zoom

Day ArchiveVuçiç: Jam i tmerruar nga Turqia, po armatos Kosovën

Tensione shumë të larta mes Serbisë dhe Turqisë. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar i tmerruar ndaj lajmit se një fabrikë turke armësh kishte armatosur gjithashtu Forcat e Sigurisë së Kosovës.

“Jam i tmerruar nga sjellja e Turqisë dhe shkelja brutale e Kartës së OKB-së dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe nga armatosja e vazhdueshme e autoriteteve të Prishtinës”, shkruan Vuçiç në rrjete sociale.

“Tani është plotësisht e qartë se Turqia nuk dëshiron stabilitet në Ballkanin Perëndimor dhe se ëndërron të rivendosë përsëri Perandorinë Osmane”, vazhdon ai.

Më tej presidenti thekson se “Serbia është një vend i vogël, por që e ka kuptuar mirë mesazhin!”. Kjo deklaratë e Vuçiç vjen pas asaj që shokoi mbarë botën, kur tha se po përgatitej për luftë.

“Jemi pak gjyqtarë dhe shumë çështje”, rrëfimi prekës i të afërmes së gjyqtarit Astrit Kalaja

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, brenda sallës së gjyqit sapo dha vendimin, ka tronditur opinion publik dhe ka ngritur pikëpyetje për sigurinë e magjistratëve në vend.

Një familjare e Astrit Kalasë, Lira Parruca, ka folur ekskluzivisht për emisionin “Top Story” me Grida Dumën, për të cilin thotë se ka trajtuar çështje të vështira, por me profesionalizëm dhe drejtësi.

Ajo ka treguar dhe bisedën e fundit më të, i cili ndër të tjera i shprehte shqetësim se ‘ka shumë dosje, dhe pak gjyqtarë’, e duke i thënë se ndihej i lodhur nga puna.

“Titit, siç e kam quajtur gjithmonë – e kam përjetuar shumë rëndë. U trondita, u shokova… por besoj se kushdo që e ka dëgjuar këtë lajm, është ndier njësoj. Sepse nuk mund të mos të të tronditë humbja e një njeriu si ai, e aq më tepër mënyra e dhimbshme si ndodhi.

Edhe sot, çdo ditë që kalon, ende më duket e pabesueshme. Dhe ndoshta ne që jetojmë jashtë, e përjetojmë edhe më thellë këtë dhimbje – sepse s’jemi dot pranë familjes, s’e ndajmë dot me të tjerët, mbetemi me lotin brenda vetes.

Titin e kam njohur që kur kam lindur. Ka qenë gjithmonë aty – pjesë e familjes sonë, pjesë e gëzimeve, pjesë e kujtimeve tona. Që kur fillova punë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër, u afruam edhe më shumë, sepse ai ishte jo vetëm kushëri, por edhe një mbështetje profesionale dhe njerëzore e jashtëzakonshme.

Ishte një njeri që të ngjante sikur e njihje prej kohësh, edhe nëse e takoje për herë të parë. Ishte i hapur, i dashur, plot humor, plot jetë. Kishte një shpirt të madh, një empati që rrallë gjendet. Ishte njeri që të dëgjonte, të kuptonte, dhe të ndihmonte pa e menduar dy herë.

Në profesionin e tij, ishte i përkushtuar, serioz dhe i drejtë. Shumë njerëz kërkonin mendimin e tij, sepse e dinin që tek Astriti do gjenin një njeri që dinte ligjin, por edhe drejtësinë njerëzore. Ka trajtuar çështje të vështira, por gjithmonë me dinjitet dhe profesionalizëm, duke respektuar ligjin dhe njerëzit.

Kur u takuam për herë të fundit, në gusht të këtij viti, më tha se puna ishte bërë shumë e lodhshme. “Jemi pak gjyqtarë dhe shumë çështje,” më tha. “Po punoj darkave, fundjavave, edhe në pushime… nuk po pushoj dot fare.”

Edhe pse i lodhur, nuk ankohej për veten – vetëm fliste me përgjegjësi, si gjithmonë. Ishte njeri që e donte punën, e bënte me pasion e me ndershmëri.

Jeta e tij ishte modeste, por plot dashuri. Ishte i dashur nga të gjithë – kolegë, miq, shkodranë. Edhe pse punonte në Tiranë, zemra i rrihte gjithmonë për Shkodrën. Çdo fundjavë kthehej atje, në qytetin që e donte aq shumë.

Titi kishte shpirt artistik. Lexonte shumë, ishte i ndjeshëm, i dashuruar me të bukurën, me familjen, me jetën, me njerëzit e mirë. Kishte një dritë të brendshme që e ndjeje sapo e takoje.

La pas një familje të mrekullueshme – bashkëshorten, që për mua është shume e dashur, një grua e fortë, e mençur dhe e ndjeshme.

La pas tre fëmijë, tre yje: dy të rriturit, që janë profesionistë te zote dhe njerëz të jashtëzakonshëm, dhe vajzën e vogël, 15 vjeçare – një vajzë e mrekullueshme që po shkëlqen si një rreze drite.

Kjo është një humbje shumë e madhe. Jo vetëm për ne, familjen dhe miqtë, por për gjithë shoqërinë, për Shkodrën, për drejtësinë, për këtë vend që humbi një njeri me kaq shumë vlera, me shpirt të madh, me zemër të pastër.

Astriti do të mbetet gjithmonë në kujtesën tonë, në zemrat tona, si njeri që dha dashuri, drejtësi dhe dritë. Dhe unë do ta kujtoj gjithmonë si Titin tim të dashur – me buzëqeshjen e tij të qetë, me humorin e tij të butë, me shpirtin e tij të mirë që nuk shuhet kurrë”, shprehet ajo.

“Është koha për një kapitull të ri”, Angelina Jolie mer vendimin drastik

Angelina Jolie dëshiron një fillim të ri në jetën e saj duke u larguar nga SHBA-ja.

Ylli i Hollivudit nuk e ka fshehur kurrë dëshirën e saj për t’u vendosur në një vend tjetër pasi fëmijët e saj të jenë rritur.

Që në vitin 2019, ajo i kishte thënë Harper’s Bazaar se jetonte në Los Angeles vetëm sepse fëmijët e saj kishin nevojë të ishin pranë babait të tyre, Brad Pitt. Dy yjet, të cilët u divorcuan në vitin 2016, kanë gjashtë fëmijë, Maddox 24-vjeçar, Pax 21-vjeçar, Zahara 20-vjeçare, Shiloh 19-vjeçare dhe binjakët 17-vjeçarë Knox dhe Vivienne.

“Do të doja të jetoja jashtë vendit dhe do ta bëj sapo fëmijët e mi të mbushin 18 vjeç”, kishte thënë ajo në atë kohë. Tani, burime i tregojnë Us Weekly se Jolie ende e ka këtë qëllim dhe se planifikon të shpërngulet pas ditëlindjes së binjakëve, në korrik.

Do të jetë një kapitull i ri për aktoren 50-vjeçare, e cila ka luftuar për tetë vjet divorcin e saj nga Brad Pitt. “Vërtet mund të ndjesh një ndryshim tek Angelina kohët e fundit. Ajo duket më e qetë”, tha një burim. “Ajo gjithmonë do ta dojë Los Anxhelosin, por ndien sikur e ka përmbushur qëllimin e saj në jetë. Është gati për kapitullin tjetër”, shtoi një burim tjetër, ndërsa një tjetër shtoi: “Ajo është shumë e emocionuar për këtë fazë të re të jetës së saj”.

Jolie ka lidhje të forta me shumë vende. I njëjti burim tha se ajo ka të ngjarë të kalojë një pjesë të kohës së saj në Kamboxhia, ku zotëron prona dhe nga ku adoptoi Maddox në vitin 2002, si dhe në Francë (ku binjakët lindën në Nicë) dhe Afrikë (Zahara është me origjinë nga Etiopia dhe Shiloh lindi në Namibi).

“Janë të gjitha vende shumë të veçanta”, tha burimi. “Ajo ka miq të ngushtë në secilin prej tyre, njerëz që i konsideron familje. ” “Jeta ime ka qenë gjithmonë ndërkombëtare”, tha ylli i Hollivudit në Festivalin e Filmit në San Sebastian shtatorin e kaluar.

Aktorja, e cila aktualisht është në Londër duke xhiruar filmin e saj të ri në Netflix “Anxious People”, me djalin e saj, Maddox, i cili punon si asistent regjisor, planifikon të vazhdojë të drejtojë dhe prodhojë filma jashtë Amerikës. “Ajo do të vijë e të kthehet në Los Angeles për punë, por nuk do ta quajë më shtëpi”, shpjegoi burimi i dytë, duke shtuar se Jolie planifikon të shesë rezidencën e saj prej 24.5 milionë dollarësh në Los Feliz shtatorin e ardhshëm. “Ajo është gati të përqendrohet më shumë në regji dhe prodhim”, tha një burim tjetër.

Puna e saj humanitare do të mbetet gjithashtu në qendër të vëmendjes. Nga viti 2001 deri në vitin 2012, ajo shërbeu si Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Komisionerin e Lartë të OKB-së për Refugjatët, dhe nga viti 2012 deri në vitin 2022 si e dërguar speciale. “Ajo planifikon të vazhdojë t’u japë diçka mbrapsht komuniteteve në Kamboxhia, Vietnam dhe Afrikë, të udhëtojë, të rrisë ndërgjegjësimin dhe të vazhdojë punën e saj me OKB-në”, tha një nga burimet. “Ajo mezi pret të jetë pranë njerëzve me të njëjtat vlera.”

Jolie nuk ka plane të largohet nga fëmijët e saj. “Ata ndoshta do ta mbajnë bazën e tyre në Los Angeles për studimet dhe karrierën e tyre, por do të kalojnë kohë me të kudo që të jetë. Të gjithë fëmijët janë shumë krijues dhe kanë trashëguar natyrën artistike të prindërve të tyre.”

Secili prej tyre ndjek rrugën e vet. Maddox punon përkrah nënës së tij në projektet e saj filmike dhe ka pasion për regjinë, Shiloh merret me vallëzim, Zahara po studion në Kolegjin Spelman, Pax planifikon të lançojë linjën e tij të veshjeve dhe është gjithashtu i përfshirë në fotografi.

Nga ana tjetër, Vivienne, e cila punoi si asistente producente në muzikalin “The Outsiders”, planifikon të studiojë aktrim, dhe Knox është e përfshirë në Muay Thai dhe së fundmi fitoi një konkurs Muay Thai në Los Angeles.

“Fëmijët e Angelinës janë forca e saj lëvizëse. Ajo e di se do të ketë shumë punë për të bërë kur të largohet nga Los Angeles”, tha një burim për Us Weekly.

Atentati me armë ndaj kandidatit të BDI-së, arrestohet bashkëshortja e tij

Kthesë të papritur kanë marrë hetimet për atentatin me armë ndaj kandidatit të BDI-së Zekirija Shaini, ku mbeti i plagosur me disa plumba.

Sipas mediave vendase, në pranga ka rënë gruaja e tij pasi e njëjta dyshohet se është e përfshirë në tentativën për vrasjen e bashkëshortit të saj.

Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut bën me dije se është shpallur në kërkim edhe i dyshuari për gjuajtjen me armë drejt mjekut Shaini, një 36-vjeçar nga Gostivari.

“Më 07.10.2025, punonjës policie nga Stacioni Policor i Kumanovës arrestuan A.A. (43) nga Tetova, për arsye të bazuara në dyshimin se ajo është e përfshirë në tentativën për vrasje të bashkëshortit të saj, Z. Sh. (43) nga fshati Sllupçan, Likovë. Gjithashtu, në lidhje me ngjarjen, gjashtë persona janë thirrur për intervistim në Stacionin Policor të Kumanovës, ndërsa në shtëpinë e B.S. (50) nga Kumanova, është kryer bastisje me urdhër gjyqësor. Pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër A.A. do të parashtrohet kallëzim adekuat penal, ndërsa kundër L. F. (36) nga Gostivari, i cili dyshohet për tentativë vrasjeje dhe gjendet ende në arrati, gjithashtu do të paraqitet kallëzim penal pas konsultimit me Prokurorinë Themelore”, deklaron Ministria. Zoom.al/

Pse nuk duhet të uleni kurrë në fund të një avioni

Nëse planifikoni një udhëtim të qetë dhe komod me avion, rreshti i fundit mund të mos jetë zgjedhja më e mirë.

Sipas disa ekspertëve të udhëtimeve, pasagjerët që ulen në pjesën e pasme të avionit përballen me më shumë zhurmë, kufizim të hapësirës dhe turbulenca më të forta.

Andrea Platania nga kompania Transfeero shpjegon se “rreshti i fundit është zakonisht më pak i dëshirueshëm për shkak të mungesës së pjerrësisë së sediljeve, afërsisë me tualetet dhe nivelit më të lartë të zhurmës në kabinë”. Ajo shton se edhe vendet e mesit janë më pak të preferuara, përveçse kur udhëtohet në grup.

Edhe Nicholas Smith nga “Thomas Cook Holidays” e mbështet këtë qëndrim, duke theksuar se pjesa e pasme ndien më shumë lëkundjet gjatë turbulencave, ndërsa shërbimi i ushqimit është më i ngadalshëm dhe zgjedhjet më të kufizuara. Ai rekomandon që udhëtarët nervozë të zgjedhin vende pranë krahëve të avionit, ku udhëtimi është më i qëndrueshëm.

Blogerja e udhëtimeve Izzy Nicholls shton se “vendet në fund janë më të zhurmshme për shkak të motorëve dhe aktivitetit të ekuipazhit, ndërsa pasagjerët në ato radhë zbresin të fundit”.

Ndërkohë, kompania Virgin Australia ka nisur një opsion të ri të quajtur “Neighbour-Free Seating”, që u lejon pasagjerëve të rezervojnë vendin bosh pranë tyre për rreth 30 dollarë australianë, duke shtuar komoditetin për ata që duan të udhëtojnë pa njerëz pranë. Zoom.al/

Shpallen sekrete shpenzimet e Edi Ramës për udhëtimet jashtë vendit

Me justifikimin e mbrojtjes së të dhënave personale, Edi Rama i ka vënë drynin transparencës mbi faturat, itineraret apo marrëveshjet e fluturimeve të tij jashtë vendit.

Vendimi është miratuar në mbledhjen e qeverisë së drejtuar nga vetë Rama që sanksionon se fluturimet e tij jashtë vendit duhet të konsiderohen “konfidenciale”

Dokumenti zyrtar shton në funksionet e Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare një detaj thelbësor, sipas të cilit: “DSHQ negocion kontrata kuadër me kompani ajrore, rrjete hoteliere dhe agjenci udhëtimi dhe nënshkruan kontrata konfidencialiteti, me qëllim ruajtjen e informacionit të detyrueshëm mes palëve në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit përkatës. Me çdo institucion, i cili do të marrë shërbimin sipas kësaj shkronje, DSHQ-ja nënshkruan aktmarrëveshje bashkëpunimi dhe konfidencialiteti, me qëllim ruajtjen e informacionit të detyrueshëm mes palëve, në kuadër të mbrojtjes së të dhënave personale, sipas legjislacionit përkatës.”

Me këtë akt, çdo itinerar, orar fluturimi apo shpenzim udhëtimi i Edi Ramës jashtë Shqipërisë kalon në kategorinë e informacionit të mbrojtur, për t’u ruajtur nën petkun e “të dhënave personale”.

Në thelb, vendimi është një dryn mbi atë që prej kohësh ka qenë praktikë e heshtur: mungesa e transparencës për udhëtimet e kryeministrit.

Historia e fluturimeve me charter të Ramës është një kapitull që prej kohësh i paraprin këtij vendimi. Sipas dokumenteve të publikuara nga Lapsi.al, që në tetor 2022, grupi i hakerëve iranianë “Homeland Justice” publikoi nga sistemi TIMS hyrje-daljet dhe fluturimet e Edi Ramës jashtë vendit, duke zbuluar një numër befasues udhëtimesh me avionë privatë të vëna në dispozicion nga Air Albania.

Sipas të dhënave që publikuan hackerat iranianë, kryeministri Edi Rama kishte udhëtuar 134 herë me charter deri në shtator të vitit 2022. Ajo që binte në sy ishte se numri i fluturimeve ishte rritur vit pas viti dhe shifrat flisnin për udhëtime të shpeshta e të shtrenjta në lartësitë e luksit qeveritar.

Mungesa e transparencës lidhej me marrëveshjen me Air Albania, kompania që për shumë vite u paraqit si simbol i bashkëpunimit të suksesshëm mes shtetit shqiptar dhe Turkish Airlines, dhe që u përdor për të justifikuar pjesën më të madhe të fluturimeve të Ramës.

Vetë kryeministri, në reagimin e tij e kishte relativizuar çështjen me fjalët: “Nuk është ashtu siç duket”. Rama pretendonte se udhëtimet e tij ishin faturuar me çmim promocional pasi ato bëheshin për të promovuar linjën e re ajrore me flamurin shqiptar.

Por në shkurt 2023, doli se kontrata midis Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare dhe Air Albania nuk përmbante asnjë klauzolë që ta lidhte përdorimin e avionëve me promovimin e kompanisë”. Pra, pretendimi i kryeministrit se charterët ishin “për të bërë reklamë” rezultoi i pambështetur.

Gjithsesi, pas vitesh të tëra udhëtimesh të mbuluara nga e njëjta kompani, Air Albania është zhytur vetë në telashe. Bilance e saj rezultojnë të fshehura, kontratat e fluturimit ndërkombëtar po anulohen, ndërsa punonjësit ankohen për rrogat e papaguara. Të gjitha këto janë sinjale se kompania po shkon drejt falimentimit, me dyshimet për dhjetëra milionë euro detyrime të papaguara ndaj shtetit shqiptar.

Rama është i detyruar të mos e përdorë më charterin e Air Albania për të kontraktuar linjat e tjera të fluturimit. Në këto rrethana del edhe vendimi i sotëm i kryeministrit Edi Rama për t’i shpallur “konfidenciale” udhëtimet jashtë vendit. Dhe megjithëse qeveria e justifikon me mbrojtjen e “të dhënave personale”, në praktikë ajo po mbyll një tjetër dritare mbi informacione që publiku ka të drejtë ta dijë, ndërsa qeveria ka detyrim të bëjë transparencë.

Në fund të fundit, Rama mund të udhëtojë sa të dojë dhe ku të dojë, por fakti që i shpall sekrete shpenzimet e tij, tregon edhe një herë se sa lart fluturon niveli i luksit të qeveritarëve tanë./Lapsi.al

Aksident i rëndë pranë spitalit Memorial në Fier, përplasen dy mjete

Një aksident rrugor është regjistruar mbrëmjen e sotme në rrugën e spitalit Memorialit në Fier.

Në aksident janë përfshirë dy automjete, një Mercedes dhe një Toyota.

Si pasojë e përplasjes, njëra prej makinave ka përfunduar në kanal, ndërsa tjetra ka pësuar dëmtime në pjesën e përparme.

Dy persona kane mbetur të lënduar, dhe janë dërguar për mjekim në spitalin rajonal Fier Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

Gjykata Kushtetuese publikon vendimin. Çfarë iu kërkohet deputetëve të Kosovës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi këtë të mërkurë, 8 tetor, aktgjykimin e plotë lidhur me ankesën e dorëzuar nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit.

Gjykata ka bërë të ditur në vendimin e publikuar ditë më parë se Kuvendi nuk është konstituuar dhe u ka dhënë 12 ditë afat deputetëve që ta finalizojnë procesin, prej ditës së publikimit të plotë të vendimit në faqen e saj.

Nga Kuvendi i Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se aktgjykimi i obligon palët që brenda 48 orësh të caktojnë mbajtjen e seancës.

“Gjykata rikujton se nga dispozitat kushtetuese, të Rregullores së Kuvendit dhe praktika gjyqësore e Gjykatës nuk rezulton ndonjë obligim i deputetëve për votimin në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, qofshin ata që propozohen nga 3 (tre) grupet më të mëdha parlamentare apo komunitetet që nuk janë shumicë. Në këtë kontekst, duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve”, është thënë në vendimin e plotë.

Gjykata ka thënë, mes tjerash, se “bazuar në praktikën parlamentare për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë që nga viti 2011, nënkryetarët nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë janë votuar dhe zgjedhur në pako. Kësisoj, Gjykata vlerëson që një procedurë e tillë e votimit mbetet në vullnetin e deputetëve dhe grupeve parlamentare, me kushtin që të realizohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit”.

Lista Serbe ishte ankuar pikërisht për këtë pikë të procedurës, duke vlerësuar se mosvotimi në pako i dy nënkryetarëve nga pakicat përbënte shkelje.

Emilija Rexhepi është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga minoriteti joserb, ndërsa asnjëri deputet serb nuk i ka siguruar votat e nevojshme për pozitën e rezervuar për këtë minoritet, pavarësisht disa rundeve të votimit dhe ndryshimit të emrave të kandidatëve.

Pas pranimit të ankesës, Gjykata Kushtetuese pati vendosur një masë të përkohshme, e cila ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime drejt formimit të Qeverisë së re, meqë ka pasur dyshime për ndonjë shkelje kushtetuese.

Megjithatë, as në këtë aktgjykim, Kushtetuesja nuk e ka bërë të qartë se çfarë ndodh nëse nënkryetari nga radhët e komunitetit serb nuk zgjidhet me votim të hapur apo me short.

Zbardhen vendimet e qeverisë, dy prefektë lirohen nga detyra

Qeveria ka miratuar ndryshime në drejtimin e dy prefekturave të vendit.

Plator Nesturi, prefekt i Qarkut të Vlorës, dhe Arben Çuko, prefekt i Qarkut të Fierit, janë liruar nga detyra.

Ish-deputeti socialist Çuko u caktua prefekt në nëntor të vitit të kaluar.

Ndërsa Plator Nesturi u emërua vetëm dy muaj më vonë, në janar si prefekt i Fierit.

Në vend të tyre janë emëruar Evis Allushi si prefekt i ri i Vlorës dhe Anduel Xhindi si prefekt i ri i Fierit.

Vendimi është miratuar në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave./ Zoom.al

Qeveria blindon gjyqtarët e prokurorët pas vrasjes së Astrit Kalasë: Truproja edhe pas përfundimit të mandatit

Pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja teksa ushtronte detyrën, qeveria do të forcojë masat për ruajtjen e anëtarëve të drejtësisë.

Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, kryetarët e gjykatave, drejtuesin e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme do të ruhen me truproja jo vetëm gjatë kohës që shërbejnë në sistem, por edhe pasi të mbarojnë detyrën.

Për drejtuesit e GJKKO dhe të BKH mbrojtja do të vijojë edhe për 2 vite pas përfundimit të mandatit, ndërsa drejtuesi i SPAK do të ruhet edhe për 3 vite të tjera pas mbarimit të detyrës.

“Agjencia për Media dhe Informim ju bën me dije se Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e sotme miratoi një sërë vendimesh:

-Ndryshim në vendimin nr.478, datë 10.7.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”.

Në Pikën 3 te vendimit “Për procedurën e sigurisë së gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, të prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Garantimi i mbrojtjes personale të kryetarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 2 (dy) vjet pas përfundimit të tij. Garantimi i mbrojtjes personale të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme bëhet nëpërmjet shoqërimit me truprojë të nivelit bazë dhe truprojë të nivelit të mesëm gjatë kohëzgjatjes së mandatit dhe për një afat jo më shumë se 3 (tre) vjet pas përfundimit të tij”, njoftoi zyra e Kryeministrisë.

Alarmi për sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve u ngrit sepse Astrit Kalaja u ekzekutua me breshëri në sallën e gjyqit, në momentin që po lexonte vendimin. Autori ia doli të futej me pistoletë në sallë, duke kryer masakër brenda në gjykatë./ Zoom.al