zoom

Day ArchiveKolaps në aeroportet e Amerikës/ Mbi 2 mijë fluturime të anuluara ose me vonesa

Më shumë se 2,000 fluturime në SHBA u anuluan ose u vonuan të premten pasi linjave ajrore iu tha të ulnin trafikun gjatë mbylljes së qeverisë.

Fluturimet vendase në 40 nga aeroportet më të ngarkuara të vendit u prekën nga anulimet ose vonesat, ndërsa zyrtarët po përpiqen të lehtësojnë presionin mbi kontrollorët e trafikut ajror.
Aeroportet janë përballur me mungesën e kontrollorëve të trafikut ajror, të cilët janë pa pagesë gjatë mbylljes së qeverisë federale.

Administrata Federale e Aviacionit (FAA) thotë se reduktimet do të fillojnë në 4% të fluturimeve të brendshme përpara se të rriten në 10% të plotë deri në fund të javës së ardhshme. Kjo do të thotë se mund të preken 4,000 fluturime në ditë.
Disa nga linjat ajrore më të mëdha amerikane po i sigurojnë klientët se do të marrin rimbursime të plota për fluturimet e anuluara.
Linjat ajrore për Amerikën i kërkuan Kongresit të vepronte ‘me urgjencë ekstreme’ për të rihapur qeverinë.
Sekretari i Transportit Sean Duffy thotë se reduktimet e fluturimeve mund të arrijnë në 20% nëse mbyllja e qeverisë federale vazhdon dhe kontrollorët e trafikut ajror vazhdojnë të mungojnë në punë. Zoom.al/

Turqia lëshon urdhër-arrest për Netanyahun

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Stambollit ka lëshuar urdhër-arreste për 37 të dyshuar, përfshirë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, me akuza për kryerjen e gjenocidit.

Urdhër-arrestet u lëshuan si pjesë e një hetimi mbi krimet e pretenduara të luftës dhe mizoritë e kryera gjatë sulmeve të Izraelit në Gaza.

Të dyshuarit thuhet se përfshijnë figura të larta politike dhe ushtarake izraelite, të akuzuar për drejtimin ose lehtësimin e sulmeve, që rezultuan në vdekjen e mbi 68,000 palestinezëve, kryesisht grave dhe fëmijëve.

Pas dorëzimit të një padie penale në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, Kryetari i Bashkësisë së Avokatëve të Stambollit, Yasin Samli, mbajti një konferencë për shtyp jashtë Gjykatës së Stambollit, duke dënuar Izraelin për kryerjen e gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në Gaza, pavarësisht nënshkrimit të një marrëveshjeje për armëpushim. Samli tha se veprimet e Izraelit nuk kufizohen vetëm në Gaza, duke theksuar se “struktura terroriste e Izraelit” është bërë kërcënim për gjithë njerëzimin. Ai shtoi se gjatë dy viteve të fundit, Izraeli kishte kryer sulme në Liban, Siri, Tunizi, Iran, Katar, Jemen, Irak, Maltë dhe Egjipt.

Duke kujtuar vrasjen e Hind Rajab, 5-vjeçare, e cila u qëllua 335 herë brenda një automjeti, Samli tha akti tregon se shteti izraelit po bën gjenocid hapur.

“Ky akt i tregon botës se Izraeli po kryen një gjenocid të hapur. Izraeli vret fëmijë nga frika. Izraeli është një kërcënim për gjithë njerëzimin”.

Ai shtoi se Zyra e Avokatisë kishte depozituar më parë padi pranë Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) dhe Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, pas së cilës ICC lëshoi urdhër-arreste për dy zyrtarë izraelitë të akuzuar për gjenocid.

“Sot, ne kemi depozituar një padi të re mbi vrasjen e Hind Rajab, bombardimin e Spitalit Turko-Palestinez të Miqësisë dhe krimet e kryera ndaj aktivistëve të Flotës Globale Sumud”, tha Samli.

Duke theksuar se Izraeli vazhdon krimet e tij pavarësisht vendimeve të OKB-së, ICC-së dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Samli nënvizoi se sipas ligjit turk, gjenocidi, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës hyjnë në juridiksionin e gjykatave turke dhe nuk kanë afat parashkrimi.

Samli përfundoi duke thënë se kryesit e gjenocidit një ditë do të mbahen përgjegjës para ligjit, duke shtuar se Shoqata Ndërkombëtare e Avokatëve dhe Bashkësia e Avokatëve e Stambollit do të vazhdojnë të jenë zëri i ndërgjegjes së njerëzimit dhe mbrojtësit e drejtësisë. /Daily Sabah/

“B*thlëpirësat në aksion”/ Komentuesit kryqëzojnë VIP-at e Lali Erit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj reagoi ditën e sotme, për herë të parë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në postimin e Veliajt në Intagram nuk munguan komentet mbështetëse nga VIP-at e Tiranës, përfshirë Noizy, Aulona Musta, Klea Huta apo Ermal Mamaqi.

Mirëpo një veprim i tillë duket se nuk është pritur mirë nga komentuesit të cilat iu janë kthyer këtyre personazheve duke i quajtur servilë dhe përfitues. Zoom.al/

Ndërron jetë shkencëtari i ADN-së, James Watson

James Watson, i cili vetëm në moshën 25 vjeç u bë një nga shkencëtarët që zbuluan strukturën e ADN-së, ka vdekur në moshën 97 vjeç.

Watson vdiq të enjten (6/11) në një qendër kujdesi në East Northport, New York, në Long Island, tha djali i tij Duncan, i cili tha se u transferua atje ditë më parë nga një spital ku po trajtohej për një infeksion.

Së bashku me Francis Crick , dhe falë punës së Rosalind Thomas , kontributi i së cilës u njoh shumë vite më vonë, Watson tregoi se ADN-ja ka formën e një spirale të dyfishtë. Në këtë mënyrë, ata deshifruan “librin e jetës”, atë që është e pranishme në çdo organizëm të gjallë.

Së bashku me Crick, ata morën Çmimin Nobel në Mjekësi në vitin 1962. Thomas vdiq para kohe në vitin 1958, vetëm 37 vjeç, dhe për këtë arsye nuk mund të ishte vlerësuar.

Përveç punës së tij mbi ADN-në, ai njihet për punën e tij në Laboratorin Cold Spring Harbor , raporton New York Times, të cilin e mori si drejtor në vitin 1968 dhe e transformoi në një nga qendrat më të rëndësishme të mikrobiologjisë në botë kur dha dorëheqjen në vitin 1993.

Por ka edhe pika të diskutueshme në punën e një burri që dikur u përshkrua si “Kaligula i biologjisë”.

Në kujtimet e tij, të botuara në vitin 1968, kolegët argumentuan se ai i mbitheksoi kontributet e veta dhe minimizoi punën e tyre.

Në vitin 2007, ai shkaktoi trazira kur i tha gazetës Sunday Times të Londrës se të zinjtë në përgjithësi nuk janë aq inteligjentë sa të bardhët. Ai e përsëriti të njëjtën deklaratë në intervistat para kamerave për një dokumentar të PBS rreth tij.

Ai i mohoi menjëherë deklaratat, por imazhi i tij u dëmtua dhe më vonë tha se kolegët e tij e kishin braktisur.

Për shumë vite, protestat e shoqëruan atë në paraqitjet publike, siç ndodhi në Patra në vitin 2011. Zoom.al/

Detaje nga ngjarja në Greqi/ Trupi i djegur dyshohet se është i një shqiptari

Një krim i rëndë u zbulua pasditen e kësaj të premteje në Greqi, kur një shqiptar u gjet i prangosur dhe i djegur në sediljen e pasme të një makine.

Mediat greke theksojnë se makina kishte qenë e vjedhur nga një zonë e Atikës në Athinë dhe kishte targa të falsifikuara.

Hetimet janë marrë nën përgjegjësinë e Departamentit të Hetimit të Krimit të Organizuar, njohur ndryshe si “FBI greke”.

Mediat greke raportojnë se shqiptari, i paidentifikuar ende, kishte tre ditë i vdekur në makinë dhe askush nuk e kishte vënë re. Mësohet se trupi i pa jetë i viktimës u pikas nga një gjuetar që ndodhej në zonë.

Një hetim i thelluar është në zhvillim, dhe autoritetet po përpiqen të zbardhin arsyet e vrasjes dhe lidhjen e mundshme me grupe kriminale të organizuara. Zoom.al/

Ra nga pema teksa mblidhte ullinj, humb jetën 43-vjeçari në Berat

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të premte në fshatin Duhanas, Berat.

43-vjeçari Ermal Rripi ka humbur jetën pasi ra nga një pemë ulliri gjatë punës.

Sipas informacioneve të para, Rripi ishte duke vjelë ullinj kur ka humbur ekuilibrin dhe ka rënë, duke u dëmtuar rëndë. Ai është transportuar me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Beratit, por fatkeqësisht nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve, duke ndërruar jetë gjatë rrugës.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë, të cilat pas kryerjes së veprimeve hetimore paraprake kanë konfirmuar se ngjarja ka qenë aksidentale.

Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë të rastit. Zoom.al/

E rëndë në Greqi/ Gjendet trupi i një burri i djegur dhe i prangosur brenda në makinë

Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur pasditen e kësaj të premteje, kur një burrë u gjet i prangosur dhe i djegur në sediljen e pasme të një makine.

Sipas informacioneve paraprake, makina ishte e vjedhur dhe kishte targa të falsifikuara, ndërsa trupi i viktimës kishte qëndruar aty për dy ditë pa u vënë re. Trupi u zbulua nga një gjuetar që ndodhej në zonë.

Hetimet janë marrë nën përgjegjësinë e Departamentit të Hetimit të Krimit të Organizuar, i njohur si “FBI greke”. Autoritetet po punojnë për të zbardhur shkaqet e vrasjes dhe lidhjet e mundshme me grupe kriminale të organizuara.

Hetimi vazhdon, ndërsa policia po përpiqet të identifikojë autorët dhe motivet e krimit. Zoom.al/

Zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, IdentiTek: Zyrat do jenë të hapura edhe në fundjavë

Zyrat e IdentiTek në 5 bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit do të jenë të hapura ditën e shtunë dhe të dielë.

Ditën e shtunë, zyrat e IdentiTek në Vlorë, Berat, Tepelenë, Burrel dhe Cërrik do të jenë të hapura nga ora 09:00 deri në 15:00.

Ndërsa ditën e dielë, në këto 5 bashki, zyrat do të jenë të hapura nga ora 08:00 deri në 12:00.

Zyrat do të jenë të hapura për shpërndarjen e ID-ve në bashkitë që do të zhvillojnë zgjedhje lokale, me qëllim që çdo qytetar të ushtroj të drejtën e tij për të votuar për kreun e ri të bashkisë. Zoom.al/

Orban mbërrin në Shtëpinë e Bardhë/ Zhvillon takim me Trump

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë ku po zhvillon një takim dypalësh me presidentin amerikan, Donald Trump.

Orban shoqërohet nga një delegacion i madh që përfshin gjashtë ministra, ndërsa sipas raportimeve, ai do të kërkojë një përjashtim nga sanksionet e SHBA-së kundër naftës ruse.

Kujtojmë se Shtetet e Bashkuara goditën me sanksione dy prodhuesit më të mëdhenj të naftës në Rusi muajin e kaluar, masat e para të tilla që synojnë Moskën që kur Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë, në një përpjekje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Hungaria, aleati më i ngushtë në Bashkimin Evropian si i Trumpit ashtu edhe i Kremlinit, varet shumë nga nafta dhe gazi rus, pavarësisht përpjekjeve të BE-së për t’u shkëputur nga kjo. Zoom.al/

Gazetarja jep detaje: Balluku ka transferuar 6 mln euro në Zvicër

Gazetarja Anduena Llabani ka dhënë detaje të reja mbi hetimet që SPAK po zhvillon ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila tashmë është marrë e pandehur.

Në një intervistë për News24, Llabani tha se hetimet ndaj Ballukut janë shumë më të gjera sesa është bërë e ditur publikisht dhe përfshijnë 7 deri në 8 procedime penale, që lidhen me shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.

Një nga rastet më serioze ka të bëjë me transferimin e mbi 6 milionë eurove në një bankë zvicerane në emër të Ballukut, një çështje që tani po ndiqet edhe nga autoritetet ndërkombëtare.

“Sot që flasim, ndaj Ballukut SPAK ka 7-8 procedime penale dhe kemi të bëjmë me disa dosje për gjëra të ndryshme që lidhen jo vetëm me shpërdorimin e detyrës, por edhe pastrim parash dhe korrupsion. Në komunikimet dhe dokumentet e publikuara për menaxhimin e kontratave publike pamë vetëm fillimin. Ato tregojnë si janë dhënë kontratat dhe si janë prishur balancat buxhetore, duke rritur kostot për shtetin.

SPAK ka dërguar letër-porosi ndërkombëtare dhe po pret përgjigje nga Zvicra dhe Meksika, ku dyshohet se janë realizuar transferta të tjera me shuma të konsiderueshme.

Sipas të dhënave që kam, një nga personat kyç në këtë aferë është Klodian Çani, zyrtar në Drejtorinë e Doganave, i cili ka pasur komunikime direkte me kryeministrin Edi Rama. Ai është konsideruar si ‘kutia e Pandorës’, sepse vepron si një bankë e vogël që ka garantuar transfertat e parave të bëra në emër të shtetit”, tha Llabani.

Ajo theksoi gjithashtu se rasti i Ballukut nuk është një aferë e izoluar, por një pjesë e një rrjeti më të gjerë institucional që ka përdorur strukturat shtetërore për përfitime financiare. Llabani shtoi se dokumentet e publikuara deri tani janë vetëm “maja e ajsbergut” dhe hetimet pritet të zbulojnë detaje të tjera të rëndësishme./ Zoom.al