zoom

Day ArchivePrefektura: Shkodra nën ujë “më keq se në 2010”. Bashkia e përgënjeshtron: Situata është e qetë

Mjaftuan disa orë shi që Shkodra të përmbytet sërish. Uji përmbyti shtëpi të banuara e sipërfaqe të mëdha toke. 

Situata u paraqit kritike gjatë gjithë ditës dhe në mbrëmje. Prefektura theksoi se “prurjet e ujit kanë prekur zona që nuk janë përfshirë as gjatë përmbytjeve të vitit 2010”. 

Në njoftimin zyrtar u përmendën përmbytjet në njësinë administrative Gur i Zi (fshatrat Gur i Zi, Juban, Verracak) dhe në njësinë administrative Bërdicë (Bërdicë e Sipërme, Mali Hebaj, Beltojë, Bërdicë e Madhe, Bërdicë e Mesme, Trush).

U tha gjithashtu se janë përmbytur shtëpi dhe 70% e tokës bujqësore në disa fshatra të zonës së nën-Shkodrës. 

“Është konstatuar prezencë uji në rreth 25–30 banesa në njësinë Bërdicë dhe 10–15 banesa në Gur i Zi. “Rokat bujqësore janë përmbytur në njësinë Gur i Zi dhe në zonën e Nënshkodrës (Bërdicë, Dajç, Velipojë, Ana e Malit) në masën rreth 70%. Theksohet se prurjet e ujit kanë prekur zona që nuk janë përfshirë as gjatë përmbytjeve të vitit 2010” – njoftoi prefektura në një komunikim zyrtar të bërë në orën 19:30. 

Por 2 orë më pas, Bashkia e Shkodrës bëri një tjetër njoftim, sipas të cilës situata është e qetë dhe uji po tërhiqej. 

“Situata në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet e qetë, me rënie të nivelit të ujit në të gjitha zonat. Në qytetin e Shkodrës nuk është raportuar asnjë problematikë dhe qarkullimi vijon normalisht” – thuhet në njoftimin e bashkisë. 

I ndryshëm është njoftimi edhe përsa i përket zonës së nën-Shkodrës, pasi bashkia nuk përmend në asnjë rresh përmbytje shtëpish dhe as që jep numër, siç ndodh në njoftimin e prefekturës. 

Megjithatë, gazetarët në terren raportojnë se uji vazhdon të jetë present në dhjetëra shtëpi, ndonëse nuk ka banorë të evakuuar. /Zoom.al

“Balluku nuk shkon nesër në SPAK”, Bardhi: Bëj akrobaci, por stacionin fundor e ke në Pojskë

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazmend Bardhi tha në mbrëmbje se zëvendëskryeministrja Belinda Balluku nuk do të paraqitet nesër në SPAK.

Sipas Bardhit ajo ka sajuar një vizitë në Bullgari. SPAK i ka dërguar fletëthirrje Ballukut për t’u paraqitur me avokat dhe pritet t’i komunikojë akuza penale. Bardhi e paralajmëron se sado të përpiqet ta shtyjë paraqitjen në SPAK me udhëtime, stacionin e fundit do ta ketë në qeli.

POSTIMI I KREUT TË GRUPIT TË PD
Ashtu siç paralajmërova, për të mos shkuar të hënën në SPAK, ku duhet të njihet me akuzën penale për vetëm një nga shumë vjedhje të saj, Belinda Balluku raportohet se ka sajuar një vizitë në Bullgari. Atje me siguri do të mbajë një “masterclass” për përvojën e saj të pasur me tenderat:
– Si të zhdukësh 50 milion € si në tunelin e Llogarasë;
– Si të vjedhësh 180 milion € në shit-blerje energjie;
– Si të vjedhësh 5 milion € në një digë hidrocentrali, si në rastin e Zadejës; dhe
– Si të avullosh 80 milion € me anije termocentral, që s’u vunë kurrë në punë.

Belinda Balluku mund ta shtyjë edhe pak me akrobacitë nëpër trena dhe avionë, por stacioni i saj fundor do të jetë vetëm një: burgu i grave në Pojskë. Dhe përpëra se të mbërrijë stacionin final, herët a vonë, një ndalesë do ta bëjë së shpejti patjetër në SPAK!

Edi Rama i ka larë duart me Belinda Ballukun

Le ta themi troç. Edi Rama foli si për procedurë kur u pyet nga Deutsche Welle mbi hetimet e SPAK për zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe nuk e mori në mbrojtje.

Sado që në opinionin publik u shfaq i ekuilibruar, siç mëson Zoom.al nga burime pranë qeverisë, ai e ka ndarë tashmë fatin e vet prej të krahut të tij të djathtë.
Belinda, siç pohojnë të njëjtat burime, ka shkuar larg me aeroportin e Vlorës, saqë me apo pa dijeninë e saj në aeroport duket se kanë futur duart rusët.

Dhe Rama nuk ia fal këtë, pasi nëse do të rezultojë e vërtetë, kjo do t’i hapte telashe me amerikanët, me të cilët nuk i ka punët mirë këto kohë.

Balluku është thirrur në SPAK për Tunelin e Llogarasë, por praktika e deritanishme, veçanërisht rasti i Lali Erit, ka treguar që po hyre aty, nuk i dihet më se si del.

Rama nuk pritet ta shkarkojë Belën, por nëse SPAK ngre akuza penale ndaj saj, pritet që ajo të largohet vetë nga funksionet qeveritare. Rama nuk do të mund ta mbante si barrë sado që thotë se “ne kemi punën tonë, drejtësia të vetën. /Zoom.al

El Clasico i takon Realit, madrilenët mposhtin mes spektaklit Barçën. 3 gola në Bernabeu

El Clasico i takon Real Madridit, me të besuarit e Xabi Alonsos që fituan 2-1 ndaj Barcelonës, në sfidën e mbajtur në Bernabeu. Mbappe zhbllokoi shifrat në minutën e 21-të, me një të djathtë tokazi, me topin që përfundoi pas shpinës së Szczesny.

Barça përfitoi pas një gabimi në prapavijën madrilene dhe me Fermin Lopez, çoi shifrat në 1-1.

Spektakli i pjesës së parë nuk kishte mbaruar ende, pasi Bellingham “ndezi” festën e Los Blancos në shkallët e stadiumit. Në fillimin e pjesës së dytë, Mbappe gaboi nga pika e bardhë e penalltisë

Real Madrid mbrojti me fanatizëm rezultatin deri në fund, duke triumfuar dhe duke shkuar në kuotën e 27 pikëve. Ekipi i Flick ka 22 pikë dhe është në vendin e dytë./ Zoom.al

Mrekulli në Tiranë, nëna sjell në jetë katërnjakë

Një lajm i bukur vjen nga Spitali Universitar Obstetrik – Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, në Tiranë ku një nënë ka sjellë në jetë me një shtatzani natyrale katërnjakë.

Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në një postim në rrjetet sociale.

“Nga familja fantastike e Rozetës dhe Geraldos, të cilët janë bekuar me katërnjakët: Roal, Alrda, Roar dhe Auro ardhur nga një shtatzani natyrale. Jetë të gjatë vogëlushëve, të cilët pas një muaji kujdesi shëndetësor intensiv, tani janë gati për të lënë Spitalin Universitar Obstetrik – Gjinekologjik “Koço Gliozheni”, në Tiranë,”- thuhet në postim./ Zoom.al

E rëndë në Itali/ Gjendet i pajetë 19-vjeçari shqiptar (EMRI)

Një 19-vjeçar shqiptar është gjetur i pajetë në banesën e tij nga familjarët, kurse shkaqet mbeten të panjohura dhe ngjarja është e veshur me hije dyshimi.

Kur vëllai i tij hyri në dhomën e gjumit, e pa Flavio Saraçin të rrëzuar dhe të palëvizshëm dhe shkoi të shihte se çfarë po ndodhte. Ishte një tronditje e vërtetë atëherë kur kuptoi se vëllai i tij më i madh, një djalë i fortë dhe atletik, tani ishte i vdekur.

Tragjedia të premten, më 24 tetor, në Provincën e Pistoias. Vdekja e tij ishte aq e papritur, sa është aktualisht e pashpjegueshme për autoritetet. I riu merrej me sporte dhe nuk kishte probleme shëndetësore të shfaqura.

Ndërkohë, kjo është humbja e dytë serioze brenda vetëm pak ditësh që godet Masotti-n, një fshat në Serravalle Pistoiese, me vdekjen e një të riu në lulen e jetës, më pak se një javë pas aksidentit fatal që vrau shtatëmbëdhjetëvjeçarin Matteo Ducceschi. Të dy jetonin në fshatin në provincën e Pistoia-s, informon media italiane.

Këtë herë, një sëmundje fatale i mori jetën Flavio Saracit, duke lënë një familje në shok të plotë. I riu me sa duket ishte në dhomën e tij kur vëllai i tij më i vogël hyri dhe e gjeti të pajetë.

Gjithçka ndodhi brenda pak minutash, rreth orës 6 të mbrëmjes. Shërbimet e urgjencës mbërritën menjëherë dhe i riu u dërgua me urgjencë në Spitalin San Jacopo, por mjekët mundën vetëm të konfirmonin se nuk kishte asgjë më shumë që mund të bënin për Flavion, duke i lënë prindërit e tij, të shkatërruar nga një tragjedi kaq e papritur dhe e madhe, në humnerën e dëshpërimit të tmerrshëm, informon media italiane.

Familja u nxitua menjëherë për në spital, të paaftë të besonin se zemra e djalit të tyre të dashur nuk po tregonte më shenja jete, dhe në mënyrë të kuptueshme iu dorëzuan pikëllimit dhe ankthit.

Flavio Saraci ndoqi shkollën e mesme të shkencave të aplikuara në Institutin Filippo Pacini në Pistoia, ku u diplomua vitin e kaluar. Ata që e njihnin e përshkruanin si një të ri të gjatë dhe atletik, i cili merrej me sporte dhe kishte një personalitet të qetë dhe të rezervuar.

Shkaku i sëmundjes së tij të papritur është aktualisht i panjohur , por mjekët në Spitalin San Jacopo, ku ndodhet trupi i tij, ka të ngjarë të kryejnë një autopsi. Humbja e tij ka tronditur komunitetin shqiptar të zonës dhe gjithashtu shkollën e të riut.

Greva e urisë në ditën e 12-të, rëndohet gjendja shëndetësore e naftëtarëve të Bankers Petroleum

Naftëtarët e “Bankers Petroleum” në Marinzë vijojnë grevën e urisë, ku kanë hyrë në ditën e 12-të, teksa deri tani si kompania kineze, po ashtu edhe institucionet shtetërore janë treguar indiferente ndaj kërkesave të tyre për rritjen e fondit të pagave dhe përmirësimin e kushteve të punës.

Ndërkohë, gjendja shëndetësore e grevistëve vijon të përkeqësohet, ku dy prej tyre Dorjan Dylmishi dhe Dritan Rrapushi kanë kërkuar ndihmën e ambulancës ditën e sotme Njëri prej tyre, Dorjan Dylmishi është transportuar drejt Spitalit Rajonal Fier për ndihmë më të specializuar.

Gjithsesi, edhe pse shëndeti i tyre cënohet, naftëtarët shprehen të vendosur për ta vazhduar grevën deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Pak ditë më parë, naftëtarët iu drejtuan me një letër kryeministrit Edi Rama dhe ministrisë përkatëse, ku i kërkonin që të ndërhynte për të ndërmjetësuar zgjidhjen e situatës, ndërkohë që deri më tani nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Ndërsa kompania “Bankers”, në një reagim për mediat bëri me dije se nuk kishte në plan t’u rriste rrogat punonjësve, por vetëm vlerën e trajtimit ushqimor.

Si zbërthimi i katër telefonave të Berberit “fundosi” Belinda Ballukun dhe Benet Becin

Nga Elton Qyno

Në muajin shkurt 2024 oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kryen një kontroll në banesën e Drejtorit të ARRSH-së, në atë kohë Ervis Berberi, duke sekuestruar 4 aparate telefonike, pajisje të ndryshme kompjuterike dhe një sërë dokumentesh.

Kjo formë hetimi duke depërtuar në komunikimet private të individëve, erdhi pasi prokuroria e Posaçme SPAK, ka ndjerë dështimin me formatin standard të përgjimit telefonik, dhe për pasojë gjatë këtyre 3 viteve të drejtimit të SPAK nga Altin Dumani, janë sekuestruar më shumë telefona se çdo periudhë tjetër.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se disa ditë pas sekuestrimit të 4 telefonave, po në muajin Shkurt 2024 prokurori i çështjes Dritan Prençi, nxjerr urdhrin për ekspertimin kompjuterik të 4 aparateve telefonike, duke sjellë rikuperimin e një pjese të madhe të bisedave të zhvilluara nga Ervis Berberi në disa platforma elektronike.

Dhe 2 muaj pas kryerjes së ekspertimeve të 4 telefonave të Berberit dhe gruas së tij, Adela Ruko, prokurori Prençi në 23 Prill 2024 vendos të hapë një dosje të dytë me Nr. 196, e ndarë nga ajo e Berberit dhe fokusi i hetimit ishte kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci

Mirëpo ekspertimi i 4 telefonave Ervis Berberi dhe bashkëshortes së tij, Adela Ruko, tashmë ka sjellë krijimin e një “pusetë” thithëse për numrin 2 të Shtetit Belinda Balluku dhe vetë kryetarit të bashkisë Shkodër, Benet Beci.

Mësohet se ky i fundit prej muajit Tetor 2024 e në vijim, rezulton të jetë marrë i pandehur për “Shkelje të pabarazisë në tendera”, që lidhet me një procedurë prokurimi me objekt “Zhvillim strategjik i sektorit Energjitik (Projekt kërkimor) me fond limit prej 695 milion lekë të vjetra.

Bashkë me kryetarin e bashkisë së Shkodrës, Benet Beci, për këtë çështje SPAK, ka marrë të pandehur dhe gruan e Ervis Berberin, shtetasen, Adela Ruko, dhe zyrtarë të tjerë si Jonid Kazani, Drejtor i Çështjeve Rregullatore në KESH, dhe zyrtarët Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, Rudin Gjoni dhe Premtim Dauti.

Ndërkohë për këtë rast hetimet vijojnë dhe brenda muajit Prill 2026, SPAK duhet të çojë në gjyq të pandehurit e mësipërm.

Por nga ana tjetër hapja dhe këqyrja e komunikimeve në platformat elektronike, ka sjellë ngritjen e akuzës për shumë zyrtarë të tjerë të ARRSH-së, ERE-S dhe ministrisë së Infrastrukturës, ku së fundi në rrjetën e këtyre bisedave që kanë prodhuar më pas akuza penale, ka rënë dhe Belinda Balluku, me funksion zv/kryeministre e Shqipërisë dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës.

Mësohet se Belinda Balluku, ka rënë në rrjetën e komunikimeve që ka zhvilluar me vartësin e saj, Ervis Berberi, gjatë kohës kur ky i fundit drejtonte Autoritetin Rrugor Shqiptar.

Për momentin, nuk dihet me saktësi cila është përmbajtja e kësaj bisede të zhvilluar mes dy zyrtarëve të lartë dhe roli ndikues që ka pasur Belinda Balluku, për paracaktimin e subjekteve fitues në prokurimit publike të zhvilluara nga ARRSH-ja.

Por ajo që dihet tashmë është fakti se këtë javë Belinda Balluku, duhet të paraqitet në ambientet e SPAK, për tu njohur zyrtarisht me akuzën e “Shkeljes së pabarazisë në tendera”.

SPAK duke marrë shkak nga përmbajtja e bisedave të zhvilluara mes Berberit, gruas së tij Adela Ruko dhe ministres Belinda Balluku, ka regjistruar një dosje të re.

Ndërsa në dobi të këtij hetimi në muajin Prill 2025, prokurori Dritan Prençi, ka kërkuar në ARRSH-ë tërheqjen e dokumenteve që lidhen me praktikën e prokurimit që bën fjalë për mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë në seksionin rrugor “Orikum-Himarë” pjesë e Autostradës SH8 (Vlorë – Sarandë).

Ky tender është hapur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në 1 dhjetor 2021, ku më pas në muajin Mars 2022, ministria e drejtuar nga Belinda Balluku, do të shpallte fituesin e kontratës me vlerë 196 milionë lekë ose gati 2 milionë euro.

Në tender do të merrte pjesë bashkimi i kompanive “Stucky L.T.D” me pronar të huaj dhe “Gjeokonsult & CO”, në pronësi të Xhevahir Mustafaj.

Këta do të garonin me bashkimin e kompanive “Hill International N.V” në pronësi të një shtetasi Hollandez por me administrator grekun, Ioannis Kirkinezis dhe “Net-Group” në pronësi të Valter Begaj, mik i ngushtë i Ervis Berberit.

Dyshimet e para për favorizim fituesi u shfaqën kur kompanitë “Stucky L.T.D” dhe “Gjeokonsult& CO” u skualifikuan, pasi nuk plotësonin një nga kushtet e kërkuara në tender pasi “Stucky” nuk ishte e regjistruar në QKB, duke i lënë rrugën e lirë “Hill Internacional N.V” dhe “Net-Group”, të cilat në Mars 2022 do të shpalleshin fitues me ofertë 194 milionë lekë ose rreth 2 milionë euro.

Kohëzgjatja e kontratës ishte planifikuar të zgjaste 34 muaj sipas kontratës së zbatimit të punimeve në ndërtimin e tunelit të Llogorasë.

Prokurorët e posaçëm kanë ngritur dyshime të forta se tenderi mund të jetë paracaktuar dhe kompanitë e tjera, janë skualifikuar qëllimisht, për shkak të lidhjes mes Berberit, Ervis Lamit, mikut të tyre Valter Begaj dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

Këto dyshime janë përforcuar dhe kanë krijuar bindjen për paracaktim të fituesit, kur SPAK ka kyçur përmbajtjen e komunikimeve telefonike, ku del edhe Belinda Balluku.

Ndërkohë mësohet se prej 4 dhjetorit 2024, të gjitha aksionet që biznesmeni Valter Begaj, dispononte tek kompania “Net-Group”, ja ka dhuruar përmes një kontrate noteriale bashkëshortes së tij, Loreta Vallja.

Pritet që këtë javë veç Belinda Ballukut, të njihen me akuzat penale dhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, të cilët kanë shërbyer si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. /Syri.net

Si zbërthimi i katër telefonave të Berberit "fundosi"
Si zbërthimi i katër telefonave të Berberit "fundosi"
Katy Perry dhe Justin Trudeau konfirmojnë romancën

Katy Perry dhe Justin Trudeau janë shfaqur bashkë për herë të parë si çift në “Crazy Horse Paris”, për të festuar ditëlindjen e këngëtares 41-vjeçare.

Në fotot e siguruara nga TMZ, çifti shihej i kapur për dore dhe shumë të buzëqeshur.

Është zyrtare! Katy Perry dhe Justin Trudeau konfirmojnë

Katy kishte veshur një fustan të kuq, ndërsa politikani kishte zgjedhur një veshje tërësisht të zezë.

Kjo është hera e parë që ata shfaqen si çift, pas puthjes së famshme në jahtin e këngëtares.
Katy dhe Justin ndezën thashethemet pasi u panë duke darkuar gjatë verës, në Montreal të Kanadasë. Asokohe, Katy sapo ishte ndarë nga Orlando Bloom, në qershor, ndërsa Justin ishte divorcuar nga e shoqja, pas 18 vitesh martesë.

Vendi që Edi Rama e ble 120 mijë euro në vit me paratë e shqiptarëve

Kryeministri Edi Rama fluturoi në Berlin dy ditë më parë për të marrë pjesë në një forum të përvitshëm që quhet Berlin Global Dialogue. Shefi i qeverisë i bëri jo pak jehonë aktivitetit dhe sigurisht vendit të tij të veçantë në të.

“Në Berlin Global Dialogue (BGD) – forumi ndërkombëtar i nivelit të lartë që zhvillohet çdo vit në kryeqytetin e Gjermanisë, me fokus sfidat globale të ekonomisë, klimës, teknologjisë dhe qeverisjes – ku jam i ftuar si njëri ndër dy folësit e sesionit përmbyllës së bashku me Presidenten Ursula von der Leyen,” shkroi Rama në profilin e tij zyrtar në facebook.

Rreshtimi i Ramës krah Von der Leyen si dy folësit më të rëndësishëm të takimit, sigurisht që shkon në linjën e propagandës agresive të një udhëheqësi që respektohet gjerëisht në Europë. Dhe Edi Rama i ka mëshuar jo pak kësaj linje, madje edhe publikisht. Por ka respekt e respekt.

Berlin Global Dialogue është një aktivitet i përvitshëm, i cili bashkon udhëheqës të sektorit publik dhe atij privat nga e gjithë bota. Ky forum organizohet nga një ekonomist gjerman i quajtur Lars-Hendrik Röller.

Zoti Röller ka qenë këshilltari ekonomik i Angela Merkel për shumë vite në qeverisjen e saj. Ndërsa sot ai është në borderonë e Edi Ramës.

Dy vjet më parë, qeveria miratoi një vendim të posaçëm, i cili i lejonte kryeministrit të paguante këshilltarë deri në 10 mijë euro në muaj. Zoti Röller ishte një nga përfituesit e këtij vendimi dhe sot qeveria shqiptare i paguan atij 120 mijë euro në muaj nga paratë e qytetarëve për të këshilluar Edi Ramën.

Punedhenesi dhe punemarresi

Publikisht nuk dihet se çfarë këshillash i jep zoti Röller, kryeministrit të Shqipërisë. Por me sa duket bashkë me këto këshilla, Edi Rama ka marrë në ofertë edhe një vend në forumin e nivelit të lartë, të cilin e shet si dëshmi të respektit dhe ndikimit të tij në Europë. Dhe ky nuk është rast i izoluar.

Nga milionat për të panginjurin Tony Blair, fshatrat turistikë të D’Alemas mbi tokat e falura shtetërore e deri tek pagat në stilin e bonuseve të Wall Street-it për Larsët, qeveria e Shqipërisë është shndërruar në një makineri të fuqishme korruptimi për politikanët e lartë të Europës.

Dhe ndërsa Edi Rama blen influencë në Europë, qytetarët shqiptarë paguajnë nga xhepat e tyre të varfër faturën miliardere të respektit për liderin global./Kapitali/