zoom

Day ArchiveEdon Zhegrova debuton në Serie A, por Juve ndalet nga Verona

Edon Zhegrova debutoi sot në Serie A, por nuk arriti t’i jepte figuren Juventus, që u ndal në Verona. Ekipi torinez nuk mori dot më shumë se një barazim 1 – 1 në pëballjen e javë së katërt në Serie A.

“Zonja e Vjetër” shënoi e para në minutën e 19 nga Francisco Conceicao, pas asistimit të Khephren Thuram.

Por Hellas Verona arriti të barazonte me Gift Orban, që shënoi me penallti në minutën e 44.
Në pjesën e dytë Verona shënoi edge Suat Serdar, por VAR e anuloi për pozicion jashtë loje.

Edon Zhegrova u fut në fushën e lojës në minutën e 83-të, por nuk arriti që debutimi të mbyllej me fitore.

Juventus kryeson Serie A me 10 pikë, por ka një ndeshje më shumë se Napoli i vendit të dytë që ka 9 pikë. Milan është në vendin e tretë po me 9 pikë. /Zoom.al











Parashikimi i motit për ditën e diel

Ditën e diel vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme. Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin.

Era me drejtim verilindje – veriperëndim me shpejtësi mesatare 5 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare era fiton shpejtësi deri në 8 m/s.

Deti – Valëzimi i forcës 1-2 ballë.

Eklipsi diellor, shenjat që do të preken më shumë

Një ditë para ekuinoksit të vjeshtës, qielli do të dëshmojë një tjetër ngjarje të fuqishme: Eklipsi diellor, i cili është mjaft ndikues në shumë shenja të horoskopit.

Ai do të ndodhë më 21 shtator 2025 dhe kjo periudhë është shumë intensive, si dhe ndez një moment të ri në jetën tënde romantike.

Sipas astrologes Lisa Stardust, tre shenja do të ceken më shumë nga kjo energji. Nëse je një Dem, Gaforre ose Peshqit, do të përjetosh ndryshime të mëdha.

Demi

Ti njihesh për qëndrueshmërinë dhe sensualitetin tënd. Kjo ngjarje qiellore është krijuar veçanërisht për ty, pasi do të ndikojë shumë në raportet e tua. Më në fund, do të kesh më shumë qartësi në lidhje me dashurinë dhe partneritetin. Tani, mund të sigurohesh 100% nëse personi me të cilin do të përmbushë standardet që ti ke në këtë lidhje.

Tako njerëz të rinj, hap një llogari në aplikacionet e takimeve, si dhe ki një perspektivë pozitive rreth gjërave që të rrethojnë. Transformo qëndrimin tënd, pasi ky eklips diellor do të çojë në rrugën e duhur, për të të sjellë fiks personin që kërkon.

Gaforrja

Gaforre, ti e meriton dashurinë që ia jep të tjerëve. Por ka vetëm një mënyrë për ta marrë: Duke e kërkuar atë! Komunikimi është thelbësor dhe kozmosi po e nxjerr në pah këtë aspekt të ri. Ke mundësi të reja për ta shprehur veten dhe për të thelluar më tepër lidhjen që ke krijuar me dikë.

Gaforret shpesh kanë tendencën të idealizojnë personin me të cilin janë në një marrëdhënie, duke dashur t’i kënaqin ata në çdo mënyrë të mundshme, edhe nëse kjo do të thotë të zbehin dritën e tyre. Megjithatë, kjo ngjarje të inkurajon të jesh më autentik dhe i hapur.

Peshqit

Ti je një shenjë ëndërrimtare, e ndjeshme dhe fantazon romancën në çdo aspekt të jetës. Shfrytëzoje këtë aftësinë tënde, duke e kanalizuar këtë energji për të mirën e marrëdhënies tënde.

Një rikthim nostalgjik nëpër kujtime me dikë të veçantë mund të ndezë ndjenja të vjetra dhe të të kujtojë se çfarë do vërtet nga një marrëdhënie. Riktheu në ato çaste, por vetëm për të reflektuar. Dashuria do të vijë sërish tek ti, mjafton që ti të jesh gati!

Aksident i rëndë në Shkodër/ Humbin jetën babë e bir

Aksident tragjik në aksin rrugor “Shkodër – Hani i Hotit”, me pasojë dy viktima, babë e bir.

Policia bën me dije se aksidenti ka ndodhur rreth orës 18:20, ku automjeti me drejtues Valentin Bluda, rreth 32 vjeç, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe është përplasur me një reklamë në rrugë.

Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i mjetit dhe babai i tij, shtetasi Nikoll Bluda, 76 vjeç, pasagjer në automjet.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit. Zoom.al/

Yuri Kim del në pension, i jep fund karrierës diplomatike

Ish-ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, ka dalë zyrtarisht në pension nga Shërbimi i Jashtëm amerikan, duke i dhënë fund një karriere mbi dydekadëshe në diplomaci.

Ceremonia e lamtumirës u zhvillua në SHBA, ku ishin të pranishëm të afërm, ish-kolegë dhe personalitete të njohura të politikës e medias.

Emri i saj u bë i njohur në Shqipëri jo vetëm si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara, por për ndërhyrjet e shpeshta dhe jashtë tagrit të saj në politikën e vendit.

Për opinionin publik shqiptar, Yuri Kim u perceptua si një zëdhënëse e interesave të George Soros dhe rrjetit të tij ndërkombëtar, duke mbështetur qeverinë e Edi Ramës dhe duke goditur kundërshtarët politikë të saj.

Gjatë mandatit në Tiranë, Yuri Kim u përfshi hapur në debate politike të brendshme, duke dhënë deklarata që shpesh kapërcenin kufijtë e neutralitetit diplomatik.

Kritikat më të mëdha ndaj saj lidhen me presionin e ushtruar mbi opozitën, që u konsiderua ndërhyrje në proceset demokratike të Shqipërisë.

Edhe pse Departamenti i Shtetit e ka paraqitur largimin e saj si pjesë e një tranzicioni të zakonshëm drejt pensionit, media të shumta kanë raportuar se ndaj saj janë hapur hetime të brendshme për shkelje administrative dhe konflikt interesi. Zoom.al/

Emina Cunmulaj flet për martesën me shqiptarin: Më ka pas thye qafën

Emina Cunmulaj, ka ndarë së fundmi detaje të hapura dhe personale nga jeta e saj private përmes një transmetimi të drejtpërdrejtë në TikTok.

Ajo foli pa rezervë për eksperiencat e saj të mëparshme, përfshirë martesën e saj të parë, duke treguar se kjo marrëdhënie nuk ka qenë pozitive.

“Kam qenë e martuar me një shqiptar, më ka pas thyer qafën… por kur nuk shkon, nuk shkon more vëlla,” rrëfeu Emina, duke reflektuar mbi sfidat dhe zhgënjimet që përjetoi gjatë asaj periudhe. Modelja theksoi se përvoja e saj e parë në martesë e bëri të kuptonte rëndësinë e respektit dhe mirëqenies personale në marrëdhënie.

Gjatë bashkëbisedimit, Emina u përgjigj gjithashtu edhe pyetjeve të ndjekësve mbi vendimin e saj për të sjellë në jetë djalin përmes procesit IVF (fertilizim in vitro), një metodë e avancuar e asistencës riprodhuese e përdorur gjerësisht në Shtetet e Bashkuara. Ajo shpjegoi se ky proces i dha mundësinë për të kontrolluar aspektet e lindjes dhe për të ndjekur një rrugë të sigurt dhe të planifikuar për të pasur fëmijën e saj.

Rrëfimi i Eminës thekson hapur rëndësinë e transparencës dhe të ndarjes së eksperiencave personale, duke u bërë një shembull i fuqishëm i forcës dhe vendosmërisë për ndjekësit e saj. Përveç detajeve mbi jetën private dhe sfidat e saj personale, modelja ofroi një pasqyrë mbi mënyrën se si mund të trajtohen zgjedhjet e jetës dhe familjes në mënyrë të ndërgjegjshme dhe të informuar. Zoom.al/

Aksident në aksin Fier-Lushnjë, plagoset gruaja me dy fëmijët

Një aksident i rëndë është shënuar në aksin Lushnje-Fier pasditen e kësaj të shtune.

Në aksident ëahtë përfshirë një automjet ku udhëtonin burrë e grua dhe dy fëmijët, i cili është përplasur me pjesën e pasme të një kamioni që i ka zënë rrugën.

Raportohet se nga aksidenti kanë mbetur të plagosur nëna me dy fëmijët, të cilët ndodhen në spital dhe po marrin ndihmën mjekësore.

Policia ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Ngjarje e rëndë në Selanik, vëllai mbyt motrën me qese

Një krim i rëndë ka tronditur pasditen e së premtes, 19 shtator, qytetin e Selanikut. 

Një 50-vjeçar ka vrarë motrën e tij 59-vjeçare, duke e mbytur me një qese plastike, dhe më pas ka telefonuar policinë për të rrëfyer aktin makabër.

Ngjarja ndodhi rreth orës 15:00, në një apartament në Rrugën Aleksandri, në zonën Charilaou. 

Siç shkruan Protothema, autori, sipas burimeve të policisë, tha vetëm kaq: 

Unë e vrava motrën time!

Forcat e policisë që mbërritën në vendngjarje gjetën trupin e pajetë të viktimës dhe arrestuan autorin. 

Departamenti i Policisë së Selanikut ka marrë përsipër hetimet, ndërsa po verifikohet edhe nëse vëllai dhe motra jetonin bashkë në apartament.

Sipas informacioneve të para, 50-vjeçari vuante nga probleme mendore, çka mund të ketë ndikuar në kryerjen e këtij krimi të rëndë. Zoom.al/

Sulm ndaj sistemeve/ Bllokohen pasagjerët në aeroportet e Europës

Një sulm kibernetik ndaj sistemeve të regjistrimit në aeroporte ka shkaktuar pengesa të mëdha në trafikun ajror dhe vonesa në disa nga aeroportet kryesore të Evropës, thanë zyrtarët të shtunën.

Aeroporti i Brukselit tha se sulmi nënkuptoi që ishte i mundur vetëm regjistrimi manual para hipjes në avionë dhe se incidenti ka “ndikim të madh” në oraret e fluturimeve.

“Një sulm kibernetik u krye të premten mbrëma, më 19 shtator, ndaj ofruesit të shërbimeve për sistemet e regjistrimit dhe hipjes, që preku disa aeroporte evropiane, përfshirë Aeroportin e Brukselit”, thuhet në një deklaratë.

Autoritetet në Aeroportin Brandenburg të Berlinit thanë se një ofrues shërbimesh për sistemet e menaxhimit të pasagjerëve u sulmua të premten në mbrëmje, duke detyruar operatorët e aeroportit të ndërprisnin lidhjet me sistemet.

Aeroporti i Londrës Heathrow, më i ngarkuari në Evropë, tha se “një problem teknik” ka prekur një ofrues shërbimesh për sistemet e regjistrimit dhe pranimit të udhëtarëve.

“Collins Aerospace, që ofron sisteme regjistrimi dhe hyrje ne avionë për disa linja ajrore në aeroporte të shumta në mbarë botën, po përjeton një problem teknik që mund të shkaktojë vonesa për udhëtarët”, tha Heathrow në një deklaratë.

Aeroportet i këshilluan udhëtarët e tyre të kontrollonin statusin e fluturimeve të tyre dhe kërkuan falje për çdo shqetësim.

E formuar në vitin 2018, Collins është kompani amerikane e teknologjisë ajrore dhe mbrojtjes, pjesë e RTX Corp., e cila më parë njihej si Raytheon Technologies.

Collins ofron teknologjinë që ua mundëson udhëtarëve ta bëjnë vetë regjistrimin, t’i printojnë kartat për t’u futur në avionë dhe etiketat e bagazheve, si dhe t’i dorëzojnë vetë bagazhet e tyre, të gjitha përmes një kioske.

Collins tha se ishte “në dijeni për pengesat e shkaktuara nga një sulm kibernetik” në softuerin e saj MUSE (Multi-User System Environment) në “disa aeroporte të zgjedhura”, por se operacionet manuale për regjistrim janë të përdorshme.

“Ne po punojmë në mënyrë aktive për ta zgjidhur çështjen dhe për të rikthyer sa më shpejt funksionalitetin e plotë për klientët tanë,” tha kompania në një deklaratë.

Ndikimi u ndje vetëm në disa aeroporte, pasi aeroportet Roissy, Orly dhe Le Bourget në zonën e Parisit raportuan se nuk përballeshin me pengesa. Rel/

Shkelja e hapsirës ajrore nga Rusia/ Estonia kërkon aktivizimin e nenit 4 të NATO-s

Estonia ka kërkuar zyrtarisht konsultim sipas nenit 4 të NATO-s.

Ky nen mund të aktivizohet kur një shtet anëtar beson se po kërcënohet integriteti i tij territorial, siguria kombëtare apo pavarësia politike.

Kryeministri estonez Kristen Michal deklaroi se NATO duhet të jetë e bashkuar dhe e fortë ndaj çdo provokimi. Avionët luftarakë ruse që fluturuan mbi Estoninë të premten, shkaktuan shqetësime dhe reagime të menjëhershme nga ndërkombëtarët.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump në një konferencë për mediat u shpreh se kjo situatë nuk i pëlqen dhe mund të jetë një telash i madh.

Me anë të një reagimi në platformën “X”, presidenti francez, Emmanuel Macron ka dënuar ndërhyrjen e avionëve rusë në Estoni. Ai shtoi se këto provokime përfaqësojnë një hap tjetër të papërgjegjshmërisë së Rusisë.

Britania ka dënuar gjithashtu veprimin e Rusisë. Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey deklaroi se ky është një tjetër plan i Putin, po agresioni i tij shërben vetëm për të forcuar NATO-n.

Ndërkohë, Rusia vijon të mohojë çdo akuzë. Ministria e Mbrojtjes ruse ka lëshuar një deklaratë ku thotë se fluturimi i avionëve u krye në përputhje të plotë me rregullat ndërkombëtare.