Aplikacion
Ujori
Urani të nxit drejt ndryshimeve, por krijon edhe nervozizëm. Në dashuri, deri më 19 shtator ka tensione dhe mosmarrëveshje që mund të çojnë në pauza të vështira për çiftet në krizë. Në punë, rutina e mërzitshme të bën të ndihesh i bllokuar. Megjithatë, beqarët janë më të favorizuar për lidhje të lira. Ujori duhet të shmangë vendimet impulsive dhe të gjejë qetësi.
Peshorja
Edhe pse muaji premton rikuperim pas datës 18, stresi është i pranishëm, sidomos mes 15–21 shtatorit. Në punë ka projekte të reja por edhe shpenzime të papritura. Në dashuri, marrëdhëniet me ish-partnerë ose çështje ligjore të mbetura pezull mund të kthehen në pengesë. Këshilla e Paolo Fox: mos e lufto veten, mëso të rifitosh ekuilibrin e brendshëm.
Peshqit
Muaji nis mirë, por pjesa qendrore sjell shqetësime dhe vonesa. Çështje të mbetura pezull kërkojnë biseda të gjata, dhe deri më 19 duhet shumë kujdes në marrëdhënie. Megjithatë fundi i muajit është më pozitiv, me mundësi për rikuperim dhe dashuri të reja. Çiftet që duan të forcojnë një projekt kanë shanse, por duhet të mbyllin një herë e mirë lidhjet e dyfishta dhe raportet e paqarta./ Zoom.al
Rama paralajmëron tjetër aksion kundër bizneseve: Vjen radha shpejtPas aksionit për heqjen e tendave dhe lirimin e hapësirës publike, kryeministri Edi Rama paralajmëron se kjo nismë do të vijojë më tej.
Aktualisht, bizneset që hoqën tendat kanë vendosur vetëm çandra dhe kanë karriget e tavolinat ende jashtë, thuajse në të njëjtën hapësirë.
Për ta, Rama tha se së shpejti do të ketë një aksion edhe për të hequr karriget ose vendosja e tyre do të bëhet sipas disa rregullave.
“Atyre që shqetësohen për karriget u them bëni durim, shpejt u vjen radha së bashku me kushtet e reja për vendosje karrigesh jashtë, por si fillim mund të them se për çdo karrige në hapësirën e kufizuar publike, do të duhet të kontribuohet me një pemë në Fondin e Gjelbërt që do të krijojë qeveria e re”, tha Rama./ Zoom.al
“Prova lufte” në vendet baltike“Putini po na vëzhgon. Ne duam frenim, jo përshkallëzim.” Ky është mesazhi i Inspektorit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Gjermane, Carsten Breuer, për një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake nën udhëheqjen gjermane që filloi komponentin e saj detar dje dhe do të zgjasë deri më 12 shtator në rajonin e ndjeshëm të Detit Baltik.
13 vende të tjera të NATO-s po marrin pjesë dhe koordinimi i përgjithshëm ka qenë përgjegjësi e Shtabit Detar të Bundeswehr në Rostock që nga dje.
Shifrat janë mbresëlënëse: 8,000 ushtarë gjermanë, më shumë se 40 anije detare, të paktën 30 avionë luftarakë dhe rreth 1,800 automjete ushtarake. Qëllimi i stërvitjes është të forcojë aftësitë frenuese jo vetëm të aleancës së NATO-s, por edhe të Gjermanisë në veçanti. “Bundeswehr duhet të stërvitet vazhdimisht”, theksoi Carsten Breuer.
Stërvitja Quadriga 2025 përfshin faza individuale: ushtrime të gjera detare dhe ajrore, transport tankesh, ushtrime për kujdes mjekësor dhe transport të të plagosurve, pastrim minash dhe shumë më tepër. Ushtrimet në terren që lidhen me furnizimin dhe shfrytëzimin strategjik të trupave dhe pajisjeve nga Lituania, ku ndodhet brigada e 37-të gjermane, pritet të jenë me rëndësi kyçe.
Test i qëndrueshmërisë gjermane
“Suksesi i operacioneve ushtarake ka gjithmonë një parakusht: një sistem logjistik funksional”, theksoi Breuer. Quadriga 2025 në thelb teston kufijtë e qëndrueshmërisë së të gjithë “zinxhirit të furnizimit” në një skenar teorik lufte dhe kështu kufijtë e infrastrukturës kritike gjermane dhe në fund të fundit të sigurisë së brendshme.
Në fakt, siç thekson rrjeti televiziv n-tv, stërvitja e veçantë “Roja Kombëtare” do të testojë në terren mënyrën se si reagojnë ushtarakët aktivë dhe rezervistët për të mbrojtur infrastrukturën kritike të mbrojtjes, siç janë qendrat e furnizimit dhe portet në Gjermani.
Stërvitja e veçantë detare “Bregjet Veriore” është gjithashtu kritike, e karakterizuar nga një shkallë e lartë vështirësie për shkak të natyrës së saj komplekse: synon të mbrojë korridoret detare dhe të sigurojë transportin e trupave nga deti, duke mbrojtur njëkohësisht infrastrukturën detare. “Një armik hipotetik e vë në provë forcën tonë çdo ditë”, tha zëvendësadmirali gjerman Jan Christian Kaak.
Elementi i veçantë i Quadriga 2025, megjithatë, është se ajo përkon në kohë me stërvitjen ruse po aq të rëndësishme strategjike Zapad 2025, e cila po zhvillohet gjithashtu në rajonin e Baltikut me 30,000 ushtarë rusë dhe 13,000 ushtarë bjellorusë . Për këtë arsye, karakterizimi i këtyre ushtrimeve specifike si një “simulim lufte” nuk është një ekzagjerim. Megjithatë, për krerët e forcave të armatosura gjermane, rastësia e dy ushtrimeve nuk duhet të çojë në përfundime të gabuara.
Gjatë stërvitjes Quadriga 2025, roja bregdetare gjermane ka lëshuar një direktivë duke u bërë thirrje anijeve të argëtimit dhe anijeve me vela që lundrojnë në zonë të lëvizin me kujdes të veçantë në zonën më të gjerë të Kiel, duke mbajtur sa më shumë distancë të jetë e mundur nga anijet luftarake./DW
Kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm për Kosovën nuk lidhet më me frontet e luftës në Lindjen e Mesme, por me botën online.
Aty, përmes rrjeteve sociale dhe profileve anonime, ideologjitë radikale po gjejnë mënyra të reja për t’u shpërndarë.
Rastet e fundit të ndjekura nga Prokuroria Speciale tregojnë se propaganda e frymëzuar nga grupi militant, Shteti Islamik (ISIS), ruan ende ndikimin e saj mbi disa shtresa të shoqërisë.
Pyetja që lind është: a është Kosova e përgatitur për këtë version të kërcënimit?
Prokuroria Speciale e vendit siguron se bashkëpunon ngushtë me policinë, si dhe me institucione të tjera vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë, në hetimin e rasteve të tilla.
“Aktualisht, në përpunim janë dy raste. Ndërsa, nga fillimi i vitit 2025 e deri në këtë periudhë, janë ngritur dy aktakuza ndaj dy personave për veprën penale: nxitje e përçarjes dhe mosdurimit, përmes propagandës ideologjike dhe përkrahjes së ISIS-it”, thuhet në një përgjigje të Prokurorisë Speciale dhënë Radios Evropa e Lirë.
Sipas një njoftimi të këtij institucioni, më 14 gusht, këta dy të akuzuar kanë përdorur rrjetin social, Facebook, për të publikuar fotografi dhe video të personave të radikalizuar, për të shpërndarë materiale me përmbajtje nxitëse dhe për të bërë thirrje për ekstremizëm fetar.
Gjithashtu muajin e kaluar, S.C. u dënua me 6 muaj burgim për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit.
Me Kodin Penal të Kosovës, kjo vepër dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.
Adrian Shtuni, ekspert për politikë të jashtme dhe siguri nga Qendra Ndërkombëtare kundër Terrorizmit, thotë se Kosova përballet me dy forma të rrezikshme të ekstremizmit, që ushqehen online: njëri me bazë fetare dhe tjetri ultranacionalist, supremacist dhe separatist.
Për të parin thotë se është më i dukshëm dhe trajtohet më shumë në debatin publik, ndërsa ai ultranacionalist shpesh prezantohet si “patriotizëm i flaktë”.
“Kosova është mjaft e cenueshme, për shkak edhe të tensioneve të shtuara politike dhe polarizimit shoqëror që është manifestuar edhe me përplasje ndëretnike”, thotë Shtuni për Radion Evropa e Lirë.
Në këtë linjë është edhe Skënder Perteshi nga Instituti për Siguri dhe Reziliencë “Prevent”, i cili thotë se radikalizmi me ngjyrime fetare mbetet ndër format më shqetësuese të ekstremizmit në Kosovë, i ndjekur nga ai etno-nacionalist.
Ai shpjegon për Radion Evropa e Lirë se rrjetet sociale janë bërë mjeti kryesor i shpërndarjes së propagandës, ku individë dhe grupe ekstremiste fshehin aktivitetin e tyre nën petkun fetar dhe synojnë kryesisht të rinjtë.
“Ekzistojnë disa grupe të mbyllura, ku individë të caktuar shpërndajnë mesazhe me përmbajtje radikale fetare, ndërsa disa janë persona që vetëquhen imamë dhe nuk jetojnë në Kosovë, por përmes internetit bëjnë propagandë fetare me ndikim të ndjeshëm”, thotë Perteshi.
Qëllimi i tyre, sipas tij, është të minojnë sistemin demokratik dhe besimin e qytetarëve ndaj vlerave perëndimore dhe aleatëve ndërkombëtarë.
Në Bashkësinë Islame të Kosovës theksojnë se mësimet që shpërndahen në platformat online, interpretojnë shpesh doktrina me qasje të ngurtë, dhe ofrojnë shpjegime, të cilat jo vetëm që keqinformojnë besimtarët myslimanë, por edhe ushqejnë radikalizmin.
“Ata që veprojnë kështu, i japin vetes të drejtën të interpretojnë gjithçka, pa marrë parasysh kontekstin kohor, kulturor, tradicional dhe doktrinor të vendit ku jetojnë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ahmet Sadriu, sekretar i përgjithshëm i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës.
“Mundësia për t’u indoktrinuar është reale dhe si e tillë paraqet shqetësim për të gjithë ne”, thekson ai.
Kush fshihet pas këtyre propaganduesve?
Shtuni thotë se identifikimi i autorëve të propagandës ekstremiste në internet nuk është i thjeshtë.
Sipas tij, ata veprojnë në nivele të ndryshme: disa janë të njohur globalisht, disa në rajon dhe disa lokalë.
Shumë prej tyre thotë se shfrytëzojnë anonimitetin që ofron interneti, duke e bërë të vështirë dallimin e duhur të grupeve apo individëve që financojnë aktivitetet e tyre.
Ai shpjegon se, ndërsa disa grupe shpërndajnë hapur propagandën e Shtetit Islamik në gjuhën shqipe për të radikalizuar audiencat e tyre, të tjerat përfshihen në nxitjen e ndasive dhe konflikteve ndëretnike.
“Për shembull, vende si Rusia (por edhe vende të tjera jomike) kanë platforma propagandistike dezinformuese të sofistikuara, që kanë qëllim polarizimin ndëretnik në Kosovë dhe në Ballkan, e që kanë intensifikuar punën që pas fillimit të luftës në Ukrainë, më 2022”, thotë Shtuni.
Luke Baumgartner, hulumtues në Programin për Ekstremizëm të Universitetit George Washington, thotë se janë bërë shumë studime mbi sfondin demografik të ekstremistëve dhe terroristëve – nga të djathtët ekstremë deri te të majtët ekstremë.
Megjithatë, nuk ka një profil të vetëm – “ajo që shihet më shpesh është se janë të rinj meshkuj”.
“Ekstremistët online zakonisht janë të rinj meshkuj që ndihen të pasigurt dhe të kufizuar nga mundësitë sociale dhe ekonomike”, thotë Baumgartner për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se kërcënimi prej tyre është gjithmonë i pranishëm, por mjafton një ‘shkëndijë’ nga një ngjarje globale – si lufta në Gazë – për ta përshkallëzuar ndikimin.
Kush shënjestrohet dhe përmes cilave platforma?
Nga studimet që ka bërë instituti “Prevent”, Perteshi thotë se grup-moshat më të shënjesteruara në Kosovë janë adoleshentët dhe të rinjtë deri në 26 vjeç.
Situatë e ngjashme vërehet edhe globalisht, thotë Baumgartner.
Ai veçon edhe kategoritë më të cenueshme, si të rinjtë me probleme mendore ose komunitetet LGBTQ, për të cilat thotë se manipulohen më lehtë dhe kthehen në abuzues të mundshëm.
“Në thelb, çdo person që ndjehet i përjashtuar ose i izoluar nga shoqëria rreth tij është më i prirë të bëhet viktimë”, thotë Baumgartner.
Platformat që përdoren më së shumti për përhapje të propagandës ekstremiste janë rrjetet sociale, si Facebook, TikTok, Telegram e të tjera.
“Këto platforma, sidomos ato që ofrojnë edhe komunikim nëpërmjet mesazheve të kriptuara, përdoren edhe për planifikim dhe koordinim veprimesh të paligjshme dhe financim të aktiviteteve të ndryshme nga grupet ekstremiste të dhunshme”, shpjegon Shtuni.
A është Kosova e përgatitur ta përballojë këtë kërcënim?
Ekspertët paralajmërojnë se sfida nuk është vetëm e sigurisë, por edhe shoqërore.
Për të luftuar radikalizmin online, Kosova, sipas tyre, duhet të forcojë mbrojtjen e të rinjve ndaj propagandës, të rrisë kapacitetet e institucioneve ligjzbatuese dhe të investojë më shumë në edukimin qytetar dhe digjital.
“Institucionet e sigurisë në Kosovë kanë informata dhe janë në masë të madhe aktive. Në baza ditore arrestojnë persona, mbyllin faqe të ndryshme në rrjetet sociale, bëjnë vlerësime analitike dhe hetojnë”, thotë Perteshi.
Në vitin 2023, Kosova ka miratuar Strategjinë e re për Parandalimin dhe Luftimin e Terrorizmit, e cila do të vlejë deri në vitin 2028.
Dokumenti bazohet në katër objektiva strategjike: parandalimi, mbrojtja, ndjekja dhe reagimi.
Por, sipas Mentor Vrajollit, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, fokusi i autoriteteve është pothuajse tërësisht në shpërbërjen e strukturave paralele serbe në Kosovë.
“Si rezultat, çështja e ekstremizmit të dhunshëm me bazë fetare duket se ka humbur vëmendjen institucionale”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë, dhe paralajmëron se “një largim i tillë i vëmendjes, në plan afatgjatë, mund të përbëjë rrezik të madh”.
“Ndaj, masat parandaluese dhe luftuese ndaj këtij fenomeni duhet të jenë të parreshtura”, thekson Vrajolli.
Cilat strategji janë më efektive?
Baumgartner thotë se qeveritë shpesh janë të pafuqishme për të parandaluar radikalizimin online.
Sipas tij, barrën kryesore e mbajnë platformat e mediave sociale, që nuk e rregullojnë mjaftueshëm përmbajtjen ekstremiste.
“Platformat si X janë bërë një vend për neo-nazistët dhe ekstremistët e djathtë – pa asnjë qëllim për moderim më të rreptë. Po ashtu, Meta ka larguar shumë nga stafi i sigurisë dhe kontrollit të fakteve për platformat e saj, si Instagram apo WhatsApp”, thotë Baumgartner.
Sipas tij, vetëm Telegram ka ndërmarrë hapa të qartë, duke mbyllur kanale dhe grupe që promovojnë terrorizmin ose strehojnë organizata terroriste.
Për Shtunin, një nga strategjitë më efektive të shtetit përballë ideologjive ekstremiste është ulja e tensioneve politike dhe polarizimit shoqëror.
“Mbrojtja më e mirë ndaj ekstremizmit të dhunshëm është adresimi i drejtë i sfidave politike, shoqërore dhe ekonomike me frymë tolerance e konstruktiviteti”, përfundon ai./ REL
EMRI/ Kush është i moshuari që u gjet i pajetë në KorçëIdentifikohet 70-vjeçari që u gjet i pajetë në banesën e tij pasditen e kësaj të hëne në Korçë.
I moshuari është Niko Kita, i cili sipas policisë, kishte ndërruar jetë para pak ditësh.
Ai kishte 2 vajza, njërën në Amerikë dhe tjetrën në Itali. Por 70-vjeçari jetonte i vetëm, pasi bashkëshortja jetonte me vajzën në Itali.
Sipas fqinjëve, 70-vjeçari vuante nga probleme të shëndetit mendor./ Zoom.al
Rama premtoi heqjen e parasë “cash”/ Sa realiste është një ekonomi digjitale?Kryeministri Edi Rama e fitoi mandatin e katërt qeverisës në majin e këtij viti, duke u premtuar qytetarëve se do ta anëtarësonte vendin në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.
Në mesin e muajit korrik ai njoftoi një tjetër plan madhor, sipas tij të realizueshëm brenda së njëjtës periudhë kohore. “Kemi një ambicie: deri në fundin e kësaj dekade, Shqipëria do të jetë shoqëri që nuk përdor pará “cash”, çka do të thotë se të gjitha veprimet dhe transaksionet financiare do të jenë plotësisht digjitale” – deklaroi Rama para përfaqësuesve të start-up dhe sektorit teknologjik dhe inovativ, gjatë një takimi të quajtur “Shqipëria 2030 – vizioni drejt integrimit europian”.
“Ajo që na nevojitet është më shumë kualifikim” – vijoi Rama, duke theksuar se mjetet e nevojshme për një Shqipëri digjitale, aktualisht ekzistojnë. “Besoj se nëse ne menaxhojmë siç duhet rrugën drejt kësaj ambicieje, qëllimi është tërësisht i arritshëm dhe do ta lehtësojë vendin nga një barrë e rëndë praktikash të vjetëruara dhe mungese efikasiteti që rëndon në jetën e përditshme” – tha ai.
E gjitha kjo tingëllon shumë e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë. Por, sa realiste është?
“Preferoj të paguaj me pará në dorë”: Në jetën e përditshme, Mimoza A., një 62-vjeçare nga Tirana, thotë se të vetmet raste kur ajo përdor kartën e bankës, është kur tërheq rrogën nga bankomati pranë shtëpisë.
“Nuk është e zakonshme për njerëzit e moshës sime që të paguajnë me kartë kur blejnë ushqime ose tek parukierja. Unë preferoj të paguaj me pará në dorë dhe kështu do të veproj gjithmonë” – i tha ajo Deutsche Welle-s.
Mimoza nuk është e vetmja që mendon kështu. Si ajo, mendojnë shumica e qytetarëve shqiptarë.
Ambicie ëndërrimtare?
Kur Shqipëria “hoqi prangat” e regjimit diktatorial 35 vite më parë, vendit i mungonte një sistem bankar dhe financiar modern. Progresi gjatë tranzicionit ishte i ngadalshëm dhe për herë të parë bankomatet u përdorën në vitin 2004.
Arben Malaj, i cili shërbeu si ministër i Financave dhe Ekonomisë nga viti 1997 deri në vitin 2005, tashmë ekspert i lartë i financave dhe pedagog, mendon se ambicia e Ramës për një ekonomi digjitale, është populizëm.
Malaj thotë, se ekzistojnë një sërë faktorësh që e bëjnë të vështirë një reformë pa “cash” në pesë vitet e ardhshme.
“Shkalla e lartë e informalitetit, veçanërisht në sektorin bujqësor që përbën një pjesë të konsiderueshme të Prodhimit të Brendshëm Bruto, është shumë më e lartë se në çdo vend tjetër të rajonit. Një pjesë e madhe e popullsisë jeton në zonat rurale. Gjithashtu, pjesa më e madhe e parave që vijnë nga emigrantët – miliarda dollarë në vit – dërgohen jashtë kanaleve zyrtare të pagesave. Dhe partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë – Turqia, Greqia dhe Italia – kanë gjithashtu përqindje të larta të informalitetit” – thotë Malaj për DW.
Ai paralajmëron, se çdo përparim në kufizimin e parasë në dorë kërkon investime të mëdha në sigurinë kibernetike.
“Ambicie e rrezikshme”
Eksperti i sigurisë kibernetike, Besmir Semanaj, e konsideron planin e kryeministrit Rama jo vetëm jorealist, por edhe “të rrezikshëm”.
Semanaj risjell në vëmendje sulmet kibernetike masive ndaj institucioneve qeveritare gjatë viteve të fundit. Në shenjestër të tyre ishte e-Albania, faqet zyrtare të Kuvendit dhe Institutit të Statistikave.
Sipas ekspertit Semanaj, këto sulme, ndër më të mëdhatë në rajon, tregojnë qartazi se “Shqipëria është shumë e ekspozuar ndaj këtyre kërcënimeve dhe nuk ka ende një arkitekturë të fortë rezistence për të mbrojtur infrastrukturën kritike”.
“Edhe vendet më të zhvilluara në Europë, si Suedia apo Norvegjia, po rivlerësojnë nevojën për të mbajtur një minimum cash-i në qarkullim, pikërisht për arsye sigurie dhe gatishmërie në raste emergjencash ose sulmesh kibernetike” – i tha ai DW-së.
“Pra, ndërkohë që kombet më të digjitalizuara po ruajnë “parashikime offline”, Shqipëria deklaron se do të bëhet 100% digjitale në më pak se dhjetë vjet, pa ndërtuar më parë kapacitetet bazë të mbrojtjes kibernetike. Një ekonomi e varur totalisht nga sistemet digjitale, pa alternativë, është një ekonomi e pambrojtur dhe e ekspozuar ndaj paralizimit total nga një virus apo blackout” – argumenton Semanaj.
“Bizneset e vogla dhe të mesme do të vuajnë”
Hazis I. ka punuar në sektorin e turizmit për rreth 40 vite. Sot ai menaxhon një nga hotelet më të njohura të Tiranës, i cili frekuentohet nga turistë nga e gjithë bota.
Kryesisht, turistët e huaj preferojnë të përdorin kartat bankare për llogaritë e tyre. Ky është kontrast i fortë me klientët shqiptarë, të cilët paguajnë thuajse gjithmonë me pará në dorë. Kjo nënkupton kosto më të larta për hotelin, pasi bizneseve u duhet të paguajnë komision bankar për çdo transaksion me kartë.
Hazis I. nuk është shumë entuziast rreth planeve të kryeministrit për një shoqëri pa “cash”.
“Jam kundër këtij objektivi, sepse mund ta pranojmë që turistët duan të paguajnë me kartë edhe për një kafe që kushton 1.50 euro. Por si duhet të veproj me furnizuesit e perimeve apo djathit?” – thotë ai.
“Gjatë sezonit të verës, për shembull, unë blej rregullisht shalqinj nga një tregtar i vogël që shet këtu në qoshe. Ai nuk i ka përdorur kurrë pagesat digjitale dhe jam i bindur që s’do t’i përdorë kurrë as në të ardhmen. Ky plan do t’i nxjerrë jashtë loje tregtarët e vegjël. Madje dhe ne do të vuajmë shumë” – tha ai për DW.
Mungesë e objektivave konkrete
Për ekspertin e financave Arben Malaj, objektivi për një ekonomi digjitale është i pasaktësuar e për pasojë, as i matshëm. Ai thotë se qeveria mund të vendosë objektiva konkrete dhe afate të detyrueshme, vetëm pas një studimi të thelluar nga institucionet përgjegjëse, grupet e interesit dhe qarqet akademike.
“Aktualisht nuk ka asnjë ekonomi në botë me zero “cash”. Dhe në vendet me kulturë të dobët shtetformuese, me edukim minimal financiar, me nivele të ulëta të njohurive digjitale, në vendet ku qeverisja është e dobët, ku cilësia e shërbimeve thelbësore publike – arsimi, shëndetësia, kohezioni dhe solidariteti social- janë të ulëta dhe ku perceptimi për korrupsionin është i lartë, është e pamundur të arrihen suksese të mëdha dhe të qëndrueshme në kohë të shkurtër” – thotë Malaj.
Banka e Shqipërisë ka vërejtur rritje të pagesave elektronike gjatë dhjetë viteve të fundit.
“Publiku ka përfituar nga ulja e kostove, përshtatja e produkteve sipas nevojave dhe rritja e aksesit në shërbimet e pagesave, çka është reflektuar në një rritje me ritme dyshifrore të përdorimit të pagesave elektronike, duke arritur në 21 pagesa elektronike për frymë, nga vetëm dy pagesa në vitin 2015” – deklaroi guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një dalje publike vitin e kaluar.
Rrugë e gjatë përpara?
Për Semanaj, rritja e këtyre numrave mbetet gjithsesi shumë larg standardeve të BE-së, ku vendet anëtare arrijnë mbi 300 transaksione për frymë në vit.
“E-commerce në Shqipëri është shumë e kufizuar. Platforma ndërkombëtare si ‘Stripe’ nuk operojnë fare në Shqipëri dhe tregtarët e vegjël apo bizneset e mesme varen nga disa banka vendase që ofrojnë gateway-t e tyre të mbyllura dhe shpesh të shtrenjta për integrim. PayPal ekziston si mundësi për individët, por nuk është një zgjidhje e integruar për bizneset shqiptare. Kjo do të thotë se tregtia online është praktikisht e kufizuar dhe pengon hyrjen e Shqipërisë në tregtinë globale digjitale” – thotë ai.
Pra, pavarësisht se kryeministri Rama dëshiron që të kapë sa më shpejt ritmin europian dhe që vendi të anëtarësohet në BE sa më shpejt që të jetë e mundur, duket se Shqipëria ka një rrugë të gjatë përpara për t’u bërë një shoqëri që nuk përdor “cash” dhe do t’i duhet më shumë se një dekadë për t’u përshtatur më këtë kulturë./ DW
Këshilli i Lartë i Prokurorisë u përfshi nga debatet gjatë mbledhjes plenare të së hënës në lidhje me mënyrën se si do të shpenzohej buxheti i vitit 2026, por edhe për pakënaqësi që lidhen me drejtimin.
Duke marrë shkas nga vendimi i kryetares së KLP, Mirela Bogdani për të mos përfshirë në buxhet shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin nga një vendim gjyqësor i formës së prerë, prokurori Sokol Stojani kritikoi ashpër mënyrën se si Bogdani po e drejtonte Këshillin dhe prioritetet e vendosura prej saj.
Stojani e akuzoi Bogdanin se kishte ushtruar presion ndaj shefes së Financës për të penguar zbatimin e vendimit të Gjykatës për dëmshpërblimin e ish-sekretares së Përgjithshme. Ai tha gjithashtu se një email i tij kishte mbetur pa përgjigje, ndërsa i ishte bërë me dije se prioritet do të ishin pagat dhe organizimi i disa trajnimeve.
“O Zot! Garantimi i pagave nuk është diskutuar as në ’97-ën! As në ’97-ën! Ky është vizioni,” pyeti Stojani në diskutimin e dokumentuar me audio në faqen e KLP-së.
“Pastaj thotë se do bëjmë parashikime për 15 ‘retreat’-e…, 15? Çfarë jemi ne, agjenci udhëtimi? Si do kthehet kjo, në KLP Travel?”, shtoi ai.
Sipas tij, planifikimi i buxhetit është problem i Këshillit dhe se ka pasur veprime nga kryetarët për të penguar e sfiduar Këshillin. Sipas tij, Bodani nuk arrin të perceptojë gjëra elementare. “Detyra duhet të bëhet në bazë të ligjit”, tha Stojani.
Kryetarja e KLP, Mirela Bogdani nuk replikoi me Stojanin për çështjet që ai ngriti. E pyetur nga BIRN për akuzat, Bogdani tha se Këshilli ka kultivuar tashmë praktikën e diskutimit mes anëtarëve dhe ndarjen e shqetësimeve dhe mendimeve për çdo çështje.
“Diskutimet e reflektuara në media janë pjesë e debateve dhe optikës së gjithsecilit prej anëtarëve, i cili duhet të jetë brenda rregullave të një komunikimi etik dhe profesional. Secili është i lirë të komentojë çdo detaj të buxhetit dhe të votojë pro ose kundër,” tha Bogdani përmes një mesazhi në aplikacionin Whatsapp.
Bogdani sqaroi se takimet e punës [retreat] ishin propozuar për të trajnuar stafin dhe për të zhvilluar procese diskutimi për një listë të gjatë të rregulloreve që i kanë detyrim ligjor, në kuadrin e proceseve integruese në Bashkimin Evropian. Sipas saj, këto takime janë menduar edhe si forume shkëmbimi përvojash me drejtuesit e prokurorive apo edhe prokurorë të tjerë në sistem për çështje të vlerësimit etiko -profesional, komunikimin me median dhe publikun, etikën etj.
“KLP është institucion relativisht i ri dhe stafi apo anëtarët do duhet të marrin pjesë në aktivitete profesionale qoftë edhe me institucione homologe. Deri tani, një pjesë e aktiviteteve janë mbuluar financiarisht nga projekti i BE EU4Justice ose donatorë të tjerë, por në momentin që ata mbarojnë angazhimin e tyre ne do të duhet t’i organizojmë vetë këto aktivitete dhe kjo fillon me parashikimin në buxhet, sipas VKM që specifikon kuotat e dietave të cilat si mund të jeni në dijeni janë minimale dhe të paindeksuara me çmimet e tregut”, tha Bogdani, ndërsa shtoi se bëhet fjalë për parashikime që do të duhet të miratohen nga Ministria e Financave dhe Kuvendi.
Për akuzat e ngritura nga Stojani për ndikim në zyrën e financës, Bogdani theksoi se bëhet fjalë për diskutime me ta dhe kërkesën e saj të përsëritur për të përllogaritur në menyrë të saktë detyrimin për pagimin e pagës dhe sigurimeve shoqërore për ish-sekretaren e përgjithshme, e cila sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, do duhet t’i paguhet paga deri në kthimin e saj në punë.
“Në tërësinë e saj, seanca kishte karakteristikat tipike të diskutimeve një një organ kolegjial, ku debatet dhe mendimet e ndryshme janë të pritshme. Qëndrimi im, në cilësinë e titullarit të institucionit, mbetet respektimi i ligjit dhe integritetit profesional në ushtrimin e detyrës me përkushtim nga çdo punonjës, në çdo nivel, për të kërkuar më pas te njëjtën qasje edhe nga të tretët”, përfundoi Bogdani./ Reporter.al
Një person u gjet i pajetë pasditen e kësaj të marte në lagjen nr.10 në Korçë.
Sipas policisë, viktima u identifikua si 70-vjeçari me inicialet N. K..
Ai jetonte i vetëm dhe nga hetimet paraprake raportohet se kishte disa ditë që kishte humbur jetën.
Vdekja dyshohet se ka ardhur për shkaqe natyrale sepse në trupin e tij nuk janë gjetur shenja dhune.
Ky është rasti i dytë që raportohet brenda pak ditësh në Korçë. Gjatë javës së shkuar policia gjeti brenda në banesë trupin e pajetë të një të moshuari që kishte humbur jetën prej janarit./ Zoom.al
Ndryshime në qeveri, kush janë 3 emrat që largohenKëshilli i Ministrave miratoi sot lirimin nga detyra të tre zëvendësministrave.
Ilva Gjuzi nuk do të jetë më zëvendësministre e Turizmit dhe Mjedisit.
Ajo u emërua në këtë post pas një deklarate “bombastike” në media për Edi Ramën.

“Edi Rama ka shumë të meta. Edi Rama është 10 hapa ne të tjerëve. Është më përpara se ç’duhet. Po pra kjo është e një e metë e madhe se të jesh shumë përpara është e metë”, tha disa muaj më parë Gjuzi.
Po ashtu, Ceno Klosi largohet nga pozicioni zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë. Ai e mori këtë post në qershor të vitit të kaluar, pas gati tre vitesh në krye të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

Ndërsa emri i tretë që largohet është ai i Romina Kuko, që shërbente si zëvendësministre e Brendshme.

Vendimet, të propozuara nga Kryeministri Edi Rama, hyjnë në fuqi menjëherë.
Këto vendime vijnë pak ditë para 11 shtatorit, kur Edi Rama ka njoftuar se do të mbledhë Asamblenë e Partisë Socialiste për të prezantuar emrat e kabinetit të ri qeveritar që do të formohet pas zgjedhjeve të 11 majit./ Zoom.al
Qeveria shpërblen zjarrfikësit, policët dhe Forcat e Armatosura që luftuan me flakët. Sa para do të marrinQeveria shqiptare do të shpërblejë financiarisht Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe zjarrfikësit vendorë, që u angazhuan në operacionet për shuarjen e vatrave të zjarrit në të gjithë vendin gjatë verës.
Shpërblimet do të jepen në varësi të kohëzgjatjes së angazhimit:
Shpërblimet do të llogariten mbi pagën mujore bruto të punonjësve. Efekti financiar për Forcat e Armatosura, Policinë dhe Mbrojtjen Civile do të përballohet nga fondet e buxhetit të shtetit dhe buxhetet përkatëse të ministrive dhe njësive të vetëqeverisjes vendore.
Vendimi i plotë:
DHËNIE SHPËRBLIMI PERSONELIT TË ANGAZHUAR NË OPERACIONET PËR SHUARJEN E ZJARREVE GJATË VITIT 2025
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 14, të ligjit nr.115/2024, “Për buxhetin e vitit 2025”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënie shpërblimi personelit, punonjës shtetërorë, të angazhuar në shuarjen e zjarreve gjatë verës së vitit 2025. Shpërblehen punonjësit e: a) Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë; b) Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile; c) Policisë së Shtetit; ç) Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin; d) Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin në bashki.
Punonjësit e përcaktuar në pikën 2, të këtij vendimi, përfitojnë shpërblim, sipas kohëzgjatjes së angazhimit, si më poshtë vijon: a) Për angazhim me kohëzgjatje, nga 1 (një) deri në 7 (shtatë) ditë, jepet shpërblim në masën e 1 (një) page mujore; b) Për angazhim me kohëzgjatje, nga 8 (tetë) deri në 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, jepet shpërblim në masën e 2 (dy) pagave mujore; c) Për angazhim me kohëzgjatje 16 (gjashtëmbëdhjetë) ditë e më shumë jepet shpërblim në masën e 3 (tri) pagave mujore.
Shpërblimi llogaritet mbi bazën e pagës mujore bruto të punonjësit të angazhuar në operacionet e shuarjes së zjarreve. Efekti financiar për strukturat e përcaktuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 2, të këtij vendimi, përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, i miratuar për vitin 2025. Në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, në shpenzimet korrente, shtohet fondi prej 193 140 098 (njëqind e nëntëdhjetë e tre milionë e njëqind e dyzet mijë e nëntëdhjetë e tetë) lekësh, përkatësisht 145 809 950 (njëqind e dyzet e pesë milionë e tetëqind e nëntë mijë e nëntëqind e e pesëdhjetë) lekë në programin buxhetor “Forcat e luftimit”, 43 408 127 (dyzet e tre milionë e katërqind e tetë mijë e njëqind e njëzet e shtatë) lekë në programin buxhetor “Mbështetja e luftimit” dhe 3 922 021 (tre milionë e nëntëqind e njëzet e dy mijë e njëzet e një) lekë në programin buxhetor “Emergjencat civile”. Në buxhetin e Ministrisë së Brendshme, në shpenzimet korrente, shtohet fondi prej 69 615 100 (gjashtëdhjetë e nëntë milionë e gjashtëqind e pesëmbëdhjetë mijë e njëqind) lekësh në programin buxhetor “Policia e Shtetit”.
Efekti financiar për strukturën e përcaktuar në shkronjën “ç”, të pikës 2, të këtij vendimi, përballohet nga buxheti i miratuar për vitin 2025 për Ministrinë e Brendshme. Efekti financiar për strukturat e përcaktuara në shkronjën “d”, të pikës 2, të këtij vendimi, përballohet nga buxhetet përkatëse të njësive të vetëqeverisjes vendore. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Brendshme dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”./ Zoom.al