zoom

Day ArchiveSelena Gomez rrëfen momentin pas martesës me Benny Blanco: “Fillova të qaja nga frika se…”

Këngëtarja dhe aktorja e njohur Selena Gomez ka ndarë një rrëfim të ndjerë mbi përjetimin e saj emocional menjëherë pas martesës me producentin Benny Blanco.

Gjatë konferencës “Fortune’s Most Powerful Women”, mbajtur më 15 tetor, Gomez tregoi se ndonëse dita e dasmës ishte një nga momentet më të lumtura të jetës së saj, ajo përjetoi një reagim të papritur dhe të fortë emocional.

Mendova: ‘Do të vdes ditën tjetër.’ Nuk e di pse, por çdo herë që më ndodh diçka e bukur, një pjesë e mendjes sime më thotë se diçka e keqe do të vijë më pas”- ka thënë ajo.

Selena shpjegoi se ndonjëherë i është e vështirë të shijojë plotësisht momentet e lumtura, pasi shqetësimet dhe frika e humbjes e bëjnë të ndihet e pasigurt.

Në vend që të them ‘Uau, kjo është e mrekullueshme’, menjëherë mendoj: ‘Të gjitha këto mund të zhduken nesër. Si ta parandaloj që të ndodhë?’

Megjithatë, pavarësisht ankthit dhe brengave të brendshme, Gomez theksoi se ndihet e bekuar dhe shpreson të krijojë një familje me bashkëshortin e saj. Zoom.al/

Greta Thunberg tregon çfarë pa në burgjet e Izraelit

Aktivistja e njohur, Greta Thunberg, ka rrëfyer për herë të parë përvojën tronditëse gjatë pesë ditëve të ndalimit nga ushtria izraelite, pasi u kap në anijen humanitare për Gazën.

Në një intervistë ekskluzive për gazetën suedeze Aftonbladet, ajo ka treguar se si është fyer, abuzuar fizikisht dhe psikologjikisht nga forcat izraelite.

Sipas Thunberg, një valixhe e saj e kuqe ishte bërë objekt talljeje dhe urrejtjeje, e mbuluar me vizatime fyese intime, përfshirë një flamur izraelit.

“Ushtarët izraelitë ma përsëritnin këtë fjalë pa pushim. Më fyenin, më godisnin me grushte dhe me shkelma, më bënin foto pa lejen time, thjesht sepse mundeshin. Ishte një mungesë totale e ndjeshmërisë njerëzore”, ka treguar ajo.

Thunberg, e cila u arrestua së bashku me anëtarët e tjerë të anijes humanitare dy javë më parë, tha se përvoja e saj nuk është asgjë krahasuar me atë që përjetojnë palestinezët në mënyrë të përditshme:

“Nuk bëhet fjalë për mua apo anijen. Ka mijëra e mijëra palestinezë, përfshirë qindra fëmijë, të burgosur pa gjyq. Shumë prej tyre me shumë gjasë torturohen”.

“Nëse ata guxuan të më trajtonin kështu mua, një vajzë e bardhë, e njohur, me vëmendjen e gjithë botës mbi mua, imagjinoni çfarë janë të aftë të bëjnë me palestinezët, në fshehtësi, larg syve të mediave”, theksoi ajo.

Në një moment të rrëfimit, Thunberg tregon se pa rreth 50 njerëz, në gjendje çnjerëzore, duke përshkruar kushtet e rënda të burgut Ketziot. Zoom.al/

Gazment Bardhi: Do të bëjmë kallëzim penal ndaj presidentit

Dy ditë më parë, Partia Demokratike deklaroi se ka kërkuar nga Kuvendi fillimin e procedurave për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begajt.

Në një intervistë në “Opinion” në Tv Klan, kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, renditi 7 shkelje të Kushtetutës nga presidenti.

Bardhi thotë se Partia Demokratike do të depozitojë edhe një kallëzim penal ndaj kreut të shtetit për çështjen e pasurisë së tij.

Gazment Bardhi: Ne sulmojmë modelin që zgjedh Edi Rama për të qeverisur se nuk është Bajram Begaj. Bajram Begaj është një individ që e mori Edi Rama dhe e vuri president, pra në qindra intelektualë me integritet, profesionistë e me radhë, Edi Rama mori një njeri ekzaktësisht modelin që i dueht në institucionet shtetërore që mund të kontrollohet, një njeri që mund të akuzohet për afera korruptive, një njeri që mund të shantazhohet.

Blendi Fevziu: Pse niseni ju nga kjo dhe thoni, Presidenti i Republikës ka marrë edhe pëlqimin e SHBA-ve, ambasadës amerikane në Tiranë, ka qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, i dekretuar nga ish-presidenti Meta që ishte aleati juaj…

Gazment Bardhi: Imagjinoni, shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura, paradite bënte shefin e Shtabit, pasdite bënte mjekun sepse kjo marrëdhënia me Acibadem është e shtrirë prej vitesh.

Blendi Fevziu: Duhet të jetë një gjë e verifikuar se unë nuk e di?

Gazment Bardhi: Jo, mjafton të hapni deklaratat janë zyrtare, janë publike, nuk është një fakt i fshehur.

Blendi Fevziu: Kjo tregon pozitivitet se dikush mund ta fshihte, mund t’i merrte ato lekë në dorë.

Gazment Bardhi: Jo, nuk mundet sepse është skemë klasike e deklarimit dhe justifikimit të pasurive se po të hapni pasurinë e presidentit, por kjo është një çështje që do të trajtohet me kallëzim penal ndaj tij…

Blendi Fevziu: Pse, presidenti ka shumë pasuri?

Gazment Bardhi: Presidenti është i vetmi njeri në këtë glob që vëllai i vet i blen shtëpi me para të fituara në emigracion, mami dhe babi blejnë një shtëpi dhe ia shesin presidentit për 2 milionë lekë të vjetra, është i vetmi njeri që duke punuar në ushtri ka privatizuar prona pa kundërshpërblim të ushtrisë, por këto janë histori që nuk kanë lidhje me Kushtetutën, prandaj ne nuk i kemi bërë publike.

Blendi Fevziu: Do t’i bëni?

Gazment Bardhi: Patjetër. Do të bëjmë kallëzim penal ndaj presidentit. A e dini ju që presidenti është sot pronar, nga një apartment 166 metër katrorë, sot është duke ndërtuar tri vila?

Blendi Fevziu: Ku e dini që po ndërton presidenti vila?

Gazment Bardhi: Ne jemi opozita e vendit që mbledhim informacione, verifikojmë informacione.

Blendi Fevziu: Gjysma e informacioneve janë false, janë kaotike, janë të shtuara.

Gazment Bardhi: Më thuaj një denoncim që unë kam, bërë në këtë studio që ka dalë fals.

Blendi Fevziu: Pse keni targetuar presidentin?

Gazment Bardhi: Kemi targetuar Edi Ramën, nuk është Bajram Begaj.

Blendi Fevziu: Po i bini pragut që të dëgjojë dera…

Gazment Bardhi: Ne po i biem modelit korruptiv që Edi Rama çon në çdo institucion të këtij vendi.

Trump njoftoi takimin me Putin në Budapest, Orban: Jemi gati

Hungaria është gati të presë një samit midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump, tha kryeministri Viktor Orban, duke shtuar se një takim i tillë do të jetë një lajm i mirëpritur për të gjithë ata që përpiqen për paqe në mbarë botën.

Ai e bëri këtë vërejtje në X të enjten, pak pasi Trump, pas një telefonate me presidentin rus, njoftoi se ai dhe Putini mund të takoheshin në Budapest.

«Jemi gati!», shkroi Orban. «Takimi i planifikuar midis presidentëve amerikanë dhe rusë është një lajm i shkëlqyer për popujt paqedashës të botës», shtoi kryeministri hungarez. Zoom.al/

Binaj thirrje qytetarëve: Tirana, shtëpia që do iu lëmë fëmijëve

Kandidati i pavarur për kryetar bashkie në Tiranë, Florjan Binaj u ka bërë thirrje qytetarëve që të bëhen bashkë për ndryshimin e Kryeqytetit.

Me anë të një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, Binaj shprehet se Tirana nuk është vetëm qyteti ku ne jetojmë, por edhe shtëpija që do u lejmë fëmijëve.

Binaj shprehet gjithashtu se janë dy rrugë ose qytetarët të zgjedhin korrupsionin, betoni dhe administratë me patronazhistë ose të zgjedhim ndryshimin, një bashki me njerëz të nderëshm.

“Mundësia për t’iu shërbyer juve është nderi më i madh i jetës sime. Tirana nuk është qyteti ku do jetojmë, por është shtëpia që do ju lëmë fëmijëve tanë. Ndaj kur të votojmë, të mendojmë për ta. Kemi dy rrugë përballë: Të vazhdojmë me korrupsionin, betonin dhe administratën me patronazhistë, ose të zgjedhim ndryshimin. Një bashki me njerëz të ndershëm dhe profesionistë që u shërbejnë qytetarëve. Ju ftoj të bëheni bashkë për ndryshimin. Më shkruani për shqetësimet, mendimet, edhe historitë tuaja. Së bashku, mund ta ndryshojmë Tiranën!” – shprehet Florjan Binaj.

Turqia me “dorë të hekurt” nda LGBTI/ Gati projektligji deri në 7 vite burg

Qeveria turke po harton një projektligj për të reformuar sistemin gjyqësor, i cili do të vendosë dënime me burg për njerëzit që promovojnë ose portretizojnë propagandën LGBTQI dhe shprehin imazhe të konsideruara “në kundërshtim me moralin publik”, sikurse edhe për çiftet e seksit të njëjtë.

Sipas faqes turke të lajmeve “T24”, projektligji , i njohur si “Paketa e 11-të Gjyqësore”, do të ndryshojë Nenin 225 të Kodit Penal Turk, i cili aktualisht mbulon vetëm sjelljet e pahijshme në publik. Sipas planit, kushdo që “vepron kundër seksit të tij biologjik” ose “inkurajon ose lavdëron një sjellje të tillë” do të përballet me një dënim me burg nga një deri në tre vjet.

Një artikull tjetër do të kriminalizonte fejesat ose ceremonitë martesore midis çifteve të të njëjtit seks, me dënime deri në katër vjet. Dënimi maksimal për aktet seksuale të kryera në publik do të rritet gjithashtu nga një vit në tre.

Projektligji mund të ndikojë gjithashtu në mediat dixhitale dhe transmetuesit, duke përfshirë platformat e transmetimit që paraqesin marrëdhënie të të njëjtit seks në filma ose seriale. Përmbajtje të tilla mund të ndiqen penalisht për “inkurajim të sjelljes në kundërshtim me moralin publik”, sipas formulimit të projektligjit.

Në justifikimin e saj, qeveria tha se masat kishin për qëllim mbrojtjen e “institucionit të familjes” dhe sigurimin e “edukimit të brezave të shëndetshëm fizikisht dhe mendërisht”. Zyrtarët i kanë paraqitur reformat si pjesë të një përpjekjeje më të gjerë për të luftuar atë që ata e përshkruajnë si “lëvizje për neutralitet gjinor” dhe për të forcuar “vlerat morale dhe shoqërore”.

Projektligji gjithashtu prezanton kufizime të reja në procedurat e ricaktimit të gjinisë. Mosha minimale do të rritet nga 18 në 25 vjeç, dhe aplikantët do të duhet të jenë të pamartuar dhe të paraqesin një raport mjekësor nga një spital i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë, që konfirmon se procedura është e nevojshme nga ana mjekësore për arsye të shëndetit mendor.

Raporti mund të lëshohet vetëm pas katër vlerësimeve të kryera gjatë një periudhe prej të paktën tre muajsh.

Operacionet e paautorizuara të ricaktimit të gjinisë do të dënohen me tre deri në shtatë vjet burg dhe gjoba të rënda për profesionistët mjekësorë që i kryejnë ato jashtë kuadrit ligjor.

Partia në pushtet e Turqisë e ka portretizuar gjithnjë e më shumë dukshmërinë LGBTQI si një kërcënim për moralin publik dhe vlerat familjare. Paradat e krenarisë janë ndaluar në qytetet e mëdha për vite me radhë, dhe zyrtarët shpesh e përshkruajnë avokimin LGBTQI si një sulm ndaj normave tradicionale.

Nëse miratohet, “Paketa e 11-të Gjyqësore” do të jetë një nga masat ligjore më kufizuese që synojnë komunitetin LGBTQI në Turqi në dekada.

Konfirmohet emri i parë i “Big Brother VIP Kosova 4”, ja kush do jetë opinionistja

Është zbuluar tashmë emri i parë që do të ulet në panelin e opinionistëve të edicionit të katërt të “Big Brother VIP Kosova”, dhe bëhet fjalë për një figurë të njohur.

Sipas burimeve të Telegrafit, këtë detyrë do ta marrë Dalina Buzi. Zgjedhja e saj vjen pas një sërë diskutimesh brenda produksionit, ku është vlerësuar profesionalizmi, stili kritik dhe mënyra e veçantë e komunikimit që Buzi sjell në çdo ekran.

Oferta për këtë rol është bërë nga vetë Olsa Muhameti, producentja e njohur e spektaklit, e cila ka vendosur të besojë tek Buzi për të sjellë një frymë ndryshe në panelin e opinionistëve. Olsa ka qenë në kërkim të figurave që jo vetëm argëtojnë, por që analizojnë dhe komentojnë me thellësi zhvillimet brenda shtëpisë më të famshme në vend.

Burimet bëjnë me dije se Dalina e ka pranuar tashmë ftesën, duke zyrtarizuar kështu rolin e saj në sezonin e ri.

“Big Brother VIP Kosova 4” pritet të nisë në fund të nëntorit, sipas planifikimeve të produksionit. Me emrin e Dalinës tashmë të konfirmuar, pritshmëritë e publikut janë rritur ndjeshëm, dhe fansat mezi presin të shohin si do të ndikojë prania e saj në atmosferën e spektaklit.

Publiku tashmë pret me kuriozitet të madh nisjen e sezonit të ri, i cili, sipas të gjitha gjasave, do të jetë ndër më të përfolurit e viteve të fundit.

Ndërron jetë brenda automjetit 36-vjeçari në Vlorë, vuante nga epilepsia

Një 36-vjeçar ka humbur jetën brenda automjetit të tij në aksin rrugor Levan-Vlorë, teksa kishte ndaluar në xhepin anësor të autostradës.

Policia e Vlorës njofton se ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Bishan, ku është gjetur i pajetë brenda një automjeti tip “Volkswagen” drejtuesi i këtij automjeti, shtetasi R. P., 36 vjeç, banues në Berat, i cili vuante nga sëmundja e epilepsisë.

Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Zoom.al/

Trump telefonon Putinin një ditë para takimit me Zelenskyn

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar përmes rrjetit social Truth Social se po zhvillon një bisedë telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, me qëllim diskutimin e përpjekjeve për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Biseda është ende në zhvillim, është e gjatë, dhe do të ndaj përmbajtjen e saj, ashtu si edhe presidenti Putin, sapo të përfundojë,” shkroi Trump në postimin e tij.

Ky telefonatë vjen vetëm një ditë para vizitës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Uashington, ku pritet të kërkojë nga Shtetet e Bashkuara dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi Tomahawk drejt Kievit.

Analistët vënë në dukje se zhvillimet e fundit tregojnë një intensifikim të komunikimeve diplomatike, ndërsa tensionet mes SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës mbeten të larta, duke lënë të hapur mundësinë e marrëveshjeve të reja ose përshkallëzimeve të mëtejshme në konflikt. Zoom.al/

Ngjarje e rëndë në Shëngjin/ 36-vjeçari bie në gropën e ashensorit dhe vdes në vend

Një 36-vjeçar humbi jetën këtë të enjte në Shëngjin.

Ngjarja e rëndë ndodhi në ambientet e një objekti në ndërtim në Kune.

Sipas policisë, 36-vjeçari ra aksidentalisht në vendin ku do të vendosej ashensori i objektit që po ndërtohej. Ai ishte në orar pune dhe pas aksidentit, ndërroi jetë në vend.

Shërbimet e Policisë dhe të zjarrfikëses kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit të viktimës.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave./ Zoom.al