zoom

Day Archive“Ervis Martinaj është vrarë”/ Gazetari flet me emra për autorët

Familja e ish-“mbretit” të lojërave të fatit, Ervis Martinaj, kërkoi shpallejn zyrtarisht të zhdukur të tij. Gazetari Sokol Bregu, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, deklaroi se Martinaj nuk është gjallë.

“Nuk kemi asnjë lidhje logjike pse Martinaj është gjallë. Thonë se meqë u arrestua Aldo Avdyli e ka vrarë ky. Njeriu që e konfirmoi vdekjen e Martinajt, është gazetari Baton Haxhiu. Deklaratën e parë publike e ka bërë ai.

A është vrarë Martinaj? Po është vrarë, nuk vihet në diskutim. Aldo Avdylaj, apo Indrit Dokle?

Ai që e ka bërë këtë e di fare mirë.

Në zhdukjen e tij ka një inspektor policie që u arrestua. Emri të cilin nuk e përmenda, emri i tretë që përmendet, është Ervis Lami”, tha ndër të tjera Bregu.

Detaje të reja nga hetimet për Ervis Martinaj/ Lala: Një kriminel kërkoi të bëhej i penduar për të zbardhur zhdukjen

Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar detaje të reja lidhur me hetimet për zhdukjen e Ervis Martinajt, ngjarje që vijon të mbetet një nga misteret më të mëdha të botës së krimit në Shqipëri.

E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Lala tha se një person i njohur nga bota e krimit ka kërkuar të marrë statusin e të penduarit të drejtësisë, duke pretenduar se kishte dijeni për fatin e Martinajt.

Megjithatë, sipas saj, autoritetet nuk e kanë pranuar kërkesën, dhe rrjedhimisht dëshmia e tij nuk është marrë në konsideratë.

“Ka pasur një tentativë nga një person i rëndësishëm i botës së krimit për të marrë statusin e të penduarit, me pretendimin se dinte për fatin e Ervis Martinajt, por kjo nuk është pranuar. Nuk di pse,” – deklaroi gazetarja.

Ajo theksoi se Prokuroria e Lezhës, që ka në dorë dosjen nën drejtimin e Arben Nikës, nuk ka bërë përparime konkrete gjatë tre viteve të fundit. Hetimet janë kufizuar në marrjen e pamjeve filmike dhe pyetjen e personave që kishin dijeni për rastin, përfshirë edhe vajzën dhe policin që e shoqëronin Martinajn ditën e fundit para zhdukjes.

Mustafa Martinaj ka kërkuar shpalljen si të zhdukur të djalit të tij, Ervis Martinaj. Xhaxhai i Martinaj ka vajtur në polici në 2022 duke thënë se ka humbur kontaktet me Ervis Martinaj. Nga ai vit, për fatin e Ervis Martinajt nuk dihet asgjë. 

Babai i Martinajt ka kërkuar nga gjykata shpalljen si të zhdukur të djalit të tij. Në momentin që familjarët nuk kanë kontakt me familjarin, për një periudhë dy vite, iu lind e drejta, të kërkojnë shpalljen si të zhdukur dhe të kenë akses mbi të drejtat e tij pronësore. Në këtë aspekt, Mustafa Martinaj iu drejtua gjykatës pasi kanë kalur tre vite. Me short është zgjedhur gjyqtari dhe po e shqyrton.

Çfarë bën gjykata?

Shpallen njoftimet dhe qëndrojnë gjashtë muaj me rradhë, në këtë periudhë, nëse ndonjë person mund të kenë të dhëna që mund të informojnë për fatin e Martinaj, i bëhet me dije gjykatës. Nëse nuk ka të dhënë, gjyqtari plotësohet në treshe gjykuese dhe ndryshon procedura. 

Gjyqtarët u bëjnë shkresa institucioneve dhe nëse merr përgjgje negative prej tyre, Martinaj shpallet i zhdukur. Më pas, mund të kërkojë familja pas katër vitesh të tjera ta shpallë të vdekur. Shpallja si i vdekur, është procedurë më e vështirë dhe e koklavitur. Nëse më vonë del që ai jeton, ka pastaj problematika ligjore sa i përket ndjekjes së tij penale. Mendoj se koha do të jetë më e gjatë për të shkuar në këtë pikë.

Prokuroria e Lezhës, dosjen e ka drejtuesi Arben Nika. E vetmja gjë që është bërë në këto tre vite, përveç marrjes së kamerave dhe pyetja e personave që kanë patur dijeni, ka hetim të çelur zyrtar, dosja është në prokurori, është pyetur vajza që e shoqëronte, është dënuar edhe polici që e shoqëronte, por dosja është në gjendje të fjetur. As nuk është pezulluar dhe as nuk është kthyer. Prokuroria mund ta riaktivizojë me hetime të thelluara, nëse ka informacione.

Fakti që Martinaj në këto tre vite nuk ka asnjë sinjal, më bën të dyshoj që mund të jetë rrëmbyer dhe vrarë. Rasti i tij nuk është i thjeshtë, për shkak të personalitetit që kishte, përplasjeve të forta në botën e krimit dhe përplasje me mazhorancën përpara se të zhdukej. Ishte njeri i lojrave të fatit e me rradhë. 

Nuk ka të dhënë tjetër. Në informacionet që kam disponuar, ka patur tentativë të një personi, që mund të konsiderohet si njeri i rëndësishëm i krimit, që ka patur tratativë për të marrë statusin e të penduarit, nuk i është dhënë. Nuk di të them pse nuk i është dhënë statusi”, deklaroi Lala.

Raporti i ODIHR/ Lutfi Dervishi: Në PS nuk thanë gjysmë fjale, presim nga Diella

Gazetari Lutfi Dervishi deklaron se raporti i ODIHR për zgjedhjet e 11 majit tregoi se Shqipëria ka bërë hapa pas në këtë drejtim për shkak të kërcënimit të administratës, shitblerjes së votës apo edhe patronazhimit.

I ftuar në A2 CNN, Dervishi vuri në dukje se ende nuk ka një reagim nga mazhoranca për këtë raport, duke supozuar se ajo po pret të ndodhë diçka tjetër që të mos flitet për të. Me ironi, Dervishi shtoi se një mendim për këtë raport po e pret dhe nga ministrja dixhitale.

“Asgjë e re nga zgjedhjet. Nuk mësuam diçka që nuk e dinim nga ky raport. Në vitin 2025 ne kemi regres në zgjedhje. Regres te administrata, reagimi i policisë, patronazhimi. Kemi përkeqësim. Nuk më bën përshtypje raporti që ishte pak më i drejtpërdrejt. Për herë të parë u shkrua që zgjedhjet nuk i raportojnë mediat. Reagimet e para janë pesimiste ndaj këtij raporti. Përfaqësuesit e PS, që nuk lenë centimetër pa bërë postime, nuk kanë gjetur kohën për të folur për këtë raport. Reagimi është më i keq se vetë raporti, është neglizhencë që do të ndodhë diçka tjetër dhe nuk do të merremi aspak për të. Shpresojmë që të ketë ndonjë mendim Diella”, tha Dervishi

Një zemër që rreh, një jetë që frymon!

UNICEF & Platforma SMILE.al, bashkë në projektin e dhurimit të 10 inkubatorëve në disa maternitete të Shqipërisë.

Në sekondat e para të jetës, çdo tik-tak, çdo frymëmarrje, është një bekim. Shumë foshnja që lindin para kohe/prematurë dhe jo vetëm, ato sekondat e para janë pikërisht një betejë e mbijetesës. Një projekt i rëndësishëm dhe i jashtëzakonshëm i UNICEF, për këto jetë të brishta, u iniciua dhe realizua përmes dhuruesve të platformës SMILE.al dhe partnerëve të saj strategjikë. Blerja e inkubatorëve për të përmirësuar kujdesin shëndetësor ndaj të porsalindurve në Shqipëri, është tashmë një projekt që mori jetë falë empatisë dhe humanitetit njerëzor. Të lindurit me probleme në frymëmarrje do të gëzojnë kështu mundësinë e një trajtimi shumë të specializuar. Harta e dhurimit është përcaktuar me qëllimin për të pasur një shpërndarje sa më të gjerë: 2 inkubatorë & Cpap në maternitetin e Tiranës Koço Gliozheni si dhe 2 inkubatorë të tjerë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Ndërkohë pjesë e këtij projekti të rëndësishëm janë edhe qytetet si: Elbasani, Fieri dhe Peshkopia, respektivisht me 1 inkubator për secilin qytet. Spitali rajonal i Durrësit, Librazhdit dhe Pukës, ju mundësua dhurimi i 1 inkubatori respektivisht për secilin rajon spitalor.

Në ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve morën pjesë Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Evis Sala, përfaqësuesi i UNICEF Albania z. Murat Sahin, Drejtoresha e Fondacionit Credins, znj. Elvana Hana, si dhe drejtues të lartë të Abi Bankdhe Credins bank në statusin e partnerëve dhe kontribuesve të rëndësishëm në platformën SMILE.al. Në prani edhe të personelit shëndetësor, Genci Hyska, drejtor i maternitetit “Koço Gliozheni”, vlerësoi rëndësinë e këtij investimi të rëndësishëm, duke theksuar se kontributi i shqiptarëve, donatorëve të sektorit privat si dhe mbështetja e qeverisë shqiptare është thelbësore. Ai citoi se iniciuesi i këtij projekti, UNICEF, ka luajtur një rol të madh në përmirësimin e shërbimeve të maternitetit, sidomos në neonatologji. Nga ana tjetër, z. Murat Sahin, përfaqësues i UNICEF Albania, vuri në dukje rëndësinë e angazhimit të sektorit privat në çështje sociale duke cituar: “Kur nisëm bashkëpunimin me sektorin privat vitin e kaluar dhe u takuam me përfaqësues të platformës SMILE.al dhe Fondacionit Credins, kuptuam se ky partneritet mund të sillte një impakt real. Deri atëherë punonim vetëm me qeverinë, por tani kemi bashkuar forcat për të mbështetur 10 spitale në vend”. Si një projekt i një rëndësie jetike të veçantë, ai nuk ndalet vetëm te pajisjet, por gjithashtu edhe në ofrimin e asistencës teknike, zhvillimin e protokolleve standarde si dhe në trajnimin e stafit mjekësor për të garantuar një nivel më të lartë të shërbimeve ndaj foshnjave në nevojë. Ndërkohë znj. Elvana Hana, drejtoreshë e Fondacionit Credins, falenderoi përzemërsisht të gjithë donatorët që e bënë këtë projekt të mundur duke vënë theksin: “Dua të bëj një falënderim special për mbështetjen kryesore të dhënë nga Credins bank dhe Abi Bank. Nga ana tjetër dua të theksoj mirënjohjen time të veçantë për 124 individë që kontribuan përmes platformës online SMILE.al, të cilët mundësuan realizimin e projektit.”

Prej vitesh, platforma SMILE.al është kthyer në një simbol të solidaritetit dhe angazhimit social në Shqipëri. E njohur për realizimin e kauzave të rëndësishme që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e komunitetit vendas, SMILE.al nuk është thjesht një platformë dhurimi, por një urë e besimit mes individëve, biznesit dhe institucioneve publike, OJF, etj. Duke kthyer nevojat reale në prioritete konkrete, SMILE.al ka kontribuar vazhdimisht jo vetëm në zhvillimin e qëndrueshëm tëkomunitetit, por njëherazi edhe në integrimin e shtresave të margjinalizuara. Me transparencë, përkushtim dhe vizion të qartë, sot kjo platformë rendit projekte të realizuara me shumë sukses në shumë fusha, si: arsimi, turizmi, trashëgimia kulturore, arti, sporti, mjedisi, teknologjia, etj. Ndaj edhe mbështetja e projektit të UNICEF erdhi me entuziazmin dhe bindjen se çdo frymëmarrje e çdo foshnje është një e drejtë sublime e merituar dhe jetike. Zoom.al/

Ndarja e bujshme me Arbenitën/ Fero: S’kam folur keq për të

Reperi i njohur nga Kosova, Fero, ka folur hapur për ndarjen e tij të bujshme nga modelja Arbenita Ismajli, duke sqaruar raportin që ka aktualisht me të dhe vajzën e tyre, pas akuzave të rënda që kanë hedhur ndaj njëri-tjetrit.

Artisti tha se ka më shumë se një vit që nuk e ka parë vajzën e tij, ndërsa ka bërë përpjekje të shumta për ta takuar.

“Qëllimi im është vetëm të shoh vajzën, është bërë një vit. Dita e fundit ka qenë 5 tetor. Kam tentuar shumë herë ta takoj vajzën në mënyra të ndryshëm dhe nuk ka mundur”, tha ai në “Mirembrema Yje”.

“Nuk kam fol keq për të,  ajo është nëna e vajzës time. Njerëzit e mi e dinë këtë. Por kur ke kaq shumë kohë që nuk e ke takuar vajzën, nga emocionet ka shpërthyer veç me pa vajzën ka ndodhur që kur jam ndjerë keq emocionalisht ka thënë ndonjë fjalë të pahijshme, për të cilat i kërkoj falje”, tha reperi.

Ai gjithashtu deklaroi se është mashtruar në një marrëveshje që kishte nënshkruar, duke besuar se ajo do t’i mundësonte kontakt me vajzën.

“Nënshkrova një marrëveshje që ajo të kishte të drejta dhe unë të takoja vajzën, aty u mashtrova nga motra e Presidentes kur u takova më të. Premtimi që ajo më ka dhënë është që unë të takoj vajzën dhe unë në bazë të premtimin nënshkrova marrëveshjen që më ka kushtuar shumë sepse akoma nuk mund ta takoj vajzën”,tha Fero.

Fero: Nuk kam fol keq për të,  ajo është nëna e vajzës time. Njerëzit e mi e dinë këtë. Por kur ke kaq shumë kohë që nuk e ke takuar vajzën, nga emocionet kam shpërthyer veç me pa vajzën. Ka ndodhur që kur jam ndjerë keq emocionalisht kam thënë ndonjë fjalë të pahijshme, për të cilat i kërkoj falje. Qëllimi im është vetëm të shoh vajzën, është bërë një vit. Dita e fundit ka qenë 5 tetor 2024.

Kam tentuar shumë herë ta takoj vajzën në mënyra të ndryshme dhe nuk kam mundur. Më është dashur të ndërmarr hapa nga institucionet e Kosovës. Kam kërkuar përgjigje prej tyte. Vendimi është që ta takoj 4 ditë në muaj, në fundjavë. Nuk është zbatuar vendimi… Është lëshuar urdhërarrest për të në Kosovës, tani kanë marr vendimet e veta për fletarresti ndërkombëtar. Vajza nuk ka ardhur në Prishtinë që prej vitit të kaluar. Ajo është larguar edhe me ndihmën e motrës së presidentes.

Unë jam vetë i lidhur me nënën time dhe nuk do doja që ajo të mos e kishte. Nënshkrova një marrëveshje që ajo të kishte të drejta dhe unë të takoja vajzën, aty u mashtrova nga motra e Presidentes kur u takova më të. Premtimi që ajo më ka dhënë është që unë të takoj vajzën dhe unë në bazë të premtimin nënshkrova marrëveshjen që më ka kushtuar shumë sepse akoma nuk mund ta takoj vajzën.

Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet/ Bylykbashi: Kthim pas 35 vite

Sipas raportit final të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit në Shqipëri, garës së listave të kandidatëve i mungoi një fushë e barabartë për të gjithë, ndërkohë që u evidentuan përdorim i burimeve shtetërore në fushatë, presion mbi votuesit dhe mungesë e ndarjes së qartë mes shtetit dhe partisë në pushtet.  

Deputeti i opozitës Oerd Bylykbashi përmendi këto gjetje, duke e cilësuar kthim pas në të cilin Shqipëria rikthen modelin e partisë-shtet.

“Në 1990 u vendosën tri standarde: ndarja e shtetit nga partia në pushtet; zgjedhje të lira; garues të barabartë. Në 2025, raporti i ODIHR vulos se ato standarde nuk u respektuan,” deklaroi Bylykbashi. Referuar analizës së tij:

• Kufiri ndarës mes shtetit dhe partisë në pushtet u zhduk.

• Fusha e lojës ishte e pabarabartë.

• Partia Socialiste, si forcë në pushtet, përfitoi nga qenia në qeveri për të fituar avantazh në zgjedhje.

• U ushtrua presion mbi votuesit, veçanërisht në administratën publike.

Bylykbashi përmendi gjithashtu se nuk mund të flitet për garë të drejtë e të barabartë kur kundërshtari është vetë shteti. Aq më pak kur partia-shtet është në aleancë zgjedhore me kartelët e kokainës e heroinës,” duke aluduar në akuzat për ndikim kriminal gjatë procesit zgjedhor.  

Ai përfundoi se, ndërsa 35 vjet më parë me Dokumentin e Kopenhagenit u vendosën standardet për zgjedhjet demokratike, “tani po shohim rikthimin e modelit të partisë-shtet nën kryesinë e Edi Rama dhe trashëgimtarëve të modelit të dikurshëm të Partisë së Punës”.

Raporti i ODIHR shënon se procesi në tërësi ishte profesionist dhe konkurrues, por ndodhi në një ambient të thellë të polarizuar dhe garuesit nuk shijuan fushë loje të barabartë.  

Postimi i plotë i Oerd Bylykbashit: 

ODIHR vë vulën: Kthim pas 35 vite

1990, sapo ra Komunizmi, OSBE caktoi standartin bazë për zgjedhje të lira dhe të drejta: 

– Shteti duhet te ndahet nga partia në pushtet.

– Zgjedhjet duhet të jenë të lira.

– Garuesit duhet të kenë barazi në garë.

2025, OSBE/ODIHR damkos zgjedhjet në Shqipëri: 

– U zhduk kufiri ndarës mes shtetit dhe partisë në pushtet.

– Fusha e lojës ishte e pabarabartë.

– Partia Socialiste përfitoi nga qenia në pushtet për të fituar avantazh në zgjedhje.

– U ushtrua presion mbi zgjedhësit.

Pra më 11 maj, sipas ODIHR zgjedhjet nuk ishin as të lira dhe as të drejta. Sepse nuk mund të ketë garë të drejtë e të barabartë kur në zgjedhje kundërshtar është shteti. Aq më pak kur partia shtet është në koalicion zgjedhor me kartelet e kokainës dhe heroinës.

35 vite pas Dokumentit të Kopenhagenit që vuri standartet për zgjedhje demokratike, Edi Rama dhe trashëgimtarët e Partisë së Punës rikthyen partinë shtet. Zoom.al/

Osmani: Koha që Ballkani Perëndimor të shihet si potencial, jo si barrë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se është koha që rajoni i Ballkanit Perëndimor të shihet nga Bashkimi Evropian si potencial e jo si barrë.

Gjatë një bashkëbisedimi në një universitet në Berlin, Osmani tha se procesi i zgjerimit të BE-së duhet të shihet si domosdoshmëri strategjike e vetë bllokut evropian dhe jo të varet nga çështjet politike që kanë shtetet individuale.

“Mendoj se zgjerimi duhet të shihet nga një pikëpamje më e gjerë. Nëse e shihni Ballkanin Perëndimor si rajon, mendoj se është koha që ne të shihemi si potencial e jo si barrë”, tha Osmani.

Ajo u pyet lidhur me një propozim të paraqitur së voni që shtetet e reja anëtare mund të pranoheshin, nuk do të kishin të drejta të plota si dhe nëse e përkrah heqjen e fuqisë së vetos brenda Këshillit të BE-së.

Ajo tha se e favorizon këtë sepse, shtoi, “kemi parë shpesh kur një vend anëtar bllokon vullnetin e gjithë BE-së”.

Presidentja e Kosovës tha se BE-ja duhet ta shohë Ballkanin Perëndimor si potencial, pasi rajoni, sipas saj ofron tri potenciale të rëndësishme: potencialin njerëzor, atë ekonomik dhe atë të sigurisë

“Sa më shumë që rajoni ynë lëvizë drejt BE-së, aq më shumë do të ketë paqe dhe siguri. Dhe kjo është e mirë për gjithë BE-në dhe kontinentin”, tha Osmani.

Presidentja Osmani tha se gjithmonë ka thënë se ka mbështetur që procesi i zgjerimit të bazohet në merita dhe shtetet duhet të përshtatin politikën e tyre të jashtme dhe të sigurisë me të BE-së. Kosova, tha ajo, e ka përshtatur 100 për qind politikën e saj, duke përmendur sanksionet ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Megjithatë, ajo tha se në rajon ka shtete që nuk veprojnë kështu – referencë për Serbinë, e cila pavarësisht se ka mbështetur rezoluta të Kombeve të bashkuara që dënojnë agresionin rus në Ukrainë, shteti refuzon të vendosë sanksione ndaj Moskës.

“Nuk mund të ulesh në dy karrige njëherësh, nuk duhet të ketë një zonë gri”, porositi Osmani.

Nga shtetet e Ballkanit, vetëm Kosova është prapa në rrugën evropiane, pasi është vendi i vetëm që nuk ka as statusin e vendit kandidat.

Prishtina ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor të vitit 2022. Megjithatë, ky aplikim ende nuk ka kaluar as në fazën e parë formale, atë të shqyrtimit nga Këshilli i BE-së dhe më pas dërgimit për opinion në Komisionin Evropian.

Gjatë ligjëratës në këtë universitet, por edhe në bashkëbisedimin që pasoi, Osmani përsëriti akuzat Rusia po tenton të minojë demokracitë në Evropë.

“Serbia, bashkëpunëtorja e Rusisë vazhdimisht tenton të minojë sovranitetin e Kosovës përmes destabilizimit, dezinformimit dhe duke mbështetur grupe kriminale dhe terroriste”, tha Osmani.

Osmani së voni ka përsëritur qëndrimin e saj se Serbia dhe Rusia paraqesin kërcënim për Kosovën. Rel/

Përplasja për aksionet e aeroportit/ Pacolli ia kalon fajin noteres: Ka bërë deklarime të pavërteta!

Behgjet Pacolli ka bërë një deklaratë publike në rrjetet sociale ku akuzon noteren Vjollca Selimi se ka “ndërmarrë veprime të kundërligjshme dhe në mënyrë të fshehtë” dhe se çdo lajm që qarkullon për problematika në Aeroportin e Vlorës, janë si pasojë e saj e veprimeve të saj.

Behgjet Pacolli përmes një deklarate të gjatë shprehet se noterja në Tiranë, Valbona Selimi, pretendon se palët kanë qenë të pranishme gjatë nënshkrimit të aktit të transferimit të aksioneve nga MABCO Construction SA në shoqërinë “2A”.

Por Pacolli e mohon këtë duke thënë se as ai vetë dhe as ndonjë person i autorizuar nga MABCO Construction SA, me seli në Lugano, pronare e 98% të aksioneve të cilat rrjedhin nga investimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, nuk kemi qenë ndonjëherë në zyrën e saj.

Pacolli ka akuzuar edhe ish-administratorin e aeroportit të Vlorës, Valon Lluka, të cilin e akuzon për veprime joligjore.

“Theksoj se ky akt noterial përbën një element themelor të veprimtarisë së dyshuar të kundërligjshme të ndërmarrë nga z. Valon Lluka @ co., me të cilin, në fillim të muajit prill, ka tentuar te realizoi transferimin e 47% të aksioneve, duke e mbajtur atë të fshehur deri në momentin kur është zbuluar rastësisht kater muaj me vone 18 gusht 25, në dokumentacionin e ish–administratorit të shoqërisë VIA, thotë Pacolli.

Deklarata e plotë e Pacollit:

Gjithë perfolje e situatë në lidhshmeri më VIA ka ardhur si pasojë e veprimeve të papërgjegjshme dhe të dyshuara të kundërligjshme të noteres Vjollca Selimi, të ndërmarra në mënyrë të fshehtë dhe në mungesë të plotë të palës së ligjshme.

Në respekt të së drejtës për informim të opinionit publik, deklaroj sa vijon: Sipas njoftimeve të publikuara sot në media, noterja në Tiranë, znj. Valbona Selimi, ka pretenduar se palët kanë qenë të pranishme gjatë nënshkrimit të aktit të transferimit të aksioneve nga MABCO Construction SA në shoqërinë “2A”.

Me këtë rast, sqaroj publikisht se as unë dhe as ndonjë person i autorizuar nga MABCO Construction SA, me seli në Lugano, pronare e 98% të aksioneve të cilat rrjedhin nga investimi në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, nuk kemi qenë ndonjëherë në zyrën e saj, nuk e kemi takuar noteren Selimi, nuk kemi pasur asnjë komunikim me të apo me përfaqësues të saj dhe nuk kemi nënshkruar asnjë dokument apo prokurë në praninë e saj. Madje, deri më sot, nuk kemi dijeni se ku ushtron aktivitetin e saj noterial.

Megjithatë, në një akt noterial të vitit 2023, ( qe noterja e perdore joligjerisht si pjese e dokumentacionit për trensfer të pronës) të cilin ajo e cilëson si prokurë, noterja Selimi ka përfshirë deklarime të pavërteta, duke pretenduar me shkrim se unë, Behgjet Pacolli, paskam qenë fizikisht i pranishëm në zyrën e saj, ajo paskësh kryer identifikimin tim, më paskësh lexuar aktin në prani të një përkthyeseje të gjuhës angleze dhe se, pas miratimit tim, paskam nënshkruar dokumentin përkatës.

Këto pretendime janë plotësisht të rreme. Unë nuk e njoh noteren Selimi, une nuk kam qene asnjehere ne zyret apo ambientet e saj nuk kam dijeni për ekzistencën e një përkthyeseje të tillë dhe asnjë tekst nuk më është lexuar apo paraqitur ndonjëherë nga ajo ose nga ndonjë person tjetër në lidhje me aktet e përmendura.

Në vijim, theksoj se ky akt noterial përbën një element themelor të veprimtarisë së dyshuar të kundërligjshme të ndërmarrë nga z. Valon Lluka @ co., me të cilin, në fillim të muajit prill, ka tentuar te realizoi transferimin e 47% të aksioneve, duke e mbajtur atë të fshehur deri në momentin kur është zbuluar rastësisht kater muaj me vone 18 gusht 25, në dokumentacionin e ish–administratorit të shoqërisë VIA.

Ky akt i kryer në mënyrë të fshehtë përbën burimin dhe shkakun fillestar të kësaj situate me të cilën po përballemi sot. Zoom.al/

I dyshuar për akte terroriste, Imran Hosein i ndalohet hyrja në Shqipëri

Një person i cilësuar i rrezikshëm për sigurinë e vendit, për vepra të terrorizmit është ndaluar këtë pasdite në Rinas që të hyjë në republikën e Shqipërisë.

Sipas mediave, bëhet fjalë për predikuesin fetar Imran Hosein. Ai ishte nisur nga Amerika e Jugut , Triniadad drejt Shqipërisë për një agjendë fetare, por autoritetet e sigurisë kanë pasur ndaj tij informacione që lidhen me akte terrorizmi dhe për këtë arsye policia kufitare nuk ka lejuar që ai të hyjë në Shqipëri.

Aktualisht po mbahet në Rinas derisa të finalizohet rikthimi i tij nga vendi ku u nis.

Hosein është studiues dhe predikues islam nga Trinidad & Tobago, i njohur për komentet mbi eshatologjinë islame (shenjat e fundit të kohës) dhe çështjet botërore moderne. Autor librash dhe ligjërues ndërkombëtar mbi ekonomi islame, politikë globale dhe interpretimin e ngjarjeve bashkëkohore në dritën e Kuranit.

Ndër temat kryesore për të cilat ai flet lidhen me Israelin. Hosein argumenton se Izraeli nuk është vetëm një shtet politik, por pjesë e një procesi historik dhe profetik që lidhet me përfundimin e botës në terminologjinë islame.

Nga ana tjetër edhe disa dijetarë dhe institucione islame e kanë kritikuar për interpretim të diskutueshëm të haditheve dhe qëndrime të pazakonta ndaj temave të caktuara. Zoom.al/

Tjetër rrjedhje nga demokratët/ Ish-kryetarja e PD Sarandë emërohet nënkryetare bashkie

Ish-kryetarja e Partisë Demokratike në Sarandë, Manjola Nikollo, ka marrë detyrën e re si nënkryetare e Bashkisë së Sarandës, që drejtohet nga Oltion Çaçi.

Nikollo kishte dhënë më parë dorëheqjen nga drejtimi i PD-së në Sarandë për të marrë pjesë në primaret e partisë, por më pas nuk u përfshi në listën e hapur të PD-së për qarkun e Vlorës, më 11 maj 2025.

Kjo lëvizje vjen pas një serie emërimesh të ish-anëtarëve të PD-së në poste të administratës socialiste. Në janar të këtij viti, ish-kryetari i Forumit Rinor të PD-së, Jolio Dine, u emërua drejtor i Shërbimeve në Bashkinë e Sarandës, ndërsa Megi Balliu, anëtare e Kryesisë së PD-së, iu bashkua Agjencisë Kombëtare të Rinisë.

Po ashtu, disa muaj më parë, Genc Deromemaj, ish-kryetar i degës së PD-së në Vlorë, u emërua në krye të Kadastrës së Vlorës.

Ndërsa ish-deputetja Zheni Gjergji u emërua vetëm pak ditë më parë drejtoreshë e spitalit rajonal të Elbasanit./ Zoom.al