zoom

Day ArchiveTornado shkatërruese në Paris: Një viktimë dhe dhjetëra të plagosur

Një tornado e fuqishme goditi rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, duke shkaktuar një viktimë dhe disa të plagosur.

Ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, konfirmoi viktimën dhe njoftoi se po monitorohet situata, ndërsa ekipet e emergjencës po trajtojnë të plagosurit. Tre vinça ranë në Ermont, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe plagosjen e katër personave, disa prej tyre rëndë.

Një nga dëshmitarët rrëfeu: “Doja të flija pak. Kjo është ajo që më shpëtoi, sepse qepenat e mia ishin të mbyllur. Dritaret e mia nuk shpërthyen, si të disa fqinjëve të mi. Gjithçka lëvizte përreth meje, ndjeva se nuk ishte thjesht një erë e fortë. Dritarja ime ka pamje nga kantieri i ndërtimit. Kur hapa qepenat, pashë pemë të shkulura që kishin rënë mbi makinën time. Në kantierin e ndërtimit, pashë një trup të mbuluar me një çarçaf të bardhë. E dija që kishte një person të vdekur.”

Autoritetet vazhdojnë hetimet për pasojat e tornados dhe po ofrojnë ndihmë për të gjithë të prekurit./ Zoom.al

Fatos Nano në luftë për jetën/ Mjekët: I vështirë zgjimi i trurit

Ish-kryeministri Fatos Nano ndodhet në një gjendje shumë të rënduar shëndetësore pas arrestit kardiorespirator.

Prej 11 ditësh ai ndodhet në reanimacion.

Mjekët e spitalit privat ku po trajtohet kanë bërë të ditur se problemi kryesor mbetet rivendosja e funksionit të trurit, pas një periudhe të gjatë pa oksigjen.

Për të mbështetur trajtimin, në Tiranë ka mbërritur një ekip specialistësh të huaj, të cilët po ndjekin nga afër çdo zhvillim të gjendjes së tij.

Familjarët dhe miqtë kanë bërë thirrje për kujdes maksimal dhe për informim të vazhdueshëm për situatën shëndetësore të ish-liderit historik të PS-së./ Zoom.al

Artan Hoxha bën deklaratën e fortë për Ervis Martinajn: Kryeministri u përfshi vetë

Gazetari investigativ Artan Hoxha ka deklaruar se Ervis Martinaj është vrarë

Sipas tij, vrasja e Martinajt lidhet drejtpërdrejt me konfliktin e tij me pushtetin.

Artan Hoxha deklaroi në “Euronews” se Martinaj u përfshi në probleme pasi mbështeti opozitën në një fushatë elektorale, duke nxitur zemërimin e kryeministrit Edi Rama.

“Kryeministri u përfshi vetë në atë ngjarje, nga të rrallat raste. Ai tha publikisht se e dinte kush ishte drejtori i lojërave të fatit dhe madje ‘i dinte targën’. Kjo ndodhi pas përfshirjes së Ervis Martinajt në fushatë në mbështetje të opozitës, dhe prandaj Rama e etiketoi”, deklaroi Hoxha.

Hoxha nënvizoi gjithashtu se pas ngjarjes, është krijuar një strukturë e re brenda botës së krimit të organizuar, ku ata që realizuan vrasjen kanë marrë një rol kyç dhe të fuqishëm./ Zoom.al

Aksident i rëndë në Itali, një viktimë dhe dy të plagosur

Një ngjarje e rëndë ndodhi në stacionin Trecate të Novaras në Itali, ku një i ri humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën pasi u goditën nga një tren.

Aksidenti ndodhi rreth orës 18:00, kur tre të rinjtë po kalonin shinat pas zbritjes nga një tren që po shkonte për në Milano.

Sipas informacioneve paraprake, të tre viktimat janë shtetas të huaj dhe të moshës rreth 20-vjeçare, por identitetet e tyre nuk janë bërë të ditura për shkak të mungesës së dokumentacionit.

Një nga të rinjtë u shpall i vdekur në vendngjarje, ndërsa dy të tjerët u dërguan në Spitalin Maggiore në Novara: njëri në gjendje kritike dhe tjetri me lëndime më të lehta. Autoritetet ka nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e aksidentit./ Zoom.al

Ndeshja me Kosovën/ Sllovenia vendos kusht të pazakontë për tifozët në stadium

Federata Sllovene e Futbollit ka vendosur një masë të re për tifozët që do të marrin pjesë në stadium në ndeshjen kundër Kosovës më 15 nëntor.

Pas një kontrolli mbi shitjen e biletave, u zbulua se disa bileta mund të ishin blerë nga shtetas kosovarë përtej sektorit të tifozëve mysafirë.

Për këtë arsye, Federata ka kërkuar që çdo tifoz që do të hyjë në stadium (përveç sektorit të të ftuarve) të shfaqë simbole të Sllovenisë dhe të kombëtares, si mënyrë identifikimi.

Stadiumi “Stozice”, me kapacitet prej 16.038 vendesh, pritet të jetë i mbushur, ndërsa Federata apelon për sjellje sportive në tribuna.

Për Kosovën, kjo ndeshje ka rëndësi të madhe, pasi një pikë e fituar do të siguronte matematikisht pjesëmarrjen në play-off-in e Kupës së Botës 2026./ Zoom.al

Avokati Barjami reagon pas akuzave për kanosje: Prokurori e mori personale

Avokati Ulian Barjami ka reaguar pas akuzave për “kanosje” ndaj prokurorit gjatë një seance gjyqësore në Elbasan, duke mohuar çdo pretendim për sjellje kërcënuese apo të papërshtatshme.

Në një intervistë në Top News, Barjami theksoi se deklaratat e prokurorit janë interpretuar gabimisht, ndërsa shtoi se ai vetë ka vepruar gjithmonë në përputhje me ligjin.

“Nuk kam përdorur asnjë shprehje kërcënuese apo jo profesionale. Kur u rishikuan pamjet filmike, u pa qartë se kishte mospërputhje me raportimet. Prokurori duket se e ka marrë personale shprehjen time. Unë thjesht kam bërë detyrën time”, deklaroi Barjami.

Sipas tij, ndalimi i mëvonshëm nga policia gjyqësore ishte i pajustifikuar dhe në kundërshtim me procedurat ligjore.

“Të nesërmen më thirrën për sqarim. Oficerja më njoftoi se do të ndalohem me urdhër, gjë që është e paligjshme, sepse një arrestim nga policia gjyqësore mund të bëhet vetëm në rast flagrante. Ditën e ndalimit më sekuestruan vetëm telefonin”, shtoi ai.

Ulian Bajrami u lirua pasditen e sotme pasi prokurori i çështjes në Prokurorinë e Elbasanit që pretendoi se është kanosur në sallën e gjyqit tërhoqi kallëzimin./ Zoom.al

Rasti i avokatit Ulian Bajrami/ Gazment Bardhi: E papranueshme, duhet reflektim i thellë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas arrestimit të avokatit Ulian Barjami, duke e cilësuar ngjarjen si një goditje të rëndë ndaj pavarësisë së profesionit të avokatit dhe vetë shtetit të së drejtës.

Në një postim në rrjetet sociale, Bardhi theksoi se veprime të tilla tregojnë qartë se standardet themelore të një shteti demokratik po cënohen çdo ditë, ndërsa institucionet e drejtësisë po shndërrohen në instrumente presioni.

Avokati u lirua pasditen e sotme pasi prokurori i çështjes që ngriti akuza ndaj tij u tërhoq, në kushtet kur pati reagime të shumta dhe bojkot të proceseve nga Dhoma e Avokatëve që kërkuan lirinë e tij.

Reagimi i plotë i Bardhit:

Në një shtet të së drejtës, roli i avokatëve për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve është i pazëvëndësueshëm. Në këtë kuptim, arrestimi i një avokati, pas një debati të tensionuar me përfaqësuesit e organit të akuzës në sallën e gjyqit, është një ngjarje e papranueshme. Në një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për anëtar në Bashkimin Evropian, akte të tilla janë tipare të qarta që Shqipëria po zhbën çdo standard të shtetit ligjor.

Ngjarje të tilla kërkojnë reflektim të thellë nga organet e qeverisjes së sistemit gjyqësor, KLP dhe KLGJ, në mënyrë që ato të mos shndërrohen në precedentë që ngushtojnë hapësirat profesionale të mbrojtjes efektive së avokatëve. Avokatët, ashtu si gjyqtarët dhe prokurorët, kanë një rol thelbësor në garantimin e procesit të rregullt gjyqësor dhe çdo cënim i aktivitetit të tyre profesional duhet të marrë përgjigje të shpejtë dhe adekuate nga organet kompetente.

Keqpërdorimi i urdhër-arresteve ndaj avokatëve që kërkojnë aplikimin e filtrave të ligjshmërisë qoftë nga Prokuroria, ashtu edhe nga Gjykata, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore, na kujton të shkuarën aspak të lavdishme kur profesioni i avokatit u ndalua me ligj.

Lirimi i avokatit Bajrami, reagon prokuroria

Prokuroria e Elbasanit ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të avokatit Ulian Barjami, i cili u ndalua një ditë më parë pas një përplasjeje verbale me prokurorin Gjergj Ceka gjatë një seance gjyqësore.

Sipas deklaratës zyrtare, prokurori i çështjes ka vlerësuar se nuk ekzistonin kushtet ligjore për vazhdimin e ndalimit të avokatit, dhe se nuk kishte elementë të një vepre penale.

Në njoftim, Prokuroria thekson rëndësinë e respektimit të pavarësisë dhe sigurisë reciproke mes aktorëve të drejtësisë, prokurorëve, gjyqtarëve, policisë gjyqësore dhe avokatëve, për garantimin e funksionimit të sistemit ligjor.

Arrestimi i Barjamit mbrëmjen e 19 tetorit kishte shkaktuar reagim të menjëhershëm nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë, e cila e konsideroi ngjarjen të paprecedentë dhe në shkelje të të drejtës për mbrojtje të barabartë në procesin gjyqësor.

Në shenjë proteste, avokatët në të gjithë vendin bojkotuan seancat penale mëngjesin e 20 tetorit, duke kërkuar lirimin e kolegut të tyre dhe respektimin e rolit të avokatit në sistemin e drejtësisë./ Zoom.al

FOTO/ Momente intime mes Vesës dhe Mirlind Dakut, çifti feston 1-vjetorin e lidhjes

Modelja dhe influencerja e njohur Vesa Vllasaliu ka bërë sërish bujë në rrjetet sociale, pasi ka ndarë disa momente të afërta me futbollistin Mirlind Daku.

Të dy kanë festuar 1-vjetorin e lidhjes së tyre, dhe Vesa ka zgjedhur ta shënojë këtë ditë të veçantë me një seri fotografish që tregojnë momente dashurie dhe afërsie mes çiftit.

Postimet janë pritur me shumë reagime dhe komente në rrjet, ku fansat i kanë uruar çiftit lumturi./ Zoom.al

Detaje të reja nga vrasja e shqiptarit në Itali, i riu ndërhyri në sherr për të mbrojtur vëllanë

Të tjera detaje janë zbardhur nga vrasja e shqiptarit Hekuran Cumani në Perugia të Italisë.

Sipas hetimeve paraprake, përleshja nisi mes dy grupeve të të rinjve, shumica me prejardhje të huaj. Hekurani u përpoq të ndërhynte për të mbrojtur vëllain e tij më të vogël, por u godit me thikë dhe ndërroi jetë menjëherë.

Ekipet e urgjencës mbërritën me shpejtësi, por nuk mundën ta shpëtonin jetën e 23-vjeçarit. Ndërkohë, vëllai i tij mbeti i plagosur, por jashtë rrezikut për jetën.

Policia italiane ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Deri tani janë vënë nën hetim disa persona, mes tyre një 18-vjeçar me origjinë marokene, i akuzuar për kërcënime dhe mbajtje të armës së ftohtë, si dhe një i ri tunizian, i akuzuar për të njëjtat vepra./ Zoom.al