Aplikacion
Aksident i rëndë në aksin “Elbasan–Cërrik”, me pasojë 5 të plagosur.
Policia bën me dije se në aksin rrugor “Elbasan–Cërrik”, në fshatin Valas, automjeti me drejtues shtetasin B. V., 71 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin M. C., 29 vjeç. Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar të dy drejtuesit e automjeteve, si dhe tre pasagjerë në automjetin me drejtues shtetasin M. C.
Të dëmtuarit po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Elbasan dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor po vijon veprimet për përcaktimin e rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit. Zoom.al/
Plani i Trump, mediat izraelite: Netanyahu pritet të bëjë lëshime të mëdha dhe të dhimbshmeIzraeli do të duhet të bëjë lëshime “të dhimbshme dhe domethënëse” sipas planit të SHBA-së për t’i dhënë fund luftës në Gaza.
Lëshimet do të jenë në kundërshtim me disa pozicione të fundit politike nga Shteti Hebraik, veçanërisht një rol për Autoritetin Palestinez në planin e pasluftës, raportoi të shtunën Kanali 12 i televizionit izraelit.
Kryeministri Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë vazhdimisht çdo rol për Autoritetin Palestinez, duke këmbëngulur që Izraeli duhet të mbajë kontrollin mbi Rripin e Gazës pas luftës.
Plani i fundit i Presidentit amerikan Donald Trump bën thirrje për zgjerimin gradual të pushtetit qeverisës të Autoritetit Palestinez, pas një periudhe tranzicioni ku një organ ndërkombëtar do të mbikëqyrë enklavën.
Autoriteti Palestinez, i krijuar në vitin 1994 sipas Marrëveshjeve të Oslos dhe aktualisht i udhëhequr nga Mahmoud Abbas, është një organ qeverisës perëndimor dhe i njohur ndërkombëtarisht që aktualisht ka vetëm autoritet të kufizuar në pjesë të Bregut Perëndimor.
Fillimisht administroi si Bregun Perëndimor ashtu edhe Gazën, por humbi kontrollin e Rripit të Gazës ndaj Hamasit në zgjedhjet palestineze të vitit 2006. Zoom.al/
“Tradhtia” e Wanda Narës me Brozoviç, Gjykata e Apelit në Milano jep vendimin për historinë e bujshmeNjë nga çështjet më të shumëpërfolura në mediat rozë në Itali prej vitesh është ajo që publikoi në vitin 2019 mbreti i paparacëve, Fabricio Korona.
“Mauro Ikardi divorcon gruan e tij, Uanda Nara ka tradhtuar partnerin e saj me Marcelo Brozoviç”, shkruante asokohe ai në artikullin në “King Corona Magazine”. Një artikull ku aludohej për një histori mes Uanda Narës dhe mesfushorit kroat, në periudhën kur pjesë e skuadrës së Interit ishte edhe Mauro Ikardi e që kishte sjellë më pas përplasjet brenda grupit zikaltër.
Një histori që Korona nuk e ka vërtetuar kurrë dhe për të cilën është çuar në gjyq për shpifje dhe dëme morale nga personat e përfshirë në këtë mesele, më saktësisht Uanda Nara, Mauro Ikardi dhe Marcelo Brozoviç bashkërisht.
Shkalla e parë kishte marrë vendim për këtë çështje duke dënuar Fabricio Koronën dhe Gjykata e Apelit në Milano, ka konfirmuar gjithçka, duke detyruar paparacin e njohur që të dëmshpërblejë personat për të cilët ka bërë këtë shpifje.
Kështu ai do të paguajë gjobën prej 1500 eurosh, do të dëmshpërblejë me 7500 euro si Uanda Narën, ashtu edhe Mauro Ikardin, si dhe me 5 mijë euro Brozoviç. Zoom.al/
Kurti për pezullimin e Dialogut me SHBA-në: S’mund të bëj kompromiseKryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara tha se arsyeja pse Uashingtoni ka pezulluar Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovës ka të bëjë me mbylljen e strukturave serbe në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
I pyetur gjatë një bashkëbisedimi të sqaronte arsyen e vendimit të kumtuar nga SHBA-ja më 12 shtator, Kurti tha se ai nuk mund të bëjë kompromise me sundimin e ligjit.
“[Arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik] është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”, tha Kurti.
Kurti tha se raporti Kosovë-SHBA është tridimensional: mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci. Përderisa në dy shtyllat e para tha se nuk ka probleme, sa i përket diplomacisë, sipas tij, ka “pengesa”.
“Aty ku kemi disa pengesa është në diplomaci, sepse sipas meje, SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im”, tha Kurti, duke shtuar se ai përfaqëson interesat e Kosovës.
Më 12 shtator, Ambasada amerikane e arsyetoi vendimin për pezullimin e Dialogut me veprimet e Qeverisë në detyrë dhe me rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në vend.
Përmes një njoftimi, Ambasada amerikane në Kosovës tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.
“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, tha ajo, pa shpjeguar se për çfarë deklaratash dhe veprimesh bëhet fjalë saktësisht.
Kurti në SHBA tha se ai nuk është kryeministër që i thotë Policisë së Kosovës të mos e arrestojë një kriminel serb të kapur në flagrancë, “sepse ky veprim mund të dënohet nga Brukseli dhe Uashingtoni”.
“Dhe unë u dukem atyre shumë ndryshe nga paraardhësit e mi. Ky është mallkim nga pasardhësit e mi, të cilët kanë qenë të butë. Unë jam normal, por dukem ekstrem. Kjo është për shkak të paraardhësve të mi të cilët nuk kanë qenë normalë”, u shpreh Kurti.
Kurti tha se mes Kosovës dhe SHBA-së ka dallime kur bëhet fjalë “në taktika dhe veprime” e jo në vlera, interesa dhe parime.
Më 19 shtator, kryeministri në detyrë i Kosovës deklaroi se mes dy vendeve ka dallime, por Kurti shtoi se “nuk jemi prishur me Amerikën”.
Vitin e kaluar, autoritetet në Kosovë nisën mbylljen e institucioneve në veri, që operojnë sipas sistemit serb. Kosova i cilëson këto institucione paralele dhe ilegale.
Veprimet e ekzekutivit kosovar në veri janë përballur me kritika nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë nga SHBA-ja.
Ndërsa javët e fundit u pezullua puna e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Fondit për Sigurim Invalidor e Pensional, që punojnë sipas sistemit të Serbisë, në Mitrovicën e Veriut./REL
3 shenjat më me fat të horoskopit për muajin tetorTetori vjen me ndryshime pozitive për disa shenja të horoskopit.
Sipas parashikimeve astrologjike, 3 shenja do të përjetojnë një periudhë fati, plot mundësi të reja dhe surpriza të këndshme në jetën personale dhe profesionale.
Nëse i përkisni njërës prej tyre, muaji që po afron mund të jetë magjik.
Luani
Tetori do t’i sjellë luanëve shumë mundësi për zhvillim, si në plan personal ashtu edhe profesional. Aftësitë udhëheqëse do të jenë në fokus, duke i ndihmuar të përballojnë sfidat me sukses. Në aspektin financiar, priten të ardhura të papritura dhe marrëveshje fitimprurëse, që mund të bëhen baza për suksese të mëtejshme. Mbështetja nga persona të papritur do të jetë një tjetër faktor pozitiv, por fati do t’i buzëqeshë vetëm atyre që janë gati të veprojnë.
Shigjetari
Për Shigjetarët, tetori sjell frymëzim, zhvillim të brendshëm dhe njohje të reja. Kureshtja do t’i ndihmojnë të zbulojnë projekte të reja dhe mundësi të reja që do t’i çojnë drejt rritjes personale. Udhëtimet, mësimi dhe aktivitetet krijuese do të jenë në qendër të vëmendjes, ndërsa lajme të mira priten të ndikojnë pozitivisht në të ardhmen. Astrologët rekomandojnë që shigjetarët ta shfrytëzojnë sa më shumë këtë periudhë të favorshme.
Bricjapi
Tetori sjell stabilitet dhe vetëbesim për bricjapët. Përpjekjet e mëparshme do të fillojnë të japin fryte, qoftë në karrierë apo në marrëdhënie personale. Vendimet financiare do të jenë të suksesshme, sidomos nëse merren me kujdes dhe qëndrueshmëri. Ky muaj është gjithashtu i përshtatshëm për të forcuar marrëdhëniet me njerëz të rëndësishëm në jetën e tyre. Zoom.al/
Moti/ Parashikimi për ditën e hënëDitën e hënë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Moti parashikohet me kthjellime të herëpashershme, kryesisht përgjatë Ultësirës Perëndimore dhe alternime vranësirash mesatare deri të dendura, më të theksuara në zonën lindore të territorit.
Reshjet e shiut do të jenë të karakterit lokal me intensitet të ulët, gjatë orëve të mesditës dhe pasdites, përqendruar në relievet kodrinore-malore të territorit.
Era me drejtim juglindje-veriperëndim, me shpejtësi mesatare 7 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore era do të arrijë shpejtësi 7-14 m/s
Deti – Valëzimi i forcës 1-3 ballë. Zoom.al/
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor ka reaguar pas incidentit gjatë shfaqjes, La Traviata, ku si pasojë mbeti e lënduar sopranoja, Eva Golemi.
Reagimi i plotë:
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor informon publikun e nderuar se gjatë natës së parë të shfaqjes së operës La Traviata, sopranoja e mirënjohur Eva Golemi pati një incident në skenë, në momentet e fundit të shfaqjes.
Falë reagimit të menjëhershëm të stafit artistik dhe administrativ, situata u menaxhua me kujdes dhe profesionalizëm. Znj. Golemi ndodhet aktualisht në proces rikuperimi dhe fatmirësisht gjendja e saj shëndetësore është e qëndrueshme, pa pasoja serioze.
TKOBAP shpreh mirënjohje për publikun, i cili me duartrokitjet dhe mbështetjen e tij tregoi respekt dhe dashuri për artistët tanë.
Shfaqjet tona do të vijojnë sipas programit të parashikuar. I urojmë znj. Eva Golemi shërim të shpejtë dhe rikthim të shëndetshëm e sa më të afërt në skenë.
Golemi u rrëzua në skenën finale, teksa interpretonte vdekjen e Violetës në shfaqen “Traviata”.
Vetë skena parashikonte rënien e saj në duart e tenorit që interpreton Alfredon, por ky i fundit reagoi me vonesë duke bërë që sopranoja të rrëzohej në skenë./ Zoom.al
Trump bën paralajmërimin e fortë: Kemi një shans të artë në Lindjen e MesmePresidenti i SHBA-së, Donald Trump, përsëriti sot se ekziston “një mundësi reale për diçka të madhe në Lindjen e Mesme”, pa dhënë detaje të mëtejshme.
“Kemi një mundësi reale për diçka të madhe në Lindjen e Mesme. Të gjithë janë gati për diçka të veçantë, për herë të parë. Do ta bëjmë”, shkroi ai në një postim në Truth Social.
Siç dihet, të premten presidenti i SHBA-së tha se ishte afër një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Rripin e Gazës dhe për të kthyer pengjet në Izrael. Zoom.al/
Vrasja e biznesmenit italian/ Dalin detaje të reja, shkak dritat e gjata të makinësNjë konflikt i çastit për dritat e makinave dyshohet se u bë shkak i vrasjes së biznesmenit italian, Edoardo Sarchi, i cili mbeti i vrarë nga një person ende i paidentifikuar, mëngjesin e së shtunës në zonën e Salarisë, në Tepelenë.
Kjo e dhënë ka dalë nga deklarimet e tre miqve të biznesmenit, që së bashku me të kishin dalë për gjah me dy makina fuoristradë, kur janë përballur me vrasësin në vendin ku u regjistrua ngjarja.
Burime pranë grupit hetimor thanë se fillimisht autori, i cili dyshohet se ka qenë i vetëm me makinën e tij, ka debatuar verbalisht me viktimën dhe miqtë e tij, e më pas situata ka përshkallëzuar.
Debati dyshohet se ka nisur për shkak të dritave të gjata të njërit prej automjeteve.
Nga sa mësohet, autori ka qëlluar tre herë nga distanca, ku një prej plumbave ka kapur biznesmenin në këmbë, duke i çarë arterien kryesore, çka i solli më pas vdekjen.
Policia dhe prokuroria dyshojnë se vrasësi ka qëlluar pasi edhe nga pala tjetër ka pasur reagim, por edhe për vetë faktin se biznesmeni italian Edoardo Sarchi dhe miqtë e tij kanë qenë të pajisur me armë gjahu.
Për identifikimin e autorit, policia ka shpallur në kërkim disa persona, të cilët do të pyeten për ngjarjen, pasi ka dyshime se mund të kenë dijeni. Mes tyre mësohet se është edhe vrasësi.
Ky i fundit dyshohet se pas krimit të rëndë është larguar në drejtim të Tepelenës. Edoardo Sarchi, 44 vjeç, prej vitesh ishte zhvendosur në Shqipëri, ku kishte edhe biznesin e tij, një kompani për prodhimin e tullave, me seli në Tiranë. Viktima ishte i apasionuar pas gjuetisë dhe shpesh herë dilte për ta ushtruar atë së bashku me miqtë e tij. Zoom.al/
Rama për gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Proces jo demokratik që nga fillimi i tijKreu i qeverisë, Edi Rama, në një intervistë për Klan Kosova, ka folur lidhur me gjykimin në Hagë t ëish-krerëve të UÇK-së, përkatësisht të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Për Ramën, i gjithë procesi gjyqësor i kryer nuk është demokratik, çka e cilëson si diçka shumë të rëndë.
“Procesi nuk është demokratik, dhe kjo është shumë e rëndë. Që procesi gjyqësor nuk është demokratik, është shumë, shumë e rëndë”, tha ai.
Sipas kreut të qeverisë, procesi gjyqësor nuk është demokratik që nga fillimet e saj, duke nisur që nga marrja e një presidenti të zgjedhur nga zyra, e deri tek burgimi i tij me justifikimin e mundësisë së kërcënimit të dëshmitarëve. Më tej, Rama sqaron nuk ka pasur asnjë provë për kërcënime të mundshme, teksa shton se nuk është demokratike përgjimi në sallën e takimeve. Të gjitha këto, ai i cilëson si të pakuptimta.
“I gjithë procesi nuk është demokratik, qysh nga fillimi. Që nga marrja e një presidenti të zgjedhur nga zyra, pa asnjë akzuë dhe kyçja e tij brenda në burg, tek mbajtja në burg me teorinë e kërcënimit potencial të dëshmitarëve, që s’ka asnjë provë për asnjë lloj kërcënimi, dhe deri tek përgjimi në sallën e takimeve. Domëthënë, gjëra të paimagjinueshme, gjëra të pakuptueshme, që janë të panumërta”, u shpreh Rama.
Kështu, Rama shprehet në fjalë të tjera se sistemi gjyqësor i Kosovës nuk duhej të rrinte duarkryq para një padrejtësie të tillë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Në të kundërt, sipas Ramës, i gjithë ky proces gjyqësor i zhvilluar deri më tani, nuk do kishte ardhur deri këtu kaq lehtësisht nëse do të kishte reagimet e nevojshme nga ana e Kosovës.
“Në asnjë vend demokratik, një proces i tillë nuk do të kishte shkuar dot përpara kaq qetësisht për kaq vite, sepse organet përkatëse të qeverisjes së sistemeve gjyqësore, nuk do të qëndronin duarkryq përpara një procesi të tillë”, tha kryeministri Rama./Zoom.al