zoom

Day ArchiveGazetarja tregon si u ekzekutua gjyqtari: Tentoi të fshihej pas plumbit të parë, por…

Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë më shumë detaje sa i përket momentit kur ndodhi masakra brenda në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë.

Ajo tha në studion e “Opinion” se gjyqtari Astrit Kalaja u qëllua për vdekje nga Elvis Shkambi në momentin që ai u ngrit për të lexuar vendimin për çështjen e pronisës për të cilën familja Shkambi ishte në gjyq.

Në momentin që shpalli vendimin, sipas Lalës, Shkambi e qëlloi me plumb gjyqtarin. Ky i fundit u përpoq të largohej pas plumbit të parë, por më pas 30-vjeçari e qëlloi edhe disa herë të tjera.

“Gjon Shkambi sot ka ardhur më herët se në orarin e caktuar bashkl me nipin e tij dhe kanë hyrl të dy. Të dyja palët, familja Shkambi dhe familja Kurtaj, në një sallë të vogël. Quhet sallë, por është dhomë. Pamjet janë të qarta, palët kundërshtare, sekretarja që është duke zbardhur vendimin, në momentin që gjyqtari ngrihet në këmbë për të shpallur vendimin, në atë moment autori e qëllon. Gjyqtari tenton të fshihet, por ai më pas e qëllon dhe dy herë të tjera. Autori nuk është larguar dhe kjo tregon se kjo ishte ngjarje e paramenduar”, tha Klodiana Lala./ Zoom.al

Zbardhen detaje/ Çfarë ndodhi brenda në sallën e gjyqit kur u vra Astrit Kalaja?


Gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja u qëllua për vdekje në sallën e gjyqit pasditen e së hënës pasi shpalli një vendim për një konflikt pronësie, në një ngjarje të paprecedentë që u shoqërua me tronditje dhe shqetësime për sigurinë e sistemit gjyqësor.


Sipas Policisë së Tiranës, autor i ngjarjes dyshohet se është Elvis Shkëmbi, 30 vjeç dhe palë në procesin gjyqësor. Shkëmbi ka plagosur gjithashtu kundërshtarët e tij në proces, babë  e bir.


Sipas dy punonjëseve të administratës së Gjykatës së Apelit, të shtënat e armës në sallën e gjyqit kanë shkaktuar panik dhe kaos. Punonjës dhe qytetarë që gjendeshin në ambientet e gjykatës kanë nxituar të gjejnë strehim, për t’u ruajtur nga ndonjë sulm tjetër i mundshëm.
Njëra prej punonjëseve i tha BIRN se kishte parë autorin dhe një të afërm të tij që kishin dalë të fundit nga salla e gjyqit dhe ecnin të qetë.


“Njëri prej tyre ndezi edhe një cigare dhe u larguan të dy me hapa të ngadaltë nga ambientet e gjykatës,” tha ajo.
Punonjëset thanë se kishin mësuar nga kolege të tyre se autori i kishte thënë sekretares gjyqësore se nuk kishte gjë me atë dhe kishte qëlluar gjyqtarin Kalaja në gjoks. Sipas tyre, salla ku po zhvillohej seanca është e vogël dhe ka vetëm dy rreshta me stola.
Kalaja u shoqërua në spital, po pa mundur të mbijetojë. Dy të plagosurit, atë e bir, gjenden nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.


Hetimi për vrasjen e gjyqtarit Kalaja po kryhet nga Prokuroria e Posaçme, e cila po verifikon arsyet e dështimit të masave të sigurisë në ambjentet e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Burime nga Gjykata e Apelit i thanë BIRN se masat për kontrollin e qytetarëve zbatohen nga një punonjës i administratës dhe nga një punonjës i Policisë së Shtetit. Po ashtu, është në disipozicion dhe dedektori që identifikon sendet metalike. Sipas këtyre burimeve, paraprakisht dyshohet se kur autori ka kaluar, dedektori ka dhënë sinjal, por megjithatë, është lejuar që të hyjë në ambjentet e gjykatës.


Ndërkohë, një gjyqtare i tha BIRN në kushtet e anonimatit se kanë raportuar herë të tjera kërcënime që u janë adresuar në ambjentet e gjykatës, por shteti nuk ka marrë asnjë masë për forcimin e masave të sigurisë së tyre. Sipas saj, janë vendosur në dijeni se Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGj ka zhvilluar disa takime për policinë lidhur me këto shqetësime, por nuk ka pasur asnjë rezultat në rritjen e masave të sigurisë.
Vrasja e gjyqtarit Kalaja në sallën e gjyqit u shoqërua me mesazhe ngushëllimi dhe tronditjeje nga institucionet e sistemit të drejtësisë si dhe përfaqësues të lartë të qeverisë dhe opozitës.
SPAK dhe Gjykata e Lartë e dënuan aktin e rëndë, ndërsa bënë thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata.


Kryeministri Edi Rama e dënoi gjithashtu ngjarjen e rëndë përmes një mesazhi në X, ndërsa paralajmëroi marrjen e masave të sigurisë dhe ashpërsimin e dënimit për armëmbajtjen pa leje. Gjatë tre muajve të fundit, kryeministri Edi Rama është kritikuar për sulme të vazhdueshme ndaj magjistratëve të caktuar dhe vendimeve të tyre.
Gjyqtari Astrit Kalaja lindi në Shkodër dhe u diplomua në fakultetin e Drejtësisë me titullin ‘jurist’. Pas mbarimit të studimeve ai u emërua si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Shkodër dhe që nga viti 2004 ushtroi detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Shkodër. Në vitin 2011 ai përfundoi një master në Universitetin e Tiranës dhe shërbyeu gjithashtu si anëtar i Kolegjit Zgjedhor. Kalaja e kaloi me sukses procesin e vetingut./ Reporter.al
 
 

Vrasja e fundit, vdekja e përgjegjësisë!

Nga Lutfi Dervishi

Vrasja e fundit, vdekja e përgjegjësisë!

Ka ngjarje që e tejkalojnë tronditjen e momentit dhe kthehen në pasqyrë të realitetit. Vrasja brenda ambienteve të një gjykate nuk është thjesht një akt kriminal, është një sinjal alarmi për “shtetin ligjor”, që nuk arrin të garantojë as sigurinë e gjyqtarëve.

Në vend që të ofronte qartësi, përgjegjësi dhe transparencë, reagimi zyrtar zgjodhi një rrugë tjetër: një përzierje hipokrite ngushëllimesh, mohimesh, lapsusesh dhe propagande. Ministrja e Brendshme deklaroi se “policia nuk ka përgjegjësi për kontrollin dhe sigurinë e godinave të gjykatave”.

Të gjithë e dinë dhe ministrja duhet ta dijë më mirë se kushdo, se kompanitë private të sigurisë licensohen, certifikohen, trajnohen, monitorohen dhe vlerësohen nga Policia e Shtetit. Është njësoj si të thuash se mjeku nuk mban përgjegjësi për pacientin sepse i ka dhënë të drejtën të trajtohet te një spital privat.

Por paradoksi më i madh qëndron te mënyra se si institucionet përpiqen të “drejtojnë narrativën”

Policia e Shtetit njoftoi me krenari se “ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka bërë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar”, ministrja, për ta përforcuar versionin heroik, shtoi se kemi të bëjmë me një “arrestim të menjëhershëm”. Realiteti, si zakonisht, është më modest: autori i vrasjes është vetëdorëzuar, te patrulla me e afërt, pasi pak më parë kishte dorëzuar edhe armën te roja e sigurisë së godinës!

Shteti që nuk mundi të parandalojë një vrasje brenda gjykatës, zgjodhi të tregojë forcë… jashtë saj. Ndërsa krimi ndodhi brenda godinës, policia bllokon rrugën dhe vendos shiritat bllokuese.

Një shtet që nuk pranon përgjegjësi, nuk mund të mësojë. Dhe një polici që e sheh veten më shumë si “zyrë marrëdhëniesh me publikun” se sa si organ rendi, nuk mund të krijojë besim. Kjo ngjarje duhet të shërbejë si pikë kthese: jo për deklarata, por për veprime. Të rishikohen protokollet, të rivlerësohen standardet, të garantohet që “siguria” nuk është thjesht një fjalë në një tender, por një detyrim që shpëton jetë. Lajmi i fundit është se skaneri i sigurisë në godinën e gjykatës nuk punon prej ditësh!

Tragjeditë nuk ndodhin vetëm nga kriminelët, por edhe nga kultura e institucioneve që e kanë humbur kuptimin e përgjegjësisë. Dhe ajo që e bën më të dhimbshme këtë ngjarje, është fakti se ndodhi në një vend që prej vitesh flet për reformë në drejtësi, për forcim të institucioneve, për besim tek ligji. Çfarë besimi mund të kërkohet kur vetë drejtësia nuk është e sigurt brenda mureve të saj?

Zgjidhja nuk është refreni “ashpërsimi i ligjit” por reflektimi dhe marrja e përgjegjësive.

Shteti nuk matet me numrin e shiritave që vendos, tritolin e fadromat që përdor, gjuhën e ashpër ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, por me aftësinë për të parandaluar krime, për të mbrojtur jetën dhe për të folur me ndershmëri kur dështon. Dhe në këtë rast, shteti sërish dështoi./ Zoom.al

Shpalli kandidaturën për Bashkinë e Tiranës/ Reagon Florian Binaj

Florian Binaj reagoi pasi shpalli kandidaturën për Bashkinë e Tiranës dhe pasi Partia Demokratike e parti të tjera të vogla opozitare shprehë se do ta mbështesin atë në garë.

Në rrjetet sociale, Binaj ftoi qytetarët të luftojnë të keqen me votë.

“Falenderoj për mbështetjen që i dha kandidimit tim si kandidat i pavarur Partia Demokratike, Shqipëria Bëhet dhe Nisma Thurje.

Mbetem i hapur për çdo mbështetje që do të vijë nga forcat opozitare. Dëshiroj mbi të gjitha të falenderoj me mijëra qytetarë të Tiranës, të cilët më kanë inkurajuar këto ditë. Kjo garë është për ju! Unë nuk jam politikan, jam qytetar dhe partia ime jeni JU!

Deri më sot kam luftuar padrejtësinë dhe të keqen me humorin dhe artin tim, sot ju ftoj ta luftojmë me votë. Të dënojmë ata që na vodhën dhe bënë humor me ne! Ju ftoj të bëjmë bashkë mendjet dhe zemrat kundër pushtetit që po dhunon jetët dhe të ardhmen e fëmijëve tanë!”, shprehet Florian Binaj./ Zoom.al

Opozita e ndarë për Bashkinë e Tiranës/ Agron Shehaj nuk e mbështet kandidaturën e Florian Binajt

Në prag të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës, opozita duket e ndarë rreth kandidaturës së aktorit Florian Binaj, i propozuar si emër i përbashkët për të bashkuar forcat opozitare.

Kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka dalë hapur kundër këtij vendimi, duke e quajtur të nxituar dhe të papërgjegjshëm. Ai akuzon ish-kryeministrin Sali Berisha se “ka hedhur në erë procesin” për zgjedhjen e një kandidati apolitik.

“Mua më duket e papërgjegjshme të marrësh një vendim të tillë pa bërë një matje paraprake. Nuk është serioze të vendosësh mbi një kandidat pa u konsultuar me të gjithë palët e përfshira”, tha Shehaj për mediat.

Ai theksoi se kërkesa për një kandidat jashtë partive nuk ishte qëllim në vetvete, por një mënyrë për të gjetur një emër fitues që do të kishte mbështetje të gjerë. “Nuk kemi asgjë kundër Florian Binajt, por për të dalë me një kandidat të përbashkët duhej të zhvilloheshin sondazhe për të gjithë kandidatët e propozuar”, shtoi Shehaj.

Në ditët në vijim, partia Mundësia do të përcaktojë qasjen e saj për zgjedhjet lokale./ Zoom.al

Aksident me vdekje në Milot-Mamurras, humb jetën një person

Një aksident i rëndë rrugor ndodhi mbrëmjen e sotme në aksin Milot-Mamurras.

Një person humbi jetën teksa po kalonte rrugën.

Sipas informacioneve paraprake, ai u përplas nga një makinë, ndërkohë që përpiqej të arrinte në anën tjetër të autostradës.

Policia po vijon hetimet për të identifikuar viktimën dhe për të zbardhur më shumë detaje për ngjarjen e rëndë./ Zoom.al

Astrit Kalaja u ekzekutua në sallën e gjyqit/ Çfarë thotë Gjykata e Apelit që humbi sot gjyqtarin në krye të detyrës

Reagon Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm pas vrasjes së një prej anëtarëve që gjykonte në këtë gjykatë, Astrit Kalaja.

Gjykata e Apelit shprehet e tronditur për ngjarjen, duke kërkuar që të forcohen masat e sigurisë në ambientet gjyqësore.

Gjykata e tërheq vëmendjen edhe te denigrimet publike që bëhen ndaj gjyqtarëve, duke shtuar se këto deklarata duhet të ndalojnë sepse nxit ngjarje të dhunshme.

Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm thotë se kjo ngjarje, ku gjyqtari u vra në krye të detyrës për shkak të detyrës, nuk i pengon anëtarët e tjerë të vijojnë të gjykojnë të paanshëm dhe me objektivitet.

Deklarata e plotë:


 
Sot gjyqtari Astrit Kalaja u vra në sallën e gjykimit.
Kjo ngjarje e rëndë është një goditje jo vetëm për komunitetin e drejtësisë, por për të gjithë shoqërinë tonë.
Në emër të kolegëve gjyqtarë dhe të gjithë trupës gjyqësore, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen e kolegut të ndjerë dhe për të gjithë ata që ndjejnë dhimbjen e kësaj humbjeje të rëndë. Zemrat tona janë me ta në këtë moment të dhimbshëm dhe solidariteti ynë është i plotë.
 
Kjo ngjarje tragjike imponon reflektim të thellë mbi nevojën për të forcuar masat e sigurisë në ambientet gjyqësore, duke garantuar mbrojtjen e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, palëve dhe çdo qytetari që hyn në sallat e drejtësisë. Siguria është parakusht i pandashëm për ushtrimin e pavarur dhe të paanshëm të detyrës gjyqësore. Kërkojmë që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa të menjëhershme për rritjen e nivelit të sigurisë dhe për parandalimin e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.
 
Po aq e rëndësishme është ndalimi i gjuhës së urrejtjes, denigrimit dhe kërcënimit ndaj gjyqtarëve dhe sistemit të drejtësisë. Asnjë shprehje armiqësie, asnjë fjalë që nxit dhunë apo paragjykim ndaj personave që përmbushin detyrën e tyre nuk duhet të tolerohet. Gjuha e urrejtjes nuk është shprehje lirie, por një mjet që ushqen intolerancën dhe dëmton besimin e qytetarëve te drejtësia. Është detyrë e çdo institucioni, politikani, media e çdo përfaqësuesi publik dhe qytetari të ruajë gjuhën e respektit dhe të dialogut.
 
Njëkohësisht, bëjmë apel për reflektim shoqëror, për unitet dhe për respekt ndaj drejtësisë si themel i rendit demokratik.
 
Në këtë moment të errët, ne gjyqtarët mbetemi të palëkundur në vendosmërinë tonë për të zbatuar ligjin me integritet dhe kurajë. Drejtësia nuk do të trembet. Ne do të vazhdojmë të shërbejmë me dinjitet, paanshmëri dhe besim të plotë se e vërteta dhe ligji janë mburoja më e fortë ndaj çdo akti dhune apo urrejtjeje.
 
Bashkë në dhimbje, por edhe më të bashkuar se kurrë në përkushtimin tonë për drejtësi./ Zoom.al
 


Vrasja e gjyqtarit për çështjen/ Flasin familjet që fituan pronën: Humbi jetën për një vendim të drejtë

Familjet që prej më shumë se 15 vitesh kanë qenë në një betejë ligjore për pronat me Gjon Shkambin, janë tronditur nga lajmi për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, i cili sipas tyre “dha drejtësinë që u takonte”.

Gjyqtari Kalaja u ekzekutua brenda sallës së gjyqit në Tiranë nga Elvis Shkambi, nipi i personit që kishte humbur çështjen e pronësisë.

Të përlotur, familjarët që përfituan nga vendimi i gjykatës thonë se gjyqtari u vra për drejtësinë dhe për të mbrojtur të vërtetën. Ata kërkojnë që autorët e ngjarjes, xhaxhai dhe nipi Shkambi, të dënohen me burgim të përjetshëm.

“Ishte seanca e fundit, gjyqi përfundoi në favorin tonë dhe vendimi ishte i drejtë për të gjithë. Na vjen shumë keq për gjyqtarin, se ai nuk vdiq për veten, por për të drejtën tonë. Ka qenë njeri i ndershëm dhe profesionist”, shprehet një prej banorëve të përfshirë në konflikt.

Një tjetër banore, Shuke Pepniku, tregon kalvarin shumëvjeçar të proceseve gjyqësore dhe vështirësitë që kanë kaluar.

“Kemi qenë 15 vjet nëpër gjyqe, edhe pse kishim dokumente të rregullta. Gjon Shkambi e kishte shitur shtëpinë vetë, por sërish na çonte në gjyq. Na vjen shumë keq për gjyqtarin, ai dha drejtësinë dhe humbi jetën për një vendim të drejtë. Duam që shteti t’i dënojë autorët pa mëshirë”, thotë ajo.

Banorët shprehen se autorët kishin kërcënuar disa herë me armë dhe kishin ushtruar presione për të marrë pronat me forcë, ndërsa institucionet kishin qëndruar pasive.

“E kemi denoncuar disa herë që Gjoni vinte i armatosur, por askush s’e ndaloi. Fajin e ka shteti që nuk ndërhyri më herët. Kjo tragjedi ndodhi për faj të mosveprimit”, shprehet një tjetër banor.

Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit të vrasjes, Elvis Shkambi, pretendonte pronësinë për një tokë në Shkodër. Ai e kishte denoncuar më herët në media këtë çështje dhe pretendimet e tij. Sot, kur gjyqtari Astrit Kalaja vendosi kundër tyre, Elvis Shkambi e vrau atë në sallën e gjyqit./ Zoom.al

Reagime zinxhir pas masakrës në gjykatë: Duhen masa urgjente për sigurinë!

Pas masakrës brenda Gjykatës së Apelit të Përgjithshëm në Tiranë, të shumta ishin reagimet që dënuan ngjarjen e rëndë dhe kërkuan më shumë siguri për gjyqtarë, prokurorë dhe të tjerë që janë brenda sistemit të drejtësisë.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në deklaratën e saj zyrtare, e cilëson ngjarjen “një akt të paprecedentë që godet në zemër sistemin e drejtësisë”.

SPAK kërkon që kjo tragjedi të shërbejë si thirrje urgjente për forcimin e masave të sigurisë në institucionet e drejtësisë.

“Prokuroria e Posaçme dënon me forcë vrasjen e paprecedentë të gjyqtarit Astrit Kalaja, ngjarje që ndodhi brenda ambienteve të Gjykatës së Apelit, Tiranë.
I shprehim ngushëllimet tona familjes, të afërmve dhe kolegëve të gjyqtarit në këtë moment të dhimbshëm.
Ky akt i rëndë duhet të shërbejë si thirrje urgjente për rritjen e sigurisë në gjykata, forcimin e masave mbrojtëse për gjyqtarët, prokurorët, avokatët dhe punonjësit e sistemit të drejtësisë, si edhe për një reagim të shpejtë institucional që të parandalohet përsëritja e akteve të ngjashme”, është deklarata e SPAK.

Reagon Gjykata e Lartë

Një reagim të ngjashëm bëri edhe Gjykata e Lartë, e cila e cilësoi ngjarjen “sinjal alarmi për sigurinë e magjistratëve”.

“Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë shpreh tronditjen dhe dhimbjen e thellë për ngjarjen tragjike që solli humbjen e jetës së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Astrit Kalaja, dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij.

Kjo ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës në të cilën funksionojnë shumë prej gjykatave shqiptare.

Në një shtet të së drejtës, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur dhe i respektuar në ushtrimin e detyrës së tij, jo vetëm nga pikëpamja fizike e infrastrukturore, por edhe përmes një klime publike të respektit dhe përmbajtjes në gjuhën që përdoret ndaj figurës së tij. Çdo formë denigrimi apo përbuzjeje ndaj gjyqtarit cenon autoritetin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në shtetin ligjor.

Gjykata e Lartë vlerëson se garantimi i sigurisë fizike e institucionale të gjyqtarëve është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë shtetërore, që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm.

Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë dhe e besimit të publikut tek shteti i së drejtës”, thuhet në reagimin e Gjykatës së Lartë.

Reagon ambasada e BE

Edhe zyra e Bashkimit Europian në Tiranë reagoi pas masakrës në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar që siguria e magjistratëve të konsiderohet prioritet kombëtar.

Në një deklaratë për media, BE theksoi se “asnjë përfaqësues i sistemit të drejtësisë nuk duhet të ndjehet i kërcënuar në ushtrimin e detyrës”.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri është i tronditur nga akti i dhunës që çoi në vrasjen e gjyqtarit Kalaja dhe plagosjen e dy qytetarëve shqiptarë.

“Ne e dënojmë me forcë këtë akt kriminal. Shprehim ngushëllimet tona më të thella për familjen e gjyqtarit Kalaja.

Kjo tragjedi nënvizon nevojën e ngutshme që Shqipëria të rrisë sigurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë në sallat e gjyqit.

Bashkimi Evropian mbetet i palëkundur në mbështetjen e konsolidimit të reformës në drejtësi dhe të forcimit të sundimit të ligjit në vend”, është reagimi i ambasadës së BE.

“E mbushi armën dhe qëlloi 4 herë”/ Si u vra në sallën e gjyqit Astrit Kalaja (DETAJE)

Më shumë detaje janë mësuar për ngjarjen që tronditi vendin dhe sistemin gjyqësor këtë të hënë, vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja.

Ngjarja bëhet edhe më e rëndë për vetë faktin se autori Elvis Shkambi qëlloi në drejtim të gjyqtarit brenda në sallën e gjyqit, aty ku siguria mendohet të jetë maksimale.

Edhe pse nuk dihet ende se si, Elvis Shkambi ia kishte dalë të futej brenda në gjykatë me armë, duke bërë masakër më pas.

Pasi gjyqtari Astrit Kalaja është shprehur për një çështje prone ku Shkambi ishte palë, 30-vjeçari ka qëlluar në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur.

Sipas gazetares Glidona Daci, ai ka shtënë 4 herë, duke lënë të plagosur edhe dy persona të tjerë, që i përkisnin palës tjetër në proces.

“Në sallat e gjyqit në përgjithësi kur futesh brenda u nënshtrohet kontrolleve dhe procedurave të sigurisë, të cilat janë protokolle që zbatohen. Por sipas të dhënave, autori e ka mbushur armën brenda sallës së gjyqit, në momentin që gjyqtari Astrit Kalaja, gjyqtar monokratik, pra ka qenë i vetëm pa anëtarët e tjerë gjyqtarë, ka shpallur vendim dhe ka vendosur në favor të palës kundërshtare, i cili pretendonte për një çështje pronësie në qytetin e Shkodrës.

Xhaxhai i tij Gjon Shkëmbi ka dalë në shumë emisione dhe prononcime për mediat, për çështjen e pronësisë, ku pretendonte se kishte të drejtë për një objekt që kishte ndërtuar në qytetin e Shkodrës dhe pretendonte se 31 familje po ia përfitonin në mënyrë të paligjshme. Në momentin që është bërë shpallja e vendimit nga gjyqtari Kalaja 30-vjeçari ka qëlluar katër herë në drejtim të tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Por, për shkak të tensionimit ai ka qëlluar edhe në drejtim të palëve të tjera në proces, ku kanë mbetur të plagosur babë e bir”, raportoi gazetarja në emisionin “Rudina”.

Policia e Tiranës ka shoqëruar të gjithë personat brenda në sallë, përfshirë palët në proces, punonjës të gjykatës dhe rojet e sigurisë.

Grupi hetimor do të verifikojë edhe nëse skaneri i vendosur për kontrolle brenda në gjykatë punonte apo jo, në momentin që është futur Elvis Shkambi./ Zoom.al