Aplikacion
Spekulimet për fundin e romancës mes aktores së njohur turke Hande Erçel dhe biznesmenit Hakan Sabanci kanë marrë fund.
Pas javësh zërash dhe lajmesh jozyrtare, nëna e Hakanit, Arzu Sabanci, ka folur hapur duke i dhënë fund dilemes.
“Nuk kemi ndërhyrë kurrë në jetën private të djalit tonë. Vendimi i ndarjes ishte i tyre dhe vetëm i tyre,” deklaroi ajo në një koment që është shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale. Ky reagim u interpretua menjëherë si konfirmimi i parë publik për ndarjen e çiftit.
Çifti kishte zgjedhur të mos bënte asnjë koment për thashethemet që qarkullonin prej kohësh, duke shtuar edhe më shumë kureshtjen e publikut. Megjithatë, një postim i mëhershëm i Arzu Sabancit në Instagram kishte ndezur dyshime për tensione. “Injoranca është si gjumi, reagimi i parë është zemërim,” kishte shkruar ajo, fjalë që shumë i panë si një mesazh i tërthortë ndaj Erçelit.
Në Turqi, mediat dhe fansat janë të ndarë për këtë zhvillim. Një pjesë mendojnë se deklarata e nënës synon të mbrojë imazhin e familjes Sabanci, ndërsa të tjerë e shohin si një shpjegim të sinqertë të ndarjes.
Historia e dashurisë mes Hande Erçel dhe Hakan Sabancit, e cila dikur përshkruhej si një lidhje përrallore që bashkonte botën e artit me atë të biznesit, sot është kthyer në një nga temat më të diskutuara të showbiz-it turk, duke e bërë publikun të ndjekë me vëmendje zhvillimet e saj, kësaj here, larg ekranit.
Paracetamoli në shtatzëni dhe autizmi/ Raporti i ri amerikan në qendër të vëmendjesNjë raport i ri, që pritet të publikohet brenda këtij muaji nga autoritetet shëndetësore amerikane, mund të ndezë debate të reja rreth sigurisë së medikamenteve gjatë shtatzënisë.
Sipas Wall Street Journal, dokumenti në përgatitje lidh përdorimin e qetësuesit pa recetë Tylenol (paracetamol/acetaminofen) nga gratë shtatzëna me rritjen e rrezikut për zhvillimin e autizmit tek fëmijët.
Raporti gjithashtu nënvizon se mungesa e acidit folik gjatë shtatzënisë mund të përbëjë një faktor tjetër rreziku për autizmin, ndërsa forma aktive biologjike e tij, acidi folinik (leukovorina), mund të ndihmojë në reduktimin e simptomave të autizmit, sipas burimeve të cituara nga gazeta.
Këto zbulime të mundshme vijnë në një kohë të ndjeshme për Sekretarin e Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Jr., i cili u paraqit këtë javë para Komitetit të Financave të Senatit, në Capitol Hill, më 4 shtator. Kennedy është përballur me kritika për shkurtimet buxhetore prej gati 500 milionë dollarësh, që kanë prekur veçanërisht projektet e reja mbi teknologjinë mRNA.
Tylenoli (acetaminofen/paracetamol) është një nga medikamentet më të përdorura në botë për lehtësimin e dhimbjeve dhe uljen e temperaturës, përfshirë edhe nga gratë shtatzëna. Ndërsa disa studime kanë sugjeruar një lidhje të mundshme me zhvillimin e çrregullimeve neurozhvillimore, Kolegji Amerikan i Obstetërve dhe Gjinekologëve (ACOG) vazhdon të mbështesë përdorimin e tij gjatë shtatzënisë, por me rekomandimin që çdo përdorim të bëhet vetëm me konsultë mjekësore.
Nuk është ende e qartë nëse raporti do të përfshijë ndonjë referencë ndaj vaksinave, një çështje për të cilën Kennedy Jr. ka qenë një kritik i zëshëm prej vitesh, duke pretenduar më parë – pa prova të pranuara shkencërisht – se vaksinat lidhen me autizmin, një qëndrim që ka shkaktuar polemika të shumta.
Raporti pritet të publikohet deri në fund të shtatorit, dhe pritet të ketë ndikim të konsiderueshëm në politikat e shëndetit publik dhe diskutimet mbi medikamentet që konsiderohen të sigurta gjatë shtatzënisë. Zoom.al/
BE-ja gjobit Google-in me rreth 3 miliardë euroKomisioni Evropian ka vendosur të premten një gjobë prej 2.95 miliardë eurosh ndaj kompanisë amerikane, Google, për shkelje të rregullave të konkurrencës duke i favorizuar shërbimet e veta të reklamimit digjital.
Komisioni Evropian gjithashtu urdhëroi gjigantin amerikan të teknologjisë t’i ndalë “praktikat e favorizimit të vetes” dhe të marrë masa për ta shmangur “konfliktet e interesit” përgjatë zinxhirit të furnizimit në teknologjinë e reklamave.
Kjo është hera e katërt që KE-ja e gjobit Google-in. Vendimi i degës ekzekutive të Bashkimit Evropian pritet ta zemërojë presidentin amerikan, Donald Trump, administrata e të cilit ka sulmuar Bashkimin Evropian për rregullat e vendosura ndaj kompanive të mëdha të teknologjisë.
Komisioni Evropian tha se hetimi i tij zbuloi se Google “abuzoi me pushtetin e vet” duke favorizuar shërbimet e veta të teknologjisë së reklamimit online në dëm të konkurrentëve, reklamuesve dhe botuesve.
“Nëse nuk paraqet një plan të zbatueshëm, Komisioni nuk do të hezitojë të vendosë një zgjidhje të përshtatshme”, tha Teresa Ribera, nënkryetare ekzekutive e Komisionit Evropian që mbikëqyr çështjet e konkurrencës, në një deklaratë të publikuar online.
“Në këtë fazë, duket se mënyra e vetme për Google që ta eliminojë realisht konfliktin e interesit është përmes një zgjidhjeje strukturore, siç është shitja e një pjese të biznesit të saj Adtech”, shtoi Ribera.
Megjithatë, Komisioni Evropian tha se fillimisht dëshiron ta “dëgjojë dhe vlerësojë” propozimin e kompanisë.
Google e quajti vendimin “të gabuar” dhe u zotua se do të ankohet ndaj tij.
Derisa që gjoba e BE-së është goxha e madhe, për Google ajo është vetëm një shifër e vogël, pasi kompania amerikane i fitoi 28.2 miliardë dollarë të ardhura vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti. Rel/
“Kërcet” arma në Kukës, sherr mes dy të rinjve për një vend parkimiTë shtëna me armë zjarri janë regjistruar në qytetin e Kukësit. Forca të shumta policie ndodhen në vendngjarje.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të lagjes 4 të qytetit. Nuk dihet për të plagosur apo të dëmtuar.
Sipas informacioneve paraprake janë dëgjuar disa të shtëna në ajër, por në spitalin e Kukësit nuk është paraqitur asnjë rast për ndihmë mjekësore. Zoom.al/
Fero i kthehet keq Arbenitës: Analfabete, ti je në arrati, jo unëReperi kosovar Fero ka reaguar publikisht ndaj deklaratës së gjatë të ish-bashkëshortes së tij, modeles Arbenita Ismajli, e cila për herë të parë ka rrëfyer në detaje mbi ndarjen dhe marrëdhënien e tyre problematike.
Në një postim në rrjetet sociale, Arbenita e akuzoi Fero-n për abuzim psikologjik dhe emocional, tradhti, kërcënime dhe braktisje të plotë të përgjegjësive si bashkëshort e prind.
Ajo shtoi se ka qenë ajo që ka mbuluar financiarisht gjithë jetesën gjatë kohës që ishin bashkë dhe se është ndjerë e keqtrajtuar jo vetëm nga ai, por edhe nga familjarët e tij.
Fero nuk e la pa përgjigje deklaratën, duke e quajtur atë “një përpjekje për njollosje” dhe duke i mohuar të gjitha akuzat. Në reagimin e tij, ai e quajti “analfabete” dhe pretendoi se famën ajo e ka marrë falë lidhjes me të.
“3 vite më vonë… ti zgjohesh me akuza të rreme? Kush të mësoi të shkruash? Ti s’di as të gërmëzosh, komplet analfabete. Mbaj mend: fama që more ishte nga të ndenjurit krah meje. Vetëm kur doli urdhër-arresti, fillove të flisje pa kuptim. Gjykata do të merret me njollosjen tënde. Ti je në arrati, jo unë”, shkruan reperi.
Skandal me eksportet shqiptare në tregjet europiane, asnjë reagimProblemet me sigurinë ushqimore shqiptare janë rikthyer në vëmendje ditët e fundit.
Një sërë ngarkesash me fruta apo perime nga Shqipëria janë bllokuar nga disa vende të Bashkimit Europian dhe rajonit, pasi janë konstatuar nivele të larta pesticidesh dhe metalesh të rënda, duke ngritur alarmin për cilësinë e produkteve të eksportuara.
Autoritetet sllovene të sigurisë ushqimore njoftuan bllokimin e një ngarkese specash të kuq nga Shqipëria. Analizat laboratorike zbuluan pesticide të rrezikshme, përfshirë acetamiprid, formetanat dhe flonicamid, me nivele shumë mbi kufijtë e lejuar. Konsumatorët sllovenë u paralajmëruan të mos i konsumojnë këto produkte dhe t’i kthejnë në pikat e shitjes.
Një tjetër incident ndodhi në Bosnje-Hercegovinë pak ditë më parë, ku një ngarkesë pjeshkësh shqiptare u ndalua për shkak të pranisë së chlorpyrifos, një pesticid i ndaluar në Bashkimin Europian për shkak të efekteve të tij të rrezikshme, veçanërisht te fëmijët.
Kroacia gjithashtu ka marrë masa të ashpra ndaj disa ngarkesave shqiptare përfshirë domate dhe pjeshkë.
Edhe më herët eksportet e agrumeve janë përballur me probleme serioze. Çekia, Italia dhe Lituania kanë bllokuar mandarinat shqiptare pasi analizat laboratorike zbuluan mbetje të pesticideve deri në 12 herë mbi kufirin e lejuar.
Deri tani autoritetet nuk kanë dhënë një plan konkret për përmirësimin e kontrolleve, ndërsa kritikët thonë se mungesa e monitorimit serioz po dëmton rëndë reputacionin e Shqipërisë në tregjet europiane dhe po rrezikon shëndetin e qytetarëve. Zoom.al/
Kompania sllovene Geaprodukt ka tërhequr nga tregu specat e kuq nga Shqipëria për shkak të niveleve të tepërta të pesticideve si acetamiprid, format dhe flonicamid.
Mediat sllovene shkruajnë se specat janë tërhequr nga tregu për shkak se paraqesin rrezik për shëndetin e konsumatorëve.
Autoriteti Slloven i Sigurisë Ushqimore (UVHVVR) ka zbuluar se në specin e kuq nga Shqipëria që shitet në dyqanet sllovene u gjetën nivele të tejkaluara të pesticideve. Speci është i etiketuar me 3505 dhe është importuar në tregun slloven nga kompania “Geaprodukt” nga Lubjana. Zyra tashmë po tërheq produktin nga shitja dhe po i paralajmëron konsumatorët të jenë shumë të kujdesshëm.
“Nëse e keni këtë spec në shtëpi, mos e hani. Mund ta ktheni në vendin e shitjes për rimbursim”, paralajmëron kompania. Autoritetet sllovene kanë konstatuar vlera kufitare të tejkaluara për pesticidet si acetamipridin, formetanatin dhe flonikamidin. Analizat treguan se nivelet maksimale të tre pesticideve janë tejkaluar.
Kombinimi i këtyre kimikateve mund të paraqesë rrezik për shëndetin e njeriut ose të shkaktojë probleme akute si të përziera, dhimbje koke dhe çrregullime të tretjes. Zoom.al/
Jasveen Sangha, e njohur si “Mbretëresha e Ketaminës”, u paraqit në gjykatën federale në Los Angeles dhe pranoi se kishte furnizuar drogën që shkaktoi vdekjen e aktorit të njohur nga sitcom-i “Friends”, Matthew Perry.
Sangha ka qenë në burg që nga gushti i vitit 2024, ndërsa dënimi i saj do të shpallet më 10 dhjetor.
Sangha ka pranuar disa akuza, përfshirë trafikimin e drogës që rezultoi në vdekje. Sipas padisë, ajo bashkëpunoi me një ndërmjetës, Erik Fleming, për të shitur shishe me ketaminë asistentit personal të Perry-t, Kenneth Iwamasa, i cili i injektoi aktorit të paktën tre doza vdekjeprurëse ditën e vdekjes së tij.
Pasi u përhap lajmi për vdekjen e aktorit, Sangha i kërkoi Fleming-ut të fshinte të gjitha mesazhet. Gjatë kontrollit në shtëpinë e Fleming në Hollywood Verior, hetuesit gjetën metamfetaminë, ekstazi, kokainë, pilula Xanax të falsifikuara dhe pajisje për të peshuar dhe shpërndarë drogë.
Sangha gjithashtu pranoi se kishte shitur ketaminë një burri tjetër, i cili vdiq nga mbidoza në vitin 2019. Avokati i saj, Mark Geragos, tha: “Ai po merr përgjegjësinë.”
Përveç tre individëve të përmendur, dy mjekë, Mark Chavez dhe Salvador Plasencia, gjithashtu pranuan fajësinë për dënime të reduktuara. Plasencia, sipas mesazheve të zbuluara, kishte rishitur ketaminën Perry-t me çmime të tepruara, duke i kushtuar aktorit deri në 2,000 dollarë për flakon.
Matthew Perry u gjet i vdekur në tetor 2023, në moshën 54 vjeç, në xhakuzinë e rezidencës së tij në Pacific Palisades. Autopsia zbuloi nivele jashtëzakonisht të larta të drogës në trupin e tij, duke çuar në një hetim ndërkombëtar dhe një seri aktesh ligjore që përfshijnë pesë persona të ndryshëm. Zoom.al/
Arsyet pse duhet të përdorni fara liniFarat e linit me fibra të pasura, omega-3 dhe proteina bimore, dihmojnë tretjen, mbajnë kolesterolin nën kontroll dhe përmirësojnë shëndetin e zemrës.
Për më tepër, antioksidantët e farave të linit ofrojnë efekt anti-inflamator dhe mbrojnë qelizat nga plakja e parakohshme. Shumë dietologë i rekomandojnë edhe për kontrollin e oreksit dhe humbjen e peshës, pasi japin ndjesinë e ngopjes.
Për përdorim mund t’i shtoni lehtësisht në kos, sallata, smoothie apo bukë të bërë vetë. Edhe pse të vogla, farat e linit janë një burim i jashtëzakonshëm ushqyesish që mund të sjellë përfitime të mëdha për trupin dhe energjinë./ Zoom.al
Shtator i trazuar për këtë shenjë horoskopi/ Astrologia: Muaj i sfidave dhe reflektimeve të thellaShtatori do të jetë një muaj i mbushur me sfida dhe reflektime për shenjën e Akrepit, sipas astrologes së njohur Angela Pearl.
Ky muaj do të ndikohet fuqishëm nga eklipset dhe lëvizjet planetare, të cilat pritet të sjellin ndryshime të thella në jetën personale dhe profesionale të akrepëve.
Më 7 shtator, eklipsi hënor sjell në vëmendje çështje të dashurisë, marrëdhënieve me fëmijët dhe kreativitetin.
Ndërsa, më 21 shtator, eklipsi diellor pritet të hapë mundësi të reja për njohje, mbështetje nga miqtë dhe ndjekjen e ëndrrave.
Astrologia paralajmëron se ky muaj do të ngrejë pyetje të forta për vetëvlerësimin dhe mënyrën si akrepët i shohin prioritetet e tyre. Përvoja që do të përjetojnë mund të kujtojë ciklet e viteve 2006–2007 dhe 2015–2016, duke u dhënë mundësinë t’i përballojnë me më shumë pjekuri.
Ndërkohë, Jupiteri sjell zgjerim përmes udhëtimeve dhe kontakteve ndërkombëtare, Saturni kërkon disiplinë në dashuri dhe projekte krijuese deri në vitin 2026, ndërsa Mërkuri ndikon pozitivisht jetën shoqërore. Megjithatë, Urani në retrogradë mund të rikthejë çështje financiare apo trashëgimie.
Nga 23 shtatori, akrepët do të ndiejnë një valë të re energjie dhe gatishmëri për të marrë vendime të rëndësishme./ Zoom.al