zoom

Day ArchiveËshtë ndarë me Elgitin? Ky është reagimi i Klea Hutës

Prej disa ditësh, rrjetet sociale kanë qenë të mbushura me lajme për një ndarje të mundshme midis Klea Hutës dhe Elgit Dodës, një prej çifteve më të dashur të showbizit shqiptar.

Spekulimet nisën pasi ndjekësit vunë re se çifti kishte hequr shumicën e fotove të përbashkëta nga profilët e tyre në Instagram, gjë që menjëherë ndezi diskutimet dhe ngriti pikëpyetje mbi statusin e marrëdhënies së tyre.

Pas këtij veprimi, shumë fansa menduan se mes dyshes ka pasur një krisje serioze.

Komentet, videot dhe postimet që lidhnin Kleën dhe Elgitin u shtuan me shpejtësi në rrjetet sociale, duke e kthyer këtë temë në një nga më të përfolurat e javës. Disa ndjekës madje spekuluan se çifti mund të ketë zgjedhur të ruajë privatësinë pas një ndarjeje të mundshme, ndërsa të tjerë e quajtën veprimin një “strategji mediatike”.

Por duket se Klea ka zgjedhur të reagojë në mënyrën më të qetë dhe më elegante të mundshme. Në një seri fotosh artistike të publikuara në Instagram, ajo shfaqet e qetë dhe e buzëqeshur, me një detaj që nuk mund t’i shpëtonte askujt: unaza e martesës në gishtin e saj.

Ky detaj i vogël, por domethënës, u interpretua nga shumëkush si përgjigjja e saj e heshtur ndaj gjithë thashethemeve, duke lënë të kuptohet se martesa me Elgitin vazhdon të jetë solide. Zoom.al/

Incident ajror në Estoni/ Forcat e NATO-s rrëzojnë dronin e dyshimtë

Forcat e NATO-s kanë rrëzuar një dron misterioz pranë një baze të përdorur nga trupat amerikane në Estoni, më pak se 30 milje larg kufirit me Rusinë.

Më 17 tetor dy dronë u pikasën pranë Kampit Reedo, ku ndodhet Regjimenti i 7-të i Kalorësisë, Skuadroni i 5-të i ushtrisë amerikane. Njëri prej tyre u godit dhe u rrëzua me një pushkë kundër dronëve, ndërsa i dyti arriti të largohej.

“Aleatët pikasën dronë që po fluturonin në afërsi të menjëhershme të bazës ushtarake të Brigadës së 2-të të Këmbësorisë në orën 16:30 të datës 17 tetor, njëri prej të cilëve u rrëzua me pushkë kundër dronëve”, zbuloi zëdhënësja e Forcave të Mbrojtjes të Estonisë, Liis Vaksmann.

Ekipet ushtarake dhe policore kërkuan për rrënojat e dronit, por nuk arritën t’i gjejnë ato. Incidenti ndodh në një kohë kur po shtohen thirrjet për një qëndrim më të ashpër të NATO-s ndaj shkeljeve ruse.

Muajin e kaluar, tre avionë rusë MiG-31 hynë në hapësirën ajrore të Estonisë mbi Gjirin e Finlandës dhe qëndruan aty për rreth 12 minuta.

Estonia, e konsideruar si një nga anëtaret më të cenueshme të NATO-s  strehon trupa amerikane dhe britanike si pjesë e forcës së parandalimit të aleancës. Ministri i Jashtëm, Margus Tsahkna, tha se NATO duhet të jetë e gatshme të ndërpresë dhe të rrëzojë çdo aeroplan që shkel hapësirën ajrore të aleatëve.

“Mesazhi duhet të jetë i qartë: ‘Shkeljet e ardhshme do të marrin përgjigje, përfshirë, nëse është e nevojshme, ndërprerjen dhe rrëzimin e avionëve pushtues’. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e kufijve të Estonisë, kjo ka të bëjë me mbrojtjen e kufijve të NATO-s”, tha ai. Zoom.al/

U akuza për kultivim droge, reagon Belina Pupa

Belina Pupa ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram një moment reflektimi lidhur me akuzat për kultivim lëndësh narkotike në Australi.

Ajo publikoi një foto gjatë stërvitjes, ku shfaqet me buzëqeshje të qetë dhe mesazhin:

Situata ka pasë ngarkesën e vet, por koha është treguesi më i mirë!”

Me këtë, Belina duket se ka dashur të përcjellë një mesazh force dhe durimi, duke treguar se, pavarësisht vështirësive, koha tregon se çfarë ka vërtet rëndësi. Zoom.al/

Njohja e pavarësisë së Kosovës, “shpërthejnë” mediat serbe

Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Siria ka shkaktuar reagime të forta në Beograd.

Mediat serbe e kanë cilësuar vendimin si “skandal”, duke raportuar gjerësisht për takimin që u zhvillua në Riad ndërmjet përfaqësuesve të Sirisë, Arabisë Saudite dhe Kosovës.

Portali serb B92.net shkruan: “Skandal – Siria pranoi të ashtuquajturën Kosovë. Një takim i përfaqësuesve të udhëheqjes së Sirisë, Arabisë Saudite dhe të ashtuquajturës Kosovë u mbajt të mërkurën në Riad.”

Lajmin për njohjen e pavarësisë e ka konfirmuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në rrjete sociale. Ajo bëri me dije se marrëveshja u arrit në Riad me mbështetjen e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud.

Pas Osmanit, reagoi edhe kryeministri Albin Kurti, i cili e cilësoi këtë si një tjetër sukses diplomatik për Kosovën. “Brenda këtij viti kemi siguruar tri njohje të reja – nga Kenia, Sudani dhe tani Siria,” shkroi Kurti, duke falënderuar Presidenten Osmani për përpjekjet diplomatike dhe Arabinë Saudite për mbështetjen e saj. Zoom.al/

Çifti më i komentuar i showbizit shpall fejesën

Dov Cameron dhe Damiano David kanë vendosur të bëjnë hapin tjetër në marrëdhënien e tyre, pasi u fejuan pas dy vitesh lidhje.

TMZ e bëri të ditur lajmin, duke publikuar foto të çiftit gjatë qëndrimit të tyre në Sydney, Australi.

Në fotot, të dy u kapën duke ecur dorë për dore, të veshur me të zeza, ndërsa këngëtarja dhe aktorja 29-vjeçare mbante një kostum.

Dov Cameron dhe këngëtar italian filluan të dilnin në vitin 2023, me lidhjen e tyre të konfirmuar në nëntor të atij viti, kur objektivi i kameras i pa duke shkëmbyer puthje në një plazh në Sydney.

Disa javë më parë, Dove Cameron bëri një postim rrëfyes me rastin e lidhjes së tyre dyvjeçare, duke theksuar se kjo periudhë ishte më e mira e jetës së saj. Siç e kishte ndarë, ndihet e emocionuar çdo ditë për praninë e këngëtarit në jetën e saj, ndërsa kishte shpjeguar se është e pamundur ta përshkruaj me fjalë sa shumë e do atë.

“Dy vitet më të mira të jetës sime. Jam e prekur deri në lot të paktën një herë në javë sepse jeta është bërë kaq e bukur që kur ti hyre në të. Të dua në një mënyrë që nuk do të jem kurrë në gjendje ta shpreh me fjalë, por nuk do të ndalem kurrë së provuari. Gëzuar përvjetorin, dashuria ime “, kishte shkruar ajo. Zoom.al/

Chiellini përshëndet Tudor: Bëri një punë të rëndësishme

Juventus ka qenë në qendër të vëmendjes këto ditë për lëvizjet që ka bërë në pankinë teksa ka shkarkuar trajnerin Igor Tudor, vendin e të cilit do ta marrë Luciano Spalletti.

Një prej drejtuesve të Zonjës së Vjetër dhe një symbol i klubit torinez, Giorgio Chiellini foli përpara ndeshjes mes Juventusit dhe Udineses ku nuk ngurroi të falenderojë trajnerin kroat.

‘Mendoj se duhet të falenderojmë Igor Tudor që bëri një punë të rëndësishme, vitin e kaluar na kualifikoi për në Ligën e Kampioneve. Ky ishte një vendim i ndarë me klubin-tha Giorgio Chiellini-besoj se Spalletti është një trajner i madh, me eksperiencë dhe lojë modern, por prisni se ende nuk  është hedhur firma’.

Duke u kthyer te shkarkimi i Tudor, Chiellini tha se nuk ishte aspak e lehtë për klubin marrja e këtij vendimi.

‘Shkarkimi i Tudor ishte i vuajtur sepse nuk është në ADN-në e Juventusit-tha Chiellini-do të jetë një vit tranzicioni sepse do të kërkojmë të vendosim bazat për Juventusin që të mund të kthehet të fitojë. Duhen edhe 30 ndeshje dhe gjithcka është ende në lojë, mendoj se mund të nisë një rrugëtim i ri. Drejtori i ri Sportiv? Në javët e ardhshme do ta bëjmë njoftimin sepse mungon në organigramë’. Zoom.al/

I vetëm “kundër të gjithëve”, si i humbi Kurti aleatët dhe dështoi për qeverinë

Lëvizja Vetëvendosje është komunitet i njerëzve që refuzojnë të nënshtrohen…”, kështu nis kjo parti politike përshkrimin e historikut të veprimtarisë së vet në Kosovë.

E themeluar në vitin 2005, fillimisht si një lëvizje e pavarur antiestablishment, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me në krye Albin Kurtin, hyri në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2010. Nëntë vjet më vonë, nga zgjedhjet parlamentare doli si partia e parë, dhe siguroi 29 vende në Kuvend.

Lideri i LVV-së, Kurti, bashkëqeverisi me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për 51 ditë. Qeveria e tij ra në marsin e 2020-tës, pas një mocioni mosbesimi nga partnerja qeverisëse.

Një vit më vonë, LVV-ja siguroi 58 vende në Kuvend, pasi fitoi mbi 50 për qind të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kurti qeverisi i vetëm për katër vjet.

Ai ka ndërtuar një narrativ politik të tipit ‘ne kundër të gjithëve’”, thotë Donika Emini, hulumtuese në Grupin Këshilldhënës në Evropë për Politika të Ballkanit (BiEPAG), në një bisedë me Radion Evropa e Lirë (REL).

Por, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të 2025-tës, Kurti, partia e të cilit fitoi 48 vende në Kuvend, mbeti i vetëm në qëllimin për të formuar qeverinë e re. Ai refuzoi mundësinë e bashkëqeverisjes me partinë e dytë, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK). Qëndrim të njëjtë pati edhe PDK-ja.

Ndërkaq, LDK-ja, si partia e tretë për nga fuqia në Kuvend, refuzoi bashkëqeverisjen me Kurtin, përkundër ofertës së tij. Kurtin e refuzoi edhe Nisma Socialdemokrate, e cila ka 3 deputetë në Kuvend.

Të gjitha partitë kanë bërë me dije se tashmë janë në pritje të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare nga presidentja e Kosovës.

Si mbeti Kurti i vetëm?

Gjatë fushatës së zgjedhjeve të këtij fillimviti, Kurti synonte rezultatin e zgjedhjeve të 2021-tës, duke kërkuar 500 mijë vota nga qytetarët.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit për Hulumtimin e Politikave në Ballkan, thotë për REL-in se LVV-ja e konsideroi si të mirëqenë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2021.

Por, sipas tij, sistemi elektoral në Kosovë, dhe sistemi i qeverisjes proporcionale, rrallëherë e mundësojnë rezultatin e tillë.

“Në njëfarë forme, rezultati i zgjedhjeve të vitit 2021 ka qenë një aksident. Vështirë se do të kemi ndonjë subjekt politik që do t’i fitojë 50 për qind të zgjedhjeve”, shprehet Rashiti.

Ai shton se synimi i këtij rezultati e shpërfaqi edhe një herë narrativin polarizues të LVV-së ndaj partive të tjera, të cilin e kishte aplikuar edhe përgjatë katër vjetësh qeverisje.

Rashiti kujton se një narrativ i tillë ishte karakteristik në përplasjet ndërmjet LDK-së dhe PDK-së në dekadën e parë të këtij shekulli.

Ndërsa këto dy parti kanë lëvizur drejt normalizimit të narrativit, LVV-ja e bëri të kundërtën, thotë ai.

“Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur vonë në pushtet dhe ka ardhur me një narrativ të vonuar, i cili i ka shkaktuar telashe. Ky narrativ është zhvilluar brenda, por edhe në raport me politikën e jashtme”, pohon Rashiti.

Në të njëjtën linjë mendimi është edhe Emini. Sipas saj, LVV-ja, tash e katër vjet, ka përjashtuar bashkëpunimin me partitë tjera, “duke synuar të nxisë polarizimin dhe izolimin, në vend që të ndërtojë kompromis”.

Ky polarizim, sipas Eminit, synonte ndarjen në dy blloqe – LVV-ja në njërën anë, dhe partitë tjera në tjetrën.

“Ai [Kurti] kundër të gjithëve, ku vetëm ai ka të drejtë, dhe të tjerët e kanë gabim, si alternativa të dëmshme për Kosovën. Krijimi i dy taborëve e bën më të lehtë rreshtimin, dhe synonte të qeveriste i vetëm dhe me duar të lira”, thotë Emini.

Jo rrallë, Kurti, duke iu referuar dy partive tjera të mëdha, LDK-së dhe PDK-së, ka përdorur gjuhë nënçmuese, duke i emëruar si “lydykyhi e pydykyhi”. Në disa raste, ai e ka quajtur opozitën si “hibride”.

Emini thotë se Kurti, me fjalor të tillë, ofendoi jo vetëm partitë opozitare, por edhe elektoratin e tyre.

“Në natën e zgjedhjeve [9 shkurt], ende pa qartësi për rezultatin final, Kurti i quajti opozitën ‘hajvanë” dhe “hajvanati”, duke nxitur polarizim dhe duke penguar çdo bashkëpunim të mundshëm me Vetëvendosjen”, thekson Emini.

Ajo shton se partitë ish-opozitare u gjetën përballë dy zgjedhjeve: të bashkoheshin me Kurtin për bashkëqeverisje, që do t’u shkaktonte humbje të dinjitetit dhe elektoratit, ose të barrikadoheshin kundër bashkëpunimit, dhe për këtë të fajësoheshin nga Kurti.

Sipas Eminit, Kurti e kupton se kjo strategji nuk është optimale politikisht, por ajo duket e qëllimshme, si përllogaritje për mbajtje afër të elektoratit për zgjedhjet e ardhshme.

Kurti, pas dështimit për t’i marrë votat për një mandat të ri qeverisës, tha se i kishte bërë dy herë ofertë LDK-së për të qeverisur bashkë, në mënyrë që ajo “të shkëputej nga PDK-ja”. Ofertë i kishte bërë, po ashtu, edhe Nismës Socialdemokrate.

“LDK-ja refuzon kategorikisht një qeveri të udhëhequr nga unë. Kurse Nisma, përfundimisht, nuk deshi të jetë në një qeveri që e drejtoj unë”, tha Kurti, duke paralajmëruar dy palë zgjedhje të parakohshme parlamentare, në dimër dhe në pranverë.

Zyrtarë të PDK-së dhe të LDK-së theksuan se Kurti nuk po kërkonte partner koalicioni, por nënshtrimin e tyre.

Efektet e “izolimit ndërkombëtar”

Narrativi polarizues ndaj partive ish-opozitare nuk është shkaku i vetëm pse ato nuk duan bashkëqeverisje me LVV-në.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk do të mundë të gjejë një partner për të qeverisur në të ardhmen, me një narrativ që e mban Kosovën nën masa të Bashkimit Evropian dhe me një narrativ i cili sulmohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo faktorët tjerë ndërkombëtarë”, vlerëson Rashiti.

Raportet e ndërlikuara me SHBA-në nisën qysh në kohën e administratës së parë të presidentit Donald Trump, kur qeveria “Kurti 1” u rrëzua me mocion mosbesimi nga partnerja në bashkëqeverisje, LDK-ja.

Kurti pretendoi se në rrëzimin e qeverisë së tij pati ndikim asokohe i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

“Qeveria ime nuk u përmbys për asgjë tjetër, por thjesht sepse Ambasadori Grenell ishte me nxitim për të nënshkruar një marrëveshje me Serbinë”, pati deklaruar Kurti.

Përgjatë administratës së presidentit Joe Biden, zyrtarët amerikanë kritikuan Kurtin për veprimet e autoriteteve të Kosovës në veri të vendit, i banuar me shumicë serbe.

Vendosja e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale në katër komuna veriore dhe mbyllja e disa institucioneve serbe që Kosova i konsideron ilegale u quajtën veprime “të pakoordinuara” me partnerët perëndimorë, dhe ndër shkaktarët e tensioneve në veri të vendit, të cilat, në disa raste, gjatë vitit 2023, rezultuan me përplasje të grupeve serbe me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) – KFOR, por edhe me Policinë e Kosovës.

Kritika të ngjashme, Kurtit i erdhën edhe nga BE-ja, e cila, që nga qershori i vitit 2023, ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Së voni, në shtatorin e 2025-tës, SHBA-ja pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën, për shkak të, siç u tha, veprimeve të Qeverisë në detyrë, duke përmendur rritje të tensioneve dhe paqëndrueshmërisë.

Partitë ish-opozitare kanë mbështetur sigurimin e sundimit të rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, por kanë kritikuar Kurtin se veprimet në këtë drejtim ishin të pakoordinuara me partnerët e huaj.

Emini konsideron se izolimi i Kurtit, në planin ndërkombëtar, nuk ishte i pritshëm në fillim të qeverisjes së tij, por u thellua me kalimin e kohës.

Sipas saj, situata me masat ndëshkuese të BE-së, si dhe pezullimi i Dialogut me SHBA-në kanë ndikuar në pozitën e Kurtit, jo vetëm ndaj partive politike në Kuvend, por potencialisht edhe ndaj elektoratit.

“Ky ndikim është veçanërisht i dukshëm te votuesit e pavendosur, dhe te ata që nuk janë tradicionalisht të lidhur me ndonjë parti politike, por që vendosin sipas nevojave dhe narrativëve në terren. Si pasojë, masa kritike që e mbështeste Kurtin më parë është dobësuar, duke ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit”, thekson Emini.

Ajo shton se partitë ish-opozitare vazhdojnë të ndjekin partneritet strategjik me SHBA-në, me BE-në ose me partnerë të tjerë bilateralë, dhe se ato “tentojnë të tregohen të kujdesshme në raport me Kurtin në këtë aspekt”.

Megjithatë, Rashiti dhe Emini vlerësojnë se izolimi i Kurtit nga jashtë nuk i atribuohet vetëm veprimeve të tij. Sipas tyre, në këtë situatë përfshihet edhe qasja jo e qëndrueshme e BE-së dhe SHBA-së ndaj Kosovës.

Këto i kanë shërbyer LVV-së në narrativin e vet elektoral, si argumente për mosnënshtrim ndaj kërkesave ndërkombëtare, si dhe i kanë ndihmuar që të sigurojë një mbështetje elektorale.

Por, LVV-ja e Kurtit, pësoi rënie të elektoratit prej 8 për qind brenda katër vjetësh.

A do të ndryshojë LVV-ja?

Pavarësisht rënies së numrit të votuesve të LVV-së ndërmjet dy cikleve zgjedhore, një rezultat i zgjedhjeve të parakohshme eventuale në Kosovë është vështirë i parashikueshëm.

Rezultati i zgjedhjeve eventuale do të përcaktojë edhe fatin e presidentit të ardhshëm të vendit, i cili duhet të vendoset me shumicë parlamentare prej 80 votash në dy runde, ndërkaq në rundin e tretë kërkohet vetëm shumica e thjeshtë prej 61 votash.

Në prill të vitit 2026, Vjosa Osmanit i përfundon mandati si presidente e Kosovës.

Rashiti vlerëson se LVV-ja ka gjasa që sërish të mbetet subjekti i parë politik. Por, zgjedhja e presidentit të vendit kërkon konsensus politik, dhe, rrjedhimisht, edhe koalicione të mundshme.

Në këtë kontekst, ai thotë se LVV-ja, por edhe partitë tjera, gjatë fushatës së ardhshme elektorale duhet të kenë narrativ më të moderuar në raport me konkurrentët, por edhe lidhur me politikat vendëse dhe ndërkombëtare.

Nisur nga praktikat e deritashme, mbetet i pasigurt ndryshimi i narrativit nga Kurti dhe partia e tij.

“Nuk e di a do të ndryshojë në vazhdim. Por, në të kaluarën, kemi pasur subjekte politike që, në fillim, mandatin e kanë marrë me hov, dhe pastaj gradualisht janë pjekur në kuadër të funksionimit të sistemit”, thotë Rashiti.

Ai shton se kompromisi politik mbetet i domosdoshëm për shmangien e situatave, ku një lider dhe një parti mbeten të vetmuar në përpjekjen për formimin e qeverisë.

Emini nuk mendon se LVV-ja e ka nënvlerësuar rëndësinë e kompromisit politik në sistemin parlamentar të Kosovës.

Madje, ajo beson se kjo parti ka një përvojë dhe njohuri të thella për sistemin politik në Kosovë, duke qenë forca më aktive e opozitës për vite me radhë, duke shqyrtuar me kujdes çdo ligj dhe proces politik.

“Ata e kuptojnë se sistemi i Kosovës kërkon kompromis politik për të funksionuar. Megjithatë, Vetëvendosje ka vepruar qëllimisht, në një mënyrë që ushqen narrativin ‘ne kundër të tjerëve’.Strategjia e tyre ka qenë të dobësojnë opozitën sa më shumë të jetë e mundur dhe, paralelisht, të diskreditojnë zërat kritikë në shoqërinë civile dhe në media, edhe kur kritikat janë konstruktive”, thekson Emini.

Ajo nuk e sheh këtë si gabim strategjik të LVV-së, por si strategji të qëllimshme, përmes së cilës synon margjinalizimin e elitës së vjetër politike, ose të përfshijë brenda vetes iniciativat më të vogla opozitare që janë të gatshme për bashkëpunim.

Kjo strategji, sipas saj, i siguron LVV-së opozitë simbolike. Qasja e tillë e partisë së Kurtit, shton ajo, është e llogaritur mirë dhe e qëllimshme, për të konsoliduar pushtetin dhe për të kufizuar kompromisin politik real.

Presidentja Osmani ka paralajmëruar se do t’i takojë liderët e forcave politike, për të parë mundësinë eventuale për formimin e një qeverie të re kosovare.

Gjasat reale janë jashtë horizontit, dhe partitë politike tashmë po përgatiten të shkojnë drejt zgjedhjeve të parakohshme të reja. Rel/

Ndryshimi epokal i Bill Gates për ndryshimet klimatike/ Çfarë fshihet pas?

Themeluesi i Microsoft ka ndryshuar qëndrimin e tij ndaj ndryshimeve klimatike: deklarata e tij ka shkaktuar polemika, me disa që e akuzojnë atë se po përpiqet t’i pëlqejë Trumpit në mënyrë që të mos jetë në shënjestër, dhe të tjerë që e shohin atë si një strategji të zgjuar për të anashkaluar armiqësinë ndaj politikave të gjelbra.

“Ndryshimet klimatike janë një çështje serioze, por nuk do të çojnë në zhdukjen e njerëzimit. Prandaj është koha të vendosim mirëqenien njerëzore në qendër të strategjive tona”.

Kështu shkruan Bill Gates në një deklaratë, e cila përfaqëson një ndryshim epokal dhe ka nisur të shkaktojë debat, mes atyre që e akuzojnë se po përpiqet t’i bëjë qejfin Trump-it për të mos u sulmuar, dhe atyre që e shohin si një strategji të zgjuar për të anashkaluar armiqësinë ndaj politikave të gjelbra, duke rikthyer nga dritarja atë që ishte përjashtuar nga dera.

Nuk mundemi, shkruan Gates, të shkurtojmë fondet për shëndetësinë dhe zhvillimin, programe që ndihmojnë njerëzit të qëndrojnë të qëndrueshëm përballë ndryshimeve klimatike.

“Ekziston një vizion apokaliptik që thotë: brenda pak dekadash, ndryshimet klimatike katastrofike do të shkatërrojnë qytetërimin. Provat janë kudo rreth nesh: mjafton të shikojmë valët e të nxehtit dhe stuhitë e shkaktuara nga rritja e temperaturave. Asgjë nuk ka më shumë rëndësi sesa kufizimi i rritjes së temperaturës. Fatmirësisht për të gjithë ne, ky vizion është i gabuar. Edhe pse ndryshimet klimatike do të kenë pasoja të rënda, veçanërisht për njerëzit në vendet më të varfra, nuk do të sjellin fundin e njerëzimit. Popujt do të jenë në gjendje të jetojnë dhe të përparojnë në shumicën e vendeve të Tokës për të ardhmen e afërt”, thotë Gates.

Projeksionet për emetimet janë ulur, por “perspektivat apokaliptike po bëjnë që një pjesë e madhe e komunitetit klimatik të përqendrohet tepër në objektivat afatshkurtra, duke larguar burimet nga gjërat më efektive që duhet të bëjmë për të përmirësuar jetën në një botë që po ngrohet”.

Sipas Gates, “nuk është tepër vonë për të adaptuar një vizion të ndryshëm dhe për të përshtatur strategjitë tona. Samiti global për klimën që do të mbahet muajin e ardhshëm në Brazil është një pikënisje e shkëlqyer. Qëllimi ynë kryesor duhet të jetë parandalimi i vuajtjes, veçanërisht për ata që jetojnë në kushte më të vështira. Edhe pse ndryshimet klimatike do të dëmtojnë më të varfrit, për shumicën dërrmuese të tyre nuk do të jenë kërcënimi i vetëm, e as më i madhi. Problemet më të rënda janë varfëria dhe sëmundjet. Kjo do të na lejojë të përqendrojmë burimet tona të kufizuara në ndërhyrje që kanë ndikimin më të madh për njerëzit më vulnerabël”.

Gates nuk ka iluzione: E di që disa do e quajnë hipokrit. Por kjo nuk e pengon të pohojë se duhet të ndalojmë së përdoruri temperaturat si mjet për të matur rrezikun dhe dëmin dhe të fokusohemi te cilësia e jetës, duke vënë theksin më shumë te përshtatja sesa te reduktimi i emetimeve, që gjithsesi mund të arrihet falë teknologjive të së ardhmes. Tradhti apo ndryshim i zgjuar strategjie? Zoom.al/

Siria njeh Kosovën si shtet të pavarur, reagon Vjosa Osmani

Siria ka vendosur të njohë pavarësinë e Kosovës, duke u bërë vendi i 120-të që e njeh zyrtarisht si shtet.

Lajmin e bëri të ditur presidentja Vjosa Osmani, e cila falënderoi presidentin sirian Al Sharaa për këtë vendim.

Osmani njoftoi se marrëveshja për njohjen e Kosovës u arrit me mbështetjen e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, gjatë një takimi në Riad. Ajo theksoi se njohja e ndërsjellë nuk simbolizon vetëm sovranitetin, por edhe sakrificat e të dy popujve për liri.

“Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë,”- shkroi Osmani.

Njohja nga Siria është e treta këtë vit për Kosovën, pasi më herët dy shtete afrikane, Sudani dhe Kenia e njohën atë./ Zoom.al

Zhduket 15-vjeçarja në Korçë, asnjë gjurmë prej 8 ditësh

Një vajzë 15-vjeçare nga Korça është shpallur në kërkim nga policia.

E mitura është larguar nga banesa më 21 tetor dhe nuk është kthyer më.

Denoncimi është bërë nga motra e saj, 19-vjeçarja S.R., e cila ka raportuar në Komisariatin e Policisë Korçë se 15-vjeçarja F.R. ka humbur çdo kontakt me familjen prej një jave./ Zoom.al