zoom

Day ArchiveMacron lë në baltë Shqipërinë: Çdo bisedë që të hyjë në BE është një dhuratë për Le Pen

Dielli perëndon mbi Macronin si vizionari kryesor i Europës. Presidenti francez, mes telasheve të brendshme, ka humbur ambiciet dhe ndikimin e tij brenda Bashkimit Europian.

Nga CLEA CAULCUTT, NICHOLAS VINOCUR, GIORGIO LEALI dhe TIM ROSS për POLITICO.EU

Ndërsa Emmanuel Macron i afrohet muzgut të presidencës së tij, ai mund të vazhdojë të skicojë plane madhështore për Europën, por aftësia e tij për t’i kthyer ëndrrat në realitet është zbehur ndjeshëm.

Presidenti francez do të mbërrijë në Bruksel për një samit kyç të Këshillit Europian të enjten, me reputacionin e tij si “njeriu i ideve” të kontinentit tashmë të zëvendësuar nga një imazh i ri: “shkatërruesi i festës”.

Ndërsa liderët e Bashkimit Europian mblidhen për të hartuar strategjinë përballë krizave ekzistenciale — nga frenimi i ngritjes së së djathtës ekstreme deri te parandalimi i një marrëveshjeje të keqe Trump-Putin mbi Ukrainën — ata nuk mund të mbështeten më në idetë madhështore të Macronit.

Bisedat me 10 diplomatë dhe zyrtarë nga e gjithë BE-ja, të cilëve u është garantuar anonimiteti për të folur hapur mbi fatin politik të presidentit francez, sugjerojnë se problemet e tij të brendshme dhe fokusi në trashëgimi e kanë kthyer atë nga një motor i integrimit në një pengesë për të.

Shembujt e fundit

Propozimi i presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen për një “mur dronësh” që do të mbronte qiellin europian nga dronët gjithnjë e më kërcënues rusë?
— Jorealist, sipas Macronit.

Ideja e presidentit të Këshillit Europian António Costa për të thjeshtuar procesin e anëtarësimit në BE duke hequr nevojën për unanimitet?
— Jo, Franca nuk dorëzon fuqinë e vetos.

Të bëjmë planetin tonë të madh sërish?
— Ndoshta një ditë. Por tani nuk është momenti për direktivën e “kujdesit të duhur” që do të detyronte kompanitë të monitoronin zinxhirët e tyre të furnizimit për abuzime me të drejtat e njeriut dhe mjedisin. As për objektivat e klimës për vitin 2040.

Në muajt e fundit Macron është bërë më i kujdesshëm, duke hezituar për çdo propozim që mund të ndezë pakënaqësi në Francë, dhe më i ndjeshëm ndaj iniciativave që nuk i kontrollon personalisht. Franca është përqendruar më shumë në “shkurtimin e burokracisë”.

Kohët e fundit ai ka shtyrë për më shumë masa kontrolli ndaj emigracionit, për reduktim të dokumentacionit administrativ, si dhe ka lobuar për rregulla të reja që kufizojnë qasjen e fëmijëve në rrjetet sociale dhe për përjashtime për industrinë e automobilave nga objektivat e gjelbër. Nuk janë më këto ëndrrat europiane të dikurshme.

“Ky Macron është përpirë nga telashe të brendshme,” tha një diplomat i BE-së. “Ai nuk është më kampioni europian që njihnim.”

Nuk është më i njëjti “Manu”

Sa i përket ndryshimeve që ka pësuar Bashkimi Europian gjatë dekadës së fundit, është e vështirë të nënvlerësohet ndikimi dhe parashikimi i Macronit.

Duke folur në Universitetin Sorbonne në vitin 2017, ai bëri thirrje për një Europë më të fuqishme që të mos varej më nga partnerët e jashtëm — as për mallra të prodhuara, as për mbrojtjen e saj.

Në atë kohë thirrja e tij ra në vesh të shurdhër. Sot, megjithatë, Komisioni Europian dhe liderët në të gjithë bllokun predikojnë “autonominë strategjike” të Macronit, ndërsa përpiqen të diversifikohen nga Kina dhe të forcojnë kapacitetet ushtarake të kontinentit përballë agresionit rus dhe tërheqjes ushtarake amerikane.

Macron fitoi nofkën “think-tankeri kryesor i BE-së”, dhe stuhia e ideve dhe iniciativave të tij për reformimin e Europës përcaktoi fillimin e mandatit të tij si lider në arenën botërore.

Por, duke ardhur në tetor 2025, politika dhe trashëgimia personale janë bërë faktorë dominues në llogaritjet e Macronit.

Shembulli i zgjerimit

Macron është parë prej kohësh si mbështetës i anëtarësimit të vendeve të reja në BE, për ta forcuar ekonomikisht dhe gjeopolitikisht bllokun. Ai udhëhoqi krijimin e Komunitetit Politik Europian në vitin 2022 — një “dhomë pritjeje” për vendet aspirante — dhe një vit më vonë premtoi t’i sillte ato “sa më shpejt të ishte e mundur” në Union.

Prandaj, aleatët e tij u çuditën kur Franca kundërshtoi propozimin e Costës për t’i hequr Viktor Orbán-it të Hungarisë fuqinë e vetos në pjesë të procesit të anëtarësimit. Një figurë e rëndësishme nga grupi Renew i Macronit në Parlamentin Europian e quajti këtë vendim “në kundërshtim të plotë me angazhimet e mëparshme të Macronit”.

“Është një gabim themelor,” tha ai.

Sipas një aleati të afërt të presidentit, Macron thjesht nuk ka më kapital politik për të mbështetur ambiciet e veta, sidomos ato që mund të ushqejnë euroskeptikët dhe të djathtën ekstreme të Marine Le Pen.

“Nuk është momenti i duhur, kemi të djathtën ekstreme që na fryn pas qafës,” tha ai.
“Çdo bisedë për Shqipërinë apo Malin e Zi që hyjnë në BE është një dhuratë për Le Pen-in,” shtoi ai, duke theksuar se fermerët francezë do të ishin të parët që do të dilnin në protesta kundër pranimit të gjigantit bujqësor Ukrainë.

Rënie e ndikimit

Ndikimi në Bruksel është bërë viktimë e kaosit në Paris. Macron ka ndërruar pesë kryeministra në më pak se dy vjet dhe ishte gati të kërkonte një të gjashtë, pasi kryeministri aktual Sébastien Lecornu dha dorëheqjen pas vetëm 14 orësh në detyrë. Macron e riemëroi atë, dhe kriza u fashit përkohësisht.

Edhe pse qeveritë franceze të njëpasnjëshme kanë ndarë qëndrime të ngjashme mbi çështjet e BE-së, rënia e tyre e shpejtë e ka bërë Francën gjithnjë e më pak ndikues në Bruksel.

“Nëse ke një qeveri që nuk funksionon për një vit e gjysmë, natyrisht që ke më pak ndikim në vendimmarrje,” tha një diplomat i BE-së nga një vend tjetër.

Ky lëkundje e bën më të vështirë ndërveprimin gjatë takimeve të ministrave, shtoi ai. Gjithashtu e vështirëson përgatitjen dhe shpërndarjen e dokumenteve të rëndësishme të politikave para takimeve ministrore — atyre që zakonisht udhëheqin agjendën dhe përfaqësojnë prioritetet kombëtare.

Ndërsa Macron i afrohet fundit të presidencës, ai mund të vizatojë ende ndonjë ide të madhe për Europën, por aftësia për t’i kthyer ato në realitet është, në fakt, zbehur.

Edhe nëse arrin të bëjë një tjetër “shpëtim të madh” politik dhe të stabilizojë një qeveri të qëndrueshme me një buxhet të miratuar, e vërteta e dhimbshme për ata që punojnë në institucionet dhe ambasadat e BE-së është se ndikimi i Macronit është dobësuar ndjeshëm — dhe se projekti i tij pro-europian ka marrë fund.

Diplomatët nga vendet e tjera tashmë flasin për Macronin në kohën e shkuar, duke e përmendur si “trashëgimi”, edhe pse ai nuk pritet të largohet nga posti para vitit 2027.

“Ai ishte diçka e veçantë,” tha njëri prej tyre për Politico. Përgatiti në shqip Zoom.al

Plumbi që del nga goja!

(Reflektim mbi një tragjedi që Konica e parashikoi një shekull më parë)

Nga Lutfi Dervishi

“Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… ata që nuk kanë frikë nga plumbi, dridhen nga Valiu.”

Faik Konica, Vepra 1, f. 271-272

Një shekull më parë, Faik Konica dukej sikur e njihte mirë “kafen e fundit”. E përshkroi, siç dinte ai, një trimëri që ndizet për fjalë të kota e shuhet për ide të mëdha. Sot, në Manëz, u vranë dy të rinj për një filxhan, që nuk u mbush dot me kafe.

Dy jetë më pak. Dy familje në zi. Një qytet i shokuar dhe një shoqëri që pret gjëmën e radhës.

Pse?

Pse vritemi kot?

Për një shezlong?

Për një vend parkimi?

Për një gërvishtje makine?

Për një “pse më pe”?

Për një vijë uji?

Për…pse ke ndezur dritat e gjata të makinës?

Për një fjalë?

Pse ky reagim primitiv që ndizet më shpejt se ekspresi i kafesë?

A është ngjarja në Manëz krim apo pasqyrë e një sëmundjeje të shoqërisë?

Në çdo “debat” televiziv, në çdo përballje në Parlament, në çdo status në Facebook, në çdo sherr në rrugë, e njëjta frymë, e njëjta ngafurrje: “E di ti kush jam unë?!”

Kjo ngrefosje që nuk njeh as rregull, as autoritet, por vetëm maninë për t’u ndjerë “trim” mbi tjetrin, është plumbi i vërtetë.

Kultura e dhunës e ka vënë përfund kulturën e dialogut. Arroganca dhe kapërdisja i kanë hapur udhë vetëgjyqësisë.

Policia vjen pas krimit, por krimi nis në mendje. Dhe në mendje nuk patrullon askush.

Duhet çarmatosur mendja, përpara se të ndëshkojmë vetëm armëmbajtjen.

Duhen edukuar fëmijët, jo me “po ti ku i kishe duart?, por me “mos i fol askujt keq”…

Konica nuk do të turpërohej sot. Ai thjesht do të zhgënjehej duke lexuar lajmet e ditës. Ai nuk do të pyeste: “Si arriti shqiptari ta bëjë plumbin më të shpejtë se fjalën dhe logjikën?”

Ai do të thoshte: “Ja ku jeni! Nuk keni më frikë nga Valiu, por as keni më respekt për jetën. Trimëria juaj nuk u bë kurrë e artë. Ajo mbeti e teneqejtë. Dhe tani, një shekull më pas, ajo po vret veten.”

Vritemi për një filxhan kafe, sepse më parë kemi vrarë mendimin. Kemi vrarë fjalën! Dhe kur fjala vdes, as jeta nuk ka më çmim!

Një shekull më parë, Konica e pa këtë plagë dhe e quajti “trimëri teneqeje”.

Një shekull më pas, kjo teneqe tingëllon çdo ditë në ekranet tona, në rrjetet tona, në rrugët tona.

Derisa të mësojmë ta duam jetën më shumë se “krenarinë”, çdo filxhan kafe mund të bëhet kafe morti.

Këto shenja Horoskopi do të përballen me surpriza në nëntor

Muaji nëntor vjen me energji të reja dhe ndryshime të papritura për disa shenja të zodiakut.

Ndikimi i stinës së vjeshtës dhe i pozicioneve planetare nxit transformime të thella personale, që nga reflektimet e brendshme e deri te ndryshimet në pamje apo jetë profesionale.

Astrologët thonë se për katër shenja në veçanti, ky muaj bëhet momenti kyç për të lënë pas versionin e vjetër të vetes dhe për të përqafuar një identitet të ri me më shumë vetëdije dhe vetëbesim.

Zbulo më poshtë nëse je pjesë e këtij ndryshimi:

Binjakët

Këtë muaj, binjakët përballen me pyetje të mëdha mbi jetën, identitetin dhe dëshirat e tyre më të thella. Procesi i reflektimit sjell një maturim emocional dhe një ndjesi më të qartë për atë çfarë kanë realisht nevojë. Ndryshimet mund të përfshijnë pamjen, mënyrën e komunikimit, madje edhe mënyrën se si ndërtojnë marrëdhënie të reja. Një transformim që ndodh nga brenda dhe reflektohet jashtë.

Luani

Luani, gjithmonë në qendër të vëmendjes, këtë herë kërkon një mënyrë të re për ta treguar veten. Nëntori sjell dëshirën për t’u shfaqur ndryshe, qoftë përmes një stili të ri veshjeje apo një qëndrimi më të ekuilibruar. Është koha për ta ripërtërirë imagjinatën dhe për të provuar diçka ndryshe, duke mahnitur edhe veten.

Virgjëresha

Për Virgjëreshat, transformimi vjen përmes një pauze të merituar nga kërkesat e larta që i vendosin vetes. Nëntori sjell reflektim dhe pyetje thelbësore: Çfarë më përmbush realisht? Nga një marrëdhënie më e thellë e deri te ndryshimet në pamje, gjithçka fillon me një vendim të thjeshtë: të lesh pak më shumë hapësirë për veten.

Ujori

Pas një periudhe intensive në punë, ujorët ndihen të konsumuar dhe të etur për një ndryshim. Ky muaj i shtyn drejt eksplorimit të gjërave të reja, nga një tatuazh spontan, një udhëtim i papritur apo një ndryshim në stilin personal. Ky është momenti për të rikthyer balancën dhe për të jetuar me më shumë spontanitet. Zoom.al/

“Mega-aferë korruptive”/ Gaz Bardhi nxjerr dokumentet e firmosura nga Balluku për Aeroportin e Vlorës

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka publikuar një deklaratë të fortë ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, duke e cilësuar atë “firmën dhe emrin e çdo afere korruptive të qeverisë së Edi Ramës”.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi e ka quajtur koncesionin e Aeroportit të Vlorës një mega-aferë të provuar me dokumente shtetërore si një procedurë fiktive, me kompani fiktive dhe me veprime në mashtrim të ligjit.

Sipas tij, dokumentacioni zyrtar i firmosur nga Balluku tregon se kompanitë Mabco Construction dhe 2A Group nuk plotësonin kriteret ligjore për të fituar koncesionin, ndaj gjatë aplikimit kanë përfshirë në mënyrë fiktive kompaninë turke YDA Group, e vetmja me eksperiencë reale në ndërtimin e aeroporteve.

Bardhi thekson se një vit pas shpalljes fitues, YDA Group është tërhequr nga zotërimi i 40% të aksioneve, të cilat janë shitur për vetëm 4 450 euro, një shumë që ai e cilëson “qesharake”, duke theksuar se “në çdo shtet normal, ky akt do të kishte sjellë anulimin automatik të koncesionit”.

Skeretari demkrat ka kërkuar më tej nisjen e menjëhershme të hetimeve nga ana e SPAK.


Postimi i plotë i Gazment Bardhit:

Belinda Balluku është emri dhe firma e çdo afere korruptive të qeverisë së Edi Ramës.

Mega-afera e koncesionit të Aeroportit të Vlorës është provuar me dokumente shtetërore si një procedurë fiktive, me kompani fiktive dhe me veprime të kryera hapur në mashtrim të ligjit. Në çdo faqe të kësaj skeme shfaqet i njëjti emër: Belinda Balluku.

• Pak histori për shumë korrupsion

Dokumentacioni zyrtar i procedurës tregon qartë se kompanitë Mabco Construction dhe 2A Group nuk plotësonin kriteret ligjore për të fituar koncesionin e Aeroportit të Vlorës. Për këtë arsye, gjatë aplikimit, ato futën në mënyrë fiktive në konsorcium kompaninë turke YDA Group, e vetmja me eksperiencë reale në ndërtimin e aeroporteve. 

Por vetëm një vit pas shpalljes fitues, YDA Group u tërhoq nga zotërimi i 40% të aksioneve. Aksionet u shitën tek njëra nga kompanitë koncesionare për shumën qesharake prej 4 450 euro. Pra, 40% e një aeroporti ndërkombëtar, me fitime të parashikuara mbi 700 milionë euro, u vlerësuan sa një makinë e vjetër e përdorur! Në çdo shtet normal, ky akt do të kishte anuluar automatikisht koncesionin. Por në Shqipërinë e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, nuk ka asgjë normale – ka vetëm korrupsion, vjedhje dhe zhvatje.

• Një krim i shkruar në letra

Ministrja përgjegjëse për koncesionin e Aeroportit të Vlorës, Belinda Balluku, miratoi tërheqjen e kompanisë turke pa bërë asnjë zhurmë, pa ngritur asnjë shqetësim dhe duke pranuar zyrtarisht fiktivitetin e gjithë procedurës. Vetëm dikush i përfshirë që në nisje në skemën korruptive mund të heshtë në një situatë kaq flagrante fiktiviteti. 

Do të mjaftonte vetëm publikimi i shkresës, ku Belinda Balluku lejon transferimin e aksioneve dhe pranon zyrtarisht fiktivitetin e procedurës, që sot SPAK të kishte shkuar në zyrën e saj për ta nxjerrë prej aty dhe për ta mbyllur në Pjoskë.

Ky krim nuk është edhe aq intelektual sa t’i shpenzojë SPAK-ut shumë kohë për ta hetuar. Procedura fiktive është në letra. Në letra janë edhe lidhjet familjare të Belinda Ballukut me njërën prej kompanive koncesionare. Krimi është njësoj flagrant si afera tjetër e Edi Ramës dhe Belinda Ballukut me 53 milionët eurot PLUS të Tunelit të Llogarasë. Edhe ky një krim aspak intelektual, por dosja e të cilit qëndron ende e paprekur në SPAK. 

Faktet janë publike, dokumentet ekzistojnë. Çështja është se na duhen prokurorë që nuk kanë vija të kuqe të paracaktuara për pandëshkueshmërinë apo prokurorë që nuk intimidohen nga krimi i organizuar. Kjo mbetet ende për t’u provuar! Zoom.al/

Manchester United do Lewandowskin

Aventurë e re në horizont për Robert Lewandowskin. 

Polaku nuk është bindur ende për të rinovuar me Barcelonën dhe kontrata në skadencë e bën akoma dhe më intriguese pistën që të dërgon te sulmuesi. Kjo e ka shtyrë Manchester United për t’u hedhur në garë për shërbimet e 37-vjeçarit. Numrat flasin në favor të Lewandowskit, me golat që do të zgjidhnin një problem madhor te “djajtë e kuq”.

Trajneri Ruben Amorim ka shprehur dëshirën për ta pasur polakun në skuadrën e sezonit të ardhshëm, por deri më sot nuk ka pasur asnjë kontakt midis palëve. Kriza financiare e katalanasve mund ta detyrojë klubin spanjoll për të hequr dorë nga shërbimet e polakut.

Lewandowski ka shënuar katër herë në nëntë paraqitje këtë sezon, pavarësisht pikëpyetjeve rreth formës së tij. Dëmtimi që pritet ta mbajë jashtë fushave deri në fillim të muajit dhjetor do të ndikonte akoma dhe më shumë në bindjen e Lewandowskit për të mos rinovuar përtej verës së vitit 2026.

Sulmuesi polak, i cili ka shënuar 105 gola në 156 paraqitje me fanellën blaugrana, nuk është më aq i sigurt në planet afatgjata të klubit katalanas. Pavarësisht një sezoni spektakolar 2024/25, ku shënoi 42 gola dhe ndihmoi Barcelonën të fitonte tripletën, La Liga, Kupa e Mbretit dhe Superkupa e Spanjës, ai mund të jetë duke përjetuar muajt e tij të fundit në “Camp Nou”. Zoom.al/

E rëndë në Kanada/ Burri vret gruan shqiptare, ekzekutohet nga policia

Një 29-vjeçare shqiptare është vrarë me armë zjarri nga bashkëshorti i saj, Anthony Deschepper, 38 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur në Brampton, Kanada, ku burri e ka qëlluar në një parking, duke e lënë të vdekur në vend. Viktima, Savannah Kulla, ishte nënë e katër fëmijëve.

Pas krimit, autori ka marrë njërin nga fëmijët dhe ka tentuar të largohet me makinën e tij, por është qëlluar për vdekje nga policia gjatë përpjekjes për ta arrestuar.

Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe hetimet për zbardhjen e motiveve janë në vijim. Zoom.al/

Skandali me subvencionet bujqësore nga BE/ 37 të arrestuar

37 persona janë arrestuar në Greqi, disa javë pas zbulimit të një prej skandaleve më të mëdha me përvetësimin e  subvencioneve bujqësore të Bashkimit Evropian me vlerë miliona euro nga agjencia për menaxhimin e fondeve evropiane ,OPEKEPE .

Operacionet e policisë u zhvilluan në Athinë, Selanik, Janinë dhe Kretë, pas hetimeve të agjencisë evropiane kundër mashtrimit OLAF dhe Zyrës së Prokurorit Publik Evropian. Sipas hetuesve, të dyshuarit mashtronin duke deklaruar tokë bujqësore të rreme, madje edhe në zona arkeologjike, aeroporte ushtarake apo në malin Olimp, për të përfituar fonde që u takonin fermerëve të vërtetë.

Gjatë hetimit paraprak, 324 individë u identifikuan si përfitues të subvencioneve, duke shkaktuar një humbje të vlerësuar prej mbi 19.6 milionë eurosh për buxhetin e Bashkimit Evropian. Dosja e çështjes përfshin 125 të pandehur, të cilët morën subvencione në periudhën 2018 – 2024. Dy javë më parë në një vizitë të saj në Athinë prokurorja e përgjithshme e BE Laura Kovesi e përshkroi OPEKEPE si “akronim për korrupsion dhe nepotizëm”, duke theksuar se sistemi grek kishte dështuar në parandalim, zbulim dhe raportim të abuzimeve.

“Për vite me radhë, kriminelët, të ndihmuar nga nëpunësit civilë dhe zyrtarët e lartë, vidhnin paratë evropiane. Këto para supozohej të ndihmonin fermerët e ndershëm dhe familjet e tyre për të kultivuar këtë tokë të bukur, jo për të paguar për vila, makina sportive dhe kush e di se çfarë tjetër”, deklaroi kryetarja e EPPO, Laura Kovesi.

KE pas zbulimit të skandalit vendosi ndaj Greqisë një gjobë prej rreth 400 milion eurosh. Deri tani organet greke që po hetojnë skandalin kanë sekuestruar  22 milionë euro nga mbi 1,000 llogari bankare të rreme. Vetëm një nga të  dyshuarit në Kretë akuzohet se përvetësoi 2.5 milionë euro.

Agjencia shtetërore greke OPEKEPE, ka menaxhuar më shumë se 3 miliardë euro në subvencione çdo vit për 680 mijë fermerë.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis ka pranuar se rasti rrezikon besimin e Brukselit dhe të ardhmen e fondeve europiane për sektorin bujqësor, por është zotuar se “cilado qoftë kostoja politike, përgjegjësit do të ndëshkohen”. Zoom.al/

Samiti i Procesit të Berlinit, Kurti: Sulmi në Banjskë nuk mund të injorohet

Kryeministri në detyrë në Kosovë, Albin Kurti, ka publikuar në rrjetin e tij social facebook, fjalimin që mbajti sot në samitin e 12-të të Procesit të Berlinit që zhvillohet në Londër.

Në fjalën e tij Kurti është ndalur të marrëdhëniet e tensionuara të Kosovës me Serbinë.

Kurti tha se gjjatë pesë viteve të fundit, Kosova ka bërë përparimin më të shpejtë në treguesit demokratikë, ekonomikë dhe të sigurisë.

Sakaq ai theksoi se përparimi i Kosovës mbetet nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm nga fqinji verior (Serbia).

Kurti tha se sulmi terrorist në Banjskë nuk mund të injorohet.

“Gjatë pesë viteve të fundit, Kosova ka bërë përparimin më të shpejtë në treguesit demokratikë, ekonomikë dhe të sigurisë. Kemi pasur një mesatare prej 6% rritje ekonomike dhe asnjëherë më pak se 4%. Para tre muajsh, Banka Botërore dhe FMN e hoqën Kosovën nga lista e vendeve të brishta dhe të prekura nga konfliktet, duke njohur kështu qëndrueshmërinë, stabilitetin dhe qeverisjen e mirë që kemi ndërtuar.

Megjithë këto, përparimi ynë mbetet nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm nga fqinji ynë verior. Sulmi terrorist në Banjskë nuk mund të injorohet. Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë, megjithatë drejtësia ende nuk është vënë në vend. Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara”, tha Kurti.

Fjala e plotë e Kurtit në samitin e 12-të të Procesit të Berlinit që po mbahet në Londër:

I dashur Kryeministër Starmer,

Faleminderit që na pritët në këtë shtëpi të madhe, ku kombet shpesh janë mbledhur për ta formësuar të ardhmen e tyre.

I dashur Kancelar Merz,

Të dashur kolegë dhe miq nga Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor,

Ne po takohemi në një kohë kur Evropa është kaq e begatë, por njëkohësisht kurrë më parë nuk është sulmuar kaq shumë.

Kërcënimi në rritje i autoritarizmit, si jashtë ashtu edhe brenda kontinentit tonë, është një sfidë që Evropa e njeh shumë mirë.

Teksa shënojmë 80 vjetorin e përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe 75 vjetorin e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, na kujtohet se paqja, liria dhe dinjiteti njerëzor nuk janë të garantuara – ato duhet të mbrohen dhe të rifreskohen vazhdimisht nga çdo brez.

Prandaj, na duhet një ndjenjë e fortë uniteti, mjaftueshëm e qëndrueshme për t’i përballuar si presionet e jashtme, ashtu edhe dyshimet e brendshme.

Një unitet i tillë duhet të shtrihet edhe në juglindje të kontinentit tonë. Ballkani Perëndimor gjendet gjeografikisht brenda kufijve të BE-së dhe NATO-s, por të gjitha vendet mbeten jashtë BE-së dhe gjysma jashtë traktateve të NATO-s. Kjo nuk është as e mençur dhe as solide. Për ta frenuar ndikimin rus apo kinez në Evropë, nuk duhet të lëmë asnjë vakum.

Kur Komisioni Evropian e ndali procesin e zgjerimit në vitin 2014, Berlini mori nismën duke krijuar formatin “Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor” përmes Procesit të Berlinit, me qëllim që rajoni ynë të mbahej afër BE-së. Sot, kur kemi luftë në Evropë si pasojë e agresionit rus në Ukrainë, Londra mund të ndihmojë shumë duke mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që duan t’i bashkohen NATO-s, duke mbyllur kështu këtë boshllëk të rrezikshëm të sigurisë. Ne kemi qëllime të përbashkëta dhe vlera të përbashkëta, dhe nuk kemi alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE dhe NATO – këto duhen parë si pika të forta.

Gjatë pesë viteve të fundit, Kosova ka bërë përparimin më të shpejtë në treguesit demokratikë, ekonomikë dhe të sigurisë. Kemi pasur një mesatare prej 6% rritje ekonomike dhe asnjëherë më pak se 4%. Para tre muajsh, Banka Botërore dhe FMN e hoqën Kosovën nga lista e vendeve të brishta dhe të prekura nga konfliktet, duke njohur kështu qëndrueshmërinë, stabilitetin dhe qeverisjen e mirë që kemi ndërtuar.

Megjithëkëto, përparimi ynë mbetet nën hijen e kërcënimeve dhe agresionit të vazhdueshëm nga fqinji ynë verior. Sulmi terrorist në Banjskë nuk mund të injorohet. Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë, megjithatë drejtësia ende nuk është vënë në vend. Fqinjit tonë armiqësor në veri nuk duhet t’i lejohet të veprojë me pandëshkueshmëri, pasi kjo nxit inkursione të reja dhe dërgon një sinjal të rrezikshëm se sulmet ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës mund të mbeten të pandëshkuara.

Sa i përket zhvillimit ekonomik, Kosova mbështet Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër si korniza për zhvillim të qëndrueshëm. Por nevojitet më shumë financim për të mbyllur hendekun e konvergjencës në projektet kryesore infrastrukturore, përfshirë tranzicionin e gjelbër, si dhe për të ulur pabarazinë me më shumë solidaritet.

Që nga samiti i fundit, kemi nënshkruar një marrëveshje të re tregtare me vendet anëtare të EFTA-s, në janar të këtij viti gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, që përfshin mallra dhe shërbime, duke zgjeruar kështu tregjet tona. Në kryesimin tonë të parë të drejtpërdrejtë të CEFTA-s, e rikthyem funksionalitetin e saj duke zgjedhur një drejtor të ri, pas më shumë se dy vitesh bllokim.

Sa i përket migracionit, ne kemi dhënë zotim ndaj Mbretërisë së Bashkuar për të trajtuar shkaqet e paqëndrueshmërisë: forcimin e sigurisë kufitare, luftimin e krimit të organizuar, ndalimin e financave të paligjshme dhe ndihmën për menaxhimin e flukseve migratore. Ne kemi qenë seriozisht të angazhuar në luftimin e armëve të vogla dhe të lehta që shfrytëzohen nga aktorë jo-shtetërorë, por edhe si mjete destabilizimi nga aktorë shtetërorë keqdashës. Kosova nuk është burim migracioni, por vetëm një pikë tranziti me numra relativisht shumë të ulët. Faleminderit. Zoom.al/

Shpallja e Ervis Martinajt “i zhdukur”/ Ja kujt i kalojnë asetet e tij pasurore

Teksa Ervis Martinaj vijon i zhdukur prej gushtit të vitit 2022, babai i tij Mustafa Martinaj ka kërkuar sot zyrtarisht nga Gjykata e Lezhës shpalljen si të zhdukur të të birit. 

I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv, gazetari Elton Qyno, tha se tashmë që ai rezulton i zhdukur do të pushohet edhe hetimi pasuror ndaj tij. 

‘Çështjet në Prokurorinë e Posaçme kundër Martinajt pushohen automatikisht, sepse ka një vendim gjykata se është i zhdukur dhe hetimi pasuror ndaj tij që ka nisur në Prokurorinë e Posaçme sjell pushimin e procedimit. Kërkesa e familjes së tij, është kërkesë procedurale për arsyen e zhdukjes së personit, ai po bënë 3 vite që është zhdukur dhe në këto kushte familjarëve u lind e drejta brenda një afati kohor që ti drejtohen gjykatës me një kërkesë duke kërkuar që përmes një vendimi, familjari i tyre të deklarohet i zhdukur që më pas ky vendim gjykate të çohet në Prokurorin e Posaçme, ku ai ka dy çështje por edhe në gjendjen civile të bashkisë Kurtin për çregjistrimin e tij nga gjendja civile dhe kalimin e aseteve trashëgimore në emër të familjes së tij’, tha ai. 

Qyno tha se i dyshuari kryesor për zhdukjen e tij është Aldo Avdyli. 

‘I vetmi që është i dyshuar për zhdukjen e Ervis Martinajt është Aldo Avdyli. Por, Martinaj është një nga personazhet që ka një interes të madh në publik. Ai kishte një audiencë të madhe edhe në shoëbiz, po ashtu edhe me lojërat e fatit. Mjafton një foto e tij dhe një titull në portale, lajmi kuptohet që renditet në lajmet e para më të lexueshme. Nëse ai shfaqet sot duket që të ekzekutohet dy masa sigurie arrest me burg që ka, por unë mendoj se ai është zhdukur plotësisht’, tha ai. 

Pakti PS-PD për reformën zgjedhore dhe atë territoriale lë jashtë partitë e reja

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike po shkojnë drejt një pakti për ngritjen e dy komisioneve të posaçme parlamentare për të bërë reformën e re zgjedhore dhe atë territoriale, pa pjesmarrjen e partive të tjera parlamentare.

Partia Socialiste në pushtet pohon se ka pranuar amendamentet e Partisë Demokratike për formulën e përbërjes së dy komisioneve të posaçme, që pritet të ngrihen me vendim Kuvendi në fund të tetorit.

Amendamentet e dorëzuara një javë më parë nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi kërkonin që anëtarësia në të dy komisionet të ndahej në mënyrë të barabartë mes opzitës dhe mazhorancës, duke e bërë vendimmarrjen në këto komisione detyrimisht konsensuale.

Më parë, Partia Socialiste kishte propozuar që Komisioni për Reformën Territoriale të kishte 17 anëtarë, nga të cilët 9 nga PS, 6 nga PD, 1 anëtar nga Aleanca për Ndryshim dhe një anëtar tjerër nga Partia e Lirisë. Ndërsa për Komisionin e Reformës Zgjedhore, PS ka propozuar një përbërje me 16 anëtarë, nga të cilët 8 të Partisë Socialiste dhe 8 të tjerë nga partitë e tjera parlamentare.

Amendamentet e dorëzuara nga Bardhi parashikojnë që të dy komisionet të kenë të njëjtën formulë barazie; 16 anëtarë, nga të cilët 8 i përkasin PS, 6 PD-së dhe nga 1 përfaqësues nga dy grupet aleate në parlament, “Aleanca për Ndryshim” dhe Partia e Lirisë.

Kjo formulë lë jashtë partitë e tjera që nuk kanë grupe parlamentare në Kuvend, të tilla si Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë, Shqipëria Bëhet dhe Partia SocialDemokrate e Tom Doshit.

I pyetur nga BIRN, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla tha se mazhoranca do të pranojë propozimet e Partisë Demokratike për ngritjen e komisioneve.

“Personalisht mendoj që duhet të jenë të gjitha partitë parlamentare. Shpresoj që deri në seancë, PD të pranojë formulën gjithëpërfshirëse,” tha Balla.

Dy reformat e reja

Projektvendimet për ngritjen e dy komisioneve të posaçme të publikuara në faqen e Kuvendit shprehin dhe objektivat e punës së tyre dhe një afat pune prej 9 muajsh.

Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale synon të rimarrë në shqyrtim reformën territoriale të realizuar në vitin 2014 që shkriu komunat dhe krijoi 61 bashki të mëdha dhe 12 qarqe. Një komision parlamentar për reformë të re territoriale, i drejtuar nga opozita në vitin 2022, nuk arriti të prodhonte ndryshime të reja, pasi u rrëzua nga mazhoranca e cila mbrojti reformën në fuqi.

Në komisionin e ri që pritet të ngrihet parashikohet shqyrtimi i kuadrit ligjor dhe institucional të qeverisjes vendore; opsione të reja për ridizenjimin territorial dhe forcimin e kapaciteteve administrative të njësive të qeverisjes vendore;analizë e sistemit të financave vendore, etj..

Në amendamentet e Partisë Demokratike kërkohet gjithashtu që pjesë e komisionit për reformën territoriale të bëhet edhe ekspertiza e institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Europës.

Komisioni i Posaçëm për reformën zgjedhore vijon të ketë si detyrë objektivat dhe qëllimet e vjetra që lidhen me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, bazuar në rekomandimet e raporteve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore dhe parlamentare.

Komisioni i mëparshëm i ngritur për këtë qëllim dështoi ta bënte këtë reformë, ndërsa disa ndryshime të bëra në minutën e fundit në Kodin Zgjedhor për votën e Diasporës dhe mbylljen e listave të kandidatëve u arritën pas një pakti jotransparent mes dy partive të mëdha PS-PD./ Reporter.al