Aplikacion
Djali i ish-presidentit francez Nicolas Sarkozy, Louis Sarkozy, është bërë baba për herë të parë. Lajmin e gëzueshëm e ndau vetë përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në publikimin e tij, Louis shkroi:
“Ekzistojnë tre mënyra për të arritur pavdekësinë, thoshte revolucionari i madh kuban José Martí: të mbjellësh një pemë, të shkruash një libër dhe të rritësh një djalë. Dje, bashkëshortja ime dhe unë iu afruam pak më shumë përjetësisë: u bëmë prindër.”
Ai njoftoi se së bashku me bashkëshorten e tij, Nathalie Husic Sarkozy, kanë mirëpritur në jetë një djalë, të cilit i vunë emrin Sylla Nicolas Sarkozy.
“Kemi kënaqësinë t’ju prezantojmë djalin tonë Sylla Nicolas Sarkozy. Urojmë të rritet me forcë dhe mençuri, si bashkëemrat e tij,” shkroi ai.
Kujtojmë se prej së martës, ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy ndodhet në burgun La Santé në Paris, ku po vuan një dënim pesëvjeçar për financim të paligjshëm të fushatës presidenciale të vitit 2007 nga regjimi i Gadafit. Zoom.al/
Të dielën afati i fundit për formimin e qeverisë, presidentja Osmani: Nëse s’ka zgjidhje…Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se nëse nuk ka një marrëveshje për formimin e Qeverisë së re të Kosovës në seancën e së dielës, atëherë ajo do të ftojë partitë për të parë nëse ndonjëra mund të sigurojë 61 votat e nevojshme.
“Nëse s’ka marrëveshje, atëherë si presidente do t’i ftoj të gjitha partitë politike për të parë nëse ka mundësi që dikush ta krijojë shumicën”, tha Osmani në një intervistë për Deutsche Welle në gjuhën shqipe.
Në orën 10:00 të së dielës është thirrur seanca me pikën e vetme të rendit të ditës: zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës.
Osmani e ka mandatuar kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë, pasi partia e tij fitoi zgjedhjet e 9 shkurtit.
Megjithatë, është e paqartë nëse Kurti i ka 61 votat e nevojshme për formimin e ekzekutivit.
“Mendoj se është herët të flasim për zgjedhje të jashtëzakonshme, por ajo është një alternativë nëse nuk krijohet shumica. Në fakt, mbetet e vetmja alternativë sipas Kushtetutës”, theksoi presidentja Osmani.
Sipas Kushtetutës, nëse Kurti s’arrin të formojë Qeverinë, atëherë Osmani ka detyrën brenda dhjetë ditësh t’i ftojë partitë për konsultime dhe të vendosë për mandatarin që ka shanset më të mëdha për të formuar Qeverinë.
Nëse as pas përpjekjes së dytë Qeveria nuk mund të formohet, presidentja Osmani, sipas Kushtetutës, duhet të shpallë zgjedhje të reja, që duhet të mbahen brenda 40 ditësh.
Më 21 tetor, Kurti la të kuptohet se LVV-ja mund të dështojë në formimin e ekzuekutivit, duke u shprehur se “siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”.
Partia e tij ka fituar 48 ulëse në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Nga kjo parti më herët kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit për formimin e Qeverisë me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Listës Serbe.
PDK-ja i ka 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 20 deputetë dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma ka tetë ulëse në Kuvend.
Komuniteti serb ka dhjetë vende të garantuara në Kuvendin e Kosovës – nëntë prej të cilave i fitoi Lista Serbe, ndërsa një vend e fitoi Nenad Rashiq nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Dhjetë vende të tjera parlamentare janë të rezervuara për komunitetet e tjera minoritare. DW/
Vuçiç: Serbia mund të hyjë në BE para 2030, por pavarësinë e Kosovës nuk e njoh kurrëPresidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ishte i ftuar mbrëmjen e së enjtes në RTS, ku foli për çështjet më të rëndësishme për qytetarët serbë, nga siguria dhe ekonomia, tek politika ndërkombëtare dhe zgjedhjet.
Vuçiç e komentoi incidentin e fundit para Asamblesë Kombëtare ku një person i vuri flakën tendës dhe qëlloi me armë, duke e cilësuar si një akt të njerëzve të dëshpëruar, që sipas tij nuk përfaqësojnë qytetarët e Serbisë.
“Të shtënat janë një lëvizje e personave të dëshpëruar. Ne e ruajtëm paqen, dhe kjo është më e rëndësishmja”, deklaroi presidenti serb.
Ai theksoi se Serbia nuk do të lejojë destabilizim të brendshëm dhe se prioriteti mbetet siguria dhe stabiliteti kombëtar.
Presidenti foli edhe për çështjet ekonomike dhe energjetike, përfshirë sanksionet ndaj kompanisë NIS dhe ndikimin e taksave të reja të BE-së ndaj çelikut të Smederevos. Vuçiç u shpreh se Serbia do të mbrojë interesat e saj energjetike dhe industriale, pavarësisht presioneve të jashtme.
Duke folur për procesin e integrimit evropian, Vuçiç theksoi se Serbia ka bërë përparim, pavarësisht pengesave politike.
“Brenda katër ose pesë vjetësh, do të kalojmë shumë vende që ishin përpara nesh. Në Parlamentin Evropian, ata miratuan një rezolutë me shumë më pak vota se ajo e mëparshmja, e cila ishte e keqe për Serbinë, dhe pati më shumë abstenime, dhe mund ta shihni se si po e humbasin forcën e tyre në luftën kundër Serbisë”, tha ai.
Ai kritikoi deputetët e Parlamentit Evropian për “papërgjegjësi” ndaj Serbisë dhe shtoi se nuk do të pranojë “gënjeshtra për përdorimin e topit zanor”.
“Unë e kam parë papërgjegjësinë e deputetëve evropianë, dhe unë nuk do t’i hyj çështjes se kush i paguan individët, as nuk ka rëndësi. Por është e tmerrshme kur e dënon këtë vend për përdorimin e një topi zanor, i cili as nuk është përdorur dhe ata e dinë këtë. Nëse përdoret topi zanor, unë nuk jam më president. Mos gënjeni dhe mos e mashtroni popullin. Këto janë gënjeshtrat me të cilat jam marrë gjithë jetën time, duke i demaskuar, sepse e di se si dhe nga vijnë. Dhe kjo bëhet në mënyrë që Serbia të disiplinohet, në mënyrë që të dëgjojmë më mirë dhe më lehtë sesa dëgjojmë sot. Por një popull i pabindur dhe presidenti i atij populli nuk do ta ndryshojnë politikën e tyre”, tha Vuçiç.
Vuçiç paralajmëroi se një luftë e drejtpërdrejtë midis Evropës dhe Federatës Ruse do të ishte “rreziku më i madh për njerëzimin”.
Ai kujtoi se Serbia nuk ka hapur asnjë kapitull të ri me BE-në që nga nisja e luftës në Ukrainë, duke shtuar: “Do të ishim kampionë bote nëse do të kishim vendosur sanksione ndaj Rusisë. Por Serbia ndjek politikën e saj të pavarur.
Duke folur për zgjedhjet lokale në Kosovë, Vuçiç tha se nuk është optimist për situatën aktuale të serbëve atje, por beson në një përmirësim në afat të gjatë.
“E përgëzova Listën Serbe për një rezultat të pamundur në kushte të pamundura, ku të gjithë të huajt punuan kundër tyre, kryesisht ata nga Perëndimi, por edhe mediat kryesore në Serbi. Ata njerëz i duruan të gjitha këto”, u shpreh presidenti.
Vuçiç përsëriti se nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, duke theksuar se kjo çështje mbetet kufiri i qartë i çdo negociate.
“Besoj se ata e kuptojnë që Serbia është e rëndësishme për BE-në. BE-ja është investitori më i madh, edhe pse shkalla e rritjes po bie. Është ende vendi më i mirë për të jetuar. Vitin e ardhshëm, do të ketë shumë ndryshime të mëdha gjeopolitike në botë. Do të jetë një surprizë në lidhje me hyrjen e Serbisë në BE, gjithçka po ndryshon. Besoj se ka një shans që ne të hyjmë para vitit 2030, por ekziston çështja e Kosovës dhe Metohisë, ku nuk mund ta pranoj pavarësinë, dhe nuk do ta pranoj”, deklaroi ai. Zoom.al/
Regjistrohet në KQZ kandidati i pavarur për bashkinë e BeratitSot është afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, në 5 bashkitë e vendit të cilat drejtohen me kryetarë të komanduar.
Kandidati i PS në Berat, Ervin Ceca ka dorëzuar dokumentet e kandidimit në KQZ. Por ndërsa na ndajnë edhe pak orë nga afati i fundit, Pablo Shkarpa është regjistruar në KQZ si kandidat i pavarur për këtë bashki. Ai ka plotësuar kriterin, duke mbledhur mbi 1 mijë firma të qytetarëve beratas.
Nevoja për zgjedhjet e pjesshme lokale erdhi pas dorëheqjeve të kryebashkiakëve të 5 bashkive ku një pjesë e tyre u bënë pjesë e parlamentit dhe qeverisë, ndërsa kryebashkiaku i Vlorës u dorëhoq. Zoom.al/
Vëllai dhe nëna humbën jetën në vend, ndërron jetë 6-vjeçarja që u plagos nga zjarri në MaliqVajza 6-vjeçare që ndodhej e shtruar prej disa ditësh në QSUT pas zjarrit tragjik në një banesë në Maliq, ka ndërruar jetë këtë të premte.
Banesa u përfshi nga tymi disa ditë më parë, ku mbetën të vdekur nëna, Merjeme Hazisllari dhe vëllai i saj, Luka.
Zjarri kishte rënë në një ambient kuzhine. Në momentet kur kanë mbërritur forcat zjarrfikëse, në ambientet jashtë u gjetën 2 fëmijët që ishin në gjendje të asfiksuar
Nëna humbi jetën në vendngjarje, ndërsa djali 14-vjeçar u transportua në gjendje kome në Spitalin e Korçës, ku më pas humbi jetën.
6-vjeçarja ndodhej në gjendje të rëndë prej ditësh dhe nuk ka arritur t’i mbijetojë dot plagëve të marra. Zoom.al/
Deputeti i Kosovës rrihet me qytetarin: Më ofendoiDeputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, është përfshirë në një incident fizik me një qytetar më 24 tetor, teksa ishte duke dhënë një intervistë.
Nga Policia thanë se palët e përfshira në konflikt janë duke u intervistuar.
Pas kësaj ngjarjeje, Zemaj ka kërkuar falje publike.
“Një qytetar, nuk e di a ishte e rastit apo me qëllim të caktuar, këtë do e vërtetojë policia, më ofendoi dhe më provokoi verbalisht me fjalë të papranueshme, para medias dhe gazetarit që ishim në intervistë. Në atë moment reagova në mënyrë të vetëmbrojtjes në afekt, gjë e cila nuk përfaqëson as bindjet e mia personale, as parimet që unë përfaqësoj si deputet dhe si anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, shkroi Zemaj në Facebook.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për kryeqytetin, Enis Pllana, tha për Radion Evropa e Lirë se ngjarja ndodhi rreth orës 15:00.
“Sot rreth orës 15:00 është pranuar informata për një konflikt fizik në sheshin Ibrahim Rugova në Prishtinë. Lidhur me incidentin palët e përfshira janë duke u intervistuar në polici”, tha Pllana.
Zemaj ishte duke dhënë një intervistë për Gazetën Blic, njoftoi udhëheqësi i kësaj media, Astrit Gashi.
Sipas gazetarit Gashi, pas incidentit fizik mes Zemajt dhe qytetarit është lajmëruar policia dhe autoritetet kanë marrë pamjet e xhiruara nga kamerat.
Në reagimin e tij, Zemaj tha se në raste të “fyerjeve të ulëta, sigurisht do duhej ta ruaja qetësinë”, duke shtuar se dhuna në çfarëdo forme “nuk është përgjigje e drejtë”.
“Për këtë veprim, shpreh keqardhje dhe kërkoj falje publike”, shkroi deputeti i LDK-së në Facebook.
Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar edhe LDK-ja, që e ka “dënuar ashpër sulmin e papranueshëm” ndaj Zemajt, që tha se jo vetëm që u “ofendua dhe provokua verbalisht”, por edhe “është përballur me sulm fizik ndaj tij”.
“Ky akt është i papranueshëm dhe përbën cenim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë personale të një përfaqësuesi të zgjedhur të popullit e të LDK-së dhe ndaj vetë integritetit të institucioneve demokratike të vendit”, u tha në reagimin e partisë së Zemajt.
Kjo parti u bëri thirrje organeve të rendit që të sqarojnë rrethanat e ngjarjes.
Media Periskopi, duke u thirrur në burime, raportoi se incidenti ndodhi kur Zemaj ishte duke dhënë intervistë në sheshin e Prishtinës dhe një qytetar iu drejtua me “po rren, mos rrej”. Zemaj, sipas raportimit, iu përgjigj “kush po rren” dhe e goditi qytetarin me grusht. Rel/
Kroacia rikthen shërbimin ushtarakParlamenti kroat votoi të premten për të rivendosur shërbimin e detyrueshëm ushtarak për të forcuar aftësitë mbrojtëse të vendit, mes një situate të shënuar nga lufta në Ukrainë.
Vendi hoqi rekrutimin ushtarak në vitin 2008, një vit para se të bashkohej me NATO-n dhe u mbështet te profesionistët.
Megjithatë, udhëheqja kroate ka theksuar se situata aktuale gjeopolitike kërkon rivendosjen e stërvitjes bazë ushtarake për të forcuar aftësitë mbrojtëse të vendit.
“Përballë çdo kërcënimi, mbrojtja e vendit është me rëndësi vendimtare”, u tha ligjvënësve disa ditë më parë Ministri i Mbrojtjes Ivan Anusic, nga partia konservatore në pushtet HDZ.
Nga fillimi i vitit 2026, rreth 18,000 të rinj (përjashtuar gratë) do të thirren çdo vit nga mosha 18 vjeç për dy muaj stërvitje. Ata do të kenë mundësinë të kryejnë tre ose katër muaj shërbim komunitar, duke përfshirë pjesëmarrjen në grupe të mobilizuara për t’iu përgjigjur fatkeqësive natyrore.
Për të miratuar masën, deputetët ndryshuan dy ligje. Një total prej 84 deputetësh (nga 151 anëtarë të parlamentit) miratuan ndryshimet në ligjin për mbrojtjen, ndërsa 110 ndryshuan ligjin për shërbimin në forcat e armatosura.
Ata që kryejnë shërbimin ushtarak do të marrin 1,100 euro në muaj. Për ata që zgjedhin shërbimin social alternativ, shuma nuk është specifikuar. Ata që përfundojnë shërbimin ushtarak do të kenë avantazhin e aplikimit për punë në sektorin publik.
Opozita e krahut të majtë tha se ligji diskriminon gratë dhe ata që zgjedhin mbrojtjen civile, pasi ato do të marrin një pagë më të ulët dhe nuk do të përfitojnë nga trajtimi i favorshëm për punët në sektorin publik.
Kroacia, me një popullsi prej 3.8 milionë banorësh, u bashkua me Bashkimin Evropian (BE) në vitin 2013. Zoom.al/
Kaloi “gardhin” për t’u bërë nënkryetare bashkie/ Reagon Nikollo: Më përjashtuan nga PDIsh-kryetarja e degës së PD-së në Sarandë, Manjola Nikollo ka reaguar për herë të parë, pasi ndryshoi qëndrime politike duke iu bashkuar Partisë Socialiste, duke u emëruar në postin e nënkryetares së Bashkisë së Sarandës.
Në një intervistë për mediat lokale, Nikollo thotë se ndihej e përjashtuar nga PD, pasi dha dorëheqjen për të garuar në primare, duke u mos u thirrur më në mbledhjet dhe organizimet e partisë. Ajo hedh akuza drejt deputetes Ina Zhupa, pasi sipas saj, krijoi frymën e përçarjes në degën e PD-së në Sarandë dhe manipuloi procesin e primares.
Sipas Nikollos, vendimi për t’u bërë pjesë e Bashkisë Sarandë nuk ka asnjë prapavijë politike dhe iu kërkon demokratëve që të kenë ende besim tek ajo.
“Të gjithë ju që keni qenë bashkudhëtaret e mi, i dini shumë mirë këto problematikat dhe përplasjet e brendshme që lindën në degën tonë. Përplasjet që u bënë për primaret për kandidatët për deputët për qarkun e Vlorës, i cili ishte një proces që u kontestua nga unë dhe disa demokratë në heshtje, pasi pati parregullsi dhe orientim të votës drejt zonjës Zhupa.
Zonja Zhupa nuk mundi të qëndronte kurrë në lartësinë e deputetes në këtë degë, ndikimi i saj tek anëtarët e PD-së lanë gjurmët e veta, shkaktuan përçarje, futën frymën e ndasisë mes demokratëve. Duke qenë se ishte deputete përdori ndikimin e saj tek anëtarësia dhe kjo prishi besimin dhe balancën në këtë proces. Pati ndërhyrje dhe manipulime të votimeve siç ishte rasti i Konispolit, i cili doli i pavlefshëm, apo mosdhënia e listave të anëtarëve që kishin të drejtën e votës.
Gjatë zgjedhjeve të fundit, duke qenë se unë nuk isha më kryetare e PD-së, për shkak se dhashë dorëheqje për shkak të udhëzimit të dalë nga qendra për primaret, u mor kjo dorëheqje si përjashtim i Manjolës nga angazhimi politik në këto zgjedhje. Çuditërisht nuk njoftohesha më në asnjë mbledhje dhe në asnjë takim të organizuar nga partia. Unë nuk e mohoj se jam demokrate. Posti i nënkryetares së Bashkisë së Sarandës më është ofruar për atë çfarë unë jam dhe atë çfarë unë përfaqësoj.
Manjola futet në atë bashki si demokrate. Të gjithë më njohin shumë mirë dhe më etiketojnë si Manjola e PD-së. Kur ke kurajon dhe kur do të mbrosh interesin publik, me integritet dhe ndershmëri, mund ta bësh dhe brënda institucioneve. Ajo që iu premtoj demokratëve, veçanërisht për ata demkokratë që e ndiej që i kam zhgënjyer, iu kam thyer zemrën, ju lutem kini besim. Jam realisht Manjola që ju keni votuar dhe mbështetur. Unë jam në shërbimin tuaj, në shërbim të qytetarëve. Jam zëri juaj në atë bashki. Premtoj që do të dal me kokën lart nga ajo Bashki dhe do të dal me kokën, ku do të mbroj interesat e qytetarëve. Jam këtu për të dhënë kontributin tim.” – deklaroi Nikollo. Zoom.al
Gazetarja jep detaje: Balluku nuk do ta festojë dot Shën ValentininGazetarja Anduena Llabani dha detaje për hetimet që SPAK po zhvillon ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Sipas Llabanit, hetimet kanë arritur një fazë të avancuar dhe përfshijnë bashkëpunëtorë të afërt të Ballukut, por jo familjarët e saj.
“SPAK dhe BKH po kontrollojnë aktivitetet e bashkëpunëtorëve të Ballukut. Nëse sekuestroni celularin e saj, provat do të jenë të pamohueshme”, tha Llabani, duke shtuar se pozitat e larta mund ta bëjnë dikë të pakujdesshëm.
Moderatorja nënvizoi se prokurori Dritan Prençi, i cili ka hetuar më parë dosjen e inceneratorëve, po ndihmon në këtë rast. Hetimet kanë sjellë të dhëna të rëndësishme që mund të çojnë në marrjen e Ballukut si të pandehur.
“Janë mbledhur prova që mund të përdoren për ngritjen e akuzave. SPAK është në momente vendimtare, por Balluku duket se nuk do ta festojë Shën Valentinin”, shtoi ajo me ironi.
Llabani theksoi gjithashtu se SPAK vepron nën mbikëqyrjen e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht SHBA-së./ Zoom.al
Albana Vokshi kritikon SPAK: Hetimi ndaj Ballukut shumë i vonuarDeputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka komentuar hetimin që SPAK ka nisur ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku.
Vokshi e konsideron këtë hetim si tepër të vonuar, duke theksuar se SPAK do të duhej të vepronte më herët, duke shmangur kështu pasoja të mundshme.
“Hetimi ndaj Ballukut duhet të kishte nisur më parë. Nëse do të ndodhë tani, është vonë”, u shpreh deputetja.
Ajo kujtoi se Partia Demokratike prej vitesh ka denoncuar Ballukun për përfshirje në disa prej skandaleve më të mëdha që kanë pasur kosto të lartë për buxhetin e shtetit.
“Pandëshkueshmëria e bëri të mundur që ajo të arrinte pozicionin e zëvendëskryeministres. Nëse SPAK do të kishte reaguar më herët, nuk do të përsëritej masakra elektorale e 11 majit.
Ajo është e zhytur në krim elektoral dhe korrupsion. Jo më kot zoti Berisha i ka vënë nofkën ‘Lubi Balluku’, sepse ajo ka vepruar pa limite”, tha Vokshi, duke përmendur prova të depozituara nga strukturat e PD-së në Fier.
Vokshi përmendi edhe pjesëmarrjen e Ballukut në disa nga aferat më të mëdha të qeverisë, përfshirë inceneratorët dhe tenderat e rrugëve, të cilat sipas saj kanë kushtuar shumë më tepër se standardet e BE-së./ Zoom.al