zoom

Day ArchiveNapoli i tregon forcën Interit dhe i merr kreun Milanit

Napoli është rikthyer te fitorja pas humbjeve në Serinë A javën e shkuar dhe disfatës së thellë në Champions.

Skuadra e Kontes triumfoi me rezultatin 3-1 kundër Interit në stadiumin “Maradona”.

De Bryjne ishte ai që zhbllokoi shifrat për vendasit falë një penalltie të fituar nga Di Lorenco, por më pas ai u detyrua të linte fushën i dëmtuar. Kështu u mbyll pjesa e parë.

45 minutat e dyta folën më shumë për “axurrët” që shënuan dy gola me Mek Tominej dhe Angisa.

Goli i vetëm për Interin erdhi nga Çalhanoglu me penallti në të 59-ën.

Me këtë fitore Napoli ul euforinë e Interit dhe i merr kreun e kampionatit Milanit.

Aksident i rëndë në Gjadër, përplasen 3 makina

Rreth orës 18:20, në kryqëzimin e Gjadrit, janë përplasur tre automjete me drejtues shtetasit I. B., P. N., dhe me drejtuesen, shtetasen e huaj N. R.

Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar tre drejtuesit e automjeteve dhe dy pasagjerë që ndodheshin në automjetin e shtetasit I. B.(bashkëshortja dhe vajza e mitur, 6 vjeçe), të cilët janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për përcaktimin e shkaqeve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

Belinda Balluku mbërrin në Tiranë, a do të paraqitet të hënën në SPAK?

Ditën e premte, ndërsa Tirana po ziente për lajmin se Belinda Balluku ishte marrë nën hetim nga SPAK për “shkelje të barazisë në tendera”, zëvendëskryeministrja postoi një video për të treguar se ndodhej në Zvicër.

Balluku tha se qëllimi i vizitës ishte forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e transportit hekurudhor dhe shkëmbimi i eksperiencave me hekurudhën zvicerane.

Sakaq, ditën e sotme Balluku është kthyer në Shqipëri, ku inspektoi punimet për projektin e ri të Autoritetit Rrugor Shqiptar që ka në fokus mirëmbajtjen estetike të akseve rrugore në të gjithë vendin.

Me kthimin në Shqipëri, është mister nëse zëvendëskryeministrja do të paraqitet ditën e hënë në SPAK.

Sakaq, këtë çështje e ka komentuar sot edhe kryeministri Edi Rama.

Ndërsa ishte në Berlin, ai u pyet nga Deutsche Welle mbi hetimet e nisura nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, ndaj numrit dy të qeverisë së tij, zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.

“Nuk kam asnjë koment për asnjë rast, sepse siç e kam thënë, ne kemi punën tonë, drejtësia ka punën e vet,” tha Rama në një intervistë për DW.

“Dhe deri kur çështje të caktuara të marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe të padënueshëm nga gjykata popullore e politikës dhe mediave që i shërbejnë politikës,” theksoi Rama.
SPAK tha dje përmes një zëdhënësi se “nuk ka asgjë për të ndarë me median”.

Belinda Balluku iu bashkua kabinetit të Ramës si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë në vitin 2019 dhe kontrollon prej më shumë se pesë vitesh portofolin më të madh qeveritar.

Ajo është zv.kryeministrja e dytë e Ramës që po përballet me SPAK pas Arben Ahmetajt.

Balluku e pandehur nga SPAK, gazetarja: Hetimet ndaj saj mund të lidhen edhe me bashkëpunimin me Ramën!

Gazetarja Klodiana Lala, ka folur për hetimet e SPAK ndaj vartësve dhe bashkëpunëtorëve të ministres së Energjisë, Belinda Balluku, si ish-kreu i ARRSH, Ervis Berberi, ish-drejtori i KESH, Benet Beci dhe Gentian Gjyli.

Sipas Lalës, nga rrjedha e hetimeve rezulton se vartësit e Ballukut janë ose nën hetim, ose në pranga, ose të pandehur, çka tregon se hetimet po shkonin drejt ministres.

Gazetarja kërkoi nga SPAK që të bëjë transparencë dhe të tregojë rolin e Ballukut, tenderët konkretë të përfshirë, shkeljet që mund të ketë kryer dhe provat që disponojnë prokurorët.

“Balluku është ndër personat më të përfolur për afera korruptive dhe më e kallëzuara në prokurorinë e posaçme, nga opozita dhe individë të ndryshëm. Shumë zyrtarë të saj po shkonin në hetim, pranga ose janë të pandehur, ndaj fokusi i hetimeve duket qartë se është tek ajo,” tha Lala.

Gazetarja shtoi se Belinda Balluku është njeriu i dytë më i pushtetshëm pas kryeministrit Edi Rama, dhe hetimet ndaj saj mund të lidhen edhe me bashkëpunimin e ngushtë ndër vite me kryeministrin.

Klodiana Lala: Sa i takon zonjës Balluku është më e përfolura për afera korruptive, është gruaja më e kallëzuar në prokurorinë e posaçme si nga opozita dhe nga individë. Lidhet me një dosje që vjen deri von ënga një tjetër hetim i SPAK, që lidhet me ish kreun e ARRSH Ervis Berberi është po ashtu i pandehur ish vartës i Ballukut Gentian Gjyli, Benet Beci. Fakti që shumë zyrtarë dhe bashkëpunëtorë të ngushtë të Ballukut po shkonin ose në hetim, ose në pranga ose të pandehur, kuptohej shumë qartë se e gjithë vala e hetimeve ishte drejtuar drejt Ballukut.

Fakti që ka shumë cështje të tjera që kanë të bëjnë me tenderin e tunelit të Llogarasë, aeroporti i Vlorës, është akuzuar më së shumti nga opozita dhe cfarë unë shihja, kuptohej se fokusi i hetimit ishte Balluku.

Prokuroria e posaçme ka tashmë një dosje penale për zonjën Balluku dhe duhet të na tregojë se deri ku ka shkuar për hetimet. Pra SPAK duhet të na bëjë transparencë, cili është roli i zonjës Balluku, cili është tenderi konkret, cilat janë shkeljet që ka kryer, a ka patur ajo apo jo bashkëpunëtorë në këtë cështje penale që po hetohet. Cilat janë provat që prokurorët kanë në duar ndaj ose kundër Ballukut.

Belinda Balluku është njeriu i dytë më i pushtetshëm aktualisht pas Ramës dhe kur flas për Ballukun, them se hetimi mund të drejtohet drejt Edi Ramës, sepse ata kanë bashkëpunuar, janë bashkëpunëtorë të ngushtë ndër vite.

Ndaj kam kritika ndaj SPAK, duhet të bëjë transparencë për rastin, edhe pse nuk pres që prokurorë të posacëm të konfirmojnë lajmin tim. Unë kam arritur të lexojë fletëthirrjen dhe kam qenë e sigurt për lajmin. Dhe fakti që është numri i protokollit është absolute.

Zhgënjim nga pushimet në Shqipëri, turistët polakë hedhin në gjyq hotelin me 5 yje

Turistë polakë në Shqipëri, të cilëve pushimi iu kthye në stres nga zhurmat iu drejtuan gjykatave në Poloni për zhdëmtim. Çështja kaloi në Gjykatën Europiane. Tani ajo forcon të drejtat e pushuesve.

Ditë të tëra zhurmë ndërtimesh në vend të pushimeve idilike. A mund të kërkojnë zhdëmtim të plotë pushuesit që prenotojnë paketa turistike all inclusive, kur nuk përmbushen standardet dhe pushimet kthehen në makth?

Sipas një vendimi të fundit të Gjykatës Europiane me seli në Luksemburg në rast të mangësive të mëdha në shërbim dhe kushteve të papërshtatshme gjatë pushimeve turistët që prenotojnë paketë all-inclusive kanë të drejtë të kërkojnë zhdëmtim me çmimin e plotë të paguar. Shuma e plotë e paguar duhet t’i kthehet pushuesit edhe nëse ai ka shfrytëzuar vetëm pjesërisht disa nga elementët e paketës, në rast se pushimet kthehen në shqetësim dhe humbet interesi për to, gjykon trupa e gjyqtareve dhe gjyqtarëve në Luksemburg.

Hotel me pesë yje dhe me zhurmë ndërtimesh

Procesi kishte të bënte me pushues polak, që kishin prenotuar një paketë all inclusive në një hotel me pesë yje në Shqipëri.

Sapo ata mbërritën në hotel u shqetësuan nga zhurma e punimeve, pasi pishina e hotelit të tyre duhej të shembej me urdhër të autoriteteve. Punimet e shembjes së objektit zgjatën katër ditë.

Gjithashtu pushuesve u duhej të prisnin në radhë të gjata për ushqimin dhe pasditeve ishte hequr nga lista oferta e mëparshme një vakt i ndërmjetëm.

Në tri ditët e fundit të pushimit në të njëjtin objekt filluan punime ndërtimi për zgjerimin e hotelit.

Odiseja juridike në kërkim të zhdëmtimit

Nga një gjykatë në Poloni pushuesit kërkuan zhdëmtim dhe kthimin e pagesës. Gjykata polake iu drejtua Luksemburgut. Tani Gjykata Europiane konstaton, se zhdëmtimi me kthimin e plotë të pagesës së pushuesve është në përputhje me ligjin e BE-së. Por operatori turistik nuk mund të dënohet me gjobitje për dëmin. Po ashtu nuk mund të ngrihet pretendim për zhdëmtim, kur në mes është një palë e tretë përgjegjëse për mangësitë dhe nëse ato as nuk kanë mundur të parashikohen dhe as nuk mund të shmangeshin, argumentojnë gjyqtarët e Luksemburgut.

Tani gjykata kombëtare në Poloni duhet të sqarojë, nëse operatori turistik apo menaxhuesi i hotelit kanë qenë të informuar për procedurën e autoriteteve që dhanë urdhërin për shembjen në objekt. Në këtë rast operatori turistik nuk mund të lirohet nga detyrimi për zhdëmtim kundrejt pushuesve. Rasti konkret do të vlerësohet tani nga një gjykatë në Poloni./DW

144 vite nga lindja e Pablo Picasso. Historia e artistit që vdiq duke pikturuar

Pablo Picasso, një nga artistët më të mëdhenj dhe më me ndikim të shekullit XX, lindi më 25 tetor 1881 në Malaga të Spanjës dhe vdiq më 8 prill 1973, në moshën 91-vjeçare në Francë.

Babai i Picasso ishte profesor vizatimi dhe e nxiti djalin e tij drejt një karriere në artin akademik.

Picasso realizoi ekspozitën e tij të parë në moshën 13-vjeçare dhe më vonë e la shkollën e artit – në mënyrë që të eksperimentonte me kohë të plotë me stilet e artit modern.

Ai shkoi në Paris, për herë të parë në vitin 1900 – dhe në vitin 1901 iu hap një ekspozitë në një galeri në “Rue Lafitte” të Parisit, një rrugë e njohur për galeritë prestigjioze të artit.

Spanjolli 19-vjeçar në atë kohë ishte relativisht i panjohur jashtë Barcelonës, por ai kishte krijuar tashmë qindra piktura.

Duke marrë shumë kritika pozitive, ai qëndroi në Paris për pjesën tjetër të vitit dhe më vonë u kthye në qytet për t’u jetuar përgjithmonë. Vepra e Picasso, e cila përfshin më shumë se 50 000 piktura, vizatime, gravura, skulptura dhe qeramikë të prodhuara gjatë 80 viteve, përshkruhet në një seri periudhash të mbivendosura.

Periudha e tij e parë e shquar – “Periudha Blu” – filloi menjëherë pas ekspozitës së tij të parë në Paris. Në vepra të tilla si “The Old Guitarist” (1903), Picasso pikturoi në tone blu për të evokuar botën melankolike të të varfërve.

“Periudha Blu” u pasua nga “Periudha Rozë”, në të cilën ai shpesh përshkruante skena cirku.

Në vitin 1907, Picasso pikturoi veprën novatore “Les Demoiselles d’Avignon”, e cila, me përfaqësimin e saj të fragmentuar dhe të shtrembëruar të formës njerëzore, u nda nga arti i mëparshëm evropian.

144 vite më parë lindi gjeniu i shekullit, detaje nga jeta e piktorit

“Les Demoiselles d’Avignon” demonstroi ndikimin te Picasso si të artit të maskave afrikane ashtu edhe të piktorit francez post-impresionist, Paul Cezanne dhe shihet si një pararendëse e lëvizjes kubiste, e themeluar nga Picasso dhe piktori francez Georges Braque në vitin 1909.

Në kubizëm, i cili është i ndarë në dy faza, analitike dhe sintetike, Picasso dhe Braque vendosën parimin modern – se vepra arti nuk kishte nevojë të përfaqësonte realitetin – për të pasur vlera artistike.

Veprat kryesore kubiste të Picasso përfshinin kostumet dhe skenografinë e tij për “Ballets Russes” (1917) dhe “The Three Musicians” (1921) të Sergey Diaghilev.

Eksperimentet kubiste të Picasso dhe Braque rezultuan gjithashtu në shpikjen e disa teknikave të reja artistike, përfshirë kolazhin.

Pas kubizmit, Picasso eksploroi temat klasike dhe mesdhetare, dhe imazhet e dhunës dhe ankthit u shfaqën gjithnjë e më shumë në punën e tij.

144 vite më parë lindi gjeniu i shekullit, detaje nga jeta e piktorit

Në vitin 1937, kjo prirje kulmoi në kryeveprën “Guernica”, një vepër monumentale që evokoi tmerrin dhe vuajtjet e përjetuara në Guernica – kur u shkatërrua nga aeroplanët luftarakë gjermanë gjatë Luftës Civile Spanjolle.

Picasso qëndroi në Paris gjatë pushtimit nazist, por iu kundërvu me zjarr fashizmit dhe pas luftës iu bashkua Partisë Komuniste Franceze.

Puna e Picasso pas Luftës së Dytë Botërore është më pak e studiuar sesa krijimet e tij të mëparshme, por ai vazhdoi të punonte dhe një gëzoi sukses komercial dhe kritik. Ai krijoi vepra fantastike, eksperimentoi me qeramikë dhe pikturoi variacione mbi veprat e mjeshtrave të tjerë në historinë e artit.

I njohur për shikimin e tij intensiv dhe personalitetin dominues, ai pati një sërë historish dashurie intensive gjatë jetës së tij. Ai vazhdoi të krijonte art deri në vdekjen e tij në vitin 1973 në moshën 91-vjeçare

Menjëherë pas vdekjes së Pikasos shpërthyen grindjet juridike midis trashëgimtarëve. Marrëdhëniet familjare të tij janë të komplikuara: Pikaso ka qenë dy herë i martuar zyrtarisht, por ka pasur fëmijë edhe me gra të tjera. Fëmijët e lindur nga marrëdhënia me Francoise Gilot, fotografi Claude Picasso dhe dizenjatorja Paloma Picasso, si dhe nipi që është i biri i djalit të ligjshëm të Pikasos, Paulo Picasso (1921-1975), u grindën shumë për pjesët që kishin në trashëgiminë e madhe.

144 vite më parë lindi gjeniu i shekullit, detaje nga jeta e piktorit

Në vitin 1976, pasuria materiale që la pas artisti dhe milioneri Pablo Picasso, u vlerësua 3,75 miliardë franga (rreth 669 milion euro). Këtu bëjnë pjesë shtëpitë, tokat, atelietë, pasuri të patundshme dhe koleksioni privat i Pikasos me piktura të vlefshme të piktorëve të cilët ai i ka pasur shokë, ose i kanë pëlqyer, si Matise, Miro, Modigliani, Cezane, van Gog.

Trashëgimia artistike që piktori spanjoll la pas vdekjes u vlerësua me rreth 1,275 miliardë franga. Ajo përmban 1885 piktura, 7089 vizatime, 19134 grafika, 3222 qeramika, 1228 skulptura dhe objekte, si dhe 175 libra me vizatime me rreth 7000 vizatime që Pikaso i ka bërë si përgatitje për punimet e mëdha.

Taksa e madhe vënë mbi trashëgiminë disa milionëshe iu pagua shtetit francez nga trashëgimtarët pjesërisht me punime arti të artistit. Këto piktura, vizatime dhe skulptura u përdorën si bazë për të krijuar muzeumin e Picassos të hapur në vitin 1985 në Paris, një vend tërheqës për vizitorët nga e gjithë bota.

Kodi Penal do ndryshojë sërish/ Nga parkimi dysh te abuzimi me fondet e BE-së, ja sa dënime me burg shtohen

Kodi Penal i vitit 1995 pritet të ndryshojë sërish, edhe pse një Kod i ri është hartuar dhe gjendet në fazë diskutimi.

Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë në konsultim disa shtesa të legjislacionit në përputhje me objektivin e integrimit të Shqipërisë në BE. Përafrimi i akteve në fushat e pastrimit të parave, luftën ndaj terrorizmit, trafikut të paligjshëm të drogave, trafikimit të qenieve njerëzore, abuzimit seksual dhe pornografisë së fëmijëve është parashikuar të kryhet brenda vitit 2025, prandaj Ministria e drejtësisë shpjegon se ka nevojë për një ndryshim të Kodit ekzistues, veç angazhimit për Kodin e ri Penal. Efekt

Ky projektligj synon të forcojë mbrojtjen e territorit përmes ndërhyrjes në Kodin Penal lidhur me ndërtimet e paligjshme, zënien e tokave dhe zjarrvëniet si dhe do të rris masat ndëshkuese për funksionarët publikë të përfshirë në ndërtimet pa leje me dënim deri në 7 vite burg dhe heqje e të drejtës për të punuar në administratë deri në 5 vjet; në rast se ndërtimi kryhet brenda zonave të mbrojtura dënimi shkon deri në 10 vjet burg.

Shkaktarët e zjarrit me qëllim ndryshimin e kategorisë dhe destinacionit të tokës, rrezikojnë deri në 15 vjet burg, si dhe toka në zonat e prekura nga zjarri në pyje nuk mund të ndryshohet brenda një periudhe deri në tridhjetë vjet. Gjithashtu parkimi në rresht të dytë që pengon qarkullimin e mjeteve të emergjencës apo këmbësorët do të njihet si vepër penale e sanksionuar me gjobë ose burg deri një vit.

Një dispozitë e re është mbi kriminalizimin e mashtrimit që ndikon në interesat financiare të BE-së. Kur keqpërdoren fondet, në pranga deri në 5 vite, dhe kur shifra kalon mbi 50 mijë euro; dënimi rritet deri në 10 vite.

Në projektligj janë parashikuar edhe sanksione për rastet që përfshijnë prodhimin e sasisë të konsiderueshme narkotikësh dhe substancash që kanë shkaktuar dëme serioze në shëndetin e personave, me burgim deri në 20 vite.

Do të shtohet doza e dënimeve për abuzimet seksuale dhe mbrojtja e fëmijëve që janë viktima të veprave penale si pornografia apo prostitucioni; ku futet edhe neni i ndalimit të përkohshëm ose të përhershëm i autorit për ushtrimin e aktiviteteve profesionale që përfshijnë kontakt të drejtpërdrejtë dhe të rregullt me të mitur, si një dënim shtesë së bashku me atë kryesor.

Kur një fëmijë kërcënohet apo nxitet për të marr pjesë në prostitucion pa mbushur 14 vjec ka masën deri në 15 vite burgim; jo më pak se aq kur vepra kryhet nga një anëtar i familjes së fëmijës apo nga persona në funksione shtetërore. Edhe udhëtimet për qëllime seksuale kundrejt shpërblimit apo jo riskojnë deri në 6 vite burg.

Ndryshimet synojnë edhe përmirësimin e kuadrit ligjor për përshkrimin e sjelljeve terroriste apo pjesëmarrjen në organizata të tilla; ndërsa risia do të jetë shtimi i një vepre penale që lidhet me provokimin publik për të kryer një vepër penale terroriste, marrjen e trajnimit për terrorizëm, udhëtimin për qëllime terrorizmi, organizimin ose lehtësimin e udhëtimit për qëllime terrorizmi; arrijnë dënimet deri në jo më pak se 15 vjet.

Projektligji i cili përmban 51 nene me miratimin e tij kërkon të përforcojë mesazhin e Shqipërisë për angazhim të pakthyeshëm në integrimin evropian, duke rritur besueshmërinë ndaj partnerëve ndërkombëtarë, gjithashtu të reduktojë riskun e përfshirjes së sistemit financiar shqiptar në skema pastrimi parash , të rris nivelin e transparencës dhe të kontrollit financiar, si dhe të mbrojë të drejtat e njeriut.

Krimi për një kafe në Manëz, detyrim paraqitje dhe ndalim daljeje jashtë vendit për 4 të arrestuarit

Gjykata e Durrësit ka dhënë vendimin për masën e sigurisë për të dyshuarit e arrestuar në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi zonën e Manzës më 22 tetor, ku mbetën të vrarë Flori Paluçi dhe Aranit Kurti.

Kështu, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” për të katër personat e arrestuar për moskallëzim krimi, si dhe i ka ndaluar të udhëtojnë jashtë vendit: E.K, T.B, E.B, E.C.

Si ndodhi ngjarja

Sipas hetimeve paraprake, ngjarja nisi pas një debati banal në një lokal të zonës.
Rreth mesnatës, D.P. (21 vjeç) kishte hyrë në lokal dhe kishte kërkuar një kafe, por kamarieri 17-vjeçar i kishte thënë se ekspresi ishte fikur. Në atë moment, ndërhyri Flori Paluçi i cili ndodhej në lokal me disa persona të tjerë, mes tyre edhe E.C., një nga të arrestuarit më pas për moskallëzim krimi.

Debati verbal mes palëve degradoi në përplasje fizike. D.P. u largua nga lokali me automjetin e tij, por pak më vonë u kthye bashkë me E.K. dhe Aranit Kurti (23 vjeç). Në momentin që ata tentuan të hyjnë sërish në lokal, Flori Paluçi doli jashtë dhe qëlloi në tokë me armë zjarri. Sipas hetimeve, D.P. reagoi duke qëlluar me armë drejt Paluçit, ndërsa Aranit Kurti e goditi atë me grusht në fytyrë. Ndërsa Paluçi ka qëlluar drejt të dyve.

Nga të shtënat, Kurti mbeti i vrarë në vend pasi u qëllua nga Paluçi, ndërsa ky i fundit humbi jetën pak çaste më vonë nga plumbat e shkrepur nga D.P. Ndërkohë, D.P. është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, i ndihmuar nga persona të tjerë, që më pas u arrestuan për moskallëzim.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se konflikti nisi pas një mosmarrëveshjeje të çastit, në një lokal që zakonisht mbyllej në mesnatë, por atë natë ishte ende hapur për shkak të disa klientëve.

Reagimi i Ramës për Ballukun, Berisha: S’ka koment sepse paratë i kanë ndarë bashkë!

Pas intervistës së kryeministrit Rama për DW, lidhur me nisjen e hetimit ndaj krahut të tij të djathtë në qeverisje, Belinda Balluku, ka reaguar edhe lideri i Partisë Demokratike.

Në një status në FB ku ndan videon e Ramës teksa thotë që nuk ka asnjë koment lidhur me hetimin e Ballukut, Berisha shkruan: Nuk ka asnjë koment sepse kanë ndarë paratë bashkë!!

Një ditë pas lajmit se SPAK ka marrë nën hetim zëvendëskryeministren Belinda Balluku, kryeministri Edi Rama deklaroi se “drejtësia bën punën e saj”. 

‘Balluku dyshohet për shkelje të barazisë në tendera dhe është zëvëndëskryeministrja e dytë nën hetim nga struktura e posaçme anti-korrupsion, pas Arben Ahmetajt, nën akuzë për korrupsion,” raporton Deutsche Welle.

Rikthehet ora diellore! Sonte në orën 03:00, akrepat shkojnë 60 minuta pas!

Natën mes të shtunës 25 tetor dhe të dielës 26 tetor, në orën 03:00, akrepat e orës do të kthehen një orë pas.

Ndryshimi i orës do të na lejojë të flemë një orë me shumë gjumë mëngjeseve, por pasditet do të errësohen më shpejt. Ky ndryshim, quhet ora diellore dhe qëndron deri në 29 mars 2026 kur kthehet ora verore. Qëllimi kryesor i këtij ndryshimi është të shfrytëzohen më mirë orët me dritë natyrale gjatë pasdites dhe mbrëmjes, duke reduktuar nevojën për ndriçim artificial dhe duke nxitur kursimin e energjisë.

Si funksionon?

Në vjeshtë (në të dielën e fundit të tetorit), rikthehet ora diellore: akrepat kthehen një orë pas. Çdo vit theksohet fakti se mbajtja e orës verore gjatë gjithë vitit do të shmangte ‘stresin e ndryshimit’ të lidhur me dritën, sinkronizuesin kryesor natyral të të gjithë proceseve të organizmit, i cili shfaqet te njerëzit me lodhje, pagjumësi, nervozizëm, dhimbje koke, luhatje humori, vështirësi për t’u përqendruar dhe për të ruajtur vëmendjen e lartë. Prandaj, shumë ekspertë mbështesin idenë e mbajtjes së orës verore gjatë gjithë vitit por ende nuk ka një dakordësi.