zoom

Day ArchiveReagimi i fortë i Parashqevi Simakut pas lajmeve të fundit

Këngëtarja e njohur shqiptare, Parashqevi Simaku, ka thyer heshtjen pas akuzave dhe shpifjeve që prej disa muajsh qarkullojnë për të në rrjetet sociale dhe disa media online. 

Me një reagim të gjatë në profilin e saj, ajo shprehet se nuk do të lejojë askënd ta përdorë emrin e saj për qëllime të ulëta dhe se publiku e njeh mirë figurën dhe karrierën e saj.

Prej 10 muajsh, emri im është përdorur si tabelë qitjeje nga njerëz që përpiqen të tërheqin vëmendje përmes shpifjeve dhe të pavërtetave. Asnjëherë nuk e kam menduar se do të më duhej të reagoja për gjëra kaq të ulëta, që nuk kanë asnjë lidhje me realitetin”, shkruan Simaku.

Këngëtarja kujton se kjo nuk është hera e parë që përballet me mllef e paragjykime. “Edhe në vitet 1985–1988 flitej për mua – për çmimet që kisha fituar me shumë punë, përkushtim dhe sakrifica – por shumë nga ata flisnin me mllef dhe zili. Edhe atëherë, si sot, zgjodha të mos ndalem.”

Mesazhi i saj është i qartë: “Mua nuk më bëni dot asgjë. Publiku im më njeh prej vitesh dhe e di shumë mirë kush jam, çfarë kam dhënë dhe çfarë përfaqësoj. Nëse për disa klikime zgjedh të ulësh dikë tjetër me shpifje, jini të sigurt: në atë moment, e ulni vetëm veten. Unë vazhdoj rrugën time me dinjitet dhe të vërtetën në krah. Kjo është forca ime.” Zoom.al/

CEO i “Astronomer” ribashkohet me gruan e tij pasi e tradhëtoi

Një moment i vetëm dhe një përqafim në kamer gjatë një koncerti të Coldplay në Boston, mjaftoi për të përmbysur jetët e disa personave dhe për të ndezur një stuhi të vërtetë në internet.

Në skenën e regjistruar, Andy Byron, 51 vjeç, atëherë CEO i kompanisë teknologjike Astronomer, u pa në një përqafim të afërt me Kristin Cabot, 53 vjeç, ish-drejtoreshë e burimeve njerëzore dhe njëkohësisht e martuar.

Kur kamera i fokusoi, dyshja u përkul për të fshehur fytyrat, por situata vetëm sa u përkeqësua kur këngëtari Chris Martin tha me shaka nga skena:“Ata ose kanë një aferë… ose janë shumë të turpshëm.”

Pak pas koncertit, të dy dhanë dorëheqje nga kompanitë ku punonin, ndërsa gruaja e Byron, Megan, 50 vjeç, ndryshoi mbiemrin në rrjetet sociale dhe u largua nga shtëpia e përbashkët në Massachusetts.

Por në vend që kjo të shënonte fundin e martesës, Daily Mail raportoi ekskluzivisht se çifti Byron është bashkuar sërish, duke u parë së fundmi së bashku në një piknik në plazhin e Kennebunk, Maine, të qetë, të buzëqeshur dhe ende me unazat e martesës në gishta, ndërsa asnjëri nuk ka paraqitur kërkesë për divorc në shtetet ku jetojnë.

Ndërkohë, në anën tjetër të skandalit, Kristin Cabot ka paraqitur kërkesë për divorc nga bashkëshorti i saj, Andrew Cabot, CEO i markës së rumit Privateer.

“Nuk kishte asnjë aferë. Kristin dhe Andy kishin një marrëdhënie pune dhe miqësi të mirë. Përqafimi ishte i papërshtatshëm, por kjo ishte e gjitha. Ajo e pranon përgjegjësinë për këtë”, deklaroi ish-bashkëshorti i Kristin.

Gjithashtu thuhet se Andrew Cabot ishte në koncert me një tjetër grua, e cila tashmë është partnerja e tij. “Ata ishin të ndarë miqësisht që përpara koncertit”, shtoi ai. Kjo u konfirmua edhe nga zëdhënësja e biznesmenit, e cila deklaroi:
“Vendimi për t’u ndarë ishte marrë përpara koncertit. Nuk do të bëhen komente të mëtejshme.”

Shtëpia e ciftit në Massachusetts tani është bosh, dhe fqinjët shprehen se i shohin rrallë. “I kemi parë të dy, por veçmas. I përshëndesim si fqinj, por nuk kemi kontakte të afërt”, deklarojnë ata.

Skandali mbetet ende një kujtim i freskët në rrjet, por për çiftin Byron, duket se ka shpresë për një fillim të ri, larg kamerave dhe vëmendjes publike. Zoom.al/

Gara për Tiranën/ Ish-deputeti i PD sfidon Berishën: Nxirr kandidat Nokën ose Vokshin

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka komentuar garën për bashkinë e Tiranës dhe kandidatin nga opozita.

Sula sfidoi hapur kreun e PD, Sali Berishën duke i i kërkuar që të nxjerrë në garë numrin 2 të partisë, Flamur Nokën, ose Albana Vokshin. Më tej ai shtoi që nëse kjo ndodh, ai vetë do të dalë derë më derë për të grumbulluar vota për PD-në.

Unë i bëj sfidë Sali Berishës, të zgjedhë kandidat Flamur Nokën osë Albana Vokshin. Unë personalisht do të dal derë më derë, rrugicë më rrugicë, bashkë me njerëzit e mi për të grumbulluar vota për PD dhe Nokën, nesër Noka ose Vokshi marrin një përqindje të konsiderueshëm të votave, unë do ta mbyll gojën për PD dhe do them ‘më fal Sali Berisha se paske të drejtë dhe unë fajtor dhe demokratët e thjeshtë’. Sepse numri 2 i PD dhe figurat më të larta vendosin fatinë  demokratëve.. qenkan njerëz të nderuar dhe të denjë për tu përballur me mazhorancën”, u shpreh Sula. Zoom.al/

Më 12 tetor nis zbatimi i rregullave të reja për hyrje në BE

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës i ka njoftuar qytetarët e vet se nga data 12 tetor do të nisë zbatimi i sistemit të hyrje/daljes (EES) në kufijtë e Bashkimit Evropian, me qëllim të përshpejtimit të kontrolleve kufitare.

Ky sistem është biometrik dhe regjistron hyrjet dhe daljet e shtetasve të vendeve që nuk janë anëtare të BE-së dhe mbledh shenjat e gishtërinjve dhe fotografitë, duke eliminuar vulat në pasaportë.

Ky sistem ishte paraparë të hynte në fuqi nëntorin e vitit të kaluar, por është shtyrë në momentet e fundit pasi disa shtete ende nuk ishin të gatshme që ta zbatonin.

Autoritetet evropiane kanë bërë të ditur se ky sistem do të zbatohet gradualisht në kufijtë e jashtëm të 29 shteteve evropiane për gjashtë muaj. Ky zbatim gradual do t’u japë autoriteteve, pasagjerëve dhe industrisë së transportit më shumë kohë për t’u përshtatur me procedurat e reja, kanë thënë autoritetet evropiane.

Sistemi është krijuar në nëntor të vitit 2017. Ai pritet të vlejë për gati 60 vende, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor, për hyrjen e shtetasve të tyre në BE, si dhe në Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn, të cilat janë pjesë e zonës Schengen.

Pasaportat në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë biometrike; në çipa ruhen gjurmët e gishtërinjve dhe fotografia, dhe janë plotësisht të harmonizuara me kushtet që ka kërkuar Bashkimi Evropian, në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfitojnë regjimin pa viza.

Zbatimi i këtij sistemi ka rritur frikën se do të ketë radhë dhe pritje të gjata për njerëzit që udhëtojnë për në Evropë me trena, tragete dhe aeroplanë. Rel/

“Shumë shpejt pritet masë ndaj një deputeti”/ Karamuço: Një grua çoi bllokun me shënime në SPAK

Profesori i kriminologjisë, Ervin Karamuço, në një intervistë për “Euronews Albania” ka paralajmëruar se shumë shpejt Prokuroria e Posaçme pritet të lëshojë një masë sigurie ndaj një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë.

Karamuço theksoi se SPAK po heton në lidhje me një bllok shënimesh ku janë të shkruajtura me detaje ndarjet e parave të korrupsionit. Sipas ekspertit, një zonjë e ka çuar në SPAK këtë bllok me “vlerë” dhe pritet që së shpejti të merren masa konkrete.

Ervin Karamuço nuk dha detaje për emrin e deputetit apo se cilës parti politike i përket ligjvënësi. Sipas tij, në atë bllok shënimesh flitet për shifra të mëdha parash të ngurtësuara në disa prej banesave në rrethinat e Tiranës.

“Di që së fundmi ka një hetim që po zhvillohet dhe mund të ketë masa konkrete ndaj një deputeti të Kuvendit të Shqipërisë. Na është zbuluar një bllok. Në këtë bllok janë vënë re shënime ku ky deputet ka vënë persona të tjerë që mbajnë shënim si do ndahen paratë e korrupsionit të ngurtësuara në disa prej banesave në rrethinat e Tiranës. Këtë banesë e ka filani por është për llogari timen. Një zonjë e nderuar e ka çuar në SPAK bllokun. Kanë filluar hetimet dhe pritet shumë shpejt të ketë masa konkrete ndaj këtij deputeti. Nuk mund të them as emër dhe as kujt partie politike i përket.” – tha Karamuço.

Vdekja e gruas së Alban Hoxhës pas lindjes/ Familja: Kemi 11 vite rresht që presim drejtësi!

Familja e Doriana Hakës, bashkëshortes së portierit Alban Hoxha, vazhdon të kërkojë drejtësi për vdekjen tragjike të saj, e cila ndodhi në nëntor të vitit 2014, vetëm dy javë pas lindjes së fëmijës së saj të parë.

Në një seancë gjyqësore të fundit, me dhimbje dhe lot në sy, Hamide Haka, nëna e Dorianës, shprehu indinjatën e saj për zvarritjen e procesit gjyqësor, i cili ka zgjatur tashmë më shumë se një dekadë. Ajo kërkoi një drejtësi të vonuar, por të merituar, duke theksuar se fëmija i Dorianës, i cili po rritet pa nënën e tij, meriton drejtësi.

“Kemi 11 vite rresht që presim drejtësi pati një ballafaqim mes ekspertëve pyetje përgjigje, zgjati pak gjatë dhe u revoltova dhe fola në seancë të gjyqit, shpresoj që gjyqtarët ta marrin parasysh, më djeg shpirti, më dhemb zemra. Shpresoj tek një drejtësi e vonuar por jo e harruar. Dori im do drejtësi, një fëmijë që rritet pa nënë do drejtësi, ju lutem gjyqtar më shikoni, kam të drejtë prandaj kam kërkuar të merrem me gjykatat jo gjë tjetër, thjesht dua drejtësi, drejtësi pa fund”, tha Hamide Haka.

Edhe babai i të ndjerës, Enver Haka, shprehu zhgënjimin e familjes për shtyrjen e pafundme të çështjes, duke theksuar se janë 11 vite që bredhin nëpër gjykata pa marrë asnjë vendim të prerë. Ai theksoi se nuk do të ndalen derisa të marrë drejtësinë që e meriton vajza e tij, duke u fokusuar te gjykata dhe vendimi që do të marrë trupa gjykuese.

“Kam 11 vite që robtohem nëpër gjykata, nuk di si ta shpjegoj. Presim nga gjykata e apelit të na jepet një drejtësi që nuk po na jepet, po na sorollatin, shty seanca, po bëhet 3 vjet tek Gjykata e Apelit.

Dua vetëm drejtësi dhe nuk do ti ndahem këmba këmbës derisa të kem jetën, derisa të mbyll sytë, nuk e fal kështu, drejtësi vetëm drejtësi asgjë tjetër shikoj nga gjykata hap sytë vetëm nga gjyqtarët si po japin vendimin se 11 vite”, pohoi Enver Haka.

Avokati i familjes, Bashkim Sulstarova, shprehu besimin se gjykata do të analizojë provat dhe do të japë një vendim të drejtë dhe të bazuar në ligj. Familja Haka konsideron vdekjen e Doriana Hakës si pasojë e neglizhencës mjekësore dhe kërkon zbardhjen e plotë të rastit, si dhe përgjegjësi për ata që janë të përfshirë. Zoom.al/

Përgatituni për ndryshim të fortë të motit/ Meteorologu: Reshje shiu dhe dëborë

Një valë e re e motit të keq pritet të godasë Shqipërinë në ditët e para të tetorit me rënie të ndjeshme të temperaturave, reshje intensive shiu dhe stuhi.

Lajmin e bën të ditur meteorologu i njohur grek dhe njëkohësisht eurodeputeti i Pasok-ut, Sakis Arnaoutoglou, i cili shpesh paralajmëron për fenomenet e rrezikshme kohore që prekin vendin tonë përmes Top Channel.

Sipas tij e enjtja, 2 tetor, do të sjellë reshje të dendura shiu dhe dëbore në shumë zona të Shqipërisë.

Konkretisht në veriun e vendit, nga Shkodra deri në Kukës dhe Peshkopi, priten reshje shumë të forta shiu, ndërsa mbi 900–1000 metra lartësi do të ketë reshje të dendura bore me shtresim të konsiderueshëm. Në zonat qendrore, si Dibra, Burreli dhe Elbasani, reshjet do të jenë po ashtu të bollshme, ndërsa në malet Korab dhe Shebenik dëbora do të nisë mbi 1000 metra, me intensitet në lartësi më të mëdha -thekson meteorologu grek.

Po ashtu në juglindje, në Gramsh , në Korçë dhe rreth maleve Moravë dhe Gramoz, parashikohen reshje të dendura shiu dhe dëborë mbi 1200 metra. Ndërsa në jug, në Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet, do të ketë kryesisht reshje shiu, ndërsa nuk përjashtohen reshje bore në zonat mbi 1200–1300 metra.

Ndryshe paraqitet situata në bregdetin perëndimor, nga Tirana e Durrësi deri në Vlorë, ku reshjet do të jenë të pakta dhe të dobëta, madje në disa zona mund të mungojnë fare.

Moti i keq do të shkaktojë probleme në lëvizjen e automjeteve në disa akse malore. Zinxhirët do të jenë të nevojshëm në rrugën Shkodër–Kukës, në segmentin malor Burrel–Peshkopi mbi 900–1000metra, në rrugën Elbasan–Librazhd drejt kufirit me Maqedoninë e Veriut mbi 1000 metra, si dhe në disa kalime malore drejt Korçës dhe rreth Gjirokastrës e Përmetit mbi 1300–1400 metra.

Erërat do të fryjnë të enjten në mbrëmje përgjatë vijës bregdetare nga Vlora deri në Shkodër, me shpejtësi  60–80 km/h, që korrespondojnë me forcën 8 të shkallës Beaufort, ndërsa në brendësi të vendit era nuk pritet të kalojë forcën 5–6 Beaufort. Zoom.al/

Zyrtari i lartë i Hamasit i përgjigjet Trump: Me shumë mundësi …

Një zyrtar i lartë i Hamasit i ka thënë BBC-së se grupi ka të ngjarë ta refuzojë planin e paqes të Donald Trump për Gazën, duke thënë se ai “i shërben interesave të Izraelit” dhe “injoron ato të popullit palestinez”.

Raporti tha se Hamasi nuk ka gjasa të bjerë dakord të çarmatoset dhe të dorëzojë armët e tij – një kusht kyç i planit të Trump.

Thuhet gjithashtu se Hamasi kundërshton vendosjen e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi (ISF) në Gaza, të cilën e sheh si një formë të re pushtimi.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e pranoi planin e Trump gjatë bisedimeve në Shtëpinë e Bardhë të hënën.

Megjithatë, Hamasi ende nuk ka dhënë një përgjigje zyrtare. Ministria e Jashtme e Katarit tha se Hamasi po e studionte propozimin e Shtëpisë së Bardhë me “përgjegjësi”.

Një zyrtar i lartë palestinez me njohuri mbi bisedimet e Hamasit i tha BBC-së se udhëheqja e grupit si brenda ashtu edhe jashtë Gazës ishte e përfshirë në këto bisedime.

Komandanti ushtarak i organizatës në rajon, Ezz al-Din al-Haddad, besohet të jetë i vendosur të vazhdojë luftimet në vend që të pranojë planin që i është ofruar.

Zyrtarët e Hamasit jashtë Gazës kohët e fundit e kanë gjetur veten jashtë diskutimeve, pasi nuk kanë kontroll të drejtpërdrejtë mbi pengjet. Zoom.al/

Ngjarje e rëndë/ Sulm me armë në një lokal, disa të plagosur

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasdite në Beograd, ku një person i panjohur ka hapur zjarr në një lokal në lagjen Višnjička Banja.

Nga të shtënat mbetën të plagosur pesë persona, tre burra dhe dy gra, njofton Ministria e Punëve të Brendshme.

Të plagosurit u transportuan menjëherë në Qendrën e Emergjencës, ndërsa një nga gratë ndodhet në gjendje kritike.

Fillimisht u raportua se ajo ishte pa shenja jete, por burime mjekësore konfirmojnë se po merr trajtim intensiv.

Autori është ende i paidentifikuar, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur më shumë detaje./ Zoom.al

3 shenjat e horoskopit që do të përballen me vështirësi deri më 4 tetor

Peshorja – Kushtojini vëmendje pasi edhe mosmarrëveshjet më të vogla mund të shndërrohen në grindje epike. Ka paqartësi, lëshime, keqkuptime që çojnë në keqkuptime dhe tensione. Megjithatë, prania e Diellit dhe Merkurit në shenjën tuaj jep disa rreze optimizmi dhe ju kujton të mos e sforconi veten shumë. Është më mirë të lini mënjanë nervat dhe të diskutoni me qetësi.

Bricjapi – Emocione që ju ngatërrojnë dhe ju ngatërrojnë. Mbajeni të qartë mendimin tuaj si në çështjet profesionale ashtu edhe në ato personale. Ekzagjerimet dhe tensionet nuk mungojnë, prandaj shmangni vendimet e shpejta dhe të nxituara. Kushtojini vëmendje procedurave në dokumente dhe marrëveshje.

Shigjetari – Mund të ndiheni të izoluar këto ditë, më shumë se njerëzit që normalisht ju mbështesin. Ka më shumë tension në fushën profesionale dhe pavarësisht sukseseve tuaja, lodhja nuk do t’ju lejojë t’i shijoni ato. Kushtojini vëmendje dallimeve të vogla, sepse nëse nuk i zgjidhni, ato do të bëhen të mëdha dhe ndoshta vendimtare për rrugën tuaj, dhe kujdesuni për shëndetin tuaj, pushimi duhet të vijë i pari./ Zoom.al