Aplikacion
Mbrëmjet europiane për Lautaro Martinez janë shndërruar në historike.
Argjentinasi vendosi të tjerë rekorde me fanellën zikaltër, për të qenë sërish “bomberi” në ekipin e Christian Chivu.
Martinez u bë lojtari i parë që ka shënuar në shtatë sezone radhazi të Ligës së Kampionëve me italianët, një arritje e jashtëzakonshme që e vendos atë në një listë elitare, përkrah emrave si Kylian Mbappé, Erling Haaland dhe Antoine Griezmann, të vetmit që kanë arritur të njëjtën gjë në këtë periudhë.
Me dy golat ndaj Slavia Pragës, sulmuesi e çon në 23 numrin e golave në Ligën e Kampionëve, ndërsa në total ka shënuar 159 gola. Sezoni i kaluar ishte kulmor për të në arenën evropiane, ku shënoi 9 gola, në një rrugëtim që përfundoi me finalen e humbur në Mynih.
Sukseset nuk kanë munguar as në Serie A. Vetëm pak ditë më parë, në fitoren ndaj Cagliarit, Lautaro arriti 117 gola në kampionatin italian, duke kaluar legjendën Sandro Mazzola dhe duke u ngjitur në vendin e pestë të golashënuesve më të mirë të të gjitha kohërave për Interin në Serie A.
Përpara tij qëndrojnë vetëm emra të mëdhenj si Giuseppe Meazza, Stefano Nyers, Alessandro Altobelli dhe Benito Lorenzi. Pas mungesës në ndeshjen debutuese ndaj Ajax-it, Martinez u rikthye fuqishëm me dopietën ndaj Slavias, duke treguar se është në formë të jashtëzakonshme dhe i uritur për gola. Nëse Interi synon një tjetër sezon të madh, nuk ka dyshim, Lautaro Martinez është njeriu kyç për suksesin.
Sherr me sende të forta e thika në Bilisht/ Përfshihen disa perona (VIDEO)Një incident ku janë përfshirë dhe plagosur disa persona ka ndodhur këtë të mërkurë në Bilisht.
Sipas informacioneve paraprake, mësohet se 3 persona kanë goditur dhe dhunuar me sende të forta një shtetas duke i shkaktuar dëmtime në trup.
Nga ana tjetër, pas sulmit, i dëmtuari ka nxjerrë thikën dhe ka goditur njërin prej dhunuesve. Burime bëjnë me dije se Trajan Çeliku, i njohur nga policia si person problematik, së bashku me dy persona të tjerë, kanë dhunuar një 39 vjeçar me inicialet G.M.
Konflikti dyshohet se ka ndodhur për motive të dobëta, ndërsa nuk ka qenë hera e parë që autorët të përfshihen në konflikt me 39 vjeçarin.
Mësohet se pas mjekimit në spital, të gjithë janë shoqëruar në komisariatin e Devollit ku do të merren në pyetje e do të zbardhet gjithë dinamika e ngjarjes. Zoom.al/
https://www.instagram.com/reel/DPR4eXdDJKX/?igsh=Z2VzbXEyM2Job3Jp
Ilir Alimehmeti tregon pse nuk do të garojë për TiranënMjeku Ilir Alimehmeti është shprehur në emisionin “Oponencë” në News24 se nuk ka pasur asnjë hezitim për të qenë pjesë e garës për kryetar bashkie në Tiranë, duke theksuar se ai ndjek një projekt politik afatgjatë dhe ekipor.
I pyetur nga gazetarja Anduena Llabani mbi arsyet e moskandidimit të tij në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit, Alimehmeti u shpreh:
Nuk ka asnjë hezitim. Unë e kam të qartë projektin tim politik. Ky projekt i është paraqitur kryetarit të Partisë Demokratike dhe mbetet i njëjtë si në vitin 2022.”
Ai theksoi se është një “lojtar i ekipit” dhe jo një individ që punon i vetëm, duke e krahasuar veten me një sportist maratone dhe jo një sprinter.
“Nuk jap dot maksimumin në një sprint, duke qenë një lojtar maratone. Unë mendoj se partia funksionon në grupe dhe kam një projekt 4-vjeçar politik me ekip.”
Anduena Llabani: Pse hezituat për të qenë kandidat për kryetar bashkie?
Ilir Alimehmeti: Nuk ka asnjë hezitim, unë e kam të qartë projektit tim politik. Këtë projekt ia kam paraqitur kryetarit të PD, mbetet i njëjtë si në 2022, që do të thotë unë jam një lojtar ekipi, jo individual dhe mendoj për një plan zhvillimor 4 vjeçar. Nuk jap dot maksimumin në sprint duke qenë një lojtar maratone. Unë mendoj se partia funksionon në grupe. Unë kam një projekt 4 vjeçar politik dhe me ekip.
Një president loloNga Andi Bushati
Në kryet e nënpunësve të çdo regjimi endet gjithmonë një dilemë e thjeshtë: ose të bien viktima, ose të shndërrohen në lakej.
Bajram Begaj ka dhënë edhe një shembull tjetër se ka zgjedhur të dytën. Duke shpallur për në 9 nëntor zgjedhjet e parakohëshme në Tiranë, ai ka marrë mbi supe një peshë të cilën, nga bota tjetër, do ia kishte zili edhe Haxhi Lleshi, me dëshirën e vet të çartur për ti shërbyer Enver Hoxhës.
Pa pritur as kufizimin 48 orësh që i jepej, Bajrami, ka nxituar të shklë hapur ligjin themeltar të shtetit, duke mos përfillur nenin 115 të tij, i cili e shpreh në mënyrë taksative që nuk mund të hapet një garë e re elektorale, pa u shprehur më parë parë Gjykata Kushtetuese për shkarkimin përfundimtar të kryebashkiakut në detyrë.
Dihet që pas firmës nga kryeministri, Erion Veliaj, bëri ankimim në kushtetuese dhe pas kësaj dhe ne kritikët e Lalit dhe ata që sot po e shkelin me këmbë pasi e patën ngritur në qiell, duhet të ulnin kokën dhe të prisnim në heshtje.
Nuk ndodhi kështu. Ndaj nuk i’a vlen të merresh me argumentat foshnjorë që ka prodhuar presidenca duke marrë “copy paste” interpretimin e kryeministrisë. Eshtë po ashtu mungesë e theksuar serioziteti të debatosh nëse, Veliajn e rrëzoi Këshilli Bashkiak apo shefi i qeverisë, nëse vendimin për të duhet ta merte gjykata administrative apo ajo kushtetuese, nëse kreu i shtetit mund të përvetësojë rolin e një pushteti tjetër apo mund ta bëjë vetë interpretimin e kushtetutës?
Të biesh në në këto gracka nga të cilat di të shpëtojë edhe një studenti i vitit të parë të juridikut do të thotë të bësh lojën e përdhosësve të ligjit.
Këtu çështja është politike. Ushtari i bindur, Begaj, e dinte tepër mirë se Tirana do shkonte detyrimisht në zgjedhje të reja. Ai qe i ndërgjegjshëm se përderisa autokrati i gjithpushtetshëm e kishte vendosur, kjo lojë nuk mund të kthehej më pas. Ai e kishte garancinë se ndonëse Veliaj ishte ankimuar në kushtetuese, kjo gjykatë, kurrë, asnjë herë, që kur ka rilindur pas reformës në drejtësi, nuk ka dhënë ndonjë vendim në dëm të kryeministrit.
Pra, në rastin më të mirë ajo mund të shprehej se ankimimi i kryebashkiakut nuk përbënte lëndë të trajtueshme prej saj dhe ta zgjidhte shpejt çështjen, ose të tregohej pak më tepër skrupuloze dhe ta trajtonte atë në themel, gjithnjë duke e pranuar shkarkimin.
Në të gjitha rastet fundi dihej, ajo që mbetej e panjohur ishte koha se kur.
Në këto kushte, halli i çdo yes man-i të regjimit se mos kthehet pas vullneti i Ramës për zgjedhje të reja ishte i kotë. Në çdo rast ato do të ndodhnin. Këtu Bajram Begajt as nuk i ishte lënë në dorë rasti i artë i shpëtimit të padronit, as fuqia për ti bërë ndonjë dhuratë të domosdoshme mazhorancës.
Në një situatë të tillë hipotetike ai do të luante rolin e një shërbëtori, por ama disi me vlerë. Por atij, nuk iu kërkua ky nder, atij nuk iu la mbi tryezë zgjidhja e problemit. Ai u urdhërua të shkelë kushtetutën thjeshtë për një tekë të kalendarit. Ai u verbërua për të mos e parë nenin 115 vetëm për ti zhvilluar në një datë më të shpejtë zgjedhjet. Ai u përdhunua juridikisht thjesht për të mos prishur skenarin që Rama kishte vizatuar në kokë.
PIkërisht, ky përdorim i neveritshëm, e shndërron atë nga rangu i bashkëpuntorit në krim, në atë të shërbëtorit karagjoz. Ai nuk u bë dot pjesë e një plani anti- kushtetues ai mbeti thjeshtë loloja të cilit i morën firmën.
Diella tregon arsyet përse u shfaq me gjashtë gishtaNga Lutfi Dervishi
Një foto e Ministres Diella, me një fustan rozë, si pjesë e fushatës për sensibilizimin e grave, ngjalli një debat të paparashikuar.
Jo për mesazhin, por për një detaj anatomik: në dorën e majtë, Diella kishte gjashtë gishta.
Në fillim, publiku u përpoq ta justifikonte si “efekt i dritës”, “reflektim rozë”, apo “gjurmë digjitale të një dore që punon 24/7 për kombin mosmirënjohës”
Por më pas, ekspertët e rrjeteve, ata që studiojnë çdo pixel si të ishte dokument shtetëror e zbuluan të vërtetën: një gabim teknik. Dhe jo dosido. Një gabim i AI-sh.
Një lapsus i tillë mund të ishte falur në 2023, kur inteligjenca artificiale akoma ngatërronte macet me qentë dhe ujësjellësin me ndonjë stadium. Por sot, në epokën kur edhe frigoriferi të pyet si ndihesh, ky defekt ishte i pafalshëm.
Në rrjet shpërtheu teoria konspirative: “Diella është nga Elbasani” shkruanin disa, duke aluduar për lidhje me “mutacionet” e kombinatit metalurgjik. Të tjerë e shpjegonin si “shenjë hyjnore”, pasi gjashtë është numër perfekt. Një zyrtar i lartë nga nga Brukseli e komentoi si shenjë e progresit dhe e dëshirës së Shqipërisë për t’u anëtarësuar sa më shpejt, sepse numri gjashtë përkon me numrin e vendeve themeluese të BE. Një grup feministësh madje nisi një hashtag: #EdheNeMeGjashtë, në mbështetje të “uau” diversitetit digjital.
Por në kabinet, situata ishte serioze. Diella u mbyll në server për të reflektuar. Si do t’i dilte përpara Diellit? Çfarë do t’i thoshte?
Tek shfletonte lajmet e ditës i dolën dy opsione për “zhvendosje vemendje”:
1. Në Kroaci kishin kapur një sasi specash djegës me pesticide.
2. Presidenti kishte dekretuar zgjedhjet në Tiranë pa pritur Gjykatën Kushtetuese, ndërsa opozita ende kërkonte një kandidat për zgjedhje.
Diella u mendua. Të shpalle emergjencë kombëtare për pesticidet, apo për kandidaturat?! Të thoshte që gjashtë gishta janë metaforë për gjashtë problematikat e kombit, apo ta kthente në një ditë sensibilizimi për Kushtetutën ?
Pas një minute heshtjeje digjitale, ajo doli me deklaratën zyrtare:
Ky nuk është defekt, por një “upgrade”.
Unë kam një gisht më shumë për të treguar fajtorët.
Në fund, e gjithë ngjarja u riemerua, u quajt “incident estetik me vlera simbolike”.
Ndërkohë, ministrat e tjerë po numëronin gishtat se mos vallë kishin mbetur pas në procesin e transformimit digjital te integrimit.
Dhe ashtu siç ndodh rëndom, pas dy ditësh, askush s’e mbante mend më se pse u debatua. Ajo që mbeti ishte fotoja: një ministre me gjashtë gishta që tregonte rrugën drejt BE-se. Vetëm kësaj here pa treguar vitin!/ Zoom.al
Partia Demokratike do të bojkotojë zgjedhjet në Tiranë?!Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dekretoi sot ditën e diel, datë 9 nëntor 2025, si datën për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie në bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik.
Por deputeti demokrat Belind Këlliçi tha se opozita ka pikëpyetje për pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet e 9 nëntorit.
Në një intervistë në Vizion Plus, Këlliçi renditi si arsye të mundshme të bojkotimit mungesën e një raporti final të OSBE/ODIHR për 11 majin, si dhe shkeljen e Kushtetutës nga presidenti Begaj ditën e sotme.
Deputeti u shpreh se brenda pak ditësh partia do të finalizojë qëndrimin përfundimtar për pjesëmarrjen në bashkinë e Tiranës dhe kandidaturat përkatëse për të 6 bashkitë.
INTERVISTA E PLOTË:
PD kishte bërë thirrje që Presidenti mos t’i shpallte zgjedhjet në Tiranë. Kjo gjë ndodhi. Si është Partia Demokratike në këto kushte, si e sheh veten?
Këlliçi: Ne nuk kemi bërë thirrje që Presidenti mos të dekretojë zgjedhjet, kemi bërë të qartë qëndrimin tonë që tashmë kemi një president të kthyer në një noter të qeverisë. Një president që nuk ka asnjë rol apo peshë politike në vend. Nuk ka qenë surprizë, e kemi paralajmëruar prej kohësh. Ku madje fare mirë mund të ishte dhe presidenti me inteligjencë artificiale. Mund të kishim një Diell në president.
Si do të veprojë PD?
Këlliçi: Pasditen e sotme është mbyllur edhe takimi i fundit me një nga partitë aleate. Brenda një kohe rekord do të finalizojmë vendimmarrjen në të 6 bashkitë. Sepse kemi një problematikë madhore, ende nuk kemi një raport final të OSBE/OHDIR për 11 majin. Ka ende pikëpyetje me pjesëmarrjen e PD në zgjedhje. Pavarësisht se qëndrimi im si Belind është që nuk do të bojkotojmë asnjë proces. Kam përshtypjen që në dy ditët e ardhshme do të kemi një mbledhje për të pasur një vendimmarrje për pjesëmarrjen në zgjedhje dhe kandidaturat. Kemi pasur disa kërkesa për disa kandidatura. Kemi marrë edhe kërkesat e partive opozitare.
A do ishte opsion pjesëmarrja e PD në 5 bashkitë e tjera, duke përjashtuar Tiranën?
Këlliçi: Teorikisht mund të ishte një opsion i tillë, por praktikisht në gjykimin tim do të ishte e pamundur. Nuk është një opsion që diskutohet në PD. Por duke parë dekretin antikushtetues sot do ketë pikëpyetje të mëdha.
Si pjesëtar i grupit negociator, përveç Partisë Mundësia, kë tjetër keni takuar?
Këlliçi: Gjithë forcat politike opozitare. Edhe Alimehmeti e ka bërë publike që ka pasur një takim informal me zotin Lapaj. Edhe me Shabanin po ashtu. Janë kryer të gjitha takimet me partitë parlamentare opozitare. Në 2-3 ditët në vijim do të kemi emrat për të 6 bashkitë.
E rëndë në Tiranë/ Hidhet nga lartësia, humb jetën 16-vjeçarjaNjë ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të mërkurën në Tiranë, ku një e mitur rreth moshës 16 vjeç ka humbur jetën.
Sipas njoftimit të uniformave blu dyshohet se e mitura është vethedhur nga një lartësi e një pallati në ndërtim.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e saj, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit. Zoom.al/
Marina Vjollcës i grisen pantallonat në mes të Milanos (VIDEO)Një video e moderatores Marina Vjollca po bën xhiron e rrjetit.
Teksa ndodhej në Milano për javën e modës, moderatorja është përballur me një incident të papritur.
Një palë pantallona të zeza lëkure që ajo kishte veshur u grisën në pjesën e pasme duke e vënë në një situatë të sikletshme por edhe qesharake.
“Për syrin e keq”- shkroi moderatorja në rrjetet sociale së bashku me videon. Zoom.al/
https://www.instagram.com/reel/DPRkWzojEbr/?igsh=MWU1MHU2NnBmYW40dw==
Udhëtoni drejt Europës? Këto janë ndryshimet e reja në kufi nga 12 tetoriAmbasada e Bashkimit Evropian në Tiranë ka njoftuar qytetarët shqiptarë dhe të gjithë qytetarët e vendeve jashtë BE-së për një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e kontrollit të udhëtarëve në 29 vendet e Zonës Shengen.
Nga 12 tetori 2025, do të hyjë gradualisht në funksion Sistemi i Hyrje/Daljes (Entry/Exit System – EES).
Ky sistem ka për qëllim të përmirësojë menaxhimin e kufijve duke regjistruar automatikisht disa të dhëna kryesore gjatë hyrjes dhe daljes nga vendet e Shengenit.
Çfarë do të regjistrohet nga EES:
Njoftimi i plotë i ambasadës:
Përditësim i rëndësishëm për qytetarët e vendeve jashtë Bashkimit Evropian, përfshirë ata shqiptarë, që udhëtojnë për qëndrim të shkurtër në 29 vendet e Zonës Shengen!
Nga data 12 tetor 2025, një sistem i ri i menaxhimit të kufijve, Sistemi i Hyrje/Daljes (Entry/Exit System), do të fillojë gradualisht të regjistrojë:
të dhënat nga dokumenti i udhëtimit
datat e mbërritjes dhe të largimit
të dhënat biometrike (shenjat e gishtave dhe imazhi i fytyrës)
Nuk kërkohet të bëni asnjë veprim para udhëtimit. Nuk ka asnjë tarifë shtesë.
Për më shumë informacion nga burimi zyrtar
https://travel-europe.europa.eu/ees./ Zoom.al
Ish-Këshilltari Ligjor i Presidencës, Bledar Dervishaj ka reaguar lidhur me dekretimin e zgjedhjeve të pjesshme në gjashtë bashki, duke përfshirë edhe kryeqytetin.
Sipas tij, Bajram Begaj, por jo vetëm, ka kryer shkelje të Kushtetutës në rastin e zgjedhjeve të parakohshme në Bashkinë e Tiranës.
“Sipas meje çdo institucion që ka trajtuar rastin deri më tani, e ka konsumuar një shkelje me karakter kushtetues, duke cënuar të drejta e liri themelore”, thotë Dervishaj në reagimin e tij.
Ai shton se për rastin duhet të shprehet Gjykata Kushtetuese.
Reagimi i plotë:
Të nderuar miq dhe gazetar,
I mirëkuptoj dhe i respektoj plotësisht kërkesat tuaja për një mendim, koment apo opinion publik apo privat lidhur me dekretimin e zgjedhjeve të pjesshme në të 6 Bashkitë, përfshirë dhe zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë Tiranë.
Para së gjithash ju falenderoj për respektin dhe besimin profesional që keni ndaj meje.
Lidhur me këtë çështje qe mesa duket do të jetë temë edhe për disa ditë, mendoj se së pari është në detyrimin e atyre që marrin vendime që të miratojnë lejimin e stafit të tyre për të sqaruar publikisht vendimarrjet institucionale.
Personalisht, përsa kam ushtruar detyrën e Këshilltarit Ligjor në Presidencë, deri në 24 korrik 2022, kam mbrojtur e sqaruar në publik të gjithë aktet dhe dekretet e rëndësishme të Kreut të Shtetit, si në Kuvend, në studio televizive kudo ku jam ftuar, Gj.Kushtetuese, apo dhe në Komisionin e Venecias sëbashku me kolegë të tjerë të nderuar, pa ju shmangur asnjë pyetje me rëndësi për interesin publik dhe qytetar.
Në rastin konkret, ata që duhet të flasin të parët dhe të shprehin qëndrimin e tyre, janë; ish funksionari që është prekur nga këto vendime të deritanishme dhe/apo përfaqësuesit e tij ligjor, subjektet politike që do vlerësojnë marrjen ose jo pjesë në garën politike tashmë të dekretuar, si dhe çdo institucion tjetër kushtetues apo subjekt tjetër që legjitimohet ti drejtohet Gjykates Kushtetuese.
Këtu nuk jemi perpara rastit të shkarkimit nga puna të një të punësuari, sipas Statusit të Nëpunësit Civil apo Kodit të Punës, dhe po diskutohet nëse është Gjykata Administrative apo Gjykata Civile ajo që do trajtojë rastin.
Jemi përpara rastit të shkarkimit të një të zgjedhuri vendor me votë-Kryetar Bashkie, organ që parashikohet nga Kushtetuta. Sipas meje çdo institucion që ka trajtuar rastin deri më tani, e ka konsumuar një shkelje me karakter kushtetues, duke cënuar të drejta e liri themelore.
Nëse kjo çështje hyn apo jo në juridiksion kushtetues këtë duhet ta thotë vetëm Gjykata Kushtetuese, në rast se, një ankim i kësaj natyre rezulton i administruar nga subjekti i prekur brenda afatit.
Ky është mendimi im modest mbi këtë rast!
Ju përshëndes me dashamirësi dhe respekt./ Zoom.al