Shpresoj të jetë një kujtesë se nuk të duhet një ngjarje e madhe për të ndryshuar rrjedhën e historisë,” i thotë Millard BBC-së. “Në këtë rast, kombinimi i çmendurisë së një njeriu dhe paditurisë e ambicieve të vogla të një tjetri shkatërroi tërë kombin.”

Shumë kohë para se të qëllonte Garfield-in, Guiteau shfaqte shenja të paqëndrueshmërisë mendore, por ai asnjëherë nuk u trajtua dhe as u izolua në atë epokë të psikiatrisë rudimentare.

Sa i përket mjekut arrogant që këmbënguli të mbikëqyrte kujdesin e presidentit pasi ai u qëllua, Dr Wilfred Bliss përqeshi metodat më të fundit antiseptike për trajtimin e plagëve, duke përdorur instrumente të pasterilizuar dhe madje edhe gishtin e tij të zhveshur për të prekur plagën pranë shtyllës kurrizore të Garfield-it. Faji për vdekjen e presidentit bie plotësisht mbi Bliss, siç e shpjegon Millard në detaje të dhimbshme.

Supertajfuni godet Filipinet, rreth 1 milion të evakuuar! Paralajmërohen përmbytje shkatërruese

Tajfuni Fung-wong ka goditur Filipinet, ku më shumë se 900,000 njerëz janë evakuuar dhe dy persona kanë humbur jetën.

Stuhia u kategorizua si super tajfun para se të hynte në tokë, me erëra të qëndrueshme rreth 185 km/h.

Stuhia goditi provincën Aurora në Luzon, ishulli më i populluar i Filipineve, në orën 21:10 me kohën lokale.

Shërbimi meteorologjik i vendit paralajmëroi se ka një “rrezik të lartë të një përmbytjeje të rrezikshme për jetën dhe shkatërruese”, ndërsa tajfuni lëviz drejt veri-perëndimit nëpër Luzon.

Fung-wong – i njohur lokalshëm si Uwan – vjen vetëm disa ditë pasi një stuhi tjetër, Kalmaegi, la pas një gjurmë shkatërrimi dhe gati 200 të vdekur.

35 milionë eurot për turqit e Aeroportit të Vlorës dhe të Tunelit të Llogarasë dhe avioni i Sinan Idrizit që përdor Rama si “dhuratë” nga Erdogan

 Fijet që lidhin Tiranën me Ankaranë në të paktën 3 projekte miliona eurosh

Konflikti mes aksionarëve të “Vlora International Airport” Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi, po nxjerr në sipërfaqe një rrjet personazhesh dhe interesash që shkojnë përtej dy biznesmenëve nga Kosova dhe që lëvizin mes Shqipërisë e Turqisë. Që nga shpërthimi i kësaj çështjeje, historia e aeroportit të Vlorës po formësohet çdo ditë e më shumë si një nyje ku përzihen biznesi e politika në Tiranë e Ankara.

Bashkë me të, hetimet e SPAK për për një tjetër vepër të infrastrukturës publike, Tunelin e Llogarasë, çojnë në gjurmët e të njëjtave lidhje.

AEROPORTI I VLORËS

 Behgjet Pacolli deklaroi publikisht në intervistën me Blendi Fevziun se ai ishte futur në lojë në ndërtimin e aeroportit tëVlorës nga një biznesmen turk, mik i presidentit Recep Tayyip Erdogan. Ai tha se turku me emrin Hysen e kishte telefonuar për t’i propozuar ta ndërtonin bashkë aeroportin.

“Marr një telefonatë nga një person në Turqi cilin unë e kisha njohur herët në Kazakistan, një i ashtuquajtur Hyseni. Thotë unë kam marrë një telefonatë prej presidencës turke që të udhëtoj në Shqipëri me 2 detyra, e prara që të ndërtoj një spital dhe e dyta që qenka një aeroport atje dhe ne mundemi me qenë bashkëfinancues”.

Pak më vonë Behgjet Pacolli formoi konsorciumin me “YDA Group” për të ndërtuar Aeroportin e Vlorës, me një vlerë fillestare prej 104 milionë eurosh. Vlera aktuale, sipas Pacollit, ka arritur në 140 milionë euro.

Por kush fshihet pas “Yda Group” dhe përse duhej një kompani turke të përfshihej në një projekt me rëndësi strategjike?

Behgjet Pacolli me presidentin turk Erdogan

AEROPORTI I VLORËS – ERDOGAN – YDA GROUP  

 Koncesioni i Aeroportit të Vlorës u fitua në prill të vitit 2021. Një vit më vonë, “YDA Group” tërhiqet dhe vendos t’ia shesë Behgjet Pacollit 47% të aksioneve që kishte në konsorcium. Në QKB shitja bëhet për 4 450 euro. Por në fakt turqit u larguan pasi i mbushën mirë xhepat. Pacolli tha në intervistën me Fevziun në Opinion se u kishte paguar 3 milionë euro.

Ai tregoi po ashtu se kur kishte shkuar në zyrën e ministres Balluku me ftesë të turkut Hysen (drejtuesi i YDA Group quhet Hüseyin Arslan), gjithçka dukej se ishte folur më parë, ashtu sic Hyseni i kishte thënë se ishte telefonuar nga presidenca turke.

“YDA Group” drejtohet nga Hüseyin Arslan. Ai ka lidhje të ngushta me presidentin turk Erdogan dhe me partinë e tij në pushtet, AKP. Hüseyin Arslan ka një marrëdhënie të hershme me AKP-në përmes motrës së tij, e cila është e martuar me xhaxhain e njërit prej themeluesve të partisë së Erdoganit. Arslan e ka lavdëruar publikisht Erdoganin pas përpjekjes për grusht shteti në Turqi në vitin 2016. Në shenjë mirënjohjeje, Erdogan i dorëzoi Arslanit një pllakë vlerësimi në një ceremoni çmimesh në vitin 2018. “YDA Group” është e njohur në Turqi për fitimin e shumë tenderëve qeveritarë, përfshirë projekte të mëdha infrastrukturore me partneritet publik-privat (PPP), si spitale dhe aeroporte.

Por a janë edhe ndërtimi i spitalit ”Memorial” në Fier dhe i Aerportit të Vlorës rezultat i miqësisë së tij me Erdogan dhe i vëllazërisë mes Erdoganit dhe Ramës?

TUNELI I LLOGARASË – ERDOGAN – ASL İNŞAAT

 Një vit pëpara Aeroportit të Vlorës qeveria shqiptare dha me koncesion Tunelin e Llogarasë, një vepër publike me e shtrenjtë se aeroporti.

Ndërtimin e Tunelit e fitoi në vitin 2020 konsorciumi turk “Intekar Yapi Turizm Elektrik Insaat Sanayi ve Ticaret Ltd. Şti.” dhe “ASL İnşaat Taahhüt ve Sanayi Ticaret Ltd. Şti.”

Në 2018 Autoriteti Rrugor Shqiptar e hapi tenderin me vlerë rreth 102 milionë euro. Në dhjetor të këtij viti fituese u shpall kompania shqiptare “Gjoka Konstruksion”. Oferta e saj ishte afro 140 milionë euro me TVSH. Por në fillim të vitit 2019, Qeveria shqiptare anuloi procedurën, duke e justifikuar me “nevojën për rishikim të projektit teknik dhe kostove”.

“Intekar Yapi & ASL” e fituan tenderin për një vlerë 172 milionë euro. Por pasi e morën, ata ia dhanë sërish kompanisë “Gjoka Konstruksion” për ta ndërtuar për 140 milionë euro duke fituar 32 milionë euro nga një operacion i thjeshtë, pa asnjë kosto shtesë. Ata, sipas ish -zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj, nuk sollën kurrë asnjë pajisje nëShqipëri për ta përdorur për ndërtimin e tunelit dhe gjithçka u krye nga “Gjoka”.

Zyrtarisht, anulimi u arsyetua me nevojën për “studim të ri gjeologjik” dhe “përmirësim të projektit ekzekutiv” por në qarqe politike dhe të bisnesit të ndërtimit u përfol se pas anulimit qëndronte presion politik dhe interesi për t’ia kaluar punimet kompanive turke të afërta me Presidentin Erdogan.

Biznesmeni Abdulkadir Kart me presidentët Erdogan dhe Aliyev

Biznesmeni Abdulkadir Kart me presidentët Erdogan dhe Aliyev

Kompania “ASL İnşaat është në pronësi të Abdulkadir Kart, një ish-deputet i parlamentit turk nga Partia e Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP) e presidentit Recep Tayyip Erdogan. Ai përshkruhet në media si një bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i Erdogan. Ata raportohet se janë miq të afërt dhe se kanë qenë dikur fqinj. Madje Erdogan ka qenë dëshmitar në dasmën e djalit të Kart në vitin 2017.

Kart ka shërbyer si deputet i AKP-së për Rizen, rajoni i origjinës së Erdoganit, ndërsa ASL İnşaat ka fituar një sërë projektesh të mëdha publike në Turqi, përfshirë katër projekte nga Bashkia e Stambollit kur ajo drejtohej nga AKP-ja.

Me shpërthimin e skandalit të Tunelit të Llogarasë në Shqipëri e Turqi po ngrihen gjithnë e më shumë dyshime se dhënia e tenderit turqve ishte një “kërkesë” nga presidenti Erdogan, i cili thuhet se ka lobuar personalisht për këtë kompani.

“AIR ALBANIA” – SINAN IDRIZI – AVIONI “ISMAILI” I EDI RAMËS – ERDOGAN

Dy vjet përpara tenderit të Tunelit të Llogarasë një tjetër kompani turke e lidhur me pushtetin e presidentit Erdogan u shfaq në Shqipëri. Në maj të vitit 2018 në Shqipëri u krijua kompania “Air Albania”, si partneritet mes “Turkish Airlines” me 49% të aksioneve, “MDN Investment” e biznesmenit kontrovers Sinan Idrizi, me lidhje të ngushta me Erdogan që kishte 41% të aksioneve dhe kompanisë shtetërore Albcontrol me 10% të aksioneve.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Rinas, Edi Rama dhe presidenti Erdogan prezantuan avionin Airbus A319 me emrin “Ismaili”, dedikuar Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit shqiptar. Ky avion u regjistrua zyrtarisht në flotën e Air Albania më dhjetor 2018 dhe filloi fluturimet charter në fillim të 2019-s. Më përpara ai i përkiste qeverisë turke.

Erdogan - Rama - Sinan Idrizi

Erdogan – Rama – Sinan Idrizi

“Turkish Airlines” është kompania ajrore kombëtare e Turqisë, por edhe një instrument ekonomik dhe diplomatik i rëndësishëm nën kontrollin e drejtpërdrejtë të shtetit turk dhe presidentit Recep Tayyip Erdogan. Shteti turk zotëron shumicën e aksioneve përmes fondit Türkiye Wealth Fund , i cili raporton drejtpërdrejt te presidenti Erdogan. Që nga viti 2018, me ndryshimin kushtetues që i dha presidentit kompetenca të zgjeruara, Erdogan ka kontroll të drejtpërdrejtë mbi bordin e Fondit Sovran të Turqisë, i cili mban rreth 49% të aksioneve të Turkish Airlines (pjesa tjetër qarkullon në bursë).

Drejtuesit kryesorë të “Turkish Airlines” janë emëruar nga vetë Erdogan ose njerëz të afërt me AKP-në. “Turkish Airlines”është përdorur si instrument i “soft power”-it turk, për të rritur ndikimin diplomatik dhe ekonomik të Ankarasë në rajone strategjike si Ballkan, Afrikë dhe Lindje e Mesme. Kompania ka hapur linja direkte fluturimi në mbi 120 vende, shpesh në destinacione të lidhura me projektet ekonomike dhe politike të Erdoganit. Zyrtarë turq kanë deklaruar se Erdogan personalisht ka ndikuar në hapjen e linjave të reja në vende si Shqipëria, Somalia, Libia, Katari, Nigeria, etj.

İlker Aycı, që drejtoi kompaninë nga viti 2015 deri në 2022, ka qenë këshilltar personal i Erdoganit në periudhën e tij si kryeministër. Në vitin 2022, pas dorëheqjes së Aycı-t, Erdogan emëroi në krye të bordit një tjetër figurë të afërt politikisht, Ahmet Bolat, profesor dhe anëtar i AKP-së.

“Turkish Airlines” është bashkë-aksionere në disa kompani të përbashkëta të kontrolluara politikisht, si Air Albania me qeverinë shqiptare dhe kompaninë e Sinan Idrizit, me Afghanistan Airlines joint venture apo Sudan Turkish Airlines. Në këto raste, Erdogan ka ndërhyrë personalisht për nënshkrimin e marrëveshjeve, duke i prezantuar si “dhurata të miqësisë” ndërqeveritare.

Edi Rama në avionin “Ismaili”

“Ismaili” që është përdorur nga Edi Rama në mbi 150 fluturime ndërkombëtare duket se ishte “dhurata” e Erdogan për vëllain shqiptar, por me një kosto të madhe. Ai është një model “Airbus A319-132”, i cili ka një kapacitet prej 132 vendesh dhe është prodhim i vitit 2026. Vlera aktuale e tij në treg përllogaritet në afro 30 milionë euro.

Po përse do t’i bënte Erdogan vëllait të tij Edi Rama një dhuratë 30 milionë euroshe? Kush do ta paguante realisht këtë faturë? A është “Air Albania” nyja që lidh bizneset turke të përfshira në skandalet e aeroportit të Vlorës dhe Tunelit të Llogarasë?

Opozita në Shqipëri thotë se për afro 140 fluturime të kryera nga Rama me “Ismailin” deri në kohën kur fluturimet dolën në dokumentet e hakeruar nga iranianët, në vitin 2023, fatura ka arritur në 22 milionë euro. Por Rama e përdori edhe për më shumë se 1 vit e gjysmë “Ismailin” dhe duke iu referuar përllogaritjeve të opozitës, shpenzimet mund të arrijnë në mbi 30 milionë euro, një shifër kjo e përafërt me shumat që morën turqit e Erdoganit nga Aeroporti i Vlorës dhe Tuneli i Llogarasë.

LEXO EDHE: 7 mijë euro nga Tirana në Shkup, Rama mbërrin në aeroport me avionin charter 

Se sa është fatura reale e përdorimit të “Ismailit” nuk dihet. As kryeministria dhe as “Air Albania” nuk kanë publikuar deri tani kontratat, kostot apo marrëveshjet që përcaktojnë kushtet e përdorimit të këtij avioni. Kërkesat për transparencë nga Zoom.al, media të tjera si BIRN dhe nga deputetë të opozitës janë refuzuar nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, e cila menaxhon marrëveshjet e transportit ajror të qeverisë. “Air Albania” nuk i tregon bilancet e saj në QKB prej 5 vjetësh, në shkelje të çdo ligji e rregulli.

“Air Albania” u themelua në 2018 në të njëjtën kohë kur “MDM Ivestment” e Sinan Idrizit regjistroi si objekt aktiviteti edhe ndërtimin e menaxhimin e aeroporteve ndërkombëtare. Sinan Idrizi ka qenë një ndër personat që kanë promovuar idenë për ndërtimin e aeroportit të Vlorës që në fazat e para të projektit në fund të vitit 2017 dhe fillim të vitit 2018. Ishte kjo koha kur “Ismaili” iu vu në dispozicion kryeministrit Rama.

Një artikull i organizatës investigative OCCRP përmend Idrizi shihet në disa media si ndër aktorët kyç.

“Sinan Idrizi, një biznesmen shqiptar që ishte pjesë e negociatave fillestare të Ramës për ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës në vitin 2017, tha se konsorciumi i parë turk që fitoi kontratën u tërhoq, sepse ndërtimi i pistës do të kishte qenë tepër i kushtueshëm… Idrizi, i cili pretendon se “e njeh Erdoganin prej 25 vitesh” i tha OCCRP-së se ai e krijoi kompaninë MDN me kërkesë të qeverisë shqiptare, në emër të linjës ajrore turke Atlas Global, e cila falimentoi në vitin 2020” – thuhet në artikullin e OCCRP.

Sinan Idrizi

SINAN IDRIZI – ERDOGAN

 Sinan Idrizi është një nga biznesmenët shqiptarë që ka pasur marrëdhënie të drejtpërdrejtë dhe të privilegjuar me Presidentin turk Erdogan, si përmes projektit “Air Albania” ashtu edhe përmes kontakteve të tjera. Në “Air Albania”, sipas disa burimeve në Turqi, përzgjedhja e Sinan Idrizit si partner lokal i “Turkish Airlines” nuk ishte rastësore, por rekomandim i bërë nga rrethi i afërt i Erdoganit.

Idrizi është parë disa herë në takime zyrtare dhe jozyrtare ku ka qenë i pranishëm edhe Erdogan, si ceremonia e inaugurimit të Air Albania, evente në Ankara dhe Stamboll lidhur me bashkëpunimin ekonomik Shqipëri–Turqi dhe në vizita joformale në Turqi gjatë viteve 2019–2021, përfshirë ngjarje sportive dhe biznesi. Erdogan dhe Rama e kanë përmendur publikisht Idrizin si “një biznesmen që bashkon dy kombet”.

Sinan Idrizi, Edi Rama, Recep Tayyip Erdogan

Në janar 2022 kur gjatë vizitës së Erdoganit në Shqipëri me rastin e inagurimit të spitalit “Memorial” në Fier, Idrizi ishte ndër të ftuarit kryesorë dhe shfaqej në krah të delegacionit turk. Deri tani nuk ka asnjë provë ligjore që lidh Sinan Idrizin me ndonjë aferë korruptive, por natyra e marrëdhënies së tij me Erdoganin dhe projektet strategjike që ka përfituar, e bëjnë atë një aktor kyç të ndikimit turk në Shqipëri.

SINAN IDRIZI – EDI RAMA

Lidhja e Edi Ramës me Sinan Idrizin është e afërt, edhe pse Rama përpiqet ta mbajë larg vëmendjes mediatike. Në raportime të ndryshme përmendet se Idrizi ka qenë në evente ku ka qenë edhe Rama ose delegacionet qeveritare shqiptare, përfshirë vizita me partnerë turq. Opozita flet për marrëdhënie personale dhe jo vetëm biznesi. Ata ishin së fundi së bashku në një takim me presidentin e Real Madrid, Florentino Perez, në Madrid, por Rama e hoqi Idrizin nga fotot që publikoi në rrjetet e tij sociale.

Sinan Idrizi, Florentino Perez, Edi Rama, Kreshnik Çipi

LEXO EDHE: Përdor avionin e “Air Albania” si charter privat, Rama merr këshilltare vajzën e pronarit Idrizi

Emri i Sinan Idrizit doli në skenë edhe në koncesionin e markimit të karburanteve. Ky koncesion ishte fituar nga kompania “GFI Albania”, por më 16 shkurt të vitit 2022 ajo ndryshoi pronar dhe kaloi nga Ismail Mulleti tek turkja Nerve Korkmaz, e cila ka qenë konsulle nderi e Shqipërisë në Turqi dhe është antare bordi në kompaninë “TRK Group”. Ajo njihet si njeri i afërt i Sinan Idrizit që nga koha kur Idrizi ishte ishte president i Flamurtarit. Në foton e mëposhtme Nerve Korkmaz shfaqet në stadiumin e Flamurtarit.

Nerve Korkmaz, foto në stadiumin e Flamurtarit në Vlorë

Biznesmeni turk Adnan Polat, pronar i skuadrës së Gallatasarajit, ekspozoi në një padi synimet e Idrizit për të blerë kompaninë e markimit të karburanteve kur tha se Idrizi i i kishte marrë një shumë prej 3.5 milionë eurosh përmes mashtrimit. Në aktakuzë, Adnan Polat tregoi se bashkë me Sinan İdrizin shkuan në Shqipëri në 3 nëntor 2016 dhe e diskutuan çështjen me kryeministrin shqiptar Edi Rama, nga i cili morën pëlqimin e Ramës.

Polat duket se është turku i vetëm që nuk përfitoi nga marrëdhëniet e tij me Shqipërinë.

Por historia e Aeroportit të Vlorës, Tunelit të Llogarasë, “Air Albania -s” dhe përdorimit të avionit “Ismaili” nga Edi Rama po shfaqet si një zinxhir interesash që lidh Tiranën, Vlorën dhe Ankaranë. Në qendër të saj, siç rezulton të dhënat e mësipërme, qëndrojnë dy emra, Edi Rama dhe Recep Tayyip Erdogan, me instrument lidhës Sinan Idrizin.

Të tjerë si Pacolli, Hyseni, Ademi, Gjoka, Balluku e me radhë ngjajnë si idiotë të dobishëm në pagesat e majme prej miliona eurosh që kalojnë nga Shqipëria në Turqi.

FAKTE

Në total, 35 milionë eurot që kanë kaluar në Turqi përmes projekteve të Vlorës dhe Llogarasë përputhen thuajse me koston e përdorimit të avionit “Ismaili”, çka ngre dyshime për një skemë pagesash indirekte, ku bizneset e lidhura me Turqinë dhe me rrethin e Erdoganit kompensohen përmes kontratave publike në Shqipëri.

As qeveria, as Air Albania nuk i kanë publikuar dokumentet financiare përkatëse dhe kjo fshehje e kontratave e kthen çështjen në një pistë të vlefshme për hetim nga SPAK, për të parë nëse pas këtyre kontratave qëndron një rrjet politik e ekonomik që lidh Tiranën me Ankaranë. Gjurmët e këtyre lidhjeve do të duhet të ndiqen edhe në Turqi, ku këto skandaleqë kanë përfshirë politikën në Shqipëri mund të marri përmasa shumë herë më të mëdha. /Zoom.al

Turqia lëshon udhër arresti për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu

Turqia ka lëshuar urdhër-arreste kundër kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe zyrtarëve të lartë të qeverisë së tij.

Mes 37 personave të dyshuar të listuar ishin ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, ministri i sigurisë kombëtare, Itamar Ben-Gvir, dhe shefi i ushtrisë, gjenerallejtënant Eyal Zamir, sipas një deklarate të zyrës së prokurorit të Stambollit, e cila nuk publikoi listën e plotë.

Turqia i ka akuzuar këta zyrtarë për “gjenocid dhe krime kundër njerëzimit”, të cilat Izraeli i ka “kryer sistematikisht” në Gaza.

Deklarata i referohet gjithashtu “spitalit të miqësisë Turqi-Palestinë”, të ndërtuar nga Turqia në Rripin e Gazës dhe të bombarduar nga Izraeli në mars.

Izraeli e ka denoncuar urdhër-arrestin si një “spektakël propagandistik”.

Gideon Saar, ministri i jashtëm, shkroi në X: “Izraeli e refuzon me vendosmëri dhe përçmim këtë manovër të radhës propagandistike të tiranit [presidentit Recep Tayyip] Erdoğan.”

Vitin e kaluar, Turqia iu bashkua çështjes së ngritur nga Afrika e Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, ku akuzohej Izraeli për gjenocid.

Në territorin palestinez të shkatërruar është në fuqi një armëpushim i brishtë që prej 10 tetorit, si pjesë e planit të paqes rajonale të Donald Trumpit.

Zgjedhjet në 5 bashki/ Celibashi: Pas orës 18:00 askush nuk do të votojë! Interesi i pakët i të rinjve? Trend europian

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, ka dhënë një deklaratë mbi ecurinë e pjesëmarrjes në zgjedhjet që po zhvillohen në pesë bashki të vendit, duke theksuar se pas orës 18:00, votimi do të lejohet vetëm për qytetarët që ndodhen brenda ambienteve të qendrës së votimit dhe janë evidentuar nga komisioni.

“Askush tjetër pas kësaj ore nuk do të lejohet të votojë,” u shpreh ai.

Sipas Celibashit, grupmosha mbi 65 vjeç vijon të përbëjë përqindjen më të lartë të pjesëmarrësve në votim, ndërsa të rinjtë 18–24 vjeç shfaqin interes minimal për procesin. Ai theksoi se ky trend nuk është vetëm shqiptar, por një prirje e përgjithshme europiane.

“Pjesëmarrja e ulët e të rinjve nuk është fenomen i ri. Në shumë vende të Europës, kjo grupmoshë ka interes të kufizuar për t’u përfshirë në proceset politike. Mesa duket, as Shqipëria nuk bën përjashtim. Si partitë politike ashtu edhe organizatat e shoqërisë civile duhet të punojnë më shumë për të nxitur angazhimin e tyre,” deklaroi Celibashi.