zoom

Day ArchiveReal Madrid do të padisë UEFA-n

Real Madrid dhe promovuesit e Super Ligës Europiane po planifikojnë që të kërkojnë më shumë se 4 miliardë euro dëmshpërblim nga UEFA, të cilën e akuzojnë se ka bllokuar projektin për kompeticionin europian të futbollit.

Sipas AFP, pritet procedim juridik ndaj institucionit europian të futbollit.

Një gjykatë në Madrid vendosi se UEFA “abuzoi me pozitën e tij dominuese” duke u përpjekur të bllokojë krijimin e një Super Lige Evropiane në vitin 2021, duke i hapur rrugën A22 Sports Management dhe Los Blancos që të nisin procedurat ligjore.

Promovuesit e eventit sportiv, A22 Management, reaguan të gëzuar për “vendimin e tretë radhazi” në favor të tyre, duke e konsideruar “monopolin” e UEFA-s si “të paligjshëm” në sytë e drejtësisë evropiane.

Sipas tyre, institucioni i futbollit evropian shkaktoi “dëme të konsiderueshme për klube të shumta, lojtarë dhe aktorë të tjerë në ekosistemin e futbollit evropian”.

Pala paditëse ka shprehur keqardhjen që UEFA kishte “refuzuar të gjitha rrugët e kompromisit” dhe “reformat”, pavarësisht muajsh bisedimesh, dhe deklaroi se “nuk kishte opsion tjetër” veçse të “nisë procedurat për t’u kompensuar për dëmet e pësuara”.

Por zbatimi i vendimit të gjykatës spanjolle është i pasigurt, pasi ai sanksionon rregulloret e UEFA-s që ishin në fuqi në 2021, kur u hap ky proces. 

Por UEFA ndryshoi rregulloren në vitin pasardhës, duke e komplikuar vendimin final nga ana juridike. Zoom.al/

Kapen “mat”! Zbulohet i dashuri i Ronela Hajatit

Këngëtarja e njohur Ronela Hajati duket se është në një fazë të re të jetës së saj personale. Së fundmi, ajo është parë në Toronto të Kanadasë në një ndeshje basketbolli, në shoqërinë e një mashkulli misterioz, që sipas burimeve, është i dashuri i saj.

Ronela ndodhet prej më shumë se një muaji në Kanada, ku po kalon kohë pranë partnerit të saj të ri. Pamjet që po qarkullojnë në rrjete sociale tregojnë këngëtaren duke shijuar atmosferën e ndeshjes, e qeshur dhe e relaksuar në krahët e të dashurit. Video është filmuar nga një shqiptare e cila jeton në Kanada dhe e ka pikasur Ronelën të ulur duke ndjekur ndeshjen.

Edhe pse Ronela nuk ka bërë ende asnjë deklaratë publike për lidhjen, duket se artistja po e mban jetën e saj private larg vëmendjes së mediave, por videot nga Toronto e kanë tradhtuar!

Fansat kanë vërshuar me komente në videon që po qarkullon në rrjetin social “TikTok”. Edhe vetë Ronela ka ndarë në story foto nga ndeshja e basketbollit, si dhe foto të artistit me famë botërore, Drake i cili ishte po ashtu i pranishëm duke ndjekur ndeshjen live.

Ende nuk dihet asgjë rreth identitetit të partnerit të saj, por nuk i dihet asnjëherë, mbase tani që portreti iu zbulua, Ronela mund të ndajë foto me te në rrjetet sociale.

Prapaskenat e hetimit ndaj Ballukut/ “Rama ka pasur dijeni, i kanë dërguar fjalë”

Teksa zv.kryeministrja Belinda Balluku pritet të paraqitet ditën e nesërme në SPAK, detaje të reja mësohen nga hetimi në fjalë.

Gazetari Klodian Tomorri, i ftuar në Syri tv deklaroi se Balluku përfaqëson aktualisht “hallin më të madh” të Edi Ramës, teksa tha se kryeministri ishte më herët në dijeni të hetimit.

“Edi Rama ka një problem shumë të madh, me atë se çfarë do të ndodhë me zëvendësen e tij. Nëse shikoni historinë e të gjithë figurave të larta të PS që kanë rënë në rrjetën e SPAK, janë hetuar apo dënuar, përgjithësisht ishin njerëz që Rama u kishte bërë një largim paraprakisht. Erion Veliajn kishte nisur ta distanconte prej 1 viti. Me Arben Ahmetajn kishte konflikt të hapur dhe i ndërseu vetë prokurorët. Në raport me Ballukun ka një siklet që nuk e ka pasur me këta të tjerë,”- u shpreh Tomorri.

Sipas gazetarit, ndryshe nga të tjerët, Balluku ka një pozitë shumë të fortë politike dhe institucionale.

E para, sepse Balluku është zv/kryeministre në detyrë. E dyta është zyrtarja më e fuqishme e shtetit shqiptar, pas Edi Ramës, me një pushtet të deleguar nga Edi Rama. Dhe duke qenë një peshë kaq e rëndë dhe një natyrë ndryshe nga Veliaj apo zyrtarë të tjerë të PS-së, të cilët kanë pranuar të ulin kokën, të bëjnë burgun për hir të partisë, për një arsye apo një tjetër, qoftë nga frika apo se u është bërë presion tek familjarët, Balluku nuk e ka këtë problem,”- sqaroi gazetari.

Tomorri shtoi se dilema më e madhe e Ramës është mënyra se si do të menaxhojë politikisht një zhvillim të mundshëm të hetimit ndaj Ballukut.

“Ajo që unë mendoj është se i gjithë problemi i Ramës tani është se, nëse SPAK do të kryejë veprime ndaj Belinda Ballukut, si të bëjë atë që cilësohet si një ‘dalje e butë’ e Ballukut sepse, atij nuk i intereson një konflikt apo një situatë ku Belinda Balluku të mendojë se u lëshua apo nuk u mbrojt nga Edi Rama. Ky është problemi më i madh që unë shoh për Edi Ramën në ambientin e brendshëm.”

Gazetari zbuloi gjithashtu se, sipas informacioneve të tij, Rama ka qenë në dijeni për hetimet që prej disa muajsh:

“Informacionet që kam, më thonë se Rama ka qenë i informuar prej 6-7 muaj për përgjimet që po hetohen. Telefoni i ish-drejtorit të rrugëve, Ervis Berberi, ka qenë një thesar shumë i madh për të kuptuar se si kanë qeverisur këta. Regjisorët e Hollivudit nuk mund ta përshkruanin më bukur me dokumentar, se sa ishte aty.

Informacionet janë se, i kanë dërguar dhe fjalë që të mos e rikonfirmonte Ballukun në qeverinë e pas 11 majit, por Edi Rama bëri krejt të kundërtën, duke i dhënë më shumë pushtet, Tiranën, po e po, por edhe Ministrinë e Drejtësisë që është një institucion kyç në raport me institucionet e drejtësisë, duke i thënë se, unë po të jap të gjitha, ti dili zot vetes tani,”- përmbylli Klodian Tomorri.

Belinda Balluku dhe hetimi nga SPAK-u

Belinda Balluku, aktualisht zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë është vënë nën hetim nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për dyshime lidhur me shkelje të barazisë në tendera.

Hetimi lidhet me disa procedura të zhvilluara në Ministrinë e Infrastrukturës, përfshirë projekte madhore si tuneli i Llogarasë dhe tendera të tjerë publikë të dyshuar për rritje të kostove dhe parregullsi në përzgjedhjen e fituesve.

Vetë Balluku nuk ka dhënë ende një reagim publik mbi hetimin.

Ky zhvillim vjen në një moment kur emri i Ballukut është përmendur edhe më herët në denoncime të ndryshme për menaxhimin e fondeve publike, çka e ka vënë nën vëmendjen e opinionit publik dhe mediave./ Zoom.al

“Rama të ka përdorur telefonin”/Përplasje Berisha-Manja në Kuvend: Altin Hajrit i the dua 500 mijë euro

Ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-ministri i Drejtësisë Ulsi Manja janë përplasur në Parlament, mes batutave, por edhe akuzave ndaj njëri-tjetrit.

Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama e ka kërcënuar prokurorin e SPAK-ut që po heton Belinda Ballukun përmes telefonit të Manjas.

“I ke dhënë telefonin Ramës që të flasë me prokurorin,”- iu drejtua ai drejtpërdrejt Manjas.

Pjesën nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:

Erdhe? Nga telefoni yt e mori prokurorin Edi Rama? Na thuaj pak?

Edhe je i inkriminuar se të ka përdorur telefonin për të kërcënuar gjykatësin, absolutisht po.

Të ka përdorur telefonin duke të konsideruar ty si kokë turku.

Të mbron Dumani sot, por nuk ka njeri që të mbron nesër.

Ato kostumet ku i ke?

Ku i ke ato kostumet?

Jo, nuk është ky. I ke fshehur ato. I ke hequr ato.

Ulu aty.

Ku i ke ato të Altin Hajrit?

Ku i ke kostumet e Altin Hajrit?

Ajo është? Mirë, mbaje!

Ato janë? Bravo, mirë, shumë mirë.

Ato i paske të Altinit.

Ty të ka dhënë dy, jo një.

Po, po.

Urdhëro?

Unë po të them ku i ke kostumet e Altin Hajrit?

Të Altin Hajrit ku i ke?

Se e nxore, është i lirë Altin Hajri sot.

Me atë Dumanin tënd e ke nxjerrë të lirë Altin Hajrin.

Po, po, ku e ke çantën Louis Vuitton?

Ku i ke 500 mijë eurot?

Ja pra, këto janë.

Tani, gjersa ai flet…

Pra, Ulsi të garantoj se në kërkim do përfundosh si Altin Hajri.

Dhe nuk ke shpëtim sepse edhe në Vjenë thuhet se shkove ti, pastaj the ka shkuar Etilda.

Manja u përgjigj duke hequr xhaketën e kostumit të tij dhe duke treguar markën në sallë. “Vetëm copa e kostumit tënd ka kushtuar 2 mijë euro,”- i tha ai Berishës.

Në foto: Manja duke hequr xhaketën

Kreu i PD-së iu përgjigj duke thënë se përveç kostumeve dhe parave, Manja i ka kërkuar – sipas tij – Hajrit edhe një çantë Louis Vuitton.

“Përveç 500 mijë eurove, i the edhe një çantë Louis Vuitton. Për kë e do çantën? T’u përgjigj ai. Kaq po them nuk flas më,”- i tha Berisha.

Berisha tha gjithashtu se Manja ka paguar kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, që të mos i dalë një regjistrim, por e paralajmëroi se “nuk ka shpresë” për të.

“Ku iku ky i Louis Vuitton? Iku ky se edhe ai ka paguar. O Ulsi edhe po ta ka shitur Dumani ty, atë e kam unë në dosje, regjistrimin tënd. Nuk ka shpresë që të dalësh,”- tha Berisha, por pa bërë me dije se për çfarë regjistrimi bëhet fjalë.

Po ashtu, Berisha iu drejtua mazhorancës dhe me fjalët “Ku e ke Belindën sot, ku është Lubia? Ajo është Rama “- duke iu referuar mungesës së zv.kryeministres në Kuvend./ Zoom.al

Klodiana Lala: Balluku shkon të premten në SPAK

Gazetarja Klodiana Lala raporton se të premten në orën 15:00 zv.kryeministrja Belinda Balluku duhet të paraqitet në SPAK, sipas fletëthirrjes që ka marrë.

Sipas Lalës, në rast se Balluku refuzon të paraqitet, SPAK mund të kërkojë autorizim nga Kuvendi për të shoqëruar ministren me polici.

Mësohet se deri më tani, zyra e ministres së Infrastrukturës nuk ka bërë asnjë deklaratë publike dhe pritet që ajo të paraqitet nesër në SPAK.

“Zyra e ministrisë s’ka bërë asgjë publike, kështu që gjasat janë që Balluku të jetë nesër në SPAK,”- tha Lala në News 24.

Hetimi i Ballukut lidhet me shkelje të barazisë në tendera, konkretisht ato që kanë të bëjnë me projektin e Llogarasë, ku më parë janë arrestuar disa vartës të saj, përfshirë ish-kreu i ARRSH-së, Evis Berberi, i cili po hetohet dhe gjykohet për disa akuza, si dhe zyrtarë të tjerë të lidhur me tenderat.

Sipas informacioneve, Balluku është zbuluar si e përfshirë në këto çështje përmes telefonave të sekuestruar nga Berberi gjatë arrestimit në pranverën e 2024 si dhe përmes të dhënave nga dëshmitarë dhe celularë të tjerë të vartësve dhe bashkëpunëtorëve të saj./ Zoom.al

Skandali me analizat te “Intermedica” në Institut, nga femër e kthejnë mashkull

Një qytetare ka denoncuar laboratorin “Intermedica”, me degë në zonën e Institutit në Tiranë, pasi sipas saj nuk kryen analizat ashtu siç duhet por vetëm plotëson letra boshe duke rrezikuar kështu shëndetin e qytetarëve.

Ajo ka treguar se me datë 27 tetor kushërira e saj ka kryer një analizë urokulture, por rezultati i analizës ka dalë po atë ditë, ndonëse kjo lloj analize kërkon të paktën 48 deri në 72 orë për t’u përpunuar.

Gjithashtu, analiza e ka nxjerrë pacienten nga femër në mashkull.

Sipas saj, ky laborator nuk i kryen në të vërtetë analizat, por thjesht plotësojnë fletët dhe i dorëzojnë si rezultate zyrtare, duke marrë njerëzit në qafë.

Ajo kërkon që autoritetet të verifikojnë mënyrën e punës së laboratorëve privatë dhe të vendosin kontrolle më të rrepta mbi cilësinë e shërbimeve shëndetësore.

Denoncimi i qytetares për JOQ:

Kusherira ime ka bere analizat tek Intermedica ne Institut dhe nuk i nxjerin rezultatet e sakta thjesht i kalojne si leter analizat se nuk i bejne fare, marrin njerzit ne qafe . Edhe nga femer i bejne gjinine mashkull.

E ka bere me date 27 dhe po me date 27 i ka dal pergjigjja kur nje urokulture e sakte do 48-72 ore te dali , jo per pese min .Gjinia Eshte e shkruar mashkull dhe as nuk i bejne fare analizat thjesht shkrujn letra kot.

Avokatja e Popullit flet për arrestimin e Metës në Kuvend: Iu cënua dinjiteti

Gjatë raportimit në Kuvend, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca u pyet në lidhje me rastin e arrestimit të ish-presidentit Ilir Meta.

Në lidhje me këtë rast, Ballanca tha se janë gjetur disa shkelje nga ana e policisë gjatë momentit të arrestimit, pasi sipas saj ish-presidentit i është cënuar dinjiteti njerëzor.

“Nuk kemi gjetur shkelje të institucionit të drejtësisë. Kemi mandat të kufizuar për sa i përket institucionit të drejtësisë. Sa i përket Policisë së Shtetit, kemi gjetur disa shkelje. Jo të gjitha pretendimet e paraqitura në media kanë qenë të bazuara. Ajo që kemi identifikuar është që mënyra e ndalimit është bërë në kundërshtim me ligjin përkatës, sepse nuk është ruajtur dinjiteti njerëzor i z. Meta dhe ngado të shikohet, është një nga ato çështje që duhet trajtuar, sepse dinjiteti i çdo qytetari do të ishte i cënuar nëse ndalimi do të bëhej në atë mënyrë. Një rast tjetër është se kishin ndërhyrë Forcat Speciale, kur në bazë të ligjit kjo bëhet vetëm në rast kur individi përbën rrezik për shoqërinë. Kishte problematikë edhe me njësinë dalluese dhe me uniformën që duhet përdorur nga Forcat Speciale”, tha Ballanca.

Më tej, Avokatja e Popullit shtoi se kryetari i Partisë së Lirisë, pavarësisht kësaj, vetë kishte firmosur dy dokumente ku ka deklaruar se nuk është dhunuar në asnjë moment nga efektivët e policisë: “Ai nuk ka pretenduar dhunë nga Policia e Shtetit. Ka dy dokumente, një në prezencë të avokatit dhe një në momentin e parë të hyrjes në bllokun e sigurisë, ku ai ka pranuar që nuk është dhunuar.”

Erinda Ballanca po e ushtron detyrën e Avokatit të Popullit përtej afateve kushtetuese, pasi i ka mbaruar mandati që prej Marsit të vitit 2022. Zoom.al/

Moti për nesër, meteorologët tregojnë ku do të ketë reshje shiu

Ditën e premte vendi ynë do të jetë në ndikimin e kushteve atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet me kthjellime e alternime vranësirash mesatare e hera-herës të dendura kryesisht në relievet malore në jug nga orët e mesditës.


Prezencë e reshjeve të shiut me intensitet të ulët kryesisht të karakterit lokal në relievet malore në jug të territorit në orët e mesditës e pasdite.

Era do të fryjë e lehtë me drejtim juglindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 7m/s.

Shpejtësia: Me shpejtësi mesatare 7m/s. Deti – Valëzimi forcës 1-2 ballë./ Zoom.al

Aksident me vdekje në Korçë-Bilisht, humb jetën një person

Një aksident me një viktimë është regjistruar mbrëmjen e sotme në aksin rrugor Korçë–Bilisht, pranë fshatit Dishnicë.

Një automjet është përplasur me një motoçikletë në afërsi të një karburanti.

Si pasojë e goditjes, drejtuesi i motoçikletës është plagosur rëndë dhe ka ndërruar jetë gjatë transportimit drejt spitalit rajonal të Korçës.

Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit./ Zoom.al

Më shumë se një orë brenda. Basha del nga SPAK-u: Duhet të ruaj sekretin hetimor

Pasi u mor në pyetje për më shumë se një orë, Lulzim Basha doli nga SPAK-u duke dhënë një koment të shkurtër për mediat.

Ai nuk pranoi të ndante detaje mbi atë çfarë deklaroi përpara prokurorit të posaçëm Alfred Shehu, duke thënë se u thirr si person që ka dijeni për një çështje, pa treguar se për cilën bëhet fjalë, me argumentin se i duhet të respektojë sekretin hetimor.

Burime për Zoom.al konfirmojnë se ai është thirrur për dosjen e “21 Janarit”, për t’u marrë në pyetje si person që ka dijeni lidhur me ngjarjen, ku asokohe mbante detyrën e ministrit të Brendshëm.

“Jam thirrur si person që ka dijeni për një çështje në hetim. Për më shumë, ju lutem drejtohuni institucionit përkatës,”- tha Basha para gazetarëve.

I pyetur nëse më 21 janar ka pasur urdhër për të qëlluar mbi protestuesit, ai u përgjigj shkurt: “Kjo ishte gjithçka që kisha për të thënë për këtë çështje”.

Dialogu i plotë:

Basha: Jam thirrur si person që ka dijeni për një çështje në hetim.

Gazetarët: Për 21 janarin?

Basha: Informacionin se për cilën çështje ju lus ta merrni te institucioni se duhet të respektoj sekretin hetimor.

Gazetarët: A ka pasur urdhër më 21 janar për të qëlluar?

Basha: Kjo ishte gjithçka që kisha për të deklaruar për këtë çështje, për të tjerat me siguri ju ka marrë malli për konferencë për shtyp por duhet të prisni dhe pak. Mirupafshim!

Gazetarët: Shfaqesh pas shumë kohësh po tani në dyert e drejtësisë.

Basha: Konferencë për shtyp herë tjetër.

Vendimi i Gjykatës së Strasburgut që e quajti vrasjen e 4 protestuesve krim shtetëror u hapi rrugë hetimeve nga SPAK, duke regjistruar procedimin penal me datë 15 korrik 2024, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, për 3 vepra penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Shpërdorim i detyrës” dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Në SPAK procedimi penal është regjistruar për vrasjen e Aleks Nikës dhe plagosjen e tre protestuesve të tjerë, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa./ Zoom.al