Aplikacion
Klubi i volejbollit Dinamo ka reaguar pas vendimit të Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV) për të pezulluar lojtarën Nayara Ferreira, nëse ajo nuk i nënshtrohet analizave për “verifikimin e gjinisë”.
Në një deklaratë zyrtare, Klubi Dinamo shpreh mirënjohjen për mbështetjen e gjerë publike nga media, sportistë, organizata dhe nga opinioni publik, duke e cilësuar vendimin e FSHV-së si absurde dhe cënuese për dinjitetin e lojtares me karrierë 15-vjeçare ndërkombëtare.
-Janë të pabazuara ligjërisht dhe tejkalojnë kompetencat statutore të Bordit të FSHV-së;
Janë marrë në shkelje të procedurave, pa garanci për konfidencialitet dhe privatësi;
Cenojnë dinjitetin dhe integritetin e sportistes dhe të klubit;
Legjitimojnë një praktikë të papranueshme për verifikim gjinor mbi bazë thashethemesh;
Nxisin gjuhën e përjashtimit dhe urrejtjes në sport.
Dinamo kërkon reflektim nga FSHV dhe rikujton se çdo veprim i tillë duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe të drejtat e sportistëve. Klubi gjithashtu distancohet nga çdo sjellje jo-etike dhe vlerëson çdo zë publik që mbështet mbrojtjen e të drejtave dhe dinjitetit të sportistëve në Shqipëri.
Në përfundim, Dinamo shpreh besimin se FSHV do të veprojë me transparencë dhe përgjegjësi në trajtimin e këtij rasti, duke respektuar standardet ndërkombëtare të sportit dhe të drejtat e sportistes. Zoom.al/
Sundimi i ligjit, Shqipëria mbetet ndër vendet e fundit në BallkanNë renditjen e përgjithshme të Indeksit të Sundimit të Ligjit 2025 (World Justice Project), Shqipëria renditet në vendin e 87 nga 143 vende, duke u ngjitur me dy pozicione krahasuar me vitin e kaluar, kur mbante vendin e 89.
Megjithatë, vendi mbetet ndër të fundit në Ballkan, duke lënë pas vetëm Serbinë (vendi 96). Në rajon, Mali i Zi performon më mirë, duke u renditur në vendin e 55, pasuar nga Kosova (vendi 59) dhe Maqedonia e Veriut (vendi 64).
Indeksi ndërtohet në bazë të tetë faktorëve kryesorë, që matin funksionimin e institucioneve, respektimin e të drejtave dhe forcën e shtetit ligjor në praktikë.
Kufizimet ndaj Pushtetit të Qeverisë – vendi 105 (nga 106 në vitin 2024): Ky faktor mat në çfarë mase pushteti ekzekutiv — pra qeveria dhe liderët politikë — janë të kufizuar nga ligji, institucionet e pavarura dhe mekanizmat e kontrollit demokratik. Në këtë tregues, Shqipëria renditet e 105-ta nga 143 vende.
Mungesa e Korrupsionit – vendi 105 (nga 107): Ky tregues mat në çfarë mase pushteti publik ushtrohet pa abuzime për përfitime private. Shqipëria renditet në vendin e 105, duke shënuar një përmirësim të lehtë krahasuar me një vit më parë.
Qeverisje e Hapur – vendi 78 (nga 79): Ky tregues mat se sa transparente, të përgjegjshme dhe të përfshira janë institucionet publike në raport me qytetarët. Shqipëria renditet në vendin e 78, duke ruajtur një pozicion të ngjashëm me vitin e kaluar.
Të Drejtat Themelore – vendi 68 (nga 68): Ky faktor mat në çfarë mase të drejtat dhe liritë bazë të individit respektohen dhe mbrohen nga shteti. Shqipëria ka ruajtur të njëjtën renditje, në vendin e 68.
Rendi dhe Siguria – vendi 55 (nga 54): Ky tregues mat në çfarë mase shoqëria është e sigurt, e mbrojtur dhe funksionon pa dhunë apo krim. Shqipëria ka zbritur me një vend, duke u renditur e 55-ta.
Zbatimi i Rregulloreve – vendi 111 (nga 114): Ky tregues mat sa mirë zbatohen ligjet dhe rregulloret në praktikë, nëse autoritetet i ndjekin, kontrollojnë dhe zbatojnë rregullat në mënyrë të drejtë, të qëndrueshme dhe pa ndikime politike apo korruptive. Shqipëria është ngjitur me tre pozicione, në vendin e 111.
Drejtësia Civile – vendi 99 (nga 101): Ky tregues mat në çfarë mase njerëzit kanë qasje të drejtë, të barabartë dhe efektive për të zgjidhur mosmarrëveshjet civile përmes sistemit gjyqësor. Shqipëria është përmirësuar me dy vende, duke u renditur e 99-ta.
Drejtësia Penale – vendi 82 (nga 92): Ky është një ndër dimensionet më të rëndësishme të indeksit, që mat në çfarë mase sistemi penal është i drejtë, efektiv, i paanshëm dhe i pavarur, duke siguruar që krimet të hetohen dhe ndëshkohen sipas ligjit, pa abuzime dhe pa shkelje të të drejtave të njeriut. Shqipëria është ngjitur me 10 vende, në vendin e 82.
Rritja e autoritarizmit thellon recesionin global të sundimit të ligjit
Recesioni global i sundimit të ligjit është përshpejtuar gjatë vitit 2025. 68% e vendeve kanë pësuar rënie në nivelin e sundimit të ligjit në vitin 2025, krahasuar me 57% një vit më parë.
“Përkeqësimi i qëndrueshëm i sundimit të ligjit ishte ngadalësuar vitet e fundit. Këtë vit, megjithatë, po shohim një përmbysje të fortë: më shumë vende po përkeqësohen dhe më pak po përmirësohen,” tha Alejandro Ponce, Drejtor Ekzekutiv i WJP.
Hendeku midis përmirësimeve dhe rënieve të sundimit të ligjit po zgjerohet. Gjatë vitit të fundit, vendet që janë përmirësuar kanë pasur një rritje mesatare të pikëzimit prej 0.52%; ndërsa ato që janë përkeqësuar, një rënie mesatare dy herë më të madhe: 1.07%. Ky ndryshim thekson se ndërtimi i institucioneve të qëndrueshme të sundimit të ligjit është një proces i gjatë dhe i përsëritur, ndërsa shembja e tyre mund të ndodhë shpejt.
Zgjerimi i prirjeve autoritare – kryesisht përmes reduktimit të hapësirës civile dhe dobësimit të mekanizmave të kontrollit dhe balancimit – ka qenë shtysa kryesore pas këtij përkeqësimi, me rënie të thella në faktorët që matin Kufizimet ndaj Pushtetit të Qeverisë, Qeverisjen e Hapur dhe të Drejtat Themelore.
Indeksi tregon se sistemet gjyqësore po humbasin terren përballë ndërhyrjeve të pushtetit ekzekutiv, me një rritje të ndikimit politik në sistemet e drejtësisë. Treguesit që matin nëse gjyqësori kufizon pushtetin ekzekutiv dhe nëse drejtësia civile dhe penale janë të lira nga ndikimi i papërshtatshëm qeveritar ranë përkatësisht në 61%, 67% dhe 62% të vendeve.
Në një kuptim më të gjerë, drejtësia civile është dobësuar në 68% të vendeve. Kjo rënie pasqyron vonesa më të gjata, alternativa më pak efektive ndaj gjykatave (si ndërmjetësimi), dhe ndërhyrje më të mëdha të qeverisë.
Në krye të renditjes globale qëndrojnë Danimarka, Norvegjia, Finlanda dhe Suedia, të cilat ruajnë pozitat tradicionale si vendet me nivelin më të lartë të sundimit të ligjit në botë./Monitor
Vrau turistin për lekët e fotos/ Arrestohet autori në Berat, ishte fshehur në shpellëËshtë gjetur dhe arrestuar autori i vrasjes me thikë në kalanë e Beratit, Kristo Mema.
Autori u gjet i fshehur te “Shpella e Memecit” pranë kishës, përballë Urës së Goricës disa orë pas ngjarjes.
Ngjarja ndodhi gjatë orëve të pasdites, ku 63-vjeçari qëlloi për vdekje me thikë 42-vjeçarin nga Tirana, Keli Hoxha, i cili kishte shkuar për të vizituar Beratin së bashku me familjen e tij.
Dyshohet se dy burrat u konfliktuan pasi Hoxha nuk kishte paguar para për fotot që fëmjët e tij bënë me kalin e autorit. Zoom.al/
OpenAI publikon të dhëna tronditëse për bisedat me ChatGPTRreth 1.2 milionë përdorues në javë zhvillojnë biseda me ChatGPT-në, ku tregojnë mendimet e tyre më të errëta, madje edhe se mund të jenë duke planifikuar vetëvrasjen.
Sipas të dhënave të publikuara nga OpenAI rreth 0.15% e përdoruesve dërgojnë mesazhe që përmbajnë “shenja të qarta të planifikimit apo qëllimit për vetëvrasje”. Në fillim të këtij muaji, drejtori ekzekutiv i OpenAI-së, Sam Altman, deklaroi se ChatGPT ka mbi 800 milionë përdorues aktivë çdo javë.
OpenAI thotë se përpiqet t’i drejtojë personat në gjendje të brishtë emocionale drejt linjave të ndihmës për kriza, por pranon se “në disa raste të rralla, modeli mund të mos sillet siç pritet në situata të tilla të ndjeshme”.
Në një vlerësim të mbi 1 mijë bisedave të vështira që lidhen me vetëdëmtim dhe vetëvrasje, versioni më i ri i modelit, GPT-5, u tregua në përputhje me “sjelljet e dëshiruara” në 91% të rasteve.
Megjithatë, kjo do të thotë se dhjetëra mijëra persona mund të jenë të ekspozuar ndaj përmbajtjes që potencialisht mund të përkeqësojë problemet e tyre të shëndetit mendor. Kompania ka paralajmëruar më herët se masat mbrojtëse të ndërtuara për të mbrojtur përdoruesit mund të dobësohen gjatë bisedave të gjata, dhe se po punon për të përmirësuar këtë aspekt.
“ChatGPT mund të tregojë një linjë ndihme kur dikush përmend për herë të parë mendime vetëvrasëse, por pas shumë mesazhesh të shkëmbyera gjatë një periudhe të gjatë, mund të japë përgjigje që bien ndesh me udhëzimet tona të sigurisë”, shpjegoi OpenAI. Zoom.al/
Partia Demokratike ka reaguar sot përmes një deklarate lidhur me ngjarjet tragjike të ndodhura gjatë ditës së sotme në 3 qytete të vendit, ku si pasojë e krimit humbën jetën 3 persona.
Ndër të tjera thuhet se PD dënon me forcë çdo akt dhune dhe bën thirrje që drejtësia të veprojë me baraspeshë dhe ftohtësi për të shmangur çdo vetëgjyqësi.
“Tri vrasje me thikë, në Durrës, Tiranë dhe Berat, dhe një i plagosur me tritol në qytetin e Shkodrës, flasin për gjendjen e terrorit ku është zhytur vendi dhe humbjen e kontrollit nga një qeveri që qeveris me Diellën dhe “Kryeministrin diell”.
Partia Demokratike duke dënuar me forcë çdo akt dhune ngushëllon familjet e viktimave dhe bën thirrje që drejtësia të veprojë me baraspeshë dhe ftohtësi për të shmangur çdo vetëgjyqësi.
Në të njëjtën kohë ne ngrejmë alarmin për rolin e spektatorit në raport me rendin e sigurinë ku e ka lëshuar veten Policia e narkoshtetit, duke treguar jo vetëm paaftësi, por edhe pandjeshmëri ndaj qytetarëve dhe rendit publik.
Dhuna nuk është zgjidhja, dhe aq më pak është zgjidhja një Polici dhe qeveri që nuk ka prioritet jetën dhe sigurinë e shqiptarëve, por ndarjen e drogës, territoreve dhe ndikimit elektoral me bandat.
Në shtetin e Ramaduros, ka vetëm terror, frikë dhe vrasje,”- thuhet në deklaratën e PD-së.
Tre persona mbetën të vdekur brenda pak orëve në vend si pasojë e goditjeve me thikë. Në një fshat të Durrësit, babai u godit për vdekje nga djali i dyshuar me probleme të shëndetit mendor. Në Tiranë, në ambjentet e një lokali një tjetër person u qëllua për vdekje nga kolegu në kuzhinë. Ndërsa në Berat, një turist mbeti i vrarë në kala në sy të familjarëve të tij nha një person që ofronte xhiro me kalë dhe fotografi kundrejt pagesës. / Zoom.al
Një gol vendos sfidën, Egnatia i shkakton humbjen e parë TeutësEgnatia i ka shkaktuar Teutës humbjen e parë sezonale në kampionat. Rrogozhinasit triumfuan minimalisht në shtëpi, në ndeshjen e vlefshme për javën e 9-të të Kategorisë Superiore.
Siç edhe pritej, ndeshje nisi me spektakël, me raste në të dyja portat. Buriç dha sinjalin e parë për Egnatian, ndërsa Teuta reagoi me Arifin, gjuajtja e të cilit shkoi mbi portë. Pas gjysmë ore lojë, Ruçi dhe Buriç iu afruan avantazhit për Egnatian, por tentativat e tyre, nuk kishin saktësinë e duhur.
Festa për vendasit shpërtheu në minutën e 43-të. Kotobelli humbi një top në afërsi të zonës dhe Albanese nuk fali, duke e ndalur topin në fundin e rrjetës, pas asistit të marrë nga Selmani.
Pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat, ndërsa e dyta ishte më e qetë. Durrsakët e kishin të vështirë për të reaguar, ndërsa Egnatia iu afrua edhe të dytit. Pavarësisht tentativave, rezultati mbeti i pandryshuar, me Egnatian që rikthehet te fitorja, ndërsa Teuta pëson humbjen e parë sezonale.
Me këtë sukses, kampionët në fuqi ngjiten në vendin e dytë me 18 pikë të grumbulluara, ndërsa skuadra bregdetare mban vendin e tretë me 14 pikë.
“Jam 100% grua”/ Pezullimi që tronditi volejbollin shqiptar, çfarë duhet të dini rreth çështjes “Nayara”Volejbolli shqiptar është përfshirë në një debat të fortë ditët e fundit pas një rasti të pazakontë që lidhet me dyshimet mbi gjininë e një sportisteje. Në qendër të vëmendjes është volejbollistja braziliane e Dinamos, Nayara Ferreira, e cila është pezulluar përkohësisht nga Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV), pas ankesave të disa ekipeve rivale që dyshuan se ajo mund të ishte burrë.
Ky vendim i federatës ka ngjallur reagime të shumta, përfshirë edhe klubin Dinamo, i cili e ka cilësuar këtë veprim si cenim të dinjitetit njerëzor, duke theksuar se Ferreira, 32 vjeç, ka një karrierë 15-vjeçare në volejboll dhe ka luajtur në disa vende të Bashkimit Evropian.

Sportistja braziliane, që jeton e vetme në Tiranë në një banesë të ofruar nga klubi, po përgatit një padi ndaj atyre që ngritën dyshimet dhe përhapën lajmin. Ajo ka reaguar publikisht, duke e cilësuar situatën si një padrejtësi dhe përbaltje të rëndë.
“Ka qenë e tmerrshme dhe e vështirë, por njerëzit do të pendohen që kanë bërë këtë padrejtësi, sepse unë jam thjesht një vajzë që është e lirë dhe që ka të drejtën të ekzistojë, për t’u veshur dhe për të vepruar ashtu si ndjehem mirë dhe e vërtetë. Unë nuk jam një grua e rreme, jam një grua e fortë, me shumë luftë pas vetes. Gjithmonë kam luftuar për të arritur qëllimet e mia dhe nuk do ta pranoj që këta njerëz të më rrëzojnë dhe të më përbaltin pa asnjë arsye. Unë jam unë, Nayara, dhe jam e lirë të jem ajo që dua të jem, ashtu si të gjitha gratë në këtë botë,”- është shprehur volejbollistja në një mesazh për programin “Shqipëria Live”.
Në një tjetër deklaratë për mediat shqiptare, ajo ka sqaruar se është “100% grua”, ndërsa e ka cilësuar gjithë këtë situatë si diskriminuese dhe të papranueshme.
“Jam 100% grua dhe kjo është diçka që nuk kam pse ta shpjegoj. Nuk është e nevojshme t’ju them se jam femër, që kam lindur femër. Ju vetëm keni vënë re si vishem, sa të gjatë i kam flokët, fizikun tim, nëse kam muskuj apo tatuazhe. Vetëm kaq. Ajo që keni bërë është diskriminim. Dhe mendoj se kush diskriminon dikë, e ka të vështirë të flejë i qetë. Kjo është çnjerëzore dhe e papranueshme. Nuk e di si mund të flejë presidenti juaj i federatës në një situatë të tillë. Si mund të flejë ai me këtë në ndërgjegje? Kjo është pyetja ime,”- është shprehur ajo.
Ngjarja ka kaluar përtej kufijve shqiptarë, duke tërhequr vëmendjen e mediave braziliane, të cilat e kanë cilësuar pezullimin si një rast “të mbushur me paragjykime dhe transfobi”.
Rasti i Nayara Ferreira-s konsiderohet si i parë i tillë në historinë e volejbollit shqiptar, ku një sportiste pezullohet përkohësisht për “verifikim gjinor”./Zoom.al
Pamje të pabesueshme/ Uragani Melissa rrezikon Karaibet (Video)Uragani Melissa ka arritur kategorinë 5, më e larta në klasifikimin e uraganeve teksa ka mbërritur në brigjet e Xhamajkës.
Ishulli i Karaibeve është përgatitur për erëra me shpejtësi shkatërrimtare deri në 300 km/h, shira të dendur, përmbytje dhe rrëshqitje dherash. Disa qytete janë evakuuar tashmë.
Melissa konsiderohet si një prej uraganeve më të rrezikshëm të regjistruar ndonjëherë në Atlantik. Erërat e forta prej 300 kilometrash në orë konsiderohen ekstremisht të rrezikshme dhe kërcënuese për jetën e qindra-mijëra banorëve.
Ditën e djeshme, një avion i forcave ajrore amerikane ka arritur të depërtojë në atë që konsiderohet si syri i uraganit dhe pamjet janë sa të frikshme aq edhe mahnitëse./ Zoom.al
Personi që shihni në fotografinë e mëposhtme është viktima Indrit Ismaillari, 34-vjeçari që u vra këtë të martë nga kolegu i tij, Filip Shehu në ambientet e punës në Tiranë.

Ngjarja ndodhi në zonën e njohur si “Komuna e Parisit”, ku Ismaillari u godit tri herë me thikë në restorantin ku punonte.
34-vjeçari u dërgua me urgjencë në spital, por nuk arriti dot t’u mbijetonte plagëve të marra dhe për pasojë ndërroi jetë.
Autori Filip Shehu u arrestua nga policia, pas krimit të rëndë.

Ai ka deklaruar para policisë se e goditi viktimën, pasi bullizohej shpesh prej tij. Zoom.al/
Portieri i Interit përplas për vdekje me makinë të moshuarin që lëvizte me karrige elektrike me rrotaNjë i moshuar që lëvizte me karrocë elektrike me rrota ka ndërruar jetë pasi u përplas nga një makinë e drejtuar nga portieri i Interit, Josep Martinez.
Aksidenti ndodhi në provincën e Komos, ndërsa policia deklaroi se viktima me karrocën me rrota i preu rrugën automjetit. Autoritetet po vazhdojnë të hetojnë rrethanat e aksidentit.
“Makina e drejtuar nga portieri i Interit, Josep Martinez, përplasi një burrë që ishte në një karrocë elektrike me rrota përgjatë një rruge në provincën e Komos,” tha policia italiane për Reuters.
“Martinez ndaloi makinën e tij për ta ndihmuar, pod ai vdiq para mbërritjes së ambulancës.”
Interi anuloi një konferencë për shtyp që ishte planifikuar për të martën për të parashikuar ndeshjen e së mërkurës në Serie A në shtëpi kundër Fiorentina-s.
Klubi ka refuzuar të komentojë mbi incidentin. Martinez ka qenë portieri i dytë i Interit që kur u bashkua nga klubi i Serie A, Genoa, në vitin 2024.