zoom

Day ArchiveTritol pranë hotelit të Vangjush Dakos. Policia bën shpërthim të komanduar

Një sasi e konsiderueshme lënde e rrezikshme është zbuluar pasditen e së shtunës afër një hoteli në qytetin bregdetar të Durrësit, objekt në pronësi të ish-kreut të bashkisë, Vangjush Dako. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.1, në afërsi të gjimnazit “Gjergj Kastrioti”.

Dikush ka njoftuar policinë për qesen e dyshimtë të braktisur. Policia nga ana e saj ka rrethuar vendin dhe ka njoftuar një skuadër speciale xheniere.

Kjo e fundit ka konstatuar një sasi lënde plasëse të vogël në qese. Banorët aty rrotull janë larguar nga banesat e tyre dhe xhenierët kanë bërë një plasje të kontrolluar. Nuk ka të dëmtuar apo dëme materiale.

Ekzekutoi 2 persona në Shkodër, Ragip Gila izolohet në paraburgimin 302 në Tiranë

Ragip Gila, 29-vjeçari i dyshuar si autor i ngjarjes së rëndë që tronditi qytetin e Shkodrës, është transferuar në paraburgimin 302 në Tiranë, ku po mbahet në kushte të posaçme sigurie.

Sipas burimeve, Gila është vendosur në një qeli të veçuar, për të shmangur çdo incident të mundshëm, duke pasur parasysh rrezikshmërinë e tij dhe krimin e rëndë që ka kryer.

Ngjarja ndodhi mëngjesin e së hënës në një lokal të frekuentuar në qendër të Shkodrës. I pajisur me armë zjarri – një pistoletë dhe një armë automatike “Scorpion” – si dhe i veshur me jelek antiplumb, Gila ka hyrë në ambientet e lokalit dhe ka hapur zjarr në drejtim të një tavoline ku ndodhej Erogen Brajoviç, një emër i njohur për lidhjet me fisin Bajri.

Si pasojë e të shtënave me breshëri, u vra truproja i Brajoviçit, Liridon Kraja, si dhe shtetasi Armando Pali. Vetë Brajoviç mbeti i plagosur, ndërsa kamerierja 25-vjeçare, Meri Kaceri, u lëndua aksidentalisht gjatë shkëmbimit të zjarrit. Grupi hetimor ka sekuestruar armët e përdorura në vendngjarje dhe po vijon punën për të dokumentuar plotësisht rrethanat dhe motivet që çuan në këtë ngjarje të rëndë kriminale.

Spektakël me shtatë gola, Juventusi përmbys 4-3 Interin në Derbin e Italisë

Juventusi fitoi 4-3 kundër Interit në raundin e tretë të Serie A. Dueli prodhoi përmbysje dhe ripërmbysje, teksa protagonistë u bënë dy vëllezërit Thuram.

Dueli u zhbllokua nga Juvja pas vetëm 14-të minutave lojë me golin e Kelly, para se Calhanoglu në minutën e 30-të të vendoste ekuilibrat me një goditje nga jashtë zone. ‘Zonja’ u përgjigj me Yildiz në të 38-ën minutë me një supergol, duke e mbyllur në avantazhin 2-1 pjesën e parë.

Në fraksionin e dytë Interi përmbysi ndeshjen me Calhanoglu dhe Marcus Thuram në minutat 65 dhe 76. Fundi i ndeshjes ishte dramatik dhe spektakolar për tifozët. Në minutën e 83 Juvja barazoi me Khephren Thuram, para se Adzic me një supergol në shtesën e parë t’i jepte tri pikë Juves dhe të kthente festën te ‘Zonja’.

Kjo ishte fitorja numër 111 për Juven në ‘Derbin e Italisë’ kundër Interit, kundrejt 70 fitoreve që kanë zikaltërit. Me këtë sukses Juvja ngjitet në krye të Serie A me nëntë pikë.

VIDEO/ Sinan Idrizi i “Air Albania” dhe presidenti i klubit të Tiranës, dhunojnë gazetarin

Gazetari dhe operatori i emisionit investigativ “Piranjat” janë përballur me dhunë dhe kërcënime nga aksioneri i kompanisë “Air Albania”, Sinan Idrizi dhe Presidenti i klubit të Tiranës, Refik Halili.

Sipas informacioneve, ekipi i xhirimit ndodheshin aty për të pyetur Sinan Idrizin, lidhur me largimin nga puna të dy sanitareve të kompanisë, të cilave – sipas denoncimeve – nuk u ishin paguar as sigurimet shoqërore.

Idrizi dëgjohet duke bërtitur dhe kërcënuar gazetarin ndërsa Halili i merr atij celularin, sipas gazetarit.

Redaksia e “Piranjave” e ka denoncuar publikisht këtë sulm dhe ka bërë thirrje për reagim nga organizatat ndërkombëtare të lirisë së shtypit, si dhe nga përfaqësitë diplomatike në Shqipëri.

Diella s’merr komandat/ Si ministrja virtuale turpëroi Mirlindën e AKSHI-t para Ramës (video)

Për shumë emri i Diellës ishte i padëgjuar deri sa kryeministri Edi Rama e prezantoi më 11 shtator, si ministren e re të kabinetit, përgjegjëse për prokurimet publike.

Por Diella ka plot 9 muaj jetë. Ajo u prezantua për herë të parë në janar të këtij viti si asistente për përdoruesit e platformës e-albania. Si asistente, Diella nuk rezultoi fort e dobishme dhe për fat të keq e vërtetoi në sy të vetë kryeministrit.

Më 17 prill, teksa Diella po prezantohej si një përparim i Shqipërisë në aspektin digjital, ironikisht ajo nuk i përgjigjej komandave.

Siç duket në video, drejtuesja e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, përgjegjëse për këtë reformë është ndjerë në siklet për dështimin që ndodhi në sy të kryeministrit Edi Rama, fanatikut të Inteligjencës Artificiale.

“Gabon dhe Diella”, tha atëherë Karçanaj, por mesa duket qeveria e ka harruar këtë fakt!/Zoom.al

Reuters: Polonia ka mbyllur aeroportin pranë Ukrainës dhe ka ngritur avionët luftarakë

Autoritetet në Poloninë lindore, në rajonin kufizues me Ukrainën, u vunë në gatishmëri të lartë të shtunën pasdite, pasi u raportua një kërcënim me dron, me sa duket rus.

Sipas raportimeve, avionë luftarakë u ngritën për t’u përballur me kërcënimin.

Në të njëjtën kohë, Aeroporti i Lublinit u mbyll, ndërsa sirenat e alarmit u dëgjuan në disa zona.

Komanda Operacionale e forcave të armatosura polake tha se aeroplanët morën pjesë në një operacion pranë kufirit me Ukrainën “për të siguruar sigurinë e hapësirës sonë ajrore”, tre ditë pasi Polonia rrëzoi dronë rusë në hapësirën e saj ajrore me mbështetjen e avionëve ushtarakë nga aleatët e saj të NATO-s.

Shpërthim i fuqishëm në një bar në Madrid, 25 të plagosur, 3 në gjendje të rëndë

Një shpërthim i fuqishëm, i shkaktuar nga rrjedhje gazi, ka ndodhur sot në një bar në zonën Puente de Vallecas të Madridit, duke lënë të paktën 25 persona të plagosur, tre prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Ngjarja ndodhi në rrugën Manuel Maroto dhe goditi si ndërtesën e banimit që ndodhej mbi lokalin, ashtu edhe barin “Mis Tesoros” ngjitur me të.

Menjëherë pas shpërthimit, në vendngjarje mbërritën ekipe të zjarrfikësve dhe ambulanca për të transportuar të plagosurit në spitalet më të afërta.

Policia ka rrethuar zonën dhe ka bllokuar qarkullimin në rrugët përreth, ndërsa zjarrfikësit vijojnë me pastrimin e rrënojave dhe hetimin për shkaqet e sakta të shpërthimit.

Hija e D’Alema?/ Rama i fal Pashalimanin një biznesmeni italian nën hetim

Ndërsa shqiptarët u dehën një ditë më parë me propagandën se si një algoritëm i pakorruptueshëm do t’i jepte fund hajdutërisë me tenderat publik dhe kryeministri kapi faqet e para të mediave ndërkombëtare për idenë e tij gjeniale, në krahun tjetër biznesi, ose më mirë plaçkitja, vazhdon si zakonisht.

Komiteti i Investimeve Strategjike i drejtuar nga Edi Rama ka marrë vendim që t’i japë 25 hektarë nga baza e Pashalimanit një biznesmeni italian që aktualisht po hetohet nga prokuroria italiane për falimentim mashtrues me dëm mbi 20 milionë euro. Biznesmeni quhet Dante Mazzitelli, një ndërtues nga bari, që njëkohësisht është edhe pronari i televizionit Telebari.

Në qershor të vitit 2021, Mazzitelli themeloi në Shqipëri një kompani të quajtur Meta Resorts Albania. Kompania i kishte vënë syrin një nga perlave më të lakmuara të bregdetit shqiptar, Pashalimanit. Dhe e arriti.

Javët e fundit, Komiteti i Investimeve Strategjike, miratoi statusin e investitorit strategjik të kompanisë Meta Resort Albania duke i dhënë biznesmenit italian 25 hektarë tokë shtetërore, në një zonë e cila mbrohej nga disa ligje njëkohësisht. Kjo në foto është zona që i falet kompanisë.

Hija e D'Alemas?/ Rama i fal Pashalimanin një biznesmeni italian
Rrethuar me te kuqe, zona ku shtrihet resorti

Në vendimin për miratimin e statusit, zbulohen detajet e një rrëmbimi, i cili nuk pyet as për prona ushtrie dhe as për monumentet e kulturës.

Begaj e nxorri nga plani i përhapjes

E gjithë zona e ngjyrosur me rozë, të verdhe dhe të kuqe ka qenë pjesë e bazës së Pashalimanit, një territor prej 114 hektarësh. Pjesa e mesit, ajo e ngjyrosur me të verdhë, është kantieri i anijeve. Por në shkurt të këtij viti, përmes një dekreti sekret, presidenti Bajram Begaj ka hequr nga Plani i Përhapjes së Forcave të Armatosura, të gjithë sipëraqen e rrethuar me vijën e kuqe.

Hija e D'Alemas?/ Rama i fal Pashalimanin një biznesmeni italian
Rrethuar me te kuqe, siperfaqja e nxjerr nga Plani i Perhapjes ne shkurt nga Begaj

Bëhet fjalë për një sipërfaqe mbi 70 hektarë. Resorti, që do të ndërtojë italiani, gjendet në kodrën që duket në foto dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 25 hektarësh.

“Gjurma e synuar, përveç që mbrohet nga legjislacione të posaçme, është gjithashtu pjesë e listës së inventarit të pronave në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes. Gjurma prek pronën nr.1314, me emërtim “Ish Flotilja Detare Jugore”, Pashaliman, Vlorë, por nuk bën pjesë në Planin e Vendosjes dhe Përhapjes së Forcave të Armatosura, miratuar me Dekretin e Presidentit të Republikës, nr. 24, datë 03.02.2025,” thuhet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike.

Hija e D'Alemas?/ Rama i fal Pashalimanin një biznesmeni italian
Pjese nga vendimi per Statusin Strategjik

Resorti do të ngrihet mbi disa objekte të rëndësishme ushtarake, siç konfirmon edhe vet vendimi i Statusit Strategjik.

“Brenda zonës së synuar për investim, ndodhet objekti nr. 25, që përdoret nga Komanda e Forcës Tokësore, N/Stacioni dhe Kabina Elektrike, nga e cila furnizohet me energji elektrike Baza Detare e Pashalimanit si dhe është në përdorim të përbashkët rrugëkalimi kryesor për në Kantierin e Ndërtimit dhe Riparimit të Anijeve (KNRA), Distriktin Detar Jugor (DDJ) dhe tek subjektet private që kryejnë aktivitete të ndryshme, në gadishullin e Karaburunit,” thuhet në vendim.

Por kapacitetet mbrojtëse të vendit janë të parëndësishme përballë oreksve të papërmbajtura. Presidenti i vendit, njeriu që duhet të garantojë operacionalitetin e Flotës Detare, bën noterin e tjetërsimit të pronave për ndërtim resortesh dhe firmos pandalim dhe fshehurazi nxjerrjen e pronave të ushtrisë nga Plani i Përhapjes.

Hija e D'Alemas?/ Rama i fal Pashalimanin një biznesmeni italian
Presidenti Bajram Begaj gjate kohes qe ishte Shef i Shtabit

Për më tepër, për këtë sipërfaqe ka një kallëzim në SPAK nga ish zv/komandanti i Flotës, Artur Meçollari, i cili kishte parandjerë rrëmbimin e pronës që në vitin 2016, kur përmes një truku Baza e Pashalimanit u nda në katër prona, duke e rrudhur sipërfaqen e saj në vetëm 14 hektarë.

Zonë e Mbrojtur

Por tjetërsimi i pronave të ushtrisë nuk është problemi i vetëm ligjor i resortit. E gjitha gjurma e resortit shtrihet në një zonë të mbrojtur të kategorisë së parë. “Gjurma e synuar i mbivendoset qytetit antik të Orikumit, dhe Lagunës në juglindje të tij. Qyteti Antik Orikut është shpallur Park Arkeologjik. Ky i fundit ka statusin Monument Kulture Kategoria I,” pranohet në vendimin e Komitetit të Investimeve Strategjike.

Përtej kësaj, gjurma prek edhe Kepin e Shën Gjergjit, i cili bën bën pjesë në zonën e mbrojtur Rezervat Natyror i Menaxhuar (RNM) “Karaburun” (kategoria IV).

Por pavarësisht të gjitha këtyre ndalesave ligjore, Komiteti i Investimeve Strategjike nuk ka hezituar fare duke e miratuar projektin. “Në përfundim, pasi u njoh me gjithë dokumentacionin e nevojshëm, Komiteti i Investimeve Strategjike vendosi Miratimin e Statusit “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Asistuar” për projektin e investimit “Pashaliman Laguna Eko Resort”, me subjekt “Meta Resorts Albania” thuhet në vendim.

Hija e D’Alemas

Vite më parë, mediat në Itali shpërthyen një polemikë të vërtetë teksa publikuan një foto të ish kryeministrit Massimo D’Alema me pushime në Saint Moritz. Në foto shfaqej D’Alema, Dante Mazzitelli dhe bashkëshortet e tyre.

Hija e D'Alemas?/ Rama i fal Pashalimanin një biznesmeni italian
D’Alema dhe Mazzitelli me bashkeshortet me pushime ne Saint Moritz

Në atë kohë, gazetat shkruanin se D’Alema kishte qenë për pushimet dimërore në hotel Bernina, që zotërohet pikërisht nga Dante Mazzitelli dhe familja e tij. Nuk dihet nëse pas suksesit të biznesmenit italian për të marrë një nga zonat më të bukura, por njëkohësisht edhe më të vështira dhe thuajse të pamundura ligjërisht, i dedikohet D’Alemas.

Verën e vitit të kaluar, mediat italiane publikuan një lajm se D’Alema kishte synim ndërtimin e një resorti në bregdetin shqiptar të Vlorës.

“Prej disa kohësh në Tiranë po qarkullojnë zëra për aktivitetet e ish-kryeministrit italian në atë vend. Disa nga këto kanë të bëjnë me përpjekjen për të bashkuar një konsorcium sipërmarrësish italianë për të marrë pjesë në një tender të nënshkruar nga presidenti shqiptar Edi Rama për ndërtimin e një fshati të madh turistik në zonën e Vlorës pak kilometër larg aeroportit të ri i cili duhet të hapet gjatë vitit 2024,” shkruante asokohe Open e Enrico Mentanas.

Por lajmi u mohua nga kontabilistja e D’Alemas në Tiranë, një person i quajtur Majlinda Haloçi. E megjithatë një italian mbiu në Pashaliman duke përlarë perlën e bregdetit shqiptar, falas. /Marrë nga Kapitali.al

Skandal në Tiranë/ Ujësjellësi lë pa ujë edhe ambasadorët

As përfaqësuesit diplomatikë të superfuqive botërore, nuk kanë shpëtuar dot nga kriza e ujit në Tiranë.

Rëzidencat e ambasadorëve furnizohen me ujë vetëm 1 orë e 30 minuta në ditë. Në disa prej tyre uji mungon dhe me ditë me radhë. UKT deklaron se këtyre vilave u takon vetëm 1 metër kub ujë në ditë. Nga kjo janë prekur konkretisht ambasadori i BE-së, Spanjës, Austrisë, Greqisë, Japonisë e Katarit.

Përballë këtij problemi, krerët diplomatikë kanë tentuar ta zgjidhin në mënyrë “perëndimore”, duke i dërguar një e-mail Ujësjellësit të Tiranës, të cilët janë prgjigjur shkurt se “po merren masa për përmirësimin e situatës”.

Prej muajit gusht zona të caktuara të Tiranës kanë pasur probleme me furnizimin e ujit ose mungesë totale. UKT ka njoftuar se po kryen punime dhe asnjë detaj më shumë për afatin e tyre./Zoom.al

Oriola Marashi lë modelingun për muzikën. Publikon këngën e parë

Oriola Marashi, një nga vajzat më të bukura dhe të famshme shqiptare, e njohur për suksesin e saj në industrinë e modës, po hap një kapitull të ri në karrierën e saj artistike.

Modelja dhe influencuesja ka njoftuar në rrjetet sociale se për herë të parë do të rrëfejë historinë e saj përmes muzikës. “Për vite me radhë kam rrëfyer histori përmes modës, dritave dhe kamerave, por tani, për herë të parë, mund të rrëfej historinë time përmes muzikës. Si modele, kam mësuar si të shprehem pa fjalë, por muzika më dha kurajë të përdor zërin tim. Ky është fillimi i një kapitulli të ri dhe mezi pres ta ndaj me ju,” shkruan Oriola.

Kënga e saj e parë, e titulluar “Papi Calma”, u publikua mbrëmë në Youtube./Zoom.al