zoom

Day ArchiveDronë rusë mbi vendet e BE? Moska sqaron të vërtetën

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka mohuar akuzat se Rusia ka shkelur hapësirën ajrore të vendeve anëtare të BE-së dhe NATO-s gjatë javëve të fundit.

Ai deklaroi se Moska “nuk ka asgjë për të fshehur” dhe se nuk ka pasur qëllim të sulmojë civilët apo infrastrukturën evropiane.

Lavrov u ndal veçanërisht te incidenti i 9 shtatorit në Poloni, ku sipas pretendimeve polake dronë rusë kanë hyrë në hapësirën ajrore të vendit.

Ai theksoi se Rusia ka kërkuar takime për të diskutuar çështjen, por se “askush nuk dëshiron të diskutojë faktet”.

Ministri shtoi se Moska nuk synon vendet e Evropës me dronët ose raketat e saj, pavarësisht nëse bëhet fjalë për vende të BE-së apo NATO-s. Deklarata e tij vjen në një kohë tensionesh të rritura mes Rusisë dhe Perëndimit, ku incidentet ushtarake dhe akuzat për provokime janë bërë më të shpeshta. Në ditët e fundit, Polonia, Estonia, Danimarka kanë pikasur dronë të dyshimtë në hapësirën e tyre ajrore, duke drejtuar gishtin te Rusia./ Zoom.al

FOTO/ Ky është biznesmeni italian që u vra në Tepelenë

Publikohet fotoja e biznesmenit italian, Edoardo Sarchi, që u vra me armë zjarri në fshatin Salari të Tepelenës.

Trupi i tij i pajetë u gjet rreth orës 00:30. Ai ishte ortak në një fabrikë tullash në Tiranë dhe prej 20 vitesh jetonte në Shqipëri.

Sarchi kishte dalë për gjah së bashku me Eqerem Braçen, dy djemtë e tij, Daniel dhe Gazmend Braçe dhe një person të katërt.

Sipas burimeve, në trupin e viktimës u gjet një plagë plumbi në kofshën e majtë, në arterien kryesore.

Policia gjeti dy automjete në vendngjarje, një prej të cilave ishte e viktimës.

Policia po heton nëse Sarchi është vrarë aty ku u gjet trupi apo nëse trupi i tij është lëvizur pas vrasjes.

Personat e pranishëm gjatë ngjarjes janë marrë në pyetje disa herë për, por kanë pasur kontradikta në dëshmitë e tyre.

Trupi i Edoardo Sarchit po i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore, ndërsa një pistë hetimi është që ai të jetë vrarë për shkak të konflikteve në biznes./ Zoom.al

VIDEO/ Gjesti i jep lamtumirën e fundit vëllait, në ceremoni edhe Egli

Falmija Kelmendi i dha lamtumirën e fundit këtë të shtunë Eldion Kelmendit, djalit të tyre 15-vjeçari që humbi jetën në një aksident tragjik në Pejë. Ai ishte vëllai i reperit Gjesti.

Ceremonia mortore u zhvillua sot në orën 17:00, ku pranë familjes dhe reperit ishin miq të ngushtë dhe figura publike që treguan mbështetje dhe solidaritet.

Mes të pranishmëve ishin ish-banorë të Big Brother VIP 4, si Egli Tako, Rizarta Hoxha, Valbona Mhilli dhe Danja Koka, si dhe këngëtarët Dafina Zeqiri dhe Yll Limani.

Të gjithë qëndruan pranë Gjestit në këtë moment të vështirë, duke i shprehur ngushëllimet dhe mbështetjen e tyre familjes Kelmendi./ Zoom.al

3 shenjat që do të marrin surpriza gjatë tetorit

Luani
Tetori do t’i sjellë luanëve shumë mundësi për zhvillim, si në plan personal ashtu edhe profesional. Aftësitë udhëheqëse do të jenë në fokus, duke i ndihmuar të përballojnë sfidat me sukses. Në aspektin financiar, priten të ardhura të papritura dhe marrëveshje fitimprurëse, që mund të bëhen baza për suksese të mëtejshme. Mbështetja nga persona të papritur do të jetë një tjetër faktor pozitiv, por fati do t’i buzëqeshë vetëm atyre që janë gati të veprojnë.

Shigjetari
Për Shigjetarët, tetori sjell frymëzim, zhvillim të brendshëm dhe njohje të reja. Kureshtja do t’i ndihmojnë të zbulojnë projekte të reja dhe mundësi të reja që do t’i çojnë drejt rritjes personale. Udhëtimet, mësimi dhe aktivitetet krijuese do të jenë në qendër të vëmendjes, ndërsa lajme të mira priten të ndikojnë pozitivisht në të ardhmen. Astrologët rekomandojnë që shigjetarët ta shfrytëzojnë sa më shumë këtë periudhë të favorshme.

Bricjapi
Tetori sjell stabilitet dhe vetëbesim për bricjapët. Përpjekjet e mëparshme do të fillojnë të japin fryte, qoftë në karrierë apo në marrëdhënie personale. Vendimet financiare do të jenë të suksesshme, sidomos nëse merren me kujdes dhe qëndrueshmëri. Ky muaj është gjithashtu i përshtatshëm për të forcuar marrëdhëniet me njerëz të rëndësishëm në jetën e tyre./ Zoom.al

PD nis negociatat për Tiranën, Berisha iu shtrin dorën aleatëve

Partia Demokratike ka nisur negociatat për përzgjedhjen e kandidatit për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e ardhshme.

Tre të mandatuarit e Sali Berishës zhvilluan takime me aleatët tradicionalë, Fatmir Mediun dhe Agron Dukën, për të diskutuar mbi profilin e kandidatit. Deputeti Flamur Noka u shpreh se opozita ka shanse reale për të fituar në kryeqytet dhe bashki të tjera, nëse arrin të unifikojë të gjithë faktorët opozitarë.

Berisha i ka shtrirë dorën për bashkëpunim edhe Agron Shehajt dhe Adriatik Lapajt, ndërsa ka vendosur “vija të kuqe” ndaj disa figurave të djathta si Dashamir Shehi, Enkelejd Alibeaj dhe Lulzim Basha. Ndërkohë, ai ka përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me Arlind Qorrin, duke e konsideruar si përfaqësues të së majtës.

Në të njëjtin vend ku demokratët diskutonin për kandidaturën, Partia Socialiste zhvillonte një takim elektoral me gratë dhe vajzat, ku merrnin pjesë Belinda Balluku dhe kandidatja Ogerta Manastirliu.

Opozita pritet të vendosë një kandidat me mbështetjen e aleatëve, duke lënë mënjanë primaret, ndërsa mazhoranca ka nisur prej kohësh fushatën për Tiranën./ Zoom.al

E rëndë në Lezhë/ Gruan e zë korrenti në shtëpi

Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë pasdite në fshatin Grykë Zezë të Lezhës, ku një grua ka humbur jetën si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike.

Viktima është identifikuar si P. P., rreth 67 vjeçe.

Sipas njoftimit të policisë, e moshuara dyshohet se ka rënë në kontakt me korrentin në oborrin e banesës së saj, duke ndërruar jetë në vend.

Grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes tragjike./ Zoom.al

Të shtënat në Tiranë/ Kush janë autori dhe i plagosuri (EMRAT)

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e ndodhur pasditen e sotme në zonën e Kombinatit në Tiranë, ku një person u plagos me armë zjarri nga kunati i tij.

Burime për Zoom.al konfirmojnë se autori i plagosjes është Misir Tanushi, 41 vjeç.

Ai qëlloi me armë Genci Mullaymerin, 56 vjeç, i cili është burri i motrës së autorit.

56-vjeçari mori një plumb në këmbë.

Sipas hetimeve, të dy ata ishin në gjendje të dehur kur nisën të konfliktoheshin me njëri-tjetrin. Në momentin e ngjarjes, në banesë ndodhej edhe një person tjetër, që është shpallur në kërkm, ndërsa autori Misir Tanushi është arrestuar./ Zoom.al

PAMJET/ Digjet shtëpia në Elbasan, vdes një person (EMRI)

Një ngjarje tragjike u shënua pasditen e kësaj të shtune në fshatin Vidhas të Elbasanit. Rreth orës 15:45, një banesë u përfshi nga flakët, duke i marrë jetën një të moshuari që u asfiksua nga tymi.

Forcat zjarrfikëse ndërhynë për shuarjen e zjarrit, por ndërhyrja nuk mundi të shpëtonte 78-vjeçarin Dalip Verçani.

Shkaqet e rënies së zjarrit nuk dihen ende, ndërsa grupi hetimor ka nisur punën për të përcaktuar rrethanat e plota të ngjarjes./ Zoom.al

Plagosja me armë në Tiranë, reagon policia

Policia e Tiranës dha informacion zyrtar për plagosjen me armë zjarri të ndodhur pasditen e sotme në Kombinat.

Sipas policisë, një konflikt familjar për motive të dobëta përfundoi me përdorimin e armës së zjarrit.

“Rreth orës 15:40, në banesën e një 56-vjeçari në rrugën “Llambi Bonata”, shtetasi M. T., 41 vjeç, ka plagosur me armë kunatin e tij G. M. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë, autori u neutralizua dhe u shoqërua në Komisariatin Nr. 6.”, njoftoi policia.

I plagosuri ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje u sekuestrua arma e zjarrit e përdorur gjatë plagosjes, ndërsa u shpall në kërkim 29-vjeçari N. S..

Ai akuzohet si i implikuar në këtë ngjarje sepse ishte prezent në banesë në momentin e konfliktit dhe më pas është larguar.

Grupi hetimor po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave./ Zoom.al

Alarm në Danimarkë, sërish dronë të dyshimtë mbi zona ushtarake

Autoritetet daneze kanë mbyllur përkohësisht hapësirën ajrore pas raportimeve për dronë të dyshimtë mbi zona ushtarake, përfshirë bazën ajrore Karup.

Lëvizjet ajrore u pezulluan për trafikun civil, ndërsa policia dhe ushtria po zhvillojnë hetime të përbashkëta.

Incidenti vjen pas rasteve të ngjashme në aeroporte të Danimarkës dhe vende të tjera evropiane si Gjermania, Norvegjia dhe Lituania.

Këto ngjarje janë cilësuar si një formë e sulmit hibrid, edhe pse nuk ka prova që i lidhin drejtpërdrejt me Rusinë. Moska, nga ana e saj, i ka mohuar akuzat duke i quajtur provokime të fabrikuara.

Dronët janë pikasur gjatë natës në disa objekte ushtarake, ndërsa kryeministrja daneze nuk përjashton përfshirjen e mundshme ruse. Për momentin, Danimarka dhe fqinjët e saj mbeten në gatishmëri të lartë për sigurinë ajrore./ Zoom.al