zoom

Day ArchiveSPAK mësyn në zyrën dhe banesën e administratorit të OSHEE-së, Enea Karakaçi

Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion ka kryer kontrolle pasditen e sotme te zyra dhe shtëpia e Administratorit të OSHEE-së, Enea Karakaçi.

Mësohet se kontrollet janë të karakterit personal, pra po kontrollohet zyra, banesa dhe telefoni i Administratorit të OSHEE, ndërsa janë në kuadër të një hetimi që po zhvillon Prokuroria e Posaçme.

Enea Karakaçi njihet si bashkëpunëtor i afërt i ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku.

Tragjike në Itali/ Gjendet i vrarë 23-vjeçari shqiptar në parkingun e Universitetit të Peruxhias

Një ngjarje tragjike ka tronditur qytetin e Peruxhias dhe komunitetin shqiptar në Itali.

Hekuran Cumani, një 23-vjeçar me origjinë shqiptare që jetonte në Fabriano (Ancona), u vra me thikë në orët e para të së shtunës, në një nga parkingjet pranë Universitetit të Peruxhias.

Sipas hetimeve paraprake nga Prokuroria e Peruxhias, ngjarja është klasifikuar si vrasje me dashje, me krimin që rezulton si pasojë e një grindjeje për arsye që cilësohen “të parëndësishme”.

Viktima u godit me thikë në fyt dhe në gjoks, plagë që rezultuan fatale. Shërbimet e urgjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje, por nuk mundën të bënin asgjë: i riu kishte ndërruar jetë në vend.

Hekurani kishte udhëtuar drejt Peruxhias për një mbrëmje me shokët. Sipas raportimeve të para, grupi i tij u përfshi në një debat me disa të rinj të tjerë, jashtë një lokali të njohur në zonë – “110 Caffè”, pranë Departamentit të Matematikës dhe Shkencave Kompjuterike të Universitetit.

Sherri verbal u përshkallëzua shpejt në përleshje fizike, ku një person – ende i paidentifikuar nga policia – e goditi Cumanin me thikë, duke i marrë jetën.

Miqtë e Hekuranit, të tronditur nga ngjarja, e përshkruajnë atë si një djalë të qetë, të dashur dhe të apasionuar pas palestrës dhe jetës së shëndetshme.

“Ai e donte trupin e tij, i pëlqente palestra dhe fitnesi. Ishte një mik i mirë, i dashur me familjen dhe kafshët,” – tha një nga miqtë e tij për mediat lokale.

Hetuesit kanë marrë në pyetje të gjithë personat që ishin prezentë gjatë incidentit, ndërsa kamerat e sigurisë përreth zonës po analizohen për të identifikuar autorin e vrasjes.

Ngjarja ka prekur thellë edhe autoritetet lokale. Në një deklaratë të përbashkët, kryetari i bashkisë së Peruxhias, këshilli bashkiak dhe Këshilli Komunal kanë shprehur dhimbjen e tyre për humbjen e jetës së të riut: “Lajmi na ka tronditur të gjithëve. Ne qëndrojmë pranë familjes dhe miqve të tij, të cilët po përjetojnë një dhimbje të padurueshme. Është e vështirë të pranohet që një jetë kaq e re të ndërpritet në një mënyrë kaq të dhunshme. Dhimbja e këtyre orëve shtrihet në të gjithë qytetin. Peruxhia qëndron me ata që po vuajnë sot dhe reflekton, me hidhërim, për një tragjedi që na prek të gjithëve.” Zoom.al/

“Nuk i shkon fjala njerkë”/ Xheneta Fetahu tregon marrëdhënien e saj me bashkëshorten e babait

Xheneta Fetahu ka folur si rrallëherë më parë për marrëdhënien e saj me njerkën, duke ndarë një anë të ndjeshme të jetës personale.

E ftuar në emisionin “Se luan topi”, Xheneta u shpreh se fjala njerkë nuk i përshtatet aspak asaj, duke e cilësuar si engjëllin e saj mbrojtës.

 “Kur isha 5-vjeçe, babai im u martua prapë. Ishte personi më i afërt i jetës time, ishte ne shpi edhe unë s’dija se si ta thërrisja se të gjithë i thonin mami edhe vetëm unë si thërrisja edhe e kuptoja që diçka nuk ishte në rregull. Unë mendoj se asaj nuk i shkon fjala njerkë ajo është engjëlli im mbrojtës, vetëm që nuk kam lindur nga ajo, për mua është nënë edhe personi më i afërt e kam pik të dobët.

Ajo në fillim fare nuk e dinte se babi kishte fëmijë, por ndodhi një incident edhe ajo e kuptoi edhe u largua nga jeta jonë, për një kohë shumë të shkurtër vendosi të rikthehej. Gjithmonë thotë që jam unë arsyeja pse u kthye. Nga ai moment që ajo është rikthyer, për mua ka dyshuar çdo gjë, në shpi, në shkollë, në shoqëri, në çdo gjë”,  u shpreh Xheneta.

CNN: Trump po përgatit “pazarin e madh” me Putinin dhe Kinën

Në një javë plot lëvizje diplomatike, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po përpiqet të shfrytëzojë marrëveshjen e armëpushimit në Gaza për të ndërtuar një momentum të ri në politikën e jashtme amerikane.

Sipas një analize të publikuar nga CNN, qëllimi i tij është të avancojë bisedimet për Ukrainën, Rusinë dhe Kinën – tre dosjet më të ndërlikuara të diplomacisë globale.

Gjatë një vizite 36-orëshe në Lindjen e Mesme, Trump deklaroi se prioriteti kryesor i administratës së tij është “të mbarojë me Rusinë”, duke paralajmëruar për përpjekje të reja për të ndërmjetësuar paqen në Ukrainë. Java përfundoi me takimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, ku u diskutua mundësia e dërgimit të raketave me rreze të gjatë veprimi – kërkesë që ende nuk është miratuar nga Uashingtoni.

Trump ka njoftuar gjithashtu një takim të afërt me presidentin rus Vladimir Putin në Budapest, si dhe një samit me liderin kinez Xi Jinping pas disa javësh. “Dua që çështja e Ukrainës të përfundojë para takimit me Xi-në”, tha ai.

Ndërkohë, presidenti amerikan ka konfirmuar se ka dhënë urdhër për operacione të fshehta në Venezuelë, ka kërcënuar me tarifa të reja ndaj Kinës dhe ka miratuar ndihmë financiare prej 20 miliardë dollarësh për Argjentinën.

CNN thekson se strategjia e Trump-it është e rrezikshme, pasi përfshin ndërthurjen e disa krizave ndërkombëtare në një moment të brishtë global. Ndërsa ai synon të paraqitet si nxitës i paqes, marrëdhëniet me Putinin dhe mënyra si do të trajtojë kërkesat e Kievit do të përcaktojnë suksesin ose dështimin e kësaj faze të diplomacisë amerikane.

Në fund, Trump mbetet i bindur se mund të arrijë rezultate të shpejta:

“Po, jam i shqetësuar se Putini po kërkon kohë, por më kanë luajtur më të mirët gjithë jetën time – dhe kam bërë shumë mirë”, u shpreh ai me vetëbesim. Zoom.al/

Ndërron jetë analisti amerikan i çështjeve të Ballkanit, Janusz Bugajski

Ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare analisti dhe eksperti i njohur amerikan i çështjeve ndërkombëtare, Janusz Bugajski, një nga zërat më të njohur në analizat mbi Europën Lindore dhe Ballkanin.

Lajmi i hidhur u bë i ditur nga ish-drejtori i “Zërit të Amerikës”, Elez Biberaj, i cili në një postim publik shprehu tronditjen dhe dhimbjen për humbjen e mikut dhe kolegut të tij të ngushtë.

Jam i tronditur dhe thellësisht i trishtuar kur mësova për ndarjen nga jeta të mikut dhe kolegut tim të ngushtë, Janusz Bugajski. Ai ishte një analist i shkëlqyer i çështjeve euroaziatike, autor i shumë veprave që ndikuan ndjeshëm në kuptimin tonë të rajonit dhe një mbrojtës i vendosur i demokracisë, qeverisjes së mirë dhe lirisë së shtypit”, shkroi Biberaj.

Në reagimin e tij, Biberaj kujton bashkëpunimin e gjatë me Bugajskin në projekte të shumta që lidhen me zhvillimet politike dhe shoqërore në rajonin e Ballkanit.

Gjatë viteve kemi punuar së bashku në shumë projekte, veçanërisht në çështjet e Ballkanit. Fillova ta admiroja jo vetëm për intelektin e tij, por edhe për integritetin, humorin dhe përkushtimin e palëkundur ndaj vlerave që ai i vlerësonte shumë. Mungesa e tij do të ndihet thellë nga të gjithë ne që patëm privilegjin ta njihnim dhe të punonim me të. U prehsh në paqe, Janusz”, shkruan Biberaj.

“Shkëlqeu në fushë”, Ramadani shpallet lojtari më i mirë i ndeshjes Leçe-Sasuolo

Ylber Ramadani është vlerësuar si lojtari më i mirë i ndeshjes pas sfidës Leçe-Sasuolo e cila u mbyll në barazim pa gola.

Luftëtari shqiptar shkëlqeu përgjatë 90-të minutave, duke u shndërruar në një digë në mesfushë, duke thyer gati çdo aksion të kundërshtarit, dhe jo në pak raste ishte dhe iniciator i aksioneve të rrezikshme nga vendasit.

Në fund të sfidës ylli kuqezi u vlerësua me çcmimin si lojtari më i mirë. Ndërkohë në fushë nga minuta e parë për Leçen ishte dhe Medon Berisha i cili la fushën e lojës në minutën e 86-të.

Edhe Berisha bëri një parqitje fantastike. Zoom.al/

I shpërthen granata ndërsa po punonte tokën, plagoset i moshuari në Himarë

Një i moshur ka mbetur i plagosur në Himarë ndërsa ka qenë duke punuar në tokën e tij.

Bëhet me dije se 85-vjeçari K.K ndërsa ka qenë duke punuar tokën ka rënë në kontakt me një granatë e cila ka shpërthyer.

Menjëherë 85-vjeçari është dërguar në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa po mjekohen në këmbë ku ka pësuar dëmtime të lehta.

Njoftimi:

Sot, në lagjen “Livadhë”, Himarë, në një sipërfaqe toke (ullishte), shtetasi K. K., 85 vjeç, duke punuar në tokën e tij, ka marrë dëmtime në këmbë, si pasojë e shpërthimit të një granate dore, e cila ndodhej e fshehur në rrënjët e një ulliri.

Shtetasi K. K. aktualisht ndodhet në Spitalin Rajonal Vlorë, jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po kryen veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Zoom.al/

Parashikimi i motit për ditën e diel, sa do të arrijnë temperaturat

Ditën e Diel vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët e vranësira të pakta kalimtare përgjatë ultësirës perëndimore ndërsa në relievet malore në lindje mot me kthjellime e alternime vranësirash mesatare dhe hera-herës deri të dendura.

Në relievet malore në lindje në orët e mesditës deri ato të pasdites reshje shiu të herëpashershme, afatshkurtra dhe intensitet të ulët. Mjegull e dendur / mjegullinë dhe shikim i reduktuar përgjatë zonave luginore në orët e mëngjesit si dhe në momentin e reshjeve të shiut.

Temperaturat maksimale pritet të arrijnë në 23 gradë celcius, ndërsa ato minimale në 6 gradë celcius.

Era pritet të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare pritet të fitojë shpejtësi deri në 14 m/s.

Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon do të jetë i forcës 1-3 ballë.

SPAK dërgon për gjykim grupin “Çopja”, zbardhen akuzat ndaj 33 të pandehurve

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe dërgoi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 75/9, në ngarkim të 33 të pandehurve:

Franc Gergely alias Franc Çopja
Hajdar Bako alias Hajdar Çopja:
Mikael Qosja (Kamami) alias (Stefo), (Stefa)
Talo Çela,
Altin Ndoci,
Arzen Mama,
Eljo (Ervis) Bitri,
Maksim Koçi,
Dashnor Dumani,
Ado Xhika,
Arzen Hysa Çopja
Xhimi Hoxha,
Guri Biba,
Leonardo Ramani,
Ervis Daka,
Flobenc Meçja alias Flobenc (Drini, Gega)
Altin Kamami,
Martin Musaj,
Agustin Çinari,
Arben Lamçja,
Arjan Ormenaj,
Dorian Dyli,
Maklen Mici,
Bashkim Lika,
Klajdi Merkaj,
Armis Stafa
Renato Musaku,
Rexhino Doçi,
Matilda Hoxholli,
Pajtime Fetah,
Denada Toda,
Klodian Sinameta,
Leon Ramani

Veprimtaria  e organizatës “Çopja”

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Prokuroria e Posaçme, në bashkëpunim edhe me autoritetet e huaja (përmes dërgimit të letërporosive për paketën e kodeve PIN SKYECC), është evidentuar dhe dokumentuar ekzistenca e një organizate kriminale, e njohur si “Çopja”. Ajo drejtohej nga vëllezërit Franc Gargely alias Franc Çopja Bako alias Hajdar Çopja dhe është përfshirë në:

Vrasje me pagesë dhe tentativa për eleminimin e kundërshtarëve. Pagesat për ekzekutimet siguroheshin nga të ardhurat e trafikut të kokainës.
Korrupsion të funksionarëve të sistemit të drejtësisë dhe punonjësve të policisë.
Rekrutimin e punonjësve të policisë të Drejtorive Vendore, Durrës dhe Elbasan me qëllimin marrjen e informacionit dhe mbështetje operative.
Pastrimin e produkteve të veprës penale përmes investimeve në sektorin imobiliar dhe bizneseve të tjera në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.

Veprimtaria kriminale e vëllezërve “Çopja”, shtetasve Hajdar Bako (Çopja), dhe Franc Gergely (Çopja), daton rreth viteve 2006 – 2007. Ata fillimisht e kanë ushtruar aktivitetin kriminal në Itali duke shpërdarë sasi të vogla të lëndës narkotike të llojit kokainë. Ndërsa me kalimin e viteve, vëllezërit Çopja u fuqizuan shumë nga shitja dhe trafikimi i drogës, duke e zgjeruar aktivitetin edhe në vende të tjera të Europës, kryesisht në Holandë, Belgjikë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Hetimet treguan se pas vitit 2018, vëllezërit Çopja janë shndërruar në një organizatë kriminale të mirëfilltë, e cila në bashkëpunim edhe me grupe të tjera të krimit të organizuar transnacional, zgjeroi veprimtarinë e saj kriminale në trafikimin e drogave të forta, kryesisht të kokainës. Në vitin 2018 filloi vrasjen e kundërshtarëve (përmes ekzekutimeve me pagesë), të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Europë dhe më gjerë.

Përbërja dhe lidhjet e organizatës kriminale

Hajdar Bako (Çopja) dhe Franc Gargely (Çopja) – Drejtuesit e Organizatës

Mikael Qosja alias Kamami, (Stefa), (Stefo), i njohur ndryshe edhe si Kel Kamami – Organizator i vrasjesve.

Talo Çela, Eljo (Ervis) Bitri dhe Flobenc Meçja alias Flobenc (Drini, Gega) – Krahu i armatosur i organizatës. Ai kishte grupin e tij të ekzekutorëve me pagesë. Fillimisht janë rekrutuar të hetuarit; Altin Ndoci, Besmir Haxhia (i ndjerë, vrarë nga grupi Alibej në datën 27.4.2020), Dashnor Dumani dhe Dorian Shkoza (i ndjerë, vrarë nga grupi Alibej në datën 3.3.2020).

Guri Biba, Emiljano Ramazani (i ndjerë), Ervis Daka, Dorian Shkoza (i ndjerë), Abedin Mama, Arzen Mama, Fatos Gosa, Ado Xhika, Renato Musaku, Leonardo Ramani, Martin Musaj, Ervis Hysa Çopja (viçja), Ervis Daka (Dragoviçi), Xhimi Hoxha, Agustin Çinari, si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar – Anëtarë të organizatës, të cilët kanë siguruar mjete logjistike si automjete, armë, municion, lëndë plasëse eksplozive ose kanë luajtur rolin e vëzhguesve dhe informatorëve.

Organizata kriminale “Çopja”, përmes lidhjeve të saj arriti të korruptojë gjyqtarë për të krijuar aksese, me qëllim mbylljen e çështjeve në ngarkim të tyre ose rëndimin e pozitës së kundërshtarëve.

Lidhjet në organet e Drejtësisë:

Pajtime Fetah, e cila në vitin 2020 ka qenë me detyrë Gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë Elbasan;
Denada Tode, me detyrë sekretare gjyqësore, pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan;
Si dhe persona të tjerë për të cilët vijojnë hetimet.

Lidhjet në organet e zbatimit të ligjit (Policinë e Shtetit):

Agustin Çinari, me detyrë punonjës policie, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës.
Martin Musaj, me detyrë punonjës pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan;
Si dhe persona të tjerë për të cilët vijojnë hetimet.

Lidhjet në biznes dhe pastruesit e produkteve të veprës penale:

Nga të dhënat e siguruara nga organi i akuzës rezulton se organizata kriminale “Çopja”, një pjesë të të ardhurave të gjeneruara nga aktiviteti kriminal i trafikut ndërkombëtar të drogës e ka investuar në Shqipëri, kryesisht në sektorin imobiliar (përmes blerjes së pasurive të paluajtshme si apartamente, vila, bare e restorante dhe sipërfaqe toke), në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

Evidentohet përdorimi i sektorit të ndërtimit, ku përmes personave të tretë ka injektuar dhe investuar shuma monetare të konsiderueshme, “cash”. Gjithashtu ka investuar në çeljen e operatorëve ekonomik si dhe përdorimin e operatorëve ekonomik ekzistues me aktivitet në Shqipëri, të cilët “de jure” janë regjistruar në emër të lidhjeve të tyre shoqërore, miqësore dhe bashkëpunuese, duke mosekspozuar poseduesit “de facto” dhe përdorimin e tyre si kamuflim/koperturë, me qëllim pastrimin e parave të gjeneruara nga aktiviteti kriminal;

Shtetasi Franc Gergely (Çopja), në raste të përsëritura ka realizuar transferimin e vlerave monetare të konsiderueshme “cash”, përmes përdorimit të zyrave të këmbimit valutor exchange, brenda dhe jashtë vendit, duke ia dërguar personave të tij të besuar. Kjo bëhej me qëllimin për të kryer pagesën për ngarkesat e lëndës narkotike të llojit kokainë (në vendet e origjinës, Ekuador, Brazil, Kolumbi, Paraguaj dhe Bolivi), të vrasjeve apo investimeve për llogari të tyre, në Shqipëri dhe jashtë saj.

Në interes të hetimeve, është bërë e mundur evidentimi i zyrës së këmbimit valutor me emër tregtar “B.LIKA CIMI & KENI” EXCHANGE, me aktivitet zyrë këmbimi valutor.

Faktet penale

“Vrasja në rrethana cilësuese në dëm të viktimave Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasit turk Erdal Duranay”, ngjarje e ndodhur më datë 29.12.2018, në orën 21:00, në vendin e quajtur Bradashesh, aksi rrugor Tiranë – Elbasan, në afërsi të restorant Dervishaj;
“Vrasja në rrethana cilësuese e shtetasit Klevin Baho dhe plagosja e vëllait të tij shtetasit Aldo (Aleksandër) Baho”, ngjarje e ndodhur më datë 1.7.2019, ora 00:30, në fshtin Broshkë, Elbasan;
“Vrasja në rrethana cilësuese në dëm të viktimave Andi Zylyfi dhe plagosja e shtetasit Ardit Uruçi”, ngjarje e ndodhur më datë 13.12.2019, në fshatin Përparim, Peqin;
“Vrasja e shtetasit Klevis Kapllani”, ngjarje e ndodhur më datë 15.9.2020, në fshatin Sinaballaj, Rrogozhinë;
“Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”, në dëm të shtetasit Kei Piku, ngjarje e ndodhur më datë 16.1.2020, në lagjen “Kongresi i Elbasanit”, në Elbasan;
“Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”, në dëm të shtetasit Irfan Azizi, ngjarje e ndodhur më datë 29.11.2020, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Poshnjes në Urën Vajgurore, Berat.
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Erion Alibej, ngjarje e planifikuar të kryhej në përiudhën kohore nëntor 2019 –janar 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Erion Alibej, ngjarje e planifikuar të kryhej pas periudhës së karantinës në vitin 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Erion Alibej, ngjarje e planifikuar të kryhej në muajin shtator 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Erion Alibej, ngjarje e planifikuar të kryhej në përiudhën kohore korrik – nëntor 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Nuredin Dumani, ngjarje e planifikuar të kryhej në përiudhën kohore korrik – tetor 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Nuredin Dumani, ngjarje e planifikuar të kryhej në përiudhën kohore tetor – nëntor 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Qani Alibej, ngjarje e planifikuar të kryhej në shtator të vitit 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Arjan Spahiu, ngjarje e planifikuar të kryej në periudhën kohore dhjetor 2019 – janar 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Arben Spahiu, ngjarje e planifikuar të kryhej në periudhën kohore nëntor 2020 – janar 2021;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Rigers Spahiu, ngjarje e planifikuar të kryhej në periudhën kohore janar 2020 – janar 2021;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Everest (Ibrahim) Caka, ngjarje e planifikuar të kryej në periudhën kohore janar 2020 – nëntor 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Ardian Çollaku (Subashi), ngjarje e planifikuar të kryhej në muajt korrik – nëntor të vitit 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Aldo Baho, ngjarje e planifikuar të kryhej në muajt maj – gusht të vitit 2020;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në dëm të shtetasit Aldo Baho, ngjarje e planifikuar të kryhej në muajt korrik – gusht të vitit 2020.
“Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë, ” nga ish-gjyqtarja Pajtime Fetah, ngjarje e ndodhur gjatë vitit 2020 në Elbasan dhe ‘’Korrupison aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë,  nga Mikael Kamami dhe Arzen Mama.
“Shpërdorimi i detyrës” dhe “Pjesëmarrës në  Organizatë” nga punonjësi i Policisë së Shtetit Agustin Çinari;
“Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të shtetasit Arben Spahiu, “ dhe“Shpërdorimi i detyrës” nga punonjësi i policisë shtetasi Martin Musaj;
“Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” nga shtetasja Denada Toda, kryer gjatë periudhës kohore shtator – tetor të vitit 2020, në Elbasan.
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, nga shtetasit Franc Gergely (Çopja), Arben Lamçja, Arjan Ormenaj, Dorian Dyli si dhe persona të tjerë të paidentifikuar në kuadër të organizatës kriminale;
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, nga shtetasit Franc Gergely (Çopja), Arben Lamçja, Dorian Dyli, Maklen Mici, Bashkim Lika si dhe persona të tjerë të paidentifikuar në kuadër të organizatës kriminale;
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, nga shtetasit Franc Gergely (Çopja) dhe Klajdi Merkaj në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë.
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, nga shtetasit Franc Gergely (Çopja) dhe Rexhino Doçi  në kuadër të në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë.
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, nga shtetasit Franc Gergely (Çopja) dhe Armis Stafa në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë.
“Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, nga shtetasi Talo Çela dhe nëna e vajzës së tij shtetasja Matilda Hoxholli) si dhe persona të tjerë të paidentifikuar në kuadër të bashkëpunimit të thjeshtë.
Përkrahja e autorit të krimit (shtetasit Talo Çela), kryer nga shtetasit Franc Gergely (Çopja), Mikael Qosja, Altin Ndoci, Ado Xhika, Maksim Koçi, Arben Lamçja, Renato Musaku, Arzen Hysa Çopja dhe Xhimi Hoxha gjatë viteve 2020 – 2021 në qytetet Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
•   Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, kryer nga shtetasi Klodian Sinameta.
•   Moskallëzim krimi, kryer nga shtetasit Leon Ramani.
“Vjedhja me armë e mbetur në tentativë, në dëm të shtetasit Minella Muçi dhe Vrasja e Punonjësit të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë, ngjarje e ndodhur më datë 23.03.2018, në lagjen 28 nëntori, në Fier;
“Vjedhja me armë e vlerave monetare” që do transportoheshin me linjën e avionit Tiranë – Vjenë, ngjarje e ndodhur më datë 09.04.2019, në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, Rinas, Tiranë.

Sekuestrimet

Sekuestrimet numërojnë më shumë se 40 prona të paluajtshme, vila apartamente, pasuri shërbimi dhe toka në Tiranë, Durrës dhe Elbasan. Janë sekuestruar gjithashtu llogari bankare në monedha të ndryshme në disa banka të nivelit të dytë.  Në kuadër të këtij procedimi, Gjykata e Posaçme e Shkallës  së Parë ka dhënë disa vendime për sekuestro preventive, përfshirë atë të datës 29.7.2024, ndaj disa pasurive të paluajtshme, si edhe atë të datës 10.9.2024 për llogaritë bankare të shtetasit Bashkim Lika dhe shtetasit Maklen Mici. Zoom.al/

Njihuni me tre shenjat që do të kenë më shumë fat këtë fundjavë!

Kjo fundjavë sjell energji pozitive dhe mundësi të reja për disa shenja të zodiakut.

Planetët janë në një pozicion të favorshëm që ndikojnë drejtpërdrejt në dashuri, financa dhe mirëqenie personale. Ja cilat janë tre shenjat më me fat të kësaj fundjave:

Demi
Për Demin, fundjava vjen me një ndjesi stabiliteti dhe gëzimi. Pas një periudhe të ngarkuar, do të keni mundësinë të çlodheni dhe të shijoni momente të bukura me të afërmit. Takimet shoqërore mund të sjellin njohje të reja që do t’ju hapin dyer të rëndësishme, sidomos në aspektin profesional.

Luani
Luani do të ndjejë një rritje të vetëbesimit dhe karizmës. Do të jeni në qendër të vëmendjes kudo që shkoni. Kjo është një kohë e shkëlqyer për të bërë plane afatgjata, veçanërisht në lidhje me projekte kreative apo udhëtime. Në dashuri, mund të ndodhë një kthesë pozitive e papritur.

Peshorja
Për Peshoren, fundjava sjell qetësi shpirtërore dhe harmoni. Do të keni mundësi të reflektoni dhe të rivendosni ekuilibrin në marrëdhënie personale. Një lajm i mirë financiar mund t’ju befasojë, ndërsa intuita juaj do t’ju udhëheqë drejt vendimeve të mençura.

Për këto tre shenja, fundjava premton jo vetëm fat, por edhe momente të paharrueshme. Përfitoni nga energjia pozitive për të ndjekur dëshirat tuaja!