zoom

Day ArchiveAustralia ndalon mediat sociale për fëmijët nën 16 vjeç

Qeveria australiane po përgatitet të zbatojë një nga masat më të rrepta në botë kundër përdorimit të mediave sociale nga të miturit. 

Duke filluar nga 10 dhjetori 2025, fëmijëve nën moshën 16 vjeç do t’u ndalohet të hapin ose të kenë llogari në platforma të mëdha si Facebook, Instagram, TikTok, Snapchat, X dhe YouTube. Kjo do të jetë hera e parë që një vend ndërmerr një ndalim të tillë në shkallë kombëtare për këtë grupmoshë.

Ligji i ri detyron kompanitë e mediave sociale të marrin “masa të arsyeshme” për të verifikuar moshën e përdoruesve dhe për të parandaluar qasjen e fëmijëve nën 16 vjeç. Nëse kompanitë nuk e respektojnë ligjin, ato mund të përballen me gjoba deri në 50 milionë dollarë australianë (rreth 28 milionë euro).

Qeveria australiane ka nisur një fushatë informuese për të përgatitur prindërit dhe fëmijët para hyrjes në fuqi të rregullave të reja. Ministrja australiane e Komunikimeve, Anika Wells, deklaroi se qëllimi kryesor është t’u rikthehet fëmijëve një fëmijëri më e shëndetshme dhe të sigurohen që të rinjtë të kenë kohë të zhvillojnë identitetin e tyre pa ndërhyrje nga platformat digjitale. Ajo theksoi se “duam që fëmijët të kenë fëmijëri” dhe “prindërit të kenë qetësi shpirtërore”.

Vendimi i Australisë po ndiqet me vëmendje nga vende të tjera që shqetësohen për ndikimin e mediave sociale tek fëmijët. Ambasadorja e Danimarkës në Australi, Ingrid Dahl-Madsen, tha se vendi i saj po e vëzhgon me interes qasjen australiane dhe planifikon ta përdorë presidencën e saj aktuale në Këshillin e Bashkimit Evropian për të shtyrë përpara agjendën e mbrojtjes së fëmijëve në nivel evropian. Danimarka ka propozuar kufirin e moshës 15 vjeç dhe po shqyrton përjashtime tatimore për prindërit që ndihmojnë fëmijët e tyre 13–14 vjeç të qëndrojnë larg mediave sociale.

Megjithatë, ligji australian nuk është pritur pa kundërshti. Mbi 140 akademikë australianë dhe ndërkombëtarë nënshkruan një letër të hapur kundër kufizimeve të moshës, duke i quajtur ato një “instrument shumë i dobët” për adresimin efektiv të rreziqeve të mediave sociale. Ata argumentojnë se një ndalim i tillë mund të ketë pasoja të padëshiruara, përfshirë izolimin social dhe kufizimin e qasjes në përmbajtje edukative.

Pavarësisht kritikave, ligji është miratuar me mbështetje të gjerë politike dhe publike, dhe platformat kanë pasur një vit në dispozicion për të zhvilluar mjete të përshtatshme për verifikimin e moshës, edhe pse aktualisht nuk ekziston një teknologji 100% e saktë për këtë qëllim.

Komisionerja e Sigurisë Elektronike të Australisë, Julie Inman Grant, e përshkroi këtë lëvizje si “një ngjarje monumentale” që do të ndikojë thellësisht tek të rinjtë. Ajo theksoi nevojën për tranzicion të kujdesshëm dhe mbështetës, duke i ndihmuar fëmijët të arkivojnë kujtimet digjitale, të ruajnë kontaktin me miqtë dhe të kenë akses në ndihmë për shëndetin mendor nëse ndihen të izoluar.

Qeveria dhe agjencitë përkatëse kanë ofruar udhëzime praktike për prindërit, përfshirë mënyra alternative për të ndjekur përmbajtje online jashtë mediave sociale, në përpjekje për të minimizuar ndikimet negative të ndryshimeve të pritshme.

Në fund, kjo nismë e Australisë mund të shërbejë si një eksperiment global për mënyrën se si vendet mund të mbrojnë të rinjtë në një epokë digjitale gjithnjë e më dominuese dhe komplekse. Zoom.al/

Parashikimi i motit për ditën e shtunë, çfarë ndodh me temperaturat

Ditën e shtunë vendi ynë do të vijojë të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.

Moti parashikohet me vranët, shoqëruar me reshje shiu me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit ndërsa në zonën e qëndrës reshjet parashikohen me intensitet deri mesatar në formën e shtrëngatave afatshkurtra.

Pas orëve të pasdites reshjet e shiut humbasin territor duke u përqëndruar në veri por me intensitet të ulët.

Temperaturat maskimale pritet të arrijnë ën 20 gradë celcius, ndërsa ato minimale në 5 gradë celcius.

Era pritet të fryjë me drejtim verilindje – jugperëndim me shpejtësi mesatare 8 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare pritet të fitojë shpejtësi deri në 12 m/s.

Valëzimi në detet Adriatik dhe Jon do të jetë i forcës 1-2 ballë. Zoom.al/

Zjarr në një hotel në Tiranë, evakuohen klientët

Kati i parë i një hoteli është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme në Tiranë në rrugën “Don Bosko”.

Bëhet me dije se se si pasojë e një defekti elektrik në pjesën e lavanderisë, ka rënë zjarr në katin e parë të ndërtesës.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë evakuar personat që ndodheshin brenda hotelit, si dhe shërbimet zjarrfikëse, që bënë të mundur fikjen e zjarrit

Njoftimi:

Rreth orës 20:50, në rrugën “Don Bosko”, dyshohet se si pasojë e një defekti elektrik në pjesën e lavanderisë, ka rënë zjarr në katin e parë të një hoteli.

Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë evakuar personat që ndodheshin brenda hotelit, si dhe shërbimet zjarrfikëse, që bënë të mundur fikjen e zjarrit.

Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.

Kokainë me vlerë 20 milionë paund/ Arrestohen tre shqiptarë në Angli

Tre shtetas shqiptarë janë arrestuar nga policia britanike në Londër, pasi u kapën duke transportuar rreth 250 kilogramë kokainë me anë të një kamioni.

Sipas raportimeve të BBC, droga e sekuestruar kap vlerën e 20 milionë paund në treg.

Të arrestuarit janë tre shqiptarë rreth të 30-ave, ndërsa pritet të dalin përpara drejtësisë në ditët në vijim.

Autoritetet britanike kanë sekuestruar ngarkesën dhe po hetojnë lidhjet e mundshme të tyre me rrjete të trafikut ndërkombëtar.

Zyrtari i Partneritetit të Krimit të Organizuar në Londër, Andy Tickner, u shpreh se ky është një nga sekuestrimet më të mëdha të muajve të fundit.

“Pa përpjekjet e oficerëve për ta ndaluar këtë ngarkesë, ajo sasi droge do të kishte përfunduar në rrugët e komuniteteve tona, duke ushqyer varësinë dhe duke çuar në krime të tjera të rënda,” tha ai.

Protesta mbarëkombëtare në Tiranë për UÇK-në, reagon Richard Grenell

I dërguari i Posaçëm i Trump për misionet speciale të SHBA-së, Richard Grenell, Richard Grenell ka ripostuar në X një video nga protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së sot në Tiranë.

“Haga është jashtë kontrollit. Kjo është ajo që ka bërë Jack Smith”,- ka shkruar Grenell në rrjetin X.

Më herët Grenell ka kritikuar ashpër gjykatën e Hagës dhe procesin gjyqësor që po mbahet ndaj ish- krerëve tl UÇK-së. Zoom.al/

“Opsion realist”/ Putin mund të fluturojë mbi Shqipëri për takimin me Trump

Menjëherë pas njoftimit të vendndodhjes së samitit të ardhshëm midis Presidentit rus dhe udhëheqësit të Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump, pyetja qarkulloi në disa kanale ruse të Telegramit me shumë ndjekës.

Pyetja nuk është e pazakontë. Dhe vetë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, vuri në dukje se “për momentin, sigurisht, situata logjistike është e paqartë”.

Për të arritur në kryeqytetin hungarez, udhëheqësi i Kremlinit do të duhet të fluturojë mbi vendet që janë anëtare të Bashkimit Evropian ose NATO-s. Prandaj, Brukseli do të duhet t’i japë atij të drejta fluturimi mbi hapësirën e tij ajrore, duke anashkaluar sanksionet dhe urdhër-arrestin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Por, në çdo rast, Putini përballet me një shqetësim sigurie.

Hungaria “është e rrethuar nga pothuajse të gjitha anët nga shtete armiqësore ndaj Rusisë, kështu që një fluturim për në Hungari mund të jetë sfidues për Vladimir Putinin”, vërejti politologu amerikan Kirill Benediktov, duke folur për kanalin Readovka, i cili ka mbi dy milionë abonentë.

Duke përjashtuar fluturimin mbi Ukrainë, si dhe rrugën Bjellorusi-Poloni-Sllovaki-Hungari, sipas Benediktov, rruga “më e mundshme” do të ishte ajo që kalon nëpër Turqi, Mesdhe, Mal të Zi ose Shqipëri dhe Kosovë, Serbi dhe së fundmi Hungari. “Korridori i Ballkanit është i vetmi opsion realist.”

Burimet diplomatike evropiane janë përgatitur tashmë. “Nëse samiti mbahet në Budapest, amerikanët me siguri do të duan që Vladimir Putin të vijë. Se si do të arrijë atje, nuk e di”, duke pasur parasysh se do të kërkohet “autorizim ad hoc”, vuri në dukje një burim i BE-së i cituar nga media italiane La Repubblica.

Sigurisht, do të kishte një rrugë nga Rusia në Hungari pa hyrë në hapësirën ajrore evropiane. “Putini mund të fluturojë mbi Ukrainë, por nuk mendoj se ky është një opsion i mençur”.

Putini nuk është “specifikisht subjekt i një ndalimi udhëtimi”, sqaroi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anita Hipper, por ndalimi i fluturimeve ruse mbi hapësirën ajrore evropiane mbetet në fuqi. “Shtetet anëtare mund të japin përjashtime për drejtimin e udhëtimit, por përjashtime të tilla duhet të jepen nga shtetet anëtare individuale”, tha Hipper.

Për më tepër, sapo të mbërrijë, Hungaria do të detyrohet të arrestojë Putinin sipas urdhrit të arrestimit të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë.

Budapesti nënshkroi Statutin e Romës, traktatin që themeloi GJPN-në, në vitin 1999 dhe e ratifikoi atë dy vjet më vonë, gjatë mandatit të parë të Viktor Orbán. Më 3 prill, gjatë një vizite në Budapest nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, gjithashtu sipas një urdhri arrestimi nga Haga, Hungaria njoftoi tërheqjen e saj, por kjo do të hyjë në fuqi vetëm pas një viti. Sigurisht, “askush nuk do të habitej nëse Hungaria nuk do ta arrestonte Putinin”, tha burimi i BE-së, “megjithëse kjo nuk ndihmon” reputacionin e GJPN-së. Zoom.al/

“Ofendoi kryetarin”/ PS kërkon përjashtimin e Gazment Bardhit nga Kuvendi

Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kërkon nga kryetari i Kuvendit Niko Peleshi, përjashtimin e deputetit Gazment Bardhi për 30 ditë nga Kuvendi.

“Në seancën e datës 16 tetor 2025, gjatë zhvillimit të diskutimeve mbi çështjet e rendit të ditës, ku konkretisht po raportonin Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, deputeti Gazment Bardhi ndërhyri në mënyrë të përsëritur me tone arrogante, duke ndërprerë folësin, duke përdorur fjalë shumë të rënda fyese ndaj Kryetarit të Kuvendit, veprime këto që përbëjnë shkelje të rëndë të Rregullores së Kuvendit dhe të etikës parlamentare.

Veprimet e qëllimshme për të penguar zhvillimin normal të seancës, krijuan kaos në sallë, duke bllokuar vijimin e punimeve dhe penguar të drejtën e fjalës të deputetëve të tjerë.

Kryetari i Kuvendit, në zbatim të Rregullores, mori masa disiplinore të përshkallëzuara ndaj deputetit Bardhi, duke i tërhequr vëmendjen, më pas duke i hequr të drejtën e fjalës dhe në fund përjashtimin nga seanca plenare. Edhe pas kërkesës së përsëritur të Kryetarit të Kuvendit për të lënë sallën e seancave plenare, deputeti Bardhi, në shkelje të Rregullores, refuzoi të dilte; duke u bërë kështu pengesë për vijimin normal të seancës.

Deputeti Gazment Bardhi, brenda sesionit parlamentar, ka kryer në mënyrë të përsëritur shkeljet e parashikuara në nenin 65/1, pika 1, të Rregullores së Kuvendit. Në këto kushte, referuar Rregullores së Kuvendit:

Bazuar në nenin 63, pika 1, germa d) dhe nenin 65/1, pika 1 (dhe pika 6, germa c) të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, si dhe në nenin 3, germa ç), dh), dhe e), neni 6, neni 8, pika 2, germa b) dhe neni 33 të Kodit të Sjelljes së Deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, parashtrojmë kërkesën si më poshtë:

Kërkojmë marrjen e masës disiplinore të përjashtimit 30 ditë ndaj deputetit Gazment Bardhi, sipas parashikimeve të nenit 65/1, pika 6, germa c).

Thirrjen e mbledhjes së Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për vlerësimin e masës disiplinore”-thuhet në kërkesë. Zoom.al/

Takimi Trump-Zelensky, presidenti ukrainas mbërrin në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Shtëpinë e Bardhë për takimin e tij me Presidentin amerikan, Donald Trump.

Pritet që Zelensky t’i kërkojë Trumpit armë shtesë me rreze të gjatë veprimi, të afta për të goditur objektiva brenda territorit rus.

Kjo vjen pasi Trump zhvilloi një telefonatë me Presidentin rus Vladimir Putin dje, ku të dy udhëheqësit diskutuan luftën.

Pas samitit midis Trump dhe Putin në Alaska, SHBA-të janë përpjekur të rrisin presionin mbi Putinin, duke përfshirë një ndryshim në ndarjen e inteligjencës, që administrata Trump shpreson se do të ndryshojë llogaritjet e udhëheqësit rus për vazhdimin e luftës. Zoom.al/

Ali Ahmeti: Akuzat ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të fabrikuara nga qarqet serbo-ruse

Kreu i BDI-së dhe themeluesi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti, në fjalën e tij në protestën për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, tha se akuzat ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të fabrikuara nga qarqet e errëta serbo-ruse.

Ahmeti u shpreh se UÇK-ja ka qenë dhe mbetet aleate e SHBA-ve dhe e BE-së, duke shtuar se ka respektuar të gjitha ligjet e luftës.

“Të dashur ushtarë të lirisë, faleminderit Shqipëri, faleminderit nënë. Na ke pritur si nëna bijtë. Doja të përshëndes Alfed Moisiun, që vetë ka qenë luftëtar i lirisë. Sot jemi bashkë, Tiranë, Prishtinë e Shkup, kështu qofshim gjithmonë. Lufta jonë ishte e drejtë, ishte për pragun e shtëpisë, për miqësi me SHBA-të dhe BE-në. Zanafilla e Speciales është tek fabrikimet serbo-ruse. Kohë më pas, Dick Marty riaktivizoi mediatikisht këtë temë përsëri me porosi serbo-ruse, që bëri që të themelohet Specialja. Kjo gjykatë u themelua nga Kosova. Akt-akuza është riciklim i akuzave të mëhershme ndaj Haradinajt e Fatmir Limajt. Sot ata po gjykohen si çlirimtarë, ata kapën pushkën për të mbrojtur pragun e shtëpisë nga gjenocidi serb. UÇK-ja nuk ka shkelur asnjëherë ligjet e luftës e kjo është dëshmuar deri më sot në gjitha gjykatat ndërkombëtare. UÇK-ja ka qenë e mbetet partnere e SHBA-ve dhe e BE-ve”, deklaroi Ahmeti. Zoom.al/

BIRN: Kuvendi miraton ligjin e ri për mbetjet pa sqaruar kostot financiare

Nisma e re ligjore e qeverisë “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” u miratua të enjten në Kuvend vetëm nga votat e mazhorancës, pa debat dhe pa sqaruar faturën financiare të zbatimit të tij.

Ligji i ri parashikon kthimin e Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, AKEM, në një shoqëri aksionere përgjegjëse për menaxhimin fundor të mbetjeve në të gjithë Republikën dhe vendosjen e bashkive në pozitat e klientëve të kësaj shoqërie për depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve.

Qeveria i rikthehet hirearkisë së menaxhimit të mbetjeve duke i dhënë prioritet ndarjes në burim, ripërdorimit, riciklimit dhe kompostimit, ndërsa ligji lë pothuaj në hije rolin e inceneratorëve dhe incenerimin si proces për të cilin qeveria socialiste investoi me dhjetra-milionë euro në një dekadë.

Dispozitat ligjore dhe relacioni që shoqëron ligjin i mëshojnë parimit “ndotësi paguan” duke nënkuptuar rritje të tarifave dhe kostove për menaxhimin e mbetjeve, por pa arritur të ofrojnë një faturë transparente financiare se sa realisht do t’u kushtojë taksapaguesve zbatimi i këtyre dispozitave.

Gjatë diskutimit të ligjit në komisionet parlamentare dhe nga dëgjesat publike me grupet e interesuara, Ministria e Mjedisit si propozuese e nismës nuk arriti të jepte përgjigje për kostot financiare, sa do të jenë kostot e bashkive për grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve në pikat fundore dhe për pasojë sa do të rriten tarifat vendore për qytetarët.

Vetë ligji parashikon që Këshilli i Ministrave do të miratojë metodologjinë e llogaritjes së kostove operative dhe të shërbimit të grumbullimit, pastrimit dhe transportit deri në stacionet e transferimit të mbetjeve nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Metodologjia do të përcaktojë edhe tarifat e menaxhimit të mbetjeve.

Por pyetjet e ripërsëritura të deputetëve se sa do t’i kushtojë taksapaguesve kjo reformë e menaxhimit të mbetjeve nuk morën përgjigje të qarta nga ministria.

Në lidhje me koston totale për menaxhimin e mbetjeve, ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj tha se direktivat e BE-së përcaktojnë objektivat e riciklimit për vitin 2035 dhe bazuar në këto objektiva është parashikuar vlera financiare që duhet të investohet për infrastrukturën që nevojitet deri në vitin 2035.

Në raportin e vlerësimit të përgatitur nga kjo ministri në opsionin e rekomanduar nga BE vlerësohet që kostot e përgjithshme të investimit të shkojnë në rreth 683 milion euro deri në vitin 2035.

Po ashtu, kostot vjetore për ton mbetje të krijuara pritet të rriten nga 79 euro për ton në vitin 2025 në 170 euro për ton në vitin 2035.

Ndërsa ministri Jaupaj informoi deputetët se ministria ishte në fazat e negociatave “për shtyrjen e afatit të përmbushjes së këtij investimi përtej 2035”, sipas raportit të komisionit parlamentar për “Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm”.

Gjatë dëgjesës në komisionin e Ligjeve, ai tha se barrën kryesore financiare do ta mbajë qeveria, ndërsa bashkitë do të përballojnë një pjesë të kostove.

“Ky është kapitulli më i shtrenjtë i negociatave me Bashkimin Europian. Qeveria është në bisedime për të siguruar fonde nga BE, kredi dhe grante, në mënyrë që të mbështesim infrastrukturën e re pa e ngarkuar tej mase buxhetin vendor,” argumentoi ai.

Edhe në raportin e përgatitur nga Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat nuk ka një faturë të qartë financiare që shoqëron zbatimin e këtij ligji.

“Kostot e infrastrukturës dhe operimit për menaxhimin e integruar të mbetjeve mbulohen nga krijuesi ose nga zotëruesi i mbetjeve, në përputhje me parimin “ndotësi paguan”- thuhet në këtë raport, ndërsa nevoja për financime nga buxheti i shtetit do të vlerësohet nga AKEM.

“Çdo zonë mbulon kostot e investimit për ndërtimin e infrastrukturës për menaxhimin e integruar të mbetjeve bashkiake. Bashkitë dhe AKEM-i financojnë kostot e investimit për çdo zonë të menaxhimit të mbetjeve,” thuhet më tej në raport e këtij komisioni

Ligji parashikon që kostoja për grumbullimin dhe transferimin e mbetjeve të jetë pjesë e buxhetin vjetor të bashkive dhe do të përballohet nga mbledhja e tarifës së pastrimit për qytetarët

Shoqatat e bashkive dhe vetë kryetarët e bashkive që morën pjesë në një dëgjesë në komisonin e Ligjeve thanë se bashkitë do të gjenden në vështirësi financiare për të përballuar kostot që u ngarkon zbatimi i këtij ligji dhe kërkuan që të parashikohej në ligj që këto kosto të përballohen nga buxheti i shtetit nëpërmjet transfertave të pakushtëzuara.

Ligji u kontestua gjithashtu nga opozita dhe shoqatat që përfaqësojnë interesat e pushtetit vendor se cënon autonominë vendore, ndërsa në komisionin parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme u kritikua për përafrim të pjesshëm të dispozitave të BE-së për Mjedisin.

Ministri tha se përafrimi i plotë do të bëhet me miratimin e 12 projektvendime të Këshillit të Ministrave si akte nënligjore në linjë me periudhat transitore të kërkuara në kuadër të procesit të anëtarësimit.

Gjatë shqyrtimit të këtij ligji, ministria e Mjedisit theksoi se reforma e re e menaxhimit të mbetjeve plotësohej dhe me një nismë tjetër ligjore, ajo për “Përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit”, e cila është futur për shqyrtim në Kuvend./ BIRN